Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Policia bllokon segmentin Bogë-Qafë Thore-Theth gjatë natës, rrezik nga orteqet

10 January 2026 at 20:36

TIRANË, 10 janar /ATSH / Policia e Shtetit njofton se, për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike dhe rrezikut nga orteqet e dëborës, segmenti rrugor Bogë–Qafë Thore–Theth do të mbetet i bllokuar gjatë natës.

“Sipas analizës së riskut dhe komunikimeve me inxhinierët e firmës kontraktore për mirëmbajtjen e rrugës, qarkullimi i automjeteve nuk do të lejohet gjatë orëve të natës, për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe kufizimit të fushëpamjes.

Kalimi i automjeteve do të lejohet vetëm në raste emergjence dhe vetëm në shoqërim të mjeteve borëpastruese dhe shërbimeve policore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Shtetit apelon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë vendimin dhe të tregojnë kujdes maksimal në zonat me rrezik nga orteqet.

/r.e/

The post Policia bllokon segmentin Bogë-Qafë Thore-Theth gjatë natës, rrezik nga orteqet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Protesta e 24 janarit synon bashkimin e frontit opozitar për largimin e qeverisë

10 January 2026 at 20:35

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi sot se protesta e ardhshme e opozitës është caktuar në datën 24 janar. Ai theksoi se kjo protestë nuk ka për qëllim marrjen e pushtetit me dhunë, por është një shprehje e revoltës qytetare dhe një mesazh i qartë për largimin e qeverisë aktuale, të cilën e cilësoi si “narkoshtet”.

Gjatë një konference për shtyp pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, Berisha deklaroi se zemërimi popullor ndaj qeverisë është i jashtëzakonshëm dhe i pakufishëm, ndërsa opozita është e vendosur të vazhdojë deri në fund për largimin e qeverisë dhe denoncimin e korrupsionit dhe amnistimit të fondeve publike.

Ai garantoi gjithashtu se protesta e 24 janarit nuk do të ngjajë me ngjarjet e 21 Janarit dhe nuk do të përdoret dhuna.

“Opozita ka vetëm protesta të llojeve nga më të ndryshmet. Pra, mesazhi ynë për narkoshtetin është: ik një minutë e më parë! Zemërimi popullor është i jashtëzakonshëm, i papërmbajtur. 21 Janari është vepër e Edi Ramës, e burracakut dhe frikacakut Edi Rama. Sali Berisha nuk merr pushtet me dhunë. E ka deklaruar këtë më datën 12 dhjetor të vitit 1990”, tha Berisha.

Berisha theksoi se pjesëmarrja në protesta nuk lidhet me poste partiake dhe ftoi individët, organizatat dhe forcat politike që nuk ishin të pranishme në takimet e fundit të bashkohen me frontin opozitar, të cilin e përshkroi si një forum të përbashkët për largimin e qeverisë. Ai shtoi se përgjegjësinë për ndryshimin e situatës politike duhet ta marrin qytetarët shqiptarë dhe se zhvillimet e fundit në krahun e opozitës janë pozitive.

“Dje ishte një forum, të themi një takim i gjerë, shumë i gjerë, i të gjitha forcave politike, personaliteteve të botës akademike, shoqërisë civile dhe medieve, personalitete me reputacion, të cilët janë të gatshëm ose janë të vendosur në betejën kundër të keqes që quhet Rilindja apo Edi Rama. Pra, ajo që patë ju dje, aty u mblodhën të gjithë ata të cilët janë të vendosur të luftojnë të keqen që quhet Edi Rama”, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati nënvizoi gjithashtu se protestat e vazhdueshme janë e vetmja rrugë për largimin e qeverisë, ndërsa variantet e tjera, sipas tij, janë iluzive. Fronti opozitar, shtoi ai, synon bashkimin e të gjitha forcave që kundërshtojnë qeverinë dhe promovimin e një përpjekjeje mbarëkombëtare për ndryshimin e situatës politike në vend.

/r.e/

The post Berisha: Protesta e 24 janarit synon bashkimin e frontit opozitar për largimin e qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Në prill mbahet Samiti IV i Diasporës

TIRANË, 10 janar/ATSH/- Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim online me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, me fokus bashkëpunimin dhe fuqizimin e rolit të diasporës në sfidat e zhvillimit të vendit.

Spiropali bën të ditur se në takim u fol për tri çështje konkrete: Strategjia Kombëtare e Diasporës 2026-2030, risitë e Ligjit të Ri për Diasporën, si dhe përgatitjet për samitin e 4-t të Diasporës.

Ajo thekson se Strategjia Kombëtare e Diasporës 2026-2030, e ngre në një tjetër nivel ndërveprimin me shqiptarët përtej kufijve.

