Normal view

I pavërtetuar efikasiteti i antiparazitarit Ivermectin në trajtimin e një sërë sëmundjesh

25 August 2026 at 16:17

Pretendimi: Antiparazitari Ivermectin përdoret te njerëzit për të trajtuar gjithfarë sëmundjesh, nga Covid-19 deri te kanceri.

Verdikti: E paprovuar

———————————————————————

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, antiparazitari Ivermectin vijon të reklamohet si një kurë mrekullibërëse për gjithfarë sëmundjesh dhe problemesh shëndetësore që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, nga Covid-19, tek sëmundjet autoimune tek kanceri. 

Si zakonisht, për të mbështetur këto pretendime të jashtëzakonshme nuk sillet ndonjë referencë, burim apo provë, aq më pak të jashtëzakonshme.

Postimi i mësipërm duket të jeë përkthimi në shqip i një postimi në Tëitter nga një llogari me emrin @DrDavidivw, e cila vetëpërshkruhet si “një studiues i kancerit”. Megjithatë, llogaria nuk e ka bërë emrin e vërtetë publik dhe foto që ka në profil është një foto ilustruese e marrë nga interneti. Më tej, llogaria shet Ivermectin dhe antiparazitarë të tjerë, një konflikt interesi lehtësisht i dallueshëm.

Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave miratoi përdorimin e ivermektinës “për të trajtuar disa krimba parazitarë”, ndërsa formulimet topike janë të disponueshme për morrat e kokës dhe rosacea, skuqjen e lëkurës.

Ivermectina është provuar të jetë “klinikisht efektive kundër infeksioneve të caktuara nga krimbat dhe zgjebja”, tha për AFP më 29 prill 2025 Akos Heinemann, drejtues i kërkimit në departamentin e farmakologjisë në Universitetin Mjekësor të Grazit. “Çdo gjë tjetër është spekulim i bazuar në të dhëna shkencërisht të pambështetshme ose thjesht është i sajuar”, tha ai.

Ivermektina ka efekte anësore të mundshme serioze.

Në vitin 2021, mes rritjes së numrit të rasteve drejtuar qendrave të helmimit, Departamenti kanadez i Shëndetit lëshoi ​​një paralajmërim kundër marrjes së ivermektinës jashtë etiketës ose në versione për bagëtinë. “Kanadezët nuk duhet të konsumojnë kurrë produkte shëndetësore të destinuara për kafshët për shkak të rreziqeve të mundshme serioze shëndetësore, duke përfshirë kriza, komë dhe madje edhe vdekje”, tha institucioni.

Heinemann tha se “dhënia ose marrja e ivermektinës jashtë indikacioneve të saj të miratuara është neglizhencë e rëndë.”

Monika Redlberger-Fritz, studiuese në Qendrën për Virologji në Universitetin Mjekësor të Vjenës, u pajtua. “Ivermektina duhet të përdoret vetëm siç është autorizuar; të gjitha përdorimet e tjera nuk janë të rekomanduara”, tha ajo për AFP.

Gjatë pandemisë, studiuesit hetuan nëse ivermektina mund të trajtonte Covid-19, por studimet nuk arritën të gjenin ndonjë përfitim klinik.

The post I pavërtetuar efikasiteti i antiparazitarit Ivermectin në trajtimin e një sërë sëmundjesh appeared first on Faktoje.al.

TVSH-ja 10% për fermerët, fati i tyre në dorë të grumbulluesve

25 August 2026 at 16:12

Esmeralda Topi 

Kur prezantoi skemën e re të kompensimit të TVSH-së për prodhuesit bujqësorë, ministri i Financave, Petrit Malaj, e argumentoi atë si një mënyrë për të mbështetur fermerët dhe për të formalizuar sektorin bujqësor.

Por mënyra se si është ndërtuar skema vendos disa kushte për fermerët dhe po nxjerr “jashtë loje” fermerët e vegjël. Për të marrë kompensimin 10%, ata duhet të jenë të pajisur me NIPT pranë administratës tatimore, të kenë faturat që dokumentojnë shitjen e prodhimeve dhe t’ia kenë shitur prodhimet subjekteve të regjistruara për TVSH. 

2,397 aplikime deri në fund të korrikut

Të dhënat e Administratës Tatimore tregojnë se në Shqipëri janë të regjistruar 111,600 fermerë me NIPT. Por nga janari deri në fund të korrikut ishin regjistruar gjithsej 2,397 aplikime për kompensimin e  TVSH-së. Vlera totale e kërkuar nga fermerët arrinte në 587 milionë lekë, ose rreth 5.9 milionë euro. Nëse kjo shifër krahasohet me 111,600 fermerët e pajisur me NIPT, aplikimet përfaqësojnë vetëm rreth 2.1% të tyre.

Ndërkohë, autoritetet presin që vlera potenciale e kompensimit deri në fund të vitit të arrijë në rreth 13.8 milionë euro.

Pra, në fund të korrikut, fermerët kishin kërkuar më pak se gjysmën e shumës që administrata pret të kompensojë deri në fund të vitit. Afati i aplikimit vijon deri në fund të vitit dhe numri i aplikimeve mund të rritet. Por shifrat e deritanishme tregojnë një hendek të madh mes numrit të fermerëve të regjistruar dhe atyre që kanë arritur të hyjnë realisht në skemë. 

Problemi i faturave

Për të marrë 10% kompensim, fermeri duhet të dorëzojë kërkesën pranë tatimeve bashkë me autofaturat ku figuron NIPT-i i tij, si dhe numrin e llogarisë bankare. Afatet ndahen në dy periudha gjashtëmujore dhe administrata tatimore ka 30 ditë për të kryer pagesën. 

Thënë kjo. një nga kushtet kryesore për të përfituar kompensimin është dokumentimi i shitjes përmes faturës. Pikërisht këtu duket se skema po përballet me një nga problemet që ishte paralajmëruar që në fillim.

Më 28 korrik, ministri i Financave, Petrit Malaj, u bëri thirrje subjekteve grumbulluese dhe përpunuese që të vijonin të lëshonin faturat për fermerët.

“Ju bëj thirrje subjekteve grumbulluese dhe përpunuese që të vijojnë të lëshojnë faturat për fermerët pasi kemi shqetësime të marra nga ky grup për sa i përket marrjes së faturave” deklaroi Malaj. 

Me pak fjalë, sikurse u paralajmërua që në fillim fati i fermerit është në dorë të grumbulluesit apo përpunuesit. 

Kufizimi që u paralajmërua që në fillim

Problemi i faturimit nuk është i vetmi kufizim. Skema e re përcakton se kompensimi 10% lidhet me shitjet te subjekte të regjistruara për TVSH, si grumbulluesit, përpunuesit apo agroturizmat e certifikuara. Kjo e përjashton nga skema një pjesë të fermerëve të vegjël që shesin produktet e tyre në tregje, në pika të zakonshme shitjeje apo drejtpërdrejt te konsumatori.

Në këtë mënyrë, skema nuk i jep fermerit të drejtën të marrë kompensimin pavarësisht se ku e shet prodhimin. Përfitimi kushtëzohet nga kujt ia shet dhe nëse shitja dokumentohet sipas kërkesave të skemës.

Ky ishte një nga problemet e ngritura gjatë diskutimit të skemës së re për kompensimin e TVSH-së. Por qeveria e justifikoi mekanizmin me nevojën për formalizimin e sektorit. 

Përfundim 

Të dhënat e deritanishme nuk mjaftojnë për të deklaruar se skema ka dështuar. Afati i aplikimit nuk ka përfunduar dhe numri i përfituesve mund të rritet gjatë muajve në vijim. Por me të dhënat aktuale, vërtetohet se kufizimet e identifikuara si shqetësuese që në hartimin e skemës po shfaqen në praktikë.

Nga 111,600 fermerë me NIPT, vetëm 2,397 kishin aplikuar deri më 27 korrik. Ndërkohë, ministri i Financave pranon se fermerët kanë probleme me marrjen e faturave, një element thelbësor për të kërkuar kompensimin.

Pra, skema është aktive dhe po gjeneron aplikime, por deri tani ajo nuk ka arritur të përfshijë pjesën më të madhe të fermerëve që janë të regjistruar.

The post TVSH-ja 10% për fermerët, fati i tyre në dorë të grumbulluesve appeared first on Faktoje.al.

Spanja nuk ka penalizuar me burgim së fundi fyerjen e Kuranit

25 August 2026 at 14:31

Pretendimi: Spanja e ka shpallur vepër penale fyerjen e Profetit Muhamed dhe të Kuranit

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————————-

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se Spanja e ka shpallur vepër penale fyerjen e Profetit Muhamed dhe të Kuranit. Ky njoftim ndahet në kuadër të narrativës që e portretizon Spanjën si një nga vendet evropiane që është rreshtuar kundër Izraelit prej nisjes së operacioneve ushtarake në Gaza dhe territoret e tjera palestineze.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk ofrohet ndonjë provë, burim apo referencë.

Nuk ka raportime për ndonjë ligj të ri spanjoll që bën vepër penale fyerjen e Profetit Muhamed dhe të Kuranit. 

Fjalët “Muhamed”, “Mahoma” (një version spanjoll i emrit të Muhamedit) dhe “Kuran” nuk përmenden në versionin e fundit të Kodit Penal spanjoll, i cili do të kishte përfshirë një ligj të tillë, nëse ai do të ekzistonte.

Në të njëjtën linjë me legjislacionet e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, Kodi Penal i tanishëm spanjoll, Neni 510, i përditësuar në vitin 2022, përcakton se “ata që inkurajojnë, promovojnë ose nxisin publikisht urrejtje, armiqësi, diskriminim ose dhunë kundër një grupi, një segmenti të tij ose një personi specifik për shkak të përkatësisë së tyre” për arsye të ndryshme, duke përfshirë ato “të lidhura me fenë”, do të dënohen me 1-4 vjet burgim.

Njerëzit që “prodhojnë, krijojnë, posedojnë me qëllim shpërndarjen” e materialit që “është i përshtatshëm për të nxitur, promovuar ose nxitur, drejtpërdrejt ose tërthorazi, urrejtje, armiqësi, diskriminim ose dhunë kundër një grupi”, gjithashtu mund të përballen me të njëjtin dënim, sipas Seksionit 1.

Seksioni 2 i Nenit 510 parashikon deri në 2 vjet burgim dhe gjobë për njerëzit që “dëmtojnë dinjitetin e personave përmes veprimeve që përfshijnë poshtërim, përbuzje ose diskreditim” të grupeve të ndryshme të përcaktuara në Seksionin 1, që përfshinin grupet fetare.

Ndërsa neni 525 i Kodit Penal ndëshkon ata “që, me qëllim ofendimin e ndjenjave të anëtarëve të një besimi fetar, tallen publikisht, me gojë, me shkrim ose me anë të çdo lloj dokumenti, dogmat, besimet, ritet ose ceremonitë e tyre, ose që, gjithashtu publikisht, keqtrajtojnë ata që i praktikojnë ose i praktikojnë ato.” Ofendimet kundër dikujt që nuk deklaron asnjë fe ose besim janë gjithashtu të dënueshme.

