Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 February 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Vokalisti i grupit 3 Doors Down, Brad Arnold, ndahet nga jeta në moshën 47-vjeçare

7 February 2026 at 22:17

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ – Brad Arnold, vokalisti dhe anëtari themelues i grupit amerikan  3 Doors Down, është ndarë nga jeta në moshën 47-vjeçare pas një beteje me kancerin.

Sipas një deklarate të cituar nga Fox News Digital, Arnold “u shua në gjumë, i rrethuar nga njerëzit e tij të dashur, pas betejës së gjatë dhe të guximshme me kancerin”, të shtunën, më 7 shkurt.

Si vokalist, baterist i parë dhe një nga themeluesit e bandës, Arnold konsiderohet figura që i dha identitet tingullit të 3 Doors Down, duke kombinuar energjinë post-grunge me tekste të drejtpërdrejta emocionale që gjetën jehonë tek publiku i gjerë në SHBA dhe më tej.

Deklarata vlerëson veçanërisht talentin e tij të rrallë si autor këngësh, duke e cilësuar krijimtarinë e tij “një pikë referimi kulturore për një brez të tërë”. Hiti i tyre më i madh, “Kryptonite”, u shkrua nga Arnold “në orën e matematikës, kur ishte vetëm 15 vjeç”, kujtohet në njoftim. Muzika e tij, vijon deklarata, “kaloi shumë përtej skenës, duke krijuar momente lidhjeje, gëzimi, besimi dhe përjetimesh të përbashkëta që do të jetojnë gjatë, edhe pasi dritat e skenës janë fikur”.

Përtej suksesit muzikor, Arnold kujtohet si bashkëshort i përkushtuar dhe si një njeri i thjeshtë. Për miqtë dhe të afërmit, ai do të mbetet jo vetëm artisti me talent të jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha njeriu me ngrohtësi, përulësi dhe dashuri të thellë për familjen dhe shoqërinë.

The post Vokalisti i grupit 3 Doors Down, Brad Arnold, ndahet nga jeta në moshën 47-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 7 February 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Xhudistja Krasniqi rrëmben medaljen e artë në Paris

PRISHTINË, 7 shkurt/ATSH/ Distria Krasniqi ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2026, duke fituar medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, një nga turnetë më prestigjioze të xhudos botërore. Medalistja e dyfishtë olimpike e Kosovës konfirmoi edhe një herë nivelin e saj elitar në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Xhudistja triumfoi në finale ndaj spanjolles Toro Soler, në një duel të fortë të zhvilluar para një audience të madhe në kryeqytetin francez.

Me paraqitje të sigurt gjatë gjithë turneut, Distria tregoi se forma e saj mbetet në nivel të lartë.

Kjo medalje e artë përbën një sinjal të fortë për ciklin olimpik që çon drejt Lojërave Olimpike Los Angeles 2028, ku Krasniqi synon të vazhdojë historinë e suksesit për veten dhe për xhudon e Kosovës. /KosovaPress/

The post Xhudistja Krasniqi rrëmben medaljen e artë në Paris appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Policia arreston 313 persona në një bastisje në universitetin e Selanikut

7 February 2026 at 19:31

SELANIK, 7 shkurt /ATSH/- Autoritetet në Greqi arrestuan sot 313 persona në një bastisje në kampusin universitar të qytetit të dytë më të madh të vendit, Selanikut, pasi Policia e Trazirave u sulmua nga turma njerëzish që hodhën më shumë se 100 kokteje Molotov, sipas AP.

Policia greke tha se grupe njerëzish të veshur me kapuçë dolën sot nga kampusi i “Universitetit Aristoteli” të Selanikut në orët para të mëngjesit për të sulmuar një skuadër policie të trazirave.

Njësia zakonisht vendoset në një distancë të caktuar nga kampusi për të garantuar sigurinë – pas festave të natës që zhvillohen në ambientet e universitetit.

Sulme të tilla kundër Policisë së Trazirave pranë kampusit universitar nuk janë të rralla, por kjo është hera e parë që kaq shumë njerëz arrestohen pas një përplasjeje të tillë – gjatë së cilës u përdor një numër jashtëzakonisht i lartë bombash zjarri.

Policia e Trazirave përdori gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese për të zmbrapsur sulmuesit.

“Një oficer u dërgua në një spital ushtarak për shkak të djegieve në fytyrë dhe këmbë, ndërsa një civil 21-vjeçar u trajtua për probleme me frymëmarrjen”, tha policia.