Kryediplomatja shton se gjatë takimit onlime u diskutua për risitë e Ligjit të Ri për Diasporën, përfshirë krijimin e Qendrave të Kulturës shqiptare në botë, fuqizimin e Agjencisë Kombëtare për Diasporën dhe shtimin e numrit të anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës.

Gjithashtu, shton ministrja Spiropali, u diakutua edhe për përgatitjet për samitin IV të Diasporës që do të mbahet në Tiranë në datat 14 dhe 15 prill, si një platformë konkrete e bashkëpunimit.

The post Spiropali: Në prill mbahet Samiti IV i Diasporës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çerekfinalet e Kupës përcaktohen me short

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Kanë përfunduar sot ndeshjet e fazës 1/8 të Kupës së Shqipërisë 2025-2026, duke përcaktuar tetë skuadrat që vazhdojnë rrugëtimin drejt trofeut dhe sigurojnë kualifikimin në fazën çerekfinale.

Tirana, Dinamo City, Partizani, Bylis, Teuta, Vllaznia, Egnatia dhe AF Elbasani janë ekipet e kualifikuara për në çerekfinalet e Kupës.

Në bazë të rregullores së aktivitetit, janë ndarë edhe vazot për shortin e fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Në Vazon 1 bëjnë pjesë Egnatia, Vllaznia, Partizani dhe Dinamo City. Në Vazon 2 janë AF Elbasani, Teuta, Bylis dhe Tirana.

Çiftet çerekfinaliste do të përcaktohen përmes një shorti të lirë mes tetë skuadrave të kualifikuara. Ndeshjet e kësaj faze do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, me takimet e para që do të luhen në fushën e ekipeve të pozicionuara në Vazon 2.

Në ditët në vijim do të bëhet e ditur data dhe ora e hedhjes së shortit për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

The post Çerekfinalet e Kupës përcaktohen me short appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Shitjet e Biblës arritën nivele rekord në 2025-n

10 January 2026 at 19:01

LONDER, 10 janar /ATSH-ANSA/ – Shitjet e Biblave (Libri i Shenjtë) arritën një nivel rekord në Britsninë e Madhe në vitin 2025, duke u rritur me 134% nga viti 2019, më i larti që nga fillimi i regjistrimeve.

The Guardian, duke cituar një hulumtim të industrisë që zbuloi se vitin e kaluar, shitjet totale të Biblave në Mbretërinë e Bashkuar arritën në 6.3 milionë paund, një rritje prej 3.61 milionë paundësh krahasuar me shitjet e vitit 2019.

Studimi u krye nga botuesi i krishterë SPCK Group, duke analizuar të dhënat nga Nielsen BookScan, një shërbim që mbledh të dhëna për shitjet e librave në të gjithë botën. /os/

The post BM – Shitjet e Biblës arritën nivele rekord në 2025-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti i keq krijon problematika në Kosovë

PRISHTINË, 10 janar /ATSH/ Moti i keq me reshje të shumta shiu e bore ka përfshirë edhe territorin e Kosovës, duke shkaktuar problematika të ndryshme.

Ministria e Infrastrukturës e Kosovës njoftoi se në disa rrugë të Kosovës ka probleme për shkak të reshjeve të shiut. Ndërkaq, Agjencia për Menaxhim Emergjent dha detaje të tjera për rrugët që janë vërshuar pas reshjeve të shiut.

Një segment i rrugës nacionale Ferizaj-Prishtinë u mbyll sot për qarkullim për automjete, për një kohë të caktuar për shkak të ujit të madh në rrugë, tha Ministria e Infrastrukturës dhe Policia e Kosovës.

Ka rrëshqitur një pjesë e dheut në rrugën Mitrovicë–Bajgorë, përkatësisht në fshatin Stan Tërg. Pavarësisht rrëshqitjes dhe rrezikut permanent, rruga mbetet e hapur dhe e qarkullueshme për automjete, raporton KosovaPress.

Në vendngjarje është vendosur sinjalizim i përkohshëm për paralajmërimin e drejtuesve të mjeteve, ndërsa rreziku mbetet i pranishëm për shkak të reshjejeve të fundit.

Në fshatin Gadime e Epërme në Lipjan është shembur një urë si pasojë e vërshimeve, e cila ka pamundësuar qarkullimin e banorëve të këtij fshati. Si pasojë e kësaj, qytetarët janë të detyruar të përdorin rrugë alternative dhe të bëjnë devijime të gjata për të arritur në destinacionet e tyre, raporton KosovaPress.

