FOKUS – Zelensky dhe Merz rikonfirmojnë unitetin përpara bisedimeve me Trump
BERLIN, 26 dhjetor /ATSH-DPA/- Përpara takimit të planifikuar me presidentin e SHBA-së Donald Trump, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky diskutoi hapat e ardhshëm të planit të paqes me kancelarin gjerman Friedrich Merz.
“Ne po koordinojmë qëndrimet tona dhe të gjithë në Evropë duhet të jenë në të njëjtën linjë për të mbrojtur mënyrën tonë evropiane të jetesës, pavarësisë së shteteve tona dhe paqes në Evropë”, tha sot Zelensky në platformën X. “Duhet të ketë paqe”, shtoi ai.
“Ne qëndrojmë të palëkundur në anën tuaj. Një qasje e fortë dhe e koordinuar evropiane mbetet thelbësore për paqen, lirinë dhe sigurinë. Grupi i Berlinit është gati të ndihmojë – i koordinuar ngushtë me partnerët tanë amerikanë”, u përgjigj Merz në X.
Zelensky tha se dëshiron të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump këtë fundjavë për të finalizuar një plan të mundshëm paqeje për Ukrainën.
Takimi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Uashingtoni.
Për më tepër, Moska ka treguar se ky plan, i cili është rishikuar nga SHBA-ja, Kievi dhe Evropa, nuk i përmbush pritshmëritë e Kremlinit.
“Kam informuar kancelarin gjerman, Merz – për punën tonë me të dërguarit e SHBA-së – të gjithë e kujtojmë formatin e takimit të Berlinit dhe produktivitetin që u arrit atje”, tha Zelensky.
“Kjo është pikërisht mënyra se si vazhdojmë të punojmë. Ne ramë dakord të vazhdojmë të veprojmë së bashku me evropianët”, shtoi ai.
Samiti i mbajtur në Berlin, në mesin e dhjetorit, ishte takimi i parë i madh i Ukrainës që përfshinte SHBA-në, Ukrainën dhe evropianët kryesorë në një vend të BE-së që nga përpjekja e re e Trump për një zgjidhje paqeje në nëntor.
“Jam mirënjohës ndaj Gjermanisë për mbështetjen e saj të palëkundur dhe të prekshme për Ukrainën dhe mbrojtjen tonë”, shtoi Zelensky në X.
“Falë bashkëpunimit tonë me Gjermaninë, mijëra jetë në Ukrainë tashmë janë shpëtuar nga sulmet ruse dhe ne po ruajmë pozicionet tona mbrojtëse për të siguruar forcën e pozicioneve tona diplomatike. Friedrich, shumë faleminderit!” shkroi presidenti ukrainas duke iu drejtuar kancelarit gjerman, Merz. //a.i/
The post FOKUS – Zelensky dhe Merz rikonfirmojnë unitetin përpara bisedimeve me Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.