Universiteti tha në një deklaratë se sulmet ishin kryer nga “ekstremistë” jashtë kampusit, në bashkëpunim me disa individë brenda territorit të universitetit.

Ata thanë se një hetim ishte duke u zhvilluar – për të përcaktuar nëse ndonjë student ka marrë pjesë.

Gjithashtu, sipas deklaratës nuk ishte dhënë leje për të organizuar ndonjë festë në territorin e universitetit.  //a.i/

The post GREQI – Policia arreston 313 persona në një bastisje në universitetin e Selanikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga Vlora: Pasditet e dimrit, si pranverë

7 February 2026 at 19:26

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Moti i ngrohtë dhe temperaturat jo tipike për muajin shkurt, kanë bërë që qytetarë dhe turistë të shumtë të shijojnë ndryshe pasditen e sotme në Vlorë.

Të rinj që luajë basketboll buzë detit, të moshuar, prindër e fëmijë të grupmoshave të ndryshme shijojnë aktivitetet mes shëtitjeve, lojës në rërë, peshkimit etj.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga qyteti i Vlorës, duke i etiketuar “pasditet e dimrit në Vlorë, si pranverë”.

Në videon e publikuara shfaqet bregdeti dhe shëtitorja e qytetit nën rrezet e diellit, me qytetarë dhe vizitorë që shijojnë temperaturat e larta dhe motin e kthjellët.

Vlora vazhdon të tërheqë vizitorë të shumtë, duke u kthyer në një ndër destinacionet gjithëvjetore më të kërkuara.

/e.i/j.p/

The post Rama ndan pamje nga Vlora: Pasditet e dimrit, si pranverë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Çdo shqiptar pret mesazhin tonë më 10 shkurt

7 February 2026 at 19:10

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë takimit me demokratët sot në Kamzë në turin e Foltores u ndal te protesta kombëtare e paralajmëruar që do të zhvillohet në 10 shkurt.

Berisha tha se 10 shkurti është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për Partinë Demokratike.

“Ju garantoj se Europa dhe çdo shqiptar pret mesazhin tonë më 10 shkurt. Ai është mesazhi i të gjitha mesazheve. Dy protestat tona kanë qenë një ndihmë shumë e madhe për Shqipërinë. Sepse kur të tjerët lexojnë për ato që s’kanë ndodhur kurrë, se nuk mundet kurrë një kryeministër t’i imagjinojë se nuk do i heqë imunitetin ministrit apo vetes së tij, në qoftë se kërkon drejtësia”, tha ai.

“Të dalim në shesh për t’i dalë zot vendit”, vijoi Berisha, ndërsa theksoi se kjo është koha  e guximtarëve.

Nga Foltorja në Kamzë, kreu i PD-së tha se kjo forcë politike ka një mision të rëndësishëm, të shpëtojë Shqipërinë nga diktatura, nga një regjim që bazohet në përçmimin e qytetarëve.

“Çdo qeveri që shkelmon votën e qytetarëve duhet të rrëzuar një minutë e më parë. Çdo qeveri që del nga vota e lirë e qytetarëve, por i vjedh qytetarët, humbet çdo legjitimitet për të qëndruar në pushtet. Dhe duhet të largohet një minutë e më parë. Pra, këtu jemi. Në njërën anë jemi ne, njerëz me ideale, njerëz që e duan këtë vend, njerëz që i besojmë Shqipërisë, që ia njohim të gjithë problematikën”, pohoi Berisha.

Kreu i PD theksoi se secili demokrat ka kritikat dhe pakënaqësitë e veta, por gjykon se vetëm me Partinë Demokratike mund të realizohen idealet.

Duke u ndalur tek problematikat në bashkinë e Kamzës, Berisha tha se irinfrastruktura ndodhet në rrënim e sipër.

 

/e.i/j.p/

The post Berisha: Çdo shqiptar pret mesazhin tonë më 10 shkurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Irani kërcënon SHBA-në: Nëse na sulmoni, do të godasim bazat tuaja në Lindjen e Mesme

7 February 2026 at 18:45

TEHERAN, 7 shkurt /ATSH/- Irani do të godasë bazat amerikane në Lindjen e Mesme nëse sulmohet nga forcat amerikane të grumbulluara në rajon, tha sot ministri i jashtëm iranian, Abbas Araqchi – duke këmbëngulur se kjo nuk duhej parë si një sulm ndaj vendeve që i strehojnë ato, sipas “Reuters”.

