Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Zelensky dhe Merz rikonfirmojnë unitetin përpara bisedimeve me Trump

26 December 2025 at 23:00

BERLIN, 26 dhjetor /ATSH-DPA/- Përpara takimit të planifikuar me presidentin e SHBA-së Donald Trump, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky diskutoi hapat e ardhshëm të planit të paqes me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

“Ne po koordinojmë qëndrimet tona dhe të gjithë në Evropë duhet të jenë në të njëjtën linjë për të mbrojtur mënyrën tonë evropiane të jetesës, pavarësisë së shteteve tona dhe paqes në Evropë”, tha sot Zelensky në platformën X. “Duhet të ketë paqe”, shtoi ai.

“Ne qëndrojmë të palëkundur në anën tuaj. Një qasje e fortë dhe e koordinuar evropiane mbetet thelbësore për paqen, lirinë dhe sigurinë. Grupi i Berlinit është gati të ndihmojë – i koordinuar ngushtë me partnerët tanë amerikanë”, u përgjigj Merz në X.

Zelensky tha se dëshiron të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump këtë fundjavë për të finalizuar një plan të mundshëm paqeje për Ukrainën.

Takimi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Uashingtoni.

Për më tepër, Moska ka treguar se ky plan, i cili është rishikuar nga SHBA-ja, Kievi dhe Evropa, nuk i përmbush pritshmëritë e Kremlinit.

“Kam informuar kancelarin gjerman, Merz – për punën tonë me të dërguarit e SHBA-së – të gjithë e kujtojmë formatin e takimit të Berlinit dhe produktivitetin që u arrit atje”, tha Zelensky.

“Kjo është pikërisht mënyra se si vazhdojmë të punojmë. Ne ramë dakord të vazhdojmë të veprojmë së bashku me evropianët”, shtoi ai.

Samiti i mbajtur në Berlin, në mesin e dhjetorit, ishte takimi i parë i madh i Ukrainës që përfshinte SHBA-në, Ukrainën dhe evropianët kryesorë në një vend të BE-së që nga përpjekja e re e Trump për një zgjidhje paqeje në nëntor.

“Jam mirënjohës ndaj Gjermanisë për mbështetjen e saj të palëkundur dhe të prekshme për Ukrainën dhe mbrojtjen tonë”, shtoi Zelensky në X.

“Falë bashkëpunimit tonë me Gjermaninë, mijëra jetë në Ukrainë tashmë janë shpëtuar nga sulmet ruse dhe ne po ruajmë pozicionet tona mbrojtëse për të siguruar forcën e pozicioneve tona diplomatike. Friedrich, shumë faleminderit!” shkroi presidenti ukrainas duke iu drejtuar kancelarit gjerman, Merz. //a.i/

The post FOKUS – Zelensky dhe Merz rikonfirmojnë unitetin përpara bisedimeve me Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vdes Perry Bamonte, kitaristi i grupit britanik “The Cure”

26 December 2025 at 22:35

LONDËR, 26 dhjetor /ATSH/-  Perry Bamonte, kitaristi i “The Cure”, ka vdekur në moshën 65-vjeçare, sipas “Billboard”.

Grupi njoftoi vdekjen e tij në një deklaratë të ndarë nëpërmjet faqes së tyre zyrtare të internetit, duke zbuluar se ai “vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër në shtëpi gjatë Krishtlindjeve”.

“The Cure”, grupi anglez i Rock-ut i formuar në Crawley në vitin 1976 – njoftoi vdekjen e Bamonte në një deklaratë në faqen zyrtare, duke zbuluar se ai kishte vdekur nga një sëmundje në shtëpinë e tij gjatë Krishtlindjeve.

“Me trishtim të madh konfirmojmë vdekjen e mikut dhe shokut tonë të ngushtë të grupit Perry Bamonte”, shkroi grupi.

Perry Archangelo Bamonte lindi në Londër më 3 shtator 1960. Karrierën si muzikant e filloi si anëtar i grupit “The Cure” në vitin 1984, pasi vëllai i tij Daryl u punësua si menaxher i turneut të grupit.

Më pas ai vazhdoi të bëhej teknik kitare dhe asistent personal i vokalistit, Robert Smith.

Bamote u bë anëtar me kohë të plotë i “The Cure” në vitin 1990 kur tastieristi Roger O’Donnell u largua nga grupi.

Ai luante kitarë dhe tastierë, si dhe bas me gjashtë tela dhe perkusion herë pas here.

Siç përshkruhet në deklaratën e grupit, Bamonte luajti në albumet, “The Wish”, “Wild Mood Swings”, “Bloodflowers”, “Acoustic Hits” dhe “The Cure”.

Ai gjithashtu performoi në më shumë se 400 shfaqje gjatë 14 viteve.

“Bamote u ribashkua me “The Cure” në vitin 2022, duke performuar edhe në 90 shfaqje të tjera, disa nga më të mirat në historinë e grupit, duke kulmuar me koncertin “The Show of a Lost World” në Londër më 1 nëntor 2024. //a.i/

 

The post Vdes Perry Bamonte, kitaristi i grupit britanik “The Cure” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKE – Kremlini: Zyrtarët rusë dhe amerikanë diskutuan për zgjidhjen e çështjes ukrainase

26 December 2025 at 22:01

MOSKE, Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha sot se përfaqësuesit e administratave presidenciale ruse dhe amerikane kanë pasur kontakte mbi zgjidhjen e çështjes ukrainase pas konsultimeve të fundit në Miami të SHBA-së.

