Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 23 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

ROMË – Merz: Gjermania nuk do t’i bashkohet “Bordit të Paqes” të Trump

23 January 2026 at 22:47

ROMË, 23 janar /ATSH/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha se ishte i hapur për dialog të ri me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa shtoi se nuk do t’i bashkohej “Bordit të Paqes” të presidentit të SHBA-së Donald Trump, sipas DW.

“Ne jemi të gatshëm të eksplorojmë forma të tjera, të reja bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai sot në një konferencë për shtyp në Romë.

Merz i shprehu më herët presidentit Trump gatishmërinë e tij për të marrë pjesë në një organ të tillë pak javë më parë.

“Forma aktuale e “Bordit të Paqes” të presidentit të SHBA-së, Trump e pengon Gjermaninë të bashkohet për arsye kushtetuese”, tha Merz

Refuzimi i pjesëmarrjes, e shton Gjermaninë në listën e aleatëve tradicionalë të SHBA-së që thanë se nuk do të bashkoheshin me bordin, përfshirë Francën, Britaninë e Madhe dhe Spanjën.

Arabia Saudite, Hungaria dhe Katari kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në bordin e SHBA-së, gjë që disa vëzhgues e shohin si një mënyrë për të anashkaluar Kombet e Bashkuara.

Ndryshe nga pritshmëritë fillestare, “Bordi i Paqes” nuk është një organ i dedikuar vetëm për mbikëqyrjen e procesit të paqes në Rripin e Gazës, siç u kërkua kur propozimi u krijua me një rezolutë të OKB-së.

Megjithatë, Merz tha se Berlini ishte gati të bashkëpunonte me Uashingtonin në gjetjen e formateve të reja që sillnin paqen më afër në rajone të ndryshme të botës.

“Dhe nuk dua ta kufizoj këtë vetëm në Gaza dhe Lindjen e Mesme. Sigurisht, mund të jetë edhe Ukraina”, tha Merz. //a.i/

The post ROMË – Merz: Gjermania nuk do t’i bashkohet “Bordit të Paqes” të Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja, takim me kryebashkiakun e Madridit gjatë panairit “Fitur”

23 January 2026 at 22:41

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja takoi në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026 në Madrid, kryebashkiakun e qytetit, José Luis Martínez-Almeid.

Gonxhja ndau në rrjete sociale momente nga takimi me kryetarin e bashkisë së Madridit, José Luis Martínez-Almeida në një panair lider qv siç u shpreh ai që mbetet një platformë kyçe për dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e turizmit.

Më herët gjatë ditës së sotme, ministri Gonxhja u takua me Sekretaren e Përgjithshme, të UN Tourism, Sheikha Al Nowais.

Panairi Fitur është  nga më të mëdhenjtë në fushën e turizmit, i njohur për numrin e lartë të kontratave dhe marrëveshjeve që lidhen gjatë ditëve të para të tij. Shqipëria po merr pjesë me synimin për të zgjeruar ofertën turistike gjatë gjithë vitit. /j.p/

 

The post Gonxhja, takim me kryebashkiakun e Madridit gjatë panairit “Fitur” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ABU DABI – Përfundon raundi i parë i bisedimeve të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë 

23 January 2026 at 22:16

ABU DABI, 23 janar /ATSH-DPA/- Raundi i parë i bisedimeve të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë përfundoi sot në mbrëmje, në Abu Dabi.

Përpara përfundimit të takimit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se negociatat e ardhshme ishin caktuar për nesër.

Negociatat e paqes midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës filluan sot në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Abu Dabi.

Zelensky tha se diskutimet do të përqendroheshin në çështjet territoriale.

“Është shumë herët për të nxjerrë përfundime mbi përmbajtjen e negociatave sot: Do të shohim se si do të shkojnë bisedimet nesër dhe cilat do të jenë rezultatet”, tha Zelensky në mesazhin e tij të mbrëmjes, në Kiev.

“Takimi iu kushtua kushteve për t’i dhënë fund luftës ruse”, tha sot në mbrëmje negociatori kryesor i Ukrainës, Rustem Umerov. Ai nuk dha detaje të mëtejshme.

“Shpresoj që bisedimet tripalëshe do të kontribuojnë në “hapa të prekshëm” për t’i dhënë fund krizës prej gati katër vitesh”, tha më herët ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Media shtetërore ruse raportoi se negociatat do të mbaheshin me dyer të mbyllura.

Në thelb të bisedimeve është kushti i Rusisë për tërheqjen e forcave ukrainase nga pjesa e Donbasit që është ende nën kontrollin e Kievit.

Donbasi është një zonë në Ukrainën lindore që është përqendruar kryesisht në provincat e Donetskut dhe Luhanskut në rajonin tradicional të minierave të qymyrit të vendit.//a.i/

The post ABU DABI – Përfundon raundi i parë i bisedimeve të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA njofton sanksione të reja ndaj Iranit për shkak të shtypjes së protestuesve

23 January 2026 at 22:05

UASHINGTON, 23 janar /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës planifikojnë të vendosin sanksione të reja ndaj udhëheqjes iraniane, si një formë presioni për t’i dhënë fund shtypjes brutale ndaj protestuesve.

