Normal view

Received — 17 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Akademikët diskutojnë anglicizmat e përfshirë në “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”

17 April 2026 at 11:20

TIRANË, 17 prill/ATSH/ Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë zhvilloi tryezën shkencore me temën “Anglicizmat e pastabilizuar në gjuhën shqipe: çështje të drejtshkrimit dhe të integrimit në “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”.

Veprimtaria u drejtua nga akad. Valter Memisha, prof. dr. Anila Omari dhe prof. dr. Anila Kananaj. Në fjalën e hapjes, akad. Valter Memisha theksoi disa çështje kryesore që lidhen me trajtimin e anglicizmave në fjalor, duke përfshirë huazimet e stabilizuara, çerdhet fjalëformuese, shkurtesat dhe huazimet e paasimiluara, si dhe nevojën për standardizim të mëtejshëm leksikografik të tyre. Ai u shpreh se, “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” (FMGJSH) është një strukturë e hapur për pasurim dhe rishikim të vazhdueshëm.

Akad. Gëzim Hoxha theksoi sfidat që sjell ndikimi i anglishtes në shqipen bashkëkohore dhe nevojën për normëzim dhe përshtatje të huazimeve të reja.

Sipas tij, gjuha shqipe përballet me nevojën për përthithje, përshtatje dhe normëzim të huazimeve të reja, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e saj strukturor dhe kulturor.

Prof. dr. Anila Kananaj paraqiti fjalorthin me përzgjedhjen e 215 anglicizmave të rinj, duke nxjerrë në pah problematikat që ato paraqesin.

Akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj u shpreh se studimi i anglicizmave për t’u përfshirë në FMGJSH duhet bërë fjalë për fjalë dhe duhet marrë vendim për secilën fjalë, nëse duhet përfshirë apo përjashtuar. Gjithashtu, akad. Emil Lafe dhe prof. dr. Memushaj vunë theksin te kujdesi për përdorimin e anglicizmave, duke i pranuar vetëm në rastet kur shënojnë një koncept të ri dhe nuk kanë ekuivalent në shqip.

1 nga 4

/a.f/

The post Akademikët diskutojnë anglicizmat e përfshirë në “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Sala: Diaspora, partner i pazëvendësueshëm në reformat tona të shëndetësisë

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala në fjalën e saj në Samitin IV të Diasporës, në panelin 3 me titull “Diaspora dhe Sistemi Shëndetësor” falënderoi ekipin e mjekëve dhe specialistëve që kontribuojnë prej vitesh në sistemin shëndetësor shqiptar. Sala veçoi kontributet në distancë të dy mjekëve në fushën e Onkologjisë që kanë ndihmuar pacientët të përfitojnë kontrolle të specializuara me protokolle evropiane.

Ministrja Sala nënvizoi se “koha ka treguar që në shëndetësi gjithnjë e më shumë ndërtohen ura dhe jo mure”.

“Një gërshetim, një bashkëpunim sepse ne njohim ekspertizën e shkëlqyer që kemi këtu në Shqipëri, por shkëmbimi i eksperiencave është diçka e mrekullueshme”, tha ajo.

Sala tha se u kthye në Shqipëri, për të ndërtuar një sistem shëndetësor model, bashkë me ekipin e bashkëpunëtorëve.

“Jam e kënaqur dhe emocionuar doja vetëm të ndaja një detaj tjetër. Unë u ktheva këtu me një ekip shumë të mirë që të ndërtoj një sistem shëndetësor model, por kjo është një rrugë që as unë as ekipi im nuk e bëjmë dot pa ndihmën tuaj”, vijoi ajo.

Nga paneli i diskutimeve për shëndetësinë në Samitin IV të Diasporës, Sala u bëri thirrje profesionistëve brenda dhe jashtë vendit që të ndihmojnë në reformën në shëndetësinë shqiptare.

Sala tha se “Diaspora është dhe do mbetet një partner i pazëvendësueshëm në këtë drejtim”.

1 nga 4

/e.i/

The post Sala: Diaspora, partner i pazëvendësueshëm në reformat tona të shëndetësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dita Botërore e Parkinsonit, Çakçiri: Me rëndësi diagnostikimi i hershëm

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Në Ditën Ndërkomëtare të Parkinsonit, mjekët neurologë theksojnë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, trajtimit të duhur dhe mbështetjes së vazhdueshme për pacientët me këtë diagnozë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ndau sot në rrjetet sociale mesazhin e Dr. Genci Çakçirit, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Dr. Çakçiri thekson se sëmundja e Parkinsonit renditet ndër patologjitë më të shpeshta neurodegjenerative në botë. Pas Alzheimerit, kjo është sëmundja e dytë më e përhapur e këtij grupi, me një rritje të ndjeshme të prevalencës gjatë viteve të fundit.

Sipas tij, shenjat kryesore të Parkinsonit përfshijnë ngadalësimin e lëvizjeve, ngurtësimin muskulor dhe dridhjen, e cila zakonisht shfaqet në njërën anë të trupit. Sëmundja shpesh fillon me ngurtësim të dorës, plogështi dhe vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të përditshme.

