Normal view

Nafta dhe plehrat kimikë, fermerët (s)punojnë tokën!

20 May 2026 at 13:31

Sebi Alla – Që në serbatorin e zetorit ai e “indekson” çmimin e rritur të naftës menjëherë pasi plugon, frezon, apo korr një ngastër toke. 

“Rritja e çmimit të naftës na detyroi automatikisht të rrisim çmimet për çdo shërbim që ofrojmë në bujqësi për fermerët”, thotë një i ri, teksa punon një ngastër toke në fshatin Barbas në Tiranë. 

“Është rritur nafta. Nuk mund t’i mbanim çmimet njësoj si vitin e kaluar, dilnim me humbje” e pret shkurt ai, duke mos pranuar të identifikohet, ndërsa vijon se nga viti në vit sheh që ulet sipërfaqja e tokës së punuar, veçanërisht në kulturën e drithrave. 

Ndërsa çmimi i naftës njeh ulje por edhe ngritje të lehta sipas ditëve, Parlamenti miratoi pak kohë më parë aktin normativ për akcizën e naftës me 85 vota pro dhe 25 kundër. 

Akti normativ parashikon uljen e akcizës me 20% sa herë çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe i benzinës mbi 200 lekë litri. 

Megjithatë, kjo nismë nuk pritet të ndikojë drejtpërdrejtë në kostot e larta në sektorin bujqësor. 

Zhdukja e naftës falas

Në skemën kombëtare të mbështetjes për bujqësinë këtë vit në mënyrë të beftë u hoq mbështetja për naftë falas për fermerët. Heqja e kësaj skeme mbështetëse korrespondoi me rritjen e ndjeshme të çmimit të naftës, duke kapur aktualisht vlerën deri në 205 lekë litri. “Skema e naftës është skemë për ulje kosto prodhimi dhe është mbështetur me buxhet të drejtpërdrejtë për fermerin, me skemën e re është gjithëpërfshirëse ku mbulohen të gjithë fermerët në uljen e kostos së prodhimit”, tha ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla. 

Sipas tij, heqja e skemës së naftës falas për fermerët që punonin mbi 1 hektarë tokë, nuk ndikon në rritje të kostove, pasi skema mbështetëse është shpërndarë në forma të tjera, kryesisht në blegtori. 

Por si kanë ndryshuar çmimet?

Për punimin, frezimin apo mbjelljen e një hektari tokë bujqësore, kosto është rritur në mënyrë të ndjeshme. “Vitin e kaluar një hektarë tokë punim dhe frezim shkonte 45.000 lekë (të reja), ndërsa aktualisht me rritjen e çmimit të naftës jemi të detyruar ta rrisim me të paktën 60-65 mijë lekë të reja (në varësi të çmimit ditor të naftës)” pohon zetoristi.

Përveç çmimit të naftës rritje e ndjeshme pati edhe për plehrat kimikë, të domosdoshëm në këtë fazë të bujqësisë. Një kuintal pleh kimik ure nga 5500 lekë ka shkuar në 6500 lekë; një kuintal nitrat nga 4500 në 6000 lekë; ndërsa një kuintal dap (ushqyes bimësh) nga 8500 në 9600 lekë. 

Kosto edhe në blegtori

Në skemën mbështetëse të ndryshuar për vitin 2026, sektori i blegtorisë ka një lloj prioriteti, kjo në ndihmën direkte për krerë bagëti (të imta dhe gjedhë). 

Për ferma me mbi 50 kokë bagëti (dele dhe dhi) fermerët mund të aplikojnë për subvencionim në vlerën deri në 12 000 krerë; për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant, me jo më pak se 5 (pesë) krerë lopë dhe/ose mëshqerra. Për pjesën mbi 50 (pesëdhjetë) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Shoqëri të bashkëpunimit bujqësor. 

Në vlerën deri në 1 500 lekë/krerë për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant, me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) krerë dele dhen/ose dhi. Për pjesën mbi 300 (treqind) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”. 

Efektet 

Pavarësisht përgjysmimit të numrit të krerëve për tufë (nga 100 që ishte në 50 për të imtat dhe nga 10 lopë në pesë), që përfitojnë nga kjo skemë ka rritje të kostove të ushqimit bazë më sektorin blegtoral. Për shkak të rritjes së çmimit të naftës dhe plehrave kimikë misri dhe jonxha (dy prodktet bazë) blihet më shtrenjtë nga fermerët, por njëkohësisht kanë edhe koston e prodhimit më të lartë nëse e sigurojnë vetë. 

Një deng bar nga 350 lekë kosto, (kositje, mbledhje) që ishte vitin e kaluar, ka shkuar në 450-500 lekë, pa përfshirë transportin, nga fusha deri në stallë. 

Përfundimi

Deklaratën e Ministrit të Bujqësisë që heqja e skemës së përfitimit të naftës falas për fermerët nuk ndikon drejtëpërdrejtë, pasi sipas tij skema mbështetëse është shtrirë në sektorë të tjerë (subvencionim me shpërndarje e skemës mbështetëse), do e konsiderojmë të pavërtetë.

The post Nafta dhe plehrat kimikë, fermerët (s)punojnë tokën! appeared first on Faktoje.al.

Pas datës 20 të çdo muaji s’ka analiza për të sëmurët kronikë…(me disa përjashtime)

19 May 2026 at 15:46

Nga Armand Braho 

33 vjeçari Bledi Orhani, nga Pogradeci, është pacient kronik i transplantimit të veshkës. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, rruga e tij është e mbushur me pengesa.

40 kilometra (kryesisht) me transport publik drejt Korçës, pritje të gjata në radhë, burokraci për analizat dhe, në fund refuzim i shërbimit kur paraqitet pas datës 20 të muajit.  Arsyeja? “Nuk ka sistem” për shkak të buxhetit të limituar.

“Kam pasur vështirësi dhe shumë vonesa në kryerjen e analizave. Unë jam pacient kronik dhe analizat i kam periodike. Procedurat për të shkuar deri te dhënia e gjakut kanë shumë hapa burokratike për një pacient që në sistem figuron si pacient kronik. Duhet të marr rekomandim te mjeku i familjes dhe të referohem te specialisti në poliklinikën e Korçës, ku ka radhë të gjata dhe vonesa përtej orareve të përcaktuara.

Më pas marr formularin e analizave dhe duhet të paraqitem në recepsion për caktimin e datës, si dhe të siguroj vulat përkatëse për vlefshmërinë e tij. Edhe ditën e analizave duhet të pres sërish në radhë për procedura formale, pa të cilat nuk mund të kryhen analizat.

Në rastet kur data e analizave bie pas datës 20 të muajit, më është thënë se nuk ka sistem dhe analizat nuk kryhen. Për këtë arsye, më është dashur të shtyj analizat për një datë tjetër, shpesh duke kaluar sërish në të njëjtin cikël pritjeje dhe procedurash… “, thotë për Faktoje, Bledi Orhani.

Ne foto: Poliklinka e Specialiteteve Korçe

“Nëse nuk jam me fat të shkoj që ditën e parë të caktuar, duhet të vij një ditë tjetër, e cila ka rastisur të jetë po pas datës 20 të muajit, dhe më ka ndodhur të qëndroj deri në 4 muaj pa i kryer analizat.

Përgjigjja që më është thënë, se ‘nuk ka sistem’, nuk më është dukur normale dhe, pasi kam insistuar të di çfarë ndodh duke pyetur në laborator dhe në recepsion, më është thënë që analizat nuk kryhen pas datës 20, pasi buxheti i analizave është i limituar dhe pas datës 20 nuk kryhet asnjë analizë”, vijon ai

Analizat mjekësore për të riun janë të rëndësishme për mbikëqyrjen e shëndetit të tij në fazën post-transplant, ndërkohë që në raste specifike është dashur që ai të kryejë brenda një kohe të kufizuar të njëjtat analiza, pasi duhet të konsultohej me mjekun kur ai ka ndjerë shqetësime.

Tarifat e shtrenjta për shërbime e kanë ndaluar këtë të fundit t’i drejtohet klinikave private.

“…Një herë tjetër më ka ndodhur të kisha një problem tjetër shëndetësor dhe duhej të kryeja analiza për të parë nëse ai problem shkaktohej nga mjekimi, por më është dashur të pres nga muaji gusht deri në muajin nëntor për t’i kryer analizat, duke rrezikuar seriozisht shëndetin. Kam pyetur për t’i kryer analizat në klinika private, por nuk kam mundur, pasi çmimi ka qenë shumë i lartë”, shprehet ai

Qëndrime të ndryshme

Në një konferencë për mediat në datën 26 mars 2026, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala tha se ka kufizim të aksesit për analiza mjekësore, por që, sipas saj, çështja do të adresohet dhe zgjidhet brenda vitit.

“Aktualisht një nga metodat është mbledhja e të dhënave dhe mbi bazën e të dhënave bëhet planifikimi i shërbimit. Prandaj mbledhja e të dhënave, kemi mbledhur të dhëna për të parë sepse nuk duhet të mungojnë analizat jo vetëm në datën 20 por dhe në datën 30. Këtë po e adresojmë dhe do e zgjidhim brenda këtij viti”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë Evis Sala

Por vetëm pak kohë më vonë, në seancën parlamentare të 23 prillit, ministrja ndryshoi qëndrim.

Sipas saj,  vetëm në disa raste mund të shtyhen analizat rutinë, dhe se ky proces nuk cenon nevojat e pacientëve.

“Në raste të caktuara mund të shtyhen disa analiza rutinë, por në asnjë rast nuk cenohet ekzaminimi, diagnostikimi apo trajtimi i pacientit. Pra, çdo pacient që ka nevojë për analizë në funksion të diagnozës apo trajtimit, e merr atë pa ndërprerje”, u shpreh ajo

Kërkesa

Faktoje i është drejtuar me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë, mbi problematikën e mosrealizimit të analizave pas datës 20 të çdo muaji.

“Nuk ekziston asnjë kufizim në kryerjen e analizave laboratorike në fund të muajit në Qarkun e Korçës.

Analizat laboratorike vazhdojnë të ofrohen përgjatë gjithë muajit, duke pasur si më prioritare rastet urgjente.

Analizat laboratorike financohen nga spitalet, të cilat operojnë mbi bazën e tavaneve buxhetore. Vështirësi në kryerje paraqesin kryesisht analizat e planifikuara, për shkak të rritjes së numrit të pacientëve dhe menaxhimit të kërkesave.

Buxheti për kryerjen e analizave laboratorike përcaktohet nga FSDKSH dhe MSHMS. Nuk rezulton asnjë ankesë e depozituar nga pacientët lidhur me moskryerjen e analizave. Sqarojmë se, me rritjen e nevojave, vlerësojmë edhe sasinë e analizave laboratorike që do të kryhen, si dhe rritjen e buxhetit, duke qenë se shërbimi funksionon sipas parimit ‘pay per use”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në të njëjtën linjë është edhe Spitali Rajonal në Korçë, ku njofton se vetëm për muajin Mars 2026, janë kryer 19.138 teste laboratorike me një total vlere prej 7.681.000 lekësh, ose me një mesatare kostoje për pacientë prej 401.36 lekë.

Në prioritetin për kryerjen e analizave laboratorike janë rastet të cilat paraqiten pranë urgjencës spitalore edhe pacientët me sëmundshmëri të rënda.

“Për pacientët ambulatorë por që kanë sëmundshmëri të rënda të cilat kërkojnë në kohë dhe me urgjencë rastet laboratorike (pacientët onkologjike, pacientët parakirurgjikale.. etj) gjithmonë shërbimi jepet me prioritet dhe në kohën e duhur

Për të gjithë pacientët e tjerë ambulatorë jepet shërbimi brenda 20 ditëve të para të çdo muaji”, thuhet në përgjigjen për “Faktoje” nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor Korçë.  

Pse ndodh?

Alma Lahe nga organizata “Together for Life” analizon se problematika është e mbartur që nga momenti i lidhjes së koncesionit mes spitaleve dhe kontraktorit.

“Problematika e ka burimin që në ideimin e koncesionit dhe deri në lidhjen e kontratës në shkelje ligjore, e deri tek mungesa e monitorimit në implementimin e koncesionarit.

Numri i analizave të kryera në muaj nga koncesionari nuk bazohen, ashtu siç do të duhej të ndodhte, tek tek nevojat klinike të pacientëve, por kushtëzohen nga buxheti i parashikuar paraprakisht për spitalet të cilat nuk mund të kryejnë më shumë analiza nga sa buxhet kanë. Sigurisht që probleme të tilla nuk ka pasur kur ky shërbim ofrohej nga vetë spitalet.

Pra, ky koncesion jo vetëm që nuk ia doli të realizojë qëllimin për të cilin u ngrit, por, nga të gjitha raportet rezulton se ka krijuar problematika të reja, duke ndikuar negativisht në aksesin e pacientëve në një shërbim kaq të rëndësishëm si ai i kryerjes së analizave”, shpjegoi për Faktoje, Alma Lahe, kryeredaktore e “Together For Life”

Pasojat e kësaj situate më së shumti i vuajnë të sëmurët kronikë, ndërsa situata bëhet më kritike kur kjo problematikë është e njëjtë në të gjithë spitalet universitare dhe rajonale në vend, thekson Lahe.

“Urgjentisht duhet të kryhet rishikimi i i menjëhershëm i modelit të ofrimit të shërbimit. Tashmë është e provuar që modeli i kontratave koncesionare në sistemin shëndetësor rezulton i dështuar me pasoja të rënda si në buxhetin e shtetit, ashtu edhe në vetë shërbimet.

Meqë kjo kontratë ka përfunduar dhe deri në fund të vitit pritet të përfundojnë të katër kontratat koncesionare, do të duhej që Ministria e Shëndetësisë të merrte masa që shërbimet të vazhdojnë të rimodeluara si shërbime publike”,  nënvizon  Alma Lahe (Together for Life). 

The post Pas datës 20 të çdo muaji s’ka analiza për të sëmurët kronikë…(me disa përjashtime) appeared first on Faktoje.al.

Media përballë presionit ekonomik, kërcënimeve dhe dezinformimit

18 May 2026 at 13:59

Liria e medias në Shqipëri mbetet nën presion, sipas përfaqësuesve të OSBE-së në Konferencën për Median në Evropën Juglindore në Tiranë. Ata theksuan rreziqet për sigurinë e gazetarëve, presionet ekonomike dhe fushatat denigruese online, duke nënvizuar se pa siguri nuk ka media të lirë.

Sebi Alla

“…sfidat ndaj lirisë së medias në Shqipëri mbeten dhe kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Këto përfshijnë shqetësime që lidhen me sigurinë e gazetarëve, presionet ekonomike që ndikojnë në qëndrueshmërinë e mediave të pavarura, si dhe intimidimin dhe fushatat denigruese në internet”.

Kështu deklaroi Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, në Konferencën për Median në Evropën Juglindore, të mbajtur sot në Tiranë, e organizuar nga prezenca e OSBE në vendin tonë. Në takim morën pjesë përfaqësues të OSBE, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, si dhe përfaqësues të medias në Shqipëri dhe Europën Juglindore.

Mbrojtja ligjore

I pranishëm në konferencë ishte edhe përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Jan Braathu, i cili në fjalën e tij theksoi se gazetarët po përballen me kërcënime.

“Vetë gazetarët po përballen me rritje të kërcënimeve. Liria e medias është themeli i demokracisë. Gazetaria si e mirë publike është thelbësore. Është me rëndësi që të diskutohet lidhur me këtë çështje. Pas sigurinë nuk ka gazetarë të lirë, nuk ka media të lirë. Kërcënimet ndaj gazetarëve nuk duhet të kalojnë pa u ndëshkuar”, u shpreh ai.

Ndërsa ambasadori Tarran theksoi se pavarësia editoriale dhe mbrojtja ligjore për gazetarët janë pikë kyçe për median e lirë.

“Nevojiten, gjithashtu, përpjekje të mëtejshme për të forcuar transparencën, pavarësinë editoriale dhe zbatimin e qëndrueshëm të mbrojtjeve ligjore, duke mbështetur njëkohësisht kushte që u mundësojnë gazetarëve të respektojnë standardet më të larta profesionale, etike dhe të raportimit të paanshëm. Angazhimi konstruktiv i vazhdueshëm i të gjithë aktorëve do të jetë thelbësor për adresimin e këtyre çështjeve në përputhje me angazhimet demokratike të Shqipërisë dhe standardet ndërkombëtare”, tha Tarran.