Departamenti Amerikan i Thesarit tha sot në një deklaratë se Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC)  po planifikonte sanksione ndaj nëntë anijeve të “flotës hije” dhe pronarëve të tyre përkatës ose kompanive të menaxhimit – që kanë transportuar së bashku qindra miliona dollarë naftë dhe nafte iraniane në tregjet e huaja.

SHBA-ja beson se ato financojnë terrorizmin. Uashingtoni synon të parandalojë shitjet e naftës me anë të sanksioneve dhe të dobësojë financiarisht udhëheqjen e Iranit.

“Regjimi iranian është i angazhuar në një ritual të vetëdjegies ekonomike – një proces që është përshpejtuar nga fushata e presionit maksimal të presidentit Donald Trump”, tha sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.

“Vendimi i Teheranit për të mbështetur terroristët në vend të popullit të tij –  ka bërë që monedha dhe kushtet e jetesës së Iranit të jenë në rënie të lirë. Sanksionet e sotme synojnë një komponent kritik të mënyrës se si Irani gjeneron fondet e përdorura për të shtypur popullin e vet”, thuhet në deklaratë.

SHBA-ja gjithashtu kritikoi mbylljen e internetit në Iran, pasi ajo fsheh abuzimet. Për më shumë se dy javë, popullsia në Iran është shkëputur kryesisht nga interneti.

Protestat në Iran u shkaktuan fillimisht nga një krizë ekonomike në fund të dhjetorit.

Megjithatë, demonstratat u kthyen shpejt në kryengritje politike kundër sistemit autoritar të Republikës Islamike.

Organi i sigurisë i shtypi brutalisht protestat. Deri tani, demonstratat janë në heshtje të plotë.

“Të paktën 5 002 persona kanë vdekur në valën e fundit të protestave”, sipas agjencisë së lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran (HRANA) me qendër në SHBA. //a.i/

The post UASHINGTON – SHBA njofton sanksione të reja ndaj Iranit për shkak të shtypjes së protestuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OVL UÇK mbështet marshimin e 17 shkurtit “Drejtësi, jo politikë!”

23 January 2026 at 21:41

PRISHTINË, 23 janar/ATSH/ Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur mbështetjen e saj për marshin “Drejtësi, jo politikë!”, të organizuar nga platforma Liria ka Emër, qëi do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.

Kryetari i OVL UÇK, Hysni Gucati, ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e unitetit në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

“Ne e mbështesim marshin ‘Drejtësi, jo politikë!’, të organizuar nga Liria ka Emër. Ky marsh duhet të jetë madhështor. Ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që më 17 shkurt të dalin dhe të bashkohen në mbrojtje të atyre që na sollën lirinë dhe ndërtuan shtetin tonë”, ka thënë Gucati.

Marshimi synon të përcjellë mesazhin se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe larg ndikimeve politike, duke respektuar sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Platforma “Liria ka Emër” falënderoi OVL UÇK-në për mbështetjen e dhënë, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e veteranëve në ruajtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe të drejtësisë për Kosovën. /KosovaPress/

The post OVL UÇK mbështet marshimin e 17 shkurtit “Drejtësi, jo politikë!” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Seferi: Programe të detyrueshme rehabilitimi për dhunuesit në familje

23 January 2026 at 20:59

TIRANË, 23 janar/ATSh/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Deneda Seferi u shpreh sot se programet e rehabilitimit për dhunën në familje nuk përfshijnë rehabilitimin vetëm të viktimave, por edhe dhunuesit e tyre.

Seferi e bëri këtë deklaratë ditën e sotme, në punimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ku u shqyrtua projektligji “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Seferi tha se ndryshimet e reja në ligjin për dhunën në familje parashikojnë për herë të parë programe rehabilitimi edhe për dhunuesit.

“Programet e rehabilitimit nuk përfshijnë vetëm viktimat, por edhe dhunuesit, me qëllim parandalimin e përsëritjes së dhunës dhe ndryshimin e sjelljeve, dhe modeleve të ndryshme të sjelljes. Një risi e rëndësishme është lidhja e këtyre programeve me vendime gjyqësore, duke parashikuar, pasojë ligjore në rast të mospjesëmarrjes së dhunuesit në programet e urdhëruara. Sa i përket programit të rehabilitimit të dhunuesit, do të jetë e detyrueshme pjesëmarrja në këto programe”, tha ajo.

Sipas zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në këto programe do të përfshihen edhe dhunuesit që kanë varësi nga alkooli apo droga.

Gjithashtu, Etleva Sheshi, përfaqësuese e MShMS-së theksoi se përgjegjësi do të kenë si institucionet qendrore, ashtu edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

“Ministria e Mirëqenies Sociale, por njëkohësisht dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, janë të përcaktuara që duhet të marrin masa për të ngritur dhe për të ofruar shërbime dhunuesve që janë përdorues të alkoolit ose të drogërave, ose për dhunues të tjerë, nëpërmjet programeve të ndryshme të  rehabilitimit të cilat janë të vendosura që nga vendimi i gjykatës kur trajtohen një rast dhune”, tha Sheshi, drejtore e Barazisë Gjinore në Ministrin e Shëndetësisë.

