Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Vengu: 500 efektivë të FA të angazhuar në përballimin e problemeve nga reshjet

8 January 2026 at 23:15

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot në një intervistë televizive se, Forcat e Armatosura kanë dislokuar rreth 500 efektivë në terren për të përballuar situatat me përmbytjet e shkaktuara nga reshjet intensive.

Duke folur për situatën e përmbytjeve në vend, Vengu u shpreh se, është momenti për të garantuar angazhim të plotë në terren, ashtu siç është bërë gjatë gjithë këtyre ditëve, dhe se ky angazhim do të vijojë edhe në ditët në vijim.

Sipas tij, Forcat e Armatosura kanë dislokuar rreth 500 efektivë në terren, nga Shkodra, Lezha, Kurbini dhe Durrësi, ku është përqendrimi më i madh i forcave.

Rreth gjysma e këtij kontingjenti ndodhet aktualisht në Durrës dhe Shijak, si dhe në Katund të Ri dhe Sukth, ku vijojnë evakuimet dhe tërheqja e ujërave.

Forcat e Armatosura po vijojnë gjithashtu mbështetjen për Fierin dhe Vlorën, veçanërisht në zonën e grykëderdhjes së Vjosës, ku vërshimet masive të ditëve të fundit, përfshirë prurjet e shtuara nga Greqia, kanë krijuar situatë të vështirë. Për pasojë, janë kryer evakuime në fshatrat Ferras, Fitore, Bishan dhe Novoselë.

Aktualisht, sipas ministrit, janë rreth 50 banorë të evakuuar në bashkitë Fier dhe Vlorë.

Në total, numri i personave të evakuuar në rang vendi është rreth 500, të cilët janë akomoduar në shtëpitë e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës, në struktura të Ministrisë së Brendshme, si dhe në struktura hoteliere.

Vengu theksoi se strukturat do të vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë, pasi pritet përkeqësim i kushteve atmosferike, veçanërisht për shkak të erërave të forta në bregdet.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që në zonat bregdetare nga Durrësi deri në Vlorë të respektojnë kufizimet e lëvizjes, të shmangin qarkullimin me mjete dhe të qëndrojnë pranë banesave, me qëllim shmangien e aksidenteve.

Sa i përket shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, ministri u shpreh se, pavarësisht mënyrës se si klasifikohet ajo, në nivel bashkiak, rajonal apo kombëtar, Forcat e Armatosura do të vijojnë të kryejnë detyrën e tyre me gatishmëri maksimale në terren, si dhe në procesin e konstatimit të dëmeve.

Ai shtoi se strukturat bashkiake do të angazhohen në vlerësimin e dëmeve, ndërsa, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, po përgatitet një paketë e konsiderueshme dëmshpërblimesh, si për sektorin bujqësor, ashtu edhe për banesat e dëmtuara.

Ministri bëri me dije se nesër, në orët e para të mëngjesit, do të zhvillohet një mbledhje e Emergjencave Civile Kombëtare, nën drejtimin e Kryeministrit, ku do të vlerësohen parametrat në mbarë vendin dhe përqendrimi i forcave për ditët në vijim, për shkak të situatës dinamike.

Ai theksoi se të shtunën priten reshje në të gjithë basenin e Vjosës, ndërsa menaxhimi i Kaskadës së Drinit do të vijojë të kryhet sipas protokolleve të përcaktuara. /j.p/

The post Vengu: 500 efektivë të FA të angazhuar në përballimin e problemeve nga reshjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në magazinat e tregut te “5 Maji” drejt shuarjes

8 January 2026 at 22:55

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Zjarri masiv që përfshiu mbrëmjen e sotme magazinat e tregut të rrobave të përdorura në rrugën “5 Maji” në Tiranë është drejt shuarjes.

Shërbimi zjarrfikës aktualisht po vijon punën intensive për eliminimin e të gjitha vatrave më të vogla.

Për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit, për shuarjen e tyre u angazhuan edhe zjarrfikëset e qyteteve të Vorës dhe Elbasanit, si dhe forcat e ushtrisë.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anduela Ristani konfirmoi nga vendngjarja se zjarri u përhap në dy kapanone por nuk pati rrezik për zonat e banuara përreth.