Peskov tha se ndihmësi presidencial rus, Yury Ushakov dhe disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë diskutuan për draftin e planit të paqes në një bisedë telefonike.

“Pasi Dmitrievi e informoi presidentin mbi rezultatet e udhëtimit në Amerikë dhe kontaktet e tij me amerikanët, ky informacion u analizua. Me udhëzim të presidentit Putin pati kontakt midis përfaqësuesve të Rusisë dhe SHBA-së”, tha zëdhënësi i Kremlinit.

Ai shtoi se Kremlini analizoi informacionin e marrë nga i dërguari special Kirill Dmitriev pas udhëtimit në SHBA. Duke folur për rezultatet, Peskov tha se “Moska dhe Washingtoni ranë dakord të vazhdojnë dialogun”.

Bisedimet mbi zgjidhjen e çështjes ukrainase u zhvilluan në Miami gjatë fundjavës, me palën amerikane të përfaqësuar nga i dërguari Steven Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump.   /os/

The post MOSKE – Kremlini: Zyrtarët rusë dhe amerikanë diskutuan për zgjidhjen e çështjes ukrainase appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 26 December 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – OBSH: Një e treta e vdekjeve në Evropë lidhen me alkoolin

26 December 2025 at 21:17

GJENEVE, 26 dhjetor /ATSH-AA/ – Alkooli është përgjegjës për një në tre vdekje nga lëndimet dhe dhuna në Evropë, duke paraqitur kërcënim të madh për shëndetin publik, veçanërisht gjatë periudhave të festave kur konsumi zakonisht rritet, thuhet në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH),

Sipas raportit bazuar në të dhënat e vitit 2019, gati 145 mijë vdekje të lidhura me lëndimet në rajon i atribuohen alkoolit, përfshirë vetëlëndimin, lëndimet në trafikun rrugor dhe rrëzimet. “Asnjë substancë tjetër psikoaktive nuk kontribuon kaq shumë në lëndimet e paqëllimshme dhe të qëllimshme”, tha OBSH-ja duke paralajmëruar se alkooli mbetet faktor rreziku veçanërisht i rrezikshëm për të rinjtë.

OBSH-ja tha se Evropa ka nivelet më të larta të konsumit të alkoolit në nivel global, me përdorimin e alkoolit që shkakton rreth 800 mijë vdekje çdo vit, rreth një në çdo 11 vdekje.

“Alkooli është substancë toksike që dëmton gjykimin, ngadalëson kohën e reagimit dhe nxit sjelljen e marrjes së rrezikut”, tha Carina Ferreira-Borges, këshilltare rajonale e OBSH-së për alkoolin, drogat e paligjshme dhe shëndetin e burgjeve, duke shtuar se shumë lëndime të lidhura me alkoolin janë të parandalueshme.

Raporti thekson një lidhje të fortë midis alkoolit dhe dhunës, ku më shumë se 40 për qind e vdekjeve nga dhuna ndërpersonale dhe mbi një e treta e vdekjeve nga vetëlëndimi në vitin 2019 ishin të atribuueshme alkoolit.

Alkooli gjithashtu përbën kërcënim serioz për adoleshentët dhe të rinjtë, tha OBSH-ja duke përmendur pirjen e tepërt episodike si faktor kyç pas lëndimeve rrugore, mbytjeve, rënieve dhe vetëlëndimit midis grupmoshave më të reja. Pavarësisht progresit në dekadat e fundit, pabarazi të mprehta vazhdojnë në të gjithë Evropën, thotë raporti.

Vendet e Evropës Lindore regjistrojnë shkallën më të lartë të vdekjeve nga lëndimet e lidhura me alkoolin, me alkoolin të lidhur me më shumë se gjysmën e të gjitha vdekjeve nga lëndimet në disa vende, krahasuar me më pak se 20 për qind në shumë shtete perëndimore dhe jugore.   /os/

The post FOKUS – OBSH: Një e treta e vdekjeve në Evropë lidhen me alkoolin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Moska: Nuk kemi qenë kurrë kaq afër një marrëveshjeje, por Kievi dhe Evropa duan ta prishin atë

26 December 2025 at 21:11

MOSKË, 26 dhjetor /ATSH/- Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov tha se asnjë afat nuk do të ndihmonte në “punën e vërtetë” të përfundimit të luftës në Ukrainë, ndërsa e përshkroi 25 dhjetorin si një “moment historik” në të cilin palët ishin afruar më shumë drejt përfundimit të luftës, sipas “Ukrainska Pravda”.

“25 dhjetori shënoi një pikë në të cilën palët u afruan më shumë drejt zgjidhjes së çështjes ukrainase, por nevojitet një “përpjekje” e mëtejshme”, tha Ryabkov.

“Nëse do të jemi në gjendje të bëjmë përpjekjen përfundimtare dhe të arrijmë një marrëveshje varet nga ne, puna jonë dhe vullneti politik i palës tjetër”, tha ai.

“Por, Kievi dhe Evropa duket se po forcojnë përpjekjet e tyre për të minuar marrëveshjen”, tha ministri rus.

