Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 1 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Lamallari: 380 të dënuar lirohen menjëherë nga amnistia penale

1 January 2026 at 19:52

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari u shpreh sot në një intervistë televizive, se kriteri që udhëheq Amnistinë Penale është rrezikshmëria e ulët shoqërore.

Lamallari tha se përzgjedhja e kategorive që përfitojnë nga kjo amnisti është bërë në mënyrë që të mos cenohet siguria publike dhe të favorizohet një qasje humane dhe e drejtë.

“Kriteri që ka udhëhequr këtë amnisti ka qenë rrezikshmëria e ulët shoqërore. Sa i përket burrave, përfitojnë të gjithë ata që janë të dënuar me vendim të formës së prerë me burgim deri në tre vjet, ose nëse kanë një vendim mbi tre vjet por që u ka mbetur tre vjet e poshtë për të shlyer dënimin, duke përfshirë faktin se nuk janë të dënuar për vepra që përjashtohen nga amnistia, vepra me karakter të theksuar të rrezikshmërisë shoqërore”, tha Lamallari.

Ministri Lamallari tha se “sa i përket grave, janë ato të cilat janë të dënuara me vendim gjykate deri në katër vite burg, dhe të gjitha ato gra që kanë dënim më të madh por që kanë shlyer pjesën e dënimit që kanë pasur dhe periudha e mbetur është më pak se katër vite”.

“Gjithashtu përfituese kemi gratë e dënuara që janë mbi moshën 50 vjeç në momentin e hyrjes në fuqi të amnistisë, si dhe të dënuarit burra që janë mbi moshën 60 vjeç. Po ashtu kemi treguar një akt humanizmi për një kategori shumë vulnerabël, që janë të miturit ku të gjithë personat nën moshën 18 vjeç do të lirohen, sigurisht duke përjashtuar veprat e karakterit të rrezikshmërisë së lartë shoqërore”, tha Lamallari.

Ministri i Drejtësisë njoftoi se me Amnistinë Penale, 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi. Numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative.

/e.i/j.p/

The post Lamallari: 380 të dënuar lirohen menjëherë nga amnistia penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ZVICËR – Të paktën 40 të vdekur dhe 100 të plagosur nga zjarri në resortin e skive Crans-Montana

1 January 2026 at 18:10

SIERRE, 1 janar /ATSH/- Të paktën 40 persona janë raportuar të vdekur pas një zjarri që përfshiu një bar në resortin zviceran të skive Crans-Montana gjatë festimeve të Vitit të Ri, tha sot policia.

Njëzet e dy të rinj – që pësuan plagë të rënda – u transportuan me helikopter në spitalin e Lozanës, njoftoi gazeta zvicerane “24 Heures”.

“Trajtimi i plagëve të tyre nga djegiet mund të zgjasë disa javë, ose muaj”, tha drejtoresha e Spitalit Universitar të Lozanës, Claire Charmet.

“Këta janë pacientë të rinj. Mesatarisht, midis 16 dhe 26 vjeç”, shtoi ajo.

Tetë pacientë dhe po transferohen në kujdes intensiv, sipas Charmet.

Pas katastrofës në vendpushimin Crans-Montana – në të cilën policia tha se 40 persona kishin vdekur dhe rreth 100 të tjerë ishin plagosur – klinika në Lozanë aktivizoi një plan krize për të qenë në gjendje të trajtonte një numër të madh pacientësh të plagosur.//a.i/

The post ZVICËR – Të paktën 40 të vdekur dhe 100 të plagosur nga zjarri në resortin e skive Crans-Montana appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Rusia: Të paktën 24 të vrarë pas sulmit ukrainas në rajonin e pushtuar të Khersonit

1 January 2026 at 17:49

MOSKË, 1 janar /ATSH-DPA/- Forcat pushtuese ruse thanë sot se mbi 24 persona u vranë gjatë një sulmi ukrainas me dron që goditi fshatin Khorly në Detin e Zi, në festën e Vitit të Ri.

Guvernatori në detyrë i rajonit të aneksuar – rajonit jugor ukrainas të Khersonit – që nga 4 tetori 2022, Vladimir Saldo tha se tre dronë ukrainas kishin goditur një kafene në Khorly ndërsa njerëzit po festonin vitin e ri.

Fillimisht, pati raportime për 24 të vdekur, por më vonë u tha se numri i të vrarëve mund të jetë më i lartë.

Imazhet dhe videot që qarkullojnë në media sociale treguan një restorant të djegur në Khorly, një vendpushim i vendosur në një gadishull të vogël që del në Detin e Zi, rreth 70 kilometra nga kryeqyteti rajonal, Kherson.

Saldo tha se midis të vrarëve ishte edhe një fëmijë – duke vënë në dyshim gatishmërinë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia gati katër vjet më parë.

Pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës të nisur më 24 shkurt 2022, Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme rajonin e Khersonit, së bashku me Zaporizhian, Donetskun dhe Luhanskun, edhe pse nuk kontrollon plotësisht asnjë nga këto rajone.

Kontrolli i Khersonit është i ndarë përgjatë lumit Dnipro – me forcat ruse që pushtojnë jugun e rajonit, përfshirë bregdetin e Detit të Zi.

Ministria e Jashtme ruse, Kisha Ortodokse Ruse dhe ligjvënësit rusë shprehën zemërim, ndërsa prokurorët rusë kanë nisur procedurat për terrorizëm

Kievi ende nuk ka komentuar mbi akuzat. Kanali pro-ukrainas i Telegram “Exilenova” tha se kishte pasur sulme të ngjashme në të kaluarën kur forcat pushtuese mblidheshin për festa. //a.i/

The post MOSKË – Rusia: Të paktën 24 të vrarë pas sulmit ukrainas në rajonin e pushtuar të Khersonit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFJE – Bullgaria i bashkohet zyrtarisht eurozonës

1 January 2026 at 17:12

SOFJE, 1 janar /ATSH/- Bullgaria u bë anëtari i 21-të i eurozonës, duke e çuar numrin e njerëzve që përdorin monedhën e vetme evropiane në më shumë se 350 milionë, sipas DW.

