Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kosova dhe Serbia pajtohen për komisionin për personat e zhdukur

22 January 2026 at 20:54

PRISHTINË, 22 janar/ATSH/ Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të funksionalizojnë komisionin e përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas rundit të dialogut me Serbinë të zhvilluar në Bruksel, tha se tani mbetet që javët e ardhshme të takohen “zëvendësit tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para për punën e komisionit të përbashkët”.

“Qëllimi ishte që të arrijmë dakordim që sot ta funksionalizojmë komisionin e përbashkët për jetësimin apo zbatimin e Marrëveshjes për personat e pagjetur në mes të kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti dhe presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq. Takimet ishin të suksesshme dhe në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv”, tha Bislimi.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, e cilësoi rundin e dialogut të 22 janarit si “takimin e parë të komisionit të përbashkët për zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur”.

“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe domethënëse dhe shpresoj që pas këtij takimi të parë të përshpejtohen të gjitha proceset në drejtim të gjetjes së të gjithë personave të zhdukur”, tha Petkoviq.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë njëherësh janë edhe bashkëkryesues të këtij komisioni.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i cili ishte i pranishëm në Bruksel, tha se për tre vjet Serbia kishte refuzuar themelimin e këtij komisioni.

“Ne mirëpresim takimin e radhës, me pritjen e qartë që pala serbe të vijë me hapa konkretë dhe të matshëm, në përputhje me obligimet e marra në Deklaratën e personave të zhdukur”, shkroi Hoti në Facebook.

Marrëveshja u arrit pas disa orësh bisedimesh që ndërmjetësi evropian në dialog, Peter Sorensen, zhvilloi veç e veç me Bislimin dhe Petkoviqin.

Në fund të këtyre takimeve, në orët e mbrëmjes u mbajt një takim i përbashkët, në të cilin marrëveshja u formalizua.

Ky komisioni i përbashkët për personat e pagjetur është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2023.

Palët u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve në dhjetor 2024 në Bruksel.

Për çështjen e themelimit të komisionit për personat e zhdukur, palët kishin diskutuar edhe gjatë një rundi bisedimesh më 11 shtator të vitit 2025. Megjithatë, ai rund bisedimesh kishte përfunduar pa asnjë rezultat.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998-99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Rundi i ri i dialogut u zhvillua pas vizitës së Sorensenit në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar.

Takimi i 22 janarit ishte i pari në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës këtë vit.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 14 janar, Sorensen tha lidhur me dialogun se “kam shpresa se viti 2026 do të na japë atë që viti 2025 nuk na e dha”.

“Çfarë do të bëjmë ne është të sigurohemi që palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet ta gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë”, theksoi Sorensen në Prishtinë.

Ai tha se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të një sulmi nga një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe në shtator të atij viti.

Kurti – i cili pritet të jenë në krye të qeverisë së vendit edhe për një mandat të tretë katërvjeçar – e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me dorëzimin e të dyshuarit për sulmin në Banjskë të Zveçanit që la një rreshter të vrarë, Millan Radoiçiq.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës kur ndodhi sulmi dhe e mori përgjegjësinë për të. Beogradi nuk ka pranuar t’ia dorëzojë Kosovës atë, dhe thuhet se ai endet i lirë në Serbi.

Edhe Serbia ka kushtet e veta në dialog, siç e ritheksoi edhe Petkoviq pas takimit me Sorensenin më 16 janar në Beograd.

Kryenegociatori serb tha se përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku varet nga gatishmëria e Kosovës për ta themeluar një asociacion të komunave me shumë serbe.

Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.

Ndër pikat e marrëveshjes është edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por Prishtina nuk ka ndërmarrë hapa për ta përmbushur këtë kërkesë. /rel/

The post Kosova dhe Serbia pajtohen për komisionin për personat e zhdukur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANALIZË – Pse është Donbasi një pikë ngërçi në marrëveshjen e paqes në Ukrainë?

22 January 2026 at 20:39

LONDËR, 22 janar /ATSH/- Ka ende shumë pikëpyetje nëse Putini do të bjerë dakord me planin e SHBA-së për një zonë të demilitarizuar dhe të tregtisë së lirë në Donbas, sipas BBC.

Por, ku ndodhet dhe pse është Donbasi një pikë mosmarrëveshjeje?

Donbasi i referohet një zone që përfshin rajonet lindore të Luhanskut dhe Donetskut, të cilat shtrihen në dalje të Mariupolit në jug deri në kufirin verior me Rusinë.

Rajoni është zona prodhuese e qymyrit dhe çelikut në Ukrainë.

Donbasi është kryesisht rusishtfolës dhe pasi Rusia pushtoi Krimenë në vitin 2014, forcat e saj të ndërmjetme pushtuan më shumë se një të tretën e pjesës lindore të Ukrainës.

