Rizzo: Reforma kadastrale, gur themeli i mirëqeverisjes
TIRANË, 26 maj /ATSH/ I Ngarkuari me Punë në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Andre Rizzo u shpreh sot se reforma kadastrale në Shqipëri është gur themeli i mirëqeverisjes.
Në fjalën e mbajtur gjatë konferencës rajonale që bashkon vendet e Ballkanit Perëndimor rreth një vizioni të përbashkët: transformimin digjital, sigurinë juridike të pronës dhe integrimin europian, ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, drejtuesja e Kadastrës Shqiptare, Lorena Goxhobelli dhe Giulia Re, drejtuese e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë Rizzo tha se procesi i aderimit në BE i vendit tonë, ka edhe një pjesë thelbësore të grupkapuitujve Themeloret që lidhet me pronën.
“Aktualisht ndodhemi në një moment shumë të rëndësishëm të procesit të negociatave. Kjo tregon edhe shkallën e vështirësisë, e cila këtu në Shqipëri është vërtet e madhe. Ne e vlerësojmë këtë lloj nisme që bashkon kolegë dhe institucione të kadastrave nga mbarë rajoni, për të shkëmbyer sfidat dhe arritjet”, tha ai.
Rizzo nënvizoi se “reforma kadastrale mbetet një gur themeli i mirëqeverisjes dhe është e rëndësishme pasi garanton siguri ligjore, të drejta pronësore, transparencë dhe transaksione të sigurta. Ajo përmirëson cilësinë dhe efikasitetin e shërbimeve publike, redukton rreziqet e keqmenaxhimit, si dhe nxit një treg të pasurive të paluajtshme më miqësor dhe më dinamik”.
“Modernizimi i sistemit kadastral kontribuon në një ekonomi më të fortë dhe një shoqëri më të begatë, por kjo nuk është vetëm çështje e prioriteteve kombëtare. Ai është i rëndësishëm edhe për investimet në të ardhmen. Kjo parashikohet në të gjitha kuadrot dhe partneritetet e negociatave për aderimin, si edhe në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, tha Rizzo.
“Në mbarë rajonin kemi parë se trashëgimia e sistemeve të mëparshme, sidomos pas regjimeve komuniste, ka krijuar sfida afatgjata dhe ka akumuluar vështirësi lidhur me modelet e të dhënave dhe regjistrimin e pronave. Gjatë tre dekadave të fundit, vendet kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për t’i adresuar këto problematika, duke u përballur me vështirësi, por edhe duke zhvilluar zgjidhjet e duhura”, vijoi ai.
Sipas Rizzos, Shqipëria pasqyron shumë prej këtyre dinamikave rajonale. Rizzo shtoi se “procesi i regjistrimit të pronave dhe i pronësisë ka qenë vërtet kompleks dhe është formësuar nga rekorde historike të paplota, ndryshime demografike dhe qasje të shumëllojshme”.
“Shumë godina kanë mbetur të paregjistruara, të dhënat janë ruajtur në letër, ndërsa të dhënat elektronike nuk përputhen gjithmonë me situatën në terren. Këto kanë sjellë probleme me regjistrimin e pronave. Bashkimi Europian dhe Shqipëria kanë forcuar bashkëpunimin për t’i trajtuar këto sfida së bashku, duke u fokusuar në disa elemente kyçe: përshpejtimin e regjistrimit të pronave, avancimin e digjitalizimit, garantimin që të dhënat përputhen me realitetin në terren, si dhe forcimin e komunikimit me publikun”, pohoi Rizzo.
/e.i/a.f/
The post Rizzo: Reforma kadastrale, gur themeli i mirëqeverisjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.