Bullgaria miratoi sot përdorimin e euros pavarësisht kundërshtimit në disa sektorë të shoqërisë.

Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), përshëndeti përfshirjen e Bullgarisë në eurozonë.

“Euro është një simbol i fuqishëm i asaj që Evropa mund të arrijë kur punojmë së bashku, dhe i vlerave të përbashkëta dhe forcës kolektive që mund të shfrytëzojmë për t’u përballur me pasigurinë gjeopolitike globale – me të cilën përballemi në këtë moment”, tha Lagarde në një deklaratë.

Vendi ballkanik, anëtar i BE-së që nga viti 2007, i bashkohet zonës së monedhës së vetme pas hyrjes së Kroacisë në janar 2023.

Ky vendim e çon numrin e evropianëve që përdorin monedhën në më shumë se 350 milionë.

Pranimi i Bullgarisë në eurozonë – lë vetëm gjashtë nga 27 vendet e BE-së jashtë unionit monetar: Suedinë, Poloninë, Republikën Çeke, Hungarinë, Rumaninë dhe Danimarkën.

Edhe pse presidenti bullgar, Rumen Radev e quajti adoptimin e euros “hapin e fundit” në integrimin e Bullgarisë në BE, ndërsa shprehu keqardhje që bullgarët nuk ishin konsultuar me referendum për adoptimin e monedhës.

“Ky refuzim ishte një nga simptomat dramatike të përçarjes së thellë midis klasës politike dhe popullit, e konfirmuar nga demonstratat masive në të gjithë vendin”, tha ai në një fjalim të Vitit të Ri.

Sipas anketës së fundit të Eurobarometrit, 49% e bullgarëve ishin kundër kalimit në euro.

Në ditët e fundit, pronarët e bizneseve dhe shitësit kanë raportuar vështirësi në marrjen e euros.

Bankat paralajmëruan gjithashtu për ndërprerje të mundshme të pagesave me karta dhe tërheqjeve nga bankomati.

Kursi fiks i këmbimit është 1,95583 leva për euro. //a.i/

The post SOFJE – Bullgaria i bashkohet zyrtarisht eurozonës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HOLANDË – Kisha në Amsterdam shkatërrohet nga zjarri në natën e Vitit të Ri

1 January 2026 at 17:02

AMSTERDAM, 1 janar /ATSH-DPA/- Një zjarr në natën e Vitit të Ri shkatërroi kryesisht një kishë të madhe në qytetin holandez të Amsterdamit.

“Kulla afërsisht 50 metra e lartë dhe çatia e Kishës Vondel në qendër të Amsterdamit u shembën”, thanë sot autoritetet e sigurisë.

Nuk janë raportuar të plagosur pas rënies së zjarrit në kishë, e cila nuk është përdorur si vend adhurimi për disa dekada.

Një numër i madh apartamentesh në afërsi të kishës u evakuuan. Rreth 90 familje mbetën përkohësisht pa energji elektrike. Erërat e forta i përhapën flakët dhe shkaktuan shkëndija.

Shkaku i zjarrit, i cili shpërtheu pas mesnatës, është ende i panjohur.

Holanda festoi natën e Vitit të Ri ku individë privatë u lejuan të hidhnin fishekzjarrë.

Njerëzit blenë shumë më tepër fishekzjarrë të ligjshëm dhe të paligjshëm sesa në vitet e kaluara, duke çuar në zjarre të shumta.

Por, mebetet ende e paqartë, nëse zjarri në kishë lidhet me fishekzjarrët.

Brigada e zjarrfikësve luftoi me flakët me një ekip të madh forcash edhe nga qytete të tjera. Gjithashtu, marina holandeze mbështeti përpjekjet e shuarjes së zjarreve.

Një ekspert ndërtimi vlerërsoi sot në mëngjes se muret e kishës do të mbeteshin në këmbë dhe se nuk kishte rrezik të mëtejshëm shembjeje. //a.i/

The post HOLANDË – Kisha në Amsterdam shkatërrohet nga zjarri në natën e Vitit të Ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita e parë e 2026-ës në Korçë

1 January 2026 at 17:00

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Në ditën e parë të vitit 2026, Korça është mbushur nga gjallëria e turistëve, qytetarëve vendas dhe atyre të huaj që kanë zgjedhur këtë qytet për të kaluar natën e ndërrimit të viteve.

Korça vazhdon të mbetet destinacioni i preferuar i qindra qytetarëve që zgjedhin këtë qytet për të kaluar festat e fundvitit.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga Korça, plot me turistë të huaj e qytetarë të shumtë.

Dekori shumëngjyrësh i shtrirë në lagjet kryesore të qytetit, shtëpizat e drurit, pista e patinazhit për fëmijët dhe të rinjtë, janë vetëm disa prej atraksioneve që ofron Korça për festa.

Qytetarët kanë zgjedhur Pazarin e Vjetër, Pedonalen e qytetit si dhe zonën përreth Katedrales, për të shijuar bukuritë magjepsëse të Korçës për festat e fundvitit.

/e.i/j.p/

The post Dita e parë e 2026-ës në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Ukraina falënderon Gjermaninë për dorëzimin e dy sistemeve të reja “Patriot”

1 January 2026 at 16:44

KIEV, 1 janar /ATSH-DPA/- Ukraina ka marrë dy sisteme të tjera ajrore “Patriot” për të ndihmuar në mbrojtjen nga sulmet ruse, tha sot Ministria e Mbrojtjes, duke i dhënë meritën Gjermanisë për lehtësimin e dorëzimit të tyre.

