Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 December 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

BERLIN – Pistorius: Shkeljet në repartin elitar ushtarak gjerman janë tronditëse

30 December 2025 at 22:57

BERLIN, 30 dhjetor /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius dënoi ashpër sot një sërë shkeljesh të rënda disiplinore të zbuluara në një nga regjimentet elitare të parashutistëve të vendit.

”Rastet e raportuara të ekstremizmit të djathtë, sjelljeve seksuale të papërshtatshme dhe përdorimit të drogës në Zweibrucken janë tronditëse”, tha Pistorius.

Sipas tij, këto veprime bien në kundërshtim të hapur me vlerat themelore të Bundeswehr-it, Forcave të Armatosura të Gjermanisë.

Ushtria njoftoi se ka shkarkuar disa ushtarë pas hetimeve për Regjimentin e Parashutistëve 26, i vendosur në qytetin Zweibrucken, në landin perëndimor Rheinland-Pfalz, dhe ka paralajmëruar masa të tjera.

Ndërkohë, prokuroria po heton 19 ushtarë.

Megjithatë, Pistorius shprehu pakënaqësi me mënyrën se si udhëheqja lokale ushtarake reagoi fillimisht ndaj rasteve të raportuara.

Edhe pse hetimi u nis menjëherë dhe çështja u sqarua plotësisht me pasoja të rënda, sipas tij pati mangësi.

”Ajo që është e papranueshme është fakti se sjelljet e gabuara duket se nuk u njohën menjëherë si të tilla në terren dhe për këtë arsye nuk u ndoqën me konsistencën e nevojshme. Kjo duhet të përjashtohet”, tha Pistorius.

Ministri falënderoi Inspektorin e Ushtrisë, gjenerallejtnant Christian Freuding, për ndërmarrjen e menjëhershme të masave për të parandaluar vazhdimin e shkeljeve.

“Freuding do t’i përmbledhë këto masa në një plan veprimi për forcat ajrore-desantuese dhe do të sigurojë zbatimin e tyre”, shtoi Pistorius.

‘Prioriteti im tani është, së pari, të sigurohem që incidentet individuale të vazhdojnë të hetohen plotësisht; së dyti, nëse akuzat e tjera konfirmohen, që rastet të ndëshkohen me të gjithë forcën e ligjit dhe së treti, të rikthehet besimi te udhëheqja ushtarake në terren”, përfundoi ministri./ /Ad.Ab./

The post BERLIN – Pistorius: Shkeljet në repartin elitar ushtarak gjerman janë tronditëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lahuta “stolis” kalanë e Shkodrës

30 December 2025 at 22:44

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Kalaja e Rozafës, një prej dëshmive më tërheqëse të historisë shqiptare, këtë fundvit ndriçon më shumë.

Përveç dritave shumëngjyrëshe që e rrethojnë atë, në qiell ndrit lahuta shqiptare tashmë pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga lahuta, e cila ka stolisur Kalanë e Shkodrës, që këto ditë të fundit të vitit pret vizitorë vendas dhe të huaj, që shijojnë mbrëmjet mes historisë dhe panoramës që ajo ofron mbi qytet.

Një nga thesaret më të çmuara të identitetit tonë kulturor, arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës u shpall më 9 dhjetor të këtij viti pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s.

Arti i të kënduarit, të luajturit dhe bërja e lahutës përfaqësojnë një element thelbësore të identitetit në hapësirën shqiptare rurale të kultivuar ndër shekuj në krahinat veriore dhe përtej që nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, Rugova, Drenica, Plava dhe Gucia. Eposi i Kreshnikëve dhe balada të traditës shqiptare veriore, në duart e lahutarit kanë shprehur në shekuj virtytet e trimërisë, qëndresës, nderit, besës dhe mikpritjes.

/k.s/a.f/r.e/

The post Lahuta “stolis” kalanë e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet krijimi i bazës së të dhënave të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë

30 December 2025 at 22:12

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë (SMIAL).

Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë institucioni administrues i bazës së të dhënave shtetërore SMIAL është Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Të dhënat e bazës shtetërore ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore. Ndërkohë që të dhënat parësore të SMIAL-it konsiderohen të dhënat e mbledhura nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Të dhënat dytësore të SMIAL-it konsiderohen të dhënat që merren nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, Regjistri Elektronik Kombëtar për të Huajt në Republikën e Shqipërisë, Regjistri Tregtar dhe nga Sistemi i Tatimit Elektronik.

Sistemi SMIAL ndërvepron me bazën e të dhënave shtetërore të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile; Sistemin e Provimit të Shtetit dhe provimeve të tjera të digjitalizuara; Regjistrin Elektronik Kombëtar për të Huajt në Republikën e Shqipërisë; Regjistrin Tregtar dhe Sistemin e Tatimit Elektronik.
Institucioni administrues siguron që përpunimi i të dhënave personale në SMIAL të kryhet në përputhje me parimet dhe kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar ligjshmërinë, drejtësinë, transparencën, minimizimin e të dhënave, saktësinë dhe ruajtjen e tyre, vetëm për periudhën e nevojshme për të përmbushur qëllimin e grumbullimit.
Pas përfundimit të afatit të përcaktuar të ruajtjes, të dhënat personale fshihen ose anonimizohen, sipas procedurave të miratuara nga institucioni administrues, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Organizimi e funksionimi i brendshëm i sistemit dhe i bazës së të dhënave të SMIAL-it përcaktohen e miratohen me rregullore të brendshme të institucionit administrues, në përputhje me parashikimet e ligjit “Për bazën e të dhënave shtetërore”.
Palët zbatojnë masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm ndaj rrezikut, për çdo veprim në regjistër lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin, përhapjen e të dhënave personale, me qëllim garantimin e gjurmueshmërisë, konfidencialitetit, integritetit, disponueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemeve e të shërbimeve të përpunimit.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Arsimit, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/k.s/r.e/a.f/