Në ndryshimet e parashikuara në këtë ligj, thuhet se do të ketë monitorim të agresorëve me GPS, në mënyrë që të shmanget shkelja e urdhrit të mbrojtjes, teksa do të ketë edhe gjoba deri në 500 mijë lekë për shpërndarjen e fotove intime online dhe ndëshkime të rënda për punëdhënësit që tolerojnë ngacmimet në zyrë.

/e.i/j.p/

The post Seferi: Programe të detyrueshme rehabilitimi për dhunuesit në familje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VJENË – Austria planifikon rritjen e deportimeve në Siri dhe Afganistan

23 January 2026 at 21:51

VJENË, 23 janar /ATSH-DPA/- Austria planifikon të rrisë deportimet në Siri dhe Afganistan, tha sot ministri i Brendshëm, Gerhard Karner.

Në vitin 2025, vendi alpin ishte një nga të parët në BE që filloi të dërgonte mbrapsht azilkërkuesit nga të dy vendet, në rastin e Sirisë që nga rënia e regjimit të al-Assad në fund të vitit 2024.

“Deportime të tilla duhet të jenë normë”, tha Karner, i cili i përket Partisë Popullore Austriake konservatore (ÖVP), duke vënë në dukje se Kombet e Bashkuara kishin identifikuar rajone të sigurta në Siri.

“Në përgjithësi, 40 persona në ditë në të gjitha kategoritë u deportuan vitin e kaluar”, tha Karner, duke u zotuar për “zero tolerancë ” për refugjatët që abuzonin me ligjet e imigracionit të vendit.

“Rreth 6 850 persona kishin bërë kërkesa fillestare për azil në Austri, një rënie e madhe nga viti i kaluar. Rreth 4,000 azilkërkues u deportuan gjithsej, duke lënë në total më pak se 3 000 azilkërkues të tjerë në vend gjatë vitit”, tha ministri.

“Një tregues i suksesit në luftën kundër migracionit të paligjshëm është rënia e ndjeshme e numrit të kontrabandistëve të arrestuar”, tha ministri.

Në vitin 2022 dhe 2023, numri ishte rreth 800 në Austri, ndërsa vitin e kaluar u raportua se ishin arrestuar 115 kontrabandistë.

Ashtu si në Gjermani, migracioni i paligjshëm është një nga çështjet më të vështira të politikës së brendshme në Austri.

Sipas ekspertëve, luftimi i migracionit të paligjshëm është një fushë ku Partia e Lirisë së Austrisë (FPÖ) e ekstremit të djathtë pritet të ketë rezultate të mira me qytetarët. //a.i/

The post VJENË – Austria planifikon rritjen e deportimeve në Siri dhe Afganistan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Asetet e ngrira ruse të përdoren vetëm për rindërtimin e Ukrainës

23 January 2026 at 20:43

KIEV, 23 janar /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky hodhi poshtë sot raportet se Rusia dëshiron të përdorë asetet e ngrira amerikane për rindërtimin e saj, duke e quajtur idenë “absurde” dhe duke përsëritur se të gjitha fondet e ngrira ruse duhej të përdoreshin për të rindërtuar Ukrainën.

Duke folur me gazetarët e “Kyiv Post” nëpërmjet një aplikacioni mesazhesh, Zelensky u pyet mbi deklaratën e fundit të presidentit rus, Vladimir Putin – i cili kishte shprehur gatishmërinë për të përdorur asete të ngrira amerikane me vlerë rreth 5 miliardë dollarë në – për projekte rindërtimi, përfshirë rajonin e Kurskut të Rusisë.

“Ne me siguri do të luftojmë për përdorimin e të gjitha aseteve të ngrira ruse – dhe kjo është absolutisht e drejtë”, tha Zelensky.

“Rusia është agresorja. Kjo njihet nga e gjithë bota. Ata e filluan këtë luftë dhe për këtë arsye Ukraina duhet të rikuperohet nga pasojat e agresionit rus”, tha ai.

Zelensky tha se Kievi e kishte ngritur vazhdimisht çështjen me zyrtarët amerikanë, duke përfshirë edhe asetet e ngrira amerikane me vlerë rreth 5 miliardë dollarë – duke këmbëngulur se ato duhej të përdoreshin për rindërtimin e Ukrainës dhe jo të Rusisë.

“Ne u kemi thënë amerikanëve shumë herë se presim që këto fonde të përdoren për rindërtimin e Ukrainës, sepse Ukraina është vendi që vuajti”, tha ai.

Vlera totale e aseteve sovrane ruse të bllokuara në të gjithë botën është rreth 290 miliardë euro (339 miliardë dollarë), shumica e të cilave mbahen në një numër të vogël juridiksionesh të BE-së dhe G7, sipas bankës qendrore të Ukrainës.

