Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Trump: Irani dëshiron marrëveshje!

27 January 2026 at 13:02

UASHINGTON, 27 janar /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje me Washingtonin, në një kohë kur SHBA-ja ka dislokuar mjete shtesë ushtarake amerikane në rajon, përfshirë një grup goditës me aeroplanmbajtëse.

Në një intervistë për faqen e lajmeve “Axios”, Trump tha se situata me Iranin është “në ndryshim”, duke përmendur mbërritjen e asaj që ai e përshkroi si një “armadë e madhe” pranë Iranit, duke iu referuar dislokimit të një grupi goditës me aeroplanmbajtëse në rajon.

“Ata duan të bëjnë një marrëveshje. E di këtë. Kanë telefonuar në shumë raste. Ata duan të flasin”, shtoi ai.

SHBA-ja dislokoi të hënën Grupin Goditës të Aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln në Lindjen e Mesme, ndërsa Washingtoni forcon qëndrimin e tij rajonal. Aeroplanmbajtësja e klasës Nimitz hyri në rajon “për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Irani është tronditur nga valë protestash që nga muaji i kaluar, duke filluar më 28 dhjetor në Çarshinë e Madhe të Teheranit, për shkak të zhvlerësimit të fortë të rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike. Demonstratat më pas u përhapën në disa qytete të tjera.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të “godasë fort” nëse protestuesit vriteshin, por më vonë zbuti retorikën, duke sugjeruar se Teherani ka anuluar qindra ekzekutime të planifikuara.

Zyrtarët iranianë kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për mbështetjen e “trazirave të armatosura” dhe kanë paralajmëruar se çdo sulm amerikan do të shkaktonte një përgjigje “të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse”.

Qershorin e kaluar, Izraeli, me mbështetjen e SHBA-së, nisi një luftë 12-ditore kundër Iranit, duke nxitur sulme hakmarrëse me dronë dhe raketa nga Teherani, përpara se Uashingtoni të njoftonte një armëpushim.   /os/

The post SHBA – Trump: Irani dëshiron marrëveshje! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Digjitalizimi ka reduktuar kontaktin mes biznesit dhe administratës tatimore

27 January 2026 at 12:58

TIRANË, 27 janar/ATSh/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot, se shërbimet digjitale që ka Shqipëria janë vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare.

Në një replikë në Kuvend, me deputeten e PD-së, Jorida Tabaku, ministrja Ibrahimaj tha se të flasësh pa baza është kollaj.

“Ne jemi të tetët në Evropë për sa i përket ofrimit të shërbimeve digjitale. Ne jemi të 17-ët në botë për sa i përket ofrimit të shërbimeve digjitale. Veprat janë vepra, faktet janë fakte. Sistemet e ndërtuara kanë ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, sistemet e ngritura për ofrimin e shërbimeve të bizneseve kanë reduktuar kohë dhe para”, tha Ibrahimaj.

“Dhe të gjithë bizneset e kanë mbështetur digjitalizimin pasi në çdo rast ka reduktuar kohë, para, ka rritur eficiencën dhe ka reduktuar kontaktin mes biznesit dhe administratës”, vijoi ajo.

Ministrja Ibrahimaj konfirmoi faktin që përpara disa ditësh ka pasur një problematikë në ofrimin e shërbimeve për sa i përket Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Sipas Ibrahimajt, ky disfunksionalitet ka ardhur si pasojë e disa ndërhyrjeve në rrjetin e energjisë elektrike pa asnjë lidhje me sistemin e tatimeve.

“Ndërkohë që për disa biznese që mbeten pa shërbim, për ta është portali selfcare, i cili i ofron shërbim bizneseve të cilët deklarojnë 1 ose 2 fatura në muaj dhe koha për ta deklaruar është deri në 10 shkurt”, informoi ministrja.

“Pra, asnjë disfunksionalitet në ofrimin e shërbimeve, nuk ka ardhur. Të vërtetat janë aty, sistemet e ndërtuara janë aty dhe eficienca e ofrimit të shërbimeve është rritur me shumëfish herë”, përfundoi Ibrahimaj.

/e.i/j.p/

The post Ibrahimaj: Digjitalizimi ka reduktuar kontaktin mes biznesit dhe administratës tatimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Braçe kërkon fond për dëmshpërblimin e bujqve nga përmbytjet, Balla: Po bëhet vlerësimi i dëmeve në terren

27 January 2026 at 12:46

TIRANË, 27 janar/ATSH-Maela Marini/ Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe kërkoi sot në Kuvend që 15 miliardë lekë të mbetura pa shpenzuar nga buxhetit 2025 të shkojnë për dëmshpërblimin e bujqve nga përmbytjet.

Gjatë diskutimit në Kuvend të Aktit Normativ për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, Braçe u shpreh se dëmet nga përmbytjet për bujqit janë të mëdha.