Prefekti i Tiranës, Afrim Qendro, bëri të ditur se ndërhyrja ishte vështirë për shkak të sipërfaqes së gjerë dhe materialeve të djegshme që ndodheshin në magazina, ndërsa në operacion u angazhuan rreth 60 forca zjarrfikëse.

Në vendngjarje ishin të pranishme edhe forca të shumta policie, të cilat vendosën një perimetër sigurie, ndërsa situata u monitorua në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat e emergjencave civile.

Edhe Ministria e Mbrojtjes dislokoi dy automjete zjarrfikëse dhe forca shtesë nga reparti i Zall-Herrit, për të mbështetur përpjekjet e forcave civile në terren.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonën për të mos penguar ndërhyrjen e mjeteve të emergjencës.

Paraprakisht u raportua se nuk ka persona të lënduar, ndërsa dyshohet se ka dëme të mëdha materiale.

Ende nuk është i qartë shkaku i zjarrit. /j.p/

The post Zjarri në magazinat e tregut te “5 Maji” drejt shuarjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 8 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Protesta të mëdha antiqeveritare në Teheran dhe qytete të tjera iraniane

8 January 2026 at 22:56

TEHERAN, 8 janar /ATSH/- Videot e postuara në mediet sociale tregojnë turma të mëdha protestuesish që marshojnë nëpër Teheran dhe qytete të tjera iraniane – në atë që thuhet të jetë shfaqja më e madhe e forcës nga kundërshtarët e establishmentit klerikal ndër vite, sipas BBC.

Protestat në Teheran dhe qytetin e dytë më të madh të Iranit, Mashhad, mund të shihen në pamjet e verifikuara nga “BBC Persian”, të cilat tregojnë demonstrata paqësore që nuk u shpërndanë nga forcat e sigurisë.

Dje u raportuan përleshje të dhunshme në një numër qytetesh.

Turmat në Mashhad bënë thirrje për rrëzimin e Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, dhe kthimin e Reza Pahlavi, djalit në mërgim të ish-monarkut të ndjerë, i cili i kishte nxitur mbështetësit e tij të dilnin në rrugë.

“Kjo është dita e 12-të radhazi e trazirave në Iran, të cilat kanë përfshirë protesta në 140 qytete dhe qyteza në të gjitha 31 provincat”, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me qendër në SHBA.

HRANA raportoi se të paktën 34 protestues dhe shtatë punonjës nga personeli i sigurisë janë vrarë gjatë trazirave dhe se 2 270 protestues janë arrestuar.

Një grup tjetër aktivistësh, “Iran Human Rights” me qendër në Norvegji, tha se të paktën 45 protestues, përfshirë tetë fëmijë, janë vrarë nga forcat e sigurisë.

“BBC Persian” ka konfirmuar vdekjen dhe identitetin e 21 personave, ndërsa autoritetet iraniane kanë raportuar vdekjen e pesë punonjësve nga personeli i sigurisë.

Protestat filluan më 28 dhjetor, kur shitësit e dyqaneve dolën në rrugët e kryeqytetit, Teheran, për të shprehur zemërimin e tyre për një rënie tjetër të ndjeshme të vlerës së monedhës iraniane, rialit, kundrejt dollarit amerikan në tregun e hapur.

Riali ka rënë në një nivel të ulët gjatë rekord vitin e kaluar dhe inflacioni është rritur në 40%, ndërsa sanksionet ndaj programit bërthamor të Iranit “shtrydhin” ekonominë e dobësuar nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni i qeverisë.

Studentët e universitetit iu bashkuan protestave, të cilat filluan të përhapeshin në qytete të tjera, me turma që dëgjoheshin shpesh duke brohoritur slogane kundër establishmentit klerikal. //a.i/

The post FOKUS – Protesta të mëdha antiqeveritare në Teheran dhe qytete të tjera iraniane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Falimentimet e kompanive arrijnë nivelin rekord të 2005-ës

8 January 2026 at 22:54

BERLIN, 8 janar /ATSH-AA/ – Falimentimet e bizneseve në Gjermani arritën në 17.605 vitin e kaluar, niveli më i lartë që nga viti 2005, duke ndikuar në rreth 170 mijë vende pune.

