Aplikacioni i inteligjencës artificiale ChatGPT ka arritur një moment historik në industrinë e teknologjisë, duke kaluar shifrën prej 1 miliard përdoruesish aktivë mujorë. Ky sukses e vendos atë ndër platformat me rritjen më të shpejtë në historinë e aplikacioneve digjitale.
Sipas të dhënave të publikuara nga kompani analitike të tregut, ChatGPT ka arritur këtë nivel vetëm pak vite pas lansimit të tij, duke shënuar një ritëm adoptimi që ka tejkaluar shumë aplikacione të njohura globale si TikTok, Instagram apo YouTube në fazat e tyre të hershme të rritjes.
Ekspertët e industrisë së teknologjisë e shohin këtë zhvillim si një tregues të qartë të ndryshimit të mënyrës se si njerëzit përdorin internetin dhe mjetet digjitale. Inteligjenca artificiale po kalon nga një teknologji “shtesë” në një mjet të përditshëm për punë, komunikim, mësim dhe krijim përmbajtjeje.
Rritja e shpejtë e ChatGPT lidhet me integrimin e tij në një gamë të gjerë funksionesh, duke përfshirë gjenerimin e tekstit, përkthimet, ndihmën në programim, krijimin e përmbajtjes kreative dhe përdorime profesionale në fusha të ndryshme si biznesi, arsimi dhe media.
Po ashtu, zgjerimi i versioneve më të avancuara të modelit, si dhe integrimi në aplikacione dhe shërbime të tjera digjitale, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e numrit të përdoruesve.
Analistët theksojnë se ky nivel përdorimi e vendos ChatGPT në qendër të “garës globale të inteligjencës artificiale”, ku kompanitë kryesore teknologjike po investojnë miliarda dollarë për të zhvilluar modele gjithnjë e më të fuqishme dhe të integruara në jetën e përditshme.
Megjithatë, rritja e shpejtë e teknologjisë së AI shoqërohet edhe me debate mbi sigurinë, privatësinë dhe ndikimin e saj në tregun e punës, pasi automatizimi dhe mjetet inteligjente po ndryshojnë mënyrën tradicionale të shumë profesioneve.
Në këtë kontekst, ChatGPT shihet jo vetëm si një aplikacion i suksesshëm, por edhe si një simbol i transformimit të thellë teknologjik që po ndodh në nivel global. /Telegrafi/
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me dorëheqjen e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, tha se ajo do të arkivohet nesër, ndërsa sa i përket rikonstruksimit të Qeverisë, tregoi se do të zhvillohen diskutime me partnerët e koalicionit.
"E kam thënë disa herë në të kaluarën se kemi biseduar. Fetai e paraqiti dorëheqjen e tij sot, ajo do të arkivohet nesër. Pra, siç e dini, në qershor presim një rikonstruksion të Qeverisë dhe do ta shohim, do të flasim me partnerët tanë të koalicionit brenda Qeverisë", tha Mickoski.
Ai theksoi se Fetai në dorëheqjen e tij shpreh mirënjohje për punën me të si Kryeministër, si dhe me kolegët e tjerë brenda Qeverisë./Telegrafi/
Zv. kryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai sot ka dorëzuar dorhejqen nga ky post.
"Sot i dorëzova Kryeministrit dorëheqjen time nga detyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë.
Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, një mision sa i rëndësishëm aq edhe jofalenderues.
A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt. Por a kam punuar me përkushtimin maksimal për të vendosur themele të shëndosha mbi të cilat mund të ndërtohet më tej? Pa asnjë mëdyshje, po", njofton Fetai përmes profilit të tij në Facebook.
Ai shton se ky është një vendim i mirëmenduar, i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze./Telegrafi/
Mbrojtësi i Egzon Bejtullai ka kryer me sukses operimin pas lëndimit të rëndë të pësuar në ligamentet e gjurit gjatë ndeshjes mes Dritës dhe Ballkanit.
Bejtullai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale pas disa ditësh trajtimi dhe terapie, ndërsa sipas raportit mjekësor operacioni ka rezultuar i suksesshëm. Tani ai pritet të fillojë fazën e rikuperimit dhe rehabilitimit.
32-vjeçari mbetet futbollist i lirë nga data 30 qershor, kur i skadon kontrata me Dritën.
Megjithatë, pavarësisht lëndimit, interesimi për të mbetet i lartë, pasi disa skuadra nga Kosova dhe jashtë saj po e monitorojnë situatën e tij, duke vlerësuar kontributin e tij të deritanishëm dhe eksperiencën në futbollin kosovar.
Edhe Drita gjithashtu synon ta ndalë mbrojtësin tetovar në radhët e veta.
Bejtullai ka qenë një nga mbrojtësit më të rëndësishëm të Dritës në sezonet e fundit, duke ndihmuar klubin në fitimin e dy titujve kampion dhe duke qenë pjesë kyçe e suksesit të skuadrës ku u futën në fazën e ligës në Ligën e Konferencës.
Nga klubi është konfirmuar se lojtari pritet të dalë nga spitali shumë shpejt dhe të nisë procesin e rehabilitimit. Drita i ka uruar rikuperim të shpejtë dhe rikthim sa më të fortë në fushë. /Telegrafi/
Sezoni 2025/26 i Ligës Premier u mbyll me shumë befasi dhe lojtarë që shkëlqyen në nivele të larta.