Ministri i Jashtëm, Abbas Araqchi foli për televizionin Al Jazeera të Katarit një ditë pasi Teherani dhe Uashingtoni u zotuan të vazhdojnë bisedimet indirekte për çështjen bërthamore, pas asaj që të dyja palët e përshkruan si diskutime pozitive, dje në Oman.

Ndërsa Araqchi tha se ende nuk është caktuar një datë për raundin e ardhshëm të negociatave, presidenti amerikan Donald Trump tha se ato mund të zhvillohen në fillim të javës së ardhshme.

“Ne dhe Uashingtoni besojmë se duhet të mbahet së shpejti,” tha Araqchi.

Trump ka kërcënuar të godasë Iranin pas një grumbullimi të marinës amerikane në rajon, duke kërkuar që Teherani të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, si dhe të ndalojë ndërtimin e raketave balistike dhe mbështetjen për grupet e armatosura në rajon.

Teherani ka mohuar prej kohësh çdo synim për të përdorur prodhimin e karburantit bërthamor për armë.

Ndërsa të dyja palët kanë treguar gatishmëri për të ringjallur diplomacinë mbi mosmarrëveshjen e gjatë bërthamore të Teheranit me Perëndimin, Araqchi refuzoi ta zgjerojë temën e bisedimeve.

“Çdo dialog kërkon heqjen dorë nga kërcënimet dhe presioni. Teherani diskuton vetëm çështjen e tij bërthamore… Ne nuk diskutojmë asnjë çështje tjetër me SHBA-në”, tha ai.

Qershorin e kaluar, SHBA-ja bombardoi objektet bërthamore iraniane, duke u bashkuar në fazën e fundit të një fushate bombardimesh 12-ditore nga Izraeli. Teherani ka thënë që atëherë se ka ndalur aktivitetin e pasurimit të uraniumit.

Reagimi i tij në atë kohë përfshiu një sulm me raketa ndaj një baze amerikane në Katar, i cili ruan marrëdhënie të mira si me Teheranin ashtu edhe me Uashingtonin.

“Në rast të një sulmi të ri amerikan, pasojat mund të jenë të ngjashme”, tha Araqchi.

“Nuk do të ishte e mundur të sulmohej toka amerikane, por ne do të synojmë bazat e tyre në rajon”, tha ai.

“Ne nuk do të sulmojmë vendet fqinje; përkundrazi, do të synojmë bazat amerikane të vendosura në to. Ka një dallim të madh mes të dyjave”, shtoi ai.

Irani thotë se kërkon njohjen e të drejtës së tij për të pasuruar uraniumin dhe se vendosja e programit të tij raketor në tryezën e negociatave do ta linte të pambrojtur ndaj sulmeve izraelite. //a.i/

The post TEHERAN – Irani kërcënon SHBA-në: Nëse na sulmoni, do të godasim bazat tuaja në Lindjen e Mesme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

JAPONI – Të paktën 45 të vdekur për shkak të reshjeve të dendura të dëborës

7 February 2026 at 18:00

TOKIO, 7 shkurt /ATSH/- Reshjet e dendura të borës në të gjithë Japoninë që nga 20 janari kanë shkaktuar të paktën 45 të vdekur dhe 500 të plagosur në të gjithë vendin, sipas “Euronews”.

Japonia po përgatitet për reshje të dendura bore gjatë fundjavës, ndërsa Agjencia e Menaxhimit të Zjarrfikësve dhe Fatkeqësive e Japonisë raportoi të paktën 45 vdekje dhe mbi 500 të plagosur për shkak të borës, që nga 20 janari.

Rajoni veriperëndimor i Prefekturës Nigata regjistroi numrin më të lartë të vdekjeve me 17 persona dhe mbi 170 të plagosur.

Reshje të dendura të borës u regjistruan në Aomori dhe Wakanai, ku shumë automjete kanë mbetur të bllokuara.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi për reshje të mëtejshme të borës, gjatë fundjavës, në rajonet bregdetare perëndimore dhe veriore.

Agjencia u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë për pezullimet e trafikut dhe të tregohen të kujdesshëm ndaj ortekëve.

Paralajmërimi vjen ndërsa Japonia përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme të së dielës.//a.i/

The post JAPONI – Të paktën 45 të vdekur për shkak të reshjeve të dendura të dëborës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nxënësi Neevis Hasani fiton medaljen e bronztë në Kampionatin Europian të Karatesë

7 February 2026 at 17:54

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Neevis Hasani, nxënës i shkollës “4 Dëshmorët”, ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Europian të Karatesë të zhvilluar në Qipro.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro informoi se nxënësi Hasani fitoi medaljen e bronztë në kategorinë Cadet 52 kg, duke sjellë një tjetër sukses për sportin shqiptar.