Sipas një raporti nga Instituti Halle për Kërkime Ekonomike (IWH), kërkesat për falimentim nga kompanitë dhe partneritetet në Gjermani arritën në 1.519 raste, duke u rritën me 17 për qind në dhjetor krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.

Raporti theksoi se numri i falimentimeve në dhjetor ishte 75 për qind më i lartë se mesatarja e muajit dhjetor në vitet 2016–2019, para pandemisë COVID-19.

Instituti tha se edhe gjatë krizës globale financiare të vitit 2009, kjo shifër ishte rreth 5 për qind më e ulët.

Ekonomia gjermane mbetet e brishtë për shkak të dobësisë së vazhdueshme në sektorin e prodhimit, i cili luan një rol më të madh sesa në vendet e tjera të rajonit.

Ekonomia e vendit u tkurr me 0,2 për qind në tremujorin e dytë, pas një rritjeje prej 0,3 për qind në tremujorin e parë.

Ekonomia e shmangu ngushtë hyrjen në një recesion teknik në tremujorin e tretë të vitit, me shifra rritjeje të raportuara në 0 për qind.

Kostot e larta të energjisë, porositë e dobëta globale dhe tarifat e larta amerikane po ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit.   /os/

The post GJERMANI – Falimentimet e kompanive arrijnë nivelin rekord të 2005-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Starmer: Londra mbështet Danimarkën në mbrojtjen e Groenlandës

8 January 2026 at 22:43

LONDËR, 8 janar /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik, Keir Starmer përsëriti qëndrimin e tij për Groenlandën gjatë një bisede telefonike sot me kryeministren daneze, Mette Frederiksen – mes kërcënimeve të vazhdueshme nga Uashingtoni për të marrë kontrollin e ishullit.

Starmer tha se Londra mbështeste Danimarkën në mbrojtjen e Groenlandës pas deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump për ta aneksuar.

Zyrtarët amerikanë thanë se mund të përdorin “mjete ushtarake” për të marrë kontrollin e territorit gjysmë-autonom danez, të cilin presidenti Trump pretendon se është jetik për sigurinë kombëtare.

Starmer tha se e ardhmja e Groenlandës duhej të vendosej nga populli i territorit dhe Danimarka.

Pas një bisede telefonike dje me presidentin Trump, Starmer tha se diskutimi kishte qenë “pozitiv” dhe “miqësor”.

“Megjithëse aleatët evropianë kanë rritur angazhimin e tyre në muajt e fundit për të mbrojtur interesat euroatlantike, mund të bëhet më shumë për të mbrojtur zonën”, tha kryeministri britanik.

Gjithashtu, Starmer zhvilloi një bisedë telefonike këtë pasdite me shefin e NATO-s, Mark Rutte.

Udhëheqësit ranë dakord mbi rëndësinë e pengimit të agresionit rus në Veriun e Epërm dhe se NATO duhej të ndërhynte në Groenlandë për të mbrojtur interesat euroatlantike.

Këtë javë, Britania e Madhe dhe aleatët evropianë u zotuan se nuk do të ndalonin së mbrojturi integritetin territorial të Groenlandës, në një deklaratë të përbashkët që shihet si një mesazh për SHBA-në.

Ndërkohë, Starmer është përballur me thirrje për të parandaluar SHBA-në të përdorë bazat britanike për të kryer një sulm ndaj Groenlandës. //a.i/

The post BM – Starmer: Londra mbështet Danimarkën në mbrojtjen e Groenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon monitorimi i situatës së reshjeve në Shkodër, vlerësimi i dëmeve në mënyrë të koordinuar

8 January 2026 at 22:34

TIRANËM 8 janar/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur sot se situata e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa strukturat përgjegjëse janë angazhuar në terren për menaxhimin e emergjencës dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.

Salla mblodhi Shtabin e Emergjencave Civile në ambientet e Prefekturës së Shkodrës, ku u analizua situata aktuale në zonat e prekura, prurjet ujore dhe ndërhyrjet e kryera deri më tani nga strukturat e emergjencave civile dhe pushteti vendor.