Nenet 510 dhe 525 nuk përmendin specifikisht asnjë fe, apo simbol fetar, si Muhamedi apo Kurani.

The post Spanja nuk ka penalizuar me burgim së fundi fyerjen e Kuranit appeared first on Faktoje.al.

Ky marshim masiv nuk ka lidhje me fluksin në kufirin spanjoll

24 August 2026 at 16:46

Pretendimi: Kjo video tregon emigrantë marokenë në Ceuta, enklava spanjolle në Afrikën veriore

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————————–

Në rrjetet sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një video që pretendohet se tregon emigrantë marokenë në enklavën spanjolle në Afrikën veriore, Ceuta.

Në fund të korrikut 2026, mbi 70 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Mbi 100 persona vdiqën si pasojë. Rreth njëmijë të mitur mbeten në Ceuta.

Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon emigrantë marokenë në Ceuta në fund të korrikut 2026.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar në rrjet që në 5 korrik 2026, gati një muaj para emigrimit masiv drejt Ceutës.

Sipas përshkrimit që shoqëron videon, ajo është xhiruar në malin Cudi, në Turqinë juglindore.

Llogaria që e ka postuar fillimisht videon i përket Bedri Caner, një gazetar për median vendase online Sirnak Haber 73. Pyetur nga AFP, ai konfirmoi se ishte autori i videos.

“E filmova këtë video 28 ditë më parë në malin Cudi, në zonën ku besohet se ndodhet Arka e Noes”, shpjegoi ai, duke shtuar se një festival u mbajt më 4 dhe 5 korrik, duke bashkuar “midis 40 mijë dhe 50 mijë njerëz që erdhën në vendin [e lidhur me] Arkën e Noes për qëllime përkujtimore dhe pelegrinazhi”.

Caner ka postuar gjithashtu një video tjetër të botuar në të njëjtën ditë, si dhe një video në 29 qershor, që tregon një peizazh të ngjashëm me atë të parë në videon e mësipërme.

Video shfaqet gjithashtu në një artikull të medias vendase në lidhje me këtë festival, në të cilin mori pjesë, ndër të tjerë, kreu i Parlamentit Turk, Numan Kurtulmus.

Faktoje ka përgënjeshtruar një numër pretendimesh të tjera rreth emigrantëve marokenë në Ceuta.

The post Ky marshim masiv nuk ka lidhje me fluksin në kufirin spanjoll appeared first on Faktoje.al.

Garancia Sovrane për fermerët, analiza e një nisme që nuk arriti te bujqësia

24 August 2026 at 16:18

Nga Megi Iskurti

Aksesi në financim ka qenë prej vitesh një nga sfidat kryesore të fermerëve shqiptarë.

Për t’iu përgjigjur këtij problemi, qeveria prezantoi në qershor të 2025-ës Garancinë Sovrane për sektorin e bujqësisë, një skemë që synonte të lehtësonte aksesin në financim për fermerët.

Instrumenti parashikonte një fond prej 3 miliardë lekësh, ku shteti do të merrte përsipër deri në 70% të garancisë së kredisë, ndërsa fermerët do të merrni kredi me interes 2%.

Qëllimi ishte që bankat të kishin më pak risk dhe fermerët të kishin më shumë mundësi për financim. 

Skema synonte të mbështeste investime në sera, mekanikë bujqësore, agropërpunim dhe aktivitete të tjera të lidhura me zhvillimin rural.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi skemën një “hop të madh cilësor” për bujqësinë dhe sipërmarrjen në fshat, duke theksuar se objektivi ishte që fermerët të kishin më shumë mundësi për investime përmes kredive, me kushte më të favorshme.

“Kjo garanci synon të zgjidhë një nga pengesat më të mëdha për financimin në këtë sektor, mungesën e kolateralit dhe të nxisë kreditim e këtij sektori kaq të rëndësishëm me kosto sa të ulët”, tha Petrit Malaj, ministër i Financave. 

Në letër, formula dukej e favorshme: shteti merrte pjesën më të madhe të riskut, fermeri siguronte kredi me kosto të ulët dhe banka kishte një garanci shtesë.

Por në praktikë, fermerët nuk iu drejtuan në masën e pritshme kësaj skeme.

Rezultati nën pritshmëri

Disa muaj pas nisjes, rezultati ishte shumë larg pritshmërive.

Faktoje raportoi më herët se nga fondi prej 3 miliardë lekësh, deri në fund të vitit 2025 u përdorën rreth 366 milionë lekë, ose 12% e shumës totale.  

Përdorimi i ulët solli disa muaj më vonë, në korrik të 2026-ës, rishikimin e skemës 

Në vend që të mbetej vetëm një instrument i dedikuar për fermerët, qeveria vendosi ta zgjerojë edhe për biznese të tjera, pavarësisht sektorit ku ushtrojnë aktivitetin.

Vendimi i ri 

Ky ndryshimi i skemës u formalizua me një vendim të ri të Këshillit të Ministrave më 31 qershor, në të cilin parashikohej një linjë garancie shtetërore me vlerë 5 miliardë lekë për garantimin e huave të bizneseve të vogla në të gjithë sektorët e ekonomisë, si edhe të fermerëve të regjistruar dhe të pajisur me NIPT.

Fakti që skema u zgjerua edhe për bizneset jashtë bujqësisë ngriti pikëpyetje mbi efektivitetin e modelit fillestar dhe arsyet pse ajo nuk arriti të tërhiqte fermerët në masën e parashikuar.

Për të siguruar një qëndrim zyrtar mbi ecurinë e skemës dhe faktorët që kanë ndikuar në rezultatet e saj, Faktoje.al iu drejtua Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me një kërkesë për informacion. 

Pyetjet drejtuar institucionit synonin të sqaronin shkaqet e mosarritjes së objektivit fillestar për rritjen e aksesit të fermerëve në financim, arsyet e zgjerimit të skemës së garancisë sovrane edhe për ndërmarrje jashtë sektorit bujqësor, si dhe vlerësimin e vetë Ministrisë mbi hendekun mes pritshmërive të deklaruara dhe rezultateve të arritura.

Pas dërgimit të kërkesës, Faktoje.al priti afatin ligjor prej 10 ditësh për marrjen e një përgjigjeje, por në mungesë të saj, iu drejtua Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. 

Pas shqyrtimit të ankesës, Zyra e Komisionerit vlerësoi se kërkesa nuk mund të trajtohej në kuadër të ligjit “Për të Drejtën e Informimit”, pasi pyetjet e parashtruara kërkonin analizë dhe vlerësim nga ana e institucionit publik, ndërsa ligji garanton akses vetëm në dokumente dhe të dhëna të regjistruara që mbahen nga autoritetet.

Pse skema nuk arriti te fermerët

Sipas ekspertëve, përgjigjja nuk lidhet vetëm me interesin apo garancinë.

Ilir Pilku, ekspert i lartë i bujqësisë argumenton për Faktoje se një nga problemet kryesore ishte mospërputhja mes mënyrës si funksionon një fermë shqiptare dhe kërkesave të sistemit bankar.

Shumë fermerë kanë aktivitet ekonomik real, por nuk funksionojnë si biznese të formalizuara me bilance, histori financiare dhe dokumentacion të plotë.

Sipas Pilkut, bankat shpesh nuk e konsideruan të mjaftueshëm regjistrimin si fermer dhe kërkuan elementë që zakonisht i kanë bizneset e strukturuara.

“Kjo përjashtoi një pjesë të madhe të fermerëve shqiptarë, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre si fermerë të regjistruar, por jo si subjekte tregtare me kontabilitet të plotë”, vëren Pilku. 

Së dyti, sipas tij, bankat nuk kanë ndërtuar ende kapacitetet e nevojshme profesionale për të analizuar ekonominë e një ferme. 

“Vlerësimi i një biznesi bujqësor nuk mund të bëhet me të njëjtat kritere si një biznes tregtar apo industrial. Ai kërkon ekspertizë mbi ciklet e prodhimit, sezonalitetin, rreziqet klimatike, produktivitetin, tregjet dhe flukset reale të të ardhurave të fermës. Në mungesë të këtyre strukturave dhe specialistëve, shumë aplikime u refuzuan ose u konsideruan me risk të lartë.

Kjo është një dobësi serioze, sepse bujqësia nuk është thjesht një sektor ekonomik. Ajo është garantuesja e sigurisë ushqimore të vendit, furnizuesja kryesore e popullatës me produkte të freskëta dhe baza e industrisë agro-përpunuese. 

Nëse fermerët nuk financohen, atëherë edhe industria e përpunimit përballet me mungesë të lëndës së parë vendase, duke rritur varësinë nga importet”, shton ai. 

Bujqësia kërkon më shumë se një skemë kredie

Eksperti i bujqësisë Ervin Resuli e sheh problemin nga një këndvështrim më strukturor.

Sipas tij, bujqësia shqiptare vuan nga nën-investimi kronik: ferma të vogla dhe të fragmentuara, teknologji e vjetruar, mungesë mekanizimi dhe sisteme ujitjeje.

Për këtë arsye, ai argumenton se financimi nuk mund të zgjidhet vetëm me një skemë kredie.

“Garancia ul riskun për bankën, por nuk e bën fermerin të bankueshëm nëse ai mbetet informal dhe pa dokumentacion”, thotë Resuli.

Sipas tij, shumë fermerë përballen me mungesë të titujve të pronësisë, mungesë kolaterali, mungesë historie bankare dhe të ardhura sezonale që nuk përshtaten me kreditë klasike.

“Bujqësia mbetet e nënfinancuar sepse problemi nuk zgjidhet vetëm me garanci shtetërore mbi interesat siç e tregoi edhe skema e fundit, ku kredia për sektorin u rrit minimalisht dhe qeveria u detyrua ta zgjerojë skemën për të gjitha bizneset.

Çfarë duhet të ndryshojë: së pari, formalizimi dhe regjistrimi i fermerëve e konsolidimi i tokës, që të kenë çfarë të ofrojnë si garanci; së dyti, produkte krediti të dizajnuara për bujqësinë, me maturitete dhe këste që ndjekin ciklin e prodhimit; së treti, kombinimi i kredisë me skemat mbështetëse (grante, sigurime bujqësore kundër riskut klimatik) dhe me asistencë teknike, që fermeri të dijë të përgatisë një plan investimi”, vijon Resuli për Faktoje.

Sipas tij, pa këto reforma paralele, çdo skemë financimi rrezikon të mbetet në letër.

Pengesat që e lanë fermerin pa financim 

Salim Bana, një fermer nga Peshkopia që punon rreth 5 hektarë tokë dhe ka dhjetra krerë bagëti, thotë se nuk arriti të përfitonte nga skema e garancisë sovrane, pavarësisht se kishte nevojë për financim për aktivitetin e tij bujqësor.