Para luftës, Putini i njohu të gjithë Luhanskun dhe Donetskun si të pavarur nga Ukraina. Pasi filloi pushtimi i vitit 2022, Moska i zbehu ambiciet e saj për të pushtuar Kievin dhe e zhvendosi fokusin e saj në Donbas.

“Nuk mund të tërhiqemi, është jashtë ligjit tonë. Nuk është vetëm ligji. Njerëzit jetojnë atje, 300 000 njerëz… Nuk mund t’i humbasim ata njerëz”, tha Zelensky muajin e kaluar.

Dhe sot, pas takimit me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti ukrainas u tha gazetarëve se “gjithçka kishte të bënte me territorin”.

“Kjo është çështja që nuk është zgjidhur ende”, tha Zelensky.

SHBA-ja ka propozuar krijimin e një zone të demilitarizuar dhe të lirë ekonomike ne “zemrën” industriale të Ukrainës, në Donbas, në këmbim të garancive të sigurisë për Kievin.

“Nëse të dyja palët duan ta zgjidhin këtë, ne do ta zgjidhim”, tha i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff.

“Nëse kjo mund të arrihet, mbetet për t’u parë”, shtoi ai. //a.i/

The post ANALIZË – Pse është Donbasi një pikë ngërçi në marrëveshjen e paqes në Ukrainë? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKSK: Nuk ka asnjë incident kibernetik të konfirmuar që të ketë cenuar sistemet shtetërore

TIRANNË, 22 janar/ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informoi sot se nuk ka asnjë incident kibernetik të konfirmuar që të ketë cenuar funksionimin, sigurinë apo integritetin e sistemeve shtetërore.

Në një deklaratë për shtyp AKSK reagoi ndaj disa informacioneve të pavërteta të shpërndara ditët e fundit në rrjetet sociale apo media lidhur me pretendime për sulme kibernetike ndaj institucioneve të vendit.

“AKSK, në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet publike dhe strukturat përgjegjëse, monitoron në mënyrë të pandërprerë hapësirën kibernetike dhe ka në funksion mekanizmat e nevojshëm për identifikimin dhe reagimin ndaj incidenteve kibernetike”, thuhet në deklaratën për shtyp.

AKSK i bën thirrje publikut dhe medieve që të referohen vetëm te burimet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e informacioneve të pakonfirmuara, të cilat mund të krijojnë paqartësi dhe panik të panevojshëm.

AKSK do të vijojë të informojë në mënyrë transparente për çdo zhvillim të rëndësishëm që lidhet me sigurinë kibernetike në vend.

/k.s/j.p/

The post AKSK: Nuk ka asnjë incident kibernetik të konfirmuar që të ketë cenuar sistemet shtetërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Vëmendje në rritje për Shqipërinë në panairin e turizmit në Madrid

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Stenda e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar të turizmit Fitur në Madrid mirëpriti sot përfaqësues të medieve dhe platformave kryesore spanjolle, si Mallorca Diario, La Razón dhe Forbes Travel Spanjë.

I pranishëm gjatë takimeve me mediet spanjolle ishte edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe Presidenti i Forbes, Clemente Corona.

Gonxhja u shpreh se mediet spanjolle shfaqën interes të jashtëzakonshëm për Shqipërinë.
“Gjatë takimeve u diskutua mbi potencialin e Shqipërisë si destinacion turistik autentik dhe gjithëvjetor, duke vënë në pah diversitetin e ofertës, pasuritë natyrore, trashëgiminë kulturore, gastronominë, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit”, shtoi ai.
“Interesi i treguar nga këto medie prestigjioze konfirmon vëmendjen në rritje për Shqipërinë dhe krijon një hapësirë të rëndësishme për promovimin e saj në tregjet ndërkombëtare, duke forcuar më tej imazhin e vendit si një nga destinacionet më premtuese në rajon”, tha Gonxhja.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Spanjë është tashmë një traditë e konsoliduar. Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantohet me moton “Albania All Senses”, duke promovuar në stendën shqiptare destinacionet turistike, produktet autentike dhe ofertën e plotë të shërbimeve turistike të vendit.

Ky panair mbledh 161 vende nga e gjithë bota, më shumë se 10,000 kompani dhe mirëpret profesionistë të sektorit të turizmit, autoritete vendimmarrëse, si dhe vizitorë të interesuar për të mësuar më shumë rreth destinacioneve dhe ofertave turistike ndërkombëtare.

/k.s/j.p/

The post Gonxhja: Vëmendje në rritje për Shqipërinë në panairin e turizmit në Madrid appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Merz: Mirënjohës që Trump u tërhoq nga tarifat shtesë ndaj disa vendeve të BE-së

22 January 2026 at 20:05

BRUKSEL, 22 janar /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu lehtësim për njoftimin e papritur të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të mos vendosur tarifa shtesë ndaj disa vendeve evropiane dhe për një marrëveshjeje të mundshme për Groenlandën.