“Paratë që shkojnë për pensionistët bëjnë mirë që shkojnë atje. Nëse nga 30 miliardë lekë që është deficiti i parealizuar, 15 miliardë lekë do të shkojnë në llogarinë e Bankës së Shqipërisë për pensionet, unë propozoj që 15 të tjera të shkojnë për të shlyer bujqit. Është një ekonomi e tërë e dëmtuar që nuk mund të vazhdojë më tutje pa para. Për 1 dynym janë 12.5 milionë lekë dëm, mendojeni vetë se sa toka dhe serra janë përmbytur”, tha Braçe.

Në këtë drejtim, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sqaroi se qeveria qendrore dhe ajo vendore po bëjnë vlerësimin në territor të këtyre dëmeve.

“Jam plotësisht dakord me shqetësimet që ngrihen për t’iu gjetur pranë banorëve, bujqve të prekur nga përmbytjet apo ngricat. Për sa i përket aktit normativ, nuk mund të ndryshohet dot. Sot ose miratohet ose rrëzohet. Amendamente mbi aktin nuk bëjmë dot”, tha Balla. /j.p/

The post Braçe kërkon fond për dëmshpërblimin e bujqve nga përmbytjet, Balla: Po bëhet vlerësimi i dëmeve në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Apeli i GJKKO lë në fuqi konfiskimin e apartamentit të ish-kreut të Kushtetueses, Bashkim Dedja

27 January 2026 at 12:32

TIRANË, 27 janar /ATSh/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, la në fuqi vendimin e GJKKO të marrë në prill të vitit të kaluar, për konfiskimin e një apartamenti të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Vendimi u mor sot nga apeli i GJKKO me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), të cilët lanë në fuqi vendimin e GJKKO-së për konfiskimin e “pasurisë të paluajtshme (apartament), me sipërfaqe 60 m2 dhe kalimin e saj në favor të shtetit, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi.

GJKKO ka dënuar ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja me 6 muaj burg për fshehje e deklarim të rremë të pasurisë dhe konvertimin e masës me shërbim prove.

Hetimet ndaj Dedjas u nisën nga SPAK në maj të vitit 2020, pas dyshimeve se kishte në pronësi pasuri të paluajtshme që nuk i justifikonte me burime të ligjshme.

/m.q/j.p/

The post Apeli i GJKKO lë në fuqi konfiskimin e apartamentit të ish-kreut të Kushtetueses, Bashkim Dedja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti dhe Hargreaves flasin për formimin sa më parë të institucioneve

27 January 2026 at 12:22

PRISHTINË, 27 janar/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Sipas një komunikate të qeverisë, Kurti dhe Hargreaves diskutuan për zhvillimet e fundit, rëndësinë e përmbylljes së procesit zgjedhor dhe formimit të institucioneve sa më parë, si dhe për temat me interes bilateral.

Kurti falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Republikës së Kosovës.  /Kosovapress/

The post Kurti dhe Hargreaves flasin për formimin sa më parë të institucioneve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arbitra shqiptarë në raundin e fundit të Europa League

27 January 2026 at 12:18

TIRANË, 27 janar /ATSH/ UEFA ia ka besuar pesë arbitrave shqiptarë një nga ndeshjet e raundit të fundit të Europa League.

Bëhet fjalë për përballjen mes Sturm Graz dhe Brann, e cila do të gjykohet nga arbitri shqiptar Juxhin Xhaja.

Xhaja është caktuar si arbitër kryesor i këtij takimi, ndërsa do të asistojë nga Arbër Zalla dhe Rejdi Avdo. Gjyqtar i katërt do të jetë Olsion Yzeiraj, duke kompletuar kështu një trupë plotësisht shqiptare në fushë.

Sa i përket teknologjisë VAR, arbitër kryesor në sallë do të jetë zvicerani Lukas Fähndrich, i ndihmuar nga arbitri shqiptar Kreshnik Bajramaj.

Ky emërim përfaqëson një tjetër vlerësim të rëndësishëm nga UEFA për arbitrimin shqiptar në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në një fazë vendimtare të një kompeticioni prestigjioz si Europa League.

/gj.m/j.p/

The post Arbitra shqiptarë në raundin e fundit të Europa League appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Meloni: Antisemitizmi është mposhtur përfundimisht, dënojmë bashkëpunimin e regjimit fashist

27 January 2026 at 12:14

ROMË, 27 janar /ATSH-ANSA/ – Fatkeqësisht, pas shumë vitesh, antisemitizmi ende nuk është mposhtur përfundimisht. Është një sëmundje që është rikthyer për t’u përhapur, në forma të reja dhe virulente, deklaroi kryeministrja italiane Giorgia Meloni në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit.

‘’Sot ne riafirmojmë angazhimin tonë për të parandaluar dhe luftuar çdo aspekt të kësaj murtaje, e cila helmon shoqëritë tona dhe synon të minojë parimet e lirisë dhe respektit që janë themeli i kohezionit shoqëror’’, shtoi ajo.