Sipas tij, pengesa kryesore ishin kërkesat e bankës për dokumentacionin dhe garancitë, ndërsa procedurat për aplikimin i dukeshin të ndërlikuara.

“E dëgjova që shteti garantonte një pjesë të kredisë dhe mendova se mund të ishte një mundësi për të investuar në tokë, për të blerë disa makineri që më duhen dhe për të rritur prodhimin. 

Unë kam tokën dhe punoj çdo ditë, por kur shkova për të pyetur për kredinë, më kërkuan dokumente dhe garanci që nuk i kisha të gjitha gati. Në fund nuk e vazhdova procedurën, sepse nuk e dija nëse do të arrija ta merrja kredinë dhe nëse do të përballoja gjithë kushtet e saj. Garancia sovrane ishte në letër, por për mua nuk ishte aq e thjeshtë për ta marrë,” shprehet ai.

Për të, problemi nuk ishte vetëm marrja e kredisë, por edhe pasiguria nëse investimi do të mund të përballonte këstin e saj.

Në bujqësi, thotë ai për Faktoje.al, të ardhurat varen nga prodhimi, çmimet e tregut dhe kushtet e motit, ndaj sipas tij, një kredi kërkon një llogari të kujdesshme.

“Për një fermer që merret gjithë ditën me tokën, nuk është e thjeshtë të merresh edhe me banka, plane biznesi e dokumente. Në fund thashë më mirë të mos futem në një borxh që nuk jam i sigurt se mund ta përballoj.

Kur nuk ke një të ardhur të sigurt çdo muaj, e mendon dy herë para se të marrësh përsipër një borxh. Nëse do të kishte më shumë siguri se kredia mund të merrej pa kërkesa që janë të vështira për një fermer, do ta shihja si një mundësi për të investuar më shumë në tokë dhe për të rritur prodhimin”, thotë mandej ai.

Qasje e re ndaj financimit të bujqësisë

I pyetur se çfarë duhet të ndryshojë që kreditimi të japë rezultate për fermerët, edhe Pilku thotë se nuk mjafton krijimi i skemave të garancisë apo subvencionimi i interesit. 

Sipas tij, nevojitet një ndryshim në vetë mënyrën se si sistemi financiar e trajton bujqësinë.

“Bankat duhet të ndërtojnë struktura të dedikuara për financimin e sektorit bujqësor. Kjo nënkupton krijimin e një zinxhiri profesional që fillon me bankierët e terrenit, të cilët njohin fermat dhe realitetin rural, vazhdon me specialistë të analizës financiare të sektorit bujqësor dhe përfundon me ekspertë të riskut që janë në gjendje të vlerësojnë saktë potencialin dhe rreziqet e një investimi në bujqësi. 

Nuk mund të analizohet një fermë me të njëjtat kritere që analizohen një supermarket apo një kompani ndërtimi.

Së dyti, bankat duhet të zhvillojnë produkte financiare të dedikuara për çdo aktivitet bujqësor. 

Bujqësia ka nevoja të ndryshme financimi: kredi afatgjata për investime në sera, mekanikë bujqësore, pemëtore apo blegtori, por edhe kredi afatshkurtra për kapital qarkullues, si blerja e farërave, fidanëve, plehrave kimike, ushqimit për kafshët, karburantit dhe kostove të sezonit. Produktet standarde bankare nuk i përgjigjen ciklit biologjik dhe sezonal të bujqësisë.

Së treti, duhet të ketë një bashkëpunim shumë më të ngushtë ndërmjet sistemit bankar, institucioneve publike dhe shoqata të sektorit bujqësor për edukimin financiar të fermerëve”, argumenton Pilku. 

“Zgjerimi i garancisë dobëson efektin e skemës për bujqësinë”

Sipas Ilir Pilkut, zgjerimi i skemës përtej sektorit bujqësor ndryshon edhe vetë natyrën e saj. 

“Në momentin që në të njëjtën skemë përfshihen edhe biznese jashtë sektorit bujqësor, ajo nuk mund të konsiderohet më një skemë e dedikuar për mbështetjen e bujqësisë përmes kreditimit të butë dhe garancisë sovrane. 

Në praktikë, ajo shndërrohet në një skemë të përgjithshme për mbështetjen e biznesit”, argumenton ai.

Ndonëse shton se zgjerimi i skemës mund të shërbejë si një instrument për mbështetjen e biznesit në tërësi, ai thekson se sektori kërkon politika të dedikuara, produkte financiare të përshtatura dhe institucione që kuptojnë specifikat e aktivitetit bujqësor.

The post Garancia Sovrane për fermerët, analiza e një nisme që nuk arriti te bujqësia appeared first on Faktoje.al.

I gjeneruar imazhi i kamerave nga vrasja e turistit portugez në Ksamil

24 August 2026 at 15:47

Pretendimi: Ky imazh tregon pamjet e vrasjes në Ksamil nga kamerat e sigurisë

Verdikti: Mungon konteksti, Gjeneruar me AI

——————————————————————————

Pas vrasjes së një turisti portugez në Ksamil më 18 gusht, në media dhe rrjetet sociale shqipfolëse nisi të qarkullojë një imazh që pretendohet se tregon pamjet e ngjarjes nga kamerat e sigurisë të lokalit.

Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). 

Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.

Një tjetër detaj i mëtejshëm që konfirmon se bëhet fjalë për një gjenerim imazhi është data në pjesën e sipërme të imazhit që pretendohet nga kamera e lokalit. Data 18 gusht ishte ditë e martë, ndërsa në këtë imazh shfaqet si ditë e hënë (Monday), një gabim logjik, i zakonshëm për programet e inteligjencës artificiale.  

Duket se pretendimi se imazhi tregon ngjarjen tragjike e ka zanafillën në një artikull të medias VNA, ku imazhi i mësipërm ishte përdorur si imazh ilustrues, pa pretenduar se tregonte pamje nga kamerat e sigurisë, por edhe pa u etiketuar si i gjeneruar me AI. Pavarësisht se ky keqkuptim është bërë publik nga media në fjalë, imazhi vazhdon të jetë i publikuar në një pjesë të madhe të mediave të tjera që e publikuan. 

The post I gjeneruar imazhi i kamerave nga vrasja e turistit portugez në Ksamil appeared first on Faktoje.al.

Nisja e vitit shkollor nuk ka ndryshuar papritur

21 August 2026 at 22:00

Pretendimi: Ministria e Arsimit ka ndryshuar papritur datën e nisjes së vitit shkollor 2026-2027

Verdikti: Mungon konteksti, Clickbait

———————————————————————-

Një postim që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse në fund të gushtit 2026 pretendon se, me publikimin e kalendarit të Ministrisë së Arsimit, ka ndryshuar papritur data e nisjes së vitit shkollor 2026-2027. Lexuesit ftohen të mësojnë më shumë duke klikuar në lidhjen në komente.

Në brendësi të artikullit të referuar në komente mësohet se “sipas kalendarit të miratuar, viti i ri shkollor do të nisë më 14 shtator 2026.”

Megjithatë, ky nuk është lajm i ri, dhe data e nisjes së shkollës për vitin akademik 2026-2027 nuk ka ndryshuar nga njoftime të mëparshme.

Ministria e Arsimit përcaktoi 14 shtatorin si datënisjen e vitit të ri shkollor që më 21 prill 2026.

Urdhëri i Ministrisë së Arsimit përcaktoi se shkolla do të fillojë më 14 shtator 2026

Artikuj në media nga maji dhe korriku 2026 kanë raportuar më parë se nisja e vitit shkollor këtë vit do të ishte 14 shtatori.

Titulli i mësipërm dukshëm synon të përfitojnë klikime duke tërhequr interesin dhe vëmendjen e publikut.

Faktoje ka përgënjeshtuar edhe më parë postime keqinformuese nga i njejti portal, madje edhe postime veçanërisht mbi pensionet.

The post Nisja e vitit shkollor nuk ka ndryshuar papritur appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar kjo monedhë e shtetit bektashi në gjuhën hebraike

21 August 2026 at 15:31

Pretendimi: Këto imazhe tregojnë monedhën e shtetit bektashian në Shqipëri, me shkrimin në shqip dhe në hebraisht.

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————————

Një artikull në median franceze Intelligence Online ka rikthyer në vëmendjen publike idenë e një shteti bektashian, dy vite pasi kryeministri shqiptar Edi Rama foli për themelimin e një enklave bektashiane në Tiranë që do ndiqte modelin e Vatikanit në Romë, dhe do të kishte administratën, kufijtë dhe pasaportat e tij.

Në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë dy imazhe që pretendohet se tregojnë monedhën e shtetit bektashian në Shqipëri, me shkrim në shqip dhe në hebraisht. Kjo si një provë e dyshimeve që qarkullojnë në rrjet që prej shpalljes së këtij projekti, se pas krijimit të shtetit bektashi qëndron Izraeli. 

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.

Imazhet e mësipërme nuk janë reale. Ato janë gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.

Sipas artikullit të botuar në Intelligence Online më 18 gusht, “zyrtarët bektashianë dhe kryepari i tyre shpirtëror, Edmond Brahimaj, i njohur si Baba Mondi që shërbeu si oficer në ushtrinë shqiptare deri në rënien e regjimit komunist, po përgatisin themelet e shtetit të ardhshëm.” Sipas autorit Franck Renaud, drejtuesit bektashinj po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një monedhe të re, e cila do të quhej “bek” dhe, sipas artikullit, mund të indeksohej me çmimin e arit.

The post E gjeneruar kjo monedhë e shtetit bektashi në gjuhën hebraike appeared first on Faktoje.al.

Ksamili dhe Dhërmiu dominohen nga plazhet private

21 August 2026 at 15:29

Nga Jona Cenameri

Më 4 korrik 2026, kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale një video me mbishkrimin “Plazhet publike në Ksamil”. Pamjet tregonin një hapësirë të organizuar nga Bashkia Sarandë, me çadra në dispozicion të pushuesve.

Në video, hapësira publike dukej e kufizuar në katër rreshta me nga gjashtë çadra secila, ndërsa menjëherë ngjitur shtrihej një plazh privat dukshëm më i madh.

Nën postimin e kryeministrit reagoi edhe Aleksandër Trajçe, drejtues i PPNEA, i cili ngriti pikërisht çështjen e raportit mes hapësirës publike dhe asaj private: “Sa qesharake të lësh 20 metra plazh publik dhe gjithë pjesën tjetër privat. A mos duhej të ishte e kundërta?”

Por videoja vinte pas një premtimi shumë më të gjerë të bërë nga kryeministri në vitin 2025 për sezonin pasardhës.

Premtimi 

Më 4 shtator 2025, gjatë një takimi për ecurinë e turizmit dhe objektivat për vitin 2030, Rama kritikoi mënyrën se si ishin administruar disa prej plazheve më të frekuentuara të jugut.