Kumbaro e cilësoi përpjekjen e nxënësit si një rrugëtim të vështirë, përmes fitoreve së njëpasnjëshme me disa shtete, por që e ktheu Neevisin me fitore për Shqipërinë duke shpërblyer mundin, vullnetin dhe përkushtimin e tij e familjes.

Ky rezultat vjen si një tjetër arritje e rëndësishme jo vetëm për sportistin e ri, por edhe për shkollën dhe komunitetin që e mbështet, duke dëshmuar potencialin e talenteve që rriten në shkollat shqiptare.

/e.i/j.p/

The post Nxënësi Neevis Hasani fiton medaljen e bronztë në Kampionatin Europian të Karatesë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – “Bordi i Paqes” i Trump mblidhet për herë të parë më 19 shkurt në Uashington

7 February 2026 at 17:19

UASHINGTON, 7 shkurt /ATSH/- I ashtuquajturi “Bordi i Paqes” i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i ngarkuar me mbikëqyrjen e qeverisjes në Rripin e Gazës si pjesë e planit të paqes të udhëhequr nga SHBA-ja, do të mblidhet në Uashington, për takimin e tij të parë, më 19 shkurt, sipas agjencisë së lajmeve online “Axios”.

Media, duke cituar një zyrtar amerikan dhe diplomatë nga katër vende që janë pjesë e bordit, raportoi dje se planet për takimin më 19 shkurt – i cili do të shërbejë gjithashtu si një ngjarje për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e Gazës mes gjenocidit të Izraelit në enklavë – janë ende të pasigurta dhe mund të ndryshojnë.

“Axios” raporton se takimi është planifikuar një ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të takohet me presidentin Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

Nëse Netanyahu merr pjesë në takimin e Bordit të Paqes, ky do të jetë takimi i tij i parë me udhëheqës arabë dhe myslimanë që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, më 7 tetor 2023.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit nuk e komentuan raportin.

Trump u ka ofruar vende në bord figurave të tilla si Netanyahu. Tony Blair, ish-kryeministri britanik është gjithashtu në bord.

Trump ka sugjeruar që bordi mund të ndihmojë në adresimin e konflikteve të tjera përtej Gazës.

Presidenti amerikan dhe aleatët e tij, si dhëndri i tij Jared Kushner, shpesh kanë folur për Gazën si një qendër të mundshme të inovacionit teknologjik, zhvillimit të pasurive të paluajtshme dhe investimeve ndërkombëtare, në të ardhmen. //a.i/

The post FOKUS – “Bordi i Paqes” i Trump mblidhet për herë të parë më 19 shkurt në Uashington appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet Nexhmije Pagarusha, “Mbretëresha e Muzikës Shqiptare”

7 February 2026 at 17:15

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ – Sot kujtohet figura e paharruar e këngëtares së madhe Nexhmije Pagarusha, e cila u shua më 7 shkurt 2020 në Prishtinë, duke lënë pas një trashëgimi unikale në muzikën shqiptare.

E njohur gjerësisht si “Mbretëresha e Muzikës Shqiptare”, Pagarusha mbeti një nga zërat më të veçantë, më të fuqishëm dhe më përfaqësues të skenës sonë muzikore. Me vokalin e saj karakteristik prej sopranoje, ajo arriti famë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje, duke u bërë një ikonë kulturore për breza të tërë.

E lindur në Malishevë dhe e arsimuar në shkollën e muzikës në Beograd, Pagarusha nisi rrugëtimin artistik në vitin 1948 në valët e Radio Prishtinës. Gjatë katër dekadave të karrierës së saj ajo interpretoi me finesë një gamë të gjerë zhanresh – nga kënga folklorike te ajo klasike, e deri te interpretimet operistike, duke dëshmuar një talent të rrallë dhe një profesionalizëm të pakrahasueshëm.

Ndër këngët më të dashura dhe më të vlerësuara të repertorit të saj mbetet “Baresha”, një kryevepër që u kurorëzua me çmime dhe që sot vazhdon të mbetet një simbol i identitetit muzikor shqiptar.

Koncerti i saj i fundit u mbajt në vitin 1984 në Sarajevë, por zëri dhe arti i Nexhmije Pagarushës vijojnë të ndikojnë e të frymëzojnë edhe sot, duke mbetur pjesë e pandarë e kujtesës sonë kulturore.

The post Përkujtohet Nexhmije Pagarusha, “Mbretëresha e Muzikës Shqiptare” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fakte për macet që ndoshta nuk i dinit!