“Në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, ne kujtojmë emrat dhe mbiemrat e viktimave dhe ripërtërijmë kujtimin e asaj që ndodhi edhe përmes dëshmisë së çmuar të të mbijetuarve dhe pasardhësve të tyre’’, theksoi ajo.

‘’Sot ne festojmë bashkë me ata të cilët nuk hezituan të rrezikonin jetën e tyre për t’iu kundërvënë planit nazist dhe për të shpëtuar jetë të pafajshme. Në këtë ditë, ne dënojmë edhe një herë bashkëpunimin e regjimit fashist në persekutimet, arrestimet dhe deportimet. Një faqe e errët në historinë italiane, e vulosur nga poshtërimi i ligjeve racore të vitit 1938”, përfundoi ajo.   /os/

 

The post ROMË – Meloni: Antisemitizmi është mposhtur përfundimisht, dënojmë bashkëpunimin e regjimit fashist appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AQSHF përkujton Holokaustin me shfaqjen e “Rrethit të kujtesës”

27 January 2026 at 12:07

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Në sallën e Kinemasë “Drita”, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, u shfaq filmi “Rrethi i kujtesës”, në kuadër të një aktiviteti përkujtimor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Ishin të pranishëm edhe krijuesit e filmit: regjisori Esat Musliu dhe shkrimtarja Diana Çuli, autore e romanit me të njëjtin titull, mbi të cilin u bazua skenari i Roland Gjozës.

Filmi, prodhimi i vitit 1987, u ndoq edhe nga gjimnazistë të shkollës “Eqerem Çabej” si edhe studentë të Universitetit Europian të Tiranës, të cilët u bënë pjesëmarrës në bisedën mbi filmin, duke dëshmuar rëndësinë që temat e kujtesës historike kanë për brezat e rinj.
Shkrimtarja Diana Çuli dhe regjisori Esat Musliu ndanë me publikun detaje interesante mbi procesin krijues të veprës, sfidat e ekranizimit dhe mënyrën se si u trajtua një temë kaq delikate dhe e dhimbshme si ajo e kampeve të përqendrimit dhe eksperimenteve çnjerëzore naziste. Diskutimi solli jo vetëm kontekst historik, por edhe reflektime mbi përgjegjësinë morale të artit për të dëshmuar dhe për të mos lejuar harresën.

AQSHF tha se kjo shfaqje, më shumë se një ngjarje filmike, ishte një përvojë informuese dhe ndërgjegjësuese, ku filmi, letërsia dhe historia u ndërthurën për të rikujtuar se kujtesa është një akt i domosdoshëm njerëzor dhe shoqëror. /j.p/

The post AQSHF përkujton Holokaustin me shfaqjen e “Rrethit të kujtesës” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: Rritja ekonomike 3.9%, borxhi publik në nivelin më të ulët prej 54 %

27 January 2026 at 11:55

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në Kuvend aktin normativ për ndryshime në ligjin e buxhetit të vitit 2025, që parashikon mbështetjen e  shtresave në nevojë, përfshirë familjet me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre, si dhe garanton fondet për skemën e pensioneve.

Ministri bëri të ditur se “mbështetja buxhetore për familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar për vitin 2025 arrin në 256 milionë euro, përfshirë fondin për bonusin e fundvitit. Ndërsa fondi për pensionistët, që përfshin indeksimin dhe bonusin, është rreth 11,8 miliardë lekë”.

Akti normativ, parashikon transferimin e fondeve të papërdorura nga ministritë dhe institucionet buxhetore drejt llogarisë së mbështetjes së pensionistëve pranë Bankës së Shqipërisë dhe rialokimin e kursimeve të evidentuara që nga janari 2025 drejt projekteve me ecuri më të mirë.

“Me anë të këtij akti normativ ne synojmë mbajtjen të pandryshuar të totalit të të ardhurave buxhetore, rishpërndarjen e rreth 30 miliardë lekëve kursime të evidentuara për realizim sa më të plotë të shpenzimeve publike”, u shpreh Malaj.

Ministri deklaroi se, nga perspektiva makroekonomike, viti 2025 pritet të mbyllet me një rritje ekonomike prej 3.9%, borxhi publik vlerësohet të jetë 54% të PBB-së, në nivelin më të ulët se ndonjëherë. Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet, sipas të dhënave paraprake, arritën në 668 miliardë lekë.

Ndër masat e tjera, akti siguron financim shtesë për fermerët (2 miliardë lekë), mbështetje për furnizimin me medikamente në QSUT dhe spitale të tjera (1.76 miliardë lekë), fonde për Policinë e Shtetit (1.3 miliardë lekë) dhe aktivitete sportive kombëtare dhe ndërkombëtare (847 milionë lekë).