“Sistemet janë dislokuar tashmë për të mbrojtur qytetet ukrainase dhe infrastrukturën kyçe, falë marrëveshjeve të fundit me qeverinë gjermane”, tha ministri i Mbrojtjes, Denys Shmyhal.

Sistemet e raketave tokë-ajër të prodhuara në SHBA janë pakti më i mirë i Ukrainës kur bëhet fjalë për mbrojtjen kundër raketave balistike dhe kruz ruse.

Sistemi “Patriot” përfshin komponentë të ndryshëm si, një radar, një stacion kontrolli zjarri, antena dhe lëshues për raketat antiajrore.

Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, Kievi ka marrë një numër sistemesh “Patriot” nga aleatët perëndimorë.

Gjermania ka furnizuar tre sisteme të plota. Gushtin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes në Berlin njoftoi dorëzimin gradual të komponentëve për dy sisteme të tjera “Patriot”, ndërsa Norvegjia tha se do të kontribuonte me fonde.

Në këmbim, Gjermania do të furnizohej me gjeneratën e fundit të sistemit “Patriot” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. //a.i/

The post KIEV – Ukraina falënderon Gjermaninë për dorëzimin e dy sistemeve të reja “Patriot” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çokollata e zezë, e pasur me flavonoide, përmirëson shëndetin kardiovaskular

1 January 2026 at 16:14

TIRANË, 1 janar /ATSH/- Një çokollatë e zezë në ditë ul tensionin e gjakut dhe mbron arteriet.

E pasur me flavonoide, ajo lidhet me përmirësimin e shëndetit kardiovaskular duke rritur rrjedhën e gjakut, duke ulur presionin e gjakut, duke zvogëluar kolesterolin e keq (LDL), duke parandaluar mpiksjen e gjakut dhe duke përmirësuar funksionin arterial, sipas “News Medical”.

Çokollata e zezë duhet të konsumohet me moderim si një ëmbëlsirë për shkak të përmbajtjes së kalorive dhe yndyrës.

Hulumtimi i udhëhequr nga studiues në Universitetin Surrey sugjeron përdorimin flavonoideve – një klasë e polifenoleve me bazë bimore, që gjenden në ushqime si çaji, kakaoja, manaferrat dhe mollët, të njohura për përfitimet shëndetësore si përmirësimi i shëndetit kardiovaskular duke rritur funksionin endotelial dhe duke ulur presionin e gjakut.

Efektet e tyre pozitive shtrihen në veprime anti-inflamatore dhe anti-trombotike, duke ulur ulin në mënyrë modeste tensionin e gjakut dhe mbështetur shëndetin vaskular.

Duke analizuar të dhënat e 145 studimeve, ekipi zbuloi se marrja e rregullt e ushqimeve të pasura me flavonoide – çoi në një ulje të tensionit të gjakut, veçanërisht tek njerëzit me tension të lartë.

Tek disa pjesëmarrës, ulja e tensionit të gjakut ishte e krahasueshme me atë të arritur me disa ilaçe për tensionin e gjakut, duke nënvizuar potencialin e dietës si një mjet ndihmës në parandalimin dhe menaxhimin kardiovaskular.

Përtej tensionit të gjakut, flavonoidet treguan se përmirësojnë funksionin endotelial, duke rritur performancën e enëve të gjakut – pavarësisht nga çdo ndryshim në tensionin e gjakut.

Kjo sugjeron përfitime më të gjera kardiovaskulare, të tilla si rregullim më i mirë i rrjedhjes së gjakut dhe ulje e tendosjes vaskulare.

Autori kryesor i studimit, profesor Christian Heiss, theksoi se, ndërsa këto gjetje janë premtuese, ushqimet e pasura me flavonoide nuk duhet të zëvendësojnë trajtimet e përshkruara ose këshillat mjekësore profesionale.

Në vend të kësaj, sasitë modeste ditore të çajit, çokollatës së zezë, mollëve ose pluhurit të kakaos mund të jenë një shtesë praktike dhe e vlefshme për një dietë të ekuilibruar, duke mbështetur shëndetin e zemrës – si pjesë e një stili jetese të shëndetshëm në përgjithësi, veçanërisht tek individët me rrezik më të lartë kardiovaskular. //a.i/

 

 

The post Çokollata e zezë, e pasur me flavonoide, përmirëson shëndetin kardiovaskular appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkenca konfirmon se qentë ëndërrojnë për njerëzit që duan më shumë

1 January 2026 at 15:40

TIRANË, 1 janar /ATSH/-  Ëndrrat e qenve për pronarët e tyre janë një nga zbulimet më të ëmbla në psikologjinë e kafshëve, jo sepse tingëllon bukur, por sepse mbështetet nga shkenca e trurit, sipas “Scientific American”.

Ndryshe nga makinat që fiken gjatë gjumit, qentë kanë tru aktiv që riprodhon jetën e përditshme.

Hulumtimet e kryera nga Shkolla Mjekësore e Harvardit, në Boston, Masaçusets – tregojnë se qentë hyjnë në gjumin REM, në të njëjtën fazë ëndrrash që kanë njerëzit, ku përpunohen kujtimet dhe emocionet.

Gjumi REM, ndodh në intervale gjatë natës dhe karakterizohet nga lëvizje të shpejta të syve, më shumë ëndrra dhe lëvizje trupore, dhe puls dhe frymëmarrje më të shpejtë.

Studimet e gjumit tek gjitarët tregojnë se gjumi REM ndodh kur truri rishikon përvoja të rëndësishme.