Sipas ministrit, prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve. Ai theksoi se të gjitha institucionet janë në gatishmëri të plotë për ndërhyrje sipas nevojës dhe se procesi i vlerësimit të dëmeve do të kryhet në mënyrë të koordinuar, për të garantuar mbështetje sa më të shpejtë për familjet dhe subjektet e dëmtuara. /j.p/

 

The post Vijon monitorimi i situatës së reshjeve në Shkodër, vlerësimi i dëmeve në mënyrë të koordinuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: Dy zjarrfikëse dhe 12 efektivë për fikjen e zjarrit te “5 Maji”

8 January 2026 at 22:30

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi se dy automjete zjarrfikëse dhe 12 efektivë nga Komanda e Forcës Tokësore kanë mbërritur për të ndërhyrë në zjarrin që ka përfshirë magazinat e tregut në zonën “5 Maji” në Tiranë.

Zjarri masiv që shpërtheu pasditen e sotme, është përhapur edhe në kapanonin e dytë, por situata mbetet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara përreth.

Në operacionin e shuarjes janë angazhuar rreth 60 forca zjarrfikëse, të cilat po punojnë intensivisht për neutralizimin e të gjitha vatrave aktive.

Ndërhyrja po vijon në kushte të vështira për shkak të sipërfaqes së gjerë të zonës dhe materialeve të djegshme në magazina.

Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse të emergjencave civile, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonën për të mos penguar lëvizjen dhe ndërhyrjen e mjeteve të emergjencës.

1 nga 4

/gj.m/j.p/

 

The post MM: Dy zjarrfikëse dhe 12 efektivë për fikjen e zjarrit te “5 Maji” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Argjinatura e Ferrasit nuk është çarë, përmbytja e banesave si pasojë e nivelit të lartë të ujit

8 January 2026 at 22:27


TIRANË, 8 janar/ATSH/ Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi sot se argjinatura e Ferrasit nuk është dëmtuar, dhe përmbytja e disa banesave ka ndodhur si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, jo për shkak të një çarjeje të argjinaturës.

Balluku bëri të ditur se në pikën e matjes që po përdoret aktualisht në Memaliaj niveli i ujit është 5,3 metra nga 8 metra që ishte në mëngjes, çka tregon për një rënie të qëndrueshme.

Balluku informoi edhe se ekipet e Emergjencave kanë ndërhyrë duke evakuuar banorët e rrezikuar, ndërsa po punohet në terren për normalizimin e situatës.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, theksoi se argjinatura është e qëndrueshme dhe me uljen e prurjeve edhe në grykderdhjen e Vjosës situata pritet të shkojë drejt përmirësimit.

Sipas tij, hidrovoret deri në Darëzezë janë në kapacitet të plotë dhe po përdoren për të krijuar rezerve në kanalet kulluese.

Sa i përket evakuimit të banorëve, ministri tha se janë krijuar akomodime edhe në Fier dhe Vlorë, në struktura shtetërore dhe hoteliere.

Sipas Vengut, janë evakuuar 20 persona në Bishan dhe 15 familje në Ferras.
Banorët e evakuuar janë strehuar në konvikte të gatshme.

Ndërkohë, një pjesë e banorëve kanë qëndruar në banesat e papërmbytura të zonës, afër banesave të tyre.

Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi, bëri të ditur se në orët në vijim pritet përmirësimi i situatës. /j.p/

The post Balluku: Argjinatura e Ferrasit nuk është çarë, përmbytja e banesave si pasojë e nivelit të lartë të ujit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri masiv në tregun te “5 Maji”, Ristani: Flakët nën kontroll, nuk rrezikohen banesat

8 January 2026 at 22:26

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Nënkryetarja e  Bashkisë së Tiranës, Anduela Ristani informoi mbrëmjen e sotme se zjarri që ka përfshirë pasditen e sotme magazinat e tregut në Tiranë tek zona “5 Maji” është përhapur edhe në kapanonin e dytë.

Ajo gjithsesi theksoi se, situata është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara përreth.

“Zjarri është përhapur për shkak të materialeve të shumta që ndodheshin brenda magazinave. Flakët kanë kaluar edhe në kapanonin e dytë, por nuk ka asnjë rrezik për përhapjen e tij drejt qendrave të banuara. Jemi duke punuar për ta eliminuar plotësisht zjarrin”, u shpreh Ristani për mediat.

Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë angazhuar rreth 60 forca zjarrfikëse, të cilat po punojnë intensivisht për neutralizimin e të gjitha vatrave aktive.

Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonën për të mos penguar ndërhyrjen e mjeteve të emergjencës.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anduela Ristani, foto: Andrin Hoxha
1 nga 14

/gj.m/j.p/

The post Zjarri masiv në tregun te “5 Maji”, Ristani: Flakët nën kontroll, nuk rrezikohen banesat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSHEE, në gatishmëri për të riparuar çdo defekt nga moti i keq

8 January 2026 at 22:30

TIRANËM 8 janar/ATSH/ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka vendosur të gjitha strukturat në gatishmëri të plotë për riparimin e çdo defekti të mundshëm në rrjetin elektrik, si pasojë e stuhisë së dëborës që ka përfshirë disa zona të vendit, nga Kukësi në Përrenjas dhe nga Librazhdi në Skrapar.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se punonjësit e OSHEE po punojnë pa ndërprerje në terren, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, për të garantuar furnizimin normal me energji elektrike për qytetarët.

Ekipet teknike janë të shpërndara në zonat më të prekura nga reshjet e dëborës dhe era e fortë, duke ndërhyrë menjëherë në çdo rast avarie për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë.

Paralelisht, OSHEE ka vënë në funksion të plotë edhe shërbimin 24-orësh të Call Center-it, ku qytetarët mund të kontaktojnë përmes numrit 042 274 141, për të raportuar problematika apo për t’u informuar mbi situatën e furnizimit me energji elektrike. /j.p/

The post OSHEE, në gatishmëri për të riparuar çdo defekt nga moti i keq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu në Durrës: Rreth 800 banorë të evakuuar nga përmbytjet, 300 në struktura pritëse

8 January 2026 at 22:45

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Rreth 800 banorë nga zonat e prekura nga përmbytjet në Durrës, Sukth dhe Katund të Ri janë evakuuar si masë sigurie, ndërsa 300 prej tyre po akomodohen përkohësisht në struktura pritëse shtetërore dhe private, deri në normalizimin e plotë të situatës.

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, bëri të ditur se qytetarët e evakuuar janë sistemuar në strukturat e Konveleshencës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe në kapacitete akomoduese private.

Ndërkohë, pjesa tjetër e banorëve të evakuuar është strehuar pranë familjarëve të tyre.

“Strukturat janë në terren prej më shumë se 72 orësh, duke punuar pa ndërprerje për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për menaxhimin e situatës së krijuar nga përmbytjet”, u shpreh Koçiu.

Ministrja shprehu mirënjohjen për të gjitha strukturat e angazhuara, si dhe për vullnetarët që kanë kontribuar maksimalisht në ndihmë të banorëve të prekur, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe humanizmit në përballimin e emergjencave natyrore.

/gj.m/j.p/

The post Koçiu në Durrës: Rreth 800 banorë të evakuuar nga përmbytjet, 300 në struktura pritëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PDK-ja kërkon shfuqizimin e mijëra votave me postë

8 January 2026 at 22:03

PRISHTINE, 8 janar/ATSH/ Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar zyrtarisht shfuqizimin e rreth 20.000 votave të dërguara në vend përmes postës nga mërgata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke u thirrur në shkelje ligjore.

PDK – e cila doli e dyta në zgjedhje – parashtroi ankesë në Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të enjten.

Ajo tha se mbi 20.000 fletëvotime ishin dërguar me postë nga jashtë vendit me vonesë, pas afatit të lejuar ligjor.

Ditë më parë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tregoi për Radion Evropa e Lirë se komisioni – i cili mbikëqyr procesin zgjedhor në vend – i kishte pranuar rreth 20.000 fletëvotime të dërguara me postë nga mërgata në fillim të janarit.

“Janë rreth 20 mijë pako me fletëvotime të tërhequra më 2 dhe 5 janar që pritet të numërohen së shpejti”, tha Elezi më 5 janar.

Sipas Ligjit të Kosovës për Zgjedhjet, fletëvotimet e dërguara me postë nga jashtë vendit mund të pranohen nga KQZ-ja më së largu një ditë pas zgjedhjeve.