Presidenti tha se qëndrimi i Moskës dukej i palogjikshëm, duke vënë në dukje se asetet ishin ngrirë pikërisht për shkak të pushtimit të Rusisë. //a.i/

 

The post KIEV – Zelensky: Asetet e ngrira ruse të përdoren vetëm për rindërtimin e Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FIFA hap akreditimet për mediet për Kupën e Botës 2026 përmes FIFA Media Hub

23 January 2026 at 20:40

TIRANË, 23 janar/ATSH/ FIFA ka njoftuar zyrtarisht se procesi i akreditimit të mediave për FIFA World Cup 2026 do të menaxhohet ekskluzivisht përmes platformës online FIFA Media Hub.

Në njoftim thuhet se interesi i medieve pritet të jetë shumë i lartë, duke tejkaluar ndjeshëm numrin e akreditimeve të disponueshme. Për këtë arsye, procesi do të jetë transparent dhe i drejtë për përzgjedhjen.

Sipas FSHF-së, aplikimet për akreditim filluan në fillim të janarit 2026, ndërsa afati i fundit për aplikim është 28 shkurt 2026. Nga fundi i shkurtit, FIFA do të nisë konfirmimet e akreditimeve dhe informacionet shtesë për mediet e përzgjedhura. Gazetarët dhe fotografët që duan të aplikojnë duhet të kenë një llogari të miratuar në FIFA Media Hub dhe një kod unik kontrolli të lëshuar nga federata kombëtare përkatëse, ndërkohë që pajisja me kod nuk garanton miratimin e akreditimit, pasi FIFA rezervon të drejtën e verifikimit dhe refuzimit të aplikimeve.

FSHF bën me dije se çdo federatë anëtare do të ketë një kuotë të caktuar akreditimesh, e cila bazohet në pjesëmarrjen në edicionet e mëparshme të Kupës së Botës dhe në statusin e kualifikimit të ekipit kombëtar për këtë edicion. Federatat inkurajohen të bashkëpunojnë me shoqatat kombëtare të gazetarëve për një shpërndarje të drejtë të kuotave. Kategoritë e mediave që mund të aplikojnë përfshijnë shtypin e shkruar (print dhe digital), fotografët, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve dhe fotografisë, gazetarët freelance, mediat radio-televizive pa të drejta transmetimi dhe partnerët mediatikë të FIFA-s.

Procesi i aplikimit për bileta për ndeshjet e fazës së grupeve do të nisë pas hapjes së akreditimeve dhe do të kryhet vetëm përmes FIFA Media Hub. Çdo përfaqësues i akredituar mund të aplikojë për maksimum një ndeshje në ditë, në varësi të disponueshmërisë. Pas konfirmimit të akreditimit, FIFA do të ofrojë udhëzime të detajuara për procedurat e vizave, ndërsa federatat inkurajohen të shpërndajnë kuotat sa më herët për të mundësuar organizimin e udhëtimit. Për menaxhimin e kuotave, çdo federatë duhet të caktojë zyrtarisht personat përgjegjës dhe t’i njoftojë FIFA-n, ndërkohë që llogaritë e përdorura janë individuale dhe nuk lejohet ndarja e aksesit.

/e.i/j.p/

The post FIFA hap akreditimet për mediet për Kupën e Botës 2026 përmes FIFA Media Hub appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja me homologun në Madrid: Interes i shtuar i tregut spanjoll për ofertat turistike shqiptare

23 January 2026 at 20:01

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë qëndrimit në Madrid, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026, zhvilloi takim me ministrin e Industrisë dhe Turizmit të Spanjës, Jordi Hereu i Boher.

Gonxhja tha se në fokus të takimit ishte shkëmbimi i përvojave dhe modeleve të suksesshme në sektorin turistik.

“Diskutuam mbi mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë turizmin e qëndrueshëm, promovimin e destinacioneve kulturore, diversifikimin e ofertës turistike dhe zgjatjen e sezonit”, u shpreh ministri.

Ministri Gonxhja dhe homologu i tij spanjoll theksuan potencialin në rritje të Shqipërisë si destinacion turistik, si dhe interesin e shtuar të tregut spanjoll për ofertat turistike shqiptare. Po ashtu, gjatë takimit u vlerësua rëndësia e partneriteteve institucionale dhe të biznesit për nxitjen e investimeve dhe bashkëpunimit afatgjatë.

Të dy ministrat konfirmuan vullnetin e përbashkët për thellimin e dialogut dypalësh, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve turistike dhe kulturore midis Shqipërisë dhe Spanjës dhe promovimin e vendit si destinacion gjithëvjetor të turizmit ndërkombëtar.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në intensifikimin e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit turistik shqiptar, duke u mbështetur në praktikat më të mira evropiane dhe standardet ndërkombëtare.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit Fitur në Madrid, Spanjë është tashmë një traditë e konsoliduar.