Për qentë, kjo do të thotë shëtitje, lojëra, aroma dhe veçanërisht kohë e kaluar me njerëzit e tyre.

Meqenëse qentë krijojnë lidhje të forta emocionale me pronarët e tyre, këto marrëdhënie bëhen disa nga pjesët më kuptimplote të botës së tyre të brendshme.

Pse qentë ka të ngjarë të ëndërrojnë për pronarët e tyre?

Hulumtimet sugjerojnë se qentë shpesh ëndërrojnë duke luajtur me pronarët e tyre, duke përsëritur përvojat e përditshme gjatë gjumit REM, gjë që shpjegon pse ata dridhen, lëvizin putrat ndërsa flenë, ndërsa përjetojnë momente të gëzueshme me njerëzit e tyre të preferuar.

Meqenëse qentë krijojnë lidhje të forta dhe pronarët janë thelbësorë për jetën e tyre, këto ndërveprime bëhen pjesë e rëndësishme e ëndrrave të tyre, e ngjashme me mënyrën se si njerëzit ëndërrojnë për jetën e tyre të përditshme.

Në të kundërt, heshtja dhe qetësia nuk do të thotë se nuk po ndodh asgjë.

Truri i një qeni që fle mund të jetë shumë i zënë, edhe nëse trupi mezi lëviz.

Shkelmat dhe rënkimet e vogla janë shenja të kujtesës dhe emocioneve në veprim.

Ndërsa qentë nuk mund të na tregojnë ëndrrat e tyre, shkenca tregon se ata ka të ngjarë të jenë të mbushur me jetën që jetojnë më shumë. Kjo shpesh nënkupton vetë pronarët e tyre! //a.i/

The post Shkenca konfirmon se qentë ëndërrojnë për njerëzit që duan më shumë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Daci la gjurmë të pashlyeshme në jetën politike, akademike dhe shkencore të Kosovës

1 January 2026 at 15:05

PRISHTINË, 1 janar/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-kryeparlamentarit të Kosovës, akademikut dhe profesorit Nexhat Daci.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare.

Në mesazhin e saj të ngushëllimit, Osmani e ka cilësuar Dacin si një personalitet të rrallë që ka bashkuar dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën politike, akademike dhe shkencore të vendit, shkruan KosovaPress.

Ajo ka theksuar se gjatë viteve të ’90-ta, në periudhën më të vështirë për popullin e Kosovës, akademik Daci ka dhënë kontribut të çmuar për kauzën e lirisë dhe pavarësisë, si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Sipas Osmanit, kontributi shumëdimensional i Nexhat Dacit në ndërtimin e shtetit, në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë institucionale dhe intelektuale të Kosovës.

“Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Daci, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të”, ka thënë Osmani. /Kosovapress/

The post Osmani: Daci la gjurmë të pashlyeshme në jetën politike, akademike dhe shkencore të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vendet anembanë botës mirëpresin vitin 2026 me fishekzjarre dhe siguri të shtuar

1 January 2026 at 14:50

NJU JORK, 1 janar /ATSH/- Nga Sidnej në Paris e deri në Nju Jork, njerëzit në mbarë botën festuan ardhjen e Vitit të Ri 2026, sipas AP.

Ndërsa ora shënoi mesnatën në Japoni, kambanat e tempujve ranë dhe disa u ngjitën në male për të parë lindjen e parë të diellit të vitit të ri.

Dubai organizoi festimet e saj të famshme spektakolare të Vitit të Ri, duke shfaqur fishekzjarre verbuese dhe shfaqje lazeri në kullën ikonike Burj Khalifa, të sinkronizuara me Shatërvanët e Dubait, ndërsa vende buzë ujit si Palm Jumeirah dhe Dubai Marina gjithashtu pritën ngjarjen e madhe me dronë, elementë uji , duke krijuar një shfaqje të paharrueshme dritash në të gjithë horizontin e qytetit për miliona spektatorë.

Numërimi mbrapsht për vitin 2026 u projektua në Harkun e Triumfit në Paris, ndërsa në Moskë njerëzit festuan në dëborë.

Në “Times Square” të Nju Jorkut, pjesëmarrësit sfiduan temperaturat e ftohta për të festuar me hedhjen e famshme të topit të Vitit të Ri.

Në Rio de Zhaneiro, turmat mbushën Plazhin Copacabana të qytetit për të shijuar koncertin dhe një shfaqje fishekzjarresh 12-minutëshe, pavarësisht baticave të larta dhe valëve të mëdha që tronditën barkat që mbanin fishekzjarre.

Hong Kongu mbajti festime të kufizuara pas një zjarri të kohëve të fundit në një kompleks apartamentesh që shkaktoi vdekejen e 161 personave.

Australia e mirëpriti vitin e ri me kufizime –  pasi festimet në plazhin e famshëm u anuluan për shkak të sulmit vdekjeprurës terrorist në plazhin Bondi, në Sidnej dy javë më parë.

Në metropolin australian, 9 tonë fishekzjarrë u hodhën në qiell rreth Urës ikonike të Portit dhe Shtëpisë së Operas.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin turistik zviceran të Crans-Montanës, ku një zjarr në një bar në orët e para të vitit të ri supozohet se vrau dhjetëra njerëz.

Hedhja e topit në Nju Jork 

Turmat e mbledhura brohorisnin dhe përqafonin topin e Vitit të Ri të mbuluar me më shumë se 5,000 kristale që zbriste poshtë një shtylle në “Times Square”.

Pjesëmarrësit, të veshur me kapele festive dhe varëse të ndriçuara, kishin pritur me orë të tëra për të parë hedhjen e topit prej 5,602 kilogramësh.

