Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 December 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Qytetarët protestojnë për mungesën e furnizimit me ujë në Vlorë

28 December 2025 at 23:07

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/, Qytetarët e Vlorës kanë protestuar mbrëmjen e sotme pasi prej tre ditësh mungon furnizimi me ujë të pijshëm për shkak të një defekti në tubacionin kryesor.

Me pankarta në duar, qytetarët kanë bllokuar Bulevardin “Ismail Qemali” dhe më pas kanë hyrë brenda ambienteve të teatrit ” Petro Marko” ku do të mbahej mbrëmja Gala e festave të fundvitit.

Për shkak të situatës së krijuar, mbrëmja Gala është anuluar.

Deputetja e PD, Ina Zhupa ka reaguar ndaj situatës së krijuar në Vlorë duke u shprehur se: “E kanë shkatërruar Vlorën dhe Shqipërinë dhe jetojnë në botën paralele me koncerte, ballo, verë e tendera”.

Edhe deputetja Jorida Tabaku reagoi duke theksuar se “në Vlorën e ujit sa nga malet edhe nga deti nuk ka ujë. Në qytetin që ka pasur kryeministrin për 8 vite deputet, prej 4 ditësh mungon uji. Ndërsa njerëzit arrestohen përse protestojnë për një standart minimal njerëzor”.

The post Qytetarët protestojnë për mungesën e furnizimit me ujë në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti shpall fitoren: Fitoi populli dhe Republika

28 December 2025 at 22:47

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe tha se kjo është fitorja “më e madhe në historinë e vendit”.

“Më 9 shkurt fitoi LVV-ja me partnerët, më 28 dhjetor fitoi populli i Kosovës dhe Republika”, tha Kurti.

Kurti tha se partia e tij është në rrugë që të tejkalojë rezultatin e 14 shkurtit 2021, kur kishte fituar 50.2 për qind.

Sipas tij, rezultati zgjedhor i së dielës kërkon që duhet të ecet përpara pa vonesa.

“Sa më parë që certifikohen [rezultatet], aq më shpejt na duhet të krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë me punën e mirë”, tha Kurti.

Legjislaturën e re, Kurti tha se e pret Plani i Rritjes i BE-së në vlerë prej 880 milionë eurosh dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore, që në total tha se arrijnë vlerën e mbi 1 miliard eurove.

“Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare” dhe për projektligje të tjera”, tha ai.

Kurti u pyet edhe për çështjen e presidentit. Ai tha se është herët të flitet për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, duke theksuar se “sonte do të festojmë”, por shtoi se me opozitën duhet të trajtohet kjo çështje, por edhe me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, të cilës i skadon mandati në mars.

Ai u pyet nëse do të negociojë me partitë opozitare për presidentin dhe që propozimin për president ta bëjnë ato, Kurti tha:

“Ta negocioni dhe t’ua jepni atyre janë dy gjëra të ndryshme. Nuk mund të përdoren si sinonime, aq më pak në të njëjtën fjali. Natyrisht që duhet ta bisedojmë me opozitën këtë çështje. Por, paraprakisht duhet të diskutojmë për marrëveshjet ndërkombëtare. Ai do të jetë një test i rëndësishëm për bashkëpunimin qeveri-opozitë në katërvjeçarin e ardhshëm. Po e rikthesoj, fillimisht duhet të presim certifikimin e rezultateve”. /REL/

The post Kurti shpall fitoren: Fitoi populli dhe Republika appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 28 December 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

KQZ shpall rezultatet paraprake, LVV fituese me 49,79%

28 December 2025 at 22:40

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet paraprake të zgjedhjeve të sotme në Kosovë.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka njoftuar për përqindjet e secilës parti veç e veç.

“Lëvizja Vetëvendosje 49.79 për qind apo 421 mijë e 129 vota. Partia Demokratike e Kosovës 21.18 për qind apo 179 mijë e 158 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës 13.77 për qind apo 116  mijë e 502 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 5.74 për qind apo 48 mijë e 551 vota. Lista Serbe ka 3.87 për qind apo 32 mijë e 719 vota. Nisma Socialdemokrate ka 1.72 për qind apo 14 mijë e 513 vota”, deklaroi Radoniqi.

Këto rezultate përfshijnë numërimin e 95.93 për qind të vendvotime të numëruara dhe nuk përfshihen votat me postë dhe as votat që janë dhënë në përfaqësi diplomatike.

Radoniqi tha se shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet pas numërimit të votave nga diaspora, të personave me nevoja veçanta dhe votat me kusht. /KosovaPress/

The post KQZ shpall rezultatet paraprake, LVV fituese me 49,79% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti drejt formimit të qeverisë i vetëm

28 December 2025 at 22:23

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit po kryeson në zgjedhjet e 28 dhjetorit, teksa numërimi i votave është drejt përfundimit.

Me 93.43 për qind të votave të numëruara (deri në orën 21:40), LVV-ja ka 411.120 vota apo 49.99 për qind.