Në këtë edicion të panairit Shqipëria prezantohet me moton “Albania All Senses”, duke promovuar destinacionet turistike, produktet autentike dhe ofertën e plotë të shërbimeve turistike të vendit.

e.xh/j.p/

The post Gonxhja me homologun në Madrid: Interes i shtuar i tregut spanjoll për ofertat turistike shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Gjermania dhe Italia lançojnë itinerarin e ri kulturor “Goethe”

23 January 2026 at 19:51

ROMË, 23 janar /ATSH-DPA/- Gjermania dhe Italia synojnë të zhvillojnë së bashku një itinerar të ri kulturor që përkujton “Udhëtimin Italian” të famshëm të gjigantit letrar gjerman Johann Wolfgang von Goethe (1749-1832).

Plani për të ndjekur gjurmët e Goethe-s nëpër Itali u ra dakord nga ministri gjerman i Shtetit për Kulturën, Wolfram Weimer dhe ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli gjatë konsultimeve qeveritare sot në Romë të premten.

Qëllimi është të krijohet një itinerar kulturor përgjatë vendeve kryesore të udhëtimit të poetit të famshëm.

Goethe udhëtoi nëpër Itali midis viteve 1786 dhe 1788. Rrëfimi i tij “Udhëtimi Italian”, i cili u shkrua midis viteve 1813 dhe 1817, bazohet në këtë udhëtim.

Udhëtimi e çoi atë nëpër Verona, Venecia, Firence, Napoli dhe deri në Siçili, por ai e kaloi pjesën më të madhe të kohës në Romë.

Në kryeqytetin italian ai jetoi në një apartament të përbashkët me piktorin, Johann Heinrich Wilhelm Tischbein dhe artistë të tjerë. Sot, kjo banesë është shtëpia e muzeut Casa di Goethe (Shtëpia e Goethe-s).

Weimer tha se rrëfimi i udhëtimit të Goethe-s në atë kohë ngjalli një mall të qëndrueshëm për Italinë në Gjermani dhe formësoi imazhin e Italisë për shumë breza.

Rruga e planifikuar synon të shfaqë përshtypjet kulturore, historike dhe artistike që patën një ndikim të qëndrueshëm te Goethe, dhe është menduar për udhëtarë të interesuar për kulturën, si dhe për një audiencë të re ndërkombëtare.

Gjithashtu, janë planifikuar oferta si analoge ashtu edhe digjitale, duke përfshirë një aplikacion interaktiv dhe një ekspozitë në “Casa di Goethe” mbi pritjen e Goethe-s në artin dhe letërsinë italiane nga gjysma e dytë e këtij viti. //a.i/

The post ROMË – Gjermania dhe Italia lançojnë itinerarin e ri kulturor “Goethe” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha me të rinjtë e PD-së: Keni shansin të riktheni shpresën e shqiptarëve

23 January 2026 at 19:30

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se tarifat e larta të shkollave në arsimin publik në vend, nuk i lejojnë 49% të familjeve që të shkollojnë më shumë se një fëmijë.

Deklarata e Berishës erdhi gjatë “Foltores” që ai zhvilloi pasditen e sotme në selinë e PD-së me të rinjtë e forumit rinor të kësaj partie.

Duke iu drejtuar të rinjve, Berisha tha se ata paguajnë 4-5 herë më shumë se studenti gjerman për universitetin.

“Pse ishte krejt e kundërta para vitit 2013? Kishim një politikë ne, që të rinjtë duhet të shkollohen. E gjetëm vendin me 12 studentë për 1 mijë banorë, arritëm në 52 studentë për 1 mijë banorë”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u tha të rinjve se ata kanë në dorë shansin e madh për të rikthyer edhe një herë shpresën e shqiptarëve ndërsa u ndal edhe tek problematikat e strehimit.

“Tirana në strehim është një nga tre qytetet më të shtrenjta në Evropë”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së në bashkëbisedimin me të rinjtë u ndal edhe tek situata politike, duke e cilësuar luftën kundër diktaturave betejë të komplikuar.

“Por do fitojmë. Në këtë kuadër, në këtë kontekst, unë u bëj thirrje ju të ngriheni në lartësinë e këtij misioni. Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve”, tha Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se Gjenerata Z po rezulton sot në botë antidoti më i madh i diktaturave.

“E përmbysi në Bangladesh e në Nepal regjimin, e përmbysi në Sri Lanka, po i dridh themelet autokratit të Beogradit Vuçiç. Sot, Shqipëria ka një opozitë që qëndron e vendosur në idealet e saj gjer në përmbysjen e kësaj diktature”, cilësoi Berisha.

Ndërkaq, kreu i PD-së e cilësoi të turpshme seancën e djeshme në Gjykatën Kushtetuese ku u mor në shqyrtim kërkesa kundër vendimit të pezullimit të zv.kryeministres Balluku nga GJKKO.