“Jam shumë mirënjohës që presidenti Trump është treguar i vetëpërmbajtur nga planet e tij fillestare për të marrë kontrollin e Groenlandës. Dhe jam gjithashtu mirënjohës që ai është vetëpërmbajtur nga vendosja e tarifave shtesë më 1 shkurt”, tha sot Merz ndërsa mbërriti në një samit të BE-së në Bruksel.

Takimi u mblodh fillimisht për të gjetur një përgjigje të përbashkët ndaj tarifave të kërcënuara.

Udhëheqësit e BE-së tani janë të përqendruar në nxjerrjen e mësimeve nga ditët e kaluara dhe në gjetjen e një mënyre për t’u marrë me marrëdhëniet transatlantike në ndryshim.

“Ne do të duhet të forcojmë qëndrueshmërinë e Bashkimit Evropian”, tha Merz.

“Bashkimi Evropian, pjesa evropiane e NATO-s, duhet të jetë në gjendje të mbrojë veten”, tha Merz.

“Pavarësisht progresit, ne jemi ende shumë larg arritjes së gjithçkaje që duhet të arrijmë”, shtoi ai.

“Përveç kësaj, BE-ja duhet të përmirësojë konkurrueshmërinë e saj, theksoi Merz. //a.i/

The post BRUKSEL – Merz: Mirënjohës që Trump u tërhoq nga tarifat shtesë ndaj disa vendeve të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kadastra Shqiptare nis regjistrimin fillestar të pronave në tre fshatra të Bulqizës

22 January 2026 at 19:52

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Kadastra Shqiptare njoftoi se ka nisur faza e regjistrimit fillestar të pronave në tre fshatra të Bulqizës: Lubalesh (ZK 2501) dhe Çerenec i Epërm (ZK 4002) në Njësinë Administrative Gjoricë, si dhe Gjinovec (ZK 1743) në Njësinë Administrative Klenjë (Trebisht).

Sipas njoftimit të Kadastrës, gjatë një periudhe 45-ditore, banorët mund të konsultojnë listat e pronave me sipërfaqet dhe emrat e pronarëve të identifikuar, si dhe hartat kadastrale të zonave të përfshira. Dokumentacioni i mbledhur dhe të dhënat nga evidentimi në terren janë përpunuar ligjërisht dhe hartografikisht, duke mundësuar verifikimin e saktësisë së të dhënave për çdo pronë.

Kadastra njoftoi qytetarët të paraqesin kërkesë me shkrim për çdo paqartësi, pretendim ose kërkesë për korrigjim të të dhënave të pronës, pranë zyrës ku është bërë afishimi publik ose pranë Zyrës Vendore të ASHK-së në Bulqizë.

Pas përfundimit të regjistrimit fillestar, banorët mund të aplikojnë për regjistrimin e pronës dhe pajisjen me dokumentacion pronësie përmes portalit e-Albania. /j.p/

The post Kadastra Shqiptare nis regjistrimin fillestar të pronave në tre fshatra të Bulqizës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet sistemi për dorëzimin e Deklaratës Individuale të të Ardhurave, afat deri më 31 mars

22 January 2026 at 19:51

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Qytetarët mund të dorëzojnë tashmë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA 2025) përmes platformës online e-Filing. Afati i fundit për dorëzim është 31 mars 2026.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, deklarata duhet dorëzuar nga ata që gjatë vitit 2025 kanë pasur pagë mbi 100 mijë lekë në muaj, të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë.

Po ashtu deklarata është detyrim edhe për të dypunësuarit, dhe për të gjithë ata individë që kanë realizuar gjatë 2025-ës të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim, të ardhura këto që mund të jenë fituar edhe nga platformat online si Meta, Facebook, YouTube, Google, Booking dhe AirBNB.

Për herë të parë këtë vit, nga baza e tatueshme e prindërve me fëmijë nën moshën 18 vjeç, krijohet mundësia e zbritjes së shumës 48.000 lekë për çdo fëmijë. Kjo zbritje do të aplikohet vetëm nga njëri prej prindërve, që duhet të ketë edhe pagën më të lartë në familje. Për këtë skemë që do funksionojë për herë të parë këtë vit, janë vënë në dispozicion në buxhetin e shtetit 1.5 miliardë lekë.

Kjo zbritje do të aplikohet vetëm nga njëri prej prindërve, që duhet të ketë edhe pagën më të lartë në familje. Për këtë skemë që do funksionojë për herë të parë këtë vit, janë vënë në dispozicion në buxhetin e shtetit 1.5 miliardë lekë.

Edhe qytetarët që nuk kanë detyrim ligjor për dorëzimin e DIVA mund ta bëjnë deklaratën për të përfituar këto përfitime.