Diferenca në vota mes partisë së Kurtit dhe PDK-së së Bedri Hamzës – që është në vend të dytë me 21.07 për qind të votave – është 237.875 vota.

Sipas rezultateve të fundit të publikuara nga KQZ-ja, LVV është rrugës për të formuar vetë ekzekutivin e ri të vendit.

Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote kishin 1.999.024 qytetarë.

Procesi i votimit u zhvillua në 910 qendra me gjithsej 2.557 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00.

Sipas të dhënave preliminare, dalja në zgjedhje është 45 për qind.

Zgjedhjet u monitoruan nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë.

The post Kurti drejt formimit të qeverisë i vetëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Korça e turistëve në çdo stinë

28 December 2025 at 21:32

TIRANË, 28 dhjetor /ATSH/ Festat e fundvitit e gjejnë Korçën plot jetë, me aktivitete kulturore që sjellin gëzim, muzikë dhe atmosferë festive në çdo cep të qytetit.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë mbrëmjen e të dielës foto nga atmosfera e festave shoqëruar me diçiturën: “Korça e turistëve në çdo stinë”.

Bashkia e Korçës ka përgatitur një program të pasur argëtues për të gjitha moshat për ditët e fundit të vitit dhe ditët e para të vitit të ri 2026.

The post Korça e turistëve në çdo stinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tajlanda dhe Kamboxhia bisedime paqeje në Kinë

28 December 2025 at 21:03

PEKIN, 28 dhjetor /ATSH -DPA/ Ministrat e jashtëm të Tajlandës dhe Kamboxhias kanë mbërritur në Kinë për bisedime diplomatike, pasi dy vendet fqinje ranë dakord për një armëpushim pas disa javësh përplasjesh kufitare, njoftuan sot zyrtarët.

Takimet mbahen sot dhe nesër në provincën jugperëndimore kineze Yunnan, nën drejtimin e ministrit të Jashtëm të Kinës, Wang Yi, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve “Xinhua” duke cituar Ministrinë e Jashtme kineze.

Në bisedimet dypalëshe me homologun kamboxhian, Prak Sokhonn, Wang Yi u bëri thirrje palëve të punojnë për një armëpushim gjithëpërfshirës dhe afatgjatë, si dhe për rindërtimin e besimit të ndërsjellë.

Nga ana e tij, Sokhonn shprehu shpresën se bisedimet trepalëshe do të kontribuojnë në arritjen e një paqeje të përhershme mes dy vendeve.

Në konsultime pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të forcave të armatosura të Kinës, Tajlandës dhe Kamboxhias, me synimin për të forcuar zbatimin e armëpushimit, për të rifilluar shkëmbimet dhe për të ndërtuar besim politik mes vendeve fqinje.

Ministria e Jashtme kineze theksoi se Pekini synon të ofrojë një platformë dialogu dhe të luajë një rol konstruktiv në stabilizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Ftesa e Kinës vjen një ditë pasi Tajlanda dhe Kamboxhia ranë dakord për një armëpushim të menjëhershëm, i cili u formalizua me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët nga ministrat e mbrojtjes të të dyja vendeve.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Tajlandës, marrëveshja parashikon që armëpushimi të monitorohet për 72 orë për të garantuar zbatimin e tij, ndërsa raportimet e sotme tregojnë se ai po respektohet. Shumë banorë të zhvendosur nga dhuna tashmë janë kthyer në fshatrat e tyre përgjatë kufirit, raportoi gazeta “Bangkok Post”. /Ad.Ab./

The post FOKUS – Tajlanda dhe Kamboxhia bisedime paqeje në Kinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ: Zgjedhje të qeta në Kosovë, mbi 44% e qytetarëve dolën në votim

28 December 2025 at 20:53

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka vlerësuar procesin zgjedhor si të qetë dhe pa incidente që do të cenonin integritetin apo besueshmërinë e procesit zgjedhor në Kosovë.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se deri në përditësimin e fundit nga 98 për qind e vendvotimeve, në zgjedhje kanë votuar 890 mijë e 859 qytetarë, apo 44.56 për qind e votuesve me të drejtë vote.

Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milionë e 999 mijë e 204. Radoniqi bëri edhe një krahasim me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ku deri në të njëjtën kohë, nga rreth 91 për qind e vendvotimeve, kishin votuar 40.04 për qind, apo 789 mijë e 172 votues nga 1 milion e 970 mijë e 944 gjithsej.

Ai theksoi se gjatë gjithë ditës së votimit nuk janë evidentuar incidente që do të cenonin integritetin apo besueshmërinë e procesit zgjedhor në Kosovë.

“Në të dhënat preliminare nga 98 për qind e vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë vote 890 mijë e 859 votues apo 44.56 për qind nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, rreth 91 për qind e vendvotimeve kishin votuar 40.04 për qind apo 789 mijë e 172 votues nga 1 milion e 970 mijë e  944 votues”,tha ai.

Sipas tij, pas konferencës së pasdites janë raportuar tri ndërprerje të energjisë elektrike në qendra votimi në komunat Rahovec, Dragash dhe Han i Elezit, por situata është menaxhuar shpejt.