 

Sali Berisha, kreu i PD gjatë Foltores me të rinjtë e FRPD
1 nga 3

/e.i/j.p/

The post Berisha me të rinjtë e PD-së: Keni shansin të riktheni shpresën e shqiptarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përmirësimi i kuadrit ligjor, Ministria e Drejtësisë memorandum mirëkuptimi me PNUD

23 January 2026 at 18:59

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari zhvilloi sot një takim me përfaqësuesen e përhershme të UNDP Albania, Randi Davis.

Lamallari informoi se gjatë takimit u nënshkrua Memorandum Mirëkuptimi për të ripërtërirë partneritetin në përmirësimin e kuadrit ligjor, investimin te profesionistët e fushës së drejtësisë dhe rrjetëzimin e shërbimofruesve, për të rritur ndërgjegjësimin dhe ndikimin real të shërbimeve juridike falas tek ata që kanë më shumë nevojë.

Sipas Lamallarit, ky bashkëpunim është plotësisht në linjë me prioritetet e integrimit evropian, detyrimet ndërkombëtare dhe standardet e të drejtave të njeriut.

“E çmoj të gjithë partneritetin që kemi pasur me UNDP, veçanërisht në fushën e ndihmës ligjore falas dhe besoj se ky memorandum e çon angazhimin në një nivel më të lartë. Mirënjohje gjithashtu ndaj Agjencisë Austriake për Zhvillim për financimin e projektit”, tha Lamallari.

/e.i/j.p/

The post Përmirësimi i kuadrit ligjor, Ministria e Drejtësisë memorandum mirëkuptimi me PNUD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Dymbëdhjetë shtete shpallin gjendjen e jashtëzakonshme ndërsa afrohet stuhia ‘vdekjeprurëse’ e dimrit

23 January 2026 at 18:54

UASHINGTON, 23 janar /ATSH-DPA/- Dymbëdhjetë shtete amerikane kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme – përpara mbërritjes së asaj që mund të jetë një nga stuhitë më të rënda dimërore në vitet e fundit, raportoi sot media amerikane.

E shoqëruar nga reshje të dendura dëbore dhe erëra të akullta, stuhia do të përhapet në një distancë prej rreth 3,000 kilometrash nga Nju Meksiko në jugperëndim deri në Maine në verilindje gjatë fundjavës, paralajmëroi shërbimi meteorologjik.

Linjat ajrore kanë anuluar tashmë qindra fluturime si masë paraprake, sipas raportimeve të medias.

Shumë shkolla anuluan sot mësimin – si masë paraprake.

Ekzistojnë gjithashtu frikëra për ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të rënies së pemëve ose shkëputjes se linjave të energjisë si rezultat i peshës se akullit.

Paralajmërimet e motit ose këshillat speciale janë në fuqi për rreth 160 milionë njerëz.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul paralajmëroi se i ftohti mund të jetë “absolutisht vdekjeprurës”.

Në disa pjesë të Minesotës dhe Dakotës së Veriut, temperaturat mund të bien në minus 45 gradë Celsius, sipas shërbimit meteorologjik.

Presidenti amerikan, Donald Trump e përdori të ftohtin ekstrem për t’u dhënë një tjetër goditje ekspertëve të klimës.

“A mund të shpjegojnë kryengritësit mjedisorë – ÇFARË KA NDODHUR ME NGROHJEN GLOBALE???” shkroi ai në Truth Social.

Ndryshimi i klimës do të thotë që temperaturat po rriten gradualisht në një mesatare afatgjatë.

Sipas ekspertëve, frekuenca dhe intensiteti i ngjarjeve ekstreme të motit po rritet gjithashtu si rezultat i ndryshimeve klimatike, duke përfshirë stuhitë dhe reshjet e dendura të shiut. //a.i/

The post SHBA – Dymbëdhjetë shtete shpallin gjendjen e jashtëzakonshme ndërsa afrohet stuhia ‘vdekjeprurëse’ e dimrit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Samiti i Diasporës, moment historik për bashkimin e shqiptarëve kudo në botë

23 January 2026 at 18:49

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe njëherësh drejtues politik për Diasporën, Taulant Balla, përshëndeti thirrjen për organizimin e samitit të IV të Diasporës Shqiptare, të cilin e cilësoi si një mundësi reale për të ndarë përvoja dhe ide me bashkatdhetarët shqiptarë në botë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla thekson se Shqipëria ndodhet sot në nivelin më të lartë të përfaqësimit dhe dinjitetit të saj në arenën ndërkombëtare në 113 vite shtet, duke u shndërruar në një model stabiliteti dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor.

“Shqipëria sot është anëtare e Bordit të Paqes, vend pritës i Samitit të NATO-s dhe në rrugë të sigurt drejt përmbylljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian brenda vitit 2027. Kjo është një arritje që i përket të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen”, shprehet Balla.

Ai nënvizon se diaspora shqiptare ka një rol kyç në këto momente historike për vendin, duke e cilësuar Samitin IV si një hapësirë dialogu, bashkëpunimi dhe vizioni mes shqiptarëve në mbarë botën dhe institucioneve në Shqipëri.