Tatimpaguesit mund të kontrollojnë deklaratën e tyre të paraplotësuar në sistem dhe të aplikojnë për të gjitha zbritjet që u përkasin, duke e bërë procesin të shpejtë dhe të sigurt.

e.xh/j.p/

The post Hapet sistemi për dorëzimin e Deklaratës Individuale të të Ardhurave, afat deri më 31 mars appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Franca sekuestron anijen cisternë nga Rusia me mbështetjen e Britanisë së Madhe

22 January 2026 at 19:40

PARIS, 22 janar /ATSH/- Franca ka interceptuar një anije cisternë të sanksionuar nga Rusia, me mbështetjen e Britanisë së Madhe, tha sot presidenti francez, Emmanuel Macron, sipas BBC.

“Marina Franceze, këtë mëngjes, hipi në një anije cisternë të sanksionuar – që vinte nga Rusia dhe që dyshohej se mbante një flamur të rremë”, tha presidenti francez.

Duke njoftuar operacionin në X, Macron tha se anija ishte kapur në Mesdhe me ndihmën e Britanisë së Madhe.

“Ne jemi të vendosur të mbështesim ligjin ndërkombëtar dhe të sigurojmë zbatimin efektiv të sanksioneve. Aktivitetet e “flotës hije” kontribuojnë në financimin e luftës së agresionit kundër Ukrainës”, tha Macron.

“Gjithashtu, është nisur një hetim gjyqësor dhe se anija cisternë është devijuar”, shtoi ai.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka falënderuar presidentin francez Emmanuel Macron pasi ai njoftoi se Marina Franceze – në partneritet me Britaninë e Madhe – kishte sekuestruar një anije cisternë që vinte nga Rusia në Detin Mesdhe.

“Ky është pikërisht lloji i vendosmërisë së nevojshme për të siguruar që nafta ruse të mos financojë më luftën e Rusisë”, shkroi Zelensky në X.

“Anijet cisternë ruse që operojnë pranë brigjeve evropiane duhet të ndalen”, shtoi ai.

“Sanksionet kundër të gjithë infrastrukturës së “flotës hije” duhet të jenë të ashpra”, tha Zelensky. //a.i/

The post PARIS – Franca sekuestron anijen cisternë nga Rusia me mbështetjen e Britanisë së Madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOPENHAGË – Nielsen: Askush përveç Groenlandës dhe Danimarkës nuk mund të bëjë marrëveshje për të ardhmen e ishullit

22 January 2026 at 19:15

KOPENHAGË, 22 janar /ATSH/- Vendi zgjedh Groenlandën që njohim sot, tha kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen – duke folur në një konferencë për shtyp.

“Si pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, ne kemi zhvilluar shoqërinë tonë, demokracinë dhe vendin tonë… në kuadër të Mbretërisë së Danimarkës dhe aleancës së NATO-s”, tha ai.

“Ne kemi fituar vetëqeverisjen, të drejtën tonë për vetëvendosje, dhe kjo duhet të vazhdojë”, thotë ai.

Duke iu referuar demonstratave gjatë fundjavës ku mijëra njerëz protestuan në kryeqytetin Nuuk, Nielsen shpjegoi se ato nuk ishin “kundër SHBA-së”.

“Nuk ishte një demonstrim kundër miqësisë sonë të gjatë apo bashkëpunimit të ngushtë. Ishte kundër mosrespektimit të sundimit ndërkombëtar të ligjit, demokracisë dhe të drejtës sonë për vetëvendosje”, tha ai.

“Ne kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë dialog të respektueshëm përmes diplomacisë dhe kanaleve normale”, shtoi ai.

“Askush tjetër përveç Groenlandës dhe Danimarkës nuk ka mandatin për të bërë marrëveshje ose marrëveshje në lidhje me Groenlandën”, tha kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, i pyetur nëse Groenlanda ishte e sigurt nga kërcënimi i pronësisë amerikane.

“Nuk e di se çfarë është “konkrete” në marrëveshje, por jemi gati të bashkëpunojmë dhe të zhvillojmë më shumë bisedime duke punuar për një zgjidhje për të dyja palët”, tha ai. //a.i/

 

The post KOPENHAGË – Nielsen: Askush përveç Groenlandës dhe Danimarkës nuk mund të bëjë marrëveshje për të ardhmen e ishullit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOPENHAGË – Ministrja e Jashtme: Duhet ende shumë punë për ta bërë Groenlandën një vend të sigurt

22 January 2026 at 18:53

KOPENHAGË, 22 janar /ATSH/- Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt tha sot se zhvillimet e fundit në Forumin Ekonomik Botëror kanë qenë pozitive, sipas BBC.

Në një deklaratë, Motzfeldt tha se NATO nuk po negocionte në emër të Groenlandës – dhe se nuk do të arrihej asnjë marrëveshje zyrtare pa pjesëmarrjen e qeverisë.

Megjithatë, ajo shtoi se sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e kishte informuar drejtpërdrejt presidentin e SHBA-së, Donald Trump, mbi nevojën për të respektuar pozicionin dhe kufijtë e territorit.

Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt tha se duhej ende shumë punë për ta bërë Groenlandën një vend të sigurt. //a.i/

The post KOPENHAGË – Ministrja e Jashtme: Duhet ende shumë punë për ta bërë Groenlandën një vend të sigurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Punimet për godinën e re të DPSHTRR-së, drejt përfundimit

22 January 2026 at 18:45

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Punimet për ndërtimin e selisë së re të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ndodhen në fazën përfundimtare, duke shënuar një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve publike.

E konceptuar me perspektivën e duhur për nevojat e një enti në rritje e për të përballuar funksione të shumta shërbimesh e detyra operacionale, objekti i ri, që do të zëvendësojë godinën e vjetër, do të jetë një vepër arkitektonike gjurmëlënëse, e një ndërtimi administrativ model që do t’i shtohet kryeqytetit falë një investimi bashkëkohor, me standarde maksimale eficience energjetike, prestigj e rrezatim inovacioni teknologjik, me gjithëpërfshirje të publikut në hapësira edukative, me një konstruksion inovator për funksionalitet e siguri shërbimesh publike.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor Kreshnik Bajraktari, inspektoi nga afër ecurinë e punimeve dhe respektimin e standardeve të zbatimit. Godina përfshin 6,105 m² sipërfaqe ndërtimi, holl të hapur 450 m² për aktivitete komunitare dhe dy kate parkim nëntokësor.

Selia e re ka arkitekturë bashkëkohore, hapësira të ndriçuara natyralisht, atrium të gjelbëruar dhe sistem ajrimi klimatik. Objekti do të pajiset gjithashtu me panele fotovoltaike për energji të pastër, duke garantuar kursim afatgjatë dhe respekt ndaj mjedisit.

Investimi synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.

e.xh/j.p/

The post Punimet për godinën e re të DPSHTRR-së, drejt përfundimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – Healey: Britania e Madhe do të luajë “rol udhëheqës” në sigurinë e Arktikut

22 January 2026 at 18:39

LONDËR, 22 janar /ATSH/- Forcimi i sigurisë në rajonin e Arktikut dhe në veriun e largët është diçka në të cilën Britania e Madhe do të marrë një “rol udhëheqës” përmes NATO-s, tha sot sekretari i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, John Healey pas bisedimeve të presidentit amerikan, Donald Trump mbi Groenlandën, në Davos, sipas BBC.

“Kanë qenë dy javë diskutimesh të ashpra dhe diplomaci të vendosur”, shtoi ai.

Healey gjithashtu foli për cështjen e Ukrainës, duke thënë se ishte një hap i “mirë” që i dërguari i SHBA-së Steve Witkoff po shkonte në Moskë për bisedime të mëtejshme.

“Tani është koha që Putini të bëjë atë që thotë. Ai thotë se është i interesuar për bisedime, por ende nuk ka deshmuar se është i interesuar për paqen. Ky është shansi i tij”, shtoi Healey. //a.i/

The post LONDËR – Healey: Britania e Madhe do të luajë “rol udhëheqës” në sigurinë e Arktikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj: Plan me tre faza për vendosjen në kontroll të ndotjes nga plastika

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Qeveria në bashkëpunim me bashkitë e vendit po përgatit një plan të përbashkët kundër ndotjes nga plastika në territor.

Plani i paralajmaëruar edhe nga Kryeministri Edi Rama vjen si përgjigje ndaj fenomenit të ndotjes së ujërave nga plastika që rëndoi problematikat e shkaktuara nga reshjet intensive të fillimjanarit.

Kështu, sipas ministrit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj i cili preku këtë temë gjatë aktivitetit të organizuar në kuadër të projektit “EU4Rivers”, dy ditë më parë, plani ka qasje 360° që nis nga edukimi deri te masat më të forta ndaj çdo abuzimi me mjedisin.

“Qeveria shqiptare po përgatit një ofensivë të përbashkët me pushtetin vendor përmes një plani me tre faza që synon të vendosë në kontroll këtë fenomen kaq të papërshtatshëm për vendin tonë”, tha Jaupaj.

Një nga kompenentët e rëndësishëm të planit është edukimi dhe ndërgjegjësimi i brezit të ri dhe i popullatës vendase për të shkuar deri deri në ashpërsimin e mëtejshëm të masave ndaj çdo abuzimi me mjedisin.

Sipas planit, pritet të ngrihet një taskforcë e përbashkët qeveri–bashki për luftën kundër ndotjes plastike, duke e cilësuar atë një faktor kyç që përkeqëson përmbytjet dhe dëmton mjedisin.

/k.s/j.p/

The post Jaupaj: Plan me tre faza për vendosjen në kontroll të ndotjes nga plastika appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Zelensky: Takimi me Trump ishte pozitiv dhe shumë i rëndësishëm

22 January 2026 at 18:28

DAVOS, 22 janar /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e përshkroi takimin me presidentin e SHBA-së Donald Trump si të mirë dhe “shumë të rëndësishëm” ndërsa falënderoi homologun e tij që gjeti kohën për të biseduar, sipas BBC.