Për Ksamilin ai përdori termin “plazh i dhunuar”, duke iu referuar dendësisë së çadrave, çmimeve të larta dhe cilësisë së shërbimit në hapësirat private. Sipas tij, nuk kishte më arsye që plazhi i Ksamilit të vazhdonte të ishte në duart e privatëve.

Edhe për Dhërmiun, Rama kritikoi praninë e subjekteve private që vendosnin çadra, shezlongë dhe beach bar-e, ndërsa solli si shembull administrimin nga Bashkia Himarë të një hapësire publike me çadra të identifikuara me logon e bashkisë.

Në fund të fjalës së tij kryeministri e konkretizoi edhe më tej planin:

“Shumë shpejt do të nxjerrim edhe gjithë planin e ri për bregdetin dhe në bashkëpunim me gjithë bashkitë, do të kuptojmë ekzaktësisht se cilat plazhe bashkitë do t’i marrin tërësisht, por dy njëherë janë të sigurta, Ksamilin dhe Dhërmiun”

Ksamili dhe Dhërmiu ishin dy zonat për të cilat Rama referonte shumë shpejt plan për kalimin tërësisht nën administrimin e bashkive respektive, nëse gjithnjë i referohemi qëndrimit që ai kishte për dy plazhet në fjalë 

“Po marr Ksamilin sepse është një ndër plazhet më të bukur të botës dhe nuk mund të jetë më pre e injorantëve që e shikojnë si një tokë për t’ u pushtuar dhe pastaj për t’u sjellë me turistët dhe me vizitorët si të ishin skllevër që mund të hanë edhe shkopin e çadrës në kokë, apo për të vendosur çmime për të qëndruar në një dendësi të paimagjinueshme në plazh, që janë çmime që vetëm lëndojnë imazhin e turizmit shqiptar dhe nga ana tjetër, në tërësi ne duhet të shërojmë plazhet e dhunuara, t’ua heqim nga dora privatëve. Nuk ka arsye më, që plazhi i Ksamilit të jetë një plazh privat ku dendësia është e lidhur me stresin, e lidhur me çmime marramendëse, e lidhur me një shërbim mizerabël”, u shpreh Rama para se të shkonte tek premtimi konkret. 

I njëjti interpretim edhe për Dhërmiun.

“Plazhi i Dhërmiut nuk ka nevojë fare të ketë subjekte që vijnë nga zona të tjera, për të vendosu çadra, për të vendosur shezlongë dhe për të vendosur beach-bar që çmendin dynjanë me muzikën e tyre dhe që derdhin ujërat e zeza në det. Nuk ka nevojë. Kryetari i bashkisë së Himarës e ka treguar me një shembull konkret se si bashkia mund të administrojë një plazh në përmasa modeste në Himarë, jo thjesht duke hapur zonën që të shkosh dhe të shtrihesh në rërë, por duke pasur çadra të loguara me ngjyrat e bashkisë së Himarës dhe një shërbim absolutisht të pastër dhe absolutisht të këndshëm pa salltanete të mëdha, po pa asnjë stres”, shprehej Rama duke bërë dallimin me plazhet e tjera që kanë shumë me shumë vijë bregdetare. 

“Natyrisht që plazhe si plazhi i Durrësit, si plazhi i Shëngjinit apo si plazhi i Velipojës që janë plazhe të mëdha nuk mund të kthehen në plazhe 100% të administruara nga bashkia, por duhet të vazhdojnë në shembullin më të mirë dhe me praktikat më të mira, të rrisin kërkesën për një shërbim cilësor që i përgjigjet asaj që qytetari paguan…” 

Ksamili 2026

Gati një vit më pas, Faktoje shkoi në terren për të parë se çfarë kishte ndodhur.

Më 29 korrik 2026, në kulmin e sezonit turistik, Faktoje verifikoi në terren hapësirën publike të promovuar nga kryeministri në Ksamil. 

Plazhi ishte i mbushur me pushues, mes të cilëve kishte edhe shumë turistë të huaj.

Në këtë pjesë të plazhit ishin vendosur 24 çadra nga Bashkia Sarandë, të organizuara në katër rreshta me nga gjashtë çadra secila. Qëndrimi ishte falas dhe pushuesit mund të vendosnin edhe çadrat apo tendat e tyre personale.

Në një tabelë informuese, qytetarëve u kërkohej të mbanin pastër plazhin dhe të merrnin me vete çadrat personale kur largoheshin. 

Po aty, njoftohej se në këtë hapësirë nuk kishte roje plazhi.

Hapësira publike ishte e mbingarkuar. Përveç vendeve nën çadrat e bashkisë, disa pushues ishin ngjeshur në skajet e plazhit apo në hapësirat mes çadrave, ku kishin vendosur peshqirë, çadra dhe tenda personale. 

Në të dyja anët e kësaj hapësire publike shtriheshin plazhe private me rreshta çadrash dhe shezlongësh, të cilëve nga ai pozicion nuk u dukej fundi.

Pamja në terren tregonte një hapësirë publike falas të kufizuar, të vendosur mes sipërfaqeve të gjera të administruara privatisht. 

Faktoje i kërkoi Bashkisë Sarandë informacionin konkret mbi numrin dhe sipërfaqen e plazheve publike dhe private në Ksamil për sezonin 2026. Deri në publikimin e këtij shkrimi, Bashkia Sarandë nuk ka kthyer përgjigje.

Foto e shkeputur ne Ksamil
Foto e shkeputur ne Ksamil

Dhërmiu 2026

Më 29 korrik, një punonjëse e një kioske udhëtimesh pranë bregut i tha Faktoje se në Dhërmi “çdo gjë është private”. Ajo tregoi si përjashtime një plazh publik në skajin e vijës bregdetare, pranë Havanës, si edhe disa hapësira të lira mes Lucianos dhe platformës ku niseshin varka dhe motorë uji, ku sipas saj pushuesit mund të vendosnin çadrat e tyre personale.

Pikërisht aty, pushuesit kishin vendosur peshqirë apo çadrat e tyre personale. 

Nuk kishte tabela që i identifikonin si plazhe publike. 

Një tabelë e verdhë paralajmëronte vetëm për hyrje-daljen e skafeve.

Terreni ishte shkëmbor, i parregulluar dhe ndodhej mes dy hapësirave të shfrytëzuara nga biznese private, ndërsa në mes të kësaj hapësire publike funksiononte edhe platforma për mjetet lundruese.

Më tej, duke ndjekur drejtimin e treguar nga punonjësja, Faktoje gjeti në anën tjetër të vijës bregdetare hapësirën e identifikuar me tabelën “Plazh publik-Bashkia Himarë”. 

Zona ishte më e gjerë, por nuk kishte çadra apo shezlongë të vendosur nga bashkia dhe, në momentin e verifikimit, përdorej nga pak pushues.

Foto e shkeputur ne Dhermi

Në përgjigjen e dërguar për Faktoje më 7 gusht 2026, Bashkia Himarë bëri të ditur se në zonën e Dhërmiut funksionojnë gjithsej 91 stacione plazhi, të cilat institucioni i ndan në tre kategori:

  • 23 parcela janë plazhe publike;
  • 48 parcela janë dhënë me kontratë subjekteve private;
  • 20 parcela administrohen nga Bashkia Himarë pa kontratë.

Bashkia nuk specifikoi vendndodhjen, sipërfaqen apo kufijtë e këtyre parcelave, ndaj në terren nuk ishte e mundur të kuptohej se cilat hapësira përkonin me 23 parcelat publike dhe cilat me 20 parcelat e administruara nga bashkia pa kontratë. 

Në terren, ndarja mes këtyre kategorive nuk ishte e dallueshme. Dhe vetem një hapësirë në gjithë vijën bregdetare të Dhërmiut shoqërohej me një tabelë identifikuese “Plazh publik”  

Foto e shkeputur ne Dhermi
Foto e shkeputur ne Dhermi

Ajo që mbetet e qartë nga terreni dhe të dhënat zyrtare është se as Dhërmiu nuk ka kaluar tërësisht në administrimin e Bashkisë Himarë, siç kishte deklaruar kryeministri.

Përfundim

Në shtator 2025, Kryeministri Edi Rama deklaroi se, shumë shpejt do të nxirrej plani i ri për bregdetin në bashkëpunim me gjithë bashkitë për të  kuptuar ekzaktësisht se cilat plazhe bashkitë do t’i marrin tërësisht, por dy njëherë, sipas tij ishin të sigurta, Ksamili dhe Dhërmiu. 

Verifikimi i Faktojes konkretisht në Ksamil dhe Dhërmi tregon se ky synim nuk është realizuar. 

Në të dyja plazhet administrimi privat vijon të zërë pjesën dërrmuese të bregdetit, ndërsa hapësirat publike mbeten të kufizuara, në disa vende madje të paidentifikueshme qartë përmes tabelash. 

Ndërkohë zyrtarisht, Bashkia Sarandë nuk iu përgjigj kërkesës së Faktojes brenda afateve ligjore, ndërsa ajo e Himarës ofroi një panoramë që nuk i përgjigjej planit të premtuar nga Rama.    

Për këtë arsye, Faktoje e vlerëson premtimin e kryeministrit Edi Rama deri më tani si të pambajtur.

The post Ksamili dhe Dhërmiu dominohen nga plazhet private appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar kjo foto e Albin Kurtit në uniformën e gjeneralit serb

21 August 2026 at 12:52

Pretendimi: Kjo foto shfaq kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me uniformën e ushtrisë serbe

Vlerësimi: Foto e gjeneruar me AI

Barbara Halla

Në rrjetet sociale po qarkullon një imazh ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paraqitet i veshur me uniformë ushtarake serbe. Pamja duket se është krijuar përmes inteligjencës artificiale dhe përdoret për të përcjellë një mesazh politik që e paraqet Kurtin si të lidhur me Serbinë, në një përpjekje për të dëmtuar imazhin e tij tek publiku shqiptar. 

Duke verifikuar detajet e uniformës ceremoniale të ushtrisë serbe mund të konstatohet disa detaje që konfirmojnë se bëhet fjalë për një imazh të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale. Më konkretisht, stema zyrtare në krahun e majtë është një mbivendosje e flamurit serb me stemën e kryqit dhe katër C-ve, një gabim logjik i programeve të gjenerimit të fotove. 

Uniforma e drejtuesve të lartë serbë, siç mund të konstatohet në fotot e faqes zyrtare të Forcave të Armatosura të Serbisë, mban stemën e kryqit dhe 4 C-ve në krahun e majtë dhe flamurin serb në atë të djathtë. 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviç (në mes të fotos) me uniformën e gjeneralit

Detaje të tjera zbulojnë se uniforma ku shfaqet kryeministri Kurti ka shumë medalje, shirita dekorativë ceremonial në kapele si dhe stil të ngarkuar, jo tipik për uniformën zyrtare serbe.