Një nga shenjat më karakteristike dhe më të rëndësishme për diagnostikim sipas Dr. Çakçirit është dridhja në gjendje qetësie. Në dallim nga disa çrregullime të tjera, te Parkinsoni dridhja ndodh pikërisht kur pacienti është në pushim.

Dr. Çakçiri nënvizon se ekzistojnë forma të ndryshme të sëmundjes, përfshirë ato që shfaqen në moshë të re dhe që kanë bazë gjenetike. Ai thekson rëndësinë e diagnostikimit sa më të hershëm.

“Në momentin që shfaqen shenjat e para, pacientët duhet të drejtohen fillimisht te mjeku i familjes dhe më pas te specialisti neurolog. Rreziku për zhvillimin e Parkinsonit rritet me moshën, megjithatë vitet e fundit është vërejtur një shtim i rasteve edhe tek personat nën 50 vjeç”, tha ai.

Mjeku neurolog apelon gjithashtu për një rol aktiv të familjarëve në kujdesin ndaj pacientëve.

“Përveç ndjekjes së rregullt të trajtimit, pacientët kanë nevojë për mbështetje morale, inkurajim dhe përfshirje në aktivitet fizik. Ushtrimet dhe një stil jetese aktiv konsiderohen shumë të rëndësishme për menaxhimin e sëmundjes dhe përmirësimin e cilësisë së jetës”, përfundoi Dr.Çakçiri.

/e.i/j.p/

The post Dita Botërore e Parkinsonit, Çakçiri: Me rëndësi diagnostikimi i hershëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 4 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gonxhja: Galeria e Arteve “Tahir Tahiraj” në Mat transformohet rrënjësisht

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë vizitës në Mat së bashku me zëvendëskryeministren Albana Koçiun, vizituan edhe Galerinë e Arteve “Tahir Tahiraj”, e cila është kthyer në një hapësirë moderne me kushte dhe standarde të reja për artin dhe kulturën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri theksoi se “nga një ambient që më parë përballej me mungesë hapësirash ekspozimi dhe infrastrukturë të pamjaftueshme, galeria tashmë ofron kushte dinjitoze për artistët dhe vizitorët, falë ndërhyrjeve të realizuara me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit”.

Sipas Gonxhes, investimi ka sjellë zgjerimin e hapësirave ekspozuese, krijimin e kushteve higjeno-sanitare dhe është drejt përfundimit edhe ambienti i dedikuar për magazinimin e veprave, duke rritur ndjeshëm funksionalitetin dhe standardet e institucionit.

“Ky transformim shënon një hap të rëndësishëm për zhvillimin e jetës kulturore në Mat dhe për forcimin e rolit të kulturës shqiptare si pjesë aktive e hapësirës kulturore europiane”, shkruan Gonxhja.

/m.q/

The post Gonxhja: Galeria e Arteve “Tahir Tahiraj” në Mat transformohet rrënjësisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 3 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Bashkia Mat dhe QKK, marrëveshje për program të rregullt filmik e kulturor për komunitetin

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji dhe kryetari i bashkisë Mat, Altin Bojni, në praninë e zëvendëskryeministres Albana Koçiu dhe ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për rijetëzimin dhe funksionimin e hapësirave kinematografike publike.

Marrëveshja synon modernizimin e këtyre hapësirave dhe zhvillimin e një programi të rregullt filmik e kulturor për komunitetin, duke vendosur në qendër bashkëpunimin institucional dhe angazhimin për rritjen e aksesit në artin filmik.

Sipas ministrit Gonxhja, në fokus është bashkëorganizimi i shfaqjeve filmike, aktiviteteve kulturore dhe edukimit artistik, në funksion të një jete kulturore më të pasur për qytetarët.

Gonxhja theksoi se “filmi dhe kinemaja janë tashmë një dritare e re drite e kulture në sallën e saporindërtuar që inauguruam, por së shpejti, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe të QKK, Mati do të ketë edhe rindërtimin e kinemasë së vjetër të qytetit, për të cilën sot u angazhuam përpara të ftuarve, në bashkëpunim me bashkinë”.

Në kuadrin e javës së komunikimit publik mbi Integrimin Evropian u shfaq filmi me metrazh të shkurtër Sheets (Çarçafët) (2022) i regjisores Evi Gjoni me skenar të Genc Përmetit dhe Sven Dagones, realizuar me mbështetjen e QKK, që trajtonte temën e historisë së një familjeje që përpiqet të mbijetojë në një sistem totalitar distopik.

Ata gjenden papritur përballë një dileme të fortë morale: të raportojnë tek autoritetet shtypëse një familje emigrantësh që u kërkon ndihmë, apo të zgjedhin të ruajnë dinjitetin njerëzor, duke rrezikuar kështu drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e tyre. “Është një përplasje e fuqishme mes instinktit bazik të vetmbrojtjes dhe humanizmit”, shkruan ministri.