Në drejtim të investimeve kapitale, janë parashikuar rialokime prej 10 miliardë lekësh për projekte me performancë më të mirë, përfshirë transportin rrugor (5.8 miliardë lekë), transportin ajror (4 miliardë lekë) dhe ujësjellës-kanalizimet (508 milionë lekë).

Investime të tjera përfshijnë: 200 milionë lekë për Institutin e të Miturve në Konflikt me Ligjin, 551 milionë lekë për blerjen e Selisë Diplomatike në Londër, 1 miliard lekë për kapitalin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit dhe 1.2 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të njësive vendore.

Ministri i Financave theksoi se ky akt nuk është vetëm një instrument teknik buxhetor, por një akt përgjegjësie politike që ruan ekuilibrat fiskalë, garanton vijimësinë e konsolidimit fiskal dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.

e.xh/j.p/

 

The post Malaj: Rritja ekonomike 3.9%, borxhi publik në nivelin më të ulët prej 54 % appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në Izrael: Shqipëria, angazhim të palëkundur në luftën kundër antisemitizmit

27 January 2026 at 11:53

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i cili po vijon vizitën në Jeruzalem, iu adresua sot Konferencës Ndërkombëtare për Luftën Kundër Antisemitizmit, e cila përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Konferencën e përshëndetën edhe Presidenti i Izraelit Isaac Herzog, si dhe ministri i Çështjeve të diasporës Amichai Çikli.

Më herët, Kryeministri Rama theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, duke theksuar se ky qëndrim buron nga vlerat më të thella humane dhe historike të popullit shqiptar.

Gjatë periudhës më të errët të historisë evropiane, Shqipëria u shndërrua në një strehë të sigurt për hebrenjtë e përndjekur, duke i mbrojtur ata pa dallim, në frymën e besës dhe solidaritetit njerëzor.

/m.m/j.p/

The post Rama në Izrael: Shqipëria, angazhim të palëkundur në luftën kundër antisemitizmit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Kuvendi po pengon drejtësinë për Ballukun

27 January 2026 at 11:52

TIRANË, 27 janar /ATSh/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se Kuvendi u kthye në bunker për mbrojtjen e korrupsionit duke iu referuar kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, që ka për objekt dhënien e autorizimit nga Kuvendi për heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi tha se Kuvendi dështoi që të mbrojë pushtetin nga drejtësia.

“Ky parlament e ka nisur këtë sesion me një heshtje të qëllimshëm që ka si funksion të vetin të mbrojë  pushtetin nga drejtësia. Sot kemi një mazhorancë të ngritur mbi paratë e pista të korrupsionit dhe karteleve të drogës që në vend të detyrës ka zgjedhur friken në vend të ligjit ka zgjedhur nënshtrimin ndaj Kryeministri. Sot përballemi me një pyetje shumë të thjeshtë është Kuvendi i Shqipërisë një institucion i ligjit apo një mburojë politike për korrupsionin dhe kundër drejtësisë”, tha Bardhi.

Sipas tij, që prej 19 dhjetorit Kuvendi kishte një detyrim shumë të qartë, të panegocueshëm, të vendoste pa vonesë për pranimin e SPAK për heqjen e  imunitetit të Belinda Ballukut.

“Kishte një detyrë të vetme të mos i fshihej drejtësisë, por Kuvendi dështoi që ta përmbushë këtë detyrim. Zëvendëskryeministrja e pandehur vazhdon detyrën sikur asgjë nuk ka ndodhur e akuzuar dhe nën hetim aktiv për 11 procedura prokurimi dhe koncesioni me vlerë totale 1.1 miliard euro”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, Kuvendi heshti ndaj kërkesë së prokurorisë, pari kryetari i Kuvendit nuk zbatoi ligjin por iu nënshtrua urdhrit politik të Kryeministrit.

“Bazuar në këtë dosje, kërkesa jonë ka qenë një dhe vetëm një mbledhja e Këshillit të Mandateve, për t’i hapur rrugë Kuvendit, për të vendosur mbi kërkesën e SPAK. Kërkuam këtë mbledhje 5 herë për kryetari i Kuvendit heshti, pasi kryeministri kishte shpallur injorimin e kërkesë së SPAK dhe të drejtësisë”, u shpreh Bardhi.

“Një kryetar Kuvendi ka vetëm një detyrë t’i shërbejë ligjit dhe jo Kryeministrit. Kur kryetari i Kuvendit nuk përgjigjet ndaj kërkesave zyrtare të Kuvendit, heshtja e tij shndërrohet në mburojë politike, jo për qytetarët, por për korrupsionin. Ky Kuvend është kthyer në bunker të korrupsionit, jo sepse mungojnë provat por se këtu bllokohet drejtësia me urdhër të Kryeministrit”, tha Bardhi.

Bardhi tha se mazhoranca nuk ka mbrojtur Kushtetutën, “por e ka vënë atë në shërbim të mbrojtjes së korrupsionit”.