Sipas banorëve të zonës, gjendja e urës ka qenë e rënduar prej kohësh dhe rreziku i shembjes ka qenë i pritshëm, megjithatë, pavarësisht kësaj, sipas tyre nuk janë ndërmarrë masa parandaluese nga institucionet përgjegjëse.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” bën të ditur se, si pasojë e vërshimeve të fundit dhe bazuar në monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit (24/7), është konstatuar se uji në fshatin Miradi e Poshtme aktualisht nuk rekomandohet për përdorim për pije dhe përgatitje ushqimi.

Sipas njoftimit, deri në një njoftim të dytë, banorët këshillohen që ujin ta përdorin vetëm për nevoja të higjienës shtëpiake, si larje dhe pastrim, duke shmangur përdorimin e tij për konsum njerëzor.

KRU “Prishtina” bën të ditur se ekipet përgjegjëse po e monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për përmirësimin e cilësisë së ujit.

“Sapo të konfirmohet se uji është i sigurt për përdorim për pije, do t’ju njoftojmë menjëherë”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë udhëzimet dhe sinjalistikën për ndalim qarkullimi në disa rrugë, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga reshjet dhe rrezikut në infrastrukturë.

Ai ka bërë thirrje që qytetarët të mos kalojnë nga “Ura e Senikëve”, në drejtimin që lidh fshatrat Korroticë e Poshtme dhe Shtrubullovë, pasi baza e urës është gërryer nga ujërat dhe rruga është dëmtuar.

Sipas tij, “Ura e Senikëve” nuk është e sigurt dhe paraqet rrezik, prandaj qytetarëve u rekomandohet të shfrytëzojnë rrugën alternative në drejtim:

Llapushnik – Krajkovë – Damanek – Baicë – Çikatovë e Re.

Ai ka bërë të ditur se rruga Drenas – Komoran aktualisht kalohet me vështirësi, ndërsa disa rrugë mbesin të pakalueshme.

Aktualisht të pakalueshme janë këto rrugë: Drenas – Guri i Plakës, Drenas – Kroi i Mbretit, Shtrubullovë – Korroticë e Ulët dhe Rruga që lidh Komorani 1 me Komoranin 3.

/KosovaPress/

The post Moti i keq krijon problematika në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kupa e Shqipërisë, përcaktohen ekipet çerekfinaliste

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Sot u luajtën të gjitha ndeshjet e fazës së 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë, ku u përcaktuan edhe ekipet çerekfinaliste që do të vazhdojnë garën për këtë trofe të rëndësishëm të futbollit shqiptar.

Katër ndeshjet e para të luajtura në orën 13:00 dhanë këto rezultate:

Dinamo City-Besa 3-0

Partizani-Burreli 3-0

Tirana-Skënderbeu 2-1

Bylis-Laçi 3-2

Ndërsa katër ndeshjet e tjera, të luajtura në orën 16:00, dhanë këto rezultate:

Egnatia-Apolonia 1-0

Vllaznia-Pogradeci 1-0

Teuta-Vora 2-0

AF Elbasani-Flamurtari 2-1

Egnatia është kualifikuar në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Kampionët fituan 1 me 0 përballë Apolonisë në stadiumin “Arena Egnatia”. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Buriç pas një gjuajtje me kokë në minutën e 19-të. Për shortin e çerekfinales së Kupës, Egnatia është pjesë e vazos 1.

Dueli Teuta-Vora përfundoi me fitoren e bregdetarëve me rezultatin 2-0, me gola të shënuar nga Jurguens 16’ dhe Toli 52′. Teuta bën pjesë në vazon 2 të shortit të ¼.

Vllaznia e Edi Martinit mposhti në “Loro Boriçi” Pogradecin me rezultat minimal. Golin e vetëm të fitores e shënoi Gjini në minutën e 84-t. Vllaznia për shortin e ¼ ndodhet në vazon 1.

Ndeshja AF Elbasani-Flamurtari përfundoi me rezultatin 2-1, pas kohës shtesë. Golat u shënuan nga Lajthia (24′) dhe Ibraimi (114′) për AF Elbasanin, ndërsa Oshafi (59′) shënoi golin për vlonjatët. Elbasani e mbylli lojën me 10 futbollistë, ndërkohë që Flamurtari humbi një 11-metërsh me Trashin në minutën e 104-t, e cila u prit nga portieri elbasanas Totoshi. AF Elbasani bën pjesë në vazon 2 të shortit të çerekfinaleve.