Përmirësimet

Duke u nisur konkretisht për rastin e Shqipërisë, ambadadori Tarran në fjalën e tij përmendi disa arritje që lidhen kryesisht më një sektor të veçantë të krijuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për verifikimin dhe hetimin e kërcënimeve ndaj gazetarëve, por edhe përmirësimin e kuadrit ligjor.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka krijuar një pikë kontakti për sigurinë e gazetarëve, e cila, së bashku me disa ndryshime ligjore, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së profesionistëve të medias”, theksoi kreu i OSBE në vendin tonë, Michel Tarran.

The post Media përballë presionit ekonomik, kërcënimeve dhe dezinformimit appeared first on Faktoje.al.

Vetëvrasjet, drama mes ekonomisë, vetmisë dhe bullizimit

15 May 2026 at 15:25

Rreth 200 jetë humben çdo vit nga vetëvrasja në Shqipëri. Pas shifrave fshihen histori ankthi, presioni ekonomik, bullizimi dhe vetmie. Një fenomen që po prek të gjitha moshat, nga adoleshentët te të moshuarit dhe mbetet sfidë e heshtur për shoqërinë.

Nga Sebi Alla

Dy ditë më parë, në Shkodër, një 27-vjeçar, B.S., i dha fund jetës në mënyrë tragjike, duke u shtuar si viktima më e fundit e këtij fenomeni në rritje në vend. Të dhënat ndër vite për vetëvrasjet në Shqipëri mbeten shqetësuese. Sipas INSTAT, shkalla e vdekjeve nga vetëvrasja varion nga 7.8 në 8.2 raste për 100 mijë banorë, çka përkthehet në rreth 190–210 raste në vit.

“Vetëvrasjet janë plagë e madhe e shoqërisë, e cila nuk duhet trajtuar vetëm si statistikë, por duhet të evidentohen shkaqet e tyre dhe të merren masa serioze”, thotë për Faktoje, sociologu, profesor Gëzim Tushi.

Statistikat

Sipas të dhënave të INSTAT të mbledhura pranë zyrave të gjendjes civile në të gjithë vendin, në vitin 2020 janë regjistruar 215 vetëvrasje, në 2021 218 raste, në 2022 193 raste, ndërsa në 2023 180 raste. Tre vitet përkojnë me periudhën e pandemisë COVID-19, e cila u shoqërua me rritje të ankthit dhe depresionit në popullatë, ndërsa luhatjet e mëvonshme tregojnë se fenomeni mbetet i paqëndrueshëm dhe ende shqetësues.

Në vitin 2024 numri rritet sërish në 199 raste, duke shënuar një rritje rreth 10.6% krahasuar me 2023. Kjo rritje tregon se plagët e pandemisë nuk janë shëruar plotësisht. Ankthi, pasiguria ekonomike dhe mungesa e shërbimeve të mjaftueshme për shëndetin mendor vazhdojnë të ndikojnë në mënyrë të heshtur.

Burimi:INSTAT
Adoleshenca dhe rinia

Duke analizuar grupmoshat e prekura nga ky fenomen, vihet re se ai shtrihet nga adoleshenca deri tek moshat e treta. “Fenomeni i suiçidit (vetëvrasjes) është i përhapur si nga pikëpamja gjeografike, ashtu edhe moshore. Preken të gjitha shtresat e shoqërisë, si në zonat rurale, ashtu edhe urbane”, thotë prof. Tushi.

Sipas tij, mosha me rrezik të lartë të vetëvrasjeve është ajo e adoleshencës. “Është një moshë që futet në trekëndëshin trup–shpirt–seks. Adoleshentët ndihen më të rritur dhe kalojnë fazën e tranzicionit nga fëmijëria në adoleshencë, e cila në disa raste shoqërohet me ankth dhe pasiguri”, shpjegon ai.

Përtej ndryshimeve fizike dhe biologjike, Tushi thekson se faktorët socialë luajnë rol të rëndësishëm. “Tek moshat adoleshente, shtimi i ankthit, depresionit apo përjetimi i ngjarjeve lidhet me dobësimin e rolit edukativ në familje dhe shoqëri, mungesën e prindërimit të duhur, por edhe me fenomenin në rritje të bullizmit, i cili mund të çojë në vetëvrasje në këtë moshë delikate”, thekson sociologu.

Të ndryshme janë specifikat e shkaqeve të vetëflijimit tek moshët e reja 20-44 vjeç që lidhet me kulmin e moshës së rinisë e cila ka dëshira, objektiva dhe synime. “Kjo periudhë shoqërohet me ankth, depresion dhe pasiguri. Të rinjtë janë nën presionin e aspektit material dhe të suksesit social. Në shoqërinë e sotme i kushtohet rëndësi e madhe dukjes dhe mirëqenies materiale”, thotë Tushi.

Sipas tij, krahasimi me të tjerët dhe pamundësia për të përmbushur objektivat personale mund të ndikojnë ndjeshëm në gjendjen psikologjike. “Për një pjesë, kjo sjell ankth dhe depresion të thellë, që në raste ekstreme mund të përfundojë në vetëvrasje ose tentativa për vetëvrasje”, pohon ai.

Vetmia “godet” të moshuarit

Fenomeni i braktisjes së të moshuarve në dekadën e fundit është bërë gjithnjë e më i pranishëm në çdo zonë të vendit. Emigrimi, migrimi i brendshëm, por edhe shkëputja nga familja në emër të “modernizimit” kanë sjellë pasoja të ndjeshme për këtë shtresë të popullsisë.

“Vetmia është plagë e madhe sociale tek moshat e treta. Sipas studimeve që kam bërë, rreth 31 mijë të moshuar në të gjithë vendin jetojnë të vetmuar”, thotë Tushi.

Sipas tij, largimi i fëmijëve dhe të afërmve për shkak të emigrimit, por edhe një ndryshim i mënyrës së jetesës brenda familjes, ka rritur ndjeshëm numrin e të moshuarve që jetojnë vetëm. “Në emër të modernizimit, shumë familje të reja shkëputen nga struktura tradicionale dhe krijojnë një jetë të pavarur, duke lënë të moshuarit vetëm”, shpjegon ai.

“Ndërsa jetojnë vetëm, të moshuarit përballen kryesisht me izolim dhe shkëputje sociale. Po ashtu, humbja e bashkëshortit apo bashkëshortes është një traumë e madhe për ta”, shton Tushi.

Sipas tij, këta faktorë e thellojnë ndjeshëm vulnerabilitetin e kësaj grupmoshe. “Po shohim gjithnjë e më shumë raste të të moshuarve që kryejnë vetëvrasje”, përfundon sociologu.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë.

The post Vetëvrasjet, drama mes ekonomisë, vetmisë dhe bullizimit appeared first on Faktoje.al.

Ajri, rreziku i padukshëm në Shqipëri

15 May 2026 at 17:00

Ajri në Shqipëri nuk është më një çështje mjedisi. Është një histori e vjetër neglizhence që përsëritet me të njëjtët protagonistë: trafikun, ndërtimet, institucionet… dhe mungesën e matjeve. Prej tetë vitesh, stacionet shtetërore të matjes së ajrit fiken dhe ndizen herë pas here, duke e kthyer monitorimin në një proces të dështuar. 

Shqipëria ka një rrjet kombëtar monitorimi të ajrit me 59 stacione. Një hartë që të jep idenë e një sistemi të plotë, të shtrirë, të aftë për të treguar në kohë reale çfarë po thithim. Por në terren, realiteti flet ndryshe. Monitorimi kryhet vetëm në 9 stacione në të gjithë vendin. Katër në Tiranë. Nga një në Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier dhe Korçë. Pjesa tjetër e vendit nuk ka matje të cilësisë së ajrit.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni përgjegjës për matjen e cilësisë së ajrit, e pranon indirekt dështimin. 

Në një përgjigje për Faktoje, institucioni shprehet se rrjeti aktual përbëhet nga stacione që matin ndotës si PM10, PM2.5, NO₂, SO₂, O₃ dhe CO, ndërsa “stacionet janë në funksion, me përjashtim të njërit për arsye teknike”.

Por problemi nuk është më vetëm nëse janë ndezur apo fikur. Problemi është se janë pak. Shumë pak. Problematikë që është vënë në dukje edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku përmes një auditi të fundit thekson se institucionet “nuk kanë garantuar të dhëna të besueshme dhe të mjaftueshme për vlerësimin e gjendjes reale të cilësisë së ajrit”.

Shqipëria që matet dhe Shqipëria që nuk matet

Në këtë boshllëk institucional, një hartë tjetër ka filluar të ndërtohet, ajo e matjeve alternative. Nga njëra anë qëndron Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni ligjërisht përgjegjës për matjen e cilësisë së ajrit, me një rrjet të kufizuar stacionesh dhe raportime që e paraqesin situatën relativisht të qëndrueshme për shumicën e ndotësve. Sipas AKM-së, përveç rritjeve sezonale të ozonit në verë, “situata për ndotësit e tjerë paraqitet e stabilizuar”, ndërsa tejkalimet e ndotjes lidhen kryesisht me trafikun, ndërtimet dhe ngrohjen në dimër.

Nga ana tjetër, një sistem paralel, i ngritur nga shoqëria civile, po përpiqet të plotësojë boshllëkun që shteti ka lënë me një panoramë shumë më të qartë.

Instituti për Zhvillimin e Habitatit CoPlan, një organizatë që merret me adresimin e çështjeve mjedisore, përmes projektit GreenAL, ka vendosur qindra pika monitorimi në qytetet kryesore. 

Rezultatet e fundit nuk lënë vend për optimizëm dhe nuk përputhen aspak me narrativën zyrtare.

Në Tiranë, 66.7% e pikave tejkalojnë normat për dioksidin e azotit një ndotës që lidhet drejtpërdrejt me trafikun, ndërkohë që sipas të dhënave zyrtare këto nivele raportohen përgjithësisht brenda kufijve. 

Në Durrës, 100% e pikave të monitorimit të Co-PLAN rezultojnë mbi standardet për grimcat e imëta PM2.5 dhe PM10, ndërsa Agjencia flet për një situatë pa rritje të konsiderueshme për shumicën e ndotësve.

Në Elbasan, kontrasti bëhet edhe më i dukshëm. Ndërsa matjet alternative tregojnë se 91% e pikave tejkalojnë kufirin për NO₂, raportimet zyrtare nuk evidentojnë një situatë alarmante për këtë ndotës. E njëjta tablo përsëritet në Fier, ku deri në 79% e pikave janë mbi normë për grimcat e pluhurit, dhe në qytete si Korça dhe Shkodra, ku më shumë se gjysma e pikave rezultojnë mbi standardet.

Pra, teksa Agjencia Kombëtare e Mjedisit flet për një situatë përgjithësisht të qendrueshme me tejkalime të kufizuara, matjet e Co -Plan në terren tregojnë se ndotja është e përhapur, e vazhdueshme dhe mbi normat e lejuara.

Trafik dhe ndërtim

Nuk ka mister në këtë histori. Asnjë ndotës i padukshëm që nuk mund të identifikohet. Vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit pranon për Faktoje se “kontribuesit kryesorë të ndotjes së ajrit janë trafiku i rënduar dhe ndërtimi”, ndërsa në dimër shtohet edhe ndotja nga përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje.

Në disa qytete, lista zgjatet. Industria në Elbasan, Fier dhe Tiranë vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm. Por mbi të gjitha qëndron trafiku. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në vitin 2025 numri i mjeteve në qarkullim në vend e kaloi për herë të parë shifrën 1 milion. 

Edhe dy muajt e parë të vitit 2026 konfirmojnë të njëjtin trend, me rreth 14 mijë mjete të importuara dhe një rritje prej 5%.

Por problemi nuk është vetëm numri. Është cilësia e flotës. Rreth 69% e automjeteve në Shqipëri funksionojnë me naftë, ndërsa mosha mesatare makinave ka arritur në 18 vite. 

Kontrolli i Lartë i Shtetit e përshkruan këtë si një tendencë shqetësuese, duke theksuar se “është rritur numri i mjeteve me moshë mbi 20 vjet”, një faktor që ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit, sidomos në zonat urbane. Në këtë panoramë, mjetet elektrike mbeten pothuajse të padukshme, vetëm 1.3% e totalit.

Në sfondin e trafikut, një tjetër burim ndotjeje është rritur ndjeshëm vitet e fundit ndërtimi. Sipas të dhënave të INSTAT, të përllogaritura nga Faktoje, në pesë vitet e fundit janë dhënë rreth 7 mijë leje ndërtimi në të gjithë vendin. Çdo kantier sjell pluhur, lëvizje mjetesh të rënda dhe zhdukje të hapësirave të gjelbra elementë që jo vetëm rrisin ndotjen, por edhe e bëjnë atë më të qëndrueshme në kohë.

Burimi:INSTAT

Para ka, por jo për ajrin

E ndërsa qeveria shpenzon miliarda lekë për investime, ajri që qytetarët thithin ka një buxhet minimal për t’u matur.  

Pak kohë më parë, Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, u shpreh se “Ministria e Mjedisit ka angazhuar edhe buxhetin e saj këtë vit dhe në dy vitet në vijim për të plotësuar Shqipërinë me të gjithë pajisjet për monitorimin e cilësisë së ajrit”.  Por ndonëse në dokumentet zyrtare, mbrojtja e mjedisit shfaqet si prioritet, fondet për përmirësimin e cilësisë së ajrit janë të pakta, si pjesë e Programit të Mbrojtjes së Mjedisit. 

Për vitin 2026, fondet arrijnë në rreth 1 miliard lekë. Por ky është një buxhet që duhet të mbulojë edhe mbetjet, biodiversitetin, ndryshimet klimatike dhe ujërat. Ajri mbetet një pjesë e vogël e kësaj torte. Madje, analiza buxhetore e viteve të fundit tregon se sa herë që buxheti rishikohet, ky zë pëson shkurtime.

Burimi: Ministria e financave

Ky reduktim ndodh përmes akteve normative, që në praktikë tkurrin më tej financimin për një sektor që tashmë operon me burime minimale. Ndaj dhe rezultati është i dukshëm në terren, një rrjet monitorimi i kufizuar, pajisje që shpesh dalin jashtë funksionit dhe mungesë e të dhënave të vazhdueshme. 

Përfundim 

Shqipëria ka një plan për cilësinë e ajrit. Një dokument që flet për ulje trafiku, përmirësim të transportit publik, promovim të teknologjive të pastra. Por në praktikë, këto mbeten formulime të përgjithshme. Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se masat janë “jo të qarta dhe jo lehtësisht të matshme”. Nuk ka objektiva konkrete. 

Ndërkohë, vendi ka një detyrim të qartë. Direktiva 2008/50 e Bashkimit Europian kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe publikim të të dhënave në kohë reale për cilësinë e ajrit. Pa këtë, vendi rrezikon jo vetëm shëndetin e qytetarëve, por edhe procesin e integrimit europian.

Dhe zgjidhjet janë. Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se Agjencia Kombëtare e Mjedisit duhet të sigurojë funksionimin e pandërprerë të stacioneve të monitorimit, me mirëmbajtje dhe kalibrim të rregullt. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit duhet të garantojë fondet për zgjerimin e rrjetit matës. Dhe mbi të gjitha, qytetarët duhet të kenë akses në të dhëna të përditësuara dhe të besueshme. Sepse ajri nuk është statistikë. Është ajo që thithim çdo ditë. Dhe për këtë, askush nuk mund të presë.

The post Ajri, rreziku i padukshëm në Shqipëri appeared first on Faktoje.al.

Nga Veliaj tek Beqaj, a po hapet rruga e lirimit të zyrtarëve të lartë nga qelitë?

14 May 2026 at 16:15

Nga Sebi Alla – I moshuari nga Lezha Begtash Zeneli, i arrestuar dhe proceduar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, (7.3 Kg kanabis të gjetura afër derës së kotecit e pulave), pa dashjen e tij u kthye në “rast precedent”, (shkak) që Gjykata e Lartë me vendimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara t’i “hapë derën” e qelive zyrtarëve, ish-zyrtarëve të lartë publik dhe të zgjedhurve vendor.

Ndërsa politika i ka konsideruar si të ashpra masat “arrest me burg”, kryesisht për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë publik, ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale nuk erdhën si nisma të qeverisë apo grupi deputetësh, por nëpërmjet Gjykatës së Lartë.

Kjo i hapi udhë “bumit të kërkesave” ku vetëm brenda këtij muaji çështja e ish-ministrit Ilir Beqja dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj do shqyrtohen për “ndryshim të masës së sigurisë”, duke iu referuar “precedentit Zeneli”. 

Rasti 1

E para që përfitoi nga “ndryshimi i praktikës gjyqësore” për caktimin e masave të sigurisë ishte ish-drejtoresha e AKSH-it, Mirlinda Karçanaj. Me vendim të Gjykatës së Lartë kaloi nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”. Pozita e saj juridike ndërkohë ishte rënduar.

