Normal view

Received — 18 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

TEKNOLOGJI – Meta u jep prindërve më shumë kontroll mbi ndërveprimet e adoleshentëve me IA-në

18 October 2025 at 19:02

LONDËR, 18 tetor /ATSH/- Meta po shton kontrolle prindërore për ndërveprimet e fëmijëve me chatbot-ët e inteligjencës artificiale (IA), duke përfshirë mundësinë për të fikur plotësisht bisedat individuale me personazhe të IA-së, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm, sipas “Euronews”

Megjithatë, prindërit nuk do të jenë në gjendje të çaktivizojnë asistentin e IA-së të Metës, i cili, sipas kompanisë, “do të mbetet i disponueshëm për të ofruar informacion të dobishëm dhe mundësi edukative, me mbrojtje të përshtatura për moshën e adoleshentëve.”

Prindërit që nuk duan të fiknin të gjitha bisedat me të gjithë chatbot-ët do të kenë gjithashtu mundësi të bllokojnë vetëm disa prej tyre.

Meta njoftoi sot se prindërit do të mund të marrin “përmbledhje” mbi atë se për çfarë fëmijët e tyre po bisedojnë me personazhet e IA-së ,megjithëse ata nuk do të kenë qasje në përmbajtjen e plotë të bisedave.

Këto ndryshime vijnë ndërsa gjiganti i mediave sociale përballet me kritika të vazhdueshme për dëmet që platformat e tij mund t’u shkaktojnë fëmijëve.

Chatbot-ët me IA janë gjithashtu nën vëzhgim për mënyrën si ndërveprojnë me fëmijët, pasi disa padi pretendojnë se këto ndërveprime kanë çuar disa të rinj drejt vetëvrasjes.

Megjithatë, më shumë se 70 për qind e adoleshentëve kanë përdorur shokë virtualë të bazuar në IA dhe gjysma i përdorin rregullisht, sipas një studimi të fundit nga organizata jofitimprurëse “Common Sense Media”, e cila promovon përdorimin e arsyeshëm të ekraneve dhe mediave dixhitale.

Meta njoftoi se llogaritë e adoleshentëve në Instagram do të kufizohen automatikisht në përmbajtje të nivelit ”PG-13” dhe nuk do të mund të ndryshojnë këto cilësime pa lejen e prindërve.

Kjo do të thotë se fëmijët që përdorin llogari për adoleshentë do të shohin foto dhe video në Instagram të ngjashme me ato që do të shihnin në një film me vlerësim “PG-13” — pa seks, drogë apo skena të rrezikshme.

Meta tha se këto kufizime “PG-13” do të zbatohen gjithashtu edhe për bisedat me IA-në. /A.Ab./

 

The post TEKNOLOGJI – Meta u jep prindërve më shumë kontroll mbi ndërveprimet e adoleshentëve me IA-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 1 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

MADRID – Më shumë se 80 media spanjolle padisin Meta-n

1 October 2025 at 14:55

MADRID, 1 tetor /ATSH-AFP/ – Më shumë se 80 media spanjolle po padisin kompaninë Meta, pronaren e Facebook dhe Instagram, për rreth 550 milionë euro për dëmet e shkaktuara nga modeli i saj i reklamimit.

Ky gjyq i shumëpritur filloi sot në mëngjes në Madrid.

Seanca dëgjimore filloi në orën 10:00, në një gjykatë administrative në kryeqytetin spanjoll dhe pritet të zgjasë deri të enjten.

Shoqata e Medias së Lajmeve (AMI), shoqata kryesore e industrisë mediatike në Spanjë, ngriti një padi në dhjetor 2023 kundër Meta Ireland, ku gjiganti amerikan i teknologjisë ka selinë evropiane.

Ajo kërkon 551 milionë euro për konkurrencë të padrejtë në shitjen e reklamave digjitale.

“Ajo që është në rrezik këtu është mbijetesa e medias së lajmeve e kërcënuar nga sjellja grabitqare e një platforme si Meta, e cila vepron pa respektuar kuadrin tonë legjislativ”, theksoi Irene Lanzaco, drejtoresha ekzekutive e shoqatës para se të fillonte seanca dëgjimore.

“Ajo që bëri Meta ishte kryerja e profilizimit masiv të sjelljes së të gjithë përdoruesve të internetit dhe duke u bazuar në këtë profilizim masiv, pa i informuar ata ose pa marrë pëlqimin e tyre, grupi dyshohet se shiti reklama të segmentuara, duke gjeneruar kështu fitime të mëdha nga një veprim i paligjshëm nga një perspektivë rregullatore”, këmbënguli ajo.

AMI akuzon Metën për shkelje të rregulloreve evropiane të mbrojtjes së të dhënave midis majit 2018 dhe korrikut 2023, duke përdorur të dhënat e përdoruesve të internetit pa pëlqimin e tyre për të krijuar profile individuale të reklamave.

Përveç AMI, stacionet radiotelevizive spanjolle ngritën një padi tjetër kundër Meta-s për të njëjtat arsye, duke kërkuar 160 milionë euro dëmshpërblim.

Në Francë, afërsisht 200 grupe mediatike franceze, përfshirë gazetat dhe kanalet kryesore televizive, ngritën një padi të ngjashme kundër Meta-s, prillin e kaluar./   /os/

The post MADRID – Më shumë se 80 media spanjolle padisin Meta-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 19 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

GJKKO rrëzon ankimimin, lë në arrest me burg Ilir Metën

19 September 2025 at 17:44

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi arrestin me burg për presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili kishte kërkuar revokimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Vendimi u mor sot nga Apeli i GJKKO me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka.