7 February 2026 at 16:54

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/- Macet janë krijesa misterioze, elegante dhe plot surpriza.

Pas pamjes së tyre të qetë fshihen aftësi dhe sjellje që i bëjnë ato edhe më magjepsëse.

Ja disa fakte interesante që tregojnë pse macet vazhdojnë të na habisin çdo ditë:

  • Macet kanë një organ të veçantë të quajtur organi i Jacobson-it, i cili i ndihmon të “shijojnë” aromat. Kjo është arsyeja pse ndonjëherë i shihni me gojë paksa hapur, sikur po analizojnë ajrin përreth.
  • Gërhitja e maces nuk është vetëm një shenjë kënaqësie. Ajo vibrion në një frekuencë që mund të ndihmojë në shërimin e kockave dhe indeve, si te vetë macja ashtu edhe te njerëzit.
  • Gjuha e trupit të një maceje është shumë e rëndësishme dhe shpesh ndryshon nga ajo që mendojmë. Një lëvizje e bishtit, veshët ose sytë mund të tregojë shumë për humorin e saj.
  • Mustaqet e maces janë po aq të gjata sa trupi i saj dhe e ndihmojnë të kuptojë nëse mund të kalojë në hapësira të ngushta.
  • Macet kanë edhe një qepallë të tretë, të quajtur membrana niktituese, e cila mbron sytë dhe i mban ata të lagësht.
  • Kur i mbyllni sytë ngadalë një maceje, në gjuhën e saj kjo do të thotë: “Të besoj.” Është një nga shenjat më të bukura të afeksionit.
  • Macet mund të kërcejnë deri në gjashtë herë të gjatësisë së trupit të tyre me një kërcim të vetëm, falë muskujve të fuqishëm dhe shtyllës kurrizore fleksibël.
  • Ndryshe nga sa mendohet, macet rrallë mjaullijnë me njëra-tjetrën. Ato mjaullijnë kryesisht për të komunikuar me njerëzit.
  • Kur një mace ju sjell “dhurata”, si zogj apo minj, nuk po ju shqetëson. Ajo mendon se jeni një gjuetar i dobët dhe po përpiqet t’ju ndihmojë të mbijetoni.
  • Shtylla kurrizore fleksibël u lejon maceve të rrotullohen në ajër dhe të bien në këmbë në shumicën e rasteve.
  • Kur një mace fërkohet pas jush, nuk është vetëm shenjë dashurie. Ajo po ju shënon si “të sajin” përmes gjëndrave të aromës.
  • Dhe një fakt surprizë: macet nuk e shijojnë të ëmblën, sepse u mungojnë receptorët për këtë shije.

Macet janë shumë më tepër sesa thjesht kafshë shtëpiake – ato janë një botë e tërë misteresh që presin të zbulohen! //a.i/

The post Fakte për macet që ndoshta nuk i dinit! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Java e 23-të e “Abissnet Superiore”, fitojnë Vllaznia, AF Elbasani, Egnatia dhe Partizani

7 February 2026 at 16:49

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Java e 23-të e kampionatit “Abissnet Superiore” u zhvillua të premten dhe të shtunën, duke konfirmuar edhe një herë rivalitetin dhe intensitetin e lartë të këtij sezoni, me ndeshje të luftuara, përmbysje dhe rezultate që ndikojnë drejtpërdrejt në renditje.

Në “Adush Muçaj”, Partizani arriti një fitore me përmbysje ndaj Bylisit, duke triumfuar 2-1 në një përballje të fortë dhe të luftuar deri në fund.

Ndërkohë, Vllaznia vijoi ecurinë perfekte, duke mposhtur FK Vorën 1-0 dhe duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi në kampionat. Skuadra shkodrane kryeson renditjen me 45 pikë, duke konfirmuar formën e shkëlqyer.

Në “Elbasan Arena”, AF Elbasani fitoi me përmbysje ndaj Teutës me rezultatin 2-1, në një ndeshje me ritëm dhe intensitet të lartë.

Mbrëmjen e së premtes, në Vlorë, Egnatia u rikthye te fitorja pas katër ndeshjesh, duke triumfuar 1-0 ndaj Flamurtarit dhe duke marrë tre pikë të rëndësishme në vazhdimësinë e kampionatit.

Java u mbyll të shtunën në “Selman Stërmasi”, ku Tirana barazoi me Dinamo City 1-1. Bardheblutë u ngjitën në vendin e tetë të renditjes me 21 pikë.