The post Miratohet krijimi i bazës së të dhënave të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tuneli ”Fehmarnbelt”, megaprojekti 18 kilometra nën Baltik

30 December 2025 at 22:12

KOPENHAGË, 30 dhjetor /ATSH/ – Një tunel masiv po ndërtohet nën detin Baltik duke premtuar të transformojë rrjetin e transportit në Evropë, sipas the “Independent”.

Projekti, që ka zgjatur për disa vjet dhe është më i madh se sa pritej, po kalon një moment kritik.

Tuneli ”Fehmarnbelt”, që pritet të hapet në 2029 do të shtrihet për 18 kilometrra midis Rodbyhavn në Danimarkë dhe Puttgarden në Gjermani.

”Kur të përfundojë, ai do të jetë tuneli më i gjatë nënujor në botë dhe kombinimi më i madh për rrugë dhe hekurudhë”, sipas kompanisë shtetërore daneze “Femern A/S”, që menaxhon projektin.

Ndryshe nga, tuneli i La Manshit, ”Fehmarnbelt” nuk po gërryhet përmes shkëmbit, por po ndërtohet me teknikën e zhytjes. Kjo përfshin prodhimin e elementeve të mëdha betoni, secili 217 metra i gjatë dhe rreth 73 000 tonë.

Pasi të jenë përfunduar, ato lundrojnë, zhyten në një gropë të përgatitur në fundin e detit dhe lidhen me saktësi të lartë.

Tuneli do të ketë dy linja hekurudhore të elektrizuara dhe një rrugë me dy korsi si dhe një korridor shërbimi për mirëmbajtje dhe emergjenca.

Ai pritet të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit midis Kopenhagës dhe Hamburgut, duke ulur udhëtimet hekurudhore nga 4,5 në 2,5 orë dhe udhëtimet me makinë për rreth një orë.

Ky projekt është pjesë e Rrjetit të Transportit Trans-Evropian (TEN-T) dhe mbështet qëllimet e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, duke zëvendësuar tragetin aktual prej 45 minutash me një lidhje hekurudhore 7-minutëshe dhe një rrugë 10-minutëshe.

Ky projekt madhor punëson aktualisht deri në 2 500 persona dhe financohet përmes kredive të garantuara nga qeveria daneze, të cilat do të shlyhen me tarifat e përdoruesve./ /Ad.Ab./

The post FOKUS – Tuneli ”Fehmarnbelt”, megaprojekti 18 kilometra nën Baltik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përcaktohen kriteret dhe procedurat për financimin e aktiviteteve sportive ndërkombëtare në Shqipëri

30 December 2025 at 22:02

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin që përcakton procedurat dhe kriteret për financimin e aktiviteteve sportive me karakter ndërkombëtar, të cilat kanë impakt social, kulturor, ekonomik dhe turistik, kur zhvillohen në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Sipas vendimit, për të përfituar financim, subjektet aplikante duhet të jenë të regjistruara ligjërisht, të kenë njohje zyrtare nga federatat ndërkombëtare përkatëse dhe të dëshmojnë eksperiencë dhe kapacitete organizative në organizimin e ngjarjeve sportive ndërkombëtare.

Aktivitetet e propozuara duhet gjithashtu të kenë ndikim të dukshëm ekonomik, turistik dhe mediatik, përfshirë numrin e pjesëmarrësve ndërkombëtarë, delegacioneve dhe ekspozimin ndërkombëtar të Republikës së Shqipërisë.

Procedurat e aplikimit parashikojnë paraqitjen e kërkesës gjatë gjithë vitit buxhetor pranë ministrisë përgjegjëse për sportin, duke përfshirë dokumentacion të detajuar për programin, planin teknik dhe financiar të aktivitetit. Një komision ad hoc vlerëson aplikimet dhe brenda 30 ditësh propozon miratimin ose mosmiratimin e financimit, ndërsa vendimi përfundimtar merret nga ministri përkatës.

Pas lidhjes së kontratës, pagesat realizohen sipas planit financiar dhe faturave të paraqitura nga subjekti aplikues, duke përfshirë edhe tarifat e pjesëmarrjes, kur parashikohen në kontratë. Për monitorimin e zbatimit të aktiviteteve ndërkombëtare ngrihet një grup monitorimi prej tre anëtarësh të caktuar nga ministri përgjegjës.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit është ngarkuar për zbatimin e tij.

Lexo të plotë vendimin

/m.q/a.f/

The post Përcaktohen kriteret dhe procedurat për financimin e aktiviteteve sportive ndërkombëtare në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria miraton dhënien e pensioneve speciale për artistë e sportistë të njohur

30 December 2025 at 22:00

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Qeveria miratoi sot vendimin për dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm për disa artistë e sportistë të njohur.