Imazhi shoqërohet me një tekst që e quan Kurtin dhe mbështetësit e tij “antishqiptarë” dhe e vendos pretendimin në kuadër të përplasjeve politike mes Tiranës dhe Prishtinës. Postimi kritikon Edi Ramën për qëndrimet e tij ndaj Kosovës, ndërsa pretendon se Kurti dhe institucionet e Kosovës nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në çështjet e Shqipërisë. Megjithatë, këto janë vlerësime politike dhe nuk përbëjnë prova që lidhen me autenticitetin e fotografisë.

Në fakt, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë vazhduar të jenë të ndërthurura përmes bashkëpunimit institucional, edhe pse Rama dhe Kurti kanë pasur mosmarrëveshje të dukshme politike. Në shkurt 2026, dy kryeministrat u takuan në Prishtinë dhe diskutuan forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, përfshirë projekte në infrastrukturë, energji, arsim dhe ekonomi.

Imazhi duhet parë edhe në kontekstin e një vale më të gjerë materialesh të fabrikuara që synojnë ta lidhin Kurtin me Serbinë. Një verifikim i mëparshëm nga Kallxo/Krypometër konstatoi se një fotografi tjetër ku Kurti shfaqej me Aleksandar Vuçiqin dhe Vojislav Sheshelin ishte gjeneruar me inteligjencë artificiale, ndërsa një raportim i vitit 2026 dokumenton edhe imazhe të tjera të manipuluara që e paraqesin Kurtin me simbole nacionaliste serbe.

The post E gjeneruar kjo foto e Albin Kurtit në uniformën e gjeneralit serb appeared first on Faktoje.al.

Giorgia Meloni nuk u konvertua në besimtare islame me emrin Aishe

21 August 2026 at 12:48

Pretendimi: Kryeministrja italiane njoftoi papritur konvertimin në fenë myslymane

Vlerësimi: E pavërtetë, Foto e manipuluar AI

Barbara Halla

Disa imazhe po qarkullojnë në rrjete sociale në Shqipëri, ku kryeministrja italiane Giorgia Meloni shfaqet e mbuluar me shami në Mekë, dhe shoqëruar nga një mesazh, sipas të cilit ajo është konvertuar në fenë islame. Në fakt, nuk ka asnjë deklaratë zyrtare që Meloni të ketë marrë një vendim të tillë dhe imazhi vetë duket se është krijuar përmes inteligjencës artificiale. 

Në postimin në Facebook, thuhet se Meloni e ka bërë deklaratën e saj në X/Twitter, dhe më pas lajmi është shpërndarë më tej nga Rai Uno, një nga kalanet televizive shtetërore të Italisë. Një kërkimi i thjeshtë si në faqen e Melonit dhe në arkivat e Rai-t nuk nxjerr në pah asnjë deklaratë të tillë. Imazhi vetë duket të jetë gjeneruar duke marrë si bazë foto të grave myslymane që shkojnë në Mekë për pelegrinazhin vjetor.

Për më tepër, teksti vijon me pretendime se Giorgia do të quhet tashmë Aisha dhe se po kërkon një bashkëshort mysliman, elemente që e bëjnë të duket më shumë si material satirik sesa si lajm i mirëfilltë. 

Faqja në fjalë ka publikuar dhe një imazh të ngjashëm të zëvendëskryeministrit Matteo Salvini, po me të njejtin tonë sarkastik, duke treguar që kemi të bëjmë me një narrativë të koordinuar. 

Rasti është veçanërisht domethënës, pasi në maj 2026 Giorgia Meloni paralajmëroi publikisht për rrezikun e deepfake‑ve, pas shpërndarjes së imazheve të rreme të saj të krijuara me inteligjencë artificiale. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të verifikojnë çdo përmbajtje përpara se ta besojnë ose ta shpërndajnë.

Përdorimi i temës së fesë dhe referimi ndaj konvertimit fetar të dy politikanëve të djathtë italianë shton një ngarkesë të fortë ideologjike, duke e bërë manipulimin më të ndjeshëm dhe më të lehtë për t’u instrumentalizuar. 

The post Giorgia Meloni nuk u konvertua në besimtare islame me emrin Aishe appeared first on Faktoje.al.

Asnjë provë për vizitat e kryeministrit izraelit Netanyahu në ishullin e Epstein

21 August 2026 at 12:20

Pretendimi: Kryeministri izraelit Netanyahu ka vizituar “890 herë” ishullin e skandaleve seksuale të Jeffrey Epstein

Vlerësimi: E paprovuar

Barbara Halla

Një pretendim po qarkullon në Facebook se Benjamin Netanyahu ka vizituar “890 herë” ishullin privat të Jeffrey Epstein. Mes shumë akuzave që i vishen kryeministrit izraelit pas luftës në Gaza, ky “mëkat” i ri nuk mbështetet nga dokumentet publike të publikuara deri tani. Nuk ka prova të besueshme që Netanyahu të ketë vizituar ishullin Little Saint James, apo që të ketë udhëtuar atje i shoqëruar nga financieri famëkeq amerikan. 

Epstein, i lidhur me rrjete të fuqishme politike e biznesore, u arrestua për trafik seksual të të miturve dhe vdiq në burg në vitin 2019, duke lënë pas një sërë hetimesh dhe akuzash të pazgjidhura që vazhdojnë të ngjallin debat publik.

Dokumentet e publikuara në kuadër të çështjes Epstein përmbajnë referenca ndaj Netanyahu-t. Këtu bëhet fjalë për gjashtë referenca dhe asnjëra nuk përmend numrin e “890” vizitave. Për më tepër, prania e një emri në këto materiale nuk do të thotë se personi ka vizituar ishullin apo ka kryer ndonjë vepër penale. Një indeks i dokumenteve të publikuara deri më tani e liston emrin e Netanyahu-t në disa materiale, ndërsa nuk e përfshin atë në regjistrat e fluturimeve të Epstein-it.

Ndërkohë, lidhja e dokumentuar mes Epstein-it dhe ish-kryeministrit izraelit Ehud Barak është e një natyre krejt tjetër. Dokumentet tregojnë kontakte të shpeshta mes tyre dhe vizita të Barakut në apartamentin e Epstein-it dhe në ishullin e tij. Associated Press ka raportuar se Barak ka pranuar vizitat dhe kontaktet e tij me Epstein-in, ndërsa ka mohuar të ketë parë apo marrë pjesë në sjellje të papërshtatshme.

Vetë Netanyahu, në shkurt 2026, reagoi ndaj publikimit të dokumenteve duke thënë se marrëdhënia e ngushtë mes Barakut dhe Epstein-it nuk provon se Epstein ka punuar për Izraelin, por sipas tij të kundërtën. The Times of Israel raportoi gjithashtu se nuk kishte prova për lidhje të Epstein-it me shërbimet inteligjente izraelite.

The post Asnjë provë për vizitat e kryeministrit izraelit Netanyahu në ishullin e Epstein appeared first on Faktoje.al.

Shqipëria nën sulme çdo sekondë, FIMI besimi dhe demokracia

21 August 2026 at 12:00

Manipulimi dhe ndërhyrja e informacionit të huaj (FIMI) është një sfidë e madhe për Shqipërinë, e cila pas sulmit masiv kibernetik të Iranit në vitin 2022 kuptoi se është po aq e ekspozuar sa vendet e tjera të Evropës. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në podcast me Drejtoreshën Ekzekutive të Faktoje.al, Klodiana Kapo, thekson se rreziku kryesor në këtë rast nuk lidhet vetëm me institucionet, por me besimin e qytetarëve tek demokracia dhe rrugëtimi europian. Ministri Hoxha thotë se Shqipëria sot ka çdo sekondë një sulm relativisht të madh, shumë të madh ose masiv nga jashtë. Ndërkohë strategjia kombëtare kundër dezinformimit e miratuar një vit më parë mbetet e paplotësuar pa akte nënligjore dhe buxhet konkret. Hoxha nënvizon se është shumë e rëndësishme të kemi mekanizma që shkojnë tek faktet, sepse, siç shprehet ai, e vërteta është vetëm një, ndërsa narrativat janë shumë. Në intervistë, ministri Hoxha ndalet edhe tek debati për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër, duke e cilësuar veprim diplomatik bazuar në reciprocitet. Ai thekson se interesi kryesor i Shqipërisë është hapja e konsullatës në Luginën e Preshevës për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve atje.

The post Shqipëria nën sulme çdo sekondë, FIMI besimi dhe demokracia appeared first on Faktoje.al.

Obama nuk pranoi bashkëpunimin me Drejtësinë për pagesat ndaj Iranit

20 August 2026 at 16:48

Pretendimi: Avokatët e ish-presidentit amerikan Barack Obama premtuan bashkëpunim të plotë në këmbim të mbrojtjes pasi ekipi hetues i Pam Bondi gjeti dosje sekrete në një server në Teheran që përfshinin transferta bankare të Hezbollahut dhe direktiva të Bengazit

Verdikti: E paprovuar

————————————————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi i pazakontë se avokatët e ish-presidentit amerikan Barack Obama premtuan bashkëpunim të plotë në këmbim të mbrojtjes pasi ekipi hetues i Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi gjeti dosje sekrete inkriminuese në një server në Teheran.

Megjithëse postimi i mësipërm bën një sërë pretendimesh të jashtëzakonshme lidhur me ish-presidentin, për t’i mbështetur ai nuk ofron ndonjë provë, burim apo referencë, aq më pak të jashtëzakonshme.

Dosjet e pretenduara nuk janë publikuar dhe asnjë burim zyrtar nuk ka pretenduar se dosje të tilla apo një server në Teheran ekzistojnë.

Teksti i mësipërm qarkullon në anglisht që prej prillit 2026. Pretendimi u bazua në pagesat që administratat e Joe Biden dhe Barack Obama lëshuan për Iranin si pjesë e marrëveshjeve mes ShBA dhe Iranit për ndalimin e programit bërthamor. Pagesa ishte pjesë e një marrëveshjeje zgjidhjeje për një kontratë të dështuar armësh para vitit 1979, dhe një shumë fillestare prej 400 milionë dollarësh u dërgua me avion më 17 janar 2016, duke përkuar me lirimin e të burgosurve amerikanë. 

Administrata Biden miratoi përjashtime që i lejuan Iranit të aksesojë rreth 10 miliardë dollarë nga pagesat irakiane për energjinë elektrike, të cilat mbaheshin në një llogari të veçantë. Këto përjashtime ishin zgjatur disa herë gjatë viteve. Të gjitha këto pagesa ishin vendime publike dhe të aprovuara zyrtarisht nga institucionet amerikane dhe jo ndonjë vendim personal i presidentit Obama që mund të sjellë një penalizim ndaj tij.