“Duke u mbështetur në komunikimet dhe raportimet që kemi pranuar gjatë gjithë ditës nga terreni, vlerësojmë se procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të qetë, të rregullt dhe në përputhje me kërkesat ligjore. Deri në këtë kohë që flasim, nuk janë evidentuar incidente të cilat do të mund të cenonin integritetin, besueshmërinë apo mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit. Pas konferencës së pasdites, kemi pasur tri raportime për ndërprerje të energjisë elektrike në tri qendra votimi të komunave Rahovec, Dragash dhe Han i Elezit. Menjëherë është njoftuar KEDS-i dhe sipas informatave, energjia elektrike është rikthyer në kohë shumë të shpejtë.  Në emër të KQZ-së, falënderojmë institucionet e ndryshme për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si, Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, si dhe KEDS-in për trajtimin në kohë të shpejtë të rasteve të paraqitura”, tha Radoniqi.

Ai ka folur edhe për votimin me postë, duke thënë se në këto zgjedhje procesi ka qenë ndryshe. Sipas tij, të gjitha dërgesat e pranuara në adresat e KQZ-së, do të tërhiqen dhe do të kthehen në Kosovë më së largu deri më 5 janar, për shkak të festave të fundvitit dhe mosfunksionimit të shërbimeve postare gjatë vikendeve.

“Në këto zgjedhje procesi i votimit me postë ka shkuar më ndryshe. Të gjitha që i kemi pranuar në adresat tona, ato do të tërhiqen dhe do të kthehen në Kosovë. Tërheqja do të bëhet më së largu deri më datën 5 janar, për shkak të festave te fund vitit dhe vikendeve ku shërbimi postar nuk punojnë as në shtete të botës as tek ne. Sa i përket materialeve të votimit në përfaqësi diplomatike edhe këto do të pranohen por nuk ka ndonjë datë të caktuar, megjithatë, besoj se brenda javës së ardhshme do të arrijnë të gjitha në Kosovë…Mund të konfirmoj se rryma nuk do të ndalet, ashtu jemi dakorduar me KEDS, ashtu të gjithë zyrtarët e KEDS janë në terren dhe në vazhdimësi janë duke na dërguar fotografi nga secila qendër votimi që tregojnë se ka energji elektrike dhe nuk do të ketë shkëputje të energjisë elektrike”, u shpreh ai. Sa i përket rezultateve preliminare, Radoniqi ka paralajmëruar se ato pritet të publikohen sonte.

“Po, besoj sonte, diku rreth orës 22:30 apo 23:00, do t’ju njoftojmë me kohë kur do të mbajmë edhe konferencën”, nënvizoi ai.

Kosova votoi sot për zgjedhjet e parakohshme parlamentare – për herë të katërt brenda vitit – pas dështimit për muaj të tërë për formimin e institucioneve të vendit. /KosovaPress/

The post KQZ: Zgjedhje të qeta në Kosovë, mbi 44% e qytetarëve dolën në votim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Trump dhe Putin: Armëpushimi vetëm do të zgjaste luftën në Ukrainë

28 December 2025 at 20:42

MOSKË, 28 dhjetor /ATSH – DPA/-Rusia deklaroi se presidenti amerikan Donald Trump ka rënë dakord me presidentin Vladimir Putin se një armëpushim i përkohshëm në Ukrainë vetëm “do të zgjaste” konfliktin dhe “rrezikonte një rinisje të luftimeve”, gjatë një bisedë telefonike midis dy liderëve të zhvilluar sot.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili po zhvillon aktualisht bisedime me Trump në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida, kishte propozuar më parë një armëpushim 60-ditor për t’u dhënë ukrainasve mundësinë të votonin për një plan paqeje të mundshëm në një referendum.

Moska ka deklaruar prej kohësh se dëshiron të shkojë direkt te një marrëveshje përfundimtare pa kaluar përmes një armëpushimi paraprak.

Ndërkohë, Putin ka pranuar të vazhdojë bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin si pjesë e grupeve të punës të krijuara për këtë qëllim, sipas këshilltarit të tij për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, raporton agjencia shtetërore ruse TASS. /Ad.Ab./

The post MOSKË – Trump dhe Putin: Armëpushimi vetëm do të zgjaste luftën në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ publikon rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Kosovë

28 December 2025 at 20:04

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Kosova sot ka përmbyllur me sukses procesin zgjedhor të votimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në platformën e KQZ-së për procesimin e rezultateve ka nisur dalja e rezultateve të para.

Nga 100 vendvotimet e para të procesuara apo 3.91% të tyre, LVV kryeson me 7 mijë e 535 vota apo 43.28% e pasuar nga PDK me 18.40% të votave apo 3204 vota, LDK me 12.96% apo 2 mijë e 256 vota dhe AAK me 8.28% apo 1442 vota.