“Ukraina do të ketë nevojë për SHBA-në “shumë të fortë” në bord për të arritur paqen dhe Evropa mund të ketë të njëjtin ndikim, por “i duhet kohë”, tha Zelensky.

Zelensky tha se ekipi amerikan do të shkonte sot në Moskë.

Ekipi ukrainas do të takohet me ekipin amerikan dhe se më pas do të kenë një “takim tripalësh dyditor në Emiratet e Bashkuara Arabe të premten dhe të shtunën.

“Rusia duhet të jetë gati për kompromise. Të gjithë duhet të jenë gati, jo vetëm Ukraina”, tha ai.

“Është më mirë sesa të mos kesh asnjë lloj dialogu”, shtoi Zelensky.

I pyetur se si mund ta ndihmonin Ukrainën, vendet pjesëmarrëse në Forumin Ekonomik Botëror në Davos , Zelensky përgjigjet: “Mbrojtja e tokës sonë është një detyrë shumë e kushtueshme”.

“Evropa duhet të mbrojë veten, por dërgimi i 40 ushtarëve në Groenlandë nuk do të bëjë ndonjë ndryshim. Në vend që të qëndrojë e bashkuar kundër Rusisë, në vend që të bëhet një fuqi vërtet globale, Evropa mbetet një “kaleidoskop i fragmentuar i fuqive të vogla dhe të mesme”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas kritikoi gjithashtu Evropën dhe SHBA-në për dështimin në ndërmarrjen e veprimeve për të ndaluar kompanitë nga shitja e komponentëve të raketave në Rusi.

Ai falënderoi udhëheqësit për ngrirjen e aseteve ruse, duke shtuar se kur ishte koha për t’i përdorur ato për të mbrojtur Ukrainën, ato ishin bllokuar.

Zelensky tha se Ukrainës i nevojitej mbështetja e presidentit Trump.

Dokumentet që synojnë përfundimin e luftës “janë pothuajse gati” pas takimit të Zelensky me presidentin e SHBA-së Donald Trump. //a.i/

 

The post DAVOS – Zelensky: Takimi me Trump ishte pozitiv dhe shumë i rëndësishëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndryshimet ligjore vendosin detyrim për transparencën e kontratave të lobimit

22 January 2026 at 17:57

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat shqyrtoi sot, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, projektligjin “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, tha se projektligji synon krijimin e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për rregullimin e veprimtarisë së lobimit, me qëllim garantimin e transparencës, integritetit dhe mbikëqyrjes së ndikimit në vendimmarrjen publike.

Sipas saj, projektligji është i harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian dhe përbën pjesë të paketës ligjore antikorrupsion, duke adresuar kërkesat e procesit të integrimit evropian.

Ai parashikon regjistrimin e detyrueshëm të lobistëve, krijimin e Regjistrit të Lobimit, mekanizma monitorimi dhe sanksione administrative në rast shkeljesh.

Pirdeni theksoi se ligji vendos për herë të parë një kuadër të strukturuar ligjor për veprimtarinë e lobimit, duke rritur transparencën mbi ndërveprimet e grupeve të interesit me institucionet publike dhe parandalimin e konfliktit të interesave.

“Projektligji synon garantimin e transparencës jo vetëm për kontaktet e lobimit, por edhe për kontratat e lobimit, duke parashikuar që çdo lobist që ushtron këtë veprimtari të jetë i detyruar t’i bëjë ato transparente pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në 2027 zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale do te ketë një staf të shtuar prej 5 personash që do të jenë të akomoduar për nevojat e kësaj çështje”, u shpreh Pirdeni.

Ajo bëri të ditur se projektligji parashikon ngritjen e një regjistri për lobimet. 12,3 milionë lekë është buxheti i projektit për këtë proces, nga të cilat 6 milionë lekë do të te shkojnë për ngritjen e regjistrit dhe pjesa tjetër për trajnimin e kapaciteteve funksionale të stafit.

“Efekti financiar total i projektligjit vlerësohet në rreth 39,5 milionë lekë”, tha ajo. /j.p/

The post Ndryshimet ligjore vendosin detyrim për transparencën e kontratave të lobimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rochester Institute of Technology në Tiranë, kapitull i ri në partneritetin SHBA–Shqipëri

TIRANË, 22 janar/ATSH/ E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, zhvilloi një vizitë në Akademinë Amerikane të Teknologjisë në Tiranë, e cila prej një viti ofron programet e diplomave të Rochester Institute of Technology (RIT) në Shqipëri.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë përcolli në rrjetet sociale momente nga vizita e VanHorn në Institutin Rochester të Teknologjisë duke vënë në dukje se përsosmëria amerikane në arsim vazhdon të formësojë të ardhmen e teknologjisë dhe inovacionit në mbarë botën.

