Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 December 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Kitarat e Korçës”, magjia e seranatave në pedonalen e qytetit

26 December 2025 at 11:58

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Pedonalja e qytetit të Korçës u mbush mbrëmjen e Krishtlindjeve me tingujt e kitarave dhe këngëve korçare.

Një aktivitet ndryshe që solli një skenë të hapur për të gjithë qytetarët dhe artdashësit e shumtë të pranishëm, që e ndoqën nga afër këtë ngjarje artistike.

Koncerti “Kitarat e Korçës”, i drejtuar nga Nuçiel Doko, mësues kitare në shkollën e muzikës “Tefta Tashko Koço” në Korçë, erdhi si një homazh për trashëgiminë muzikore të dikurshme, kur kitarat shoqëronin netët festive dhe këngët e zemrës këndoheshin në çdo cep të qytetit.

Rreth 40 kitara u dëgjuan njëkohësisht, duke krijuar një atmosferë të veçantë dhe emocionale për qytetarët dhe vizitorët që ndoqën koncertin.

Koncerti “Kitarat e Korçës” bashkoi në një aktivitet zërat e të rinjve dhe kujtimet e serenatistëve të vjetër, që rikujtuan identitetin muzikor të Korçës dhe rëndësinë e ruajtjes së kësaj tradite të çmuar kulturore.

/e.i/r.e/a.f/

The post “Kitarat e Korçës”, magjia e seranatave në pedonalen e qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Agjencitë e lajmeve, përfshirë ATSH, shpallin Duplantis sportistin evropian të vitit

26 December 2025 at 11:56

VARSHAVË, 26 dhjetor /ATSH-PAP/ – Fituesi i edicionit të 68-të të përzgjedhjes së sportistit më të mirë të Evropës, organizuar nga agjencia polake e lajmeve, PAP me agjencitë partnere, përfshirë ATSH, për 10 sportistët më të mirë në Evropë në vitin 2025, është 26-vjeçari Armand Duplantis, kampion olimpik i kërcimit me shkop.

Ai u përfshi në 23 lista, duke qenë nëntë herë në vendin e parë dhe katër herë në vendin e dytë.

Duplantis grumbulloi 184 pikë, 41 pikë përpara nënkampionit në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe fituesit të turneve të Grand Slam të French Open dhe US Open të këtij viti, Carlos Alcaraz, dhe 50 pikë përpara sllovenit Tadej Pogacar, i cili fitoi turin e tij të katërt të Francës në vitin 2025.

Duplantis është kampioni absolut i botës në kërcim me shkop.

Ai ka vendosur një rekord botëror prej 6,30 metrash.

Ai gjithashtu mban rezultatin më të mirë të të gjitha kohërave në salla të mbyllura prej 6,27 metrash.

62 atletë (20 gra dhe 42 burra) nga 22 disiplina, nga 24 vende, morën pjesë në sondazhin e 68-të.

Njëzet e tre agjenci lajmesh, AFP (Francë), AGERPRES (Rumani), ANADOLU AJANSI (Turqi), APA (Austri), ATSH, BELGA (Belgjikë), BNS (Shërbimi i Lajmeve Baltike – Lituani), BTA (Bullgari), CTK (Republika Çeke), DPA (Gjermani), EFE (Spanjë), ELTA (Lituani), FENA (Bosnje dhe Hercegovinë), HINA (Kroaci), LUSA (Portugali), MTI (Hungari), NTB (Norvegji), SID (Gjermani), STA (Slloveni), TANJUG (Serbi), TASR (Sllovaki), UKRINFORM (Ukrainë) dhe PAP S.A. (Poloni) morën pjesë në sondazhin e 68-të.