Ky vendim u miratua në mbështetje të ligjit  “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit.

Këshilli i Ministrave miratoi dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm për Agim Nuri Bajko, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Agustin Pjetër Kola, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Aishe Daut Stari, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Edra Kabil Alibegaj, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Kostandin Aleko Kamberi, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; Dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Kostandin Llazar Shkurti, në masën e dhjetëfishit të pensionit social.

Gjithashtu u miratua dhënia e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Kujtim Rexhep Vorpsi, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; Dhënia e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Leonard Sifi Toska, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; Dhënia e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Nikolin Luigj Gurakuqi, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; Dhënia e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Rapo Selman Tao, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; Dhënia e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Shegushe Hysni Bebeti, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Vasillaq Thoma Ruci, në masën e dhjetëfishit të pensionit social si dhe dhënia e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Virxhil Athanas Karaja, në masën e dhjetëfishit të pensionit social.

Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë dhe botohen në “Fletoren zyrtare”.

/k.s/a.f/r.e/

The post Qeveria miraton dhënien e pensioneve speciale për artistë e sportistë të njohur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria rrit kapitalin e Entit Kombëtar të Operimit Rrugor me 50 milionë lekë

30 December 2025 at 21:55

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar një shtesë në vendimin nr. 684, datë 6 nëntor 2024, për krijimin e shoqërisë aksionare “Enti Kombëtar i Operimit Rrugor” (EKORR), sh.a., një institucion i ri rregullator për menaxhimin dhe operimin e rrugëve në vend.

Sipas vendimit të qeverisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i shtohet fondi prej 50 milionë lekësh në programin “Transporti rrugor”, i cili do të përdoret për rritjen e kapitalit të EKORR, sh.a., me qëllim mbulimin e veprimtarisë operative të entit. Ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit për vitin 2025.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

/a.f/r.e/

The post Qeveria rrit kapitalin e Entit Kombëtar të Operimit Rrugor me 50 milionë lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Paraburgimi ka nevojë për ndërhyrje, nuk prekim thelbin e reformës në drejtësi

30 December 2025 at 21:49

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se reforma në drejtësi është një realitet i pakthyeshëm, por pranoi se sistemi i drejtësisë në Shqipëri vijon të ketë probleme serioze, të cilat kërkojnë reflektim dhe ndërhyrje.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e fundvitit të mbajtur në Kryeministri, Rama u shpreh se ligjet e reformës janë miratuar dhe funksionojnë, por kjo nuk do të thotë se drejtësia është pa probleme.

“Ligjet e reformës në drejtësi janë aty, reforma në drejtësi është aty. Por që drejtësia në Shqipëri ka probleme të mëdha, kjo nuk diskutohet”, u shpreh Kryeministri.

Ai theksoi se reforma ka vetëm dhjetë vite që është në zbatim dhe se kjo periudhë është shumë e shkurtër në raport me historinë e institucioneve shtetërore.

“Reforma 10 vjet ka, ndryshimet 10 vjet kanë. 10 vjet janë një hiç asgjë në historinë e një shteti dhe në historinë e një pushteti. E kam thënë dhe herë tjetër, pushteti ekzekutiv ka më shumë se 100 vjet, por pushteti ekzekutiv në Shqipëri nuk është i pakritikueshëm. Si mund të jenë të pakritikueshëm protagonistët e një pushteti që ka vetëm 10 vjet. Janë të kritikueshëm që çke me atë punë. Dhe kritikat janë të gjitha konstruktive”, tha Rama.

Ndërkohë, shtoi Rama, “çfarë i takon atyre, i takon atyre, nuk na takon ne, çfarë na takon ne nuk i takon atyre”.

Rama theksoi se, për paraburgimin sigurisht që ka nevojë për ndërhyrje.

“Shiheni çfarë thotë Këshilli i Evropës që është për definicion institucioni më i madh ndërkombëtar për liritë dhe të drejtat e njeriut. E pranoni ju këtë, ju duket bukur ju kjo, që Shqipëria të jetë e fundit fare në listë dhe të ketë vetëm Rusinë mbrapa për brutalitet dhe vrazhdësi?!”, iu drejtua Rama gazetarëve.

Duke përmendur rastin e një vrasjeje në burgun e Peqinit, kur një prokuror futi në burg të gjithë rojat e burgut, Rama u shpreh se, “mentalitetet e vjetra, sëmundjet e vjetra pak gjë duan dhe zgjohen kur vjen puna tek mënyra si veprojnë shtetet që nuk janë akoma të konsoliduara”.

Por, shtoi Rama, “një gjë është e sigurt, ne nuk prekim thelbin në asnjë rast dhe për asnjë arsye. Thelbi është që ne jemi këtu për ta garantuar këtë proces, procesin e luftës së pavarur nga pushteti ekzekutiv kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

“Shpresoj që lufta kundër korrupsionit të sofisitikohet dhe të luftohet korrupsioni, jo prerja e pemëve, duke e kapur veshin mbrapsht, të futet në statistikë. Pra duhet balancim, kjo është pak, por është e sigurt”, tha Rama.