Në korrik 2025, Departamenti amerikan i Drejtësisë formoi një “forcë sulmi” për të hetuar pretendimet se administrata Obama kreu një “konspiracion tradhtar” duke përdorur inteligjencë të rreme për të sugjeruar se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 për të ndihmuar Donald Trump. Zyra e Obamës lëshoi ​​një deklaratë duke i quajtur akuzat “skandaloze” dhe “qesharake.”

Në çdo rast, përpjekjet për të ndjekur penalisht Obamën ka të ngjarë të pengohen nga vendimi i Gjykatës së Lartë amerikane në 2024 që u dha presidentëve imunitet të gjerë nga ndjekja penale për aktet e kryera gjatë kryerjes së detyrave të tyre presidenciale. Vendimi u pa gjerësisht si në favor të Trump, i cili është përballur me hetime penale për akte të kryera gjatë presidencës së tij të parë, duke përfshirë mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara. 

The post Obama nuk pranoi bashkëpunimin me Drejtësinë për pagesat ndaj Iranit appeared first on Faktoje.al.

Qendra e Monitorimit të Trafikut, ende në pritje

20 August 2026 at 15:22

Esmeralda Topi

Gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit parlamentare, kryeministri Edi Rama premtoi se Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut do të vihej në funksion brenda vitit 2025, “për një lëvizshmëri më të sigurt dhe efikase”.

Majin e kaluar, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) e prezantonte Qendrën e Re të Kontrollit të Trafikut si një strukturë që do të mundësonte monitorimin 24/7 të rrugëve dhe koordinimin me Policinë Rrugore, Urgjencën Kombëtare Mjekësore dhe Emergjencat Civile. Në fazën fillestare, sipas ARRSH-së, ishin lidhur me kamera 200 kilometrat e parë të rrjetit rrugor. 

(Autoriteti Rrugor Shqiptar)

Por një vit më vonë, të dhënat zyrtare tregojnë se premtimi për funksionimin e qendrës nuk është realizuar.

Ecuria e projektit

Qendra e Monitorimit të Trafikut u prezantua për herë të parë nga ish ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në shtator 2023. Në atë kohë, drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, deklaroi se godina do të dorëzohej në janar 2024. Afati nuk u respektua.

Në shtator 2024, Balluku u rikthye në godinën e qendrës dhe deklaroi se po hidheshin hapat e fundit për dorëzimin e saj. Në të njëjtën kohë, ajo parashikoi se monitorimi i 200 kilometrave të parë do të niste në fillim të vitit 2025. Në prill 2025 u njoftua nisja e testimeve në terren.

Megjithatë, verën e shkuar, kur Faktoje verifikoi ecurinë e projektit, ARRSH konfirmoi se sistemi ishte ende në proces testimi dhe dorëzimi. Për pasojë, megjithëse sistemi mund të evidentonte shkelje, procedurat për marrjen e masave administrative nuk kishin përfunduar. 

Qendra ende nuk është marrë në dorëzim

Edhe një vit më pas, ARRSH pranon se procesi ende nuk ka përfunduar.

“Qendra e monitorimit nuk është marrë në dorëzim nga ARRSH”,  pohon për Faktoje Autoriteti Rrugor Shqiptar.

ARRSH shpjegon se afati fillestar dyvjeçar i fazës së parë është ndikuar nga “kompleksiteti dhe shtrirja e projektit në disa akse rrugore”. Sipas institucionit, gjatë zbatimit ka qenë e nevojshme koordinimi i komponentëve infrastrukturorë, teknikë dhe teknologjikë, si dhe ndërveprimi me institucione dhe operatorë të ndryshëm. Megjithatë, përgjigjja nuk specifikon se cilët komponentë kanë shkaktuar vonesën, sa kohë ka shtuar secili prej tyre apo cila është data e re e përfundimit të fazës së parë.

Sistemi ende në testim

Autoriteti Rrugor pranon gjithashtu se sistemi për evidentimin e shkeljeve është “aktualisht në proces implementimi dhe testimi”.

Një pjesë e komponentëve teknologjikë është vënë në funksion, por vijon puna për integrimin dhe verifikimin e elementëve të tjerë. ARRSH shton se procesi i testimit dhe kalibrimit duhet të përfundojë përpara kalimit në funksionimin e plotë të sistemit.

Pra, një vit pas premtimit për vënien në funksion të Qendrës gjatë vitit 2025, sistemi ende nuk është plotësisht funksional.

214 kilometrat e fazës së dytë?

Projekti 4.2 miliardë lekë nuk kufizohet vetëm te 200 kilometrat e fazës së parë.

Në gusht 2024, ARRSH tenderoi fazën e dytë të projektit, e cila parashikon monitorimin e 214 kilometrave të tjera rrugë. Kontrata iu dha të njëjtit grup operatorësh që kishte fituar fazën e parë dhe ka një vlerë prej rreth 1.5 miliardë lekësh.

Një vit më pas, ARRSH thotë se puna për fazën e dytë “vijon”, duke u fokusuar në komponentët e infrastrukturës dhe elementët teknikë e teknologjikë. Por institucioni nuk jep një përqindje konkrete të realizimit të punimeve dhe përfundimi nuk shoqërohet me një datë të përcaktuar.

ARRSH thotë se afatet e përfundimit dhe dorëzimit do të varen nga ecuria e punimeve dhe përmbushja e procedurave përkatëse. Objektivi përfundimtar i projektit është mbulimi i të gjithë rrjetit kombëtar rrugor prej rreth 3,650 kilometrash brenda vitit 2029.

Faza e parë ka tejkaluar afatin fillestar dyvjeçar, ndërsa për fazën e dytë ARRSH nuk jep një afat konkret për përfundimin. Edhe fazat e tjera të projektit, të nevojshme për mbulimin e 3,650 kilometrave deri në 2029, mbeten për t’u planifikuar dhe zbatuar.

Përfundim

Qendra e Monitorimit të Trafikut ende nuk është marrë në dorëzim, ndërsa sistemi është ende në implementim dhe testim. Nisur nga këto të dhëna, premtimi për vënien në funksion të Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut gjatë vitit 2025 mbetet i pambajtur, edhe pse një pjesë e sistemit është vënë në funksion për testim.

The post Qendra e Monitorimit të Trafikut, ende në pritje appeared first on Faktoje.al.

Ish-kryeministri pakistanez nuk u lirua nga burgu pas ndërhyrjes së Erdogan

20 August 2026 at 14:44

Pretendimi: Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif ka thënë se ish-kryeministri Imran Kahn u lirua nga burgu me këmbënguljen e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan

Veridkti: E pavërtetë

—————————————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se ish-kryeministri pakistanez Imran Khan u lirua nga burug me kërkesë të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan. Disa postime citojnë kryeministrin e tanishëm të Pakistanit, Shehbaz Sharif, si të ketë thënë: “Me këmbënguljen e madhe të mikut tim, Recep Tayyip Erdogan, Imran Khan u lirua.”

Kjo sillet si provë e ndikimit politik botëror të Turqisë, e veçanërisht presidentit Erdogan.

Megjithatë, nuk ka prova se ky citim është i vërtetë. Ç’është më e rëndësishme, ish-kryeministri Imran Khan nuk është liruar, aq më pak nën ndikimin e Erdoganit.

73 vjeçari Khan shërbeu si kryeministër i Pakistanit nga viti 2018 deri në prill 2022, kur u shkarkua në një votë mosbesimi që ai e konsideroi si një komplot të mundësuar nga ushtria të kurdisur me Shtetet e Bashkuara, një akuzë që si Uashingtoni ashtu edhe ushtria e mohuan.

Ndërsa Khan mbante tubime duke kundërshtuar shkarkimin e tij, ai u arrestua për herë të parë për një kohë të shkurtër në maj 2023 dhe më vonë u burgos më 5 gusht të atij viti me disa akuza për korrupsion dhe zbulim të sekreteve shtetërore. Ai i hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur ato të motivuara politikisht. Khan aktualisht po vuan një dënim me 14 vjet burg për korrupsion.

Në një zhvillim të fundit, më 18 gusht 2026, Gjykata e Lartë e Pakistanit urdhëroi transferimin e Khan nga burgu në Spitalin Ndërkombëtar Shifa të Islamabadit brenda dy ditësh, duke përmbushur një kërkesë që partia e tij kishte bërë prej muajsh. 

Partia PTI ka thënë se Khan vuan nga probleme të ndryshme shëndetësore, duke përfshirë shikim të dobët, luhatje të tensionit të gjakut dhe ankth të lidhur me kontaktin e kufizuar me familjen e tij, dhe nuk ka qenë në gjendje të marrë kujdes mjekësor të specializuar.

Po atë mbrëmje, Ministri i Drejtësisë i Pakistanit, Azam Nazeer Tarar, tha se qeveria do ta kundërshtonte urdhrin e Gjykatës Supreme, duke pretenduar se ishte i paligjshëm. Një ditë më pas, qeveria paraqiti një peticion rishikimi, duke argumentuar se gjykata anashkaloi procedurat ligjore duke urdhëruar transferimin e Khan pa dëgjuar më parë autoritetet e burgut dhe paralajmëroi se të burgosur të tjerë mund të kërkonin trajtim të ngjashëm.

Përpjekjet ligjore të qeverisë për ta lënë Khan në burg nuk përputhen me citatin e pretenduar të kryeministrit Sharif se Khan është liruar me kërkesë të Erdoganit. 

“Ligjërisht, Khan nuk i është dhënë lirimi me kusht dhe as i janë pezulluar dënimet. Ai do të mbetet i burgosur dhe reparti ekzekutiv i spitalit do të shërbejë si burg. Fatkeqësisht, shumica e të burgosurve të zakonshëm me sëmundje shumë më të rënda nuk i lejohen kurrë këto lehtësi nga gjykatat,” tha për DW Osama Malik, një ekspert ligjor.

Pretendimet që qarkullojnë për lirimin e Khan me kërkesë të Erdogan me gjasa frymëzohen nga marrëdhënia e tij e ngushtë politike me presidentin turk në të kaluarën. Ndërsa shërbente si Kryeministër i Pakistanit, Khan bëri një vizitë zyrtare në Turqi më 3-4 janar 2019, me ftesë të Erdoganit. Erdogan vizitoi gjithashtu Pakistanin në shkurt 2020 dhe u takua me Khan. Gjatë kësaj periudhe, u nënshkruan marrëveshje të shumta midis dy vendeve në lidhje me bashkëpunimin ekonomik dhe strategjik.

Megjithatë, deri më 20 gusht 2026, nuk ka asnjë deklaratë të verifikuar nga Erdogan që bën thirrje publikisht për lirimin e Imran Khan. Asnjë thirrje e tillë nuk mund të gjendet në deklaratat zyrtare nga autoritetet turke. 

The post Ish-kryeministri pakistanez nuk u lirua nga burgu pas ndërhyrjes së Erdogan appeared first on Faktoje.al.