Dhjetë sportistët më të mirë u shpallën:

1. Armand Duplantis (Suedi) – atletikë 184 pikë

2. Carlos Alcaraz (Spanjë) – tenis 143

3. Tadej Pogacar (Slloveni) – çiklizëm 134

4. Femke Bol (Holandë) – atletikë 76

5. Ousmane Dembele (Francë) – futboll 70

6. Lando Norris (Britania e Madhe) – Formula 1 68

7. Jannik Sinner (Ital) – tenis 57

8. Aryna Sabalenka (Bjellorusi) – tenis 56

9. Marco Odermatt (Zvicër) – ski alpin 45

10. Johannes Hoesflot Klaebo (Norvegji) – ski nordik 29./ a.jor.

The post Agjencitë e lajmeve, përfshirë ATSH, shpallin Duplantis sportistin evropian të vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Imuniteti i Ballukut, Bylykbashi: Peleshi po pengon procesin

26 December 2025 at 11:44

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Pesë anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, thirrën sot në orën 11:00 mbledhjen e Këshillit, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Deputetët e opozitës janë paraqitur në ambientet e sallës, por sipas tyre, e kanë gjetur derën e mbyllur, duke i penguar që të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre.

Sipas deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi u ka mbyllur derën duke bllokuar procesin e heqjes së imunitetit për Ballukun.

“Kryetari i Kuvendit sërish refuzon që të thërrasë pjesën tjetër, të bëjë veprimet e tij të domosdoshme të kërkuara nga ligji, duke bllokuar një proces shumë të rëndësishëm kushtetues të parlamentit të Shqipërisë, për heqjen e imunitetit dhe mospengimin e drejtësisë në hetimin e kësaj afere skandaloze korruptive.

“Ne presim këtu që Kuvendi të na vërë në dispozicion që kjo mbledhje e thirrur rregullisht të jetë funksionale, por, ja ku jemi, Kryetari i Kuvendit na ka mbyllur derën”, theksoi Bylykbashi.

Gjithashtu, sipas PD-së, Peleshi nuk lejon mediet që të futen as në sallën e grupit parlamentar të PD.

/m.q/a.f/r.e/

The post Imuniteti i Ballukut, Bylykbashi: Peleshi po pengon procesin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Trump, figura më e mediatizuar në Francë për 2025-n, Macron i dyti

26 December 2025 at 11:41

PARIS, 26 dhjetor /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump është figura më e diskutuar në median franceze gjatë vitit 2025, një vend që zakonisht mbahet nga kreu i shtetit francez, sipas një studimi të publikuar sot.

“Për herë të parë që nga fillimi i këtij studimi në vitin 2013, presidenti aktual francez nuk është figura më e cituar në median e vendit”, vëren e përditshmja rajonale ”Ouest-France” në një artikull që shoqëron rezultatet e një barometri të kryer nga ”Tagaday”, një platformë e monitorimit të medias.

Sipas këtyre rezultateve, emri i Donald Trump “do të jetë shkruar ose përmendur në gati një milion përmbajtje në vitin 2025 (947 294 për të qenë të saktë), krahasuar me 671 125 për ”Emmanuel Macron”, i cili doli i dyti.

Pesë të parët plotësohen nga ish-kryeministri francez François Bayrou, presidenti rus Vladimir Putin dhe ish-ministri i Brendshëm francez, Bruno Retailleau.

Marine Le Pen, udhëheqëse e grupit parlamentar të ”Rassemblement National” (RN) të ekstremit të djathtë, është e vetmja grua në dhjetëshen më të mirë (e teta).

Politika dominon këtë renditje, pasi 50 më të mirët përfshijnë 30 figura politike kombëtare dhe ndërkombëtare, krahasuar me 12 nga bota e kulturës dhe medias, gjashtë nga sporti dhe dy nga bota e biznesit.

Ky renditje e 1 000 personaliteteve më të mbuluara në shtypin francez u përpilua nga 1 janari deri më 15 dhjetor 2025.

Ai bazohet në analizën kompjuterike të më shumë se 5 500 programeve lajmesh (të transmetuara nga 410 kanale televizive/radio dhe stacione për një mesatare prej 2 400 orësh në ditë) dhe një përzgjedhje prej 3 000 botimesh të shtypura dhe online./ a.jor.

The post FOKUS – Trump, figura më e mediatizuar në Francë për 2025-n, Macron i dyti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Videokartolinë urimi për festat nga nxënësit e shkollës “Ajet Xhindole” në Berat

26 December 2025 at 11:36


TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Programi “Art dhe Zeje”, i cili ka nisur nga zbatimi prej vitit 2022, synon të sjellë më shumë kreativitet dhe aftësi praktike për nxënësit duke i kthyer shkollat në qendra kreative dhe gjithëpërfshirëse.