Ky film është vlerësuar me çmime dhe vlerësime, si: Trieste Film Festival: Çmimi i Publikut dhe Përmendje Speciale nga Juria; Athens Short Film Festival: Filmi më i mirë i shkurtër; Paris International Film Aëards: Regjisorja më e mirë; Florence Film Awards: Filmi më i mirë narrativ i shkurtër (Best Narrative Short); Best Shorts Competition (SHBA): Award of Excellence.

/m.q/j.p/

The post Bashkia Mat dhe QKK, marrëveshje për program të rregullt filmik e kulturor për komunitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës “Shefqet Doda” në Mat, standard i Shqipërisë 2030

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës “Shefqet Doda” në Mat i ka dhënë qytetit frymë të re në jetën kulturore dhe artistike.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, së bashku ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhen, kryetarin e bashkisë Altin Bojnin dhe deputetin Agron Malaj, vizituan nga afër hapësirat e transformuara.

“Sot i rikthejmë Matit një prej simboleve të tij më të çmuara, me një frymë tërësisht të re, që i përket Shqipërisë së gjeneratës tjetër. Rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës “Shefqet Doda” shënon një tjetër standard të arritur në rrugëtimin tonë drejt Shqipërisë 2030”, shkruan Koçiu.

Sipas saj, këto investime synojnë rigjallërimin e plotë të jetës artistike dhe rritjen e peshës së aktiviteteve kulturore, duke garantuar që talenti dhe qytetarët e Matit të ketë të njëjtat mundësi zhvillimi si në çdo qytet europian.

Nga ana tjetër, ministri Gonxhja theksoi se “Pallati i Kulturës “Shefqet Doda”, falë mbështetjes së Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, i është nënshtruar një rikonstruksioni tërësor, pas një gjendjeje të amortizuar me mobilim të vjetruar, akustikë të dëmtuar, sistem elektrik të degraduar dhe mungesë kushtesh funksionale, duke sjellë sot për qytetarët një ambient modern, të sigurt dhe dinjitoz në shërbim të jetës kulturore”.

Projekti i rikonstruksionit bëri të mundur përmirësimin e infrastrukturës së ndërtesës dhe modernizimin e objekteve të saj.

/m.q/j.p/

The post Koçiu: Rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës “Shefqet Doda” në Mat, standard i Shqipërisë 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

27 vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Hoxha: Moment përcaktues në histori

TIRANË, 24 mars /ATSH/ Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha u shpreh sot, se njëzet e shtatë vjet më parë, bota zgjodhi të mos qëndronte indiferente.

Duke u ndalur te ky moment, në një postim në rrjetin social X, ministri Hoxha tha se “NATO ndërmori operacionin Allied Force për të ndalur fushatën brutale të dhunës dhe spastrimit etnik të ndërmarrë nga Slobodan Milošević kundër shqiptarëve në Kosovë”.

“Ishte një moment përcaktues, kur dinjiteti njerëzor mbizotëroi mbi frikën, kur përgjegjësia për të mbrojtur jetët e pafajshme tejkaloi hezitimin, dhe kur veprimi i përbashkët dëshmoi se bota e lirë nuk do të qëndronte duarkryq përballë mizorive masive”, tha ai.

Hoxha nënvizoi se “në atë moment vendimtar të historisë sonë, Shqipëria hapi zemrën dhe dyert e saj pa asnjë hezitim”.

“Pavarësisht sfidave të veta ekonomike, Shqipëria priti refugjatë dhe persona të zhvendosur në shtëpi, shkolla dhe komunitete. Të gjithë së bashku, institucionet dhe qytetarët kudo u mobilizuan bashkarisht me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar strehim, ushqim dhe mbrojtje, në një akt të jashtëzakonshëm solidariteti, i cili reflektoi jo vetëm një përgjigje humanitare, por edhe një ndjenjë të thellë historie të përbashkët dhe identiteti të përbashkët”, vijoi Hoxha.

Ministri Hoxha shtoi se “sot, Kosova është e lirë dhe e pavarur”.

“Ajo qëndron si një dëshmi e gjallë e qëndresës, sakrificës dhe vullnetit të pathyeshëm të popullit të saj. Nga plagët e luftës deri te forcimi i institucioneve demokratike, Kosova ka bërë përparim të qëndrueshëm, duke konsoliduar vendin e saj si një aktor i përgjegjshëm në rajon dhe kontribuues për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore”, theksoi Hoxha, ndërsa cilësoi se Shqipëria qëndron si një anëtare krenare e NATO-s, Aleancës që ndali vdekjen dhe shkatërrimin dhe riktheu shpresën, dinjitetin dhe lirinë në Kosovë.

“Ne nderojmë viktimat. Ne kujtojmë guximin e atyre që qëndruan kundër shtypjes. Ne vlerësojmë rolin jetik të aleatëve dhe partnerëve që bënë ndryshimin në momentin më të rëndësishëm. Rruga e Kosovës vazhdon, me besim dhe vendosmëri, drejt integrimit në familjen euro-atlantike, e mbështetur mbi vlerat e përbashkëta të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut”, përfundoi Hoxha.