Kampionati “Abissnet Superiore” vijon të ofrojë garë, spektakël dhe emocione, ndërsa çdo javë mbetet vendimtare në rrugëtimin e skuadrave drejt objektivave të sezonit.

/e.i/j.p/

The post Java e 23-të e “Abissnet Superiore”, fitojnë Vllaznia, AF Elbasani, Egnatia dhe Partizani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Punohet për hapjen e rrugës Theth-Ndërlysaj, e bllokuar nga rrëshqitja e gurëve

7 February 2026 at 16:36


TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Moti i keq ka sjellë sërish rrëshqitje dherash në aksin rrugor Theth-Ndërlysaj.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci bëri me dije se pas këtij fenomeni, ekipet janë angazhuar në terren për hapjen e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit.

Beci thekson se puna po vijon pa ndërprerje dhe do të vazhdojë edhe gjatë orëve të vona të mbrëmjes, pasi janë evidentuar edhe disa pika të tjera ku kërkohet ndërhyrje.

Sipas Becit, qëllimi kryesor është rikthimi sa më i shpejtë i qarkullimit dhe garantimi i sigurisë për banorët dhe udhëtarët.

“Për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj problematike, Bashkia Shkodër ka aplikuar për një projekt që parashikon ndërhyrje në pjesën anësore të rrugës, me ndërtimin e pritave mbrojtëse, për të parandaluar rrëshqitje të tjera dhe për të rritur sigurinë në këtë aks të rëndësishëm turistik dhe jetik për zonën”, tha Beci.

/e.i/j.p/

The post Punohet për hapjen e rrugës Theth-Ndërlysaj, e bllokuar nga rrëshqitja e gurëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: SHBA-ja kërkon që Rusia dhe Ukraina t’i japin fund luftës deri në qershor

7 February 2026 at 16:31

KIEV, 7 shkurt /ATSH/- SHBA-ja dëshiron që lufta me Rusinë të përfundojë deri në qershor, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky – duke shtuar se të dyja palët ishin ftuar në SHBA për bisedime javën e ardhshme, sipas BBC.

“Amerika propozoi për herë të parë që dy ekipet negociuese – Ukraina dhe Rusia – të takohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndoshta në Miami, brenda një jave. Ne kemi konfirmuar pjesëmarrjen tonë”, tha ai.

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Uashingtoni apo Moska, por presidenti amerikan Donald Trump ka bërë presion për t’i dhënë fund konfliktit që kur mori detyrën, më shumë se një vit më parë.

Ndërkohë, Rusia ka vazhduar sulmet e saj ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës – duke shkaktuar ndërprerje të mëtejshme gjatë kushteve të ftohta të dimrit.

Zelensky u tha sot gazetarëve rreth asaj që kishte ndodhur gjatë raundit të dytë të dje pa raportime për ndonjë përparim.

“Çështjet e vështira mbetën të vështira, duke përfshirë lëshimet territoriale që Ukraina është nën presion për të bërë”, tha Zelensky.

“Palët diskutuan për herë të parë, mundësinë e një takimi tripalësh midis udhëheqësve, jo thjesht përfaqësuesve, por për këtë, nevojiten elementë përgatitorë”, tha ai.

“Amerikanët thonë se duan të bëjnë gjithçka deri në qershor”, tha Zelensky, i pyetur nëse ishte dhënë një afat kohor për një marrëveshje.

“Ne e kuptojmë se çështjet e tyre të brendshme në SHBA do të kenë një ndikim. Këto çështje përfshijnë zgjedhjet e mesit të mandatit të nëntorit, të cilat mund të ndikojnë në ekuilibrin e pushtetit në qeverinë amerikane”, shtoi ai.

Situata në Ukrainë mbetet kritike, ndërsa po bëhen katër vite që kur Rusia vendosi të niste një luftë në shkallë të gjerë.

Në orët e fundit, Moska ka kryer një tjetër sulm të rëndë ndaj infrastrukturës energjetike në të gjithë vendin.

Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Rusia ka përdorur rreth 400 dronë dhe 40 raketa kundër objektivave ukrainase.

Dëme janë raportuar në disa rajone, përfshirë Lviv, Kiev dhe Kharkiv. Në disa zona janë goditur ndërtesa banimi dhe objekte administrative, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën.

“Po zhvillohen “bisedime shumë të mira” në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë dhe diçka mund të ndodhë si rezultat i negociatave”, tha presidenti amerikan, Donald Trump.