Rrjeti i shkollave në të cilin zbatohet ky program është zgjeruar nga viti në vit, me një  pjesëmarrje të konsiderueshme të nxënësve të të gjithë grupmoshave që angazhohen me veprimtari jashtë orarit mësimor.

Një prej këtyre institucioneve arsimore është edhe shkolla artistike “Ajet Xhindole” në Berat, ku nxënësit kanë zgjedhur tingujt e muzikës për të përcjellë urimet për festat e fundvitit.

Ndërsa e cilësoi një ndër urimet më të bukura të fundvitit nga programi “Art dhe Zeje”, kryeministri Edi Rama ndau videokartolinën e realizuar nga nxënësit e kësaj shkolle.

Përmes programit “Art dhe Zeje” nxënësit mësojnë duke krijuar, duke eksperimentuar dhe duke zbuluar botën në mënyra të reja.

Nga arti që ushqen shpirtin, tek zejet që zhvillojnë aftësitë praktike, e për të vijuar me sportin që forcon trupin dhe mendjen, ky program synon po ashtu edhe zbulimin dhe nxitjen e talenteve të reja, duke inkurajuar kreativitetin në këto fusha.

1 nga 4

/m.m/

The post Videokartolinë urimi për festat nga nxënësit e shkollës “Ajet Xhindole” në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Ligji i ri për statusin e ushtarakut garanton më shumë siguri për FA

26 December 2025 at 11:03


TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu vizitoi Batalionin III të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut në Burrel, ku në vitin 2026 do të nisë puna për ngritjen e qendrës së re operacionale.

Në takim me ushtarakët e këtij batalioni, Vengu shprehu mirënjohjen për kontributin e tyre, duke i cilësuar “një vlerë e shtuar për zonën dhe një element kyç i sigurisë për komunitetin”.

Duke u ndalur te ngritja e qendrës së re operacionale, Vengu theksoi se ajo do të shërbejë
për përgatitjen dhe trajnimin e efektivëve, si dhe për forcimin e mbështetjes në emergjencat civile të zonës.

Reparti i ri në Mollzë, sipas ministrit, do të ofrojë kushte shumë më dinjitoze edhe një operacionalitet të plotë.

Vengu siguroi ushtarakët se qeveria do të vijojë mbështetjen për FA, si nga pikëpamja e buxheteve, pagave, por edhe përfitimeve për familjet e tyre.

“Ligji i ri i statutit të ushtarakut përforcon statusin dhe ju jep edhe shumë siguri në këtë profesion. Nga ana tjetër do të bëjmë të mundur që të përfshiheni edhe në misione, sepse e di që kjo është një kërkesë e hershme e juaja”, tha ministri Vengu.

Vengu theksoi se një pjesë e trupave të këtij batalioni janë stërvitur në Gjermani.

“Ndërkohë, rotacioni i radhës në 2026-n do t’ju gjejë të përfshirë në të gjitha misionet që kemi në zonat e interesit të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Jam shumë mirënjohës për atë që bëni, angazhimin dhe mbështetjen që i jepni komunitetit të Burrelit”, tha Vengu.

/m.m/a.f/r.e/

The post Vengu: Ligji i ri për statusin e ushtarakut garanton më shumë siguri për FA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Takim me presidentin Trump për paqen në Ukrainë

26 December 2025 at 11:02

KIEV, 26 dhjetor  /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi sot se planifikon të udhëtojë në ditët në vijim drejt Shteteve të Bashkuara për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Nuk po humbim asnjë ditë. Kemi rënë dakord për një takim në nivelin më të lartë, me presidentin Trump në të ardhmen e afërt”, shkroi Zelensky në platformën X.

Ai tha se ky njoftim erdhi pasi Rustem Umerov, negociatori kryesor i Ukrainës në bisedimet e paqes për përfundimin e luftës që Rusia nisi gati katër vjet më parë, e informoi mbi kontaktet e tij më të fundit me palën amerikane.

“Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri”, shtoi Zelensky.

“Takimi mund të zhvillohet më 28 dhjetor në rezidencën Mar-a-Lago të presidentit Trump në Florida”,  raportoi gazeta ”Kyiv Post”, duke cituar burime diplomatike./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post KIEV – Zelensky: Takim me presidentin Trump për paqen në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Duka: Kemi 25% shanse për Botërorin 2026

26 December 2025 at 10:51

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka tha gjatë një interviste se Shqipëria ka 25% shanse për të marrë pjesë në Botërorin 2026 që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.

Duka theksoi se ambicia për kualifikimin e Kombëtares shqiptare në Kampionatin Botëror, është një objektiv që, sipas tij, mbështetet në punën e vazhdueshme dhe potencialin real të skuadrës.

“Për të qenë brenda kornizave të profesionit tim, ne kemi 25% probabilitet, sepse jemi katër skuadra me të njëjtin nivel dhe të katërta kemi nga 25%. Unë kam shumë besim dhe e kam pasur gjithmonë. Besimi im është real, nuk është thjesht dëshirë. Është real për nga niveli dhe skuadra që kemi, për atë çfarë ne kemi bërë, futbollistët në fushë i kanë të gjitha mundësitë”, tha Duka.

I pyetur nëse e krahason me Evropianin e vitit 2016, Duka tha se se “Botërori është diçka tjetër, është shumë më i vështirë se Europiani për t’u kualifikuar. Ndërsa, nëse shkon në turneun final, në Botëror është pak më e lehtë se në Europian, sepse skuadrat në Europian janë vërtet shumë të mira, pasi kualiteti i futbollit është në Europë. Në Botëror shkojnë vetëm 16 skuadra nga Europa dhe shkalla e vështirësisë është akoma më e madhe”.

Duka nënvizoi më tej se mendon se do të jetë president i FSHF-së “për aq kohë sa njerëzit që unë bashkëpunoj dhe drejtoj, klubet dhe akademitë e futbollit do të mendojnë që vërtetë mund t’i ndihmoj dhe bashkë ta çojmë përpara futbollin. Për aq kohë sa të kem energji dhe sfida apo objektiva për të realizuar. Nuk është pa kufij kjo gjë dhe mosha bën të vetën dhe do të kufizojë. Nuk e kam pasur objektiv për ta lëshuar apo jo.

Në politikë rëndom thuhet që u konsultova me këtë apo atë dhe vendosa të vazhdoj. Por unë realisht para çdo zgjedhje marr një lloj feedback-u dhe opinioni të atyre që janë vërtetë të interesuar për futbollin, ata që e bëjnë, ata që e luajnë, që e drejtojnë. Klubet, akademitë, trajnerët. Dhe nëse shoh vërtetë dëshirë apo kërkesë për ta vazhduar këtë bashkëpunim, e vazhdoj”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Duka: Kemi 25% shanse për Botërorin 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pasaporta shqiptare për “interes kombëtar”, procedurat për artistët e sportistët

26 December 2025 at 10:20

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka përcaktuar rregullat e reja dhe kriteret për dhënien e shtetësisë shqiptare për personat që ndihmojnë në evidentimin e kontributit me interes kombëtar në fushën e artit, kulturës dhe sportit.

Në Fletoren Zyrtare është publikuar udhëzimi i firmosur nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili detajon se si do të vlerësohen kërkesat e të huajve që duan të pajisen me pasaportën shqiptare përmes meritave të veçanta.

Sipas udhëzimit, përveç kritereve të përgjithshme, aplikuesit në programet e veçanta të shtetësisë me interes në fushën e artit, kulturës dhe sportit, duhet të plotësojnë edhe kriteret specifike shtesë.

“Kandidati duhet të ketë përfaqësuar ose promovuar Shqipërinë në skenën ndërkombëtare përmes artit, filmit, muzikës, letërsisë apo formave të tjera kulturore dhe disiplinave sportive, si dhe të ketë kontribut në krijimin e personave juridikë në fushën e artit, kulturës, sportit dhe mbështetjes së aktiviteteve, programeve, nismave në këto fusha”, thuhet në udhëzim.