“Nuk kam asnjë iluzion që do të jepni dorëheqjen se integriteti kërkon pavarësi dhe liri. Për të mbrojtur karrigen, keni zgjedhur që të mbroni paligjshmërinë”, u shpreh Bardhi, teksa iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Seanca plenare e Kuvendit, foto: Florian Abazaj
1 nga 9

/m.q/j.p/

The post Bardhi: Kuvendi po pengon drejtësinë për Ballukun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Ulja e borxhit dhe deficitit, dy kriteret e mirëqeverisjes sonë

27 January 2026 at 11:46

TIRANË, 27 janar/ATSh/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh sot gjatë punimeve në Kuvend se dy janë kriteret e mirëqeverisjes së Partisë Socialiste, kriteri i uljes së borxhit dhe uljes së deficitit.

Në përgjigje të fjalës së kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, Vengu u shpreh se për herë të parë në një Akt Normativ, në buxhetin e fundvitit u miratua një rritje e buxhetit të Mbrojtjes.

“Kemi 97% të buxhetit të Mbrojtjes, ku 25 % është totalisht e ezauruar, çka tregon të kundërtën e asaj fotografie të rreme që tha parafolësi për sa i përket menaxhimit të financave publike dhe të gjitha këto realizohen duke ulur deficitin dhe duke ulur borxhin”, tha Vengu.

Duke iu drejtuar Bardhit dhe opozitës, ministri i Mbrojtjes u shpreh se sa herë që ata akuzojnë për keqmenaxhim dhe vjedhje, duhet të rikujtojnë këto dy fakte, ulje të borxhit, ulje të deficitit.

“Këto janë dy kriteret e mirëqeverisjes, në qoftë se jeni ende të interesuar për mirëqeverisjen. Një element tjetër thelbësor i këtij Akti Normativ ka të bëjë me kompensimet e dëmeve të zjarreve të vitit 2025”, vijoi Vengu, duke theksuar se edhe në këtë rast shteti shqiptar ka treguar që reagon në kohë dhe është pranë njerëzve në nevojë.

“Brenda vitit, falë këtij Akti Normativ kemi mundur që të ezaurojmë gjithashtu edhe kompensimet për bashkitë e prekura nga zjarret”, shtoi ministri i Mbrojtjes.

“Kjo është fotografia e qeverisjes sonë, më pranë qytetarëve në nevojë, më pranë qytetarëve në raste emergjencash dhe jemi të linjëzuar me angazhimet tona sa i përket rritjes së buxheteve të mbrojtjes në funksion të rritjes të sigurisë kombëtare dhe sovranitetit teknologjik”, përfundoi Vengu.

/e.i/j.p/

The post Vengu: Ulja e borxhit dhe deficitit, dy kriteret e mirëqeverisjes sonë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dorëshkrimet e dijetarëve mesjetarë në Bibliotekën Digjitale

27 January 2026 at 11:32

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Në fondin e Bibliotekës Kombëtare gjenden dorëshkrime të rralla, që sjellin deri në ditët tona, dijen e përcjellë nga periudha e Mesjetës.

Një shembull i ekzemplarëve të rrallë, tashmë të digjituar, është një dorëshkrim i rrallë, “Elmülahhas fil heye” (Dije mbi yjet) i cili përmban të dhëna mbi astronominë, të shoqëruara me vizatime dhe skema shpjeguese, që tregojnë mënyrën se si konceptohej universi në traditën shkencore islame.

Vepra e Mahmûd b. Muhammed b. Ömer el-Çağmînî el-Hârizmî trajton strukturën e qiellit, lëvizjen e trupave qiellorë dhe parimet bazë të astronomisë klasike, duke shërbyer si tekst mësimor dhe referues për breza studiuesish.

Ekzemplari i dorëshkruar dallohet për kopertinën e gdhendur prej lëkure dhe për ruajtjen e elementeve autografe, të cilat ofrojnë informacion mbi përdorimin, transmetimin dhe qarkullimin e dijes shkencore në dorëshkrime.

Si dokument i trashëgimisë shkencore, ky dorëshkrim ndihmon të kuptojmë jo vetëm njohuritë astronomike të kohës, por edhe mënyrën se si dija vizualizohej dhe transmetohej përmes tekstit dhe ilustrimit.

Materiali është pjesë e fondit të dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe është i digjituar në Bibliotekën Digjitale. /j.p/

1 nga 5

The post Dorëshkrimet e dijetarëve mesjetarë në Bibliotekën Digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonzato: Forcimi i sundimit të ligjit, gur themeli i rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE

27 January 2026 at 11:30

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Forcimi i sundimit të ligjit mbetet një gur themeli i rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Konferenca përmbyllëse e projektit “EU4Justice” mblodhi institucionet kyçe të drejtësisë, partnerë ndërkombëtarë dhe profesionistë ligjorë për të reflektuar mbi arritjet, mësimet e nxjerra dhe prioritetet e ardhshme, në mbështetje të një sistemi drejtësie të pavarur, efikas dhe llogaridhënës.