Neni 96 thotë se “vota përmes votimit jashtë Kosovës, e dërguar me postë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, pranohet nga KQZ-ja deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00, me kusht që të ketë vulën e dërgimit para ditës së zgjedhjeve”.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, shkroi të enjten në Facebook se propozimi për pranimin e fletëvotimeve pas afatit u miratua në KQZ “me vetëdije se po bëhej shkelje ligjore, edhe pse kjo u arsyetua me qëllimin që të mos keqkuptohej se jemi kundër mërgatës”.

“Prandaj, organet kompetente duhet të vendosin në mënyrë meritore lidhur me vendimin e KQZ-së për pranimin e fletëvotimeve jashtë afatit ligjor”, shkroi Gashi.

Por, Alban Krasniqi – anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, e cila i fitoi bindshëm zgjedhjet përfshirë edhe votat me postë – e akuzoi PDK-në për ankesë të “turpshme” kundër mërgatës.

“Vetë e votuan në KQZ procedurën dhe afatet, e tash kur mërgata u vetorganizua dhe arriti të sjellë fletëvotimet nga gjithandej globit, këtyre u djeg ky fakt duke harruar që humbjen nuk e kanë nga mërgata, e as nga votuesit në Kosovë, por nga sjellja, veprimet dhe vendimet e dëmshme të vet PDK-së”, shkroi Krasniqi në Facebook të enjten.

Rreth 51.000 qytetarë të Kosovës në mërgatë ishin regjistruar për të votuar përmes postës në këto zgjedhje.

Kur janë numëruar rreth 80 për qind të votave me postë, Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti i ka fituar 30.671 vota, ndërsa PDK-ja vetëm 4.335 vota.

Para fillimit të numërimit të votave me postë, PDK-ja ishte në rrugë për t’i fituar 23 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por tani ajo ka humbur një ulëse.

Vetëvendosje, ndërkohë, ka fituar 57 ulëse dhe Kurti pritet ta themelojë qeverinë e re të vendit sapo të verifikohen rezultatet e zgjedhjeve.

KQZ-ja njoftoi të enjten vonë se është buzë përfundimit të numërimit të votave me postë, të fundit, para shpalljes së rezultateve përfundimtare dhe verifikimit të tyre.

“Ka filluar numërimi i pjesës së fundit fletëvotime, mbi 3 mijë, që gjatë ditës janë sjellur në Kosovë”, tha KQZ-ja në Facebook. /rel/

The post PDK-ja kërkon shfuqizimin e mijëra votave me postë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky paralajmëron për sulme të mëdha ruse

8 January 2026 at 20:25

KIEV, 8 janar /ATSH-DPA/- Ukraina po përgatitet për sulme të intensifikuara ajrore ruse ndërsa një valë e të ftohtit ka përfshirë vendin, tha sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Ka informacione se mund të ketë një tjetër sulm masiv rus sonte”, paralajmëroi Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm nga Kievi, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të dëgjojnë sirenat e sulmeve ajrore dhe të kërkojnë strehim.

Zelensky tha se Rusia po i jep përparësi luftës dimërore mbi diplomacinë, duke synuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës me raketa balistike në vend që të angazhohet në përpjekjet e paqes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Temperaturat në të gjithë Ukrainën pritet të bien nën zero grade Celsius nga e premtja, me parashikime prej minus 10 gradë Celsius në Kiev dhe rajonet veriore.

I ftohti po rrit presionin mbi sistemet e energjisë elektrike, ngrohjes dhe ujit tashmë të dëmtuara.

“Rajoni i Dnipropetrovskut pësoi sot ndërprerjen më të madhe të energjisë në gati katër vjet luftë pas sulmeve ruse herët”, tha Zelensky.

Ai shtoi se kishte diskutuar me kryeministren Yulia Svyrydenko mundësinë e kufizimit të operacioneve në shkolla, zyra dhe objekte jo-thelbësore gjatë dy javëve të ardhshme. //a.i/

The post KIEV – Zelensky paralajmëron për sulme të mëdha ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha: Rruga Përmet-Çarshovë, e bllokuar për shkak të dëmtimit të karrexhatës

8 January 2026 at 20:25

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Qarkullimi i automjeteve është ndaluar në rrugën Përmet-Çarshovë, pranë vendit të quajtur “Ura e Petranit”, për shkak të çarjes së karrexhatës si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Kryetarja e Bashkisë Përmet, Alma Hoxha, bëri të ditur për ATSH-në se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

“Në terren ndodhen strukturat e Policisë së Shtetit, Emergjencave Civile dhe të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), të cilat po punojnë për menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjen për rikthimin e normalitetit në këtë segment rrugor”, tha ajo.