The post Kupa e Shqipërisë, përcaktohen ekipet çerekfinaliste appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Prokurori i Përgjithshëm: Të gjithë protestuesit përballen me dënimin me vdekje

10 January 2026 at 18:29

TEHERAN, 10 janar /ATSH-ANSA/ – Të gjithë protestuesit në protestat gjithëpërfshirëse në të gjithë Iranin do të akuzohen si “armiq të Zotit” (“mohareb”), një krim i dënueshëm me vdekje, deklaroi prokurori i Përgjithshëm i vendit, Mohammad Movahedi Azad.

”Akuza do të zbatohet si për “rebelët ashtu edhe për terroristët” që dëmtuan pronën dhe minuan sigurinë, si dhe për ata që i ndihmuan ata”, tha Movahedi Azad.

Numri i personave që kanë humbur jetën në protestat në Iran është rritur në 65, njoftoi Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran (HRANA).

Raporti, i publikuar në faqen e internetit të grupit me bazë në SHBA, thotë se demonstratat kanë zgjatur 13 ditë rresht, duke u zhvilluar në 512 vende në 180 qytete në të gjitha 31 provincat iraniane, duke rezultuar në vdekjen e 50 protestuesve, 14 zyrtarëve të zbatimit të ligjit dhe sigurisë, si dhe një civili të lidhur me qeverinë.  /os/

The post IRAN – Prokurori i Përgjithshëm: Të gjithë protestuesit përballen me dënimin me vdekje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKT: Riparohet defekti në linjën 400 mm

10 January 2026 at 18:18

TIRANË, 10 janar /ATSH / Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) njofton banorët e zonave të Institutit dhe Kodër Kamzës se defekti në linjën 400 mm pranë Praktiker – Ura e Institutit është riparuar dhe furnizimi me ujë të pijshëm është rikthyer në normalitet.

Defekti kishte shkaktuar ndërprerje të përkohshme në furnizimin me ujë, ndërsa ekipet teknike të UKT kishin ndërhyrë menjëherë në terren për riparimin e tij.

UKT falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë kohës së ndërprerjes dhe u siguron se po vijon monitorimi i vazhdueshëm i rrjetit të ujësjellësit për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm.

/e.xh/r.e/

The post UKT: Riparohet defekti në linjën 400 mm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 130 mjete borëpastruese dhe 800 punonjës të ARRSH në terren për të mbajtur hapur akset rrugore

10 January 2026 at 17:48

TIRANË, 10 janar /ATSH / Kryeministri Edi Rama bëri të ditur pasditen e të shtunës se, në kushtet e motit të keq me reshje intensive shiu dhe dëborë të denduar, ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) janë në terren pa ndërprerje, duke punuar ditë e natë për të mbajtur akset rrugore të hapura dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve në lëvizje.

Kryeministri Rama apeloi që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të ulin shpejtësinë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht në zonat malore ku reshjet kanë krijuar vështirësi të lëvizshmërisë.

Sipas të dhënave nga ARRSH, Rama tha se, “aktualisht janë në terren: 130 mjete borëpastruese; 577 mjete të tjera për menaxhimin e rrugëve;  800 punonjës të angazhuar për sigurimin e qarkullimit; 5300 tonë kripë; 1800 tonë granil”.

Kryeministri Rama theksoi se këto mjete dhe punonjës po veprojnë në zonat ku paraqitet nevoja për normalizimin e situatës, duke garantuar qarkullimin dhe sigurinë e qytetarëve në të gjithë vendin.

Rama bëri të ditur gjithashtu se punimet do të vijojnë pa ndërprerje deri në normalizimin e plotë të situatës.

/e.xh/r.e/

The post Rama: 130 mjete borëpastruese dhe 800 punonjës të ARRSH në terren për të mbajtur hapur akset rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Arrin në 65 numri i personave që humbën jetën në protesta

10 January 2026 at 17:44

TEHERAN, 10 janar /ATSH -AA/ – Numri i personave që kanë humbur jetën në protestat në Iran është rritur në 65, njoftoi Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran (HRANA).

Raporti, i publikuar në faqen e internetit të grupit me bazë në SHBA, thotë se demonstratat kanë zgjatur 13 ditë rresht, duke u zhvilluar në 512 vende në 180 qytete në të gjitha 31 provincat iraniane, duke rezultuar në vdekjen e 50 protestuesve, 14 zyrtarëve të zbatimit të ligjit dhe sigurisë, si dhe një civili të lidhur me qeverinë.

Demonstratat gjithashtu kanë çuar në dhjetëra të plagosur dhe 2.311 persona të arrestuar. Sipas raportit, plagosjet janë shkaktuar kryesisht nga të shtëna me fishekë dhe plumba plastikë.

Autoritetet nuk kanë lëshuar asnjë deklaratë lidhur me të vrarët ose të plagosurit.