/KosovaPress/

The post KQZ publikon rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump dhe Zelensky takohen për bisedime rreth paqes në Ukrainë

28 December 2025 at 19:55

FLORIDA, 28 dhjetor /ATSH/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Florida për bisedime me presidentin Donald Trump në rezidencën e tij Mar-a-Lago, sipas BBC.

Dy liderët po diskutojnë një version të përditësuar të planit të paqes, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, i cili ende nuk është mbështetur nga Moska.

“Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri”, tha Zelensky, duke shtuar se Rusia ka kryer mijëra sulme gjatë kësaj jave.

Përpara takimit, Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, të cilën e përshkroi si “shumë produktive”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falënderoi Donald Trump për pritjen në Florida, duke thënë se shpreson që bisedimet të “sjellin paqen sa më shpejt të jetë e mundur”.

Duke shpjeguar arsyen e takimit në Florida, Zelensky tha se ekipet e tyre kanë punuar prej kohësh mbi një plan paqeje me 20 pika dhe se takimi i sotëm është i përqendruar te diskutimi i strategjive për ta çuar këtë plan përpara.

I pyetur nëse beson se do të ketë lëshime territoriale në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme, presidenti ukrainas u tregua i rezervuar, duke theksuar se kjo çështje do të diskutohet gjatë bisedimeve të sotme.

Ndër zyrtarët ukrainas që shoqërojnë Zelenskyn në takimin me Trump ështe edhe ministri i Ekonomisë, Oleksii Sobolev, çka sugjeron se bisedimet do të përqendrohen pjesërisht te rindërtimi i Ukrainës pas luftës.

Trump la të kuptohet se ky proces mund të sjellë përfitime të mëdha ekonomike.“Ka  potencial për fitime të mëdha,” u shpreh Trump.

Vëzhguesit vunë re se një skenar i ngjashëm ishte ndjekur edhe në tetor, gjatë vizitës së fundit të Zelenskyt në SHBA, kur Trump foli fillimisht me Putinin përpara takimit me liderin ukrainas. Pas atij takimi, Trump hezitoi të furnizonte Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi dhe shtyu Kievin drejt një marrëveshjeje paqeje.

Këtë herë, Zelensky ka ardhur me një propozim konkret paqeje, që përfshin ide të debatueshme si krijimi i një zone të çmilitarizuar në rajonin e Donetskut dhe ndarja e operimit të centralit bërthamor të Zaporizhas, i cili aktualisht ndodhet nën kontrollin rus, me Shtetet e Bashkuara.

Pas bisedimeve të Trump me Putinin para dhe pas negociatave të sotme, pritet të shihet reagimi i presidentit amerikan ndaj këtyre propozimeve.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve përpara takimit, Trump u përpoq të ulë pritshmëritë, duke thënë se lufta ose do të “përfundojë”, ose do të “vazhdojë për një kohë shumë të gjatë” me shumë viktima. Ai e quajti “të pamend” një pyetje mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën, por më pas shtoi se do të ketë një marrëveshje të fortë sigurie, me përfshirjen aktive të vendeve evropiane.

Trump tha gjithashtu se nuk ka vendosur asnjë afat për arritjen e një marrëveshjeje paqeje dhe shprehu bindjen se si presidenti rus, ashtu edhe ai ukrainas “duan të bëjnë një marrëveshje”. Zelensky nuk reagoi publikisht ndaj kësaj deklarate. /Ad.Ab./

The post SHBA – Trump dhe Zelensky takohen për bisedime rreth paqes në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAMASK – Disa të vrarë dhe dhjetëra të plagosur gjatë përleshjeve në Siri

28 December 2025 at 19:48

DAMASK, 28 dhjetor /ATSH-DPA/ – Dhuna shpërtheu sot midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të qeverisë siriane, duke lënë disa të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, sipas aktivistëve dhe mediave shtetërore.

Dy protestues kundër qeverisë u vranë në provincën bregdetare Latakia, pasi besnikët e qeverisë dhe forcat e sigurisë sulmuan demonstruesit, njoftoi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Protestat shpërthyen në disa provinca, përfshirë Latakian, e cila kryesisht banohet nga pakica fetare alavite, sipas grupit britanik që monitoron ngjarjet, duke cituar rrjetin e tij të aktivistëve brenda Sirisë.

Demonstrata të ngjashme u raportuan edhe në Tartus, Homs dhe Hama. Dhjetëra protestues antiqeveritarë u plagosën pasi u sulmuan me armë zjarri dhe thika, shtoi grupi.

Sipas aghjencisë shtetërore SANA, autoritetet siriane fajësuan mbështetësit e ish-udhëheqësit të rrëzuar Bashar al-Assad për sulmet ndaj forcave të sigurisë dhe civilëve gjatë trazirave në Latakia, duke shkaktuar tre të vdekur.

Të paktën 60 të tjerë u plagosën në Latakia, sipas raportimeve të autoriteteve shëndetësore. Ministria e Brendshme tha se një anëtar i forcave të sigurisë u vra dhe të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve.