“Sipas Ballës, Samiti i Diasporës është një mundësi reale për të ndarë ide, përvoja dhe për të forcuar lidhjet mes diasporës dhe shtetit shqiptar, në funksion të Shqipërisë evropiane dhe të së ardhmes së përbashkët,” thuhet në reagim.

Samiti IV i Diasporës Shqiptare, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama, pritet të mbledhë përfaqësues të komuniteteve shqiptare nga vende të ndryshme të botës, si dhe aktorë institucionalë, ekonomikë dhe shoqërorë nga Shqipëria.

/e.i/j.p/

The post Balla: Samiti i Diasporës, moment historik për bashkimin e shqiptarëve kudo në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia masa për tubimin e PD-së, nesër bllokim i qarkullimit në disa akse rrugore

23 January 2026 at 18:40

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë bëri me dije se ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të tubimit të Partisë Demokratike që do të zhvillohet ditën e nesërme, përpara Kryeministrisë, në orën 17:00.

Si pjesë e këtyre masave, Policia njofton se ditën e sotme dhe të nesërme do të ketë kufizime në qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore:

Nga ora 23:45, të ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.

Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

e.xh/j.p/

The post Policia masa për tubimin e PD-së, nesër bllokim i qarkullimit në disa akse rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT: Mbi 12,4 milionë vizitorë të huaj gjatë 2025-ës, rritje vjetore 6.6 %

23 January 2026 at 19:36

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Shqipëria vijon të tërheqë vizitorë të huaj, me një rritje prej 6,8 % të turistëve të huaj gjatë muajit dhjetor 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot të dhënat për muajin dhjetor, të cilat vulosin bilancin vjetor: 12,466,038 shtetas të huaj kanë vizituar vendin tonë gjatë vitit që lamë pas.

Kjo shifër shënon një rritje vjetore prej 6.6% krahasuar me vitin 2024, duke dëshmuar se trendi rritës i Shqipërisë si destinacion turistik dhe tranzit nuk ishte i përkohshëm.

Gjatë dhjetorit, 698.742 shtetas të huaj hynë në territorin e vendit, ndërsa daljet e tyre arritën në 638.680 persona, duke shënuar një rritje prej 5,5 % krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria po vazhdon të konsolidohet si destinacion turistik i preferuar, për shkak të rritjes së udhëtimeve ndërkombëtare, kthimeve sezonale të emigrantëve dhe promovimit të vendit si destinacion gjithëvjetor.

INSTAT bën të ditur se flukset e lëvizjes së shtetasve shqiptarë dhe të huaj drejt dhe nga Shqipëria vijuan të shënojnë rritje edhe gjatë muajit dhjetor 2025.

Gjatë muajit dhjetor 2025, në territorin e Republikës së Shqipërisë kanë hyrë gjithsej 1.542.889 shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 7,0 % krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Ndërkohë, numri i daljeve nga territori i vendit ka arritur në 1.353.137 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ose 8,1 % më shumë krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar.

Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë gjatë muajit dhjetor 2025 janë regjistruar në 844.147 persona, duke pësuar një rritje prej 7,1 % krahasuar me dhjetorin 2024. Edhe daljet kanë shënuar rritje. Gjatë dhjetorit 2025, nga Shqipëria kanë dalë 714.457 shtetas shqiptarë, ose 10,6 % më shumë krahasuar me dhjetorin 2024.

e.xh/j.p/

The post INSTAT: Mbi 12,4 milionë vizitorë të huaj gjatë 2025-ës, rritje vjetore 6.6 % appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qytetarët mbushin kinemanë “Republika” në Shkodër, pas rikonstruksionit

23 January 2026 at 18:30

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Kinema “Republika”, një nga simbolet e Shkodrës po sjell pranë publikut artdashës premiera të prodhimeve më të fundit, duke u kthyer në pol të kulturës në qytet.

Pas rikonstruksionit tërësor të godinës dhe ambienteve të brendshme, kinema “Republika” hapi dyert për qytetarët me premierën e filmit “Avatar: Fire and ASH”, 26 dhjetorin e vitit të kaluar.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale pamje nga qytetarët e shumtë që kanë mbushur sallën e kinemasë “Republika” në Shkodër, tashmë e rilindur.

Për artdashësit, në kinema “Republika” po jepet filmi “Falli 2”, me producent Marjus Dervishin. Në të, interpretojnë disa aktorë të njohur si Behar Merja, Marjana Kondi, Margent Çaushi, Klejdis Shehu, Selma Bakalli dhe Xhoana Karaj.

Publiku ka pasur mundësinë të takohet nga afër me kastin e këtij filmi që shfaqet për herë të parë në kinema “Republika”.

Ndërkohë, investimi në kinema “Republika” ka prekur çdo aspekt të kësaj godine. Ndërhyrja ka përfshirë fasadën e jashtme, duke i dhënë një pamje dinjitoze, si dhe ambientet e brendshme, të cilat janë kompletuar me infrastrukturë, arredim dhe teknologji të kohës për të garantuar cilësinë maksimale të projeksioneve.