/e.i/a.f/

The post 27 vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Hoxha: Moment përcaktues në histori appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: “Daulinat e Pranverës” në Mat, rit që shpall ardhjen e stinës së re

13 March 2026 at 22:33

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga festa tradicionale “Daulinat e Pranverës”, e zhvilluar në Mat, një rit që përcillet brez pas brezi dhe që simbolizon ardhjen e pranverës në vigjilje të Ditës së Verës.

Rama e përshkroi këtë traditë në një postim në rrjetet sociale ku solli edhe pamje nga festa, si një ritual të trashëguar ndër breza, i cili shpall ardhjen e stinës së re dhe ruan gjallë kulturën dhe zakonet e zonës.

“Daulinat e Pranverës” është në mbrëmje plot simbolikë, tinguj tradite dhe gëzim, që bashkon komunitetin dhe mban gjallë trashëgiminë tonë kulturore jomateriale.

/gj.m/j.p/

The post Rama: “Daulinat e Pranverës” në Mat, rit që shpall ardhjen e stinës së re appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 13 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rauf Fico, ndër figurat më të ndritura të diplomacisë shqiptare

13 March 2026 at 18:28

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përkujtoi sot Rauf Ficon në 145-vjetorin e lindjes (13 mars 1881), si një nga figurat më të ndritura të diplomacisë shqiptare dhe një prej arkitektëve që ndihmuan në ndërtimin e themeleve të shtetit shqiptar modern.

Në një kohë kur Shqipëria ishte ende një shtet i ri dhe i brishtë, Rauf Fico i dha diplomacisë shqiptare vizion, dinjitet dhe orientim europian.

Ai përfaqësoi vendin në disa nga kryeqytetet më të rëndësishme të Evropës dhe punoi për ta vendosur Shqipërinë në hartën e marrëdhënieve ndërkombëtare si një shtet serioz dhe i respektuar.

Si ministër i Punëve të Jashtme, ai hodhi themelet institucionale dhe ligjore të shërbimit diplomatik shqiptar që orientuan shërbimin e jashtëm shqiptar për dekada me radhë,  si dhe kontribuoi në ndërtimin e një diplomacie moderne, të organizuar dhe të orientuar drejt bashkëpunimit ndërkombëtar.  

Rauf Fico përfaqëson një brez burrash shteti që kaluan nga epoka e perandorive në epokën e shteteve kombëtare dhe që i shërbyen Shqipërisë me kulturë, integritet dhe vizion.

Kujtesa historike e diplomacisë shqiptare ruan në figurën e tij modelin e diplomatit me vizion, integritet dhe përkushtim të plotë ndaj interesit kombëtar.

/gj.m/j.p/

The post Rauf Fico, ndër figurat më të ndritura të diplomacisë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Njihen diplomat për ushtrimin e profesionit të fizioterapistit

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Nga Universiteti i Sporteve, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro njoftoi se studentët e diplomuar për fizioterapi në Fakultetin e Shkencave të Rehabilitimit mund të ushtrojnë profesionin e tyre, falë zgjidhjes së një problematike ligjore të kahershme me këtë fakultet.

Sipas vendimit të Këshilli të Ministrave, tashmë profesioni i fizioterapistit mund të ushtrohet edhe nga studentët që diplomohen në programin “Shkenca Rehabilitimi”. Pas miratimit të ndryshimit të VKM-së, këto diploma njihet zyrtarisht si kualifikim për ushtrimin e profesionit të fizioterapistit, duke u dhënë mundësi të diplomuarve të regjistrohen dhe të punojnë ligjërisht në profesion.

“Ne kemi pasur një diskutim shumë të gjatë, me ditë të tëra, me rektorin dhe me dekanin, me Urdhrin e i Infermierit i Shqipërisë, i cili është një hallkë shumë e rëndësishme, siç e dini, si edhe me Ministrinë e Shëndetësisë. Pas shumë diskutimeve dhe shkresave, dhe pasi rishikuam ligjin, gjetëm mënyrën për ta zgjidhur këtë çështje. Vij sot me shumë kënaqësi, sepse në mbledhjen e javës së kaluar, më 6 mars, qeveria miratoi ndryshimet e nevojshme në VKM për profesionet e rregulluara, duke përfshirë qartësisht për profesionin e fizioterapistit edhe të diplomuarit në Shkencat e Rehabilitimit që lëshohet nga ky universitet. Më vjen mirë që vijmë me këtë konkluzion dhe me këtë lajm të shumëpritur nga ju, duke ju dhënë mundësinë edhe brezave që janë diplomuar, edhe ju që jeni në proces diplomimi”, bëri me dije ministrja Kumbaro.

Kumbaro nënvizoi se ky ndryshim ligjor do të ketë impakt pozitiv edhe në regjistrimet e reja në Universitetin e Sporteve.