Sipas njoftimit për mediet të GJKKO-së, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda pesë ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj Ilir Metës.

Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

/e.i/j.p/

The post GJKKO rrëzon ankimimin, lë në arrest me burg Ilir Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Apeli i GJKKO lë në arrest me burg Ilir Metën

8 September 2025 at 11:54

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi arrestin me burg për presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili kishte ankimuar vendimin duke kërkuar lirimin nga qelia.

Vendimi u mor sot nga Apeli i GJKKO me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi.

Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

Në një prononcim për mediet avokati Kujtim Cakrani tha se do të vazhdojë me kërkesën për zëvendësimin e masës.

Ai ngriti akuza edhe ndaj gjyqtarëve që sipas tij nuk u ngritën në lartësinë e detyrës së tyre.

“Këta janë gjyqtarë të varur nga opinioni publik”, tha Cakrani.

“Meta nuk është thjesht një ish-president. Është kryetari i Partisë së Lirisë, është numri dy i opozitës dhe do ketë grupin parlamentar në Kuvend”, shtoi ai.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka  përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj Ilir Metës.

Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

/m.q/j.p/

The post Apeli i GJKKO lë në arrest me burg Ilir Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 27 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Blushi: Zero prova kundër Metës, gjykata palë me SPAK-un

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi tha sot se presidenti i PL-së Ilir Meta prej 10 muajsh po mbahet në burg pa asnjë fakt penal.

Duke e konsideruar izolimin e Metës si “politik”, Blushi tha edhe gjykata është bërë palë me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, prej 10 muajsh, ndodhet në burg jo për shkak të ligjit, por të politizimit ekstrem të SPAK-ut dhe shantazhit institucional që Prokuroria e Posaçme ushtron mbi gjykatat speciale, përmes përgjimit permanent të gjyqtarëve dhe familjarëve, duke cenuar në mënyrë flagrante pavarësinë e tyre në vendimmarrje”, u shpreh Blushi.

Sipas Blushit, gjatë kohës që Meta është mbajtur i burgosur “nuk është zbuluar dhe paraqitur asnjë provë reale ligjore që të vërtetojë ndonjë veprim të paligjshëm të Meta”.

Deputeti i zgjedhur i PL-së nënvizoi se “alibia e “dëshmitarëve të paqëndrueshëm” kundër Ilir Metës nuk provon gjë tjetër veçse ata janë pengje të SPAK-ut”.

“Ilir Meta, pa pushtet ekzekutiv, pa asnjë instrument presioni dhe pa mandat deputeti nuk ka asnjë fuqi intimiduese ndaj kërrkujt. Ndaj gjykata për rastin e Metës duhet të argumentonte për çfarë dëshmitarësh bëhet fjalë”, tha Blushi.

Blushi shtoi se “nuk ka asnjë dëshmitar, që të jetë i PL, jo se jo, që e fajëson Ilir Metën apo që e bën përgjegjës në raport me ligjin”.

“Presioni ndaj gjyqtarit nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga SPAK, afërmendsh që do prodhojë bërjen palë të tij me SPAK në këtë proces, duke riprodhuar po afërmendsh të njëjtën alibi për “provat e gjalla të paqëndrueshme”, që më pas kthehet në “argument” ligjor për të mbajtur Ilir Metën në paraburgim politik”, tha Blushi.

Blushi u shpreh se gjykata duhet të garantojë një proces të rregullt ligjor midis palëve dhe SPAK është palë në këtë.

Sipas Blushit “i gjithë procesi karakterizohet nga manipulimi, selektiviteti, mungesë transparence, paligjshmëria dhe politizimi”.

Më 13 gusht Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë ndaj Ilir Metës, duke e lënë në fuqi “arrestin në burg”.

SPAK i ka komunikuar zyrtarisht Ilir Metës mbylljen e hetimeve dhe kalimin e dosjes në gjykatë.

Meta akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.

Ai u arrestua më 21 tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.

/m.q/j.p/

The post Blushi: Zero prova kundër Metës, gjykata palë me SPAK-un appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ndarja nga jeta e kryeinspektor Gazmen Metës, Manja: Punonjës i devotshëm, mik i çmuar për kolegët

12 August 2025 at 18:21

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kryeinspektor Gazmen Nazmi Metës.

“Sot, Policia e Burgjeve ka një Kryeinspektor më pak… Si pasojë e një arresti kardiak, u nda nga jeta një punonjës i devotshëm, korrekt dhe një mik i çmuar për kolegët: Kryeinspektor Gazmen Nazmi Meta, i cili këtë gradë e mori me meritë vetëm dje”, theksoi Manja.

“Që nga viti 2014, Gazmeni shërbeu për 11 vite me përkushtim pranë IEVP “Ali Demi” si punonjës i rolit bazë, duke u bërë shembull i ndershmërisë, korrektësisë dhe dashurisë për detyrën”, u shpreh ministri i Drejtësisë.

Ministri Manja nënvizoi se, bashkëshortja dhe dy fëmijët e vegjël të Gazmenit do të jenë gjithmonë nën kujdesin dhe mbështetjen e institucionit.

