Mbi 65 mijë fermerë përfituan nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2025
TIRANË, 11 shkurt /ATSh/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZhBR) njoftoi sot se 65.435 fermerë në të gjithë vendin kanë përfituar nga pagesat e drejtpërdrejta të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2025, me një fond total prej 5,152 miliardë lekësh.
Sipas AZhBR-së, përmes tetë masave mbështetëse, skema ka synuar të mbështesë sektorët kryesorë të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, duke kontribuar në uljen e kostove të prodhimit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në vend.
Drejtoresha e AZhBR-së, Ardita Kuçi, ka thënë se kjo mbështetje financiare përbën një instrument të rëndësishëm për fuqizimin e fermerëve dhe përmirësimin e standardeve të prodhimit.
“Kjo mbështetje kontribuon drejtpërdrejt në uljen e kostove, rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në të gjithë vendin”, ka theksuar Kuçi.
Sipas të dhënave të bëra publike nga AZhBR, numri i përfituesve sipas masave mbështetëse është:
a) 3791 fermerë përfituan nga masa për tufën bazë të matrikullimit (gjedhë);
b) 5275 fermerë nga masa për tufën bazë të matrikullimit (të imta);
c) 4135 përfitues nga masa për mbarështimin e bletarisë;
d) 1307 përfitues për fara, fidane dhe inpute të tjera bujqësore;
e) 751 përfitues për kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike;
f) 110 përfitues për fermat organike; 4 përfitues për certifikimin Global GAP;
g) 50.061 fermerë përfitues për naftën e përdorur në punimet e mekanizuara në bujqësi.
AZhBR bën të ditur se masa për naftën në bujqësi përbën numrin më të lartë të përfituesve, duke reflektuar rëndësinë e mbështetjes për uljen e kostove të mekanizimit dhe përmirësimin e eficiencës në prodhim.
Skema Kombëtare e Mbështetjes 2025 konsiderohet një ndër instrumentet kryesore të politikave publike në mbështetje të fermerëve, me synim rritjen e prodhimit vendas, formalizimin e sektorit dhe përmirësimin e standardeve në përputhje me kërkesat e tregut.
/e.xh/a.f/r.e/
The post Mbi 65 mijë fermerë përfituan nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.