Udhëzimi saktëson edhe rrugën që ndjek dosja e një aplikanti.

Drejtoria përgjegjëse pranë MTKS regjistron menjëherë kërkesat e ardhura nga Agjencia e Posaçme për Programet e Shtetësisë (AHVPSH).

Ministri ngre një komision ad-hoc, për vlerësimin e aplikimit në aspekt të kontributit me interes kombëtar në fushën e artit, kulturës dhe sportit.

Pas përfundimit të shqyrtimit, grupi i punës i paraqet ministrit për miratim raportin përfundimtar, i cili përmban përshkrimin e kontributit të aplikuesit në një nga fushat; dokumentacionin mbi të cilin bazohet vlerësimi; qëndrimin lidhur me evidentimin ose jo të kontributit në fushën e artit, kulturës dhe sportit si dhe rekomandimin për miratimin ose mosmiratimin e propozimit për dhënie shtetësie.

Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohet struktura përgjegjëse për politikat e trashëgimisë kulturore, zhvillimit të arteve dhe politikave të sportit dhe anëtarët e grupit ad-hoc.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

/k.s/r.e/a.f/

The post Pasaporta shqiptare për “interes kombëtar”, procedurat për artistët e sportistët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova prezanton “Bursën e udhëtimit” për studentët

26 December 2025 at 10:19

PRISHTINË, 26 dhjetor/ATSH/ Qeveria në detyrë ka prezantuar sot bursën e udhëtimit për studentët përfitues.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, para studentëve tha se përmes kësaj burse mbulohet kostoja e udhëtimit për studentët. Ai shtoi se kjo nismë paraqet vizion më të gjerë të qeverisë, ku arsimimi është i arritshëm, i drejtë dhe barabartë për të gjithë.

“Ne po adresojmë një sfidë reale me të cilën studentët janë përballur. Kjo bursë nuk është vetëm një përkrahje financiare, por tregon se shteti është në anën tuaj. Investimi në arsim është investim për të ardhmen”, tha ai.

/KosovaPress//r.e/

The post Kosova prezanton “Bursën e udhëtimit” për studentët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Moska: Përparim i kujdesshëm në negociatat me SHBA-në për Ukrainën

26 December 2025 at 09:46

MOSKË, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova tha gjatë një konference për shtyp se ka përparim të ngadaltë, por të qëndrueshëm në bisedimet me Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Në procesin negociues për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, ku kam parasysh procesin negociues me Shtetet e Bashkuara, mund të vërehet përparim i ngadaltë, por i sigurt,” u citua të ketë thënë Zakharova.

Vetë Ukraina u përmend pak, pavarësisht se po i reziston pushtimit rus prej gati katër vitesh.

Në vend të kësaj, Zakharova kërkoi të thellojë përçarjen mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë të përfshirë në përpjekjet për paqe.

Ajo u bëri thirrje homologëve amerikanë që “t’i kundërshtojnë në mënyrë aktive përpjekjet e vendeve të Evropës Perëndimore për të sabotuar dhe zhbërë përparimin e arritur në procesin negociues për Ukrainën”.

Pas shpalljes së një plani paqeje me 28 pika, i cili u kritikua gjerësisht si një “listë dëshirash ruse”, udhëheqësit evropianë iu bashkuan Ukrainës në procesin negociues, me synimin për të parandaluar rezultate që mund të minonin rëndë stabilitetin e ardhshëm të Kievit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paraqitur më pas publikisht një kundërpropozim me 20 pika, i cili aktualisht është në diskutim.

Megjithatë, Rusia ende nuk ka paraqitur një qëndrim zyrtar dhe nuk është tërhequr nga kërkesat e saj maksimaliste.

Sa i përket një plani të mundshëm paqeje, Zakharova përsëriti gatishmërinë e pretenduar të Moskës për të negociuar një marrëveshje mossulmimi me një vend evropian ose me NATO-n.

“Rusia është e gatshme të formulojë angazhime përkatëse në formën e një dokumenti të shkruar, juridikisht detyrues”, tha Zakharova.