Aktiviteti shënoi përfundimin e një projekti trevjeçar të financuar nga BE (2.5 milionë €), që ka mbështetur Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, duke rikonfirmuar angazhimin e vazhdueshëm të BE-së për konsolidimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato u shpreh se, mbështetja dhe bashkëpunimi mes BE dhe Shqipërisë nuk përfundojnë këtu.

“EU4Justice II” po vjen, me ambicie edhe më të larta. Fokusi nuk do të jetë më vetëm te zbatimi i reformës, por te konsolidimi i sistemit të drejtësisë në përputhje me standardet më të larta të BE-së, për një vend që synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2030”, u shpreh Gonzato.

/gj.m/j.p/

The post Gonzato: Forcimi i sundimit të ligjit, gur themeli i rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ODESA – Rusia shkakton dëme kolosale në centralin elektrik të qytetit

27 January 2026 at 11:27

ODESA, 27 janar /ATSH-ANSA/ – Forcat ruse kanë goditur përsëri një termocentral në Odessa, duke shkaktuar dëme “kolosale’’.

“Shkatërrimi është kolosal dhe puna e riparimit do të zgjasë shumë për të rikthyer pajisjet në gjendje pune”, thuhet në deklaratën e autoriteteve.

Ndërkohë, sulmet me drone në qytetin ukrainas ka lënë 23 të plagosur, me tre persona ende nën rrënoja.

“Vlerësimet paraprake tregojnë se mund të ketë tre persona nën rrënoja”, tha Oleg Kiper, kreu i administratës rajonale të Odessa.   /os/

The post ODESA – Rusia shkakton dëme kolosale në centralin elektrik të qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejt përfundimit Pallati i Sportit në Dibër, ambiente dinjitoze për sportistët

27 January 2026 at 11:05

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Pallati i sportit “Bashkim Lala” në qytetin e Peshkopisë po rikthehet në funksion të plotë, pas investimit të bashkisë Dibër për rikonstruksionin e ambienteve të brendshme.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se punimet për rilindjen e Pallatit të Sportit në Dibër janë drejt përfundimit.

Investimi, sipas kryeministrit, krijon një ambient dinjitoz për zhvillimin e aktiviteteve sportive, ku ndër të tjera, do të zhvillohen edhe ndeshjet e ekipit të volejbollit për femra “Korabi”.

Investimi kap vlerën e 7 milionë lekëve dhe punimet pritet të përfundojnë shumë shpejt duke vendosur ambientet e pallatit të sportit, në dispozicion të ekipeve të lojërave me dorë.


/m.m/j.p/

The post Drejt përfundimit Pallati i Sportit në Dibër, ambiente dinjitoze për sportistët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtimi i Holokaustit, ambasadori gjerman: Shqipëria, shembull vërtet i jashtëzakonshëm

27 January 2026 at 11:04

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi sot aktivitetin “Ura që lidh brezat”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, theksoi se “Holokausti është kapitulli më i errët në historinë e Gjermanisë. Është një krim që lindi nga urrejtja, mungesa e tolerancës, indiferenca dhe shpërfillja sistematike e dinjitetit njerëzor”.

“Kurrë nuk duhet ta harrojmë vuajtjen që u shkaktuam më shumë se gjashtë milionë grave, burrave dhe fëmijëve hebrenj, si edhe shumë të tjerëve”, tha ai.

“Është detyra jonë morale t’i kujtojmë dhe të sigurohemi që masakra të tilla të mos ndodhin më kurrë”, u shpreh Bergner.

Ambasadori theksoi gjithashtu se është e domosdoshme t’u mësohet fëmijëve historia e Holokaustit, në mënyrë që ata të kuptojnë dhe të mbrojnë vlerat e demokracisë dhe të drejtat e njeriut.

Bergner u shpreh se në Shqipëri gjendet një shembull vërtet i jashtëzakonshëm.

“Shqipëria është një vend ku toleranca dhe respekti për tjetrin kanë një traditë të gjatë. Mikpritja e famshme shqiptare dhe koncepti i ‘Besës’ çuan në strehimin e mijëra hebrenjve gjatë Holokaustit nga të krishterë dhe myslimanë. Një histori mjaft unike”, tha ai.

Ambasadori përmendi edhe figura konkrete të kësaj trashëgimie morale.

“Një prej këtyre heronjve vetëmohues ishte Refik Veseli nga Kruja, i cili organizoi strehimin e dy familjeve hebreje. Më vonë ai u njoh si ‘I Drejtë midis Kombeve’ në Yad Vashem, së bashku me shumë shqiptarë të tjerë”, u shpreh Bergner.