Prezantuesit televizivë intervistuan vizitorët që merrnin pjesë nga vende të tilla si Florida, Meksika dhe Koreja e Jugut, dhe lexuan urimet e njerëzve për vitin e ri.

Policia në qytet kishte planifikuar masa shtesë anti-terroriste gjatë hedhjes së topit – me “ekipe kontrolli të lëvizshme”.

Pak çaste pasi topi u lëshua, ai u ngrit sërish, duke shkëlqyer në ngjyrë të kuqe, të bardhë dhe blu, për të shënuar 250-vjetorin e ardhshëm të vendit.

Më shumë siguri në Sidnej

Një prani e madhe policie monitoroi turmat që shikonin fishekzjarrët në Sidnej.

Një orë para mesnatës, viktimat e sulmit vdekjeprurës terrorist në plazhin Bondi, dy javë më parë – u përkujtuan me një minutë heshtje dhe turma u ftua të tregonte solidaritet me komunitetin hebre të Australisë.

Festime të kufizuara për shkak të luftës dhe fatkeqësive

Indonezia kufizoi festimet në solidaritet me komunitetet e shkatërruara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në disa pjesë të Sumatrës një muaj më parë që vranë mbi 1 100 njerëz.

Fishekzjarrët në ishullin turistik të Balit u zëvendësuan me valle tradicionale.

Hong Kongu e festoi vitin 2026 pa fishekzjarrë mbi Portin Victoria pas zjarrit masiv në nëntor.

Fasadat e monumenteve u shndërruan në orë numërimi mbrapsht dhe një shfaqje dritash në mesnatë.

Dhe në Gaza, palestinezët thanë se shpresonin që viti i ri t’i jepte fund konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit.

Rreth Evropës

Papa Leone XIV e mbylli vitin me një lutje – duke uruar që qyteti i Romës të mirëpriste të huajt dhe të brishtët.

Fishekzjarrët shpërthyen mbi monumentet evropiane, nga Koloseu në Romë deri te “London Eye”.

Në Paris, njerëzit u mblodhën rreth rrugës vezulluese Champs-Élysées.

Në Skoci, ku Viti i Ri njihet si “Hogmanay”, kryeministri John Swinney u bëri thirrje skocezëve të ndiqnin mesazhin e “Auld Lang Syne” nga poeti kombëtar Robert Burns dhe të tregonin akte mirësie.

Greqia dhe Qiproja kufizuan festimet, duke zëvendësuar fishekzjarrët tradicionalë me piroteknikë me zhurmë të ulët në kryeqytete.

Zyrtarët thanë se ndryshimi kishte për qëllim t’i bënte festimet më mikpritëse për fëmijët dhe kafshët shtëpiake.

“Në Crans-Montana, një zjarr që përfshiu një bar në orën 1:30 të mëngjesit shkaktoi viktima të mëdha”, sipas policisë.

Në një konferencë për shtyp, policia tha se dhjetëra njerëz kishin vdekur dhe rreth 100 të tjerë ishin plagosur. //a.i/

The post Vendet anembanë botës mirëpresin vitin 2026 me fishekzjarre dhe siguri të shtuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Foshnjet e para të vitit 2026 marrin “Bonusin e bebes”

1 January 2026 at 14:45

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Në këtë fillimvit, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, vizitoi paraditen e sotme, bebet e ardhura në jetë në minutat e para të vitit 2026, përkatësisht Adea, e lindur në SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, dhe Sibel, e lindur në SUOGJ “Koço Gliozheni”.

Gjatë vizitës, zv.ministrja Tomini u takua nga afër me nënat dhe foshnjet, duke shprehur urimet për ardhjen e tyre në jetë, si dhe u dhuroi çekun e “Bonusit të bebes” mbështetja direkte financiare e qeverisë për çdo të porsalindur.

Programi universal “Bonusi i bebes” është një ndër prioritetet kryesore të qeverisë për mbështetjen e çdo fëmije dhe familjeve të tyre, duke garantuar shpërblim financiar për çdo lindje, pavarësisht statusit social apo ekonomik, si dhe në kuadër të incentivave për rritjen e natalitetit. Që nga viti 2019, janë shpërndarë mbi 245 mijë bonuse për të porsalindurit.

Masa financiare e “Bonusit të bebes” varion nga 40 000 deri në 120 000 lekë, në varësi të rendit të lindjes, ndërsa për lindjet e shumëfishta përfitimi është 80 000 lekë për secilën foshnjë në rastin e binjakëve dhe 120 000 lekë për secilën foshnjë në rastin e trinjakëve ose më shumë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale vijon angazhimin për forcimin e politikave sociale në mbështetje të familjeve dhe garantimin e një fillimi të sigurt dhe dinjitoz për çdo fëmijë që vjen në jetë.

/e.i/j.p/

The post Foshnjet e para të vitit 2026 marrin “Bonusin e bebes” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahet nga jeta ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci

PRISHTINË, 1 janar/ATSH/- Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari në detyrë i Kuvendit, Dimal Basha.

Daci ka shërbyer si kryetar i Kuvendit e më pas edhe si president në detyrë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 2006.

Nexhat Daci është themelues i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe ka qenë aktiv në politikë edhe pas mandatit të tij si kryeparlamentar.

Nexhat Daci ishte kimist, profesor universiteti, akademik. Lindi më 1944 në Tërnoc, ku mbaroi shkollimin fillor. Shko­llimin e mesëm e kreu në Leskoc (1956-1960). Studimet universitare i mba­roi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (Dega e ki­misë) në Beograd (1962-1966), ku u diplomua në qershor të vitit 1966. Studimet pasuniversitare i mbaroi në fakultetin dhe drejtimin e njëjtë në Beograd (1966-1968). Një kurs pasuniversitar e ka mbaruar Lièges (Belgjikë), në vitin 1970. U dok­torua në vitin 1973 në Universitetin e Zagrebit. Studimet e pasdoktoraturës i vazhdoi në Angli (Universiteti i Bradfordit) në vitin 1974.