Ndërsa ndodhej në “arrest shtëpie” për disa akuza si: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, Karçanajt iu sekuestrua edhe pasuria, por sërish mundi të dalë nga arresti dhe caktohet detyrim paraqitje dy herë në muaj në Prokurorinë Speciale.

Tashmë në vijim edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir BeqaJ, kërkon ndryshimin e masës “arrest me burg”.

Po ashtu edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ish-kreu i IMT-së Mariglen Qato etj, kanë nisur rekurset në Gjykatën e Lartë, ose në Apelin e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke iu referuar vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. 

Precedenti 

Nisma për “ndryshimin e pjesshëm të praktikës gjyqësore për masat e sigurisë” u mor nga vetë kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi.

“Kryetari i Gjykatës së Lartë, me vendimin e ndërmjetëm të datës 09.03.2026, në kuadër të rolit institucional të Gjykatës së Lartë për garantimin e një praktike gjyqësore të standardizuar, të konsoliduar dhe të qëndrueshme, si dhe në mbështetje të nenit 141 të Kushtetutës, nenit 32 të 2 ligjit nr. 98/2016 dhe nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale (KPP), nisi procedurën për ndryshimin e pjesshëm të praktikës gjyqësore të njësuar me vendimin nr. 7, datë 14.10.2011, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftimin e nismës.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, duke marrë në shqyrtim rastin e Begtash Zenelit, i akuzuar për “prodhim dhe shitje narkotikësh”, (7 koligramë kanabis të gjetura në kotecin e pulave) i cili ndodhej në “arrest shtëpie” dhe prokuroria kërkonte rikthimin në “arrest me burg” e ktheu në precedent për të ndryshuar praktikat gjyqësore në dhënien e masave të sigurisë. 

Rasti nuk kaloi gjatë dhe me procedurë të përshpejtuar, në mënyrë unanime më datë 4 të këtij muaji, Kolegjet e Bashkuara vendosën ndryshimet përkatëse, veçanërisht shmangien sa më shumë të masës ekstreme “arrest me burg pa afat”. 

Pika 2

Në referim të vendimit, avokatët e të pandehurve, kryesisht të akuzuar për “korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “fshehje të pasurisë”, “pastrim parash” apo “shkelje të barazisë në tendera”, edhe pse në mbledhje të dënimeve rrezikojnë nga 7-15 vite burgim, kanë një pikë që mbështesin “ikjen nga burgu”.

“…Rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e autorit nuk nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e krimit ose nga marzhi i dënimit, por nga vlerësimi i ndërthurur i rrezikshmërisë së veçantë të faktit penal, i mënyrës së kryerjes, pasojave të ardhura, i personalitetit të të pandehurit, i sjelljes së tij, si dhe i rrethanave të tjera të rëndësishme dhe të lidhura ndërmjet tyre për rastin konkret” 

Pikërisht kjo pikë pritet të shfrytëzohet nga pala mbrojtëse e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë publik, ose të zgjedhur që t’i shmangen arrestit me burg dhe kalimit në një masë më të butë sigurie, si “arrest shtëpie”, “detyrim paraqitje”, apo edhe hetim në gjendje të lirë. “Personaliteti i të pandehurit”, është një tjetër paragraf “sjellja e tij” po ashtu, të cilat konsiderohen si të mjaftueshme ose element ndihmës që “arresti me burg” të jetë gjithnjë e më i largët, për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë publik që sot ndodhen në qeli dhe për të tjerë që mund të jenë të akuzuar në vijim. 

The post Nga Veliaj tek Beqaj, a po hapet rruga e lirimit të zyrtarëve të lartë nga qelitë? appeared first on Faktoje.al.

“Reflektimi i çastit” nga ministri Hoxha që trazoi diplomacinë

13 May 2026 at 16:07
Esmeralda Topi 

Deklaratat e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mbi të ardhmen e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin u shndërruan brenda pak orësh në një episod diplomatik me jehonë nga Brukseli në Tiranë dhe Romë.

Në një intervistë për Euractiv, Hoxha tha se nuk pritej rinovimi i marrëveshjes pas përfundimit të afatit pesëvjeçar, duke e lidhur këtë me supozimin se Shqipëria në vitin 2030 do të ishte anëtare e Bashkimit Evropian. 

Qendrimi i ministrit të jashtëm shqiptar, u interpretua gjërësisht në media si një deklaratë politike që vendoste një “afat skadence” për një nga projektet më të rëndësishme të bashkëpunimit Shqipëri–Itali.

“Një reflektim çasti”

Pak orë pas publikimit të intervistës, ministri Hoxha u detyrua të bënte një sqarim në platformën X, duke theksuar se deklarata e tij ishte keqinterpretuar.

Sipas tij, përgjigjja ishte dhënë në një kontekst të thjeshtë pyetje–përgjigje me një gazetar në Bruksel dhe nuk përbënte një vendim apo qëndrim zyrtar. Ai e përshkroi deklaratën si një “reflektim të çastit” dhe jo si politikë të qeverisë shqiptare.

Hoxha shtoi gjithashtu se në botën e sotme “shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen në narrativa”, duke lënë të kuptohet se interpretimi mediatik kishte tejkaluar qëllimin e tij fillestar.

Megjithatë, sipas intervistës së publikuar, ministri e kishte strukturuar përgjigjen në dy pjesë: “Para së gjithash, është për pesë vjet dhe nuk jam i sigurt nëse do të ketë një zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse do të jemi anëtar të Bashkimit Evropian”

Pjesa e parë i referohet pasigurisë për rinovimin e marrëveshjes, ndërsa e dyta e bën fakt mosrinovimin me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në këtë kuptim, çështja nuk lidhet me nxjerrje të deklaratës jashtë kontekstit nga media, por me një riprodhim të pjesshëm të saj në sqarimin e mëvonshëm nga ministri i jashtëm Ferit Hoxha. 

Linja zyrtare e Shqipërisë

Sqarimi i ministrit nuk mjaftoi për të mbyllur debatin. Kryeministri Edi Rama reagoi duke ‘përgënjeshtruar’ interpretimin e deklaratës dhe duke mbrojtur vijën zyrtare të qeverisë.

Në platformën X, Rama deklaroi se protokolli me Italinë “është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia do ta dojë atë”, duke rrëzuar çdo ide se marrëveshja ka një kufizim të paracaktuar në kohë.

Ai e cilësoi gjithashtu raportimin fillestar si një “citim mashtrues”, duke ia atribuar medias përgjegjësinë për interpretimin e deklaratës. Megjithatë, në intervistë, ministri Hoxha kishte deklaruar se “nuk do të ketë zgjatje”, duke e lidhur këtë me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Jehona në Itali 

Deklarata e Hoxhës dhe më pas sqarimi i tij u pasqyruan gjerësisht në mediat italiane, përfshirë Corriere della Sera, e cila raportoi se lajmi u prit me habi në Romë.

Sipas raportimeve, zyrtarët italianë kërkuan menjëherë qartësi mbi qëndrimin e Tiranës, duke e parë deklaratën si potencialisht kontradiktore me marrëveshjen e ratifikuar në vitin 2024. Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani u shpreh se “viti 2030 është shumë larg” dhe se fokusi duhet të mbetet te zbatimi i marrëveshjes aktuale.

Tajani gjithashtu deklaroi se në takimet e tij me Hoxhën nuk ishte ngritur asnjë shqetësim për mosrinovim, duke nënvizuar vijimësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në kulmin e debatit, reagoi edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila ripublikoi reagimin e Ramës në X me një mesazh të shkurtër: “Faleminderit Edi”.

“Rama drama” 

Debati u zhvendos më tej kur redaktori i Euractiv, Eddy Wax, në rubrikën e tij “Rapporteur”, me nëntitull “Rama drama”, bëri të ditur se ishte i hapur t’i vinte në dispozicion kryeministrit Rama transkriptin e plotë të intervistës me ministrin Hoxha.

Në një pasazh të publikuar në rubrikë, Wax citon ministrin Hoxha, fjalë për fjalë: “Po ju them se pas pesë vitesh, sapo Shqipëria të anëtarësohet, kjo nuk është më jashtëterritoriale. Është territor i Bashkimit Europian. Së pari, është për pesë vite dhe nuk jam i sigurt se do të ketë zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Europian”

Rama reagoi sërish në X, duke këmbëngulur se citimi i shkurtuar ishte “mjaftueshëm çorientues”, por duke theksuar se thelbi mbetet i pandryshuar: “Çfarë Italia kërkon nga Shqipëria, Italia e merr nga Shqipëria”

Përfundim

Intervista e ministrit Ferit Hoxha tregon se, pavarësisht sqarimeve dhe përpjekjeve për ta ripaketuar si “reflektim të çastit”, mbetet e verifikueshme në formën e saj origjinale. Ajo që u tha qartë në intervistë (përfshirë lidhjen e moszgjatjes së marrëveshjes me anëtarësimin në Bashkimit Evropian) nuk mund të zhbëhet thjesht përmes një sqarimi të pjesshëm të mëvonshëm.

Përpjekja e Hoxhës për ta reduktuar deklaratën në një “pasiguri personale” nuk arrin të ndryshojë faktin se në intervistë u artikulua edhe një konkluzion i dytë, i cili u la jashtë sqarimit publik. Pikërisht kjo diferencë mes deklaratës së plotë dhe versionit të mëvonshëm të saj ka bërë që ajo të perceptohet si një “gjysmë e vërtetë” në diskursin publik.

Në këtë rast, “dielli” i asaj që u tha në intervistë nuk mbulohet lehtë me “shoshën” e sqarimeve të pjesshme.

The post “Reflektimi i çastit” nga ministri Hoxha që trazoi diplomacinë appeared first on Faktoje.al.

Tragjedia vazhdon, të dëmtuarit nga tërmeti “bashkëjetesë” me mbetjet toksike

12 May 2026 at 16:26

Tragjedia vazhdon, të dëmtuarit nga tërmeti “bashkëjetesë” me mbetjet toksike

Nga Sebi Alla
Fotografitë: Atdhe Mulla

Krejtësisht buzë rrugës, 102 kontejnerë që mbartin 2800 ton mbetje të vërtetuara të rrezikshme toksike, kanë gjetur një hapitat të ri, pranë magazinave ushqimore dhe pallateve të ngritura për banorët e Durrësit, të prekur nga tërmeti tragjik i vitit 2019. 

Pas më shumë se një viti qëndrim në fshatin Rinia në Porto Romano, mbetjet u zhvendosën më 29 mars në fshatin Vrinë të Njësisë Administrative Shën Avlash.

“Të hiqen sa më shpejt, nuk janë për vendet e banuara. T’i gjejë një vend bashkia ose ata që
i kanë sjellë për t’i vendosur në zona të pabanuara”, thotë për Faktoje.al Bardhyl Zoto

 “Të hiqen sa më shpejt, nuk janë për vendet e banuara. T’i gjejë një vend bashkia ose ata që i kanë sjellë për t’i vendosur në zona të pabanuara”, thotë për Faktoje.al Bardhyl Zoto, i cili prej tetë muajsh është vendosur në një apartament të ndërtuar për banorët e prekur nga termeti. 

Mbetjet i sheh me sy të lirë, rruga dhe një kanal moçalor e ndan nga kontejnerët që rrezikun e kanë po aty. 

Ditë pas ditësh kompleksi i pallateve po popullohet pasi e gjithë faza e ndërtimit ka përfunduar, po ashtu hyrjet janë shpërndarë dhe ajo që do të gjejnë në këtë kompleks të mirëstrukturuar do jenë mbetjet toksike, aty fare pranë, për të bashkëjetuar me kohë të pacaktuar.

Nga fshati Rinia, “xhiro” në Vrinë

Banorët e fshatit ”Rinia” mbajtën disa protesta dhe kërkuan largimin e mbetjeve të rrezikshme dhe së fundmi që nga marsi i këtij viti mbetjet janë zhvendosur “për siguri”, në një zonë sërish të banuar, buzë rrugës që lidh Shën Avlashin me Porto Romanon dhe Durrësin dhe po aq pranë kompleksit të pallateve që po banojnë dhe pritet të banojnë të gjithë qytetarët që iu shkatërruan banesat nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. 

“Materiali në ambalazhet e grumbulluara në ruajtje klasifikohet si shumë helmues (toksik), duhet të largohet sa më parë në vende të sigurta”, thotë Ahmeti

Në një qëndrim të mëparshëm për Faktoje.al, inxhinieri kimist, Ahmet Ahmeti, pohon rrezikshmërinë e mbetjeve dhe sugjeroi largimin e tyre nga zonat e banuara. “Materiali në ambalazhet e grumbulluara në ruajtje klasifikohet si shumë helmues (toksik), duhet të largohet sa më parë në vende të sigurta”, thotë Ahmeti. Ai sugjeron se nevojiten rregulla strikte procesit të largimit të mbetjeve për të shmangur katastrofa të mundshme që rrezikojnë mjedisin, ujrat nëntokësore, tokën, ajrin, shëndetin e njerëzve dhe kafshëve. “Në përbërje të tyre ka zink, kadmium, plumb, bakër, krom, nikel etj, metale të rënda me pasoja të rrezikshëme që shkaktojnë sëmundje në të gjitha indet e organizmit, deri në ato kanceroze dhe gjenetike”, thotë Ahmeti.

Heshtja institucionale

Në një konferencë shtypi më 10 shkurt të këtij viti, Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj tha se për mbetjet toksike do të shihet mundësia për t’i transportuar në vende të tjera që kryejnë përpunimin e tyre, ose do të shihet edhe mundësia që të asgjësohen në vendin tonë, kundrejt protokolleve të asgjësimit të këtyre lloj mbetjesh.

Faktoje.al iu drejtua me kërkesë për informacion Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit se çfarë do të bëhet me mbetjet të vërtetuara toksike dhe a ka kapacitet vendi ynë për asgjësimin e tyre (pa ndikim në mjedis) ose nëse kanë tentativa konkrete për të lidhur kontrata me subjekte të huaja të certifikuara për përpunimin e këtyre mbetjeve?!. Të dyja institucionet refuzuan të përgjigjen, ndërsa pas ankimimit pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, ministria e konsideroi se në këtë rast “e drejta informimit është e kufizuar”, pasi sipas saj, çështja është në hetim dhe procedim gjyqësor. 

Rreziku në prag të shtëpisë

Kalvari i 2800 ton mbetjesh toksike nisi në gusht të vitit të kaluar kur BAN Organizata mjedisore ndërkombëtare “Basel Action Netëork”, ngriti shqetësimin se në anijen “Molivia” të nisur nga Shqipëria më 4 korrik 2024 nëpërmjet Portit të Durrësit fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme. 

Asnjë shtet nuk pranoi ankorimin në portet e tyre të mbetjeve, duke i rikthyer sërish në Portin e Durrësit me 28 tetor të vitit 2024. Që nga ajo kohë, 102 kontejnerët u vendosën në Porto Romano, pranë fshatit Rinia, jo më larg se 200 metra larg zonave të banuara. Prokuroria e Durrësit pas një hetimi të gjatë njoftoi se nga analizat laboratorike të kryera në Itali u zbulua se, “mbetjet përmbanin elementë toksikë me rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, veçanërisht për ekosistemet ujore”. Pas ekspertimit, Prokuroria Durrës konstatoi se “jemi përpara jo thjesht një fakti penal, por një zinxhiri veprimesh të kundërligjshme që sjellin pasoja të rënda në disa drejtime si në mjedis, shëndet, veprimtarinë doganore, veprimtarinë e autoriteteve për sigurinë dhe cilësinë në mjedis”. 

Ajo lëshoi 33 urdhër- arreste, prej të cilëve aktualisht vetëm tetë janë në arrest me burg dhe pjesa tjetër hetim në gjendje të lirë ose detyrim paraqitje. Ndërsa procesi penal po vijon, asnjë zgjidhje nuk është ofruar për 2800 ton mbetje të rrezikshme duke bërë “xhiro” sa në një fshat në një tjetër, gjithnja pranë zonave të banuara. Këtë herë pasojën direkte rrezikojnë ta kenë ata që patën pasoja nga tërmeti i vitit 2019.

The post Tragjedia vazhdon, të dëmtuarit nga tërmeti “bashkëjetesë” me mbetjet toksike appeared first on Faktoje.al.

“Populli do të dëgjohet çdo vit” premtimi i pambajtur për Këshillimin Kombëtar

12 May 2026 at 11:50

Esmeralda Topi 

Në qershor të vitit 2021, nga Kongresi i jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama premtoi një mënyrë të re komunikimi me qytetarët.