Presidenti rus Vladimir Putin e kishte ofruar më parë një marrëveshje të tillë dhe kishte hedhur poshtë pretendimet se Rusia mund të sulmonte një vend të NATO-s si “të pakuptimta”./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post RUSI – Moska: Përparim i kujdesshëm në negociatat me SHBA-në për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRAZIL – Bolsonaro i nënshtrohet me sukses një operacioni në hernie

26 December 2025 at 09:19

BRAZILIA, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti i burgosur i Brazilit, Jair Bolsonaro, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për hernie bilaterale, bëri të ditur djali i tij, Flavio Bolsonaro.

“Operacioni, i kryer në një spital në kryeqytetin Brazilia, doli me sukses”, shkroi Flavio Bolsonaro në rrjetin social X.

Sipas portalit informativ “G1”,  Bolsonaro, 70-vjeç, pritet të qëndrojë në spital për rreth një javë.

Bolsonaro ka kaluar disa operacione vitet e fundit, pas një sulmi me thikë gjatë fushatës presidenciale të vitit 2018, ku u plagos rëndë.

Një gjykatës federal autorizoi procedurën e fundit mjekësore.

Ish-presidenti, i cili ishte në detyrë nga viti 2019 deri në 2022, po vuan një dënim me mbi 27 vjet burg që nga fundi i nëntorit, për tentativë për përmbysjen e qeverisë.

Prokurorët e akuzojnë atë se ka planifikuar një grusht shteti kundër qeverisë së pasardhësit të tij, Luiz Inácio Lula da Silva, pasi humbi zgjedhjet.

Megjithatë, gjykatësi hodhi poshtë kërkesën e avokatëve të Bolsonaros që ai ta vuante dënimin në arrest shtëpie për arsye shëndetësore.

Vendimi u justifikua me shkeljet e përsëritura të kushteve dhe përpjekjet për arratisje.

Ndër të tjera, Bolsonaro kishte dëmtuar byzylykun elektronik me një hekur saldimi natën para arrestimit të tij./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BRAZIL – Bolsonaro i nënshtrohet me sukses një operacioni në hernie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Atmosferë festive nga nxënësit e shkollës “Gustav Mayer” në kryeqytet

26 December 2025 at 09:07

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Festat e fundvitit kanë sjellë një atmosferë festive edhe në shkollat e vendit, duke i “veshur” me ngjyra dhe gjallëri përmes programeve artistike me këngë dhe kërcime.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale performancën e realizuar nga nxënësit e shkollës “Gustav Mayer” në Tiranë me rastin e festave.

“Atmosferë festive nga oborri i shkollës “Gustav Mayer”, me meloditë e fundvitit përmes programit Art dhe Zeje, si një kartolinë urimi”, shkruan Rama.

Nxënësit të veshur me veshje festive dhe kapuçët e babagjyshit sollën nën ritmet e muzikës një performancë shumë të bukur, që u interpretua në oborrin e shkollës.

Aktivitetet e organizuara në shkollat e vendit kanë sjellë buzëqeshje dhe emocione, duke e kthyer shkollën në një hapësirë feste në prag të ndërrimit të viteve.

/k.s/r.e/a.f/

The post Atmosferë festive nga nxënësit e shkollës “Gustav Mayer” në kryeqytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në vitin 2026 nis funksionimi i Korpusit të Laboratorëve të ISHP-së

26 December 2025 at 09:00

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Korpusi i ri i Laboratorëve të Institutit të Shëndetit Publik, pritet të trefishojë kapacitetet laboratorike të këtij institucioni, me biosiguri sipas standardeve të BE-së.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njoftoi sot se “në vitin që po troket do të nisë funksionimi i Korpusit të Laboratorëve”.

Korpusi i laboratorëve të referencës kombëtare të Institutit të Shëndetit Publik është ndërtuar në një sipërfaqe prej 2900 metrash katrorë. Ky korpus do ketë nivelin më të lartë të biosigurisë sipas standardeve të BE-së, ku trajtimi i agjentëve biologjikë me rrezik të lartë, do të bëhet në nivele të larta mbrojtjeje për shëndetin e specialistëve.