“Unë besoj se ky është një lajm i mirë edhe për studentët që do të zgjedhin të regjistrohen në këtë degë. Vjen në kohën e duhur, sepse regjistrimet janë në vazhdim, kështu që ju garanton juve dhe atyre që do të vijnë mundësinë e integrimit në tregun e punës, njësoj si kolegët tuaj që diplomohen për fizioterapi në institucionet e arsimit të lartë të shëndetësisë që ofrojnë këtë formim”, tha Kumbaro.

Para këtij ndryshimi ligjor, diploma “Shkenca Rehabilitimi” nuk ishte e përfshirë në listën e specialiteteve për profesionin e fizioterapistit, gjë që krijonte vështirësi për të diplomuarit për t’u regjistruar në Urdhrin e Infermierit dhe për të ushtruar profesionin. Tashmë, profesioni i fizioterapistit mund të ushtrohet edhe nga studentët që diplomohen në këtë program. Në Fakultetin e Shkencave të Rehabilitimit, në tre vitet e fundit akademike janë diplomuar 72 studentë, ndërsa në vitin akademik 2025–2026 janë aktualisht në proces studimi 256 studentë.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Sporteve, Agron Kasa vlerësoi angazhimin për zgjidhjen e kësaj problematike që u mundëson studentëve të diplomuar në shkencat e rehabilitmit të integrohen në tregun e punës.

Gjatë vizitës në Universitetin e Sporteve, ministrja Kumbaro tha se qeveria shqiptare dhe Ministria e Arsimit do të vijojnë mbështetjen për Universitetin e Sporteve, duke e konsideruar atë aset kombëtar.

Nga takimi i ministres së Arsimit Mirela Kumbaro në Universitetin e Sporteve
1 nga 3

/e.i/a.f/

The post Kumbaro: Njihen diplomat për ushtrimin e profesionit të fizioterapistit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Reformat në tregjet financiare, Xhemali takim me përfaqësues të Bankës Botërore

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Adela Xhemali e shoqëruar nga ekipi drejtues i Autoritetit, zhvilloi një takim me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore kryesuar nga Rekha Reddy, përfaqësuese e sektorit financiar për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore e Bankës Botërore në Washington.

AMF, bën me dije se në fokus të këtij takimi ishin reformat në tregjet financiare dhe mbështetja për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, në kuadër të misionit për përgatitjen e një programi Financimi për Politikat e Zhvillimit (DPF).

Gjatë takimit u diskutuan fushat ku Banka Botërore mund të ofrojë mbështetje për avancimin e reformave prioritare në sektorin financiar.

Në takim u trajtuan mundësitë e bashkëpunimit për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, implementimin e kuadrit rregullator në fushën e kripto-aseteve, përmirësimin e kuadrit ligjor për pensionet private, si dhe zhvillimet ligjore në fushën e sigurimeve dhe risigurimeve.

Xhemali theksoi rëndësinë e vijimësisë së mbështetjes së Bankës Botërore, jo vetëm gjatë transpozimit të direktivave sektoriale europiane, në kuadrin ligjor dhe rregullator të Autoritetit, por veçanërisht në fazën e implementimit për të siguruar zbatimin efektiv të këtyre ndryshimeve ligjore, si nga ana e Autoritetit ashtu edhe nga operatorët e tregjeve nën mbikëqyrje.

Drejtuesja e AMF-së, njëherësh vlerësoi bashkëpunimin me Bankën Botërore, duke theksuar se mbështetja dhe asistenca e vazhdueshme e këtij institucioni kanë qenë një kontribut i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e reformave.

/e.i/j.p/

The post Reformat në tregjet financiare, Xhemali takim me përfaqësues të Bankës Botërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 7 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gjendet trupi i pajetë i 30-vjeçarit Jurgen Karaj në liqenin e Urakës pas një muaji kërkimesh

7 February 2026 at 12:58

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Pas pothuajse një muaji kërkimesh intensive në të gjithë basenin e lumit Mat, ditën e sotme është konstatuar në sipërfaqe një trup i pajetë në liqenin e Urakës, rreth dy milje larg urës së Rrethabazit.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se, pas sinjalizimit nga ekipet e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e Policisë së Shtetit dhe Prokuroria e Dibrës kanë kryer verifikimet përkatëse, duke konfirmuar se trupi i përket shtetasit Jurgen Karaj, 30 vjeç, i shpallur i humbur që prej datës 10 janar.

Në operacionin e kërkimit dhe mbështetjes në terren vijojnë të jenë të angazhuar 18 efektivë të Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me autoritetet kompetente.

Autoritetet shprehin ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e viktimës në këtë moment të vështirë.

/a.f/

The post Gjendet trupi i pajetë i 30-vjeçarit Jurgen Karaj në liqenin e Urakës pas një muaji kërkimesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 22 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Artizanet përcjellin ndër breza qëndismat tradicionale të Veriut

22 January 2026 at 08:00

TIRANË, 22 janar/ATSh/ Një element i trashëgimisë kulturore jomateriale që ruhet dhe transmetohet sot nga një numër i kufizuar artizanesh të Shkodrës, Tropojës dhe Kukësit, është qëndistaria tradicionale me dorë, dhe veçanërisht punimi me oje.