“Dua që populli të mos dëgjohet vetëm një herë në katër vjet, por të dëgjohet të paktën një herë në vit”, premtoi ai, teksa prezantoi Këshillimin Kombëtar si një “institucion të ri kombëtar”.

Nisma u konkretizua në fund të vitit 2021, kur qeveria njoftoi se çdo shtetas shqiptar mbi 18 vjeç, brenda dhe jashtë vendit, do të merrte një pyetësor me 12 pyetje mbi tema që varionin nga legalizimi i kanabisit deri te politikat fiskale, integrimi europian dhe nisma “Ballkani i Hapur”.

Këshillimi Kombëtar u zhvillua nga 19 janari deri më 31 mars 2022. Pyetësorët u shpërndanë nga Posta Shqiptare, u plotësuan online si edhe në tenda të ngritura në 61 bashki. Përpunimi i të dhënave u krye nga INSTAT. Sipas qeverisë, 563,195 qytetarë dhanë mendimin e tyre.

Në konferencën për prezantimin e rezultateve, Rama e cilësoi pjesëmarrjen si “një rezultat përtej të gjitha parashikimeve”. Edhe Eridana Çano, asokohe Drejtore e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje u shpreh se ky ishte “një ushtrim, i cili do të përsëritet në mënyrë vjetore”.

Premtim i harruar

Por nga viti 2022, deri tani në 2026 nuk është zhvilluar një tjetër Këshillim Kombëtar sikurse u premtua. Për të kuptuar nëse ekziston një plan për rikthimin e kësaj nisme, Faktoje iu drejtua Agjencisë për Media dhe Informim. 

“Nuk ka për momentin një koment për datën e mundshme kur do të fillojë Këshillimi Kombëtar” tha MIA për Faktoje. 

Pra, nuk ka një afat apo kalendar konkret për zhvillimin e një pyetësori të dytë.

Nga Këshillimi Kombëtar tek referendumi

Ndërsa pyetësori i Këshillimit Kombëtar nuk u përsërit, Rama ka hedhur së fundmi idenë e organizimit të një referendumi për çështje me rëndësi kombëtare. 

Duke folur në asamblenë e Partisë Socialiste, Rama lajmëroi mundësinë e ndryshimeve kushtetuese përmes votës popullore, përfshirë edhe reduktimin e numrit të deputetëve. 

“Do t’i thërrasim shqiptarët në referendum”, deklaroi ai, duke e vendosur këtë si një opsion në mungesë të shumicës së nevojshme parlamentare.

Vetëm tre ditë më vonë, u prezantua edhe një projektligj për referendumet, i cili sipas socialistëve synon të krijojë një kornizë ligjore për konsultime më të drejtpërdrejta me qytetarët.

Por këtë zhvillim, Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare e sheh me dyshim. 

“Për ne ky referendum që quan kryeministri është një sondazh me para publike, pasi nuk ka asnjë fuqi vendimmarrëse, por vetëm fuqi konsultuese”, tha ai për Faktoje. 

Xhemollari shton se këto procese mbeten të kontrolluara nga vetë mazhoranca.

“Vetë i mbledh, vetë i pyet, vetë përgjigjet dhe pastaj vetë vendos. Pra nuk kemi mekanizma ku qytetari jep mendimin, dhe partia/qeveria e merr mendimin dhe e përditëson. Ai e ka ndarë mendjen se çfarë do bëjë dhe thotë t’i pyes këta që të bëj atë që kam ndarë unë mendjen”- përfundon Xhemollari nga Qëndresa Qytetare. 

Përfundim 

Këshillimi Kombëtar u prezantua nga qeveria si një proces gjithëpërfshirës, ku çdo shtetas shqiptar mbi 18 vjeç, brenda dhe jashtë vendit, do të ftohej të jepte mendimin e tij për çështje me rëndësi strategjike për vendin. Përmes një pyetësori me 12 pyetje, qytetarëve iu kërkua të shpreheshin për tema të ndryshme sociale, ekonomike dhe politike, që nisnin nga mbështetja për nënat me shumë fëmijë dhe legalizimi i kanabisit, deri te politikat fiskale, integrimi në Bashkimi Evropian dhe nisma rajonale ‘Ballkani i Hapur’. 

Në kohën e shpalljes së nismës, u raportua se organizimi dhe promovimi i saj do t’u kushtonte taksapaguesve rreth 25 milionë lekë të reja, ku pjesa më e madhe do të përdorej për fushatën promovuese dhe materialet informuese, ndërsa INSTAT do të kryente përpunimin dixhital të përgjigjeve.

Në mungesë të përsëritjes së premtuar, Këshillimi Kombëtar mbeti vetëm një ushtrim dhe jo një proces i përvitshëm konsultimi. Nisur nga informacionet e mbledhura, premtimin e Edi Ramës se “populli do të dëgjohet të paktën një herë në vit” e kategorizojmë të pambajtur. 

The post “Populli do të dëgjohet çdo vit” premtimi i pambajtur për Këshillimin Kombëtar appeared first on Faktoje.al.

Gjermania tek faksi, por Shqipëria “dixhitale” ka ngecur tek siguria

11 May 2026 at 14:55

Më 8 maj, gjatë prezantimit të programit të mbështetur nga BE “EU4Municipalities II,” kryeministri shqiptar Edi Rama u krenua se “partnerët gjermanë në digjitalizim janë mbrapa nesh.” 

Në ministritë gjermane, tha Rama, akoma punojnë me faks.

Është e vërtetë se një studim nga CapGemini, një firmë konsulence, e ka vlerësuar Gjermaninë në vend të 24 nga 27 vendet e Bashkimit Europian për shërbimet publike dixhitale.

Sipas një artikulli të Deutsche Welle, arsye për këtë është struktura federale e qeverisë gjermane që shpesh i lë komunitetet t’i gjejnë vetë zgjidhjet e tyre. Më tej, gjermanët janë shumë më skeptikë në lidhje me mbledhjen e të dhënave të centralizuara nga shteti për shkak të së kaluarës naziste dhe komuniste të vendit të tyre. Si Rajhu i Tretë i Hitlerit ashtu edhe Partia Komuniste e Gjermanisë Lindore përdorën të dhëna personale për të spiunuar njerëzit dhe për të kontrolluar jetën e tyre.

Por sa duhet t’i besojnë shqiptarët, kaq përpara në digjitalizim, shtetit për t’i mbledhur dhe mbrojtur të dhënat e tyre? 

Bazuar në rrjedhjen e të dhënave nga e-Albania në 2022 dhe sulmet e suksesshme kundër infrastrukturave digjitale shtetërore, jo më shumë se gjermanët. 

Më 10 mars 2026, Kuvendi i Shqipërisë njoftoi se ishte goditur nga një sulm kibernetik. Më herët atë ditë, grupi i hakerave Homeland Justice mori përgjegjësinë për sulmin në kanalin e tyre në Telegram, duke denoncuar Kuvendin si mbështetës të “terroristëve” të MEK.

Grupi i hakerave, i identifikuar nga FBI si aktorë shtetërorë kibernetikë të Iranit, rikthehet në vëmendjen e shqiptarëve pasi një tjetër sulm kibernetik prej tyre në 2022 nxorri jashtë funksionit faqet qeveritare dhe shërbimet online dhe ekspozoi të dhënat personale të mijëra qytetarëve. 

Që prej asaj kohe, Homeland Justice ka botuar të dhëna që pretendohet se janë marrë nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, Kuvendi, Bashkia e Tiranës, Ministria e Jashtme, Instituti i Statistikave (INSTAT), Posta Shqiptare, Prokuroria e Përgjithshme, dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Sipas një analize të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), sulmi ndaj Kuvendit u bë i mundur kur hakerat shfrytëzuan kredenciale të kompromentuara të një pale të tretë që ofron shërbime për Kuvendin për të hyrë në infrastrukturën dixhitale. 

Më pas, nëpërmjet një serveri të brendshëm që shërbeu si pikë ndërmjetëse, ata mund të bënin lëvizje anësore në rrjet. Nuk bëhet me dije se cila ishte pala e tretë në fjalë.

Kuvendi i Shqipërisë ka në organikën e tij një sektor Shërbimi të Teknologjisë së Informacionit. 

Sipas një përgjigje për Faktoje, investimet në sigurinë kibernetike të këtij institucioni që nga viti 2022 konsistojnë në mirëmbajtje të një sistemi sigurie për e-mail, mirëmbajtje për aplikacionin e Kuvendit, blerja e shërbimit të autentifikimit të dyfishtë MFA për e-mailin zyrtar, antivirus të centralizuar, mirëmbajtje e rrjetit wireless dhe rinovim i licencave dhe mirëmbajtje për menaxhimin dhe administrimin e dokumenteve.

Pyetur nga Faktoje për masat dhe investimet në mbrojtje kibernetike nga viti 2022, AKSK përmendi Qendrën Kombëtare Operacionale të Sigurisë Kibernetike (SOC), e cila operon 24/7 pandërprerë; trajnime dhe ushtrime praktike të vazhdueshme; dhe blerjen e platformave të avancuara të monitorimit, inteligjencës së kërcënimeve dhe menaxhimit të incidenteve “duke rritur ndjeshëm aftësinë për identifikim të hershëm”

Sipas analizës së AKSK, hakerat ishin në sistem për 31 orë duke transferuar e fshirë të dhëna. Krahasuar me 14 muajt gjatë të cilëve hakerat kishin akses në sistemin e qeverisë në 2022, ngjan si përmirësim. 

Megjithatë, ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se ky sulm ishte i parashikueshëm.

“Ishte një skenar klasik, i njohur prej vitesh, që shfrytëzon pikërisht atë hallkë që zakonisht lihet më pak nën kontroll, palët e treta,” tha eksperti i sigurisë kibernetike Besmir Semanaj për Faktoje. “Sistemi i ka besuar dikujt që nuk duhej t’i besonte pa verifikim të fortë. Në vitin 2026, një akses i tillë pa mekanizma të avancuar si verifikim i shumëfishtë, kontroll i pajisjes dhe analiza e sjelljes është mungesë disipline në siguri”

Në fakt, edhe sulmi i vitit 2022, në të cilin hakerat hynë në sistem përmes një serveri SharePoint të lidhur me internetin, shfrytëzoi një dobësi në zinxhirin e furnizimit (“supply-chain”), duke përdorur besueshmërinë e aksesit ekzistues për të anashkaluar mekanizmat e sigurisë dhe për të depërtuar në rrjetin e brendshëm të institucionit.

Dështimi në siguri nuk mbetet vetëm në pikën e hyrjes. Ekspertët theksojnë mungesën e segmentimit siç duhet të rrjetit. Një pikë e vetme aksesi nuk duhet të japë mundësi lëvizjeje lirshëm brenda sistemit.

“Nëse ndodh kjo, nuk kemi të bëjmë me depërtim të sofistikuar, por me një ambient të hapur më shumë sesa duhet,” tha Semanaj.

Një nga rekomandimet e përbashkëta të FBI dhe Agjencisë amerikane të Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës (CISA) pas sulmit nga Homeland Justice në 2022 ishte adaptimi i arkitekturave dhe parimeve zero-besim, duke përfshirë mikrosegmentimin e rrjetit për të kufizuar ose bllokuar lëvizjen anësore, lëvizje që u përdor përsëri në sulmin e 2026 nga po i njejti grup hakerash.

Në fakt, sipas Semanaj, sulmuesit kishin lënë mjaftueshëm gjurmë sa ndalja e tyre në kohë duhet të ishte e mundur.

“Flasim për një zinxhir veprimesh – akses i pazakontë, lëvizje laterale, komunikim me infrastrukturë të jashtme për komandim dhe kontroll. Këto nuk janë sinjale të padukshme. Nëse ekziston një strukturë monitorimi 24/7, atëherë pyetja nuk është nëse kishte mjete, por nëse ato janë përdorur siç duhet,” tha ai. 

“Për ta parandaluar një situatë të tillë në të ardhmen, nuk mjafton të shtosh më shumë mjete apo platforma. Duhet një ndryshim më themelor në mënyrën si konceptohet aksesi dhe besimi brenda sistemeve. Çdo hyrje duhet trajtuar si potencialisht e rrezikshme, çdo lëvizje duhet kufizuar dhe çdo devijim nga normalja duhet trajtuar si sinjal alarmi real”

Rekomandimet e ekspertëve, rekomandimet e FBI pas sulmit të 2022 dhe rekomandimet e analizës së vetë AKSK pas sulmit të 2026 janë të ngjashme: vendosja e autentifikimit shumëfaktorësh (MFA) për të gjithë përdoruesit dhe lidhjet me VPN, kontrollimi i qasjes së palëve të treta, arkitektura zero-besim, dhe mikrosegmentimi i rrjetit për të kufizuar lëvizjen laterale.

Pas sulmit të vitit 2022 eksperti Semanaj i tha Faktoje se mospranimi i fajit nga institucionet bën të pamundur reflektimin mbi dështimet e sigurisë. Katër vite më pas, depërtimi i të njëjtit grup hakerash me të njejtën metodë në infrastrukturën zyrtare shqiptare dëshmon mungesën e këtij reflektimi.

Kur kryeministri Rama mburr dixhitalizimin e vendit ndwrsa sulmet kibernetike vijojnë në sfond, vlen të mbajmë mend se, siç shkruan Zyra gjermane për Sigurinë e Informacionit, “siguria kibernetike është parakusht për dixhitalizim të suksesshëm.”

The post Gjermania tek faksi, por Shqipëria “dixhitale” ka ngecur tek siguria appeared first on Faktoje.al.

Bastet informale, si funksionojnë rrjetet e fshehta të cash-it

8 May 2026 at 15:08

Nga Jona Cenameri

Për një 20-vjeçar nga Tirana, bastet nuk nisën si një platformë e rregullt online, por si një rrjet njerëzish, llogarish dhe kreditesh që kalonin nga njëri te tjetri. Në fillim luajti vetë. Më pas nisi ta menaxhonte edhe për të tjerët. 

Sot, dy vite pas rikthimit të basteve sportive online me ligj, tregu i licencuar ende nuk është hapur plotësisht, ndërsa aktiviteti informal vazhdon të qarkullojë në terren.

Për të riun, ajo që në fillim dukej si emocion sportiv, më pas ndryshoi natyrë. “Në fillim është ideja e lekut të shpejt. Pastaj bëhet varësi. Arrin në një pikë kur nuk e sheh më një ndeshje futbolli pa menduar se si mund të fitosh prej saj”, thotë ai. 

Rrëfen se nuk ka kartë banke, nuk ka marrëdhënie të drejtpërdrejtë me një operator të njohur, nuk ka pagesë të zakonshme online. 

“Nuk kam përdorur kartë banke, as kur luaja dhe as kur e menaxhoja vetë. Krediti hidhej nga dikush tjetër” 

Basti vendosej përmes një personi tjetër që kontrollonte llogarinë. “I thoje sa lekë doje të hidhje ose cilat ndeshje doje të luaje, dhe ai ta bënte bastin. Pastaj të dërgonte një foto”

Dy dëshmi të tjera të mbledhura për këtë shkrim përshkruajnë të njëjtën logjikë. Një 30-vjeçar nga Tirana kujton kohën kur bastet ishin ende të ligjshme dhe funksiononin në pika fizike: “Ishin poshtë pallatit, mes shokësh, lehtësisht të aksesueshme” 

Ai thotë se edhe pas mbylljes, aktiviteti nuk u zhduk. “Janë ende mes nesh si një realitet digjital” 

Një tjetër i ri tregon se ka hyrë në kontakt me bastet që në moshën 11 ose 12 vjeç. “Në atë kohë i gjeje kudo pikat e llotos. Pas mbylljes, po ata vazhduan me faqe” 

Për të, hyrja në sistem bëhej me username dhe password, por paratë mbeteshin cash. “I thoje personit që të kishte hapur faqen të të shtonte, për shembull, 500 lekë kredit dhe ai ta përditësonte llogarinë”

Kjo tablo në terren qëndron përballë një historie politike që ka ndryshuar disa herë drejtim. 

Rama 

Në tetor 2018, kur qeveria shpalli mbylljen totale të lojërave të fatit, kryeministri Edi Rama deklaronte se “nga 1 janari (2019) nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste” 

Pesë vjet më vonë, në mars 2023, po ai pranonte publikisht se ndalimi nuk kishte arritur ta zhdukte fenomenin. 

“Ne, siç tregon eksperienca, nuk kemi mundur ta ndalim”, tha Rama, duke njoftuar se bastet sportive online do të riktheheshin në ligj me argumentin se formalizimi ishte më efektiv se lënia e aktivitetit në të zezë. 

Ai tha se do të hynin “kompanitë e mëdha ndërkombëtare”, do të kishte “garanci për lojtarët” dhe të ardhurat do të shkonin për sportin, teknologjinë dhe kulturën. 