Ky investim i buxhetit të shtetit përmirëson parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, rrit sigurinë shëndetësore kombëtare dhe forcon kërkimin shkencor në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.

Laboratorët do të pajisen edhe me aparatura të teknologjisë së fundit dhe me kushte bashkëkohore pune për ekspertët dhe stafin e ISHP-së duke garantuar përgjigje sa më efektive, në kohë dhe të sigurta për shëndetin publik.

Njëherësh, duke qenë në atmosferën festive të dhjetorit, specialistët dhe drejtuesit e disa departamenteve të ISHP-së përcollën në një video mesazhe urimi për të gjithë qytetarët, për një jetesë të shëndetshme, me më shumë aktivitet fizik, kujdes të shtuar për shëndetin mendor, ndërsa u bënë thirrje grave dhe vajzave për kryerjen e mamografive falas dhe testine HPV.

Prof. asoc. Dorina Toçi, drejtoreshë e përgjithshme e ISHP-së, u shpreh se “kujdesi për shëndetin është dhurata më e çmuar, për veten dhe familjen tonë”.

/e.i/r.e/a.f/

The post Në vitin 2026 nis funksionimi i Korpusit të Laboratorëve të ISHP-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta e fermerëve grekë, bllokohet për tri orë aksi Kakavijë-Janinë

26 December 2025 at 08:55

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Aksi rrugor Kakavijë-Janinë në kryqëzimin e fshatit Kallpaq do të jetë sërish sot i bllokuar për disa orë për shkak të protestës së fermerëve grekë.

Policia Kufitare Kakavijë bëri të ditur se “është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë-Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët”.

Sipas policisë do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.

/m.q/a.f/r.e/

The post Protesta e fermerëve grekë, bllokohet për tri orë aksi Kakavijë-Janinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëborë në Boboshticë-Dardhë, Jole: Borëpastrueset në terren, akset rrugore të kalueshme

26 December 2025 at 08:55

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjatë natës dhe mëngjesin e sotëm segmentin rrugor Boboshticë-Dardhë, në Korçë.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole tha sot për ATSH-në se “për shkak të temperaturave të ulëta në të gdhirë të ditës së sotme ky aks rrugor u mbulua nga dëbora. Prej mëngjesit kontraktori po punon për largimin e dëborës dhe hedhjen e kripës”.

Sipas tij, të gjitha akset rrugore kombëtare janë të hapura dhe qarkullimi rrugor zhvillohet normalisht.

“Stafi i Drejtorisë Qendër-Lindje i Autoritetit Rrugor Shqiptar po i monitoron ato për të siguruar çdo ndërhyrje aty ku është e nevojshme”, tha Jole.

Jole theksoi se “nga komunikimet me strukturat vendore të Emergjencave Civile, nuk raportohen situata emergjente në territorin e qarkut Korçë. Prurjet e lumenjve dhe përrenjve paraqiten brenda kuotave normale”.

“Nga OSHEE bëhet me dije se fideri Vithkuq, NST Rehovë, është pa energji elektrike, duke prekur 205 abonentë ruralë në zonën e Lekasit (13 kabina). Po ndiqet situata nga strukturat përkatëse”, tha Jole.

Autoritetet Rrugore u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, të ulin shpejtësinë e të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, kur udhëtojnë në zonat me prani dëbore.

/k.s/a.f/r.e/

The post Dëborë në Boboshticë-Dardhë, Jole: Borëpastrueset në terren, akset rrugore të kalueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Sulme kundër objektivave të Shtetit Islamik në Nigeri

26 December 2025 at 07:56

UASHINGTON, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka njoftuar një sulm ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Nigeri në përgjigje të “masakrës kundër të krishterëve”.

“Shtetet e Bashkuara nisën një sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës kundër sfumaturave terroriste të ISIS-it në Nigerinë Veriperëndimore, të cilët kanë synuar dhe vrarë mizorisht, kryesisht, të krishterë të pafajshëm”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

“GËZUAR KRISHTLINDJET të gjithëve, përfshirë terroristët e vdekur, nga të cilët do të ketë shumë më tepër nëse masakra e tyre ndaj të krishterëve vazhdon”, shtoi presidenti, pa ofruar detaje mbi numrin e viktimave, ndërkohë që vazhdon të shkruajë me germa kapitale pjesë të postimeve të tij.