Pas përfundimit të studimeve të rregullta dhe të magjistraturës, në vitin 1968 zuri punë – asistent në Fakultetin Filozofik të atëhershëm, në Katedrën e Kimisë. Karrierën universitare (më 1971 ligjërues; më 1974 profesor inordinar; më 1984 profesor ordinar) pa ndërprerje e ka ushtruar në Prishtinë, ndërsa dhjetëra herë ka pasur udhëtime studimi në Çeki (Brno), Shqipëri, Angli (Bradford, Oksford, Londër), Skotlandë (Aberdin).
Ka marrë pjesë në tubime shkencore (sim­poziume, konferenca dhe kongrese) në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare në: SHBA, Angli, Gjermani, Itali, Turqi, Hungari, Slloveni, Kroaci, Serbi, Shqipëri, Kosovë. Është anëtar i Shoqatës Kimike Amerikane në vitin 1985, i Akademisë Evropiane për Çështje Mjedisi me seli në Tübingen të Gjermanisë dhe Londër në vitin 1987 dhe kombëtare, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Ko­sovës në vitin 1993, korrespondent, dhe i rregullt në vitin 1996. Është anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve nga viti 2014.

Gjatë periudhës akademike-universitare ka ushtruar edhe këto detyra: shef i Degës së Kimisë 1971-1973; sekretar i përgjithshëm i ASHAKut, 1994-1999; kryetar i ASHAK-ut, 1999-2002 dhe 2018-2019.

Ka qenë deputet (2001-2011) kryetar i Parlamentit të Kosovës në periudhën 2000-2004 dhe 2004-2006.

/Kosovapress/

The post Ndahet nga jeta ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shfaqje spektakolare fishekzjarrësh në Londër, mijëra njerëz sfidojnë të ftohtin për të mirëpritur Vitin e Ri!

1 January 2026 at 12:37

LONDËR, 1 janar /ATSH/- Mijëra njerëz sfiduan të ftohtin për të mirëpritur vitin e ri – përgjatë lumit Thames në Londër për të parë shfaqjen spektakolare të fishekzjarrëve që hapi vitin 2026, sipas “The Independent”.

Pavarësisht temperaturave të ulëta – rreth 0 gradë Celsius – pothuajse 100,000 njerëz u mblodhën në brigjet e lumit Thames për të festuar.

Fishekzjarret shpërthyen në qiell për të mirëpritur Vitin e Ri rreth “London Eye” dhe Kullës Elizabeth, e njohur zakonisht me emrin e kambanës së orës “Big Ben”, në Pallatin e Westminster në Londrën qendrore në mesnatë, më 1 janar 2026.

Shfaqja spektakolare – e shoqëruar me një kolonë zanore që përfshinte artistë si Raye, Sabrina Carpenter, Ed Sheeran dhe Coldplay dhepjesëmarrjen e yjeve si Celia Imrie, Andrew Cotter dhe Alison Hammond – kujtoi disa nga sukseset kryesore të vitit 2025.

Ndër arritjet e njohura në shfaqje ishin triumfi i Anglisë në Kupën e Botës në “Regbi për Femra”, mbrojtja e Kampionatit Evropian nga Lionesses dhe fitorja e Kupës Ryder për Evropën.

Më shumë se 12,000 fishekzjarrë dhe më shumë se 400 drita ndriçuan qiellin e natës rreth “London Eye”, me animacione hologaze që plotësonin shfaqjen më të madhe vjetore të fishekzjarrëve në Evropë.

Përveç festimit të arritjeve kombëtare të 12 muajve të fundit, shfaqja iu referua gjithashtu verës së kaluar si më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në Britaninë e Madhe.

Një numër qytetesh të tjera në Britaninë e Madhe po organizojnë shfaqje dhe evente me fishekzjarrë për Vitin e Ri.

Festimet në Hogmanay, Edinburg kthehen me më shumë se 40,000 pjesëmarrës pas anulimit për shkak të motit vitin e kaluar.

Mijëra njerëz filluan të mblidheshin në qendër të Edinburgut para orës 22:00 për të pritur vitin e ri në festimet e famshme të qytetit në “Princes Street”, ku argëtimi i natës përfshin një grup muzikor, bateristë dhe DJ.

Organizatorët thanë se më shumë se 40,000 bileta ishin shitur për ngjarjen e Vitit të Ri, e cila u rikthye pas anulimit të vitit të kaluar për shkak të motit.

Shfaqja zyrtare e Mançesterit do të zhvillohet në Sheshin e Shën Pjetrit në qendër të qytetit.

Shfaqja e fishekzjarrëve në Britaninë e Madhe nis përpara Nju Jorkut, i cili do t’i bashkohet festimeve në orën 5:00 të mëngjesit GMT në Ditën e Vitit të Ri, me performanca nga Diana Ross dhe Ciara. Njerëzit u rreshtuan rreth “Avenue” gjashte orë më parë. //a.i/

The post Shfaqje spektakolare fishekzjarrësh në Londër, mijëra njerëz sfidojnë të ftohtin për të mirëpritur Vitin e Ri! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali uron Qipron për Presidencën e BE: Kohë vendimtare për avancimin e procesit të zgjerimit

1 January 2026 at 12:35

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali i dërgoi një mesazh urimi homologut të saj qipriot, Costantinos Kombos, për marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian nga Qipro, prej 1 janarit të vitit 2026.