Kjo deklaratë e vitit 2023 shënoi kthesën nga logjika e ndalimit total te ajo e formalizimit të kontrolluar.

Kjo qasje u konkretizua me ligjin nr. 18/2024, i cili rilejoi bastet sportive vetëm online. 

Ligji parashikoi maksimumi 10 licenca 10-vjeçare, kapital minimal 40 milionë lekë, tarifë licence jo më pak se 400 milionë lekë dhe derdhjen e 15% të të ardhurave bruto nga loja në Fondin e Posaçëm. 

Në janar 2024, ministri i atëhershëm i Financave, Ervin Mete, e mbrojti këtë model duke deklaruar se “qasja më efektive ndaj informalitetit është formalizimi”, se pagesat do të bëheshin vetëm përmes sistemit të pagesave dhe se operatorët do të duhej të kishin eksperiencë ndërkombëtare. 

Ligj “pa Maliq”

Megjithëse ligji u miratua, tregu i licencuar nuk u bë funksional, sepse zbatimi praktik mbeti i kushtëzuar nga mungesa e akteve nënligjore.

Edhe sot, nyja mbetet po aty. 

Më 30 prill 2026, ministri aktual i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se për hapjen e basteve sportive online “kanë mbetur edhe dy akte nënligjore” për t’u bashkërenduar me Ministrinë e Drejtësisë para se të vijojë licencimi i operatorëve. 

Në përgjigjen zyrtare për këtë shkrim, Ministria e Financave e lidh vonesën me “kompleksitetin e lartë teknik dhe institucional” të akteve, nevojën për harmonizim ndërinstitucional, përafrim me praktikat e mira dhe ngritjen e sistemeve teknologjike, përfshirë konsultimet me Bankën Botërore. 

Ministria konfirmon se deri tani janë miratuar disa hallka kyçe: regjistri elektronik i personave që nuk lejohen të futen në ambientet apo platformat e lojërave të fatit, programet për mbrojtjen e lojtarit, standardet teknike të sistemit dhe kriteret e vlerësimit për licencimin. 

Humbjet 

Ndërsa Ministria e Financave thotë se nuk ka të dhëna që të përcaktojnë me vlerë të saktë monetare humbjet e buxhetit nga informaliteti, ekonomisti Eduart Gjokutaj vlerëson se zvarritja e procesit për më shumë se 2 vjet ka sjellë kosto të konsiderueshme. 

Sipas tij, vonesa e akteve nënligjore, që duhej të ishte mbyllur brenda rreth 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, ka mbajtur të bllokuar tregun formal dhe i ka lënë hapësirë zgjerimit të tregut informal dhe krimit të organizuar. 

Gjokutaj vlerëson se humbjet për buxhetin mund të arrijnë deri në 80-100 milionë euro në vit nga taksa të munguara, ndërsa qarkullimi që del jashtë kanaleve formale mund të shkojë deri në 500 milionë euro, sipas raportimeve dhe vlerësimeve të cituara prej tij.

Ekonomisti shton se një sistem bastesh me cash dhe ndërmjetës është “shumë i lartë” në ekspozimin ndaj informalitetit dhe pastrimit të parave, sepse transaksionet në dorë nuk lënë gjurmë bankare, nuk kryhet njohja e klientit dhe hallkat e shumta të ndërmjetësve ndihmojnë në fshehjen e origjinës së parave.

Gjokutaj e përshkruan këtë edhe si model klasik të tregjeve informale të basteve, ku një operator kryesor bashkëpunon me agjentë lokalë dhe ndërmjetës të tjerë, duke e bërë më të vështirë identifikimin e pronarit real dhe ndjekjen e rrjedhës së parave.

Pamundësia 

Nga këndvështrimi juridik, avokati Neritan Kariqi e përkufizon situatën si një gjendje ku “e drejta ekziston në teori, por nuk mund të ushtrohet realisht”. Sipas tij, kur kërkesa ekziston por oferta e ligjshme mbetet e bllokuar, tregu informal e mbush boshllëkun. 

Në vlerësimin e avokatit, masat represive kanë efekt të kufizuar nëse nuk shoqërohen me një alternativë ligjore funksionale. Për bastet online, shton Kariqi, vonesat në krijimin e tregut të licencuar nuk e kanë ndaluar aktivitetin; tregu “de facto” ka vazhduar të funksionojë, por jashtë kontrollit shtetëror.

AMLF

Kjo tablo konfirmohet edhe nga institucionet. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) pranon se aktualisht nuk ka operatorë të licencuar për bastet sportive online, pasi aktet nënligjore për licencimin janë ende në proces miratimi.

Sipas AMLF, rastet e konstatuara të aktivitetit pa licencë janë referuar te Policia e Shtetit si kundërvajtje penale sipas nenit 197 të Kodit Penal, ndërsa adresat online i janë dërguar AKEP për mbyllje. 

Për kategori të tjera të lojërave të fatit ka operatorë të licencuar: 1 në kategorinë “Kazino” dhe 9 në kategorinë “Kazino në hotele me 5 yje”. Kjo do të thotë se problemi aktual lidhet posaçërisht me bastet sportive online, jo me mungesën e çdo mekanizmi licencimi në të gjithë sektorin.

AKEP

Në planin teknik, përpjekja më e dukshme ka qenë bllokimi i domeneve. AKEP sqaron se nuk ka kompetencë të shqyrtojë përmbajtjen e faqeve apo llojin e aktivitetit të tyre; roli i tij është të përcjellë te ofruesit e internetit kërkesat për bllokim që vijnë nga autoritetet kompetente, në këtë rast AMLF. 

AKEP shton se nuk ka informacion nëse faqet e bllokuara rishfaqen me domain-e të reja. 

Rreth 6 mijë domaine të bllokuara 

Përmes një analize të listës publike të domain-eve të bllokuara nga AKEP, ku u përdorën mjete të inteligjencës artificiale për filtrimin dhe klasifikimin paraprak të të dhënave, Faktoje identifikoi se 5,508 nga 13,529 domain-e të bllokuara lidhen me faqe bastesh apo lojërash fati, bazuar në fjalë kyçe dhe karakteristika tipike të kësaj industrie. 

Klasifikimi është mbështetur në terma si ‘Bet’, ‘Casino’, ‘Poker’, ‘Slot’ dhe ‘Bast’, si edhe në zhargonin tipik të basteve si ‘1×2’, ‘Fixed’ dhe ‘Odds’, përfshirë variante të markave të njohura ndërkombëtare.

Efektiviteti  

Për ekspertin e teknologjisë Tomi Kallanxhi, “bllokimi i domeneve nuk është një mënyrë fare efektive për të ndalur bastet online”. Sipas tij, faqet hapen me emra të tjerë, përdoruesit mund të përdorin VPN dhe vetë aktiviteti online shpesh funksionon njëkohësisht edhe offline, përmes personave fizikë që mbledhin para dhe menaxhojnë grupe përdoruesish. 

Ai e përshkruan tregun si një aktivitet që funksionon “underground, nëpër URL dhe sajte të ndryshme”, ndërsa reagimi institucional, sipas tij, mbetet i kufizuar në raport me mënyrën si funksionon realisht tregu. 

Legalizimi për Kallanxhin mund ta bëjë tregun më të kontrollueshëm, sepse aktiviteti do të deklarohej dhe transaksionet do të monitoroheshin më lehtë, por tregu informal mund të vazhdojë të ekzistojë edhe më pas. Pika kyçe e kontrollit, sipas Kallanxhit, mbetet mënyra si kryhen transaksionet dhe si monitorohen llogaritë bankare të lojtarëve. Ai thotë se mbetet për t’u parë nëse bankat shqiptare do ta lejojnë përdorimin e kartave të tyre për transaksione të lidhura me baste online.

Pasojat 

Ana tjetër e historisë janë pasojat mbi të rinjtë. Për psikologen Arjana Muçaj, ekspozimi i hershëm ndaj basteve përbën faktor të rëndësishëm rreziku, sepse gjatë adoleshencës strukturat që lidhen me vetëkontrollin dhe parashikimin e pasojave janë ende në maturim. 

Psikologia shpjegon se tërheqja e basteve mbështetet në disa mekanizma njëkohësisht: lidhja me sportin krijon iluzionin e kontrollit, grupi shoqëror e bën aktivitetin pjesë të përkatësisë, ndërsa ideja e fitimit të shpejtë vepron si motivim i fortë. 

Në mungesë të mekanizmave mbrojtës si kufizimet e moshës, vetëpërjashtimi apo mbështetja psikologjike, një treg informal dhe pamjaftueshëm i rregulluar, sipas psikologes Muçaj, e përkeqëson ndjeshëm situatën, sepse normalizon sjelljet e rrezikshme dhe e bën më të vështirë ndërhyrjen në kohë. 

Muçaj përmend si shenja klinike preokupimin e vazhdueshëm me bastet, rritjen progresive të shumave, dështimet e përsëritura për ta ndalur sjelljen, nervozizmin apo ankthin kur aktiviteti mungon, si edhe ndikimin negativ në jetën akademike, familjare dhe shoqërore.

Masat 

Në aspektin penal, aktiviteti mbetet i dënueshëm. Policia e Shtetit ka raportuar se për periudhën 2024-2025 janë referuar 525 raste për veprën penale ‘Organizimi i lotarive të palejuara’ dhe 194 raste për veprën ‘Vënia në dispozicion e lokaleve’. Për këto raste janë arrestuar 343 shtetas për nenin 197 dhe 155 për nenin 198; 577 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë për nenin 197 dhe 184 për nenin 198.

Prokuroria e Përgjithshme raporton 238 çështje të regjistruara në vitin 2023, 289 në vitin 2024 dhe 185 në vitin 2025 për veprën penale të “Organizimit të lotarive të palejuara”. 

Edhe SPAK ka regjistruar procedime që lidhen me këtë fushë. Sipas përgjigjes zyrtare, në vitin 2023 është regjistruar 1 procedim në kuadër të krimit të organizuar; në vitin 2024 janë regjistruar 3 procedime për veprat penale të parashikuara nga nenet 197 dhe 198 të Kodit Penal, po në kuadër të krimit të organizuar; ndërsa në vitin 2025 janë regjistruar 2 procedime, 1 në kuadër të krimit të organizuar dhe 1 për korrupsion. 

AIF 

Për periudhën janar 2024 – dhjetor 2025, Agjencia e Inteligjencës Financiare konfirmon për Faktoje se ka identifikuar 12 raste me tipologji të lidhura me baste sportive, lojëra fati ose operatorë të kësaj fushe. Katër prej tyre janë referuar te organet ligjzbatuese. Sipas AIF, shumica e këtyre rasteve janë sinjalizuar nga bankat, ndërsa sektori i lojërave të fatit konsiderohet me risk mesatar për pastrim parash.

Sot…

Tre vite pas pranimit publik se fenomenin ‘nuk kemi mundur ta ndalim’ dhe dy vite pas miratimit të ligjit që do ta formalizonte, tregu i licencuar ende nuk është funksionalizuar, ndërsa aktiviteti që vijon të zhvillohet jashtë këtij kuadri mbetet i paligjshëm.

Shqipëria nuk ka sot as tregun e ndaluar plotësisht të vitit 2019, as tregun e licencuar dhe të monitoruar që u premtua me ligjin e vitit 2024. 

Mes këtyre dy modeleve, është krijuar një hapësirë ku aktiviteti vijon të qarkullojë në formë informale, ndërsa licencimi ligjor mbetet ende në mes të rrugës, në pritje të akteve nënligjore.

The post Bastet informale, si funksionojnë rrjetet e fshehta të cash-it appeared first on Faktoje.al.

“Siguria 100%” në shkolla vihet në pikëpyetje nga faktet

7 May 2026 at 14:00

Nga Jona Cenameri  

“Masat e sigurisë në shkollat tona janë në garantim 100% të sigurisë së fëmijëve dhe të institucioneve arsimore”. Kjo ishte deklarata e ministers së Arsimit, Mirela Kumbaro, më 29 prill 2026, e mbështetur në argumente si bashkëpunimi me Policinë e Shtetit, shtimi i oficerëve të sigurisë dhe funksionimi i strukturave mbështetëse në çdo shkollë. 

“Nuk e them thjesht me fjalë, por e para ne jemi në një bashkëpunim 100% me Policinë e Shtetit… Patrullat janë aty çdo mëngjes dhe çdo drekë… për të garantuar gjithë perimetrin rreth e rrotull shkollave”, deklaroi ministrja Kumbaro.

Por vëzhgimi në terren, të dhënat zyrtare dhe raportet institucionale tregojnë një panoramë më pak optimiste.

Terreni

Në disa prej shkollave të monitoruara nga Faktoje, nuk është konstatuar prani e vazhdueshme e patrullave të Policisë së Shtetit në oraret e hyrjes dhe daljes së nxënësve, ndërsa në raste të tjera kjo prani ka qenë sporadike dhe jo e përditshme.

Nga vëzhgimi në terren në datën 30 Prill rezulton se në shkollën 9 vjeçare “Naim Frashëri” në mëngjes nuk kishte asnjë patrullë policie. 

Shkolla 9 vjecare “Naim Frasheri” ne mengjes para fillimit të mesimit

Në një tjeter shkollë 9 vjeçare “Gustav Mayer” (në të njëjtën ditë) në mëngjes kishte vetëm një polic bashkiak në mëngjes, ndërsa pas përfundimit asnjë polic.

Shkolla 9 vjecare “Gustav Mayer” në mengjes

E njëjta situatë edhe tek një tjetër shkollë 9 vjeçare “Jeronim De Rada”. 

Në mëngjes vetëm një polic bashkiak. 

Shkolla 9 vjecare “Jeronim De Rada” në mëngjes

Pas përfundimit të orarit mësimor asnjë.

Shkolla 9 vjeçare “Jeronim De Rada” pas përfundimit te orarit mësimor

Më e plotë paraqitet situata tek shkolla “Sami Frashëri”. Patrullat e policisë shihen në mëngjes dhe pas përfundimit të orarit.

Oficerët e pamjaftueshëm

Ndër radhë, Ministrja Kumbaro deklaroi se: “Po rrisim numrin e oficerëve të sigurisë… numri i të cilëve është shtuar nga shtatori i vitit 2025”. 

Të dhënat e Faktoje tregojnë se nga 274 oficerë në tetor 2025, numri ka arritur në 329 në mars 2026, pra një shtesë prej 55 oficerësh në rreth 6-7 muaj.

Sipas VKM-së, të gjitha institucionet e arsimit të mesëm të lartë, gjimnazet, shkollat e mesme të orientuara dhe ato profesionale, me mbi 80 nxënës duhet të kenë të paktën 1 oficer sigurie. 

Planifikim pa përthithje reale

Ndërkohë, të dhënat nga auditimi i fundit i KLSH, tregojnë se rritja e numrit të oficerëve nuk është shoqëruar me të njëjtin ritëm punësimi në terren. Deri në fund të vitit 2024, nga 276 oficerë të planifikuar rezultonin vetëm 212 në detyrë, me vende vakante të paplotësuara. Këto mangësi janë evidentuar vazhdimisht vit pas viti që nga viti 2021.

Një sistem me mangësi

Problemet nuk lidhen vetëm me numrin e oficerëve. Auditimi i KLSH për periudhën 2021-2024 e cilëson sistemin e sigurisë në shkolla si joefektiv, për shkak të mungesës së një kuadri të konsoliduar rregullator, mbikëqyrjes së pamjaftueshme dhe raportimit jo të standardizuar. 

Sipas të dhënave të KLSH, për periudhën 2021-2024 janë evidentuar 892 raste dhune fizike, 333 raste dhune psikologjike, 186 raste bullizmi, 178 raste kërcënimi dhe 133 raste përdorimi të substancave.

Rastet e raportuara 

Kjo tablo reflektohet edhe në rastet e raportuara në terren. Ngjarje të afërta në kohë, si vrasja e 15-vjeçarit në Durrës në dhjetor 2025, konflikti me pasoja të rënda në Kamëz pranë shkollës ‘Ibrahim Rugova’ dhe më herët vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë, tregojnë se problematikat e sigurisë në shkolla mbeten të pranishme.

Përfundim

Ndërsa ministrja Kumbaro flet për një bashkëpunim “100%” me Policinë e Shtetit dhe prani të vazhdueshme të patrullave pranë shkollave, verifikimet në terren dhe raportimet e mëparshme të Faktoje tregojnë se ky bashkëpunim nuk është i njëtrajtshëm në të gjitha institucionet dhe nuk funksionon gjithmonë në mënyrë të standardizuar.