Hoxha u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që të shmangin kalimin në këtë rrugë deri në njoftim të mëtejshëm dhe të ndjekin informacionet zyrtare për zhvillimet.

Ky aks rrugor lidh dy njësi administrative të bashkisë Përmet, Petranin dhe Çarshovën, dhe ka rëndësi të veçantë pasi siguron lidhjen e Përmetit me Korçën. /j.p/

The post Hoxha: Rruga Përmet-Çarshovë, e bllokuar për shkak të dëmtimit të karrexhatës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshjet intensive, Sako: 1314 banesa janë verifikuar për dëmet në Durrës

8 January 2026 at 20:15

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, theksoi sot se, situata në territorin e Bashkisë Durrës vijon të jetë e vështirë si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit.

Sako nënvizon se, të gjitha strukturat e bashkisë janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për përballimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Kryebashkiakja u shpreh se, grupet e specialistëve të bashkisë Durrës po vijojnë paralelisht verifikimin dhe evidentimin e dëmeve në të gjitha zonat ku kushtet e terrenit e lejojnë.

Sako nënvizoi se, deri më tani janë verifikuar 1,314 banesa në të gjithë territorin, ndërsa për 527 prej tyre janë mbajtur aktet përkatëse të konstatimit të dëmeve.

Kryebashkiakja e Durrësit thekson se, procesi i evidentimit të dëmeve vazhdon dhe se bashkia mbetet në gatishmëri të plotë për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur.

/gj.m/j.p/

The post Reshjet intensive, Sako: 1314 banesa janë verifikuar për dëmet në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapësira e braktisur buzë Parkut të Artit në Kinostudio do të kthehet në kinema verore

8 January 2026 at 20:09

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) po ndërmerr një nismë të re kulturore që synon rigjallërimin e një hapësire të lënë pas dore prej më shumë se 25 vitesh, duke e shndërruar atë në Kinema Verore “Drita”.

Hapësira, e mbuluar prej vitesh nga ferra dhe e shoqëruar me problematika të shumta infrastrukturore, do të marrë jetë si një qendër e hapur kulturore me shfaqje filmash dhe vepra arti, duke ofruar një qasje të re shprese, bashkëpunimi dhe dashamirësie për komunitetin.

Kinema Verore “Drita” do të pozicionohet buzë Parkut të Artit në Kinostudio, pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, duke synuar të kthehet në një pikë referimi për artin, kujtesën filmike dhe jetën kulturore gjatë muajve të verës.

Nisma është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të AQSHF-së për të hapur arkivin drejt publikut dhe për të krijuar hapësira të reja dialogu mes trashëgimisë filmike dhe qytetarëve.

/gj.m/

The post Hapësira e braktisur buzë Parkut të Artit në Kinostudio do të kthehet në kinema verore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonzato takon Papajorgjin: Gjykata Kushtetuese, rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve

8 January 2026 at 20:07

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka takuar sot kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji.

Në takim Gonzato rikonfirmoi mbështetjen e BE-së për sundimin e ligjit në Shqipëri duke theksuar rolin kyç të Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë.

Gonzato vuri në dukje se Gjykata Kushtetuese ka arritur një nivel të qëndrueshmërisë dhe funksionimi, me dy vende të lira që pritet të plotësohen shumë shpejt, duke ruajtur cilësinë, transparencën dhe pavarësinë si institucioni më i lartë i drejtësisë në vend.

Në këtë takim, ambasadori konfirmoi gjithashtu planet për të përfshirë gjykatën në projektet e ardhshme të BE-së dhe për të mbështetur përpjekjet e saj për harmonizimin e praktikës gjyqësore shqiptare me të drejtën e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, bashkëpunimi me të gjithë sistemin gjyqësor është thelbësor për integrimin evropian, ku Gjykata Kushtetuese mbetet një partner kyç.