Protestat masive u nxitën nga thirrja e udhëheqësit të njohur alavite, Ghazal Ghazal, për të kërkuar të drejtën për vetëvendosje. Që nga rrëzimi i al-Assad vitin e kaluar, Siria është përballur me dhunë sektariane, pavarësisht premtimeve të presidentit të përkohshëm Ahmed al-Sharaa për të mbrojtur pakicat. /Ad.Ab./

The post DAMASK – Disa të vrarë dhe dhjetëra të plagosur gjatë përleshjeve në Siri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Surprizë festive për efektivët shqiptarë në Bullgari

28 December 2025 at 19:19

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Efektivët e Forcave të Armatosura të dislokuar me mision në Bullgari u surprizuan në prag të fundvitit, duke pasur mundësinë të kalojnë momente të veçanta me familjarët e tyre.

Gjatë vizitës në bazën e Grupbatalionit shumëkombësh të NATO-s në Novo Selo (Bullgari), u bë i mundur takimi i ushtarakëve me familjarët e tyre brenda bazës, një moment i veçantë pas një periudhe të gjatë shërbimi larg shtëpisë.

Ky gjest simbolik vlerëson përkushtimin dhe sakrificën e efektivëve tanë në misione ndërkombëtare, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të familjeve të tyre.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në një postim në rrjetet sociale u shpreh se beson me zemër se Forcat e Armatosura nuk janë vetëm njerëzit e uniformës, por edhe familjarët e tyre, të cilët mbajnë me forcë të heshtur peshën e sakrificës.

“Çdo efektiv që shërben jashtë vendit, përveç profesionalizmit dhe përkushtimit, merr me vete vlerat e familjes, të komunitetit dhe të Kombit. Në këto ditë festash, më e pakta që mund të bënim ishte t’i afronim, qoftë edhe për disa orë, me familjarët që i presin me mall”, tha Vengu.

Ministri Vengu shprehu urimet e rastit për çdo njeri në uniformë që shërben në misione jashtë vendit.

“Sakrifica juaj dhe e familjeve tuaja njihet dhe vlerësohet”, përfundoi Vengu.

/e.i/r.e/

The post Surprizë festive për efektivët shqiptarë në Bullgari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbyllet votimi në Kosovë, pritet dalja e rezultateve të para

28 December 2025 at 19:01

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Kosova votoi sot për zgjedhjet e parakohshme parlamentare – për herë të katërt brenda vitit – pas dështimit për muaj të tërë për formimin e institucioneve të vendit.

Viti 2025 nisi me votime më 9 shkurt për Kuvendin e Kosovës, vazhdoi në vjeshtë me votimin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit dhe mbyllet me votimin e ditës së sotme.

24 subjekte politike me 1180 kandidatë janë në garë për vende në legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës, prej të cilave 8 janë subjekte shqiptare me 624 kandidatë, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve pakicë që garojnë për 20 ulëse të garantuara.

Sipas platformës së KQZ-së për publikimin e rezultateve preliminare dhe statistikave për pjesëmarrjen në votime për çdo komunë interesimi i qytetarëve për të votuar është i lartë.

Numri i votuesve që kanë votuar deri në orë 17:49 është 770 mijë e 79, apo 38.52% e votuesve. /KosovaPress/

The post Mbyllet votimi në Kosovë, pritet dalja e rezultateve të para appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Bisedë produktive me Putinin para takimit me Zelenskyn

28 December 2025 at 18:41

UASHINGON, 28 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se kishte pasur një bisedë telefonike “shumë produktive” me presidentin rus Vladimir Putin, pak para se të priste presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Florida.

“Sapo kam pasur një bisedë të mirë dhe shumë produktive me presidentin Putin”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi bisedën telefonike kur u pyet nga agjencitë ruse të lajmeve, por refuzoi të tregojë se çfarë u diskutua.

Ky zhvillim vjen ndërsa presidenti amerikan ka planifikuar të zhvillojë takimin me Zelenskyn në resortin e tij Mar-a-Lago në Palm Beach, si pjesë e përpjekjeve të fundit për të përfunduar luftën që nisi Rusia në shkurt 2022.

Administrata Trump në fund të nëntorit paraqiti një plan paqeje me 28 pika, i cili shqetësoi Kievin dhe aleatët e tij duke reflektuar disa pozicione të Kremlinit.

Që atëherë, Zelensky dhe partnerët e tij kanë punuar mbi një kornizë të rishikuar me 20 pika, përfshirë gjatë takimeve të fundit në Berlin dhe Majemi me zyrtarë të lartë të administratës Trump, ndërsa SHBA-ja ka zhvilluar gjithashtu bisedime të veçanta me Moskën. /Ad.Ab./

The post SHBA – Trump: Bisedë produktive me Putinin para takimit me Zelenskyn appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria miraton amnistinë e fundvitit, lirohen 380 të burgosur, ulet dënimi për 900 të tjerë

28 December 2025 at 18:34

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Qeveria shqiptare pritet të miratojë një amnisti penale, si një akt ligjor të bazuar te humanizmi, drejtësia sociale dhe standardet evropiane të drejtësisë.