/gj.m/j.p/r.e/

The post Rama: Paraburgimi ka nevojë për ndërhyrje, nuk prekim thelbin e reformës në drejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet kompensimi i të ardhurave mujore të pensionistëve

30 December 2025 at 21:48

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot kompensimin e të ardhurave mujore deri në 1 800 lekë në muaj për personat me të ardhura deri në 40 000 lekë në muaj sipas disa kategorive.

Sipas vendimit të qeverisë, përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 800 lekë në muaj personat me të ardhura deri në 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë në muaj; përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 1 000 (një mijë) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj; përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 600 (gjashtëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë në muaj.

Gjithashtu përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 700 (shtatëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj; përfitojnë mbështetje financiare për vitin 2025, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë, kategoritë e mëposhtme: Familjet dhe individët, që trajtohen me ndihmë ekonomike; Fëmijët pa kujdes prindëror, të vendosur në familje kujdestare; Personat me aftësi të kufizuara; Individët përfitues të statusit; “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, Individët përfitues të statusit “Për statusin e të verbrit”; Ndihmësit personalë të përfituesve të pagesave të aftësisë së kufizuar.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi llogariten në shumën 9 800 960 000 lekë, të cilat ndahen: 9 728 460 000 lekë, për mbulimin e pagesave të kompensimit të të ardhurave mujore të pensionistëve; 72 500 000 lekë shpenzime administrative për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a. dhe bankat e nivelit të dytë.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 9 800 960 000 lekë do të përballohen nga buxheti i shtetit, i planifikuar në buxhetin për sigurimet shoqërore, për vitin 2026.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.
/k.s/a.f/r.e/

The post Miratohet kompensimi i të ardhurave mujore të pensionistëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbështetje financiare prej 15 000 lekësh për disa kategori të veçanta

30 December 2025 at 21:41

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot mbështetjen financiare për vitin 2025, në masën 15 000 lekë për disa kategori të veçanta.

Sipas vendimit të qeverisë familjet dhe individët, që trajtohen me ndihmë ekonomike sipas ligjit “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfshirë edhe ata që përfitojnë nga fondi shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike janë: Fëmijët pa kujdes prindëror, të vendosur në familje kujdestare; Personat me aftësi të kufizuara, sipas ligjit “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; Individët përfitues të statusit, sipas ligjit “Statusit të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar; Individët përfitues të statusit sipas ligjit “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar; Ndihmësit personalë të përfituesve të pagesave të aftësisë së kufizuar.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 2 227 500 000 lekë dhe përballohen nga buxheti i akorduar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për vitin 2025.

Mbështetjet financiare të patërhequra parashkruhen pas datës 30.6.2026.

Për zbatimin e vendimit ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

/k.s/a.f/r.e/

The post Mbështetje financiare prej 15 000 lekësh për disa kategori të veçanta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Parlamenti miraton buxhetin e diskutueshëm të vitit 2026

30 December 2025 at 20:50

ROMË, 30 dhjetor /ATSH-DPA/ – Parlamenti Italian miratoi sot buxhetin e vitit 2026, pas javësh negociatash dhe ndryshimesh.

Paketa financiare e koalicionit të djathtë me tre parti, e udhëhequr nga kryeministrja Giorgia Meloni, që arrin rreth 22 miliardë euro (25.9 miliardë dollarë), tani është miratuar edhe nga Dhoma e Deputetëve, e cila është dhoma e ulët e Parlamentit italian me dy dhoma.

Senati kishte dhënë miratimin e tij pak para Krishtlindjes.

Qeveria kryesuar nga Giorgia  Meloni kaloi mbrëmë një votim besimi për të përfunduar buxhetin pa ndryshime, në mënyrë që ai të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

Meloni planifikon të përdorë buxhetin për të ulur huamarrjen e re për vitin 2026 nën 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), siç kërkojnë kriteret e stabilitetit evropian.

Italia është një nga vendet më me borxhe në Evropë.

BE-ja ka kërkuar disa herë nga Roma që të fillojë uljen e deficitit, gjë që ka bërë që qeveria Meloni të angazhohet për zbatimin e këtij objektivi në 2026.

Ndryshimet përfshijnë stimuj investimi për bizneset dhe lehtësira tatimore për punonjësit.

Norma tatimore për të ardhurat midis rreth 24 000 dhe 40 000 euro do të ulet nga 35% në 33%.

Mosha e pensionit do të rritet gradualisht në disa raste.

Masat që lidhen me taksimin e bankave dhe kompanive të sigurimeve do të kontribuojnë në financimin e buxhetit.

Buxheti parashikon gjithashtu më shumë shpenzime për mbrojtjen.

Përveç kësaj, rezervat e arit të “Banca d’Italia” do të konsiderohen pronë e popullit italian.

Sipas Bankës Qendrore Evropiane, e cila po monitoron masën nga afër, ky është një akt simbolik.

Pas votimit, Meloni e përshkroi buxhetin si një “paketë serioze dhe të përgjegjshme masash” që fokusohet në “burimet e pakta të disponueshme tek disa prioritetet themelore.”

Megjithatë, liderja e opozitës, Elly Schlein nga Partia Demokrate (PD), tha se buxheti nuk arrin të adresojë shqetësimet më të rëndësishme të italianëve dhe është i gabuar.