“Bisedime shumë të mira, që kanë të bëjnë me Rusinë dhe Ukrainën. Diçka mund të jetë duke ndodhur”, u tha Trump gazetarëve në avionin presidencial “Air Force One”.

Ndërkohë, Polonia ka mbyllur përkohësisht dy aeroporte pranë kufirit me Ukrainën për arsye sigurie.

Autoritetet polake kanë intensifikuar mbikëqyrjen ajrore me avionë të NATO-s për shkak të aktivitetit të aviacionit rus.

Nga ana tjetër, Rusia ka njoftuar se ka rrëzuar dhjetëra dronë ukrainas mbi territorin e saj.//a.i/

The post KIEV – Zelensky: SHBA-ja kërkon që Rusia dhe Ukraina t’i japin fund luftës deri në qershor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj takim me arbëreshët në Milano: Ura e miqësisë mes Shqipërisë dhe Italisë

7 February 2026 at 16:27

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot në Milano një takim me një përfaqësi të arbëreshëve që jetojnë dhe punojnë në zonën e Lombardisë.

Presidenti Begaj theksoi se arbëreshët e Lombardisë, po ashtu si ata në Kalabri, Siçili, Molise dhe në të gjithë Itali, janë gurë të fortë në themelin e urës së miqësisë mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila forcohet çdo ditë.

Ai nënvizoi rëndësinë e kësaj diaspora historike, e cila shërben si model për diasporën e re, duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë gjuhësore dhe kulturore të kombit shqiptar.

/gj.m/a.f/

The post Begaj takim me arbëreshët në Milano: Ura e miqësisë mes Shqipërisë dhe Italisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali takon drejtuesit e lartë të Departamentit Amerikan të Tregtisë, në fokus bashkëpunimi ekonomik

7 February 2026 at 19:14

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Gjatë qëndrimit të saj në Uashington të SHBA-ve, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim në Departamentin Amerikan të Tregtisë me Zëvendëssekretarin për Tregtinë Ndërkombëtare, William P. J. Kimmitt, dhe Zëvendëssekretarin për Industrinë dhe Sigurinë, Jeffrey I. Kessler.

Takimi me dy zyrtarët e lartë u fokusua në forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, sidomos për rritjen e investimeve amerikane, energjinë, infrastrukturën dhe projektet me rëndësi strategjike.

Spiropali theksoi se “Shqipëria mbetet një aleate e besueshme në NATO dhe një vend i hapur për biznesin amerikan në Ballkanin Perëndimor.”

“Partneriteti ynë me SHBA-të po forcohet jo vetëm në fushën e sigurisë, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe investimet konkrete”, nënvizoi Ministrja e Jashtme e Shqipërisë.

/gj.m/

The post Spiropali takon drejtuesit e lartë të Departamentit Amerikan të Tregtisë, në fokus bashkëpunimi ekonomik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

United fiton 2-0 ndaj Tottenham, vijon seria perfekte

7 February 2026 at 15:55

MANCHESTER/ 7 shkurt/ATSH/ Manchester United vazhdoi formën e shkëlqyer në Premier League duke mposhtur Tottenham Hotspur 2-0, në fitoren e pestë radhazi nën drejtimin e trajnerit Michael Carrick.

United ishte dominuese që nga fillimi i ndeshjes dhe mori avantazh të dukshëm pas daljes me karton të kuq të kapitenit të Tottenham-it, Cristian Romero, para se të kalonte gjysmë ore lojë. Epërsia numerike u reflektua menjëherë në ritmin e lojës dhe krijimin e rasteve.

Bryan Mbeumo zhbllokoi sfidën para pushimit të pjesëve, duke finalizuar një aksion të organizuar të “Djajve të Kuq”. Në pjesën e dytë, Tottenham tentoi të reagojë, por Manchester United vazhdoi të kontrollojë lojën me qetësi, ndërsa në minutat e fundit kapiteni Bruno Fernandes dyfishoi rezultatin, duke vulosur triumfin.

Me këtë rezultat, Manchester United ruan ecurinë perfekte nën Carrick dhe forcon pozitat në garën për zonën europiane, ndërsa në javët në vijim e presin pesë ndeshje të rëndësishme që pritet të jenë vendimtare për objektivat sezonale.

The post United fiton 2-0 ndaj Tottenham, vijon seria perfekte appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Xhaka rikthehet te “Emirates” dhe flet për “keqkuptimin” me tifozët e Arsenalit

7 February 2026 at 15:48

LONDER, 7 shkurt/ATSH/— Mesfushori Granit Xhaka ka folur sërish për episodin e vitit 2019 me tifozët e Arsenal, një ngjarje që ai e quan “keqkuptim” dhe që, sipas tij, e ka forcuar si njeri dhe si lojtar.