Të dhënat tregojnë se, pavarësisht rritjes së numrit të oficerëve dhe masave të ndërmarra, sistemi i sigurisë në shkolla mbetet i pjesshëm në mbulim dhe i paqëndrueshëm në zbatim.

The post “Siguria 100%” në shkolla vihet në pikëpyetje nga faktet appeared first on Faktoje.al.

Video e Ramës për Lanën, e krijuar me Inteligjencë Artificiale

5 May 2026 at 15:00

Esmeralda Topi 

Më 30 prill, Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale një video që tregon transformimin e Lumit të Lanës në Tiranë, një nga ndërhyrjet urbane më të njohura të dy dekadave të fundit në kryeqytet. 

Postimi shoqërohej me një koment ironik nga vet Rama: “Eh eh eh, llafet i merr lumi”. Brenda pak orësh, video u shpërnda gjerësisht, duke grumbulluar mbi 1.4 milionë shikime, mijëra pëlqime e komente, si dhe qindra shpërndarje. Ajo u amplifikua më tej nga ministra, deputetë të shumicës, media online si dhe televizione kombëtare.

Por, ndërsa videoja u paraqit si një dëshmi vizuale e transformimit të Lanës, në asnjë moment nuk u bë e qartë për publikun se përmbajtja ishte e krijuar pjesërisht me inteligjencë artificiale (AI).

Verifikimi i kryer nga Faktoje tregon se videoja nuk është një dokumentim i pastër “para dhe pas”, por një produkt i përpunuar me teknologji AI. Një kontroll i thjeshtë përmes mjeteve të disponueshme publikisht, përfshirë analiza bazike të detektimit të përmbajtjes së gjeneruar, ngriti dyshime mbi autenticitetin e pamjeve. 

‘Video e marrë pa leje’

Për të sqaruar më tej, Faktoje kontaktoi edhe me autorin e videos, i cili konfirmoi përdorimin e inteligjencës artificiale në krijimin e saj.

“Unë jam content creator dhe po implementoj AI në projektet e mia duke e përdorur për të tërhequr audiencën, duke qenë se është bërë trend në rrjete sociale,”  shpjegon autori i faqes rigo.vision për Faktoje.al. Sipas tij, videoja për Lanën është pjesë e një serie përmbajtjesh që po prodhon për profilin e tij personal dhe nuk është krijuar për qëllime politike.

“Foto ‘para’ është realizuar me AI, me referencë nga foto reale në Google, ndërsa ‘pas’ është reale 100%, por është përdorur AI për timelapse me prompte specifike”, sqaron më tej natyrën e materialit autori. 

Pra videoja nuk është një krahasim autentik mes dy momenteve reale në kohë, por një kombinim mes realitetit dhe simulimit. Megjithatë, kjo nuk u komunikua në asnjë nga postimet që e shpërndanë, përfshirë atë të Kryeministrit.

Një tjetër element problematik lidhet me mënyrën se si videoja u përdor nga vetë kreu i qeverisë. “Për publikimin nga Kryeministri, as nuk ka marrë leje fare nga mua, asnjë lloj mesazhi. Thjesht kanë bërë reupload videon time, e cila tashmë ishte bërë virale,”  thotë krijuesi i faqes 

‘Manipulim opinioni’

Sipas ekspertit të sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj, rasti ngre një problem më të gjerë që lidhet me standardet e transparencës në epokën e inteligjencës artificiale. 

 “Kjo video e publikuar nga Edi Rama ngre një problem serioz: përdorimi i përmbajtjeve të gjeneruara me AI pa i deklaruar si të tilla” shpjegon Semanaj. 

Ai thekson se në nivel europian tashmë ka standarde të qarta për përdorimin e përmbajtjeve të tilla. “Në Bashkimin Europian, përmes EU Artificial Intelligence Act, kërkohet që përmbajtjet e krijuara ose të manipuluara me AI të etiketohen në mënyrë të dukshme, sidomos kur mund të ndikojnë opinionin publik.” 

Ndaj, sipas Semanaj, mungesa e transparencës krijon pasoja konkrete. “Kur materiale të tilla shpërndahen si ‘të vërteta’ nga aktorë publikë, rrezikohet manipulimi i opinionit dhe cenohet besimi te informacioni – transparenca nuk është zgjedhje, është detyrim”

Lana

Përpos videos së gjeneruar me AI, Lana sot ka edhe anën tjetër të realitetit.

Faktoje ka shkruar më herët mbi fenomenin e ndotjes së Lanës pasi impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Kashar, i financuar me kredi nga jashtë vite më parë, përfundoi i braktisur e i degraduar, duke lënë Tiranën me një lum të ndotur, me pasoja mjedisore, shëndetësore dhe ekonomike.  

Përfundim 

Në një kohë kur teknologjitë gjeneruese po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, dallimi mes realitetit dhe përmbajtjes së manipuluar vizualisht bëhet më i vështirë për publikun e gjerë. Ndaj dhe mungesa e transparencës për përdorimin e AI në një përmbajtje që shpërndahet nga nivelet më të larta të komunikimit publik përbën problem. 

Rehabilitimi i Lumit Lana është pjesë e ndërhyrjeve urbane të realizuara gjatë periudhës kur Edi Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës (2000–2011). Në atë kohë, administrata vendore ndërmori një sërë aksionesh për pastrimin e shtratit të lumit nga ndërtimet pa leje, rikthimin e hapësirave publike dhe shtimin e gjelbërimit në qytet. 

Pra, ndërhyrja në Lanë është një fakt i dokumentuar dhe i njohur publikisht. Megjithatë, përdorimi i një videoje të manipuluar pa e deklaruar këtë fakt krijon problem edhe për mënyrën se si komunikohet ky realitet.

Rasti ilustron një fenomen gjithnjë e më të përhapur në hapësirën digjitale, ku përmbajtjet e krijuara me AI përdoren për të rritur angazhimin dhe për të tërhequr audiencë. Vetë autori e pranon këtë. “Po e përdor AI për të tërhequr audiencën, pasi është trend në rrjete sociale”, thekson ai.

Por kur këto përmbajtje ripërdoren nga aktorë publikë dhe media pa asnjë shpjegim, ato mund të marrin një peshë tjetër duke u perceptuar si burime informacioni dhe jo thjesht si produkte kreative. Në përfundim, rasti tregon se përdorimi i përmbajtjeve të gjeneruara me AI pa etiketime të qarta mund të kthehet në një formë të re të propagandës vizuale, ku teknologjia përdoret për të ndërtuar narrativë publike që nuk dallon lehtësisht nga realiteti.

The post Video e Ramës për Lanën, e krijuar me Inteligjencë Artificiale appeared first on Faktoje.al.

Integrimi, Hoxha: IBAR nuk ka afat, mund të zgjasë edhe vite

4 May 2026 at 17:16

Sebi Alla– Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE përplasi edhe një herë mazhorancën që i konsideron “arritje të mëdha” dhe opozitën që e cilëson “dështim të plotë, deri në bllokim të procesit”. 

Debatet u zhvilluan gjatë raportimit në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme të ministrit Ferit Hoxha. 

“Nuk ka pasur dhe nuk ka bllokim, nuk ka pasur dhe nuk ka veto nga asnjë shtet anëtar. Procesi ka vijuar dhe vijon normalisht. Edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë e ka konfirmuar publikisht këtë fakt. Progresi i dukshëm i vendit në negociata është theksuar në mënyrë të përsëritur, disa herë, nga Komisionerja Kos dhe Përfaqësuesja e Lartë Kallas”, tha kreu i diplomacisë shqiptare Ferit Hoxha, duke iu referuar kryesisht raportit IBAR. 

Lidhur me debatin nëse ka pasur apo jo bllokim të negociatave, më herët, Faktoje.al, përmes një kërkese iu drejtua zyrtarisht Komisionit Europian, i cili argumentoi se Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në kriteret themelore, veçanërisht në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. 

“Komisioni ka paraqitur vlerësimin e tij pozitiv mbi përmbushjen e Raportit të Vlerësimit të Pikave të Përkohshme, si dhe një draft të Qëndrimit të Përbashkët të BE-së për Klasterin 1 në Këshill. Tani u takon shteteve anëtare të bien dakord mbi një Qëndrim të Përbashkët të BE-së për Klasterin 1, i cili do të përcaktojë standardet përmbyllëse në fushën e Shtetit të së Drejtës,” sqaron KE për Faktoje, duke e lënë hapin vendimtar në duart e Këshillit të BE-së. 

Debatet

Ndërkohë, përfaqësues të opozitës ngritën shqetësimin në komision se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE jo vetëm ka ngecur, por sipas tyre rrezikojmë të kalojmë në hapa pas. “Vendet anëtare nuk e miratuan raportin IBAR. Pa miratimin e IBAR nuk mund të ecim në procesin e integrimit”, tha Tritan Shehu, deputet i opozitës, anëtar i këtij komisioni. 

Vërejtjeve të Tritan Shehut se Shqipëria është me vonesë për raportin e pikave të ndërmjetme (IBAR), ministri i cilësoi si të pabaza, pasi sipas tij raporti nuk ka kufizim kohor. 

“Nuk ka pasur asnjëherë një kohë që IBAR për Shqipërinë duhet të mbushej për 6 javë përndryshe Shqipëria është me vonesë, mund të shkojë edhe 6 vjet. Nuk ka kufizim kohor. Ky ushtrim po bëhet për herë të parë, me këtë metodologji për Shqipërinë, duke vënë një standard për vendet e tjera”, tha Hoxha. 

Pa afat  

A ka realisht një kufizim kohor apo periudha është pa afat siç pretendon ministri Hoxha? 

Drejtori ekzekutiv i “Lëvizjes Europiane Shqiptare”, Gledis Gjipali, është shprehur më heret për Faktoje se vetë IBAR është një instrument relativisht i ri dhe pa precedent të konsoliduar krahasimi. 

Ai thekson se metodologjia e re e zgjerimit nuk parashikon afate të përcaktuara për fazat e procesit. “Në metodologjinë e re nuk përcaktohen afate për asnjë nga hapat, pasi gjithçka është në varësi të ecurisë së vendit përkatës”, shpjegon ndër të tjera Gjipali.

IBAR 

Deri në fund të vitit 2025, Shqipëria ka hapur të gjashtë grupkapitujt e negociatave me BE-në sipas metodologjisë së re, por kjo fazë nuk përbën përmbyllje të procesit, pasi sfida kryesore mbetet përmbushja e piketave të ndërmjetme dhe përfundimtare në Kapitujt 23 dhe 24 që lidhen me shtetin e së drejtës, drejtësinë, të drejtat themelore dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. 

Në këtë kuadër, Raporti i Vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme (IBAR) është mekanizmi teknik që lidh fazën e hapjes së kapitujve me atë të mbylljes së tyre. Ai vlerëson nëse Shqipëria i ka përmbushur kushtet, por vendimi përfundimtar mbetet politik dhe kërkon konsensus mes shteteve anëtare në Këshillin e BE-së.

The post Integrimi, Hoxha: IBAR nuk ka afat, mund të zgjasë edhe vite appeared first on Faktoje.al.

Kilometri i pa-fundëm i Sali Berishës…

1 May 2026 at 15:00

Nga Jona Cenameri 

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, prej muajsh po përpiqet të mbajë të mobilizuar bazën e tij elektorale përmes një diskursi të qëndrueshëm dhe të përsëritur: “Përballje me qeverinë”. 

Që nga 22 dhjetori 2025 e deri më 17 prill 2026 janë zhvilluar shtatë protesta kombëtare, ndërsa një tjetër është paralajmëruar më 8 maj. 

Ky mobilizim i vazhdueshëm është shoqëruar nga një narrativë e dyfishtë: kërkesa për qeveri teknike dhe arritja tek “kilometri i fundit i qeverisjes aktuale”.

Qeveria teknike

Qeveria teknike nuk është një koncept i ri në diskursin e opozitës. Ajo është artikuluar prej vitesh si mekanizëm për garantimin e zgjedhjeve të lira, por në fazën aktuale është shndërruar në kusht të panegociueshëm. 

Në shkurt 2026, Berisha e përkufizoi qartë këtë pozicion: “O qeveri teknike, ose përballje. Këtë qeveri nuk e pranojmë kurrë më”. 

Paralelisht me këtë qëndrim, në fund të muajit shkurt 2026, kryeministri Edi Rama ndryshoi shtatë nga ministrat e kabinetit qeveritar. 

Për opozitën, lëvizjet në thelb nuk sollën ndryshimin e kërkuar  

“Kilometri i fundit”

Që nga janari 2026, me intensifikimin e protestave dhe me qëllim mobilizimin e demokratëve, Berisha ka futur në diskursin e tij politik një tjetër mesazh.

 “Jemi në kilometrin e fundit… një qeveri që del nga farsa elektorale nuk e meriton të rrijë në pushtet”, deklaronte ai më 21 janar, ndërsa në protestën e 24 janarit, Berisha shtonte: “Sot ne jemi në kilometrin e fundit… asgjë nuk do na ndalë drejt fitores tonë”. 

Në vijim, kjo shprehje e tij përcillet si “prova e fundit”, “leksioni i fundit” apo “kilometri i fitores”, duke e paraqitur situatën politike në kufi të një ndryshimi të madh.

Ironi mes demokratësh

Megjithatë, ky mesazh i përsëritur, sa herë lajmërohet një protestë e PD-së nuk ka kaluar pa shpotitje brenda vetë opozitës. 

Ish-deputeti, Ervin Salianji, aktualisht përballë lidershipit aktual, e ka ironizuar drejtpërdrejt këtë diskurs. 

“Ne jemi në kilometrin e fundit… Ka një muaj që është kilometri i fundit… mund të jenë metrat e fundit, se u bë një muaj”, është shprehur  ai.

Salianji ka kritikuar edhe strategjinë e protestave, duke theksuar mungesën e një plani të qartë për arritjen e objektivit politik. 

Sipas tij, lidershipi i PD “ka një paqartësi strategjike” dhe rritja e pritshmërive për rrëzim të shpejtë të qeverisë pa rezultate konkrete rrezikon të demotivojë mbështetësit. 

Nga njëra anë, PD artikulon një fazë përfundimtare të betejës politike, nga ana tjetër, brenda saj shfaqen zëra që e vënë në dyshim këtë synim duke  kërkuar një strategji të qartë.

The post Kilometri i pa-fundëm i Sali Berishës… appeared first on Faktoje.al.

“A e do faturën?” Nafta mbi 200 lekë, por tregtarët s’lëshojnë kupon

29 April 2026 at 16:24

Esmeralda Topi 

Nafta kaloi pragun e 200 lekëve për litër dhe bashkë me të u rikthye edhe debati i vjetër mbi mënyrën si funksionon tregu i karburanteve në Shqipëri. Kriza në Lindjen e Mesme dhe luhatjet në bursat ndërkombëtare u përkthyen shpejt në çmimet më të larta në rajon në pikat e shitjes kudo në Shqipëri, duke rënduar buxhetet familjare. 

Por problemi në vend nuk mbaron te kostoja në pompë. Përtej çmimit, në treg informaliteti mbetet i pranishëm dhe jo çdo transaksion lë gjithmonë gjurmë në sistemin fiskal.

“A e do faturën?” – kjo është pyetja që, sipas qytetarëve, dëgjohet shpesh sapo shitësi heq pompën nga automjeti.

Dhjetëra dëshmi të mbledhura nga Faktoje tregojnë se moslëshimi i faturës është kthyer në praktikë të zakonshme. Në disa raste, fatura nuk jepet nëse nuk kërkohet. Në të tjera, nuk jepet fare. Dhe kur jepet, nuk është gjithmonë e fiskalizuar.

“Doja të paguaja me kartë, por më thanë se POS-i nuk funksiononte. Paguajta cash dhe kërkova faturë në fund. Më dhanë një faturë të pafiskalizuar,” rrëfen një qytetar nga Tirana, ditën kur çmimi i naftës ishte 224 lekë për litër. 

Fatura që mungon

Ligjërisht, çdo litër karburant i shitur duhet të shoqërohet me faturë fiskale. Sistemi i fiskalizimit online u ndërtua për të garantuar që çdo transaksion të raportohet në kohë reale tek administrata tatimore. Por praktika në terren sugjeron se mes ligjit dhe zbatimit ekziston ende një hendek.

Në një treg ku karburanti ndikon pothuajse çdo hallkë të ekonomisë, nga transporti te çmimet e produkteve bazë, mungesa e faturës ngre pikëpyetje jo vetëm mbi disiplinën fiskale, por edhe mbi shkallën reale të informalitetit në sektor. 

Sipas ekspertit fiskal të qendrës ALTAX, Eduard Gjokutaj, moslëshimi i faturës nuk duhet parë si shkelje sporadike, por si tregues i dobësive institucionale në monitorimin e tregut.