“Gjithashtu, nuk do të jetë e mundur të arrihet një marrëveshje përfundimtare nëse “problemet” që Rusia pretendon se janë shkaqet rrënjësore të luftës së saj kundër Ukrainës nuk “zgjidhen saktë”, shtoi Ryabkov.

“Asnjë afat kohor artificial nuk do të ndihmojë këtu, asnjë afat kohor – nëntë ditë, 90 ditë, çfarëdo qoftë – ato nuk ndihmojnë me punën e vërtetë”, tha ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky zbuloi të mërkurën përmbajtjen e planit të paqes prej 20 pikësh – të dakordësuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – për herë të parë.

Moska ka lënë të nënkuptohet se Rusia do të kërkojë ndryshime të rëndësishme në draftin e planit të paqes të dakordësuar nga Ukraina dhe SHBA-ja.

Zelensky tha se sot plani prej 20 pikësh për një zgjidhje paqësore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës ishte 90% gati. //a.i/

The post RUSI – Moska: Nuk kemi qenë kurrë kaq afër një marrëveshjeje, por Kievi dhe Evropa duan ta prishin atë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Izraeli bëhet vendi i parë që njeh zyrtarisht Somalilandin si shtet të pavarur

26 December 2025 at 20:45

TEL AVIV, 26 dhjetor /ATSH/- Izraeli është bërë vendi i parë që njeh zyrtarisht republikën e vetëshpallur të Somalilandit si një shtet të pavarur dhe sovran, sipas “Reuters”.

Ky veprim mund të ndryshojë dinamikën rajonale dhe të vërë në provë Somalinë, e cila prej kohësh ka kundërshtuar shkëputjen.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të kërkonte bashkëpunim të menjëhershëm me Somalilandin në bujqësi, shëndetësi, teknologji dhe ekonomi.

Në një deklaratë, ai përgëzoi presidentin e Somalilandit, Abdirahman Mohamed Abdullahi dhe vlerësoi udhëheqjen e tij dhe e ftoi atë të vizitonte Izraelin.

Marrëveshjet e vitit 2020 u ndërmjetësuan nga administrata e parë Trump dhe përfshinin formalizimin e marrëdhënieve diplomatike të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, me vende të tjera që u bashkuan më vonë.

Kryeministri izraelit Netanyahu, ministri i Jashtëm Gideon Saar dhe presidenti i Somalilandit nënshkruan sot një deklaratë të përbashkët të njohjes së ndërsjellë.

Abdullahi tha në një deklaratë se Somalilandi do t’i bashkohej Marrëveshjeve të Abrahamit, duke e quajtur atë një hap drejt paqes rajonale dhe globale.

Ai tha se Somalilandi ishte i përkushtuar për ndërtimin e partneriteteve, rritjen e prosperitetit të ndërsjellë dhe promovimin e stabilitetit në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

Ndërkohë, Egjipti tha se ministri i Jashtëm, Badr Abdelatty kishte zhvilluar sot biseda telefonike me homologët e tij nga Somalia, Turqia dhe Xhibuti për të diskutuar zhvillimet e rrezikshme në Bririn e Afrikës pas njoftimit të Izraelit.

“Ministrat dënojnë njohjen e Somalilandit nga Izraeli, rikonfirmojnë mbështetjen e tyre të plotë për unitetin dhe integritetin territorial të Somalisë dhe paralajmërojnë se njohja e rajoneve separatiste përbën një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha Ministria e Jashtme e Egjiptit.

Somalilandi ka gëzuar autonomi, si dhe paqe dhe stabilitet relativ, që nga viti 1991, kur Somalia u zhyt në luftë civile, por rajoni i shkëputur nuk ka arritur të sigurojë asnjë njohje.

Gjatë viteve, Somalia ka punuar me aktorë ndërkombëtarë kundër njohjes së Somalilandit.

Ish-protektorati britanik shpreson që njohja e pavaresisë së Somalilandit nga Izraeli do të nxisë shtetet e tjera të ndjekin shembullin, duke rritur ndikimin e tij diplomatik dhe aksesin në tregjet ndërkombëtare. //a.i/

The post FOKUS – Izraeli bëhet vendi i parë që njeh zyrtarisht Somalilandin si shtet të pavarur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – Rriten tensionet midis kurdëve dhe Damaskut për marrëveshjen e integrimit

26 December 2025 at 20:29

DAMASKË, 26 dhjetor /ATSH-DPA/-  Qeveria e Sirisë shprehu sot shqetësim për vonesën e integrimit të kurdëve në verilindje të vendit në sistemin shtetëror, duke thënë se bisedimet me udhëheqjen atje nuk kishin dhënë asnjë rezultat të prekshëm.

“Pala kurde nuk po tregon asnjë gatishmëri të vërtetë për të zbatuar marrëveshjen e arritur në mars deri në fund të vitit siç është planifikuar”, thanë burime në Ministrinë e Jashtme për agjencinë shtetërore të lajmeve SANA.

Sipas Damaskut, mungesa e hapave konkretë mund të çojë në rritje të tensioneve në ditët në vijim.

“Ata duhet të mbajnë përgjegjësi nëse nuk përmbushin atë për të cilën janë zotuar”, shkroi një këshilltar i presidentit të përkohshëm, Ahmed al-Sharaa në platformën X.