“Dhe është mjaft domethënëse që Kryeministri shqiptar Edi Rama ishte folësi kryesor në një seancë të rrallë të përbashkët në Knesset, në Jeruzalem, ditën e djeshme”, shtoi ai.

Në ceremoni morën pjesë nxënës të Shkollës Gjermane “Refik Veseli” në Berlin dhe të Gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, të cilët vendosën në “Pemën e Kujtesës” mesazhe simbolike si shprehje e angazhimit të brezit të ri për ta kthyer kujtesën në veprim.

Ambasadori theksoi se “Refik Veseli dhe veprat e tij frymëzuan edhe një shkollë në Berlin të marrë emrin e tij”.

“Përveç aktiviteteve të sotme, nxënësit do të lidhin një partneritet dhe binjakëzim me shkollën ‘Sami Frashëri’ në Tiranë, për të farkëtuar lidhje të reja mes të rinjve shqiptarë dhe gjermanë”, përfundoi Bergner.

/gj.m/j.p/

The post Përkujtimi i Holokaustit, ambasadori gjerman: Shqipëria, shembull vërtet i jashtëzakonshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Shqipëria, 15 herë më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore

27 January 2026 at 10:54

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi sot aktivitetin “Ura që lidh brezat”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Në fjalën e saj gjatë këtij aktiviteti, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi se “dje, në seancën historike të mbajtur në Knesset, parlamentin izraelit, Kryeministri Edi Rama riktheu në vëmendjen e të gjithëve shembullin e jashtëzakonshëm të dritës shqiptare gjatë kapitullit më të errët të njerëzimit, Holokaustit”.

“‘Arin po, hebrenjtë jo’, ishte në vitin 1943 përgjigjja e dhënë përballë ultimatumit të Gjermanisë naziste nga populli dhe autoritetet shqiptare”, tha Spiropali.

Ministrja nënvizoi se Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që e përfundoi Luftën e Dytë Botërore me 15 herë më shumë hebrenj sesa e nisi.

“Shqipëria, pikërisht në kodin e saj moral, gjeti forcën për të mbrojtur të ndryshmin dhe për të nderuar jetën”, u shpreh ajo.

“Ne jemi krenarë për këtë majë morale që meriton të dëshmohet kudo, por që nuk është e vetmja në historinë tonë të strehimit dhe të mbrojtjes së të huajve dhe të njerëzve në nevojë”, shtoi ministrja.

Spiropali theksoi se Shqipëria vendosi t’i bashkohet Kartës së Bordit të Paqes të Presidentit Trump, përmes pjesëmarrjes së Kryeministrit Rama, si një vend që ka dalë nga errësira e totalitarizmit, me një vëllazëri fetare shembullore dhe pa ndarje etnike.

“Shqipëria ka çfarë të dëshmojë dhe t’i ofrojë botës edhe në këtë format, me qëllime fisnike për zgjidhjen e konflikteve të vjetra dhe të reja”, theksoi ajo.

“Duke nisur nga Gaza, në një vend e rajon që ka vuajtur shumë nga ekstremizmi, ideologjitë e urrejtjes, terrorizmi e lufta, e ku paqja e qëndrueshme, pajtimi e rindërtimi duhet të jenë zgjidhje e vetme për izraelitët, palestinezët e të gjithë popujt e Lindjes së Mesme. Në një botë që po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme, ku konfliket e vjetra në vend të shuhen po intensifikohen, Shqipëria i ka qëndruar dhe do i qëndrojë busullës së saj morale dhe vlerave universale që na bashkojnë”, nënvizoi Spiropali.

Në ceremoni u publikua edhe një videomesazh i posaçëm nga Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, i cili theksoi se “historia unike e Shqipërisë qëndron sot si një shembull morali dhe guximi për mbarë botën”.

Në ceremoni morën pjesë nxënësit e Shkollës Gjermane “Refik Veseli” në Berlin dhe të Gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët vendosën në “Pemën e Kujtesës” mesazhe simbolike si shprehje e angazhimit të brezit të ri për ta kthyer kujtesën në veprim.

1 nga 2

/gj.m/j.p/

The post Spiropali: Shqipëria, 15 herë më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi në seancë plenare, tërhiqen katër projektligje për dakordësim me KE

27 January 2026 at 10:51

TIRANË, 27 janar/ATSH-Maela Marini/ Kuvendi tërhoqi sot nga rendi i ditës 4 projektligje me kërkesë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Ndërsa nisi seancën plenare, Peleshi lexoi rendin e ditës me një sërë projektligjesh të rëndësishme, ndër të cilat edhe ndryshimet në Kodin Penal dhe projektligjin “Për lobimin”.

Në fillim të seancës plenare, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi tërhoqi vëmendjen për rendin e ditës, ku sipas tij, listohen për shqyrtim dhe miratim 19 projektligje të rëndësishme, duke mos i lënë mundësi opozitës për debat.