Incidenti i fundit vjen në një kohë të pasigurisë në rritje në vendin më të populluar të Afrikës, i cili ka luftuar me dhunën islamike prej disa vitesh.

Në javët e fundit, rrëmbimet masive nga kishat dhe shkollat ​​kanë shkaktuar trazira dhe frikë midis popullsisë.

Trump paralajmëroi në fillim të nëntorit se Uashingtoni mund të përfshihej në sulmet ndaj të krishterëve, duke i bërë thirrje qeverisë nigeriane të parandalojë gjakderdhje të mëtejshme ose të përballet me shpërndarje të reduktuara të ndihmës.

”Megjithatë, dhuna ka vazhduar, me të paktën pesë persona të vrarë dhe 35 të plagosur në një sulm vetëvrasës me bombë në verilindje të vendit”, tha dje një zëdhënës i policisë.

Pas sulmeve amerikane në Ditën e Krishtlindjeve, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth tha se ishte “mirënjohës për mbështetjen dhe bashkëpunimin me qeverinë nigeriane”./  a.jor.

The post SHBA – Trump: Sulme kundër objektivave të Shtetit Islamik në Nigeri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 26/12/2025

26 December 2025 at 07:33

KUALA LUMPUR (Malajzi) – Vendimi në rigjykimin e ish-kryeministrit Najib Razak në çështjen ”1MDB”.

RUANDA – 40-vjetori i vrasjes së primatologes amerikane Dian Fossey nga gjuetarët e paligjshëm në Ruanda.

MAROK – Kupa e Afrikës në futboll./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 26/12/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot, vranësira mesatare dhe rënie e lehtë e temperaturave

26 December 2025 at 07:30

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme.

Në orët e mëngjesit parashikohen vranësira mesatare deri të dendura, me alternime kthjellimesh. Nga mesdita e në vijim, moti do të jetë kryesisht i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa vranësira kalimtare do të shfaqen në zonat malore në lindje.

Era do të fryjë nga verilindja në juglindje me shpejtësi mesatare 9 m/s, ndërsa në bregdet dhe lugina do të arrijë deri në 18 m/s. Deti pritet të ketë valëzim të forcës 2–4 ballë.

Temperaturat minimale dhe maksimale të parashikuara për sot:/a.f/r.e/

The post Moti sot, vranësira mesatare dhe rënie e lehtë e temperaturave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja uron Krishtlindjen dhe kujton takimin me papa Leone XIV

25 December 2025 at 22:45

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ndarë një mesazh urimi në ditën e Krishtlindjes, duke kujtuar takimin me Shenjtërinë e Tij, papa Leone XIV.

Në mesazhin e tij, ministri Gonxhja thekson se në këtë ditë të shenjtë, kur kremtohet Lindja e Krishtit, rikthehet me reflektim te një moment domethënës nga Audienca Jubilare, e zhvilluar disa javë më parë në sheshin “Shën Pjetri”, në Vatikan. Ai e cilëson takimin si një ditë mbresëlënëse, të mbushur me mesazhe paqeje, dialogu dhe solidariteti, vlera universale që, sipas tij, marrin një kuptim edhe më të thellë në këtë festë.

Ministri Gonxhja uron që kjo ditë të jetë burim drite, shprese dhe harmonie për të gjithë.

Gjatë takimit, ministri Gonxhja, i shoqëruar nga bashkëshortja, përveç falenderimit dhe fjalëve të mirënjohjes, i dhuroi papës Leone edhe një disk vinili me këngët shqiptare të lirisë, një libër mbi vëllezërit Marubi dhe një pllaketë nderi në emër të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë.

Vizita e ministrit Blendi Gonxhja në Vatikan
1 nga 21
Vizita e ministrit Blendi Gonxhja në Vatikan

/a.f/r.e/

The post Gonxhja uron Krishtlindjen dhe kujton takimin me papa Leone XIV appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