“Në këto çaste të rënda për familjen dhe kolegët e tij, si Ministër i Drejtësisë siguroj se bashkëshortja dhe dy fëmijët e vegjël të Gazmenit do të jenë gjithmonë nën kujdesin dhe mbështetjen e institucionit tonë. U prehsh në paqe, Gazmen! Mirënjohje e përjetshme për shërbimin dhe kontributin tënd për sistemin e burgjeve në Shqipëri”, shkroi Manja në një postim në rrjetet sociale.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Ndarja nga jeta e kryeinspektor Gazmen Metës, Manja: Punonjës i devotshëm, mik i çmuar për kolegët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 4 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SPAK i komunikon akuzat Metës, avokati: Nuk ka fakt penal

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot akuzat ish-presidentit Ilir Meta sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA.

Meta akuzohet nga SPAK për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje dhe deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Avokati i presidentit të Partisë së Lirisë, Kujtim Cakrani tha në një prononcim për mediet se nga hetimet nuk kishte asgjë të re. Sipas Cakranit, ata kërkuan të dinë se kush i ka bërë pagesat për lobimin në SHBA, teksa shtoi se nga ana e SPAK nuk kanë asnjë informacion në lidhje me këtë.

“Edhe pas 6 vitesh hetime për sa i përket CEZ-DIA-s nuk ka asgjë të re edhe për sa i përket lobimit nuk ka asgjë të re. Meta ka dhënë shpjegimet e tij dhe i ka kërkuar organit të prokurorisë se për se nuk kanë bërë hetime të thelluara se kush i ka bërë pagesat për lobimin. Prokuroria nuk ka asnjë informacion se kush i ka bërë këto pagesa. Meta ka shpjeguar me detaje 3 akuzat. Ne duam të dimë kush i ka bërë pagesat dhe kush i ka marrë faturat e këtyre pagesave”, tha Cakrani.

Avokati theksoi se “nuk ka asnjë provë konkrete ku të vërtetohet se mbi zotin Meta rëndojnë këto akuza. Nuk ka fakt penal”.

Cakrani shtoi se “tek çështja CEZ-DIA që ka prej 2018 nën hetim gjithë ajo farë akuze që është ndërtuar është përmbledhur vetëm në 30 faqe”.

“Ish-presidenti, ish-kryeministri, ish-kryetari i Kuvendit ka 0 korrupsion dhe 0 pasuri të vendosur nga korrupsioni, sepse na i ka vërtetuar organi i procedurës me 122 fashikuj që ai disponon”, tha Cakrani.

Cakrani tha se nuk do të kërkojnë gjykim të shkurtuar por gjykim normal.

Meta ndodhet në burg prej tetorit të vitit të shkuar.

Më herët, po për të njëjtën dosje penale, iu komunikua mbyllja e hetimeve ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi si dhe nënës së saj Fatime Kryemadhit.

Të pandehur në këtë dosje janë edhe Ema Çoku, e cila akuzohet për pastrim parash dhe Piro Xhixho, për korrupsion pasiv.

/m.q/j.p/

The post SPAK i komunikon akuzat Metës, avokati: Nuk ka fakt penal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SPAK mbyll hetimet për Metën dhe Kryemadhin, e pandehur edhe Fatime Kryemadhi

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Monika Kryemadhi u paraqit sot në SPAK për t’u njohur me akuzat. Pas daljes nga SPAK, Kryemadhi tha se “do të shkojmë në gjykatë të fillojmë procedurat. Nuk merremi me portalet e komentet në Facebook. Mendoj që është një proces që duhet durim, s’kemi ç’të bëjmë”.

E pandehur në lidhje me këtë dosje është marrë edhe nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi. Sipas Kryemadhit nëna e saj akuzohet nga SPAK për pastrim parash.

“E kanë quajtur pastruese, sepse mamaja ime më ka ndihmuar mua për të pastruar veprën penale. Ajo e ka blerë shtëpinë e vet, por pretendohet se e ka blerë me paratë që i kam dhënë unë”, tha Kryemadhi.

Ajo theksoi se gjatë kohës që është marrë në pyetje nuk u është përgjigjur prokurorëve të SPAK-ut.

“Shtatë herë më kanë pyetur dhe nuk përgjigjem. Nuk bashkëpunoj me ta, do flas në gjykatë. Nuk ka më kuptim. Që në momentin merresh e akuzuar, është një procedurë që duhet bërë. Ata do bëjnë lojën e tyre, ne do bëjmë lojën tonë. Unë e shikoj veten time tabelë qitjeje dhe një lloj shpagimi që ka të bëjë me çështjen e inceneratorëve”, tha Kryemadhi.

Sipas deputetes, ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta nuk ka lidhje aspak me kartën bankare apo shpenzimet në Amerikë.

“Ilir Meta nuk ka qenë, ç’lidhje ka Meta me shpenzimet? Që të marrësh një kartë bankare duhet të vendosësh emrin. Ilir Meta nuk ka qenë në Amerikë, le të verifikohet a ka qenë dhe a ka shpenzuar aty ku është përdorur karta. Meta nuk ka pasur asnjë dijeni për shpenzimet e mia, asnjë qindarkë nuk ka ardhur nga Meta”, tha Kryemadhi.

Nga ana tjetër, Ilir Meta nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale tha për shkak të mungesës së avokatit të tij nuk u paraqit në SPAK, teksa shtoi se mezi pret gjykimin që të çmontojë sipas tij “këtë proces farsë të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste”.

Sipas Metës ka “zero fakte penale, zero prova penale dhe zero pasuri të paligjshme” në procesin ndaj tij.

Pritet që SPAK t’i komunikojë akuzat Ilir Metës ditën e hënë.