Megjithatë, Forcat Demokratike Siriane (SDF), krahu ushtarak i vetëadministrimit kurd, kanë përmendur progres në këtë çështje.

Ekziston një marrëveshje se si njësitë ushtarake do të integrohen në strukturat shtetërore, tha dje udhëheqësi i SDF-së, Mazloum Abdi.

“Kjo do të kërkonte ende kohë për të sqaruar çështjet kushtetuese”, shtoi ai.

Në të njëjtën kohë, duke cituar burime qeveritare, stacioni televiziv “Al-Araby” raportoi se të dy palët nuk ishin më në kontakt.

Kurdët janë pakica më e madhe etnike në Siri dhe jetojnë kryesisht në një zonë të vetëqeverisur në verilindje, ku ndodhen shumica e rezervave të naftës dhe gazit të vendit.

Konflikti i tyre me qeverinë në Damask ka të bëjë kryesisht me autonominë dhe të drejtat që do t’u jepen, duke përfshirë edhe përdorimin e burimeve natyrore. Damasku po përpiqet për krijimin e një qeverie qendrore që përfshin edhe verilindjen.

Sipas qeverisë, marrëveshja duhet të zbatohet deri në mesnatën e së mërkurës.

Nga ana tjetër, vetëqeverisja kurde dëshiron më shumë fleksibilitet. Abdi tha se nuk kishte një afat kohor të caktuar dhe asnjë afat pas të cilit “zgjidhje ushtarake” do të bëheshin të mundura.

Turqia, një mbështetëse kryesore e qeverisë në Damask, po rrit gjithashtu presionin mbi fqinjin e saj për të zbatuar marrëveshjen.

“Ne nuk jemi të kënaqur me ritmin e procesit”, tha ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan. “SDF duhet të kuptojë se durimi i aktorëve kryesorë po mbaron”, shtoi ai.

Në ditët e fundit, përleshjet midis trupave qeveritare dhe SDF-së në zonën e Alepos kanë rezultuar në vdekje dhe plagosje.

Sipas raportimeve të mediave kurde, furnizimi me energji elektrike dhe ujë është ndërprerë dhe furnizimi me karburant është ndaluar. //a.i/

The post SIRI – Rriten tensionet midis kurdëve dhe Damaskut për marrëveshjen e integrimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOREJA E VERIUT – Kim Jong Un urdhëron zgjerimin e prodhimit të raketave deri në vitin 2026

26 December 2025 at 20:27

PHENIAN, 26 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka urdhëruar “zgjerimin” dhe modernizimin e prodhimit të raketave të vendit vitin e ardhshëm dhe ndërtimin e objekteve shtesë për të përmbushur kërkesën në rritje, raportuan mediat shtetërore.

Në një turne në fabrikat e municioneve të shoqëruar nga zyrtarë të lartë, Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA) tha se ”Kim urdhëroi që objektet të përmbushin nevojat e ardhshme për funksionimin e forcave të raketave dhe artilerisë së shtetit”.

Kim deklaroi se ”do të jetë e nevojshme të zgjerohet më tej kapaciteti i përgjithshëm i prodhimit për të mbajtur ritmin me kërkesën nga forcat e armatosura të Phenianit dhe urdhëroi ndërtimin e objekteve të reja të prodhimit të municioneve”. /os/

The post KOREJA E VERIUT – Kim Jong Un urdhëron zgjerimin e prodhimit të raketave deri në vitin 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: T’i rikthehemi sheshit çdo natë deri në largimin e Ramës

26 December 2025 at 20:19

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot turin e “Foltores” në Manzë (Durrës). Gjatë fjalës së tij, Berisha paralajmëroi se opozita do t’i rikthehet sheshit çdo natë deri në largimin e qeverisë.

Ai deklaroi se opozita nuk do të përdorë dhunë, por do të ndjekë rrugën e protestave paqësore dhe qëndresës qytetare për largimin e qeverisë.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të mobilizohen në janar për një betejë politike deri në fitore, duke e cilësuar vitin 2026 si moment vendimtar për përmbysjen e asaj që ai e quajti “diktaturë e dytë” dhe për shpëtimin e Shqipërisë.

“Jemi forcë demokratike, jemi opozitë demokratike. Ne do përdorim çdo mënyrë demokratike, jo të dhunshme për përzënien e tyre. Nuk rezistojnë dot ata.

“Tani duhet të betohemi, ditën e caktuar të zëmë sheshin dhe t’i rikthehemi sheshit çdo natë gjersa të përzëmë atë. Të mos mendojmë se rruga është dhuna, jo. Rruga është qëndresa jonë, sheshet. Sheshi duhet të jetë i yni dhe Edi Rama ikën. Nuk mund të qëndrojë aty. Pra, hyjmë në vitin 2026 me një mision, si misionarë, si fatmëdhenj që kemi mundësi të përmbysim një diktaturë të dytë në Shqipëri”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera Berisha deklaroi se zgjedhjet e viteve 2021 dhe 2025 kanë qenë farsa, të manipuluara përmes blerjes së votës, përdorimit të administratës shtetërore, bandave kriminale dhe shpërndarjes së fondeve publike në prag të zgjedhjeve.

Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet forca kryesore opozitare në vend pas 35 vitesh, falë qëndresës, pranimit të gabimeve dhe respektimit të parimeve morale dhe ligjore.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha: T’i rikthehemi sheshit çdo natë deri në largimin e Ramës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – 1000 euro shpërblim që foka të mos shqetësohet në plazhin e Numanës

26 December 2025 at 19:57

ROMË, 26 dhjetor /ATSH-DPA/- Një fokë deti e rrallë mesdhetare po shkakton trazira në qytetin italian të Numanës në Adriatik, duke fjetur në plazh dhe duke tërhequr vëmendjen e padëshiruar nga shikuesit kuriozë.

Në Numana të Italisë është ofruar një shpërblim prej 1,000 eurosh për mbrojtjen e një foke mesdhetare të rrallë dhe të rrezikuar që pushon në plazh, duke theksuar përpjekjet e ekspertëve dhe vendasve për t’i mbajtur njerëzit në një distancë prej rreth 50 metra – për t’i lejuar kafshës së cenueshme të pushojë dhe të rikuperohet, pasi shqetësimi që mund t’i shkaktohet asaj është i paligjshëm dhe i dëmshëm.

“Për fat të keq, ne ende nuk arrijmë të sillemi siç duhet”, tha eksperti i fokave të detit dhe ambientalisti Emanuele Coppola, në “Facebook”.

“Foka kishte qenë duke fjetur pranë një hoteli kur dikush iu afrua me një telefon celular për të bërë foton e tij “të padobishme”, tha Coppola.

Foka u zgjua dhe u largua sërish në det pranë provincës së Ankonës.

Ambientalisti tani shpreson që shpërblimi prej 1,000 eurosh për 24 orë paqe dhe qetësi të pandërprerë do të lejojë që pamjet e fokave të dokumentohen për qëllime shkencore.

Fokat mesdhetare mund të shihen herë pas here në plazhet italiane.

Sipas Fondit Botëror për Jetën e Egër (WWF), foka – e vetmja që gjendet në Mesdhe – është një specie është në zhdukje.

Gjuetia, ndotja detare dhe humbja e habitatit e kanë zvogëluar popullatën në vetëm disa qindra kafshë. Popullatat më të mëdha gjenden ende në brigjet greke dhe turke. //a.i/

The post ITALI – 1000 euro shpërblim që foka të mos shqetësohet në plazhin e Numanës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCE – Tre gra goditen me thikë në metronë e Parisit

26 December 2025 at 19:42

PARIS, 26 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Një burrë i armatosur me thikë sulmoi tre gra në Linjën 3 të metrosë së Parisit, deklaroi kompania e transportit publik të Parisit (RATP).

Sulmet ndodhën në stacionet Arts et Métiers, République dhe Opera, në zemër të Parisit, “midis orës 16:15 dhe 16:45”, saktësoi kompania (…vijon). /os/

The post FRANCE – Tre gra goditen me thikë në metronë e Parisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Dy të vrarë dhe disa të plagosur pas një sulmi terrorist 

26 December 2025 at 19:41

TEL AVIV, 26 dhjetor /ATSH-DPA/- Dy persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në një sulm terrorist në Izraelin verior, raportoi sot media izraelite, duke cituar burime policore.

“Një sulmues palestinez e përplasi makinën e tij me një grup këmbësorësh pranë Beit She’an, duke vrarë një burrë 68-vjeçar dhe duke plagosur të paktën dy persona të tjerë, përfshirë një djalë 16-vjeçar”, thanë zyrtarët.

Sulmuesi më pas vrau një grua 18-vjeçare me thikë në hyrje të Ein Harod pranë qytetit Afula. Një roje sigurie që ndodhej rastësisht i pranishëm qëlloi dhe plagosi sulmuesin.

Policia më vonë shkoi në një spital për të arrestuar të dyshuarin 37-vjeçar, i cili tha se ishte një palestinez nga Bregu Perëndimor.

Sipas ushtrisë, i dyshuari kishte qenë ilegalisht në Izrael për disa ditë.

Pavarësisht një rritjeje të përgjithshme të dhunës që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, incidente të tilla fatale janë më pak të zakonshme në Izraelin verior sesa në Bregun Perëndimor, ku rreth 700 000 kolonë izraelitë jetojnë midis 3 milionë palestinezëve në vendbanime të konsideruara të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. //a.i/

The post IZRAEL – Dy të vrarë dhe disa të plagosur pas një sulmi terrorist  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE në kontakt me Kievin, asnjë shenjë paqeje nga Moska

26 December 2025 at 19:09

BRUKSEL, 26 dhjetor /ATSH-ANSA/- Mbështetja e Evropës është thelbësore për suksesin e çdo plani paqeje, tha sot zëdhënësja e Komisionit të BE-së, Arianna Podestà.

“Ndërsa bisedimet në Miami po avancojnë, nuk ka indikacione se Rusia është e interesuar për paqe ose për një armëpushim”, shtoi ajo.

Qasja e Evropës mbetet: vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën dhe rritja e presionit mbi Rusinë për t’u angazhuar seriozisht në negociata”, theksoi Podestà.

Gjithashtu, zëdhënësja e Komisionit të BE-së, Arianna Podestà, tha se BE-ja ruan kontakt të vazhdueshëm me partnerët ukrainas për të arritur një fund të drejtë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të luftës ruse.