/gj.m/j.p/

The post Gonzato takon Papajorgjin: Gjykata Kushtetuese, rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet për qarkullim segmenti Shalë-Theth

8 January 2026 at 20:03

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Pas ndërhyrjeve intensive të kryera gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, tashmë është i mundur kalimi nga Guri i Mashës, njësia administrative Pult, deri në Theth, njësia administrative Shalë, në zonën e Dukagjinit.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci informoi se pastrimi i këtij segmenti rrugor është përfunduar, në një gjatësi prej rreth 32 km, ku janë angazhuar dy fadroma, duke rikthyer qarkullimin normal.

Rruga u bë e pakalueshme për shkak të inerteve të sjella nga reshjet intensive të ditëve të fundit.

Kryebashkiaku Beci, gjithashtu, bëri të ditur se nga dita e nesërme do të vijojnë ndërhyrjet edhe në degëzimin e fshatit Marknonaj, me shtimin e mjeteve të rënda në terren, për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të aksit rrugor.

Punimet do të vazhdojnë deri në stabilizimin e plotë të situatës. /j.p/

The post Hapet për qarkullim segmenti Shalë-Theth appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEKNOLOGJI – IWF akuzon Grok se ka krijuar imazhe abuzimi me fëmijët

8 January 2026 at 19:51

Një grup britanik për mbrojtjen e fëmijëve ka paralajmëruar se mjetet e inteligjencës artificiale në pronësi të Elon Musk po përdoren për të gjeneruar imazhe seksuale të paligjshme të fëmijëve, pasi hetuesit identifikuan materiale që dyshohet se janë krijuar me funksionin “Grok Imagine” që qarkullojnë në forumet e internetit.

Fondacioni Internet Watch (IWF) tha të mërkurën se analistët e saj gjetën imazhe të seksualizuara të vajzave të moshës nga 11 deri në 13 vjeç që plotësojnë përkufizimin ligjor të Mbretërisë së Bashkuar të materialit të abuzimit seksual të fëmijëve dhe duket se janë gjeneruar duke përdorur mjetin e inteligjencës artificiale.

“Mjete si Grok tani rrezikojnë të sjellin imazhe seksuale të inteligjencës artificiale të fëmijëve në rrjedhën kryesore. Kjo është e papranueshme”, tha Ngaire Alexander, kreu i linjës telefonike të IWF-së.

Gjetjet kanë intensifikuar presionin politik në Mbretërinë e Bashkuar.

Të mërkurën, Komiteti i Grave dhe Barazisë i Dhomës së Ulët tha se do të ndalonte përdorimin e platformës sociale X në pronësi të Musk, duke përmendur shqetësime për keqpërdorimin e Grok.

Downing Street tha se “të gjitha opsionet janë në tryezë”, ndërsa Liz Kendall, sekretarja e Shkencës, tha se “X duhet të merret me këtë urgjentisht”.

Kendall shtoi se qeveria mbështet Ofcom, rregullatorin e komunikimeve në Mbretërinë e Bashkuar, që “ta shqyrtojë këtë si çështje urgjente” dhe të ndërmarrë veprime aty ku shkelen ligjet.

Zyra e Komisarit të Informacionit tha se kishte kontaktuar X dhe pronarin e saj xAI “për të kërkuar sqarime mbi masat që ata kanë në vend për t’u përmbajtur ligjit të mbrojtjes së të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar dhe për të mbrojtur të drejtat e individëve”.

X tha se heq përmbajtjen e paligjshme, duke përfshirë materialet e abuzimit seksual të fëmijëve, pezullon llogaritë ofenduese dhe bashkëpunon me zbatimin e ligjit.   /os/

The post TEKNOLOGJI – IWF akuzon Grok se ka krijuar imazhe abuzimi me fëmijët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarr masiv në magazinat e tregut të rrobave tek “5 maji”

8 January 2026 at 19:47

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Flakë masive kanë përfshirë mbrëmjen e sotme tregun e rrobave të përdorura që ndodhet pranë rrugës 5 Maji në Tiranë.

Forca të shumta zjarrfikëse janë nisur drejt vendngjarjes, për të shuar flakët.

Paraprakisht mësohet se nuk ka persona të lënduar, ndërsa dyshohet se ka dëme të mëdha materiale.

Ende nuk është i qartë shkaku i zjarrit.

/gj.m/j.p/

The post Zjarr masiv në magazinat e tregut të rrobave tek “5 maji” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