Të pandehur në këtë dosje janë edhe Ema Çoku, e cila akuzohet për pastrim parash dhe Piro Xhixho, për korrupsioni pasiv.

Me mbylljen e hetimeve, SPAK pritet të formalizojë akuzat dhe të çojë dosjen në Gjykatën e Posaçme për shqyrtim gjyqësor.

/m.q/r.e/

The post SPAK mbyll hetimet për Metën dhe Kryemadhin, e pandehur edhe Fatime Kryemadhi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 17 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Apeli i GJKKO lë në burg Ilir Metën

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke rrëzuar kërkesën e tij për një masë më të butë sigurie.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Igerta Hysi, e cila la në fuqi vendimin e GJKKO-së për të mos ndryshuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ilir Meta nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokati Kujtim Cakrani. Pas vendimit, Cakrani u shpreh se “gjykata nuk po jep drejtësi”.

“Këta nuk janë gjyqtarë, por rrogëtarë. Më vjen keq për këtë. Gjykata nuk arriti të ngrihej sot në lartësinë e duhur për të marrë një vendim ndryshe nga ai i shkallës së parë”, tha Cakrani.

Meta ndodhet në paraburgim në Tiranë që prej 21 tetorit 2024, pasi akuzohet nga SPAK për veprat penale të korrupsionit pasiv, falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Kreu i PL-së po hetohet për aferën CEZ/DIA, gjatë kohës kur bashkëqeveriste forca e tij LSI me Partinë Demokratike, si dhe për lobingjet në Uashington.

/m.m/j.p/

The post Apeli i GJKKO lë në burg Ilir Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dënimet alternative, Ministria e Drejtësisë marrëveshje me Konferencën Ipeshkvore

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Ministria e Drejtvsisë njoftoi se hodhi një tjetër hap për drejtësinë me fokus te riedukimi dhe integrimi duke mundësuar kryerjen e dënimeve alternative pranë Kishës Katolike.

Kështu, Ministria e Drejtësisë, përmes Drejtorit të Shërbimit të Provës, Eris Sheshi, nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Konferencën Ipeshkvore të Shqipërisë, përfaqësuar nga Gjergj Meta.

Ministria e Drejtësisë njoftoi se “marrëveshja mundëson zbatimin e dënimeve alternative pranë Kishës Katolike, përmes punës në interes publik, siç parashikohet në nenin 63 të Kodit Penal”.

“Një model i ri bashkëpunimi që afron më shumë drejtësinë me jetën e përditshme dhe me vlerat e komunitetit. Drejtësia bëhet më njerëzore kur bashkëpunon me besimin dhe shoqërinë”, thuhet në një postim të Ministrisë së Drejtësisë në rrjetet sociale.

/m.q/j.p/

The post Dënimet alternative, Ministria e Drejtësisë marrëveshje me Konferencën Ipeshkvore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 22 June 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Blushi: Bie zyrtarisht akuza ndaj Metës për lobimin 1 milion USD për foto me Trump


TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi publikoi sot një dokument të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i cili sipas tij, “rrëzon akuzën ndaj presidentit të PL-së Ilir Meta për lobim në SHBA”.

Përmes një deklarate për medie, Blushi u shpreh se “tanimë zyrtarisht ka rënë plotësisht poshtë, si e pavërtetë dhe e fabrikuar, çdo dyshim dhe akuzë politike e ngritur për gjoja një pagesë të supozuar të Metës apo LSI-së prej 1 milion dollarësh për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një foto me Presidentin Trump, që më pas u reduktua në akuzën prej 100 mijë USD të paligjshme, në momentin e arrestimit”.

“Me email-in zyrtar të datës 15 nëntor 2024, autoritetet gjyqësore amerikane kanë informuar SPAK se pagesat për kontratën mes ‘Dorelita Limited’ dhe ‘McKeon Group’ janë kryer nga kompania ‘Taliadoros Audit Firm LTD’ dhe se nuk vërtetohet asnjë lidhje ndërmjet këtyre pagesave dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim apo Ilir Metës, në cilësinë e tij si Kryetar i LSI-së”, u shpreh Blushi.

Blushi theksoi se “ky konstatim është zyrtarisht i pranuar edhe nga vetë SPAK në faqen 12, duke rrëzuar përfundimisht çdo pretendim për përfshirje apo pagesë paligjshme të Metës në këtë çështje”.

“SPAK detyrohet më në fund të pranojë në faqen se: ‘Në lidhje me marrëdhënien që Lëvizja Socialiste për Integrim ka patur me ‘McKEON Group’, nëpërmjet ‘Dorelita Limited’, në vijim të kërkesave tona, pas pretendimit të Metës në seancën gjyqësore për verifikimin e kushteve për zbatimin e masës së sigurimit, Autoritetet Gjyqësore Amerikane me email-in e datës 15 nëntor 2024 kanë informuar se pagesat për shërbimet e kontratës së lidhur midis ‘Dorelita Limited’ dhe ‘McCeon Group’ janë paguar nga kompania ‘Taliadoros Audit Firm LTD’ dhe nuk është vërtetuar ndonjë lidhje midis pagesava të kryera nga kjo kompani dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Ilir Metës si kryetar i saj'”, shprehet Blushi.

Blushi theksoi se “ky zhvillim i ri provon qartë se prej vitesh kemi pasur të bëjmë thjesht dhe vetëm me një fushatë shpifjesh, pa asnjë bazë faktike apo ligjore, që nisi gjoja me investigimin e paguar në median e George Sorosit ‘Mother Jones'”.