Spiropali i uroi presidencës së Qipros çdo sukses në këto kohë vendimtare, për avancimin e një axhende europiane proaktive, duke përfshirë një proces zgjerimi gjithëpërfshirës, ​​të besueshëm dhe të suksesshëm që forcon Europën.

Ministrja e Jashtme thekson se Shqipëria është e gatshme të vazhdojë të bëjë pjesën e saj dhe të investojë në të nesërmen e saj, si pjesë e së ardhmes sonë të përbashkët europiane.

“I urojmë presidencës së Qipros çdo sukses në këto kohë vendimtare, për avancimin e një axhende europiane proaktive, duke përfshirë një proces zgjerimi gjithëpërfshirës, ​​të besueshëm dhe të suksesshëm që forcon Europën, vlerat e saj dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Spiropali.

/m.m/a.f/

The post Spiropali uron Qipron për Presidencën e BE: Kohë vendimtare për avancimin e procesit të zgjerimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Viti i Ri 2025, atmosferë festive dhe spektakël fishekzjarresh në çdo qytet

1 January 2026 at 12:25

TIRANË, 1 janar /ATSH/ Nata e ndërrimit të viteve është pritur me një atmosferë festive dhe spektakël fishekzjarresh në të gjitha qytetet e vendit.

Nga veriu në jug, qytetarët sfiduan temperaturat tejet të ulëta, duke dalë në rrugë e sheshe për të festuar.

Ata preferuan të festojnë në sheshe, teksa ndoqën edhe spektaklin e fishekzjarreve të organizuar nga bashkitë, por edhe koncertet e ndryshme me këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare.

Në Tiranë, qindra qytetarë e pritën Vitin e Ri 2026, në sheshin “Skënderbej”, mes spektaklit të fishekzjarreve, që ndriçoi qiellin e kryeqytetit dhe tingujve të muzikës.

Qytetarët e Elbasanit mirëpritën Vitin e Ri  duke mbushur sheshin kryesor dhe duke parë spektaklin e fishekzjarreve të hedhura nga Bashkia. Qyteti u ndez nga zhurma dhe ngjyrat e fishekzjarreve, teksa atmosfera festive ka qenë e veçantë.

Edhe në Lezhë, në Parkun përballë vendvarrimit të Skënderbeut, qytetarët pritën vitin 2026 me spektaklin magjepsës të fishekzjarreve, që kishte organizuar bashkia Lezhë.

Ndërsa në Korçë, nata e ndërrimit të viteve u prit me një spektakël fishekzjarresh tek Sheshi para Katedrales, ndërkohë që parashikohen koncerte dhe aktivitete të tjera muzikore gjatë ditëve të para të vitit.

Vlora festoi ndërrimin e viteve me muzikë dhe atmosferën unike të festës në një koncert të organizuar nga bashkia me këngëtarët Ronela Hajati, Sardi Strugaj dhe Lorenc Hasrama.

Me muzikë shkodrane nga këngëtari i njohur Sidrit Bejleri dhe spektakël fishekzjarresh qytetarët e Shkodrës pritën në shesh natën e ndërrimit të viteve.

 

/m.m/a.f/

 

The post Viti i Ri 2025, atmosferë festive dhe spektakël fishekzjarresh në çdo qytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Krenar për shërbimin e FA në misionet ndërkombëtare

1 January 2026 at 14:55

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përshëndeti sot në një lidhje direkte online efektivët e Forcave të Armatosura shqiptare të angazhuar në misione dhe operacione jashtë vendit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Begaj uroi ushtarët, nënoficerët dhe oficerët shqiptarë të angazhuar në misione jashtë vendit për festat, duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për shërbimin e tyre larg familjeve, në funksion të paqes, sigurisë dhe lirisë në botë.

Kreu i Shtetit theksoi se angazhimi i Forcave të Armatosura në misione në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Detin Egje, Irak, Sinai, Sudanin e Jugut, si dhe në strukturat mbështetëse për Ukrainën, është dëshmi e qartë e përkushtimit të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

“Atmosfera festive ju ka gjetur larg familjeve tuaja, por me një mision të rëndësishëm: të jeni në krye të detyrës dhe në shërbim të atdheut, në shërbim të paqes, të sigurisë dhe lirisë në mbarë globin. Ju mbani lart flamurin e Shqipërisë dhe ne ndihemi krenarë për shërbimin tuaj”, u shpreh Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit theksoi se paqja dhe siguria nuk kanë çmim dhe garantimi tyre duhet të jetë i domosdoshëm.

“Sfidat gjeopolitike dhe të sigurisë janë komplekse dhe kërkojnë që ne t’u përgjigjemi atyre sipas kërkesave jo vetëm duke rritur kontributin, por, mbi të gjitha, me një Forcë të Armatosur të aftë, me kapacitete mbrojtëse, moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme”, u shpreh Begaj.

Presidenti siguroi se Shqipëria do të vijojë të shtojë kontributet në misione dhe operacione jashtë vendit dhe do të jetë pjesëmarrëse kudo ku Aleanca të kërkojë.

“Marrja e komandës së batalionit shumëkombësh të Rezervës Operacionale të KFOR-it për vitin 2026 është dëshmi e qartë e përkushtimit tonë ndaj mbrojtjes kolektive, ndaj paqes, ndaj dhe sigurisë. Shpreh bindjen se drejtimi i kësaj strukture të rëndësishme do të jetë një tjetër arritje e Forcave tona të Armatosura”, u shpreh Presidenti Begaj.

1 nga 3

/m.m/a.f/

The post Begaj: Krenar për shërbimin e FA në misionet ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Hungaria humbet të drejtën për ndihmë nga BE-ja me vlerë mbi 1 miliard euro

1 January 2026 at 12:06

BRUKSEL, 1 janar /ATSH-DPA/- Hungaria ka humbur të drejtën e saj për ndihmë të konsiderueshme nga BE-ja për shkak të shkeljeve të shtetit të së drejtës, pasi reformat duhej të kryheshin deri në fund të vitit 2025.