Irani ka përjetuar një valë protestash që nga fundi i dhjetorit, kryesisht për shkak të rënies së ndjeshme të vlerës së rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike.

Demonstratat nisën më 28 dhjetor pranë Pazarit të Madh të Teheranit dhe më pas u zgjeruan në disa qytete.

Dje, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Irani është “në telashe të mëdha” ndërsa protestat po përhapen dhe theksoi se SHBA-ja po i ndjek nga afër zhvillimet dhe paralajmëroi autoritetet të mos përdorin forcë vdekjeprurëse.

Irani ka akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për nxitjen e trazirave, me zyrtarë që paralajmërojnë se forcat e sigurisë dhe gjyqësori “nuk do të tregojnë asnjë tolerancë ndaj sabotuesve”.  /os/

The post IRAN – Arrin në 65 numri i personave që humbën jetën në protesta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kozeli: Shkarje dherash në aksin Tepelenë-Gjirokastër, qarkullimi në një krah

10 January 2026 at 17:40

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Qarku i Gjirokastrës është ndër zonat më të goditura nga reshjet intensive të ditëve të fundit.

Në aksin rrugor Tepelenë–Gjirokastër, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, tri ditë më parë ndodhi një shkarje masive e dherave që bllokoi qarkullimin e mjeteve.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli inspektoi sot situatën në terren dhe bëri të ditur se, pas ndërhyrjes së menjëhershme së ARRSH dhe kompanisë kontraktore të mirëmbajtjes, qarkullimi i mjeteve është rikthyer me një kah, për shkak se rreshqitja vazhdon të jetë aktive dhe paraqet rrezik.

Shkaku i kësaj situate janë reshjet intensive dhe erozioni i tokës.

Kozeli bëri të ditur se, ARRSH dhe kontraktori do të mbajnë nën monitorim të plotë dhe janë në gadishmëri për të ndërhyrë në çdo kohë që paraqitet nevoja, deri në normalizimin e plotë të situatës, për të eliminuar çdo rrezik për qytetarët.

Kozeli bëri të ditur se, menjëherë pas përmirësimit të situatës ARRSH do të ndërhyjë në të gjithë aksin me një projekt të plotë, duke siguruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe të sigurt për qarkullimin.

/e.xh/r.e/

The post Kozeli: Shkarje dherash në aksin Tepelenë-Gjirokastër, qarkullimi në një krah appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Shtetit apelon për kujdes në qarkullim

10 January 2026 at 17:24

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Policia e Shtetit u bën apel drejtuesve të automjeteve dhe motomjeteve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit për shkak të motit të keq, me reshje shiu, breshëri dhe dëbore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Sipas njoftimit të policisë, në zonat malore, drejtuesit e automjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore dhe të kenë me vete mjetet antirrëshqitëse.

Shërbimet e Policisë po koordinojnë veprimet me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve në të gjitha zonat e prekura, për të siguruar pastrimin dhe lëvizshmërinë e rrugëve në kohë.

Policia apelon për respektimin e rregullave bazë të qarkullimit: Moderim të shpejtësisë; Mos kryeni parakalime të gabuara; Mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit; Mos drejtoni automjetin nën efektin e alkoolit.

Për çdo emergjencë, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin 112, thuhet në njoftimin e policisë.

/e.xh/r.e/

The post Policia e Shtetit apelon për kujdes në qarkullim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 100 efektivë të Forcave të Armatosura në terren në ndihmë të qytetarëve

10 January 2026 at 17:16

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se në kushtet e reshjeve intensive dhe dëborës, efektivët e Forcave të Armatosura po garantojnë sigurinë e banorëve nga veriu në jug.

Sipas ministrit, ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile po koordinojnë dhe menaxhojnë situatën, ndërsa skuadrat xheniere po riparojnë infrastrukturën dhe sigurojnë lëvizshmërinë në të gjitha zonat e prekura.

“I gjithë aparati i mbrojtjes është i angazhuar maksimalisht në mbështetje të strukturave lokale. Aktualisht, mbi 100 efektivë dhe dhjetëra mjete janë angazhuar në qarqet Vlorë, Durrës, Gjirokastër, Shkodër dhe Kurbin, si dhe në çdo zonë ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve dhe menaxhimin e situatave emergjente”, u shpreh Vengu.

Sipas tij, në Durrës janë angazhuar 62 efektivë, 18 mjete, 5 motogomone, 12 agregate, 7 motopompa, nga të cilat 4 janë me fuqi të lartë thithëse, 1 me fuqi të mesme dhe 2 me fuqi të vogël.

Në Gjirokastër janë angazhuar 34 efektivë, ndërsa një motopompë po ndihmon forcat për normalizimin e situatës në lagjen “Granicë”.