Blushi nënvizoi se është e padiskutueshme që gjatë kohës që Ilir Meta ka qenë kryetar i LSI-së, çdo veprim ka qenë i ligjshëm, është bërë me vendim Kryesie, si për miratimin e kontratave edhe të personave të autorizuar për nënshkrim apo ndjekje të zbatimit të tyre dhe çdo gjë është deklaruar në KQZ sipas ligjeve tona dhe atyre të SHBA.

/m.m//r.e/

The post Blushi: Bie zyrtarisht akuza ndaj Metës për lobimin 1 milion USD për foto me Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 June 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Berisha: Dënoj me forcën më të madhe zgjatjen e hetimeve për Metën

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dënoi sot me forcën më të madhe zgjatjen e hetimeve nga ana e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Meta.

Në një deklaratë për medie, Berisha tha se “ky është një akt politik, kriminal që dëshmon frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga Ilir Meta”.

“Dëshmon papajtueshmërinë e tij, intolerancën absolute ndaj opozitës dhe opozitarizmit. Ilir Meta u burgos në mënyrë brutale, pa asnjë urdhër arresti, me urdhër të vetëm të Edi Ramës”, tha Berisha.

Sipas tij, “Ilir Meta u mbajt dhe mbahet në burg si person në hetim pa asnjë provë, asnjë fakt penal”.

Zgjatja me 6 muaj e hetimeve nga ana e SPAK, sipas tij, “përbën shkelje të rëndë të ligjeve të vendit dhe konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

“E mbajnë në qeli pa asnjë provë, vetëm urdhër politik. Dorëzojnë dosje në gjykatë pa fakt penal dhe vendosin t’i zgjasin edhe 6 muaj hetimet dhe për këtë qëllim duhet mbajtur në burg”, tha Berisha, duke shprehur solidaritetin e plotë me presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

/m.m/a.f/

The post Berisha: Dënoj me forcën më të madhe zgjatjen e hetimeve për Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 June 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SPAK zgjat afatet e hetimit për Metën, Blushi: Masën e arrestit e ankimojmë në Strasburg

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shtyu sot afatet e hetimit ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili ndodhet në burg prej tetorit 2024 nën akuzat për korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë.

Sipas raportimeve në medie që i referohen burimeve në SPAK, afatet e hetimit janë shtyrë me 3 muaj, ndërsa avokati i Metës në një deklaratë pas seancës, tha se afatet e hetimit janë shtyrë për 6 muaj. Avokati Kujtim Cakrani duke folur për vendimin u shpreh se  “SPAK ka tejkaluar të gjitha afatet”.

“Nuk janë mbledhur prova, nuk ka asnjë fakt pse mbahet dhe është absurde që Meta qëndron në paraburgim. Metës i është komunikuar akuza, afati mbaron nesër, teksa SPAK e ka shtyrë. Meta është rrëmbyer dhe SPAK-u është kthyer në një Prokurori politike“, tha avokati.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi reagoi ndaj zgjatjes të afatit të hetimeve ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pasi atij i kanë komunikuar akuzën.

“Zgjatja e afatit të hetimeve dhe mbajtja në izolim ekstrem prej 8 muajsh, provon edhe njëherë se në 32 vite shërbim publik kurrë nuk do të mund të gjendet një provë dhe fakt penal kundër Presidentit Ilir Meta. Kanë hetuar 6 vite, por edhe për 600 të tjera, nëse do të hetojnë, kurrë nuk do të gjendet asnjë provë e shkeljes së ligjit dhe Kushtetutës nga Presidenti Meta”, tha Blushi.

Blushi theksoi se zgjatja e afatit të hetimeve dhe vijimi i mbajtjes në izolim ekstrem pa prova dhe fakte penale, është vijim i terrorit politik.

“Javën e ardhshme, siç e bëri me dije edhe avokati Kujtim Cakrani, do të kundërshtohet masa e arrestit në Gjykatën Kushtetuese. Ky ankimim në Gjykatën Kushtetuese është një hap përfundimtar për të shteruar dhe ezauruar të gjitha procedurat e brendshme në mënyrë që kjo çështje të mbërrijë sa më shpejt në Strasburg dhe ku drejtësisë së kapur dhe vetë Shqipërisë do t’i vendoset njolla më e madhe e zezë e turpit në historinë e një vendi anëtar të Këshillit të Europës, që është edhe një vendi anëtar i NATO-s”, tha Blushi.

/m.m/j.p/

The post SPAK zgjat afatet e hetimit për Metën, Blushi: Masën e arrestit e ankimojmë në Strasburg appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 June 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Java Kulturore italiane, Ermal Meta koncert në skenën e Teatrit të Butrintit

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Skena antike e Teatrit të Butrintit mirëpriti dje performancën e jashtëzakonshme të këngëtarit me origjinë shqiptare dhe karrierë të suksesshme në Itali, Ermal Meta.

Koncerti i cili u realizua në kuadër të Javës Kulturore Italiane, shënoi nisjen e turneut të tij “LIVE 2025”.

Të pranishëm në këtë mbrëmje të veçantë ishin përfaqësues të rëndësishëm nga Shqipëria dhe Italia, mes tyre: ambasadori italian në Tiranë Marco Alberti, drejtori i Institutit Italian të Kulturës Alessandro Ruggera si dhe zëvendësministrja e Kulturës së Shqipërisë Lira Pipa krahas një numri të madh spektatorësh që kishin mbushur shkallët e teatrit antik.