Nismën e ka komunikuar sot ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari përmes një videomesazhi, ku zbulon edhe detaje nga kategoritë dhe numrin e përfituesve nga kjo amnisti.

“Nga zbatimi i kësaj amnistie në vlerësimet paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm; dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, ndërsa numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative”, tha Lamallari.

Sipas tij në këto kategori përfituesish përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore.

Lamallari theksoi se nga kjo amnisti nuk përfitojnë personat e dënuar për krime të rënda, raste korrupsioni apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Sigurisht që nga kjo amnisti nuk mund të përfitojnë ata që kanë kryer krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kurrsesi jo subjekte që janë hetuar nga SPAK dhe gjykuar nga GJKKO.  Nuk ka amnisti selektive dhe as favorizime, por kritere ligjore të qarta dhe transparente. Kush e sheh amnistinë si dobësi, ngatërron ndëshkimin me drejtësinë”, u shpreh Lamallari, duke theksuar se kjo amnisti nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë, i dhënë me përgjegjësi, për ata që mund dhe duhet të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre.

“Ne besojmë në një drejtësi të drejtë, jo për statistikë dhe as në kurriz të të pamundurve, një drejtësi që nuk humbet kurrë humanizmin, dhe që në frymë dhe shpirt udhëhiqet nga standarde të panegociueshme demokratike europiane”, tha ministri Lamallari.

“Ky lajm i mirë për përfituesit direkt dhe për familjet e tyre është me siguri urimi më i mirë i këtij fundviti. Kjo amnisti që ne do të miratojmë nuk është kurrsesi një lëshim politik, por një politikë penale moderne. Një shtet i fortë nuk ka nevojë të mbajë në burg njerëz pa rrezikshmëri reale, por të investojë në rehabilitim dhe siguri afatgjatë. Drejtësia evropiane nuk matet me numrin e të burgosurve, por me parandalim, rehabilitim dhe uljen e përsëritjes së veprave penale”, vijoi ai.

Sipas Ministrit të Drejtësisë, amnistia që do të miratohet në Këshillin e Ministrave nuk është një vendim i rastësishëm. Lamallari tha se “ajo vjen pas një analize të detajuar të situatës në sistemin e drejtësisë penale, në bashkëpunim me organet përgjegjëse, dhe adreson një shqetësim madhor; përdorimin e lartë të masës së paraburgimit dhe nevojën për një qasje më proporcionale dhe më humane”.

“Sot, për fat të keq, në sistemin e burgjeve ndodhen rreth 5 mijë persona, nga të cilët një pjesë e konsiderueshme, konkretisht më shumë se gjysma e tyre janë të paraburgosur. Kjo situatë kërkon ndërhyrje të përgjegjshme dhe të mejëhershme, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Paraburgimi i tepruar është një shqetësim persistent në sistemin tonë penitenciar, shqetësim i ngritur në mënyrë të përsëritur nga Këshilli i Europës si dhe nga partnerët tanë evropianë. Mbipopullimi në burgje nuk është forcë e shtetit, është dobësi e sistemit. Kjo amnisti e korrigjon në një farë mënyrë atë dobësi teksa ne kemi ende punë përpara për një politikë penale moderne që i përgjigjet stadit në të cilin Shqipëria është sot dhe nesër si vend anëtar i Bashkimit Europian”, tha Lamallari.

“Jam veçanërisht i lumtur që në këto kategori përfituesish përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore. Efekti është konkret dhe i menjëhershëm, popullimi në burgje ulet me gati 7%, përmirësohen kushtet e trajtimit, sigurisë dhe rehabilitimit, si dhe garantojmë më shumë respekt ndaj dinjitetit njerëzor”, pohoi ministri Lamallari.

“Kjo amnisti nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë, i dhënë me përgjegjësi, për ata që mund dhe duhet të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre. Ne besojmë në një drejtësi të drejtë, jo për statistikë dhe as në kurriz të të pamundurve, një drejtësi që nuk humbet kurrë humanizmin, dhe që në frymë dhe shpirt udhëhiqet nga standarde të panegociueshme demokratike”, përfundoi ministri Lamallari.

/e.i/r.e/

The post Qeveria miraton amnistinë e fundvitit, lirohen 380 të burgosur, ulet dënimi për 900 të tjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjedhjet në veri pa incidente, Policia ndalon hyrjet ilegale nga Serbia

28 December 2025 at 18:30

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Procesi i votimit në komunat veriore deri në këto momente ka kaluar pa incidente, derisa janë ndaluar hyrjet ilegale nga Serbia për të votuar.

Veton Elshani, zëvendësdrejtor i rajonit të veriut i ka thënë KosovaPress-it, se që nga orët e hershme të mëngjesit, kur është bërë hapja e vendvotimeve në veri të vendit, nuk kemi iniciuar asnjë rast për hetim deri në këtë moment.