Në intervistën më të fundit për “The Football Interview” të BBC Sport Xhaka u rikthye te momenti kur u fishëllye nga tifozët gjatë kohës që ishte kapiten i ekipit londinez.

“Ishte viti 2019 kur pata këtë… unë e quaj një keqkuptim… me tifozët e Arsenalit. Dy momente që më bënë më të fortë, sepse janë pjesë e procesit. Pjesë e historisë sime. Nga njëra anë shumë keq, por nga ana tjetër pata fat që ndodhi,” u shpreh ai.

Xhaka, aktualisht kapiten i Sunderland AFC është rikthyer sot në stadiumin “Emirates”, ku kaloi shtatë vite karriere, por për shkak dëmtimi ndeshjen e ndjek nga pankina.

Mesfushori shqiptar me përvojë të gjatë në Premier League theksoi se përplasja me tifozët ishte një pikë kthese, e cila e ndihmoi të rritet profesionalisht dhe personalisht.

The post Xhaka rikthehet te “Emirates” dhe flet për “keqkuptimin” me tifozët e Arsenalit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump heq tarifën ndëshkuese ndaj Indisë të vendosur për blerjet e naftës ruse

7 February 2026 at 15:43

UASHINGTON, 7 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka hequr tarifën ndëshkuese ndaj Indisë që e kishte futur për të dobësuar në mënyrë indirekte tregtinë e naftës së Rusisë.

Sipas një urdhri ekzekutiv të nënshkruar dje nga Trump, tarifa prej 25% e vendosur në gusht për mallrat e importuara nga India në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të aplikohet më nga e shtuna.

Trump e justifikoi ndryshimin duke thënë se vendi më i populluar në botë kishte ndërmarrë hapa për të ndaluar importimin e naftës ruse.

Ai tha gjithashtu se India ishte zotuar të blinte produkte energjie nga SHBA-ja.

Qeveria indiane deri më tani nuk ka lëshuar një konfirmim zyrtar për ndalimin e importeve të naftës nga Rusia.

Njoftimi i Trump për të ulur “tarifën reciproke” erdhi disa ditë pasi India dhe Bashkimi Evropian deklaruan se kishin përfunduar negociatat e tyre për një marrëveshje të tregtisë së lirë.

Kjo u konsiderua gjithashtu një hap i rëndësishëm gjeopolitikisht në sfondin e politikave agresive tregtare dhe tarifore të Trump. //a.i/

The post SHBA – Trump heq tarifën ndëshkuese ndaj Indisë të vendosur për blerjet e naftës ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Mallorca Diario” artikull për Shqipërinë, Gonxhja: Interes në rritje si destinacion autentik

7 February 2026 at 15:40

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Shqipëria si një destinacion i jashtëzakonshëm turistik vjen sërish në vëmendjen e medias ndërkombëtare, këtë herë përmes artikullit të publikuar në prestigjiozen “Mallorca Diario”.

Gazeta e njohur spanjolle i ka kushtuar një artikull të veçantë vendit tonë, pas takimit në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR në Madrid, duke theksuar rolin në rritje të Shqipërisë në hartën turistike ndërkombëtare.

Artikulli përfshin një intervistë me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili paraqiti vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë.

“Ky vlerësim nga një media prestigjioze evropiane konfirmon interesin në rritje për Shqipërinë si një destinacion autentik, konkurrues dhe me potencial të jashtëzakonshëm për të ardhmen”, iu referua Gonxhja artikullit në median spanjolle.

Stenda e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026, në Madrit, Spanjë, tërhoqi interes të lartë nga vizitorë dhe operatorë turistikë nga vende të ndryshme të botës, duke reflektuar rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj Shqipërisë si destinacion turistik.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në FITUR 2026 vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për promovimin e turizmit shqiptar në tregjet ndërkombëtare, për forcimin e bashkëpunimit me operatorë turistikë dhe për rritjen e numrit të vizitorëve të huaj në vend.

Referuar të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) 12,466,038 shtetas të huaj kanë vizituar vendin tonë gjatë vitit të kaluar. Kjo shifër shënon një rritje vjetore prej 6.6% krahasuar me vitin 2024, duke dëshmuar se trendi rritës i Shqipërisë si destinacion turistik po konsolidohet.

/e.i/j.p/

The post “Mallorca Diario” artikull për Shqipërinë, Gonxhja: Interes në rritje si destinacion autentik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