Sipas Komisionit Evropian, fondet e humbura arrijnë në më shumë se 1 miliard euro.

Për të liruar fondet, Hungaria duhej të zbatonte reforma të mjaftueshme deri në fund të vitit 2025, duke përfshirë ndryshimin e ligjeve për të parandaluar konfliktet e interesit dhe për të luftuar korrupsionin.

Fondet, të destinuara nga programet për të mbështetur zonat strukturisht të dobëta dhe të planifikuara fillimisht për vitin 2023, u ngrinë pasi një analizë e Komisionit Evropian arriti në përfundimin se Hungaria kishte shpërfillur disa standarde dhe vlera themelore të BE-së.

Humbje të mëtejshme priten

Nëse Hungaria vazhdon të dështojë në zbatimin e reformave të mjaftueshme, ajo përballet me humbjen e fondeve të mëtejshme që arrijnë në miliarda euro në të ardhmen.

Legjislacioni i BE-së i quajtur “Rregullorja e Kushtëzimit të Shtetit të së Drejtës” hyri në fuqi në vitin 2021, duke i dhënë BE-së mjete shtesë financiare dhe buxhetore për të kontrolluar shtetin e së drejtës në shtetet anëtare.

Shtetet e BE-së ranë dakord të ngrijnë rreth 6,3 miliardë euro fonde të caktuara për Hungarinë nga buxheti shumëvjeçar i bllokut për vitet 2021-2027 në fund të vitit 2022 përmes mekanizmit.

Këstit të parë, gjithashtu pak më shumë se 1 miliard euro, i përfundoi afati në fund të vitit 2024 pasi Budapesti nuk arriti të zbatonte reformat e nevojshme.

Miliarda euro të tjera për vendin janë bllokuar gjithashtu pjesërisht nga rregullore të tjera.

Sipas komisionit, një total prej rreth 17 miliardë eurosh u ngrinë së fundmi. Prodhimi ekonomik i Hungarisë në vitin 2024 ishte rreth 205 miliardë euro. //a.i/

The post BRUKSEL – Hungaria humbet të drejtën për ndihmë nga BE-ja me vlerë mbi 1 miliard euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Të mbyllim kapitujt e parë të negociatave gjatë presidencës qipriote të BE

1 January 2026 at 10:39

TIRANË, 1 janar/ATSH. Presidenti Bajram Begaj i uroi sot suksese dhe arritje sa më të mira presidencës qipriote të Bashkimit Evropian për gjysmën e parë të vitit 2026.

Begaj vlerësoi se Qipro merr presidencën e BE-së, në këto momente shumë të rëndësishme për Evropën dhe për mbarë botën.

Presidenti shprehu bindjen se presidenca qipriote e BE-së do të jetë e përqendruar në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Shpresojmë që Shqipëria të nisë mbylljen e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

/m.m/a.f/

The post Begaj: Të mbyllim kapitujt e parë të negociatave gjatë presidencës qipriote të BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – CIA hedh poshtë sulmin e pretenduar të Ukrainës ndaj rezidencës së Putinit

1 January 2026 at 10:38

UASHINGTON, 1 janar /ATSH-DPA/- Agjencia Qendrore e Inteligjencës Amerikane (CIA) ka arritur në përfundimin se Ukraina nuk e ka shënjestruar presidentin rus, Vladimir Putin ose një nga rezidencat e tij në një sulm të fundit me dron, raportuan sot mediet amerikane.

Media të ndryshme, përfshirë “Wall Street Journal”, si dhe transmetuesit PBS dhe CNN, cituan zyrtarë të paidentifikuar të qeverisë amerikane në raportet e tyre të publikuara të dje në mbrëmje, duke kundërshtuar akuzat serioze të bëra nga Moska në fillim të javës.

Fillimisht, presidenti i SHBA-së Donald Trump kritikoi gjithashtu Ukrainën për sulmin e supozuar – pas një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.

Kievi ka mohuar fuqimisht, sulmin ndaj një prej rezidencave të Putinit, duke thënë se ky ishte një pretekst rus – për të vazhduar luftën kundër Ukrainës – pavarësisht negociatave të vazhdueshme për paqe dhe gjithashtu për të shënjestruar sërish ndërtesat qeveritare në Kiev me raketa.

Rusia paraqiti dje prova të mundshme të sulmit për herë të parë, duke përfshirë mbetjet e një droni të supozuar ukrainas.

Shumë ekspertë dyshojnë se sulmi i përshkruar nga Rusia ka ndodhur siç është pretenduar.

Trump informohet nga shefi i CIA-s

Duke cituar zyrtarë amerikanë, “Wall Street Journal” raportoi se sulmi kontrovers me dron ukrainas kishte për qëllim objektivin ushtarak në të njëjtin rajon me një nga rezidencat e Putinit – por jo pranë pronës.

“Kjo mbështetet edhe nga një analizë e CIA-s”, tha raporti.

PBS dhe CNN raportuan se Trump ishte informuar dje nga drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, në lidhje me zbulimet e shërbimeve sekrete.

Po atë ditë, Trump ndau papritur një artikull nga “New York Post” që ishte shumë kritik ndaj Rusisë në platformën e tij, “Truth Social”.

“New York Post” e portretizoi Putinin si pengesën e vërtetë në rrugën drejt paqes dhe e kritikoi ashpër atë në raport. //a.i/

The post SHBA – CIA hedh poshtë sulmin e pretenduar të Ukrainës ndaj rezidencës së Putinit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