Punimi me oje (ojna) është një teknikë që realizohet përmes gjilpërës dhe perit dhe karakterizohet nga hollësia e punimit, kompleksiteti i motiveve dhe vlera e lartë estetike e simbolike që mbart.

Kjo është një nga format më të veçanta dhe të rralla të qëndistarisë tradicionale me dorë. Tradita e qëndistarisë ka qenë historikisht e zhvilluar dhe e lidhur ngushtë me identitetin kulturor lokal. Tradicionalisht, punimi me oje përdorej si element dekorues në shamitë e kokës së grave, duke pasur funksion estetik dhe simbolik në veshjet tradicionale femërore.
Në kontekstin bashkëkohor, artizanet po përpiqen ta përshtatin këtë teknikë në produkte të reja artizanale, duke respektuar format dhe parimet tradicionale, me synimin për ta mbajtur gjallë dhe për ta transmetuar këtë element elitar të trashëgimisë kulturore brezave të ardhshëm.

/r.e/a.f/

The post Artizanet përcjellin ndër breza qëndismat tradicionale të Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 17 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Demo: Bashkitë, potenciale për të krijuar ekonomi lokale të qëndrueshme

17 January 2026 at 14:34

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot, se bashkitë duhet të luajnë një rol aktiv në procesin e rritjes ekonomike në vend.

Demo ishte i pranishëm në takimin e thirrur nga Kryeministri Edi Rama me kryebashkiakët, ku u diskutuan sfidat e bashkive për vitin 2026, sezoni turistik dhe betejat e përbashkëta politike e shoqërore kundër mbetjeve plastike.

Ministri Demo, gjatë fjalës së tij tha se qasja e qeverisë është qasje e një partneriteti të sigurt me autoritetet lokale.

“Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për të kërcyer lartësi të cilat do të krijonin një transformim rrënjësor jo vetëm ekonomik, por edhe social. Në këtë kuadër, bashkitë kanë një rol shumë të rëndësishëm pasi energjia që çlirohet në nivel lokal është shumë e rëndësishme. Burimet e rritjes ekonomike janë ato ku bashkitë duhet të luajnë një rol proaktiv në këtë kontekst”, tha Demo, ndërsa theksoi se duhet një ndryshim rrënjësor për sa i përket asaj që ndodh në territor dhe rritjes ekonomike në nivel vendor.

“Sfidat me të cilat bashkitë përballen janë dinamike, diverse për shkak të arsyeve që mund të vijnë nga elemente që janë të paparashikueshëm siç janë edhe përmbytjet e ditëve të fundit, por besoj që ne të gjithë duhet të bëjmë shumë për parandalimin e këtyre situatave. Ndihma që këto bashki do të marrin nga qeverisja qendrore do të bëjë të mundur që jo thjesht të jemi të përgatitur për situata emergjente, mbi të gjitha për t’i parandaluar ato dhe për të krijuar zhvillim territoral, sidomos kur flasim për logjistikë, për mirëmbajtje infrastukture rurale”, theksoi ai.

Ministri Demo u ndal edhe te Paketa e Maleve, Granti i Performancës, për rolin që ka Akademia e Pushtetit Vendor, për Strategjinë Kombëtare të Turizmit, për rregulloren e plazheve dhe një përgatitje më të mirë, edhe një qasje më të lehtë të qytetarit në plazhet e jashtëzakonshme të vendit.

“Suksesi i Shqipërisë sa i përket turizmit në 12 muaj të vitit, është jo vetëm nga bregdeti. Të 61 bashkitë e vendit duhet të jenë të përgatitura. Kjo tregon potencialin e jashtëzakonshëm që kanë të gjitha bashkitë, për të krijuar ekonominë lokale të qëndrueshme. Pasi në çdo cep të territorit ne mund të kemi një aktivitet ekonomik”, tha Demo.

Demo shtoi se viti 2026 mbart shumë sfida për Shqipërië, edhe në aspektin e punës për procesin e integrimit, ndërsa tha se të gjitha bashkitë duhet të jenë të përgatitura për një “cunami” nga pikëpamja rregullative që bashkitë do kenë në jetën administrative dhe që këto të përkthehen në shërbime në territor për qytetarët.

/e.i/j.p/

The post Demo: Bashkitë, potenciale për të krijuar ekonomi lokale të qëndrueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 31 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kiritimati, i pari vend që feston vitin 2026, i ndjekur nga Zelanda e Re

31 December 2025 at 12:33

KIRITIMAT, 31 dhjetor /ATSH-DPA/-  Viti 2026 ka nisur zyrtarisht – pasi rreth 7 300 banorë të Kiritimatit në Paqësorin Jugor – e pritën Vitin e Ri në mesnatë.