“Hapja e Rochester Institute of Technology në Tiranë shënon një kapitull të ri në partneritetin SHBA–Shqipëri, duke fuqizuar brezin e ardhshëm të udhëheqësve të teknologjisë me arsim të nivelit botëror, sipas modelit amerikan”, nënvizoi ambasada amerikane.

Po ashtu, ambasada shpreh mbështetjen për RIT Tirana teksa ndërton një fuqi punëtore të talentuar dhe forcon lidhjet mes vendeve tona.

RIT Tirana nisi aktivitetin vjeshtën e kaluar në vitin akademik 2025-2026 duke ofruar programet e diplomave të Rochester Institute of Technology (RIT) në Shqipëri. me standard të ri në arsimin e lartë teknologjik në vend.

 Kampusi i ri i RIT po krijohet në bashkëpunim me Institutin “Harry Fultz” në Tiranë dhe ofron bachelor of science në Teknologji Informacioni (Computing and Information Technology) dhe Inxhinieri Elektrike (Electrical Engineering Technology).

RIT Tirana ofron një diplomë të akredituar nga SHBA, të lëshuar direkt nga RIT New York.

 

/k.s/j.p/

The post Rochester Institute of Technology në Tiranë, kapitull i ri në partneritetin SHBA–Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prendi: Projektligji për shërbimin e jashtëm, rregullim më i qartë i emërimeve në misionet diplomatike

22 January 2026 at 17:29
TIRANË, 22 janar /ATSH/ Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat shqyrtoi sot, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, projektligjin “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”.
Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Vilma Prendi, bëri të ditur se në fokus të këtij projektligji është rregullimi i veprimtarisë dhe funksionimit të Shërbimit të Jashtëm përmes një strukture funksionale, e cila garanton një shërbim dinjitoz dhe të qëndrueshëm.

 

Sipas Prendit, projektligji përbën një instrument ligjor të rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë ndërkombëtare të Shqipërisë dhe për mbrojtjen e interesave kombëtare. Ajo theksoi se projektligji nuk ndryshon thelbin e përgjegjësive dhe detyrave bazë të Shërbimit të Jashtëm, që lidhen me hartimin dhe zbatimin e politikës së jashtme, si dhe me mbrojtjen e interesave të shtetit dhe të shtetasve shqiptarë kudo në botë.

Në krahasim me ligjin në fuqi, projektligji sjell disa risi dhe efekte pozitive që synojnë konsolidimin e mëtejshëm të shërbimit diplomatik, të mbështetur në karrierën diplomatike. Konkretisht, ai rregullon më mirë fushën e kompetencave të Shërbimit të Jashtëm dhe raportet me institucionet kushtetuese, qendrore dhe vendore në marrëdhëniet me jashtë, si dhe zgjeron bashkëpunimin dhe koordinimin ndërinstitucional në përputhje me zhvillimet ndërkombëtare.

Projektligji parashikon gjithashtu rregullim më të qartë të procesit të emërimit dhe përfundimit të mandatit të krerëve të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore, si dhe forcon kriteret profesionale për rekrutimin e diplomatëve të karrierës, bazuar në nivelet akademike.

Një risi e rëndësishme është përfshirja për herë të parë në kuadrin ligjor e Akademisë Diplomatike, si institucion në varësi, e cila do të shërbejë për rritjen profesionale të diplomatëve dhe do të ofrojë kurse e trajnime në bashkëpunim me struktura homologe ndërkombëtare. Po ashtu, projekti përcakton më qartë përfshirjen e personave jashtë karrierës diplomatike në misione diplomatike dhe poste konsullore, si dhe prezanton konceptin e të dërguarit të posaçëm për misione apo çështje specifike diplomatike.

Në aspektin financiar, Prendi sqaroi se projektligji parashikon edhe përfshirjen ekonomike të familjarëve të diplomatëve, si një element i rëndësishëm për garantimin e kushteve dinjitoze të shërbimit jashtë vendit, përfshirë mbulimin e kostos së jetesës.

“Efekti financiar shtesë i projektligjit vlerësohet në 51 milionë e 500 mijë lekë, që përfaqëson rreth 1,3 për qind të buxhetit vjetor të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Nga kjo shumë, rreth 24 milionë e 500 mijë lekë parashikohen për ngritjen e Akademisë Diplomatike, 9 milionë e 300 mijë lekë për mbështetjen e fëmijëve të diplomatëve në grupmoshën 18–23 vjeç, si dhe rreth 17 milionë e 700 mijë lekë për mbulimin e kostove të shkollimit të tyre”, deklaroi ajo.

e.xh/j.p/

The post Prendi: Projektligji për shërbimin e jashtëm, rregullim më i qartë i emërimeve në misionet diplomatike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në Kosovë konfiskohen mbi 80 kilogramë drogë dhe arrestohen tre persona

22 January 2026 at 17:21

PRISHTINË, 22 janar/ATSH/ Policia e Kosovës tha se ka konfirmuar mbi 80 kilogramë drogë gjatë një operacioni të zhvilluar të mërkurën dhe të enjten, kur u arrestuan edhe tre të dyshuar.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit ndaj tre të dyshuarve është lëshuar aktvendimi për ndalimin prej 48 orëve, ndërkaq prokurori i shtetit me kohë do të ndërmarr të gjitha veprimet e mëtutjeshme hetimore”, u tha në njoftim.