Në fshatin Obot, në Shkodër, po punojnë 9 efektivë me 2 mjete dhe një varkë, në ndihmë të komunitetit.

Ndërkohë, në Kurbin u zhvillua një operacion xhenier për pastrimin e rrugëve, me angazhimin e 3 efektivëve dhe 2 mjeteve.

Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, vijojnë punën në terren për garantimin e sigurisë së banorëve dhe mbajtjen e situatës nën kontroll.

Ministri Vengu theksoi se strukturat janë të bashkuara dhe gati për të reaguar në çdo situatë emergjente.

/e.xh/r.e/

The post Mbi 100 efektivë të Forcave të Armatosura në terren në ndihmë të qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MIE: Probleme nga dëbora në disa akse rrugore, po punohet për hapjen e tyre

10 January 2026 at 17:12

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Strukturat nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) kanë vijuar punën në terren për normalizimin e situatës të shkaktuar nga përkeqësimi i motit.

Pavarësisht kushteve të vështira me reshje shiu dhe dëbore, ekipet e strukturave përkatëse kanë ndërhyrë kudo ku janë raportuar problematika.

Sipas informacionit të MIE-s, reshje dëbore janë regjistruar në akset: Bogë–Theth, Hani i Hotit–Vermosh, Qafë Mali–Fierzë, Surel–Qafë Priskë–Qafë Mollë, Elbasan–Gjinar, Ibë–Krrabë–Elbasan, Dardhë dhe Korçë–Voskopojë.

Akset me probleme janë Maliq–Moglicë, hyrja e rrugës nacionale në Himarë, Elbasan–Gjinar (shkarje skarpatash), Ersekë–Leskovik km 6, Kalimash–Fushë Dukagjin, Librazhd–Elbasan dhe Subash, Tepelenë–Gjirokastër.

Sa i takon furnizimit me energji elektrike, në rang vendi janë 22 fidera jashtë pune. Rajonet më të prekura janë Tirana (rrethinat), Lushnja dhe Gjirokastra. Të gjitha linjat 35 kV dhe nënstacionet, si dhe rrjeti që furnizon hidrovoret, funksionojnë normalisht.

Linja 220 kV Burrel–Elbasan 1 vazhdon të jetë e stakuar. Brigadat e OST-së janë në terren për riparimin e defektit. Konsumatorët nuk preken.

Situata në kaskadën e Drinit është: HEC Fierzësasia e prurjeve është 1200 m³/s; në HEC Koman: 350 m³/s; në HEC Vau i Dejës: 100 m³/s.

Lidhur me furnizimin me ujë, MIE bën të ditur se në qarkun Vlorë: Në zonat Trevllazër dhe Karbunarë po kryhen verifikime teknike për vijueshmërinë e shërbimit. Në Himarë është dëmtuar një tub me diametër 40 mm dhe po punohet për zëvendësimin e tij. Në qarqet e tjera nuk raportohen problematika.

Në Portin e Durrësit përpunimi në Terminalin Perëndimor, atë të Kontejnerëve dhe atë Lindor është ndërprerë, por tragetet akostojnë sipas orareve. Në Portin e Vlorës trageti me Brindisin është ankoruar në orar, vazhdon bllokimi i mjeteve të vogla brenda Gjirit të Vlorës. Trageti me Korfuzin nuk u nis nga Porti i Sarandës.

Ndërsa në aeroportin “Nënë Tereza” operimet vijojnë normalisht.

/e.xh/r.e/

The post MIE: Probleme nga dëbora në disa akse rrugore, po punohet për hapjen e tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: Situatë e rënduar nga reshjet në disa qarqe

10 January 2026 at 16:33

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë krijuar problematika në disa qarqe të vendit, përfshirë rritje të prurjeve në lumenj, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.

Situata paraqitet më e rënduar në Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera problemet janë të kufizuara ose situata është e qëndrueshme.

Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë përmbytje në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren dhe monitorojnë vazhdimisht situatën, ndërsa hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit mbeten nën kuotat kritike.

Në Qarkun Durrës janë verifikuar 5 477 banesa, nga të cilat 1 711 kanë pësuar dëme. Janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore janë nën prezencë uji. Në Lezhë, niveli i ujit në tokat bujqësore ka shënuar rënie, por disa banesa vijojnë të jenë të prekura. Lumi Drin është në ulje, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë-Mollë.

Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e akseve rrugore dhe largimin e ujit nga disa objekte, ndërsa në qarqet Berat dhe Elbasan rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore.

Në terren janë angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët asistojnë në transportimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe mbështetjen e operacioneve emergjente sipas nevojave.