Reagimet e qëndrimit të vjetër të Zelenskyt në Beograd

20 August 2026 at 11:49

Fetah Salliu 


Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Beograd më 7-9 gusht 2026, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, rikonfirmoi se qëndrimi i vendit të tij ndaj pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar. 

“Ne respektojmë tërësinë territoriale të partnerëve tanë dhe ligjin ndërkombëtar. Prandaj, qëndrimi ynë lidhur me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar”, tha Volodymyr Zelensky. 

Kjo deklaratë e tij u interpretua përmes reagimesh të mëvonshme si qëndrim i ri  duke shkaktuar reagime politike dhe veprime simbolike në rajon, përfshirë heqjen e flamurit ukrainas në Prishtinë apo protesta e zhvilluar në Tiranë para ambasadës së Ukrainës. 

Në anën tjetër, përpos qëndrimit të njohur të Kievit për Kosovën, vendi ku u bë deklarata, Beogradi, aleati i Moskës dhe vendi që s’ka vendosur sanksione ndaj Rusisë në këto më shumë se 4 vite luftë në Ukrainë ishte e gabuara sipas shumicës së analistëve në rajon

Deklarata 

Eksperti për marrëdheniet ndërkombëtare, Ledion Krisafi tha për Faktoje se, “nga këndvështrimi i Ukrainës, qëndrimi i Zelenskyt është i logjikshëm sepse Ukraina ka nevojë për armët dhe municionet e Serbisë si një prodhuese e konsiderueshme në Evropë. Për shkak se rusët kanë përdorur shpesh rastin e Kosovës për të justifikuar veprimet e tyre në Krime dhe Donbas, Ukraina nuk mund të njohë Kosovën pa u zgjidhur cështja e Krimesë dhe Donbasit sepse thjeshtë do t’i jepte një shkas më shumë Rusisë” 

Pra, riafirmimi nuk përbënte një pozicionim të ri, porse deklarata e Zelenskyt u instrumentalizua nga aktorë të ndryshëm (në Serbi apo Ukrainë) për axhenda të brendshmepolitike.

Serbi 

Presidenti i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Milosh Jovanoviq është shprehur se, “ardhja e Volodymyr Zelenskyt në Serbi është pjesë e një strategjie perëndimore për t’i paraqitur të dyja vendet si vende që ndjekin një kurs perëndimor, ndërkohë që synohet largimi i ndikimit rus nga Ballkani”. 

Ai paralajmëron se, “një vizitë e tillë do t’i dobësojë më tej marrëdhëniet e Serbisë me Federatën Ruse dhe do të vërë në pikëpyetje mbështetjen që Rusia i jep Serbisë, veçanërisht në mbrojtjen e integritetit territorial dhe në sektorin e energjisë”. 

Ukraina 

Deputeti opozitar ukrainas Oleksiy Goncharenko, e konsideroi qëndrimin e Zelenskyt si një “gabim politik”

Ndërsa kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Ukrainas, Oleksandr Merezhko,  shprehu “skepticizëm ndaj argumenteve ligjore që përdoren kundër njohjes së Kosovës, duke theksuar se Serbia mbetet e ndikuar nga propaganda ruse”.

Kosova    

Pas deklaratës së Zelenskyt  reagoi  Prishtina përmes Kryetarit të Komunës Përparim Rama. Duke shpërndarë një video ku dallohej heqja e flamurit të Ukrainës që varej në qendër të kryeqytetit që nga viti 2022, (kur filloi lufta Rusi – Ukrainë),  Përparim Rama deklaroi ndër radhë se, “kur Kosova nuk respektohet, Prishtina përgjigjet”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, shprehu gjithashtu keqardhje duke kujtuar se: “Ndërsa Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk është rreshtuar  me sanksionet e BE-së”.

Eksperti Krisafi nënvizon se, “reagimi në Kosovë ishte emocional dhe nuk kishte pse të ndodhte i tillë sepse herët a vonë Ukraina do e njohë Kosovën dhe reagime të tilla emocionale dhe publike nuk ndihmojnë asgjë” 

Por pse ngjalli kaq shumë reagim një deklaratë e përsëritur e Zelenskyt?  

“Zelensky bëri më shumë sesa thjesht përsëriti qëndrimin e Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës. Ai lejoi që pavarësia e Kosovës të përfshihej në narrativën e Serbisë për humbjen territoriale dhe, në mënyrë të nënkuptuar, e vendosi atë në të njëjtën kornizë konceptuale me pushtimin nga Rusia të territorit ukrainas”, shkroi eksperti i sigurisë Ramadan Ilazi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë më 10 gusht. 

Eksperti Krisafi, në anën tjetër, argumenton se, “pa përfunduar lufta dhe pa patur një zgjidhje përfundimtare për të ardhmen e Krimes dhe Donbasit, Ukraina nuk do e njohë Kosovën”. 

Sipas tij, “vizita e Zelenskyt në Beograd ka shumë arsye pragmatike për Ukrainën dhe nuk ka asnjë lidhje me Kosovën dhe të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë – Ukrainë”

Tirana

Përpos faktit se Kosova nuk duket prioritet diplomatik për Ukrainën në këtë moment, pasi vendimet e saj varen nga zgjidhja e konflikteve të brendshme, reagimet për vizitën e Zelenskyt në Serbi, dhe ajo çfare ai tha, pati edhe në Tiranë. 

Në marshimin e 71 të protestës qytetare në Tiranë protestuesit u ndalën pranë Ambasadës së Ukrainës duke bërë thirrje kundër Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Por në platformën X kryeministri Edi Rama përcolli një qëndrim ekuilibrues: “Ukraina mund të jetë dhe po, është gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme. Të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh edhe për Evropën dhe për veten tonë. Këto të vërteta mund të bashkëjetojnë fare mirë në të njëjtën fjali. Shqipëria është mjaftueshëm e pjekur për t’i mbajtur të dyja, dhe do t’i mbajë të dyja”. 

The post Reagimet e qëndrimit të vjetër të Zelenskyt në Beograd appeared first on Faktoje.al.

I gjeneruar ky tifoz argjentinas që i ngjan Adolf Hitler

19 August 2026 at 17:02

Pretendimi: Kjo video tregon momentin kur kamerat kapën në stadium sozinë e diktatorit nazist Adolf Hitler

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

———————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një stadium ku shfaqet “sozia e Adolf Hitlerit,” diktatorit të Gjermanisë naziste që u vetëvra në bunkerin e tij në 1945.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti një version më të gjerë të videos, ku shfaqet dhe një strishë me emrat e ekipeve “Riv” dhe “Boc.” Këto shkurtime i referohen Club Atlético River Plate dhe Club Atlético Boca Juniors, dy klube të mëdha futbolli argjentinas.

Në këtë version, tek kohëmatësi ngjitur me emrat e ekipeve vërehet një gabim që është tregues i përmbajtjeve të gjeneruara me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). 

Ndërkaq, poshtë kohëmatësit, një burrë në sfond dukej sikur kishte vetëm tre gishta në njërën dorë.

Një tjetër tregues i origjinës së gjeneruar të videos është mosreagimi i ndokujt në turmë ndaj një sozie të diktatorit më famëkeq në histori, dhe mungesa e ndonjë pamjeje tjetër që do konfirmonte ekzistencën e kësaj sozie naziste.

Imazhi me gjasa është gjeneruar si shaka. Një ndeshje mes dy ekipeve argjentinase është zgjedhur si vendshfaqja e sozisë së Hitlerit duke iu referuar faktit se, pas Luftës së Dytë Botërore, deri në 5 mijë kriminelë lufte nazistë dhe bashkëpunëtorë të tyre u arratisën nga Europa në Argjentinë.

The post I gjeneruar ky tifoz argjentinas që i ngjan Adolf Hitler appeared first on Faktoje.al.

Të pabaza lidhjet e Nënë Terezës me trafikun e fëmijëve dhe Epstein

19 August 2026 at 16:59

Pretendimi: Nënë Tereza drejtonte rrjetin më të madh të trafikimit të fëmijëve në histori me dijeninë e Vatikanit

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi i pazakontë se bamirësja dhe shenjtorja me origjinë shqiptare Nënë Tereza ka drejtuar “rrjetin më të madh të trafikimit të fëmijëve në histori.” Konspiracionistët lidhin Vatikanin me këtë pretendim si dhe trafikantin dhe pedofilin famëkeq amerikan Jeffrey Epstein.

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë, aq më pak e jashtëzakonshme.

Nënë Tereza themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta në vitin 1950 dhe më vonë ngriti qindra strehimore që kujdesen për disa nga më në nevojtarët e botës, njerëz që ajo i përshkroi si “më të varfërit e të varfërve”. Ajo mori çmimin Nobel për Paqen për punën e saj bamirëse në 1979 dhe Papa Françesku e shpalli atë shenjtore në 2017.

Pretendimi se Nënë Tereza “shiste bebe” ngatërron veprimtarinë e shenjtores me një rast tjetër që ndodhi në një strehë për nënat e pamartuara të drejtuar nga Misionaret e Bamirësisë, urdhri i murgeshave të Nënë Terezës, mbi 20 vjet pas vdekjes së saj në 1997.

2018, një hetim nga Komiteti Indian për Mirëqenien e Fëmijëve, zbuloi se të paktën dy punonjëse në shtëpinë bamirëse “Nirmal Hriday” në Ranchi, Jharkhand, Indi, u përfshinë në marrjen e fëmijëve nga nëna të pamartuara dhe dhënien e tyre tek çifte që nuk kishin fëmijë. Hetimi u nis pas ankesës së një çifti që pretendonte se kishte paguar 1700 dollarë për një foshnje 14-ditësh, por më pas punonjësja e bamirësisë e kishte marrë përsëri fëmijën mbrapsht dhe kishte mbajtur paratë.

Megjithatë nuk ka prova që mbështesin këto pretendime lidhur me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Nënë Terezës në aktivitete të tilla kriminale. 

Nënë Tereza udhëhoqi urdhërin e krijuar prej saj “Misionarët e Bamirësisë” deri pak para vdekjes së saj në shtator 1997. Skandali në fjalë u hetua në vitin 2018, shumë vite pas vdekjes së Nënë Terezës. Organizatat vendase fajësuan gjithashtu procedurat e gjata në Indi për adoptimet që nxisin këto fenomene korruptive.

E vetmja lidhje mes trafikantit dhe pedofilit Jeffrey Epstein dhe Nënë Terezës ishte e tërthortë. Ajo pranoi para nga botuesi britanik, Robert Maxwell, babai i partneres së Jeffrey Epstein në trafikimin e fëmijëve, Ghislaine Maxwell, i cili, siç u zbulua më vonë, përvetësoi 450 milionë paund britanikë nga fondet e pensioneve të punonjësve të tij. Megjithatë, takimi i saj me manjatin e shtypit Robert Maxwell, në fund të viteve 1980, i paraprin marrëdhënies që vajza e Maxwell krijoi me pedofilin Epstein.

