BRUKSEL, 22 dhjetor /ATSH-AA/ – Ruajtja e integritetit territorial të Danimarkës, sovranitetit të saj dhe paprekshmërisë së kufijve të saj është thelbësore për Bashkimin Evropian, tha sot një zëdhënës i BE-së, duke iu përgjigjur zhvillimeve të fundit diplomatike të SHBA-së lidhur me Grenlandën.
Duke folur në një konferencë për mediat në Bruksel, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar el Anouni nuk komentoi drejtpërdrejt vendimet e SHBA-së, por theksoi qëndrimin e hershëm të BE-së për këtë çështje.
Ky koment vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi të dielën emërimin e një të dërguari të posaçëm në territorin autonom.
“Nuk është për mua të komentoj vendimet e SHBA-së, por ajo që mund të them për qëndrimin e BE-së është se, ai ka qenë qëndrimi ynë i hershëm për këtë çështje dhe ruajtja e integritetit territorial të Mbretërisë së Danimarkës, sovranitetit të saj dhe paprekshmërisë së kufijve të saj është thelbësore për BE-në”, tha El Anouni.
Më herët gjatë ditës, Danimarka njoftoi se do të thërriste Kenneth A. Howery, ambasadorin e SHBA-së në Kopenhagë, për një shpjegim pasi Trump emëroi Jeff Landry, guvernatorin e shtetit amerikan të Luizianës, si të dërguarin e posaçëm të Washingtonit në Grenlandë, raportoi DR News.
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen e përshkroi veprimin e SHBA-së si “krejtësisht të papranueshëm” dhe se vendimi për të thirrur ambasadorin e SHBA-së u mor në konsultim me autoritetet e Grenlandës.
Ai tha se Danimarka kërkon shpjegim të plotë se pse Washingtoni emëroi të dërguar të posaçëm në Grenlandë, pavarësisht se tashmë ka ambasador në vend.
Trump e ripërtëriu interesin e tij për Grenlandën pas rizgjedhjes së tij si president i SHBA-së për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe burimeve të mëdha minerale. Ai më parë e përshkroi pronësinë e Grenlandës si “domosdoshmëri absolute” për sigurinë ekonomike të SHBA-së, duke e krahasuar blerjen me një “marrëveshje të madhe pasurish të paluajtshme”.
Megjithatë, as Danimarka dhe as Grenlanda nuk janë të gatshme t’i japin “dritën e gjelbër” pronësisë amerikane të ishullit, siç është shprehur vazhdimisht në përgjigje të propozimeve të Trumpit.
Grenlanda, ish-koloni daneze, arriti qeverisjen vendase në vitin 1979 dhe mbetet territor i Danimarkës. Në vitin 2009, një referendum miratoi Aktin e Vetëqeverisjes, duke i dhënë Grenlandës autonomi më të madhe ndërsa Danimarka mban kontrollin mbi politikën e jashtme, mbrojtjen dhe sigurinë. /os/
The post FOKUS – BE konfirmon integritetin territorial të Danimarkës pas emërimit të të dërguarit të SHBA në Grenlandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.