Ministria u bën thirrje banorëve të zonave të prekura të kontaktojnë autoritetet vendore për çdo nevojë dhe të bashkëpunojnë me strukturat në terren për menaxhimin sa më efektiv të situatës.

/e.xh/r.e/

The post MM: Situatë e rënduar nga reshjet në disa qarqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Sorrentino: Sa nostalgji për politikanët e së kaluarës

10 January 2026 at 16:19

ROME, 10 janar /ATSH-ANSA/ – Sa nostalgji kam për politikanët e së kaluarës! Ata që e shihnin politikën si një lloj thirrjeje dhe jo si një mundësi, gjë që duket se është ndjenja mbizotëruese sot, deklaroi regjisori Paolo Sorrentino duke prezantuar filmin e tij të fundit, “La grazia”.

”Marrëdhënia ime me politikën? Është në një krizë të madhe, siç është rasti i shumë personave të brezit im”, thekson ai.

Paolo Sorrentino prezantoi filmin e tij të fundit, “La grazia”, ​​së bashku me Toni Servillo, Anna Ferzetti dhe Miriam Mariglia, i cili do të dalë në kinema nga 15 janari.

Çfarë mendoni për suksesin e “Buen Camino” të Zalone?

“Jam i kënaqur me mënyrën se si jam; as nuk do të isha në gjendje ta përballoja një sukses kaq të madh”, shton ai.
.
Filmi paraqet një president imagjinar të Republikës, Mariano De Santis (Servillo, fitues i Coppa Volpi në Venecia ku filmi ishte në garë), një i ve, një katolik që jeton në Quirinale (presidencë) me vajzën e tij Dorotea (Ferzetti), një juriste si ai vetë.

Ai tani është në fund të mandatit të tij dhe duhet të vendosë për dy kërkesa delikate për falje, të dyja të lidhura me eutanazinë. Megjithatë, brenda zemrës së tij ka gjithmonë një dashuri të madhe për gruan e tij, e cila ndërroi jetë tetë vjet më parë, e shoqëruar me një dyshim që e përndjek.

Megjithatë, fituesi i çmimit Oscar, Sorrentino, është i prirur të theksojë se “filmi nuk është i frymëzuar nga presidenti aktual Sergio Mattarella”. /os/

 

The post KINEMA – Sorrentino: Sa nostalgji për politikanët e së kaluarës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tirana, Partizani, Dinamo e Bylisi sigurojnë çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Përfunduan katër ndeshjet e luajtura në orën 13:00 të vlefshme për fazën e 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë.

Dinamo ka mposhtur Besën me rezultatin 3-0 në stadiumin “Air Albania”. Ekipi i Ilir Dajës siguroi kështu çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Golin e parë e realizoi Bernard Berisha në minutën e 12-të, kur përfitoi nga gabimi i prapavijës së Besës. Bregu dyfishoi shifrat në minutën e 80-të, ndërsa Hekuran Berisha vulosi rezultatin në kohën shtesë. Për çerekfinalet do të ketë short, ndërsa Dinamo është pjesë e vazos së parë.

Të kuqtë e Partizanit mposhtën Burrelin me rezultatin 3-0 në “Arenën e Demave” duke siguruar fazën çerekfinale. Golin e parë e realizoi Rouen Hjumen (19’). Mesfushori goditi një top që përshëndeti rrjetën nga distanca 25 metra. Më pas takimi u vulos nga golat e Kontreras (44’) dhe Skukës (85’). Tashmë për çerekfinalet do të ketë short dhe Partizani është pjesë e vazos së parë.

Tirana ka siguruar biletën për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë pasi ka mundur me vuajtje në kohën shtesë Skënderbeun në “Selman Stërmasi”. Bardheblutë e riformatuar thuajse plotësisht në merkaton e janarit, kanë dominuar pjesën e parë të sfidës dhe gjetën golin me Mysloviç. Por në të dytën, Skënderbeu kishte një ritëm tjetër dhe kërkoi e gjeti golin e barazimit me Janaqin në shtesën e ndeshjes.

Sfida shkoi me kohë shtesë, ku kishte realisht pak emocione të prodhuara nga të dy skuadrat. Por në fund, një shpërthim i Ernest dhe finalizimi i Tares bënë diferencën për golin e rezultatit përfundimtar 2-1 që siguroi biletën e Tiranës për turin tjetër të turneut.

Bylisi skualifikoi 3-2 ekipin e Laçit, me një lojtar më pak dhe me kohë shtesë. Golat u shënuan nga: 15′ Muktar, 61′(p) Mustafa, 107′ Rabiu për Bylisin, ndërsa për Laçin shënuan 45+1′ Umar, 90+4′ Jiakpona.