Sipas njoftimit, në orën 23:00 të së mërkurës, afër pikëkalimit kufitar në Merdarë – që lidh Kosovën dhe Serbinë – është ndaluar i dyshuari H.S. që po drejtonte një kamion.

Gjatë kontrollit të mjetet, autoritetet thanë s gjetën 68 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 76 kilogramë e 800 gramësh.

Autoritetet thanë se hetimet për këtë rast, të koduar “Bregdeti”, kanë nisur disa muaj më parë, duke shtuar se gjatë kontrollit në shtëpinë e H.S. janë gjetur edhe armë zjarri, fishekë, e para të gatshme.

Ndërkaq, sot ka vazhduar ky operacion, ku janë bastisur shtëpitë e dy të dyshuarve të tjerë në Godishnjak të Podujevës, ku u gjetën edhe katër paketime me substancë që dyshohet të jetë marihuanë me peshë prej 4 kilogramësh e 454 gramësh.

Policia tha se në bastisjes e së enjtes u gjet edhe një armë zjarri me gaz.

Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka zhvilluar operacione kundër kultivimit apo shitjes së lëndëve të ndryshme narkotike, duke sekuestruar sasi droge e duke arrestuar të dyshuar.

Shtatorin e vitit të kaluar u arrestuan shtatë persona që dyshoheshin për disa vepra penale, sikurse pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe pastrim të parave.

Për këtë operacion, autoritetet kishin bashkëpunuar me Belgjikën, Francën, Holandën dhe Europol-in. /rel/

The post Në Kosovë konfiskohen mbi 80 kilogramë drogë dhe arrestohen tre persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Zelensky akuzon Evropën për “shmangien e veprimeve” që përcaktojnë të ardhmen e Ukrainës

22 January 2026 at 17:20

DAVOS, 22 janar /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky akuzoi sot aleatët e tij evropianë se po ofrojnë shumë pak mbështetje për mbrojtjen e vendit të tij kundër pushtimit gati katërvjeçar të Rusisë.

“Evropës i pëlqen të diskutojë për të ardhmen, por shmang ndërmarrjen e veprimeve sot – veprime që përcaktojnë se çfarë lloj të ardhmeje do të kemi”, tha Zelensky në një fjalim në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Ai gjithashtu kritikoi NATO-n, duke thënë se aleanca transatlantike e mbrojtjes ekzistonte për shkak të besimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vepronin në rast të një sulmi ndaj njërit prej anëtarëve të saj.

“Por askush nuk e ka parë vërtet aleancën në veprim”, shtoi ai.

Ndërkohë, Rusia përfiton nga komponentët e kompanive në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Tajvan.

Zelensky tha se Evropa kishte nevojë për forca të armatosura të bashkuara për të mbrojtur veten.

Para fjalimit të tij, Zelensky u takua me dyer të mbyllura me presidentin e SHBA-së Donald Trump.

Presidenti amerikan e përshkroi takimin si “të mirë”, por e quajti përpjekjen për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia gati katër vjet më parë një “proces të vazhdueshëm”.

Zelensky më vonë njoftoi se përfaqësuesit e SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë do të zhvillonin bisedime tripalëshe për t’i dhënë fund luftës në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë dy ditëve të ardhshme. //a.i/

The post DAVOS – Zelensky akuzon Evropën për “shmangien e veprimeve” që përcaktojnë të ardhmen e Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Stërvitje e përbashkët NATO-Polici në veri të Kosovës

22 January 2026 at 16:34

PRISHTINË, 22 janar/ATSH/ Ushtarët nga Batalioni RC-E Maneuver, që veprojnë nën misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO, së bashku me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, zhvilluan një ecje të komandës së incidentit, e cila shërbeu për provimin e procedurave dhe metodave të koordinuara për të siguruar gatishmëri të lartë operacionale dhe reagim efektiv ndaj çdo sfide të sigurisë.

Sipas KFOR-IT, ky aktivitet stërvitor synon të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional midis KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, duke rritur kapacitetin për të menaxhuar incidente dhe situata emergjente.

Stërvitjet e tilla mbështesin misionin e vazhdueshëm të KFOR-it për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë, duke garantuar reagim të shpejtë dhe efikas në çdo rast që lidhet me sigurinë publike. /Kosovapress/

The post Stërvitje e përbashkët NATO-Polici në veri të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