Boçi kërkoi shtyrjen e disa prej këtyre projektligjeve në mënyrë që deputetët të kenë hapësirën e nevojshme për debat.

Nga ana tjetër edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi shtyrjen e 4 projektligjeve të cilat, sipas tij, duhet të dakordësohen me Komisionin Europian.

Balla kërkoi shtyrjen e 4 projektligjeve në rendin e ditës, konkretisht të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope””; projektligjit “Për disa shtesa në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar; projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.

“Në këtë mënyrë lehtësojmë edhe kalendarin e ditës së sotme dhe kjo shkon në linjë edhe me kërkesën e kolegëve të opozitës për të reduktuar numrin e çështjeve në shqyrtim”, tha Balla.

Në vijim, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh se nuk është e mjaftueshme vetëm heqja e 4 projektligjeve nga rendi i ditës.

Sipas saj, për projektligjin “Për lobimin”, nuk është kryer plotësisht konsultimi publik.

“Ligji për armatimet është shumë problematik, një pjesë e ndryshimeve në Kodin Penal nuk janë konsultuar, bashkë me ndryshimet për mediet. Këto duhet t’i diskutojmë me grupet e interesit. Procesi i integrimit nuk është proces letrash që miratohen në parlament, por është ndryshim në realitet”, tha Tabaku.

Në këtë drejtim, Tabaku kërkoi që të tërhiqen nga rendi i ditës të gjitha projektligjet që nuk kanë kryer një proces të rregullt parlamentar dhe që nuk janë konsultuar plotësisht.

Edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi kërkoi heqjen nga rendi i ditës të projektligjit “Për lobimet”, si dhe ndryshimet në Kodin Penal”.

Në përfundim, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi sqaroi se “ka vetëm një arsye që seancat janë të ngjeshura, axhenda e integrimit në BE”.

“Kam vetëm një kërkesë me shkrim nga kreu i grupit të PS-së që do trajtohet. Ju e dini rregulloren, propozimet që vijnë në seancë, duhet të respektojnë rregulloren. Projektligjet vijnë nga komisionet, së pari duhet shfrytëzuar hapësira aty”, iu drejtua Peleshi deputetëve të opozitës.

/j.p/

Seanca plenare e Kuvendit, foto: Florian Abazaj
1 nga 6

 

The post Kuvendi në seancë plenare, tërhiqen katër projektligje për dakordësim me KE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Evropa përkujton gjenocidin e rreth 6 milionë hebrenjve

27 January 2026 at 09:48

ROMË, 27 janar /ATSH/ – 27 janari është Dita Botërore e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.

Dita, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në nëntor 2005, përkujton 27 janarin e 1945 kur trupat sovjetike çliruan kampin nazist të përqendrimit dhe shfarosjes në Auschwitz-Birkenau.

Holokausti preku thellësisht vendet ku u kryen krimet naziste, me pasoja dhe implikime në të gjithë botën.

Zbulimi i kampit dhe dëshmitë e të mbijetuarve i zbuluan plotësisht botës për herë të parë tmerrin e gjenocidit nazist. Sipas disa historianëve, kjo ngjarje historike duhet të quhet “hapja e kampit të Auschwitzit” ose “zbulimi i kampit të Auschwitzit”.

Hapja e portave të kampit zbuloi jo vetëm shumë dëshmitarë të tragjedisë, por edhe metodat e torturës dhe shfarosjes të përdorura në atë kamp përqendrimi nazist.

Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Holokaustit 2026, në mbarë Evropën janë planifikuar aktivitete të cilat do të nderojnë viktimat e tmerrit nazist.

Programi përfshin takime, shfaqje filmash, koncerte, shfaqje teatrale, turne dhe ekspozita për të riafirmuar vlerat e lirisë, drejtësisë dhe respektit për dinjitetin njerëzor.

Holokausti ishte gjenocidi i afërsisht 6 milionë hebrenjve midis viteve 1941 dhe 1945, për të cilin autoritetet e Gjermanisë naziste, aleatët dhe bashkëpunëtorët e tyre ishin përgjegjës.

Hebrenjtë ishin viktimat kryesore midis grupeve të konsideruara nga nazistët si “të padëshirueshme” ose “inferiore” për arsye politike ose racore.

Si zgjerim, termi “Holokaust” nganjëherë i referohet të gjitha viktimave të persekutimit sistematik nazist dhe vrasjeve masive, duke përfshirë shfarosjen e popullit rom, vrasjen e civilëve polakë dhe sllavë, vrasjen e të burgosurve të luftës sovjetikë, kundërshtarëve politikë, disidentëve fetarë si Dëshmitarët e Jehovait dhe Pentekostalët, vrasjet dhe dhunën kundër homoseksualëve, njerëzve me aftësi të kufizuara dhe atyre me ngjyrë.   /os/

The post FOKUS – Evropa përkujton gjenocidin e rreth 6 milionë hebrenjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