Dinamo City-Besa 3-0

Partizani-Burreli 3-0

Tirana-Skënderbeu 2-1

Bylis-Laçi 3-2

Po sot, në orën 16:00, luhen katër ndeshjet e tjera:

Egnatia-Apolonia

Vllaznia-Pogradeci

AF Elbasani-Flamurtari

Teuta-Vora

The post Tirana, Partizani, Dinamo e Bylisi sigurojnë çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Ankaraja përjeton thatësira rekord, ku ndërprerjet e ujit janë të zakonshme

10 January 2026 at 15:35

ANKARA, 10 janar /ATSH-AFP/ – Ndërprerjet e ujit të zbatuara për disa javë në Ankara, janë rezultat i një thatësire rekord, tha një zyrtar bashkiak duke hedhur poshtë akuzat për keqmenaxhim.

“Viti 2025 ishte një vit rekord për sa i përket thatësirës. Vëllimi i ujit që furnizon digat ka rënë në nivele historikisht të ulëta, në 182 milionë metra kub në vitin 2025, krahasuar me 400 deri në 600 milionë metra kub në vitet e mëparshme. Kjo është periudha më e thatë në 50 vitet e fundit”, tha Memduh Akçay, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Ujit në bashkinë e Ankarasë.

Për të ruajtur burimet e pakta të ujit të qytetit, ku shkalla e mbushjes së digës ka rënë në 1,12%, rubinetat mbyllen për disa orë në ditë në lagje të caktuara, sipas një sistemi rotacioni, duke detyruar shumë banorë të presin në radhë në shatërvanët publikë për të mbushur shishet e ujit.

Këto skena e shtynë presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan t’i quante zyrtarët e bashkisë së Ankarasë, të udhëhequr nga partia kryesore e opozitës, si “të paaftë”.

Duke i hedhur poshtë këto kritika, zyra e kryetarit të bashkisë pohon se Ankaraja po vuan pasojat e ndryshimeve klimatike dhe popullsisë së saj në rritje, e cila është dyfishuar që nga vitet 1990 për të arritur gati 6,0 milionë banorë.

“Përveç rënies së reshjeve, parregullsia e modelit të reshjeve, zvogëlimi i reshjeve të dëborës dhe shndërrimi i shpejtë i reshjeve në rrjedhje për shkak të urbanizimit pengojnë mbushjen efikase të digave”, shpjegon Akçay.

“Falë një sistemi të ri pompimi që lejon përdorimin e ujit nga digat nën nivelin minimal të kërkuar, nuk do të ketë ndërprerje të ujit këtë fundjavë”, siguron bashkia e Ankarasë, e cila megjithatë paralajmëron se problemi do të vazhdojë pa reshje të mjaftueshme.

Pjesa më e madhe e Turqisë përjetoi gjithashtu një thatësirë historike në vitin 2025.
Bashkia e Izmirit (perëndim), qyteti i tretë më i madh i vendit në bregdetin e Egjeut, ka imponuar ndërprerje të përditshme të ujit për disa nga banorët e saj që nga vera e kaluar./ /os/

The post TURQI – Ankaraja përjeton thatësira rekord, ku ndërprerjet e ujit janë të zakonshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata në bashkinë Shkodër e qëndrueshme, nivelet e ujit nën kuotat kritike

10 January 2026 at 15:30

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Situata në territorin e bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme, me nivele uji nën kuotat kritike dhe pa problematika të evidentuara, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e pandërprerë të situatës.

Kështu shkruan sot kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, duke shtuar se, “nivelet e ujit në lumenjtë Bunë dhe Drin mbeten të kontrolluara dhe brenda parametrave të sigurisë. Megjithatë, gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar një rritje e niveleve me rreth 10–20 centimetra krahasuar me një ditë më parë, pa sjellë pasoja për zonat e banuara”.

Kryeministri theksoi se në të gjithë territorin e bashkisë Shkodër nuk raportohet asnjë banesë e përmbytur dhe nuk ka prezencë uji në banesa. Ai shtoi se situata po ndiqet nga afër nga strukturat vendore dhe qendrore, të cilat janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje.

Rama informoi gjithashtu se bashkia Shkodër ndodhet në monitorim të vazhdueshëm dhe se po vërehet një tendencë e tërheqjes së ujit nga zonat ku ka pasur prani të tij në ditët e mëparshme.

Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të informuar dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse, ndërsa monitorimi i situatës hidrike do të vijojë në mënyrë të pandërprerë.

/e.xh/r.e/

The post Situata në bashkinë Shkodër e qëndrueshme, nivelet e ujit nën kuotat kritike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