“Është një buxhet kursimesh që parashikon rritje zero”, tha Schlein./  /Ad.Ab./

The post ITALI – Parlamenti miraton buxhetin e diskutueshëm të vitit 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

30 mijë lekë shpërblim për efektivët e Policisë së Shtetit, pagë e plotë për 1500 punonjës civilë

30 December 2025 at 20:32

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë përfituar shpërblime financiare me rastin e festave të fundvitit, pas një vendimi të marrë 10 ditë më parë nga drejtori i përgjithshëm Ilir Proda.

Kështu fondet kanë kaluar në bankë për të gjithë punonjësit e policisë, të cilët kanë përfituar 30 000 lekë shpërblim.

Ndërkohë 1500 punonjës civilë të Policisë së Shtetit, të angazhuar në detyra dhe shërbime specifike, kanë përfituar për herë të parë një rrogë të plotë shpërblim.

/m.q/a.f/r.e/

The post 30 mijë lekë shpërblim për efektivët e Policisë së Shtetit, pagë e plotë për 1500 punonjës civilë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Alen Sherri sërish pjesë e Serisë A, Cagliari e rikthen nga huazimi

30 December 2025 at 20:08

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Alen Sherri është rikthyer më herët se sa ishte planifikuar te Cagliari në Serinë A të futbollit në Itali, kjo sipas Sky Sport. Portieri i kombëtares shqiptare kishte kaluar në huazim te Frosinone në Serinë B për një sezon, por marrëveshja mes klubeve është ndërprerë.

Vendimi i klubit nga Sardenja lidhet me largimin e portierit të dytë, Boris Radunovic, i cili është transferuar te Spezia për të pasur më shumë hapësira aktivizimi. Në këto kushte, drejtuesit e Cagliarit kanë vendosur të mos investojnë në një portier të ri, por të rikthejnë Sherrin, kartonin e të cilit e blenë nga Egnatia në verën e vitit 2024.

Eksperienca e Sherrit te Frosinone nuk rezultoi pozitive, pasi ai u aktivizua vetëm në një ndeshje kundër Monzës duke sepse u dëmtuar rëndë në fytyrë dhe qëndruar gjatë jashtë fushave të blerta.

Gjithçka është mbyllur mes palëve, ndërsa rikthimi i portierit shqiptar te Cagliari pritet të zyrtarizohet pas 2 janarit, me hapjen e merkatos dimërore në Itali.

/m.q/r.e/a.f/

The post Alen Sherri sërish pjesë e Serisë A, Cagliari e rikthen nga huazimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Librazhdi pret ndërrimin e viteve me aktivitete dhe atmosferë festive

30 December 2025 at 20:05


TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Qyteti i Librazhdit po e pret ndërrimin e viteve me një atmosferë festive. Aktivitetet e shumta të organizuara gjatë ditëve të fundit kanë krijuar entuziazëm te qytetarët, të cilët janë mbledhur në sheshin kryesor për të festuar, duke shijuar muzikën nga këngëtarët e ftuar.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga atmosfera festive në Librazhd, ku qytetarë të të gjitha moshave shihen teksa kërcejnë dhe argëtohen nën ritmet e muzikës, duke i dhënë qytetit një energji të veçantë në prag të Vitit të Ri.

Gjatë gjithë muajit dhjetor, në Librazhd janë zhvilluar aktivitete të ndryshme kulturore dhe argëtuese për fëmijë dhe të rritur, përfshirë shfaqje artistike dhe koncerte me këngëtarë të njohur të skenës shqiptare.

Atmosfera festive është ndjerë në të gjithë vendin, ku qytetet e Shqipërisë janë zbukuruar me dekorime shumëngjyrëshe, pemë Krishtlindjesh dhe ndriçime vezulluese që kanë transformuar sheshet dhe rrugët kryesore.

Gjatë ditëve të dhjetorit, në sheshet kryesore të qyteteve janë organizuar aktivitete festive me muzikë live dhe performanca artistike, të cilat do të kulmojnë mbrëmjen e nesërme, më 31 dhjetor, në natën e ndërrimit të viteve.

/k.s/a.f/r.e/

The post Librazhdi pret ndërrimin e viteve me aktivitete dhe atmosferë festive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Irani reagon ndaj kërcënimit amerikan për sulme të tjera izraelite

30 December 2025 at 20:01

TEHERAN, 30 dhjetor / ATSH-DPA/ – Irani lëshoi sot një paralajmërim të ashpër si reagim ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se do të mbështeste sulme të mëtejshme izraelite ndaj Iranit nëse vendi refuzonte një marrëveshje të re bërthamore.

“Republika Islamike e Iranit do të përgjigjet në mënyrë të qëndrueshme ndaj çdo agresioni dhe do t’i bëjë agresorët të pendohen për veprimet e tyre”, shkroi presidenti iranian Masoud Pezeshkian në platformën sociale X.

Më parë, një këshilltar i udhëheqësit suprem Ayatollah Ali Khamenei paralajmëroi gjithashtu SHBA-në dhe Izraelin se çdo sulm do të provokonte një përgjigje të fortë iraniane.

Ali Shamkhani tha në një postim në X se Irani nuk ka nevojë për leje nga shtetet e tjera për kapacitetet e tij të raketave apo për mbrojtjen e vetvetes.