“Jemi të lumtur që jemi në Butrint për koncertin e Ermal Metës, i organizuar nga Instituti italian i Kulturës dhe ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. E rëndësishme është të jemi këtu sepse Butrinti është një xhevahir shqiptar, i zbuluar nga italiani Ugolini 100 vjet më parë. Dhe pastaj historia e Ermal Metës, një xhevahir shqiptar dhe i zbuluar edhe falë kontributit të Italisë. Në këtë kuptim, jemi këtu për të folur për të ardhmen me një këngëtar që tregon historinë e një miqësie midis popujve tanë”, tha ambasadori italian.

“Këtë mbrëmje kemi Ermal Metën në një koncert të bukur në amfiteatrin e Butrintit. Eventi më i rëndësishëm i Javës Kulturore Italiane që është organizuar nga ne, ambasada italiane, ministria e Kulturës dhe kemi vendosur të sjellim një artist që është simbol i bashkimit mes Italisë dhe Shqipërisë se është një artist që është rritur kulturalisht në Itali, i lindur në Shqipëri”, u shpreh mes të tjerash drejtori i institutit të Kulturës Italiane.

Sipas zv. Ministres së Kulturës, qëllimi i këtyre aktiviteteve është të promovojmë vendin edhe për pasuritë kulturore dhe të pasurojmë kalendarin kulturor edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

I shoqëruar në skenë nga pianisti Davide Antonio Pio, bashkëkompozitor dhe bashkëpunëtor i afërt i Metës, si dhe nga një trio elegante instrumentesh harkore, Ermal Meta interpretoi disa nga këngët e tij më të dashura, si dhe krijime të reja nga albumi i ardhshëm.

Përmes një performance që ndërthurte muzikën, poezinë dhe tregimin emocional, artisti solli një përvojë të paharrueshme për publikun.

“Për mua ishte hera e parë që ndodhem në Butrint dhe ky është një teatër magjik. U munduam të sjellim një koncert që do të ishte në sintoni me këtë ambient. Kisha shumë emocione se është koncerti i parë i turneut në atdhe”, u shpreh Meta.

Ky koncert përtej dimensionit artistik, përbën edhe një kujtesë për lidhjet kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë, një simbol i ndërthurjes së rrënjëve, identitetit dhe artit që bashkon dy popujt përmes tingujve dhe emocioneve të përbashkëta.

/m.m/a.f/

The post Java Kulturore italiane, Ermal Meta koncert në skenën e Teatrit të Butrintit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Live 2025”, turneu veror i Ermal Metës nis nga Amfiteatri i Butrintit

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Ermal Meta hap sezonin koncertor veror me një event të veçantë në magjinë e Teatrit Antik të Butrintit, një prej thesareve të Mesdheut dhe Trashëgimi Botërore e UNESCO-s.

Turneu i titulluar “Live 2025”, nis me një skenë unike mes historisë dhe natyrës, mbrëmjen e 7 qershorit. Ermal Meta sjell një performancë unike që bashkon muzikën e tij me tregimin e historive, duke krijuar një eksperiencë të paharrueshme për publikun.

Bashkë me pianistin dhe bashkëshkrimtarin Davide Antonio Pio dhe një trio elegante harqesh, koncerti do të jetë një festë e tingujve dhe emocioneve në një vend ku historia dhe arti bashkohen.

Koncerti vjen në kuadër të Javës Kulturore Italiane dhe organizatorët premtojnë një mbrëmje që do të mbetet gjatë në zemrat e të pranishmëve. Hyrja do të jetë e lirë, por adhuruesve të muzikës së Ermal Metes do t’u duhet të bëjnë një rezervim në linkun urly.it/319y_s

/r.e/a.f/

The post “Live 2025”, turneu veror i Ermal Metës nis nga Amfiteatri i Butrintit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Blushi: Asnjë fakt penal ndaj Metës, manipulime dhe shkelje të ligjit nga prokurorët

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se “Partia e Lirisë është e bindur në pafajësinë e plotë të Metës ndaj akuzave farsë të shkruara nga Edi Rama dhe të firmosura nga prokurori Altin Dumani dhe do të nisë çmontimin e tyre publik në mënyrë periodike”.

Në një deklaratë për shtyp, Blushi theksoi se Partia e Lirisë përshëndet mbylljen e hetimeve të stisura politikisht dhe të zvarritura qëllimisht ndaj Ilir Metës. Sipas tij, hetimet kishin qëllim paralizimin e drejtuesve të opozitës dhe terrorizimin e mbështetësve të saj.

“Procesi gjyqësor do të provojë se jo vetëm nuk ka patur asnjë fakt penal apo shkelje ligji nga Ilir Meta, por se ka patur vetëm manipulime dhe shkelje të ligjit nga prokurorët që kanë hartuar fletërrufenë sorosiste kundër tij bazuar mbi shkrime gazetash dhe dëshmitarë shkelës të provuar të ligjit dhe gënjeshtarë me pagesë nga narkoregjimi”, tha Blushi.

Kauzat e Partisë së Lirisë, vijoi Blushi, janë më të forta se asnjëherë ndaj presim me padurim nisjen e procesit të gjykimit, që ky proces të vërtetojë edhe njëherë se Ilir Meta në të gjithë jetën e tij publike ka qenë shembull i respektimit të ligjit dhe Kushtetutës.