“Nga këndvështrimi fiskal, moslëshimi i faturës krijon hapësirë për fshehje të xhiros reale dhe rrjedhimisht për evazion në TVSH dhe tatim-fitimin,” argumenton Gjokutaj. 

Në një sektor me volum të lartë qarkullimi, edhe devijime të vogla në raportim mund të përkthehen në humbje të mëdha për buxhetin e shtetit. Sipas tij, problemi shkon përtej të ardhurave fiskale, pasi deformon konkurrencën dhe krijon avantazh të padrejtë për operatorët që shmangin faturimin.

Një shqetësim të ngjashëm ngre edhe ekspertja e ekonomisë, Fatmira Kola, e cila e konsideron këtë praktikë si pasojë të normalizimit të informalitetit. 

“Në këtë realitet të rënduar, praktika e moslëshimit të faturës fiskale në pikat e karburantit nuk është vetëm abuzim: është një formë e pastër grabitjeje ekonomike ndaj qytetarëve dhe shtetit,” thotë ajo për Faktoje.

Sipas Kolës, vetë pyetja “a e doni faturën?” tregon se detyrimi ligjor është kthyer në zgjedhje opsionale. “Fatura nuk është opsion, është detyrim ligjor. Çdo litër i shitur pa faturë është një transaksion i padeklaruar, pra një humbje direkte për buxhetin e shtetit dhe një fitim i padrejtë për operatorin,” argumenton ajo. 

“Në një treg me qarkullim kaq të madh, – shton ekspertja, – kjo praktikë mund të përkthehet në miliona euro evazion”.

Kola paralajmëron se pasojat ndihen edhe në konkurrencën mes operatorëve. “Bizneset që zbatojnë rregullat ndëshkohen, ndërsa ata që shmangin taksat përfitojnë. Në thelb, krijohet një treg i padrejtë, ku ndershmëria bëhet disavantazh,” përfundon ajo.

Sipas ekspertëve, konsumatori mbetet hallka më e pambrojtur. 

Pa faturë, qytetari nuk ka provë për sasinë apo cilësinë e karburantit të blerë dhe humbet mundësinë për të bërë ankesë efektive. “Në thelb, moslëshimi i faturës në këtë sektor duhet parë si tregues i një problemi më të gjerë të disiplinës tatimore dhe të kapaciteteve të administrimit,” përfundon Gjokutaj.

“Denonconi” 

Luigj Aliaj, përfaqësues i Shoqatës së Hidrokarbureve, thotë se problemi i mos lëshimit të faturës nuk mund të përgjithësohet për të gjithë sektorin.

“Shqipëria ka rreth 1380 pika karburanti dhe ne nuk kemi anëtarë as 10 për qind të tyre. Por nëse ky fenomen ndodh, kanë përgjegjësi edhe klientët. Ligji thotë se po nuk të japin kupon, mos paguaj. Shitjet janë online dhe rezultati në kohë reale shkon në Tatime,” thotë Aliaj për Faktoje.

Ai shton se qytetarët duhet të denoncojnë rastet konkrete.

“Tatimet kanë qindra inspektorë në terren. Le të denoncojnë pikën që vepron kështu,” përfundon ai.

Në sektorin e karburanteve, ku qarkullimi financiar është i lartë dhe fitimet ndikohen nga diferenca të vogla çmimi, mungesa e fiskalizimit mund të ketë efekt të shumëfishtë.

Pasojat në buxhet

Sipas analizave fiskale të qendrës ALTAX, struktura e çmimit të naftës në Shqipëri dominohet nga taksat dhe kostot e tregtimit. Një pjesë e konsiderueshme e çmimit final përbëhet nga akciza, TVSH-ja, taksa e qarkullimit dhe tarifat e tjera që i shtohen kostos bazë.

Burimi: ALTAX

Kjo do të thotë se çdo litër i shitur jashtë sistemit fiskal nuk prek vetëm të ardhurat e biznesit, por edhe arkën e shtetit. Fiskalizimi online duhej ta kishte minimizuar këtë problem. Sistemi është ndërtuar pikërisht për të raportuar në kohë reale çdo transaksion tek administrata tatimore. Por dëshmitë e qytetarëve tregojnë se ekzistojnë ende hapësira për shmangie.

Në mars, shqetësimi për abuzimet në sektor u ngrit publikisht edhe nga deputeti Erion Braçe.

“Kam disa video që mi kanë çuar qytetarë, ku dëgjohen shitësit në pompë duke pyetur: ‘A e do faturën?’ Po mirë, çfarë do të thotë kjo? Për çdo shitje pa faturë, ku raportohet dhe si tatohet?” deklaroi ai.

Ministria e Financave ka njoftuar ngritjen e një task force të përbashkët mes Tatimeve dhe Doganave për monitorimin e sektorit të hidrokarbureve. Task Forca synon kontrollin jo vetëm të dokumentacionit tatimor dhe doganor, por edhe verifikimin fizik të sasive të karburantit që tregtohen në pikat e shumicës dhe pakicës. Megjithatë, pyetja mbetet nëse kontrollet mund të frenojnë një praktikë që qytetarët thonë se e hasin shpesh.

The post “A e do faturën?” Nafta mbi 200 lekë, por tregtarët s’lëshojnë kupon appeared first on Faktoje.al.

Mjekësi pa specialistë, Shqipëria e kufizuar në trajtimin shëndetësor

28 April 2026 at 17:02

Nga Sebi Alla 

Në qarkun Dibër, që përfshin bashkitë Peshkopi, Bulqizë dhe Mat, lista e mjekëve është aq shkurtër sa nuk ka nevojë për tabelë të hollësishme, vetëm 28 mjekë gjithsej, prej të cilëve 17 të përgjithshëm dhe vetëm 11 të specialiteteve. 

Te dhenat nga Urdhri i Mjekut

Po ashtu, qarku Kukës, Lezhë, Berat apo edhe Korçë, nuk janë të plotësuar me mjekë specialistë. 

Te dhenat nga Urdhri i Mjekut

Edhe në rastet kur ka në organikë mjekë specialistë, numri i tyre është shumë i vogël, (vetëm një) veçanërisht për dy specialitetet Onkologji dhe Ortopedi. Ndërkohë në Kukës nuk ka as mjek anestezist.

Te dhenat nga Urdhri i Mjekut

Diferenca mes mjekëve të përgjithshëm dhe të specialiteteve është i lartë, duke nxjerrë si fenomen shqetësues mungesën e shërbimit të specializuar për pacientët në zonat ku jetojnë, veçanërisht në Veri dhe Juglindje.  

Shpërndarja

Në të gjithë vendin janë të regjistruar 6037 mjekë me licensë. Të dhënat e vëna në dispozicion për Faktoje.al nga “Urdhri i Mjekut”, tregojnë se më shumë se 55 % e tyre janë mjekë të përgjithshëm, ndërsa pjesa tjetër specialistë të profileve të ndryshme mjekësore. 

Në referim të të dhënave zyrtare, ajo që duket problematike është shpërndarja e mjekëve specialistë në rang qarku.

Nga të dhënat rezulton se në rang qarku dominojnë mjekët e përgjithshëm me 3433 të tillë, duke krijuar një hendek të ndjeshëm me specialitetet. 

Një raport i detajuar i KLSH-së së vitit 2024, që analizon shpenzimet për pacientë, fondet që jepen për sistemin shëndetësor dhe mungesën e mjekëve specialistë konstaton probleme serioze në rrethe. 

“Ulja e numrit të ndërhyrjeve nën projeksionin vjetor të planifikuar kryesisht në spitale nivel bashkie ka ardhur si mosfunksionim i shërbimit të kirurgjisë së përgjithshme dhe shërbimit obstetrik gjinekologji si pasojë e mungesës së mjekeve specialistë në këto spitale. Spitali i Bulqizës, Gramshit, Kolonjës nuk ka mjek specialist anestezist, reanimator, nuk është funksional shërbimi i kujdesit intensiv”, konstaton raporti. 

Raporti 

Duke u ndalur tek shpenzimet, i njëjti raport vlerëson se një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve e zenë ato spitalore dhe evidentojnë edhe një rritje të shumës për bonusin e mjekëve specializantë, ndonëse në shifra të vogla.

“…financime për spitalet publike janë 1,166,362 mijë lekë më shumë; Shpenzime për paketat spitalore në privat janë 50,954 mijë lekë më shumë shpenzime bonus për mjekët specializantë janë 2,350 mijë lekë më shumë dhe shpenzimet për PPP sterilizim dializa janë 96,553 mijë lekë më shumë”, thotë KLSH-së duke iu referuar vitit 2023. 

Të gjithë në Tiranë

Përqëndrimi i shërbimit mjekësor më të specializuar është kryesisht në Tiranë. 

Nga 6037 mjekë në të gjithë vendin, Tirana ka tërhequr 3980, ose 66% të totalit. 

“Parimi është që ekselenca të mos përqëndrohet vetëm në Tiranë, por të jenë edhe në spitalet rajonale, me fusha të ndryshme specializimi”, tha tre javë më parë ministrja e Shëndetësisë Evis Salaj gjatë vizitës që zhvilloi në Spitalin Rajonal të Lezhës me kryeministrin Rama. 

Por përtej deklaratës, të dhënat zyrtare flasin për shërbim shëndetësor të kufizuar në rrethe të ndryshme të vendit dhe prej vitesh. 

Për vitin 2023 psh konstatohet që nga 100 vizita, vetëm 12 janë kryer nga mjekë specialistë dhe pjesa tjetër nga mjekë të përgjithshëm. “Gjatë vitit 2023 në Qendrat Shëndetësore të Kujdesit Parësor janë kryer 7,342,096 vizita, ku 6,460,590 vizita janë kryer nga mjekët e përgjithshëm të familjes dhe 881,506 vizita janë kryer nga mjekët specialistë të QSH të Specialiteteve në Tiranë”, konstaton raporti i KLSH-së. 

Fenomeni 

Në kryeqytet numërohen 61 specialitete mjekësore, ndërsa në katër spitale rajonale shtatë specialitete të mbuluara, por me numër mjaft të kufizuar.

Disi përjashtim, përveç Tiranës bëjnë Spitalet Rajonale në Durrës, Elbasan dhe Fier, ku numri i specialistëve dhe shërbimeve mjekësore që ofrohen është relativisht i lartë. 

Qarqet e tjera në vend përballen me mungesën e mjekëve specialistë.

Referuar një përgjigje zyrtare nga ministria e Shëndetësisë për Faktoje, numri i Spitaleve Rajonale në Republikën e Shqipërisë gjithsej është 10.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë

The post Mjekësi pa specialistë, Shqipëria e kufizuar në trajtimin shëndetësor appeared first on Faktoje.al.

Fshati që tërhoqi krimin, politikën dhe drejtësinë

24 April 2026 at 15:14

Fshati që tërhoqi krimin, politikën dhe drejtësinë

Nga Sebi Alla
Fotografitë: Atdhe Mulla

Shiriti me mbishkrimin “Pronë e Sekuestruar” mungon, dhe jo pa arsye. Do të duhej “tender i hapur” për rripat që rrethojnë 106 mijë metra katrorë tokë arë, pyje dhe vila, në emër të emrave të panjohur për fshatarët aty, por shumë të njohur për publikun, politikën, krimin dhe drejtësinë. 

Në buzë të lumit Erzen, ndanë autostradës Tiranë-Elbasan ndodhet fshati Qeha, duke vijuar me Shytaj dhe Mangull, pjesë e Njësisë Administrative Petrelë.

 

Ky vend i mbuluar nga gjelbërimi, kodrina tërheqëse dhe afërsi me kryeqytetin, është parë si oaz ku personazhe të proceduar për lidhje me krimin, zyrtarë të lartë publik, por edhe në majat e drejtësisë, të përvetësojnë pyje dhe blejnë toka bujqësore në zonat përreth. 

Pyjet e Aga(s)it

Vendndodhja e kompleksit “Equos Resort”, në dalje të fshatit Qeha, ndjell interes.

Agjentë të BKH-së dhe policisë, më 16 dhjetor të vitit të kaluar shkuan për të kontrolluar nëse Ergys Agasi i akuzuar për përfshirje në grup të strukturuar kriminal, shantazh, pengmarrje dhe ndikim në përcaktimin e tendera të AKSH-it, ndodhej ose jo në një nga shumë banesat e tij. 

Agasin nuk e gjetën, por në qilarin e një prej vilave (afër kompleksit) u zbulua një sasi e madhe vere në vlerën mbi 1.5 milionë euro.

 

Agasin nuk e gjetën, por në qilarin e një prej vilave (afër kompleksit) u zbulua
një sasi e madhe vere në vlerën mbi 1.5 milionë euro.

Për ta kjo ishte një provë me rëndësi, por natën vonë u zhduk e gjitha, duke i lënë BKH-së vetëm një fletë inventari në duar. Këtë të mërkurë, agjentët e BKH-së dhe Policisë së Shtetit shkuan sërish, por këtë herë me një vendim të GJKKO-së për sekuestrimin e pronave që dyshohet se i përkasin Ergys Agasit. Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, vetëm në këtë zonë Agasit i është sekuestruar 59.5 mijë metra katrorë pyll dhe tokë (dhe katër banesa, tre prej të cilave pa leje dhe ende në proces ndërtimi).

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, vetëm në këtë zonë Agasit i është
sekuestruar 59.5 mijë metra katrorë pyll dhe tokë

Mbetet hetim më vete për të zbuluar sesi pylli që në zërin kadastral cilësohet “pronë shtet”, e patjetërsueshme, ka kaluar në emër të Agasit.  

Gjithashtu po në këtë zonë, por në fshatin tjetër ngjitur, Shytaj, SPAK i ka sekuestruar sërish disa parcela tokë arë dhe pyje. Në një pjesë të tyre ka nisur infrastruktura lidhëse me rrugën kryesore, në plan për tu kthyer në kompleks vilash dhe shërbimesh. 

 

Toka e Berberit

Rruga i ndan në njërën anë Agasin dhe Berberin, për t’i bashkuar në copa të tjera toke arë dhe pyjesh, në të njëtën hapësirë, ku sytë në këtë mes pranvere shohin lule shumëngjyrëshe. 

Qeha-Mangull-Tokat_013
Qeha-Mangull-Tokat_018
Qeha-Mangull-Tokat_016
Qeha-Mangull-Tokat_020

Në mars të vitit 2024, Prokuroria Speciale SPAK njoftoi se kishte kërkuar dhe më pas ishte miratuar nga GJKKO sekuestrimin e disa pasurive në emër të Ervis Berberit

Në mars të vitit 2024, Prokuroria Speciale SPAK njoftoi se kishte kërkuar dhe më pas ishte miratuar nga GJKKO (Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) sekuestrimin e disa pasurive në emër të Ervis Berberit, ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për veprat penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. 

Pesë parcela tokë në total prej 34.2 mijë metrash katrorë e ndodhur në fshatin Mangull u sekuestruan vetëm për “pjesën takuese” të Berberit dhe shoqërisë DAAM.sh.p.k. 

Toka e Llallës

Agasi është “kufitar” edhe me pronën e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, tashmë e konfiskuar. 

Në pjesën lindore të kompleksit “Equos Resort” ndodhen 12.500 metra katrorë tokë arë dhe një pjesë e vogël pyll, e përfituar nga Llalla në kohën kur ishte në drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme, për të cilën SPAK në dhjetor në vitit 2020 kërkoi sekuestrimin e disa pasurive, përfshi edhe të kësaj parcele. 

Infrastrukturë për “elitën”

Në aksin e atostradës Tiranë Elbasan në projektin final ishte parashikuar dalja e parë sipas të gjithë kritereve teknike në fshatin Mullet. Në kohën kur pyje dhe toka arë u blenë ose zaptuan nga individët e pushtetshëm, ndërhyhet në një tjetër dalje në autostradë e cila përkon me fshatin Qeha. Në vijim, aksi Mangull-Kryezi përfiton një tjetër projekt infrastrukturor i cili është në fazën përfundimtare. Rrugë me dy kalime, trotuar dhe ndriçim. Financimi është nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në vlerën 205 milionë lekë me tvsh.

“Po të mos ishte për çunat që kanë blerë toka e pyje këtej, ne nuk na sillte shteti rrugë”, thotë një banor kalimthi, pasi askush nuk do “që të përzihet me ta”

“Po të mos ishte për çunat që kanë blerë toka e pyje këtej, ne nuk na sillte shteti rrugë”, thotë një banor kalimthi, pasi askush nuk do “që të përzihet me ta”. Frika por edhe autocensura këtu bëjnë të vetën, duke u ndjerë të pafuqishëm para fuqisë së individëve që gjithsesi janë “pronarë nën sekuestro” të hapësirave të mëdha pyje e tokë arë. Prona që askush nga banorët autoktonë aty nuk mundën që të merrnin pyjet e familjes, madje edhe tokën arë vetëm një pjesë është pajisur me dokumenta, ndryshe nga “blerësit e shpejtë” që në kohë të shkurtër jo vetëm tokën arë, por edhe pyjet i bënë “me dokumenta të rregullta”. 