Kiritimati, i njohur edhe si Ishulli i Krishtlindjeve, është një atol në Oqeanin Paqësor në Ishujt veriorë Line. Është pjesë e Republikës së Kiribatit. Emri i tij rrjedh nga fjala angleze “Christmas” e shkruar në gjuhën gilberteze.

Atoli me 320 kilometra katrorë sipërfaqe toke dhe laguna, i përket republikës ishullore të Kiribatit, e cila ka disa zona kohore dhe shtrihet përgjatë ekuatorit në mes të Paqësorit Jugor.

Vetëm 15 minuta më vonë, Ishujt Chatham, të cilët i përkasin Zelandës së Re, ishin të radhës që festuan Vitin e Ri.

Ishujt, me një popullsi prej pak më shumë se 700 banorësh, ndodhen rreth 800 kilometra në lindje të Zelandës së Re dhe kanë zonën e tyre kohore.

Në orën 11:00, Zelanda e Re dhe kombet ishullore të Samoas dhe Tongës gjithashtu ndezën fishekzjarrët.

Në Zelandën e Re, monumentet e qytetit më të madh, Auckland, ishin në qendër të shfaqjeve të hollësishme të dritave dhe fishekzjarrëve – më së shumti Kulla e Qiellit – 328 metra e lartë – kulla më e lartë në hemisferën jugore.

Shfaqje dritash dhe muzika shënuan gjithashtu ardhjen e vitit të ri në kryeqytetin Wellington.

Festimet në plazhin Bondi në Sidnej u anuluan

Në orën 13:00, është radha e Sidnejit. Në metropolin australian, 9 tonë fishekzjarrë do të hidhen në qiell rreth Urës ikonike të Portit dhe Shtëpisë së Operas.

Megjithatë, pas sulmit vdekjeprurës terrorist në plazhin Bondi dy javë më parë, festimet në plazhin e famshëm janë anuluar.

Samoa Amerikane, e vendosur vetëm 220 kilometra në lindje të Samoas në anën tjetër të Vijës Ndërkombëtare të Datave, do të jetë vendi i fundit i banuar në Tokë që do të mirëpresë Vitin e Ri. //a.i/

The post Kiritimati, i pari vend që feston vitin 2026, i ndjekur nga Zelanda e Re appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 5 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Çfarë është virusi A dhe cilat janë simptomat e tij?

5 December 2025 at 15:54

ROMË, 5 dhjetor /ATSH/ – Gripi po fillon të japë ndikimin e tij ku miliona evropianë kanë qenë të shtrirë në shtrat për shkak të infeksioneve të frymëmarrjes, shkruan salute.eu.

Kolla dhe ethet po përhapen me shpejtësi, dhe disa janë të detyruar të pushojnë në shtëpi.

Fajtorët janë viruse të ndryshme që qarkullojnë në dimër, nga rinoviruset te SARS-CoV-2.

Megjithatë, në javët e fundit, viruset e gripit kanë parë gjithashtu një rritje të ndjeshme, dhe këtë vit, pjesërisht për shkak të variantit të ri të virusit të gripit A/H3N2 (nënklada K), sezoni ka filluar 3-4 javë më herët, siç është raportuar së fundmi nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Gripi karakterizohet nga një fillim i menjëhershëm i simptomave të përgjithshme dhe të frymëmarrjes.

Periudha e inkubacionit është përgjithësisht mjaft e shkurtër (rreth 1-2 ditë), dhe simptomat zakonisht zgjasin 3-4 ditë, por mund të vazhdojnë për një ose dy javë.

Ethet zakonisht shfaqen papritur, të shoqëruara me të dridhura, dhimbje kockash dhe muskujsh, dhimbje koke, keqtrajtim të përgjithshëm të rëndë, asteni, mialgji, dhimbje fyti, hundë që rrjedh, kollë jo-katarale dhe konjuktivit./   /os/

The post FOKUS – Çfarë është virusi A dhe cilat janë simptomat e tij? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 20 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ekspozitë e qilimave tradicionalë e bashkëkohorë në GAT

20 November 2025 at 07:40

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Një koleksion i qilimave të traditës dhe atyre bashkëkohorë u prezantua nga Galeria e Artit Tiranë, përmes ekspozitës me titull “Qoftë e shëndetshme dora që krijon – Arti i qilimave: Azerbajxhan & Shqipëri”.

Ekspozita sjell traditën e endjes përmes historive, teknikave dhe mjeshtërisë së artizanëve që e mbajnë gjallë këtë trashëgimi. Qilimat shumëngjyrësh vijnë si një takim kulturash ku artizanët nga Shqipëria dhe Azerbajxhani ndanë punimet, përvojat dhe pasionin që transmetohet brez pas brezi.

Ky dialog, mes artit azerbajxhanas e shqiptar të qilimave, mirëpret publikun deri më 20 janar 2026.

Ekspozita “Qoftë e shëndetshme dora që krijon!” është kuruar nga Edit Pula dhe Azerkhalcha.