Ky transformim e vendos kinema “Republikën” në piedestalin e hapësirave kulturore të qytetit të Shkodrës.

/e.i/j.p/

The post Qytetarët mbushin kinemanë “Republika” në Shkodër, pas rikonstruksionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ABU DABI – Nisin bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë

23 January 2026 at 17:52

ABU DABI /ATSH-DPA/- Bisedimet e paqes midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë nisur sot në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), tha vendi i Gjirit, ndërsa takimi do të përqendrohet në çështjet territoriale, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Bisedimet tripalëshe, që po zhvillohen në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dabi, do të vazhdojnë edhe të shtunën”, shtoi Ministria e Jashtme e Emirateve në një deklaratë.

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed, shpreson që bisedimet do të kontribuojnë në ndërmarrjen e “hapave të prekshëm” për t’i dhënë fund krizës prej gati katër vitesh.

Në thelb të bisedimeve është kushti i Rusisë për tërhiqjen e forcave ukrainase nga pjesa e Donbasit që është ende nën kontrollin e Kievit.

Donbasi është një zonë në Ukrainën lindore që është përqendruar kryesisht në provincat e Donetskut dhe Luhanskut në rajonin tradicional të minierave të qymyrit të vendit.

“Çështja e Donbasit është një çështje kyçe për bisedimet”, u tha sot Zelensky gazetarëve.

Nuk ka pasur takime zyrtare të drejtpërdrejta midis dy palëve ndërluftuese për disa muaj, me Stambollin si vendi më i fundit.

Megjithatë, zyrtarët ushtarakë rusë dhe ukrainasë kanë përdorur Abu Dabin për takime joformale për të diskutuar shkëmbimin e të burgosurve të luftës.

Uashingtoni ka muaj që udhëheq përpjekjet për të bindur Rusinë dhe Ukrainën të arrijnë një zgjidhje paqësore, por të dy palët ende kanë qëndrime kontradiktore.

Moska pretendon të gjithë provincën lindore ukrainase të Donetskut dhe kontrollon më pak se 80% të saj. Kievi deri më tani ka refuzuar të tërhiqet vullnetarisht.

Provinca fqinje Luhansk kontrollohet pothuajse plotësisht nga trupat ruse.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, tha sot se çështjet territoriale duhej të sqaroheshin në përputhje me marrëveshjet e Anchorage, duke iu referuar një takimi midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, në Alaska në gusht.

“Qëndrimi i Rusisë është i njohur: Ukraina dhe forcat e armatosura ukrainase duhet të largohen nga rajoni i Donbasit”, tha ai.

Ukraina është mbrojtur kundër pushtimit rus për gati katër vjet, që nga 24 shkurti 2022.

Në muajt e fundit, Ukraina ka pësuar sulme të mëdha në kapacitetin e saj të prodhimit të energjisë, dhe forcat ruse në vijat e frontit kanë bërë përparime të ngadalta. //a.i/

 

 

The post ABU DABI – Nisin bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Fazë e re e shkëmbimit të informacionit mes Ministrisë së Arsimit dhe çdo universiteti

23 January 2026 at 17:49

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Për vitin 2026, Ministria e Arsimit do të mbështesë universitetet publike me 11,2 miliardë lekë grant për mësimdhënien dhe për bursat e studentëve.

Mirela Kumbaro, ministrja e Arsimit, informoi sot se përmes marrëveshjes së nënshkruar me Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë (AKFL) dhe Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) publike në vend, ka nisur një fazë e re mbështetje për këto institucione.

Gjatë takimit të zhvilluar me stafin e AKFAL, agjencia e cila ekzekuton politikat e financimit dhe mbështetjes së Ministrisë së Arsimit për institucionet publike të arsimit të lartë, Kumbaro tha se ky institucion kryen një punë teknike dhe voluminoze në bashkëpunim të ngushtë me universitetet.

“Për vitin 2026, Ministria e Arsimit mbështet universitetet publike me 11,2 miliardë lekë grant për mësimdhënien dhe për mbështetjen me bursa të studentëve”, tha Kumbaro.

Sipas Kumbaros, përmes marrëveshjeve të nënshkruara nga AKFAL me IAL-të publike, duhet të nisë një fazë e re e shkëmbimit të informacionit dhe transparencës mes Ministrisë së Arsimit dhe çdo universiteti, për të optimizuar mbështetjen financiare dhe për t’i bërë financimet më efikase dhe më të matshme.

Mbështetja financiare prej rreth 11,2 miliardë lekë, ose 115 milionë euro, si grant për mësimdhënien, ndahet në Fond Institucional dhe Fond për Mbështetjen Studentore duke mbështetur me paga rreth 5,800 personel akademik dhe administrative në 14 universitetet publike dhe mbi 12,000 studentë ekselentë apo me nevoja sociale, përmes skemës së bursave.

/e.i/j.p/

The post Kumbaro: Fazë e re e shkëmbimit të informacionit mes Ministrisë së Arsimit dhe çdo universiteti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