The post Fshati që tërhoqi krimin, politikën dhe drejtësinë appeared first on Faktoje.al.

Rreziku i fshehur i digave në Tiranë

23 April 2026 at 14:00

Rreziku i fshehur i digave në Tiranë

Mungesë alarmi dhe monitorimi, mbi 145 mijë banorë të ekspozuar ndaj rrezikut


Nga: Esmeralda Topi
Fotografitë: Atdhe Mulla

Mëngjesi i 10 prillit na gjeti në rrugën drejt Bovillës. Deri tek reparti ushtarak në Zallherr rruga ishte e shtruar, por aventura nis sapo e kalon atë pikë. Asfalt i degraduar, gropa të shumta, një terren që të detyron të ngadalësosh ritmin dhe të ndjesh çdo tronditje të makinës. Megjithatë, kjo nuk i ndal mjetet e mbushura me turistë që çdo fundjavë ngjiten drejt Bovillës, të tërhequr nga pamja e rezervuarit dhe mundësitë për hiking në kodrat përreth.

Diga e Bovillës, e ndërtuar në vitin 1998 për furnizimin me ujë të Tiranës, është një nga veprat më të rëndësishme hidroteknike të vendit. Me lartësi 91 metra dhe një rezervuar prej mbi 78 milionë m³ ujë, ajo mban mbi shpinë jetën e kryeqytetit. Poshtë saj jetojnë më shumë se 100 mijë banorë të ekspozuar ndaj rrezikut potencial, pasi mungojnë sistemet e monitorimit dhe alarmit. 

“Në digë dhe në zonën poshtë saj nuk ka asnjë sistem alarmi për rastet e emergjencave civile, megjithëse kjo digë… konsiderohet vepër e rëndësisë së veçantë”,  nxjerr në pah një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit. 

“Në digë dhe në zonën poshtë saj nuk ka asnjë sistem alarmi për rastet e emergjencave civile, megjithëse kjo digë… konsiderohet vepër e rëndësisë së veçantë”, nxjerr në pah një auditim
i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Auditimi evidenton edhe një çarje të madhe në masivin shkëmbor 500 metra larg digës, e identifikuar prej vitesh, por pa masa konkrete për monitorim apo eliminim të rrezikut. Të njëjtat problematika janë vënë në pah edhe nga Komiteti Kombëtar i Digave, i cili në raportin e fundit e cilëson Bovillën si rast kritik. 

“Mungojnë sistemet e alarmit në trupin e digave… instalimi i sistemeve të tilla moderne është një domosdoshmëri urgjente dhe ligjore,”  theksohet në raport. 

Duke e renditur Bovillën ndër digat më të rrezikuara, Komiteti i Digave thekson se mungesa e instrumenteve të monitorimit dhe e planeve të gadishmërisë civile e ekspozon komunitetin poshtë saj ndaj një rreziku ekstrem, ku çdo defekt teknik mund të kthehet në katastrofë për mbi 100 mijë banorë. 

Ndërmarrja e Ujësjellës kanalizimeve Tiranë, që ka nën administrim digën e Bovillës, i pranon problematikat, por në përgjigjen për Faktoje thekson se janë vënë në lëvizje për t’i adresuar.

Auditimi evidenton edhe një çarje të madhe në masivin shkëmbor 500 metra larg digës,
e identifikuar prej vitesh, por pa masa konkrete për monitorim apo eliminim të rrezikut.

“Monitorimi gjeodezik kryhet dy herë në vit… Monitorimi hidrologjik, çdo ditë kryhet matja e nivelit të ujit në liqen dhe pasqyrohet në ditarin e digës. Këto ditë është instaluar edhe sensori me anën e të cilit kryhet monitorim online i nivelit të ujit” thuhet në përgjigjen e UKT-së. 

UKT pohon se monitorimi sizmik është jashtë funksionit për shkak të dëmtimit të kabllit dhe një sensori, por shton se riparimi është planifikuar brenda tre muajve të ardhshëm. Po ashtu, ndërmarrja ka hartuar një projekt për vendosjen e sistemeve të monitorimit dhe një sistem alarmi për banorët poshtë digës. 

“Gjendja teknike e digës që administrohet nga UKT-sha, është e qëndrueshme dhe pa probleme teknike që mund të vër në diskutim sigurinë e saj” përfundon UKT.

Diga e liqenit, 24 vite
pa porta shkarkimi

Tirana ka nën administrim 38 diga të mëdha për ujitje, peshkim dhe zhvillim urban. Pas digës së Bovillës, e cila mbetet kritike për furnizimin me ujë të kryeqytetit, një tjetër vepër e rëndësishme dhe e rrezikuar është diga e Liqenit Artificial. Kjo digë e vjetër, e ndërtuar në vitet 1957–1958, ka shërbyer për dekada si pjesë e parkut rekreativ të Tiranës, por sot përballet me problematika të shumta.

“Në këtë digë nuk ka sisteme monitorimi funksionalë për asnjë element të përcaktuar në aktet ligjore dhe nënligjore, përjashtuar një matësi manual të nivelit të ujit” nxjerr në pah auditimi i fundit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. 

“Në këtë digë nuk ka sisteme monitorimi funksionalë për asnjë element të përcaktuar në aktet ligjore dhe nënligjore, përjashtuar një matësi manual të nivelit të ujit” nxjerr në pah auditimi i fundit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Po ashtu, KLSH thekson se portat e shkarkimit nuk funksionojnë në mënyrë të kontrolluar, duke e bërë të pamundur shkarkimin e shpejtë të ujit në raste emergjente. Një sifon prej çeliku, me kapacitet të vogël, nuk mund të përballojë prurje të mëdha, duke e lënë strukturën të pambrojtur.

Nga ana tjetër, edhe vet Komiteti Kombëtar i Digave, e cilëson Liqenin Artificial si rast kritik. 

“Ka më se 22 vjet që portat e shkarkimit janë bllokuar… Megjithëse në zonën poshtë saj banojnë afro 45 mijë banorë, nuk ka të instaluar asnjë instrument për monitorimin e digës dhe asnjë sistem alarmi” shkruhet në raportin e fundit. 

“Ka më se 22 vjet që portat e shkarkimit janë bllokuar… Megjithëse në zonën poshtë saj banojnë afro 45 mijë banorë, nuk ka të instaluar asnjë instrument për monitorimin e digës
dhe asnjë sistem alarmi” shkruhet në raportin e fundit.

Portat e shkarkimit të digës së Liqenit Artificial kanë mbi 24 vite të bllokuara. Ky mosfunksionim lidhet me ngjarjen e 27 shtatorit 2002, kur banorët pranë liqenit u zgjuan mes përmbytjes. Hapja e një porte shkarkuese rezultoi fatale, duke shkaktuar dëme të shumta materiale, sidomos në banesat njëkatëshe të zonës së Komunës së Parisit. 

Sot në zonën e rrezikut jetojnë mbi 45 mijë njerëz.

Nëse shkon dhe e sheh nga afër digën, jo thjesht vrapon me kufje në vesh rreth e qark saj, do të dallosh shenjat e mosmirëmbajtjes që e shoqërojnë prej dekadash. Skarpatat janë të mbuluara me pllaka të rëna, me bimësi me rrënjë të thella, të cilat rrisin rrezikun e filtrimeve dhe erozionit të brendshëm. Aparaturat e monitorimit mungojnë krejtësisht, duke e lënë digën pa “sy” teknikë që të paralajmërojnë për ndonjë defekt

Boville_Liqeni i Thate_030
Boville_Liqeni i Thate_032
Boville_Liqeni i Thate_027
Boville_Liqeni i Thate_026
Boville_Liqeni i Thate_025
Boville_Liqeni i Thate_031

Në vend të sistemeve moderne, në digën e Liqenit Artificial ekziston vetëm një mjet “primitiv” i quajtur LAT, një dërrasë e vijëzuar në metra dhe centimetra për matjen manuale të nivelit të ujit. Ky sistem nuk jep asnjë paralajmërim në rast rritjeje të shpejtë të nivelit të ujit, duke e bërë të pamundur reagimin në kohë. Ndonëse parashikon pesë sisteme të detyrueshme monitorimi (gjeodezik, sizmik, hidrogjeologjik, hidrologjik dhe gjeologjik) në Liqenin Artificial asnjë nuk është funksional.

Në vend të sistemeve moderne, në digën e Liqenit Artificial ekziston vetëm një mjet “primitiv” i quajtur LAT, një dërrasë e vijëzuar në metra dhe centimetra për matjen manuale të nivelit të ujit

 Ky sistem nuk jep asnjë paralajmërim në rast rritjeje të shpejtë të nivelit të ujit, duke e bërë të pamundur reagimin në kohë. Ndonëse parashikon pesë sisteme të detyrueshme monitorimi (gjeodezik, sizmik, hidrogjeologjik, hidrologjik dhe gjeologjik) në Liqenin Artificial asnjë nuk është funksional.

Bovilla dhe Liqeni, ndër
50 digat më të rrezikuara

Auditimet dhe raportet nxjerrin në pah boshllëqe të mëdha në sigurinë e digave, ndaj ekspertët e fushës e cilësojnë instalimin e sistemeve të monitorimit jo vetëm si urgjencë, por si një kërkesë ligjore të vonuar, që prek drejtpërdrejt jetën e mbi 145 mijë banorëve poshtë Bovillës dhe Liqenit Artificial.

Arjan Jovani President i EURCOLD dhe ish-kryetar i Komitetit të Digave të Mëdha, thekson domosdoshmërinë e ndërhyrjes.

“Të ngrihet alerti i domosdoshmërisë të monitorimit të digave. Është e domosdoshme instalimi i sistemeve të monitorimit të digave. Jo vetëm është e domosdoshme por është kërkesë teknike edhe ligjore që bëhet në të gjithë Evropën”

Ai shton se bazuar në eksperiencën botërore, instalimi i sistemeve nuk është thjesht urgjencë, por një detyrim i vonuar.

“Komiteti para dy vitesh ka çuar listën me 50 digat më të rrezikuara në Shqipëri (ku përfshihet Liqeni dhe Bovilla sepse kanë 100 mijë dhe 45 mijë banorë)” argumenton Jovani për Faktoje. 

“Komiteti para dy vitesh ka çuar listën me 50 digat më të rrezikuara në Shqipëri
(ku përfshihet Liqeni dhe Bovilla sepse kanë 100 mijë dhe 45 mijë banorë)”
argumenton Jovani për Faktoje.

Vetëm instalimi i sistemeve moderne të monitorimit dhe alarmit, së bashku me respektimin e standardeve ligjore e teknike, mund të garantojë që alarmi i ngritur të mos bie në vesh të shurdhër. Investimet mund të shmangin përsëritjen ngjarjet e së shkuarës, në mënyrë që Bovilla dhe Liqeni Artificial të mos mbeten simbole të neglizhencës. 

The post Rreziku i fshehur i digave në Tiranë appeared first on Faktoje.al.

Ergys Agasi nën sekuestro, por a është në kërkim ndërkombëtar? Çfarë thotë Interpoli

22 April 2026 at 14:48

Nga Sebi Alla

“Ergys Agasi mbrohet nga shteti. Nuk ekziston mandat ndërkombëtar arresti për Ergys Agasin”, tha kryetari i PD-së Sali Berisha, në një konferencë për shtyp, duke ngritur dyshimin se po mbrohet nga strukturat policore. 

Për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin (biznesmenë në fusha të ndryshme, përfshi komunikacionin), që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar ka urdhër-arresti dhe janë shpallur në kërkim për përfshirjen në organizatë kriminale për tenderat e AKSH-it. 

Për SPAK, Agasi konsiderohet si person kyç në këtë aktivitet të dyshuar kriminal me rrëmbime, shantazh, tendera të paracaktuara dhe afera, duke implikuar edhe zyrtarë të lartë publik. 

Vetëm ditën e djeshme këtij grupi, përfshirë edhe ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj iu sekuestruan mbi 40 milionë euro pasuri, vila, apartamente, toka arë, troje, ullishte, pyje, automjete dhe llogari bankare. Por përtej emrit Ergys Agasi që për herë të parë u cilësua si “njeriu hije që lidh politikën me botën e krimit”, nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, a është shpallur ai në kërkim ndërkombëtar? 

Përgjigja e Interpol Tiranës 

Faktoje.al iu drejtua Policisë së Shtetit (sektorit të Interpolit), me kërkesë për informacion nëse shtetasi Ergys Agasi është shpallur ose jo në kërkim, nisur nga deklarata e Berishës. 

Në përgjigjen e mbërritur nga Drejtoria e Interpolit, nuk jepet informacion, duke e cilësuar si “informacion të klasifikuar”. “…Bazuar në ligjin nr 10/2023 ‘për informacionin e klasifikuar’, neni 28, ‘kriteret për njohje e informacionit të klasifikuar’, kërkesa juaj nuk mund të trajtohet nga ana jonë për shkak të nivelit të klasifikimit”, thotë Drejtoria e Interpolit (Interpol Tirana), pranë Policisë së Shtetit. 

Faktoje u konsultua me burime të pavarura duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën sesi një person me masë sigurie “arrest me burg” të konfirmuar me formë të prerë mund të shpallet ose jo në kërkim ndërkombëtar dhe veçanërisht për harkun kohor kur për personin në kërkim njoftohet Europol dhe më pas Interpol. 

“Në momentin që me kërkesë të prokurorisë gjykata konfirmon masën “arrest me burg”, strukturat policore vihen menjëherë në dijeni zyrtarisht dhe nga ai çast bëhet shpallja në kërkim në vend”, thotë burimi. 

Hapësira për interpretime

Proceduralisht, por edhe në praktikën policore, për çdo person që ka urdhër arresti për vepra penale që shkojnë mbi 7 vite dënim, pasi kryhet verifikimi në Shqipëri, si kontrolle mbi adresat e banimit, kontrolle tek të afërm (kur ka informacion në rrugë operative) dhe verifikimet në pikat e kalimit kufitar, atëherë shpallen në kërkim ndërkombëtar, fillimisht njoftohet zyra e Europolit dhe më pas Interpolit. Për rastin “Agas”i a është ndjekur kjo procedurë? I njëjti burim në kushtet e anonimatit saktësoi se për shtetasin në fjalë, duke qenë se dyshohet se ka disa banesa, biznese të deklaruara, por sipas Prokurorisë Speciale edhe të fshehura, nevojitet ezaurimi i plotë i këtyre kontrolleve dhe më pas kryhet shpallja në kërkim ndërkombëtar. 

Nga momenti i lëshimit të urdhër-arrestit kanë kaluar katër muaj dhe në raste “të zakonshme” për shtetas të ndryshëm, kërkimet në vend nuk kalojnë më shumë se 1.5 muaj dhe shpallen automatikisht në kërkim ndërkombëtar. Po për Agasin a po “shkelet ky rregull”? 

Kreu i PD-së akuzon Policinë e Shtetit se po e mbron duke mos e shpallur ndërkombëtarisht në kërkim, por procedurat policore lenë hapësirë për interpretim dhe afate. Policia e Shtetit brenda një viti duhet të ketë ezauruar të gjithë procedurat nga kërkimi në vend në atë ndërkombëtar, pasi hapësira 1-vjeçare shërben si kohë që personi nën akuzë ka të drejtat që të njihet me procesin dhe të marrë pjesë në gjykim. 

Pas kalimit të afatit 1-vjeçar ndaj tij mund të kryhet edhe gjykimi në mungesë. 

Sekuestrimi i pasurive 

Prokuroria Speciale, SPAK njoftoi dje se ka sekuestruar pasuri me vlerë mbi 40 milionë euro në kuadër të procedimit penal kundër ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe biznesmenëve Ergys Agasi, Ermal Beqirit dhe tre biznesmenëve të tjerë të ndërlidhur në aktivitetin e dyshuar kriminal. Disa banesa, pyje, tokë arë, apartamente, garazhe, njësi shërbimi dhe llogari bankare në emër të Ergys Agasit janë vënë në sekuestro, po ashtu edhe Karçanajt i janë seluestruar dy apartamente, automjet dhe tokë arë.   

The post Ergys Agasi nën sekuestro, por a është në kërkim ndërkombëtar? Çfarë thotë Interpoli appeared first on Faktoje.al.

❌