GAT thotë se ky është një bashkëpunim i rëndësishëm, i nisur nëntë muaj më parë, mes Galerisë së Artit Tiranë dhe Azerkhalcha, me mbështetjen e Ambasadës së Azerbajxhanit.

/a.f/r.e/

The post Ekspozitë e qilimave tradicionalë e bashkëkohorë në GAT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kostani: Shqipëria avancon prokurimin publik me Inteligjencë Artificiale

10 November 2025 at 13:23

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Ekspertë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, si edhe nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), morën pjesën në Konferencën Ndërkombëtare për Prokurimin Publik të zhvilluar në Romë.

AKSHI bën me dije në një njoftim, se kjo konferencë, vjen në kuadrin e prezantimit të rrugëtimit të Shqipërisë nga digjitalizimi drejt një administrate publike të udhëhequr nga Inteligjenca Artificiale, deri te reforma aktuale në Prokurimin Publik, një nga proceset më strategjike të qeverisjes elektronike.

Romina Kostani, drejtuese e Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe Projekteve e-Gov me Fonde të Huaja pranë AKSHI-t, theksoi se Shqipëria është sot një nga historitë më të suksesshme të digjitalizimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e kthyer teknologjinë në një mjet thelbësor për efikasitet, transparencë dhe shërbim më të afërt me qytetarin.

Në fokus të prezantimit ishin hapat që po ndërmerr vendi ynë për të ndërtuar një ekosistem tërësisht digjital të prokurimit publik, të mbështetur nga Inteligjenca Artificiale, ku çdo proces është i gjurmueshëm, i automatizuar dhe transparent.

Sipas AKSHI-t, ky model i ri do të garantojë transparencë të plotë dhe akses në kohë reale në të dhënat e prokurimit për qytetarët, bizneset dhe shoqërinë civile, efikasitet të lartë përmes automatizimit të proceseve dhe reduktimit të burokracisë dhe integrim të plotë me standardet evropiane, përmes platformave si, e-Certis dhe e-Forms.

Në njoftimin e AKSHI-t thuhet se me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, Shqipëria po forcon gjithnjë e më tepër themelet e transparencës, efikasitetit dhe integritetit publik.

/e.i/a.f/r.e/

The post Kostani: Shqipëria avancon prokurimin publik me Inteligjencë Artificiale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Voton kandidatja e pavarur në Mat, Pasha: Proces i qetë dhe i barabartë

9 November 2025 at 11:43

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Kandidatja e pavarur për kryetare bashkie në Mat, Suzana Pasha vlerësoi sot se procesi zgjedhor në Mat është i qetë dhe i barabartë.

Në një prononcim për mediet pas ushtrimit të së drejtës së votës, Pasha falënderoi qytetarët e Matit për mbështetjen.

“Faleminderit qytetarëve të Matit. U kam kërkuar mbështetjen derë më derë. Jam krejt e qetë, vota është e lirë. E shoh që procesi është i qetë dhe mendoj të jetë edhe i barabartë, dhe i falenderoj. Fitoftë më i miri për drejtimin e bashkisë Mat, se është bashkia jonë, qyteti ynë, jeta jonë dhe e fëmijëve tanë,” tha Pasha.

Pasha theksoi se ka vendosur të kandidojë si e pavarur, por do të vazhdojë të mbetet pjesë e Partisë Socialiste, të cilën e konsideron “parti e zemrës”.

“Falenderoj PS-në, PD-në dhe të gjithë zgjedhësit e Matit,” përfundoi ajo.

Në Bashkinë Mat garojnë Altin Bojni nga Partia Socialiste, Eduart Brahilika i propozuar nga zgjedhësit dhe i mbështetur nga opozita dhe kandidatja e propozuar nga zgjedhësit, Suzana Pasha.

/m.m/a.f/

The post Voton kandidatja e pavarur në Mat, Pasha: Proces i qetë dhe i barabartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Voton kandidati i PS -së në Mat, Bojni: Sot është dita e fjalës së qytetarëve

9 November 2025 at 09:29

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Kandidati i Partisë Socialiste për kryetar bashkie në Mat, Altin Bojni votoi sot në qendrën e votimit 0930, në shkollën fillore “Lagjja e Re”.

Në një prononcim për mediet, Bojni u bëri thirrje qytetarëve të dalin të votojnë me qetësi dhe dinjitet.

“Sot është një ditë e rëndësishme për të ardhmen e bashkisë sonë. E diela është dita e votuesve, dita e fjalës së qytetarëve. Ju ftoj të dilni në votime me qetësi dhe dinjitet”, tha ai për mediet.

Në Bashkinë Mat garojnë Altin Bojni nga Partia Socialiste, Eduart Brahilika i propozuar nga zgjedhësit dhe i mbështetur nga opozita dhe kandidatja e propozuar nga zgjedhësit, Suzana Pasha.

/m.m/a.f/

The post Voton kandidati i PS -së në Mat, Bojni: Sot është dita e fjalës së qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