“Jemi të bindur në shpartallimin e plotë të kësaj farse kundër Ilir Metës si President i Partisë së Lirisë, por edhe si ish-President i Republikës, i cili provoi botërisht në Komisionin e Venecias dhe kudo tjetër, shndërrimin e Reformës në Drejtësi me 140 vota në Ramaformë me 69 vota dhe betime të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese te noteri te Lana. Partia e Lirisë do të dalë shumë herë më e fortë nga kjo betejë sepse kauzat e saj janë interes ekzistencial kombëtar”, tha Blushi. /k.s/j.p/

The post Blushi: Asnjë fakt penal ndaj Metës, manipulime dhe shkelje të ligjit nga prokurorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 27 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SPAK përfundon hetimet për Metën e Kryemadhin

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për dosjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Ish-çifti tashmë, Meta dhe Kryemadhi janë hetuar nga SPAK për tri vepra penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike”.

Presidenti i Partisë së Lirisë në një reagim në rrjetet sociale tha se “përshëndes përfundimin e farsës hetimore të tejzgjatur nga SPAK për shkak të zgjedhjeve, të nisur që në dhjetor 2019 nga Altin Dumani”.

“Pres me padurim, nisjen e gjykimit të këtij procesi”, tha Meta, duke shtuar se “nga sot ne nisim çmontimin e kësaj farse hetimore e cila kërkon të spostojë vëmendjen nga krimet e tmerrshme zgjedhore”.

Ndërkohë Monika Kryemadhi në një prononcim për mediet para SPAK tha se “më kanë komunikuar të njëjtat akuza”.

Kujtojmë se Ilir Meta u arrestua në tetor të vitit të kaluar dhe ndaj tij GJKKO caktoi masën “arrest me burg”. Për Kryemadhin u caktua masa “detyrim paraqitje”.

/a.f/r.e/

The post SPAK përfundon hetimet për Metën e Kryemadhin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 3 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

PL: Garantojmë minimumin jetik për çdo qytetar

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Zëdhënesja e Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli tha sot në një deklaratë për shtyp se koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” riafirmon angazhimin e palëkundur për garantimin e një minimumi jetik për çdo qytetar shqiptar.

Sipas Memellit, në një kohë kur varfëria po thellohet dhe qeveria aktuale ka braktisur shtresat më të pambrojtura të shoqërisë, koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” paraqet një alternativë të qartë dhe të realizueshme për dinjitetin ekonomik të çdo individi.

“Minimumi jetik nuk është vetëm një shifër financiare, por një standard themelor për jetesën me dinjitet, një të drejtë që çdo shqiptar duhet ta gëzojë. Sot, mijëra qytetarë shqiptarë jetojnë nën kufirin e mbijetesës. Inflacioni i lartë, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve bazë, mungesa e mbështetjes sociale dhe politikat abuzive të qeverisë aktuale i kanë shtyrë shumë familje drejt varfërisë ekstreme”, tha ajo.

“Ndihma ekonomike është e pamjaftueshme, shpesh jepet në mënyrë selektive dhe nuk i përgjigjet nevojave reale të njerëzve në nevojë. Programi ynë synon të krijojë një rrjet të sigurisë sociale që garanton mbijetesën, por edhe një jetë me dinjitet për çdo individ. Ky program në 100 ditët e para garanton vendosjen e minimumit jetik prej 200 euro për cdo shqiptar, rritjen e pensioneve me 20%, rritjen e rrogës minimale në 500 euro dhe rritjen e rrogës mesatare në 1200 euro”, pohoi Memelli.

Në programin e PL-së për “çdo pensionist, qytetar me minimum jetik apo rrogë minimale, do të pajiset me Kartën e Konsumatorit, me të cilën do të përfitojë kthimin e TVSH-së që paguan për blerjen e ushqimeve bazë, energjisë elektrike, ujit dhe ilaceve, duke përfituar rreth 450 euro në vit”.

Më tej, Memelli nënvizoi në deklaratën për shtyp se për personat me aftësi të kufizuara që kanë nevojë, do të paguhet kujdestari dhe sigurimet e tij.

“Çmimi i energjisë elektrike do të ulet në 7 lekë për këH. Çmimi i naftës do të ulet me 35-40%. Si dhe do të falen të gjitha gjobat për energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm për pensionistët, punonjësit me rroga të ulëta, nënat kryefamiljare, familjet në ndihmë ekonomike, të papunët dhe biznesin e vogël. Ky program është i detajuar dhe i realizueshëm. Ai do të financohet përmes një përdorimi më të mirë të buxhetit të shtetit, luftës kundër korrupsionit dhe uljes së luksit qeveritar”, pohoi ajo.

Zëdhënësja e Presidentit të Partisë së Lirisë theksoi se “askush nuk duhet të vuajë për bukën e gojës në një shtet që ka potencial për zhvillim dhe mirëqenie”.

“Minimumi jetik është jo vetëm një përgjigje ndaj krizës sociale, por një hap i domosdoshëm drejt një shoqërie më humane, ku çdo qytetar respektohet dhe mbështetet. Prandaj ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Në 11 Maj të gjithë së bashku, votojmë Nr.1, “Aleancën për Shqipërinë Madhështore”, tha Memelli.

The post PL: Garantojmë minimumin jetik për çdo qytetar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 20 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kremtohet Pashka, politika uron besimtarët e krishterë

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Besimtarët e krishterë në mbarë vendin kanë kremtuar sot Pashkën, festa më e madhe dhe më e shenjtë e kalendarit të krishterë, e cila simbolizon ringjalljen e Krishtit dhe triumfin e jetës mbi vdekjen

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka ndarë sot një mesazh urimi, përmes një postimi në rrjetet sociale. Veliaj uron që kjo “ditë të jetë e mbushur me paqe, dashuri e lumturi dhe ringjalltë në secilin prej nesh tolerancën dhe respektin për njëri-tjetrin”.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka përcjellë mesazhin e Tedi Blushit dhe drejtuesve të tjerë të PL-së në këtë ditë të shënuar, duke e cilësuar si një triumf të jetës mbi vdekjen dhe të dritës mbi errësirën.