Gjatë një takimi dje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, presidenti Trump tha se do të mbështeste sulme të mëtejshme izraelite ndaj Iranit nëse Teherani refuzon një marrëveshje të re bërthamore dhe vazhdon avancimin e programeve të tij raketore dhe bërthamore.

Izraeli zhvilloi luftë ndaj Iranit për 12 ditë në qershor, duke bombarduar objektiva kyç bërthamore në vend së bashku me SHBA-në.

Megjithëse u vendos një armëpushim, një zgjidhje diplomatike për konfliktin midis armiqve të përbetuar nuk duket në horizont, dhe raporte në të dy vendet kanë përhapur mundësinë e rifillimit të luftës.

Sipas informacioneve izraelite, Irani po punon intensivisht për rindërtimin e arsenaleve të tij raketore, të cilat, së bashku me programin bërthamor, konsiderohen nga Izraeli si një kërcënim i madh./  /Ad.Ab./

The post FOKUS – Irani reagon ndaj kërcënimit amerikan për sulme të tjera izraelite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Travel and Tour World”: Korça, destinacioni dimëror magjeps turistët e huaj me atmosferën festive

30 December 2025 at 19:30

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/- Ndërsa viti 2025 po mbaron, qyteti i bukur i Korçës në juglindje të Shqipërisë është shfaqur si një destinacion popullor dimëror, duke magjepsur si vendasit ashtu edhe turistët e huaj me atmosferën festive marramendëse, sipas “Travel and Tour World” (TTW).

Korça, e njohur për historinë e saj të pasur, peizazhet e bukura dhe kulturën tradicionale, po bëhet shpejt një destinacion popullor për turistët që kërkojnë një ndërthurje të festave të gjalla dhe traditave lokale.

Një botë çudirash dimërore e ndriçuar me drita festive

Korça e nisi sezonin festiv me ndriçimin madhështor të dekorimeve festive në të gjithë qytetin.

Rrugët, sheshet publike dhe zonat për këmbësorë u transformuan në një peizazh magjik dimëror, falë një ndriçimi mbresëlënës që shtrihet në çdo cep.

Këto ndriçime dekorative nuk ishin projektuar thjesht për një pamje më estetike të qytetit – por gjithashtu për të krijuar një mjedis magjepsës si për banorët ashtu edhe për vizitorët e huaj.

Duke shëtitur nëpër bulevardet kryesore të qytetit, përfshirë zonat historike për këmbësorët pranë katedrales ikonike, vizitorët u magjepsën nga dritat vezulluese, kurora festive dhe dekorime – që e bënin çdo shëtitje të ndihej pjesë e festave.

Dritat festive janë vendosur strategjikisht në të gjithë qytetin, me sheshet qendrore të Korçës dhe Pazarin e Vjetër – që ofrojnë sfonde veçanërisht piktoreske.

Ky ndriçim në fund vit, jo vetëm që ofron një përvojë mahnitëse vizuale, por gjithashtu ofron një atmosferë të sezonit festiv, duke i nxitur vizitorët të eksplorojnë rrugët dhe të shijojnë ngrohtësinë festive që ka pushtuar qytetin.

Një ekstravagancë kulturore në të gjithë qytetin

Korça është e njohur për trashëgiminë e saj të pasur kulturore, dhe kjo shfaqet edhe gjatë sezonit të festave përmes një sërë ngjarjesh.

Pazari i Vjetër, me rrugët e tij me kalldrëm dhe arkitekturën historike, shërben si një qendër qendrore për shfaqje kulturore.

Artistë dhe muzikantë vendas luajne melodi popullore që kanë qenë pjesë e historisë së qytetit për shekuj me radhë.

Në të gjithë qytetin, vizitorët priten me shfaqje muzikore, ekspozita arti dhe shfaqje teatrale që shpalosin diversitetin e jetës kulturore të Korçës.

Këto ngjarje hartohen me kujdes për t’u pëlqyer të gjitha grupmoshave.

Ky përkushtim për ruajtjen dhe festimin e kulturës lokale është një vlerë e shtuar për autenticitetin e festave të Korçës, duke e dalluar qytetin si një destinacion ku tradita dhe moderniteti ndërthuren në mënyrë harmonike.

Një festival për të gjitha moshat

Programi i festave të Korçës hartohet me kujdes për të gjitha grupmoshat.

Qeveria bashkiake e qytetit organizoi një gamë të larmishme ngjarjesh që përfshinin shfaqje për fëmijë dhe ekspozita kulturore më të sofistikuara për vizitorët e rritur.

Kjo qasje e ndihmon Korçën të dallohet si një destinacion miqësor për familjet gjatë festave, duke u lejuar vizitorëve të ndajnë së bashku gëzimin dhe emocionet e sezonit.

Aktivitete të veçanta për fëmijë u organizuan në të gjithë qytetin, duke përfshirë punime artizanale, seanca interaktive të rrëfimit të historive dhe shfaqje të përrallave tradicionale shqiptare.

Këto aktivitete jo vetëm që argëtuan të rinjtë, por edhe i prezantuan ata me trashëgiminë e pasur kulturore të vendit.