Nënë Tereza pranoi gjatë jetës së saj donacione nga udhëheqës shtetesh të kritikuar për mungesën e demokracisë në vendet e tyre, duke justifikuar skrupujt moralë me nevojën për të ushqyer fëmijët e sëmurë apo në kushte rruge në misionet e urdhërit të saj.

Në një nekrologji të botuar në gazetën The Economist pas vdekjes së Nënë Terezës në 1997, shpjegohet se “siç sugjeron lista e ndihmësve të saj, Nënë Tereza nuk ishte shumë e kujdesshme në lidhje me burimet e parave të saj. Ajo u fut në telashe gjithashtu, për pranimin e Legjionit të Nderit të Haitit nga Baby Doc Duvalier, dhe për vendosjen e një kurore në varrin e Enver Hoxhës, ish-udhëheqësit komunist të Shqipërisë, ku ajo lindi. Njerëzit mendonin se ajo ishte injorante, ose, më keq akoma, bashkëpunëtore në tiraninë ose korrupsionin e këtyre burrave. E vërteta ishte më e thjeshtë dhe më e jashtëzakonshme: ajo pa Krishtin tek ata dhe besonte se ata mund të shpëtoheshin. Qëndrimi i saj ndaj Maxwell ishte pikërisht i njëjtë me qëndrimin e saj ndaj gruas së parë që shpëtoi nga një rrugë e Kalkutës, tashmë gjysmë e ngrënë nga minjtë dhe milingonat: ky ishte “Krishti në maskën e tij të tmerrshme”, që kërkonte të shërohej nga dashuria.”

Megjithatë, pranimi i donacioneve nga Robert Maxwell nuk provon se Nënë Tereza ka shitur foshnje nga jetimoret apo ka qenë bashkëpunëtore e tij.

Një kërkim në dosjet Epstein, të bëra publike nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, tregon se Nënë Tereza përmendet në to vetëm si simbol shenjtërie, krahas figurave të ngjashme si Gandhi.

The post Të pabaza lidhjet e Nënë Terezës me trafikun e fëmijëve dhe Epstein appeared first on Faktoje.al.

Dhunë dhe abuzim, shifrat alarmante tek të miturit në Shqipëri

19 August 2026 at 15:36

Nga Anila Hoxha

Fenomeni i grupeve të miturive që mblidhen për t’u përplasur në rrugë është kthyer në shqetësim serioz për rendin publik.

Policia e Komisariatit Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ndërhyri të mërkurën në Kombinat duke lokalizuar disa grupe adoleshentësh dhe i shoqëroi më pas në komisariat për të shmangur konfliktin.

Veprimet procedurale u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve, ndërsa pas komunikimit me prokurorin nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 të mitur, të moshave 13–17 vjeç.

“Gjatë kontrollit fizik, disa prej tyre iu gjetën armë të ftohta (thika), kaçavida, si dhe disa maska, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Konflikti dyshohet se ka nisur në rrjetin social TikTok. Shkak është bërë pretendimi i njërit prej të miturve se motra e tij ishte ngacmuar në rrjetet sociale.  

Por çfarë po ndodh sot me të miturit, dhe pse i drejtohen gjithnjë e më shumë dhunës si zgjidhje?! 

Krimet që nuk parandalohen

Qysh prej hyrjes në fuqi të Kodit Penal për të Miturit, në rastet kur ata evidentohen në konflikt me ligjin, shumë nga masat e parashikuara rezultojnë të pazbatueshme 

Sipas gjyqtares së Apelit, Edlira Petri, edhe pse Kodi për të Miturit (për nga fryma) synon të mbrojë fëmijët nga përgjegjësia penale dhe e shpall burgun si masë të fundit, në praktikë mbetet një boshllëk i madh detyrimesh që nuk plotësohet 

“Pavarësisht miratimit të Kodit të Drejtësisë Penale për të mitur mbetet ende i diskutueshëm efikasiteti i masave në funksion të arritjes së qëllimit të riedukimit të të miturve në konflikt me ligjin dhe të parandalimit të përgjithshëm. 

Një aspekt shqetësues është mungesa e institucionit për ekzekutimin e një prej dënimeve penale për të miturit që është kufizimi i lirisë. 

Në Kavajë dërgohen të miturit që dënohen me burgim, kurse institucioni që duhet të ishte funksional, nuk është një IEVP, por është një institucion ku kufizohet liria, le të themi që ju hiqet përkohësisht prindërve. Nëqoftëse sot gjykata jep një vendim me kufizim lirie, nuk mund të them se ku ekzekutohet”, tha për Faktoje gjyqtarja e Apelit, Edlira Petri.

Pezull 

Ai që do të duhej të ishte Instituti Multidispilinor për Edukimin dhe rehabilitimin e të Miturve, vazhdon të jetë një kantier ndërtimi në zonën e Mëzezit, jo shumë larg qendrës së Tiranës. 

I vizituar deri me tani nga tre ministra drejtësie, njoftimi më i fundit lidhet me vizitën e ministrit aktual, Toni Gogu, në datë 30 prill ku u raportua se punimet kishin arritur në rreth 70% dhe mbyllja e tyre do të bëhet në nëntor 2026 

Si drejtoreshë e Qendrës për Parandalimin e Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, që funksionon nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë, Klaudia Hasanllari thekson për Faktoje se për të parandaluar kriminalitetin tek fëmijët, së pari duhet të fuqizohen mekanizmat e drejtësisë restauruese. 

Sipas saj, po aq të domosdoshme janë mbështetja e shërbimeve komunitare dhe koordinimi mes institucioneve të drejtësisë, mbrojtjes sociale, arsimit dhe pushtetit 

Raporti 

Prokuroria e Përgjithshme raporton se 961 fëmijë u morën nën hetim dhe të pandehur gjatë vitit, ndërsa 31 përfunduan në burg. Shumica u shmangën nga dënimi ose u trajtuan me masa më të lehta, këshillime, paralajmërime verbale dhe me shkrim. Megjithatë, raporti pranon se këto masa alternative po rriten ngadalë, duke lënë të hapur pyetjen mbi efektivitetin e sistemit 

Gjyqtarja e Apelit, Edlira Petri, shpjegon se të miturit përballen kryesisht me akuza për vjedhje, të thjeshta ose me dhunë, si dhe për mbajtje dhe shpërndarje narkotikësh. 

Nuk mungojnë, sipas saj,  edhe shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, apo veprat kundër jetës dhe shëndetit, si vrasjet dhe plagosjet e rënda.

Sipas gjyqtares, nuk mund të hartohet një “hartë” e saktë për shpërndarjen e kriminalitetit tek fëmijët pa një studim gjithëpërfshirës, që të mbledhë të dhëna nga policia, prokuroria dhe gjykatat e shkallës së parë. 

Shifrat 

Strategjia ndërsektoriale e drejtësisë për të mitur, përveç planeve, e shfaq panoramën përmes shifrave ku 60% e rasteve të abuzimit seksual kryhen ndaj fëmijëve; 48% e fëmijëve në Shqipëri kanë qenë subjekt i të paktën një forme agresioni psikologjik ose fizik; 33.9% raportojnë se janë përfshirë në përleshje fizike të paktën një herë gjatë vitit të fundit, me djemtë më të ekspozuar se vajzat, ndërsa 83% e nxënësve deklarojnë se kanë përjetuar forma të ndryshme dhune, ku 20% janë ngacmuar të paktën dy herë në dy muajt e fundit. 

Çdo vit policia merr nga 5,000 deri në 20,000 referime për materiale të abuzimit seksual të fëmijëve në internet nga agjencitë ndërkombëtare, por në tre vitet e fundit janë hetuar vetëm 12 raste të ”pornografisë për fëmijë” dhe vetëm një ka përfunduar me sukses. 

Një në dhjetë fëmijë raporton se ka përjetuar të paktën një përvojë seksuale të padëshiruar në internet, shpesh të iniciuar nga persona që fëmija i njihte 

Rrëfimi 

…Për 37 vjeçaren Arvisa R. erdhi dita kur ajo duhet të kërkonte ndihmë. U ndje e pafuqishme për të birin që sapo kishte mbushur 13 vjeç. 

Ai largohej vazhdimisht nga banesa, kthehej vonë dhe mësuesit i thanë se fëmija shfaqej i përgjumur në klasë. E vërteta për nënën ishte e hidhur. I biri ishte përdorues hashashi.

“Telefonova policinë, – thotë shkurt për Faktoje nëna, – ju thashë djali pi drogë, po kuptoj që lekët që i jap për ushqim i mban për drogë” 

Ishte polcia që e referoi më pas rastin e të miturit pranë Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës. Aktualisht minoreni po trajtohet në një qendër rehabilituese kundër varësisë nga droga. 

Drejtuesja e kësaj agjencie, Alma Tandili, thekson se të miturit shpesh nisin të përdorin drogë në ambiente të përbashkëta.

“Së fundmi, nga rastet e fëmijëve në konflikt me ligjin që janë referuar për menaxhim dhe monitorim nga strukturat e mbrojtjes së fëmijëve në 61 bashki, kemi hasur situata të vështira. Mes tyre ka edhe fëmijë që u thonë prindërve se do të rrinë tek shokët, largohen nga banesa pa adresë dhe përfundojnë duke përdorur drogë”, thotë Tandili 

Gjyqtarja Petri thekson se pyetja nuk është vetëm: “Çfarë ka bërë?”, por edhe “Pse ka arritur deri në këtë sjellje dhe çfarë ndërhyrjeje mund ta largojë nga përsëritja e saj?” 

Për këtë arsye, sipas saj, duhet të ekzistojnë programe rehabilituese të përshtatshme, psikologë dhe punonjës socialë të specializuar, mbikëqyrje efektive nga strukturat përgjegjëse, mundësi për rikthim në arsim dhe formim profesional, mbështetje për familjen si dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve.

Policia e Shtetit 

Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, e sheh parandalimin e krimeve tek të miturit si një detyrë që nuk i takon vetëm policisë.

“Që në ditët e para të marrjes së detyrës kam urdhëruar kontrollin sistematik të territorit, me fokus të veçantë mjediset përreth shkollave, si dhe ndalimin e praktikës së ndalimit pa shkak të automjeteve në akset rrugore kombëtare. Këto ishin masa emergjente, sepse siguria e fëmijëve dhe ofrimi i një shërbimi profesional e të denjë për qytetarët janë dhe do të mbeten prioritet absolut i Policisë së Shtetit. Ky vendim u mbështet në indikatorë të qartë, konkretisht në analizat e riskut të kryera nga strukturat tona, rastet e goditura në vijimësi të tentativave për shpërndarjen e lëndëve narkotike pranë shkollave, informacionet e siguruara në rrugë operative”, shpjegon për Faktoje, Hita

The post Dhunë dhe abuzim, shifrat alarmante tek të miturit në Shqipëri appeared first on Faktoje.al.

❌