Ajo kujtoi telefonatën e 23 dhjetorit midis presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke theksuar se Brukseli ka mirëpritur iniciativën e paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Megjithatë, që çdo plan paqeje të jetë i suksesshëm, mbështetja e Evropës duhet të jetë thelbësore”, tha Podestà. //a.i/

The post BRUKSEL – BE në kontakt me Kievin, asnjë shenjë paqeje nga Moska appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Varësia nga ekranet zvogëlon kapacitetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve

26 December 2025 at 19:01

ANKARA, 26 dhjetor /ATSH-AA/ – Specialisti i neurologjisë, Asoc. Prof. Dr. Ahmet Onur Keskin, deklaroi se rritja e përdorimit të ekranit, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë, krijon efekte negative afatgjata në vëmendje dhe kapacitet mendor.

Duke folur për Anadolu në një kongres shëndetësor të mbajtur në Antalya, Keskin deklaroi se teknologjitë digjitale janë bërë një pjesë e domosdoshme e jetës së përditshme, por përdorimi i pakontrolluar dhe i zgjatur i ekranit paraqet rreziqe të konsiderueshme për shëndetin e trurit.

Duke theksuar se shëndeti i trurit është bërë më i rëndësishëm se kurrë me rritjen e jetëgjatësisë në mbarë botën, Keskin u shpreh: “Të qenit në gjendje ta çosh trurin shëndetshëm deri në pleqëri ndikon drejtpërdrejt si në cilësinë e jetës ashtu edhe në pjesëmarrjen aktive të individit në jetën shoqërore”.

Duke kujtuar se Ministria e Shëndetësisë po zbaton projekte që i japin përparësi plakjes së shëndetshme dhe shëndetit publik, Keskin theksoi se shëndetit të trurit nuk i jepet rëndësi e mjaftueshme në shoqëri.

– Përdorimi i tepërt i ekranit dobëson vëmendjen dhe të nxënit

Duke tërhequr vëmendjen te efektet e varësisë nga ekrani, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë, Keskin tha se studime të shumta shkencore në këtë fushë tregojnë rezultate të ngjashme.

“Mungesa e vëmendjes është më e zakonshme tek fëmijët dhe të rinjtë që përdorin ekrane, dhe kapaciteti i tyre mendor është dukshëm më i ulët krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre. Performanca e tyre në shkollë ulet ndjeshëm, dhe lind një pengesë e rëndësishme në aftësinë e tyre për të realizuar potencialin e tyre. Ne duhet t’i heqim ekranet nga jeta jonë sa më shumë që të jetë e mundur. Ndërsa mund të mos jetë plotësisht e mundur, lënia mënjanë e ekraneve sa më shumë që të jetë e mundur është me rëndësi të madhe, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë”, deklaroi Keskin.

Keskin gjithashtu vuri në dukje se përdorimi i mediave sociale zvogëlon komunikimin ballë për ballë, gjë që ndikon negativisht në proceset mendore dhe aftësitë sociale.

– Diabeti dhe hipertensioni plakin para kohe trurin

Ndër të tjera Keskin shpjegoi se pirja e duhanit, alkooli dhe abuzimi me substanca janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në shëndetin e trurit, dhe më tej ai shtoi se diabeti dhe hipertensioni, në veçanti, janë shumë të lidhura ngushtë me sëmundjet neurologjike.

Duke vënë në dukje rëndësinë e kontrolleve të rregullta shëndetësore, Keskin theksoi: “Është shumë e rëndësishme për të gjithë, veçanërisht për ata në të 30-at, të kontrollojnë tensionin e gjakut të paktën një herë në vit. Tensioni i lartë i gjakut ndikon drejtpërdrejt në trurin tonë. Ai lehtëson zhvillimin e demencës dhe Alzheimerit, dhe gjithashtu mund të çojë në gjendje jashtëzakonisht serioze siç është hemorragjia në tru. Diabeti, nga ana tjetër, përshpejton ndjeshëm procesin e plakjes së trurit për shkak të niveleve të larta të sheqerit në gjak”.

The post FOKUS – Varësia nga ekranet zvogëlon kapacitetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KALIFORNI – Të paktën tre të vdekur pas stuhive të rrëmbyeshme të shiut

26 December 2025 at 18:17

LOS ANXHELES, 26 dhjetor /ATSH/- Pjesa më e madhe e Kalifornisë është përfshirë nga stuhitë e fuqishme dhe reshjet e mëdha të shiut, të cilat kanë shkaktuar përmbytje masive dhe rrëshqitje dheu, sipas “CBS News”.

Deri mbrëmjen e Krishtlindjes, zyrtarët lokalë konfirmuan se tre të vdekur  si pasojë e motit të keq.

Stuhitë, të cilat pritet të vijojnë edhe sot, kanë sjellë rreth 27 centimetra shi në disa zona të Los Anxhelesit.

Kjo situatë ka detyruar autoritetet të mbyllin rrugët kryesore dhe të nisin evakuimet e banorëve.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shpalli të mërkurën gjendjen e emergjencës në disa zona jugore të shtetit.

Ngjarjet tragjike u shënuan në zona të ndryshme. Në San Diego, një 64-vjeçar vdiq pasi u godit nga një pemë.

Në Redding, një 74-vjeçar vdiq brenda automjetit të tij që u përmbyt nga uji, pavarësisht përpjekjeve të policisë për ta shpëtuar.