“Më herët, gjatë zgjedhjeve të kaluara, kemi pasur informacione se njerëzit po vinin përmes rrugëve ilegale, konkretisht nga ura e Bërnjakut, kalonin tek ne dhe më pas vazhdonin në veri të vendit. Këtë e kemi ndaluar edhe atëherë, por e kemi ndaluar edhe tani paraprakisht. Kjo ka qenë arsyeja pse janë marrë këto masa. Po ashtu, kemi pasur koordinim me Policinë Kufitare, pasi aty janë edhe barkat, si dhe me KFOR-in. Nuk kemi pasur raste për të ndaluar dikë, pasi ata persona janë kthyer nga ajo rrugë”, tha ai.

Elshani komentoi edhe votimin e organizuar të Listës Serbe.

“Në orët e mëngjesit kemi pasur edhe një votim të organizuar, të ashtuquajtur, nga sheshi “Car Lazari” e më pas drejt qendrave të votimit. Kjo ka ndodhur edhe në komunat e tjera të veriut të vendit dhe ka qenë një praktikë e përsëritur edhe herëve të kaluara. Për këtë e kemi njoftuar KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit, por nuk kemi pasur rast për të hapur”, tha ai.

Ai shtoi se ekziston një plan i përgjithshëm në nivel të Kosovës lidhur me zgjedhjet që po mbahen sot dhe se ata janë pjesë e atij plani, por me disa specifika për shkak se janë zonë kufitare me Serbinë.

Ai shtoi se në veri ka shumë rrugë ilegale dhe të gjitha janë të mbuluara nga ana e Policisë Kufitare, ndërsa dje edhe nga njësitë e KFOR-it, në kuadër të bashkëpunimit të përbashkët që kemi.

Sipas tij, deri tani nuk ka ndodhur asnjë incident në veri. /KosovaPress/

The post Zgjedhjet në veri pa incidente, Policia ndalon hyrjet ilegale nga Serbia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ: Mbi 38% pjesëmarrje në votime deri në orën 17:00

28 December 2025 at 18:14

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Në platformën e KQZ-së Kosovë u publikuan të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 17:00. Sipas procesimit të 98.12 për qind të vendvotimeve, dalja është 38.25 për qind.

Kjo nënkupton se deri më tani kanë votuar 764.694 votues.

Kur kanë mbetur më pak se një orë deri në mbylljen e vendvotimeve në 38 komuna të Kosovës, përfaqësues të partive të ndryshme politike po u bëjnë thirrje qytetarët që të shfrytëzojnë këtë kohë për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese.

Deri më tani, sipas institucioneve, nuk ka pasur ndonjë incident të madh dhe aktualisht nuk ka asnjë të ndaluar për veprat penale që ndërlidhen me zgjedhjet.

Ndërkaq, KQZ-ja ka raportuar se në disa qendra të votimit ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, por që KEDS-i ka ndërhyrë duke e zgjidhur problemin. /REL/

The post KQZ: Mbi 38% pjesëmarrje në votime deri në orën 17:00 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MJEKËSI -Studim: Kanabisi mjekësor nuk funksionon për shumicën e sëmundjeve

28 December 2025 at 17:48

LONDËR, 28 dhjetor /ATSH/-  Një rishikim i gjerë shkencor sugjeron se, pavarësisht përdorimit gjithnjë e më të madh, ka prova të pamjaftueshme shkencore që kanabisi mjekësor të jetë efektiv për shumicën e gjendjeve për të cilat promovohet. Megjithatë, disa shkencëtarë kanë vënë në pikëpyetje cilësinë e gjetjeve të studimit, sipas “ScienceAlert”.

Studiues në SHBA analizuan 124 studime, të përzgjedhura nga mbi 2 500 punime të publikuara mes janarit 2010 dhe dhjetorit 2025.

Rishikimi konfirmoi se kanabisi mjekësor duket se është efektiv për disa pak gjendje, për të cilat Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e ka miratuar tashmë përdorimin.

Këto përfshijnë uljen e të përzierave dhe të vjellave nga kimioterapia, përmirësimin e oreksit te pacientët me HIV, si dhe trajtimin e disa çrregullimeve të rënda të krizave epileptike te fëmijët.

Por, sipas studimit, këto raste janë përjashtim, jo rregull.

“Provat nga provat klinike të randomizuara nuk e mbështesin përdorimin e kanabisit apo kanabinoidëve për shumicën e gjendjeve, për të cilat promovohet, si dhimbja akute dhe pagjumësia, shkruajnë autorët.

Rishikimi thekson gjithashtu rreziqe të mundshme shëndetësore nga përdorimi i shpeshtë i kanabisit të thithur ose me potencë të lartë, përfshirë rritjen e rrezikut për simptoma psikotike, çrregullim të përgjithësuar ankthi dhe sëmundje kardiovaskulare.

“Ndërsa shumë njerëz i drejtohen kanabisit duke kërkuar lehtësim, rishikimi ynë nxjerr në pah hendekë të mëdhenj mes perceptimit publik dhe provave shkencore për efektivitetin e tij në shumicën e gjendjeve mjekësore”, tha autori kryesor Michael Hsu, studiues klinik në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos (UCLA).

“Nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë përfitimet dhe rreziqet e kanabisit mjekësor”, theksoi  Hsu.

“Duke mbështetur studime më rigoroze, mund të ofrojmë udhëzime më të qarta dhe të përmirësojmë kujdesin klinik për pacientët”, përfundoi ai. /Ad.Ab./

 

The post MJEKËSI -Studim: Kanabisi mjekësor nuk funksionon për shumicën e sëmundjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Berlini dhe Londra forcojnë bashkëpunimin ushtarak

28 December 2025 at 17:47

BERLIN, 28 dhjetor /ATSH/ – Gjermania dhe Britania e Madhe kanë intensifikuar bashkëpunimin ushtarak përmes një kontrate të përbashkët prokurimi me vlerë rreth 72 milionë dollarë (afërsisht 61 milionë euro) për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë, raportuan sot mediat, sipas “Euronews”.

Marrëveshja parashikon blerjen e sistemeve të artilerisë “RCH 155”, të montuara mbi mjete të blinduara, të afta të qëllojnë edhe gjatë lëvizjes dhe të godasin objektiva në një distancë mbi 70 kilometra.

Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, kontrata do t’i sigurojë fillimisht Ushtrisë Britanike një njësi demonstrimi të sistemit “RCH 155”. Ndërkohë, dy njësi të tjera janë planifikuar për Gjermaninë, ku do të përdoren për testime.

Sistemi “RCH 155” do të prodhohet nga kompania franko-gjermane e mbrojtjes “KNDS”, në bashkëpunim me “Rheinmetall”. Ministria britanike thekson se ky sistem mund të qëllojë deri në tetë predha në minutë dhe operohet nga vetëm dy ushtarë.

Gjithashtu, artileria e re ka një autonomi të konsiderueshme, duke qenë në gjendje të përshkojë deri në 700 kilometra pa nevojë për furnizim me karburant.

Berlini dhe Londra kishin rënë dakord që në muajin maj për një projekt të përbashkët armatimi, duke vendosur të avancojnë zhvillimin e një arme precize me rreze të gjatë veprimi. Ky projekt shihet si një bazë strategjike për bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën e armëve moderne.

Qëllimi kryesor është zhvillimi i kapaciteteve për të ashtuquajturat goditje precize në thellësi, të cilat mund të përdoren për të goditur objektiva thellë në territorin e kundërshtarit.

Përveç projektit të armëve me rreze të gjatë, të dy vendet kanë rënë dakord edhe për bashkëpunim më të ngushtë në fushën e luftës kundër nëndetëseve, bazuar në marrëveshjen dypalëshe të njohur si “Trinity House Agreement”.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e përshkroi këtë projekt si një përgjigje ndaj situatës së ndryshuar të sigurisë, gjatë një takimi në Berlin me homologun e tij britanik, John Healey.

Nga ana e tij, Healey theksoi se partneriteti i sigurisë mes dy vendeve është më i ngushtë se kurrë, duke shtuar se bashkëpunimi jo vetëm forcon mbrojtjen, por mund të sjellë edhe nxitje ekonomike, investime dhe vende të reja pune në të dy vendet. /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Berlini dhe Londra forcojnë bashkëpunimin ushtarak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI: Nëntë të arrestuar për financim të Hamasit

28 December 2025 at 16:42

ROMË, 28 dhjetor/ATSH-AFP/ -Policia italiane njoftoi sot se kishte arrestuar nëntë persona të dyshuar për mbledhjen e miliona eurove për grupin militant palestinez Hamas.

Sipas autoriteteve, nëntë persona në total akuzohen se kanë financuar rreth 7 milionë euro (8 milionë dollarë) për “shoqata me qendër në Gaza, territoret palestineze ose Izrael, të zotëruara, të kontrolluara ose të lidhura me Hamasin”.
Policia ka lëshuar gjithashtu urdhra arresti ndërkombëtar për dy persona të tjerë që ndodhen jashtë Italisë.
Hetimi ka zbuluar se tre shoqata, të cilat zyrtarisht deklaronin se mbështesnin civilët palestinezë, dyshohet se kanë shërbyer si fasadë për financimin e Hamasit, thuhet në deklaratën e policisë.
Edhe pse objektivi zyrtar i këtyre shoqatave ishte mbledhja e donacioneve “për qëllime humanitare për popullin palestinez”, më shumë se 71% e fondeve përfundonin në financim të drejtpërdrejtë të Hamasit ose të entiteteve të lidhura me lëvizjen islamiste, sipas autoriteteve italiane.
Një pjesë e parave, sipas policisë, është përdorur për të mbështetur familjarë të personave të përfshirë në sulme terroriste.
Mes të arrestuarve ndodhet edhe Mohammad Hannoun, president i Shoqatës Palestineze në Itali, raportojnë mediat lokale. /Ad.Ab./

 

The post ITALI: Nëntë të arrestuar për financim të Hamasit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