Pjesëmarrja e brezit të ri në këto aktivitete ndihmoi në mbajtjen gjallë të traditave kulturore të Korçës, duke siguruar që zakonet unike të qytetit t’u trashëgohen brezave të ardhshëm.

Rritja e popullaritetit të Korçës si një destinacion dimëror 

Ndërsa sezoni i festave vazhdon, Korça ka fituar njohje si një nga destinacionet më të kërkuara dimërore në Shqipëri.

Hotelet dhe bujtinat në qytet rezervohen plotësisht shumë kohë përpara festave, me turistë vendas dhe ndërkombëtarë që mezi presin të përjetojnë magjinë dimërore të qytetit.

Sektori i akomodimit të qytetit regjistroi një rritje të ndjeshme të kërkesës, me vizitorë të interesuar për të parë dritat festive, ngjarjet kulturore dhe atmosferën e përgjithshme festive që përfshin Korçën.

Peizazhi natyror i Korçës, duke përfshirë malet, parqet dhe fshatin piktoresk të Voskopojës, tërheq gjithashtu turistë që kërkojnë të shijojnë ajrin e pastër dimëror, të bëjne shëtitje piktoreske ose të marrin pjesë në sportet dimërore.

Skena e gjallë kulturore e qytetit me mundësi për aventura në natyrë e bën atë një destinacion dimërorë të gjithanshëm për turistët.

Kuzhina tradicionale

Korça është e njohur për kuzhinën e saj të shijshme tradicionale shqiptare, dhe sezoni i festave i ofron vizitorëve, një mundësi për të shijuar disa nga gatimet më të mira lokale.

Gjatë periudhës festive, shumë restorante dhe lokale në qytet shërbejnë gatime tradicionale, duke përfshirë, tavë kosi, byrek, djathëra e verëra lokale.

Ofertat kulinare në Korçë janë një tjetër atraksion i qytetit, duke u dhënë vizitorëve mundësinë të shijojnë shijet e pasura të rajonit.

Përveç ushqimit, monumentet historike dhe muzetë e Korçës janë të hapura për vizitorët gjatë gjithë festave, duke ofruar një pamje të së kaluarës së qytetit.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Muzeu Arkeologjik i Korçës dhe Muzeu i Artit Oriental Bratko janë thesare kulturore përmes të cilave vizitorët mund të mësojnë rreth trashëgimisë artistike dhe rëndësisë historike të qytetit.

Këto atraksione, së bashku me ngjarjet festive, ofrojnë një përvojë të plotë për turistët që kërkonin një përzierje të kulturës, historisë dhe argëtimit.

Zgjerimi i ngjarjeve festive përtej qytetit

Ndërsa Korça është pika qendrore e ngjarjeve, zonat rurale dhe fshatrat përreth gjithashtu behën pjesë e kësaj fryme festive.

Zona si Voskopoja, Dardha dhe Boboshtica, të cilat janë të njohura për bukurinë e tyre natyrore dhe arkitekturën tradicionale, tërheqin vizitorë të huaj dhe vendas.

Këto fshatra piktoreske, mirëpritën turistë nga e gjithë bota – të cilët u bënë pjesë e aktiviteteve dhe ngjarjeve në Korçë – e konsideruar një portë për një përvojë më të gjerë rajonale.

Këto zona rurale ofrojnë një arratisje paqësore larg qytetit, duke u lejuar vizitorëve të shijojnë qetësinë e maleve, ndërkohë që mund të marrin pjesë edhe në festat.

Ky zgjerim i festimeve në fshatrat përreth përforcon rolin e Korçës si një qendër rajonale për turizmin gjatë muajve të dimrit.

Korça si një destinacion tursitik gjatë gjithë vitit

Festimet e fundvitit në Korçë nxjerrin në pah aftësinë e qytetit për të kombinuar atmosferën festive me trashëgiminë e pasur kulturore, duke e bërë atë një destinacion turistik gjithnjë e më popullor.

Angazhimi i qytetit për të ruajtur traditat e tij, duke përqafuar festat moderne, ka rezultuar në një mjedis të veçantë dhe tërheqës për vizitorët.

Aktivitetet festive të Korçës, pasuria kulturore dhe mjedisi i bukur e bëjnë atë një destinacion ideal për turistët që kërkojnë një përvojë autentike dhe të paharrueshme në Shqipëri. //a.i/

The post “Travel and Tour World”: Korça, destinacioni dimëror magjeps turistët e huaj me atmosferën festive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

4 podiume në 15 gara, Lara Colturi renditet e 7-ta në Kupën e Botës në Ski

30 December 2025 at 18:57

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi e mbylli vitin 2025 në Kupën e Botës në Ski Alpine me një tjetër sukses ndërkombëtar.

Në ndalesën e 15-të të këtij kompeticioni, të zhvilluar në Semmering, Austri, 19-vjeçarja u rendit në vendin e tretë, duke siguruar podiumin e katërt për Shqipërinë gjatë këtij sezoni.

Me këtë rezultat, Colturi u pozicionua në vendin e 7-të të renditjes së përgjithshme të Kupës së Botës në Ski Alpine.

Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vlerësoi arritjet skiatores që përfaqëson Shqipërinë. Sipas tij, Colturi, konfirmoi nivelin elitar dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Një sukses i jashtëzakonshëm për 19-vjeçaren, e cila mban vendin e 7-të në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës në Ski Alpine. Lara Colturi numëron 4 podiume në 15 gara të sezonit 2025–2026, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2025 ka arritur 6 podiume në total, duke konfirmuar nivelin elitar dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, shkroi Gonxhja.