Blushi, e ndau mesazhin e tij të urimit nga ambientet e jashtme të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë duke thënë se ndau me Imzot Joanin dhe besimtarët ortodoksë, por edhe ata katolikë, urimet e rastit për mbarësi dhe begati në familjet e tyre.

“Pashka nuk është vetëm një ditë feste, por edhe një dëshmi e triumfit të dritës ndaj errësirës, të jetës mbi vdekjes, të së mirës ndaj së keqes. I bindur se Pashkët e ardhshme do të na gjejnë më mirë, pas 11 majit, çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave të komuniteteve fetare do të marrë një zgjidhje, jo vetëm si detyrim kushtetues, por si një mundësi të rimëkëmbjes e mëtejshme të institucioneve tona fetare”, tha ai.

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ishte për një vizitë në Kishën Katolike për të uruar pashkët. Pas vizitës, Basha pati një prononcim për mediat, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për besimtarët e krishterë.

Ai tha se ky kremtim i ringjalljes së Krishtit, të jetë një bekim për vendin tonë, për shqiptarët anembanë dhe qoftë një reflektim se pas vështirësive vjen shpresa, se me besim dhe durim, ndryshimi pozitiv që të gjithë duam dhe meritojmë është i mundur.

“Sot është një ditë e veçantë në radhë të parë për besimtarët e krishterë. Katolik, ortodoks, ungjillor, të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, ju uroj nga zemra gëzuar Pashkët! Kjo ditë simbol i ringjalljes së hyut, të Krishtit, e cila ka kaq shumë domethënie për ju të dashur vëllezër dhe motra besimtarë të krishterë, sjelltë paqe në shpirtrat tuaj, mirësi, mbarësi dhe bekimet e Zotit në familjet tuaja. Por së dyti dhe po kaq e rëndësishme uroj nga zemra që kjo ditë e shenjtë, ky kremtim i ringjalljes, të jetë një bekim për vendin tonë, për shoqërinë tonë, për shqiptarët anembanë, për të gjithë kombin shqiptar. Të jetë një reflektim se pas vështirësive vjen shpresa, se me besim dhe durim, ndryshimi pozitiv që të gjithë duam dhe meritojmë është i mundur. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë. Gëzuar!” – tha Basha.

Foto nga mesazhet e urimit për festën e Pashkëve të Veliajt, Metës dhe Bashës
1 nga 3

/a.f/

The post Kremtohet Pashka, politika uron besimtarët e krishterë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 19 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Imzot Gjergj Meta uron të krishterët për festën e Pashkës: Të kremtojmë dhe gëzohemi të gjithë një zemre

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta, ka përcjellë sot një mesazh urimi në emër të Kishës Katolike për të gjithë besimtarët e krishterë për Festën e Pashkës.

Imzot Gjergj Meta shprehet se “këtë vit, Pashkët kanë qëlluar në të njëjtën ditë për të gjithë të krishterët: katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë. Është një rast i bukur që të kremtojmë dhe të gëzohemi të gjithë një zemre, edhe pse secili në bashkësitë e veta”.

“Nëse Krishti, me vdekjen e tij, e mundi vdekjen, sikurse thotë një himn i vjetër i Pashkës që këndohet në këto ditë, na ka lënë ne, që me angazhimin tonë, të bëhemi Pashkë për të tjerët, sidomos për ata që janë në vargonjtë e padrejtësisë, të dhunës, të luftës e të situatave të rënduara ekzistenciale. Nuk ka kuptim të urosh Pashkët, nëse nuk bëhesh Pashkë ti vetë. Por që të bëhesh Pashkë, duhet të bëhesh më parë Kryq, të zbresësh në varr e prej aty të kumtosh lajmin e mirë të jetës që shpërthen nga nata e Pashkës. Vetëm kështu, duke zbritur në varret e hapura të shumë situatave shoqërore dhe shpirtërore, mund të bëhesh lajmëtar i ditës së re”, thekson ai.

Imzot Gjergj Meta apelon shprehet më tej në mesazhin e tij të urimit: “Le të jemi ne së pari Pashkë në jetën tonë e kështu të kumtojmë ditën pa mbarim të fitores së Krishtit mbi vdekjen. Sigurisht që e gjithë kjo do të ndodhë në liturgjitë dhe shërbesat që do të bëjmë nëpër kishat tona, por këtë duhet ta bërtasim me të madhe nëpër rrugët dhe në situatat e njerëzve të çdo dite, në veçanti të atyre, që për një arsye a një tjetër, gjenden në kryq, janë në varret e vuajtjes dhe të mjerimit për shkak të luftës, ndasive, inatit dhe zemërimit. Vetëm kështu do të kemi kremtuar me të vërtetë Pashkë”.

“Po ju uroj të gjithëve, katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë, me përshëndetjen e të krishterëve: Krishti u ngjall! Me të vërtetë u ngjall”, përfundon urimin presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta.

The post Imzot Gjergj Meta uron të krishterët për festën e Pashkës: Të kremtojmë dhe gëzohemi të gjithë një zemre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