Në Mendocino, një grua rreth të 70-ave vdiq në oqean pasi u përfshi nga një valë e fuqishme në bregdet.

Rreth 100 mijë njerëz mbetën pa energji elektrike deri mbrëmjen e djeshme.

Shpejtësia e erës në disa zona i kaloi 160 kilometra në orë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Kryebashkiakja e Los Anxhelesit, Karen Bass, u bëri thirrje qytetarëve të tregonin kujdes maksimal.

Sipas “CBS News”, moti ekstrem u shkaktua nga disa “lumenj atmosferikë” – masa të mëdha lagështie që vijnë nga tropiku.

Situata u rëndua edhe më shumë në zonat që ishin djegur nga zjarret e janarit, pasi toka pa bimësi nuk arriti ta thithte ujin, duke shkaktuar rrëshqitje të tokës. //a.i/

The post KALIFORNI – Të paktën tre të vdekur pas stuhive të rrëmbyeshme të shiut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Saranda mirëpret vizitorë edhe jashtë sezonit veror

26 December 2025 at 18:11


TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Saranda vijon të jetë një qytet i gjallëruar edhe përtej muajve të verës, teksa mirëpret vizitorë të shumtë sidomos në ditë me diell si këto të dhjetorit.

Me qetësinë që ofron jashtë sezonit të ngarkuar, qyteti po tërheq turistë vendas dhe të huaj që preferojnë pushime më të qeta dhe më afër natyrës.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga bregdeti i qytetit, i mbushur plot.

Një pjesë e strukturave akomoduese dhe bizneseve të shërbimit në Sarandë qëndrojnë të hapura gjatë gjithë vitit, duke u përshtatur me kërkesat e vizitorëve që udhëtojnë jashtë sezonit veror.

Edhe destinacionet turistike përreth Sarandës si Parku Kombëtar i Butrintit, Syri i Kaltër dhe fshatrat turistike të zones vijojnë të frekuentohen. /j.p/

 

The post Saranda mirëpret vizitorë edhe jashtë sezonit veror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Eksportet e industrisë të mbrojtjes arritën rekord prej 27 miliardë dollarësh në vitin 2025

26 December 2025 at 18:11

LONDER, 26 dhjetor /ATSH-AA/ – Britania e Madhe ka regjistruar vlerën e saj më të lartë vjetore të eksporteve të mbrojtjes në vitin 2025, me shifrat e qeverisë që tregojnë më shumë se 20 miliardë funta (rreth 27 miliardë dollarë) marrëveshje të siguruara, duke shënuar performancën më të fortë që nga fillimi i regjistrimeve më shumë se 40 vjet më parë.

Qeveria britanike tha se marrëveshjet demonstrojnë përparim të shpejtë në qëllimin e saj të rishikimit strategjik të mbrojtjes për ta bërë mbrojtjen një nxitës të rritjes ekonomike, duke përforcuar lidhjet ushtarake me aleatët e NATO-s mes tensioneve të larta globale.

Marrëveshjet kryesore përfshijnë atë që ministrat e përshkruan si marrëveshja më e madhe e eksportit të anijeve luftarake të Britanisë deri më sot, një kontratë prej 10 miliardë funtash (13.5 miliardë dollarë) me Norvegjinë për të paktën pesë fregata të Tipit 26.

Marrëveshja pritet të mbështesë rreth 4 mijë vende pune në të gjithë Britaninë dhe të përfshijë mbi 430 kompani, shumë prej të cilave furnizues të vegjël dhe të mesëm. Qeveria siguroi atë që e quajti marrëveshja më e madhe e eksportit të avionëve luftarakë “në një brez”, duke rënë dakord të shesë 20 avionë Typhoon në Turqi në një marrëveshje me vlerë prej 8 miliardë funta (10.7 miliardë dollarë).

Ministrat thonë se marrëveshja do të mbështesë rreth 20 mijë vende pune, veçanërisht në Lancashire dhe Skoci, duke forcuar krahun jugor të NATO-s.

“Ne po tregojmë përsëri se si kjo qeveri po përmbush premtimin tonë për ta bërë mbrojtjen një motor për rritjen ekonomike në të gjithë vendin, duke rritur njëkohësisht sigurinë tonë dhe atë të aleatëve tanë”, tha ministri i Shtetit për Gatishmërinë dhe Industrinë e Mbrojtjes, Luke Pollard.

Ai theksoi se duke fituar marrëveshjen historike për të ndërtuar fregata të Tipit 26 për Norvegjinë, vendi po nxit rritjen në Skoci dhe në të gjithë Britaninë, teksa pajis më mirë marinat e vendit për t’iu kundërvënë kërcënimit nga Rusia në Atlantikun e Veriut.

“Dhe, duke eksportuar avionë luftarakë Typhoon në Turqi, ne po sigurojmë vende pune me aftësi të larta në Lancashire, në Skoci dhe në të gjithë Britaninë, teksa ndihmojmë në forcimin e krahut jugor të NATO-s”, shpjegoi ai.