1 nga 5

/m.q/r.e/a.f/

The post 4 podiume në 15 gara, Lara Colturi renditet e 7-ta në Kupën e Botës në Ski appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Takim i aleatëve të Ukrainës më 6 janar në Francë

30 December 2025 at 18:21

KIEV, 30 dhjetor /ATSH-AFP/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi sot se javën e ardhshme në Francë do të zhvillohet një takim me liderët e vendeve aleate të Kievit, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.

”Takimi, i planifikuar për më 6 janar, pritet të paraprihet nga një tjetër takim në Ukrainë, në nivelin e këshilltarëve të sigurisë të vendeve aleate të Kievit”, shtoi Zelensky në platformën X.

“E parashikojmë për më 3 janar”, tha ai.

Ndërkohë në takimin e zhvilluar të dielën në Florida mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit Zelensky për paqen në Ukrainë u hodh ideja e një takimi trepalësh mes Zelensky, Putin dhe Trump në “kohën e duhur”.

Kjo ide u hodh nga presidenti Trump.

Ndërsa Trump është përpjekur t’i japë fund konfliktit përmes samiteve të nivelit të lartë, përfshirë pritjen e Putinit në Alaska në gusht, fokusi i përpjekjeve intensive diplomatike në javët e fundit ka qenë në zgjidhjen e një numri të pikave kyçe të ngërçit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post KIEV – Zelensky: Takim i aleatëve të Ukrainës më 6 janar në Francë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në festën e fundvitit me socialistët e Tiranës

30 December 2025 at 18:21

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me rastin e fundvitit me anëtarë të Partisë Socialiste dhe drejtues të strukturave të PS-së në Tiranë.

Rama shprehu mirënjohjen “për çdo anëtar dhe aktivist të familjes së madhe të Partisë Socialiste” dhe theksoi se “me besimin e patundur tek forca jonë e pandalshme përpara, uroj nga zemra shëndet e mbarësi për çdo familje të vogël të secilës dhe secilit prej jush”.

“Dua të bëj një shëndet shumë të ndjerë dhe vëllazëror për të gjitha familjet tuaja! Të dytin dua ta bëj për të gjitha vajzat, dhe gratë që janë këtu dhe shëndetin e tretë, dua ta ngre për të gjitha ata që janë mbështetës, pra jo për ata që janë në vijën e parë, për ata që janë në vijën e dytë, në vijën e tretë, që janë kryetarë të partisë, që janë kryetarë të organizatave”, u shpreh Rama, në fjalën e tij para socialistëve të Tiranës,

Ndërkohë, drejtuesja politike e PS-së për Tiranën, Ogerta Manastirliu u shpreh se “sot është një moment për të uruar njëri tjetrit një vit sa më të mbarë dhe për të uruar qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, për një vit plot me shpresë, me energji, me besim, se e nesërmja dhe Viti i Ri patjetër, do të jetë një vit shumë i mirë dhe më e mira është gjithmonë përpara”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Rama në festën e fundvitit me socialistët e Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FSDKSH kontroll administrativ mbi gjurmueshmërinë e barnave të rimbursueshme

30 December 2025 at 18:17

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) informon opinion publik dhe median se ka nisur kontrollin administrativ mbi gjurmueshmërinë e barnave të rimbursueshme.

Në një reagim për mediet FSDKSH thekson se “ky kontroll synon mbrojtjen e interesit publik, garantimin e ligjshmërisë dhe përdorimin korrekt të fondeve publike”.
“Proceset e verifikimit janë iniciuar, ndër të tjera, edhe nëpërmjet kërkesave zyrtare të disa prej subjekteve farmaceutike dhe zhvillohen në bazë të kuadrit ligjor në fuqi dhe të dhënave nga sistemet zyrtare”, u shpreh FSDKSH.
Me kërkesë të Urdhrit të Farmacistëve, FSDKSH priti dje në një takim përfaqësues të urdhrit dhe rreth 50 subjekte farmaceutike, me qëllim sqarimin e çështjeve të ngritura.
Gjatë diskutimeve u theksua se nuk është marrë ende asnjë vendim përfundimtar, nuk ka ndëshkime kolektive dhe procedurat e kontrollit po zhvillohen në përputhje me ligjin.
Aktualisht, Fondi vijon punën për analizimin e informacionit dhe shqyrtimin e observacioneve të paraqitura nga subjektet farmaceutike, brenda afateve ligjore.
Sipas FSDKSH-së, në përfundim të procesit do të bëhet publik Raporti Përfundimtar i Kontrollit.
FSDKSH mbetet i përkushtuar për transparencë, dialog dhe bashkëpunim me të gjitha palët, duke garantuar zbatimin korrekt të ligjit dhe funksionimin e qëndrueshëm të skemës së sigurimit shëndetësor.
Ky kontroll po kryhet në kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi, i cili rregullon administrimin e skemës së Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, kryesisht ligjin “Për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”.
/k.s/r.e/a.f/

The post FSDKSH kontroll administrativ mbi gjurmueshmërinë e barnave të rimbursueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