“Ne jemi të përkushtuar të punojmë me aleatët tanë dhe industritë e mbrojtjes për t’u siguruar se Britania është një lider në eksportet globale të mbrojtjes dhe ka më shumë për të ardhur në vitin 2026”, shtoi ai.   /os/

The post BM – Eksportet e industrisë të mbrojtjes arritën rekord prej 27 miliardë dollarësh në vitin 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbillen pemë të reja në parkun kombëtar të Shebenikut

26 December 2025 at 18:10

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Në Parkun Kombëtar të Shebenikut janë mbjellë fidanë të rinj gështenje të egër dhe qershie të egër, në kuadër të fushatës kombëtare të pyllëzimit që po vijon në të gjithë vendin edhe gjatë ditëve të fundvitit.

Aksioni u realizua nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Elbasan në bashkëpunim me organizatën mjedisore PPNEA, me synimin për të kontribuar në rigjenerimin e ekosistemeve natyrore dhe forcimin e biodiversitetit në këtë zonë të mbrojtur.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ndau pamje nga ky aktivitet, duke theksuar se fushata e pyllëzimit do të vijojë në të gjitha rajonet e vendit si pjesë e angazhimit institucional për mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e sipërfaqeve pyjore.

Sipas ministrit, çdo fidan i mbjellë përfaqëson një hap konkret drejt mbrojtjes së natyrës dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të gjelbër, ndërsa aksione të tilla kontribuojnë edhe në ndërgjegjësimin e komunitetit për rëndësinë e ruajtjes së pasurive natyrore.

Fushatat e pyllëzimit po zhvillohen paralelisht në disa zona të vendit, duke synuar rikuperimin e sipërfaqeve të dëmtuara dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së ekosistemeve natyrore. e.xh/j.p/

The post Mbillen pemë të reja në parkun kombëtar të Shebenikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

35 tregtarë, ambiente funksionale në tregun e ri të fruta-perimeve në Elbasan

26 December 2025 at 17:40

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Në qytetin e Elbasanit u përurua tregu i ri i fruta-perimeve në rajonin nr. 1, një investim që synon rritjen e cilësisë së shërbimit, garantimin e sigurisë ushqimore dhe përmirësimin e pamjes urbane, në shërbim të qytetarëve dhe fermerëve.

Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andi Salla, i cili theksoi se ky investim u krijon rreth 35 tregtarëve kushte bashkëkohore pune, me ambiente moderne dhe funksionale, në përputhje me standardet e tregtimit të produkteve ushqimore.

Sipas ministrit, tregu i ri është një hapësirë e mbyllur plotësisht me struktura xhami, e pajisur me ndriçim efikas dhe me kushte optimale për ruajtjen, ekspozimin dhe shitjen e fruta-perimeve, duke garantuar cilësi dhe siguri më të lartë për konsumatorët.

Ministri nënvizoi se zgjerimi dhe modernizimi i tregjeve të shitjes për fermerët përbën një nga shtyllat kryesore të programit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për investime në infrastrukturën bujqësore. Sipas tij, këto tregje krijojnë një lidhje më të drejtpërdrejtë mes prodhuesit dhe konsumatorit, rrisin shitjet dhe të ardhurat për familjet fermere, si dhe kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë lokale.

Hapja e tregut të ri të fruta perimeve në Elbasan vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt formalizimit të tregtimit të produkteve bujqësore dhe përmirësimit të kushteve të punës për tregtarët, duke sjellë njëkohësisht përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe komunitetin.

e.xh/j.p/

The post 35 tregtarë, ambiente funksionale në tregun e ri të fruta-perimeve në Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kievi: BM, Franca, Gjermania dhe Turqia gati të dërgojnë trupa në Ukrainë pas luftës

26 December 2025 at 17:31

KIEV, 26 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Katër vende evropiane, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Turqia janë gati të dërgojnë trupa në Ukrainë pasi të mbarojë lufta, sipas Mykhailo Podolyak, këshilltarit kryesor të presidentit, Volodymyr Zelensky, në një intervistë me Novyny.LIVE.

Sipas tij, “partnerët duhet të përfshihen në parandalimin kundër Rusisë dhe në dërgimin e trupave paqeruajtëse. Ukraina nuk ka ndërmend ta mbajë këtë barrë vetëm.

Franca, Turqia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar tashmë kanë qenë të gatshëm për dërgimin e trupave. Vende të tjera ende po e vlerësojnë çështjen”, deklaroi Podolyak.

“Ekziston pyetja se kush do ta financojë të gjithë këtë. Kush do të jetë atje për të integruar gjithçka në një sistem të vetëm dhe kush do të moderojë proceset e pengimit kundër Rusisë? Atëherë bëhet e qartë se përfaqësuesit e vendeve të tjera të interesuara duhet të jenë të pranishëm”, tha ai.

Dhe, sipas Podolyak, secili prej këtyre vendeve ka interesat e veta për të mbrojtur.

“Turqia, për shembull, dëshiron të parandalojë një skenar në të cilin regjimi rus krijon probleme sigurie, ekonomike dhe tregtare në pellgun e Detit të Zi. Në përgjithësi, kjo luftë do të çojë në një riorganizim të plotë të hapësirës evropiane. Ukraina do t’i afrohet Evropës sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe Evropa do të rimendojë mënyrën e saj aktuale të jetesës. Do të bëhet më e kursyer, më e militarizuar dhe më antiruse”, parashikoi këshilltari presidencial./ /os/

The post FOKUS – Kievi: BM, Franca, Gjermania dhe Turqia gati të dërgojnë trupa në Ukrainë pas luftës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