GOAL ka renditur 20 performuesit më të mirë të kampionatit, ku në krye doli Bruno Fernandes, ndërsa në listë gjenden yje të elitës dhe emra që kanë shpërthyer këtë edicion. Nuk mungoi as Granit Xhaka, që tregoi formë të jashtëzakonshme te Sunderland.
20) Elliot Anderson (Nottingham Forest)
Mesfushori ishte ndër më të mirët në aspektin e dueleve, driblimeve dhe pasimeve të sakta, edhe pse Forest pati sezon të vështirë. U dallua edhe si lojtari më i faulluar në ligë (80).
19) Bernardo Silva (Manchester City)
Në sezonin e tij të fundit te City, portugezi u vlerësua për energjinë, lëvizjen dhe rolin në ndërtimin e aksioneve. Ndonëse me pak gola, ndikimi i tij në lojë mbeti i madh.
18) Morgan Rogers (Aston Villa)
Shkëlqeu me 10 gola dhe 6 asistime, duke qenë “motori” i Villas gjatë gjithë sezonit. Renditet lart edhe për distancën e përshkuar, duke treguar intensitet të jashtëzakonshëm.
17) Eli Junior Kroupi (Bournemouth)
Debutim i madh në Ligën Premier: 13 gola dhe rekord si adoleshenti me më së shumti gola në sezonin e parë. Forma e tij ishte kyçe në kualifikimin e Bournemouthit në Evropë.
16) Casemiro (Manchester United)
Rikthim i fortë: jo vetëm mburojë para mbrojtjes, por edhe rrezik në sulm me 9 gola. Man United do ta ketë të vështirë zëvendësimin e tij nëse largohet.
15) Granit Xhaka (Sunderland)
Kapiten dhe lider në një skuadër të sapongjitur, duke sjellë përvojë dhe stabilitet. Me 6 asistime dhe statistika të forta defensive, pati rol të madh në kualifikimin në Ligën e Evropës.
14) Jurrien Timber (Arsenal)
U cilësua ndër mbrojtësit më të mirë të ligës: 3 gola dhe 5 asistime, i pari ndër mbrojtësit për kontribut direkt në gola. Lëndimi i tij në mars u ndje, por Arsenali e mbylli kampion.
13) Dominik Szoboszlai (Liverpool)
I dalluar në një sezon të vështirë për Liverpoolin: 6 gola dhe 7 asistime, plus 78 raste të krijuara (i dyti në ligë). I vlefshëm edhe taktikisht, duke luajtur edhe si mbrojtës krahu.
12) William Saliba (Arsenal)
Një nga qendërmbrojtësit më të klasit: 30 ndeshje startues dhe “clean sheets” në gjysmën e tyre. Stabiliteti i tij ishte themelor në titullin e Arsenalit.
11) Joao Pedro (Chelsea)
15 gola dhe 20 kontribute totale (gola+asiste), duke qenë një nga më të rrezikshmit në ligë. U shpall edhe Lojtari i Vitit te Chelsea për ndikimin e tij.
10) Morgan Gibbs-White (Nottingham Forest)
Shpëtoi Forestin me një shpërthim në fund: 9 gola në 10 ndeshjet e fundit, gjithsej 15 në sezon. Performancë lideri në momentet kur duhej më së shumti.
9) Nico O’Reilly (Manchester City)
U shpall Lojtari i Ri i Vitit, duke shkëlqyer si mbrojtësi më golashënues me 5 gola. I gjithanshëm dhe i besueshëm, u përdor edhe në mesfushë.
8) Antoine Semenyo (Bournemouth/Manchester City)
Sezon i madh me 17 gola dhe ndikim i menjëhershëm edhe pas kalimit te City në janar. U vlerësua për fuqinë, depërtimet dhe stabilitetin në performancë.
7) Rayan Cherki (Manchester City)
Me 12 asistime (i dyti në ligë), u kthye në një nga lojtarët më kreativë dhe më argëtues për t’u parë. Ende duhet të rrisë golat, por potenciali është i madh.
6) Igor Thiago (Brentford)
Bëri sezon “të artë” me 22 gola dhe vendin e dytë në garën për Këpucën e Artë. Ishte arsyeja kryesore pse Brentford sfidoi pritshmëritë dhe u ngjit në tabelë.
5) David Raya (Arsenal)
Golden Glove për të tretin sezon radhazi, me 19 ndeshje pa pësuar gol. Shpëtimet e tij vendimtare e mbajtën Arsenalin në kurs titulli në ndeshje kyçe.
4) Erling Haaland (Manchester City)
27 gola dhe 8 asistime: sërish standard i lartë dhe Golden Boot tjetër. Edhe kur City pati luhatje, Haaland e mbajti ekipin në garë me golat e tij.
3) Gabriel Magalhaes (Arsenal)
Simbol i agresivitetit dhe sigurisë defensive, me 17 “clean sheets” (më i miri mes lojtarëve të fushës). I rrezikshëm edhe në goditje standarde, me gola vendimtarë.
2) Declan Rice (Arsenal)
Motor total i kampionëve: dominues në duele, i saktë në organizim dhe elitar në topa të ndalur. Krijoi 63 raste – vetëm tre lojtarë në ligë krijuan më shumë.
1) Bruno Fernandes (Manchester United)
Theu rekordin e asistimeve me 21 dhe shënoi edhe 9 gola, duke e udhëhequr Man Unitedin drejt vendit të tretë.
Me 136 raste të krijuara, ishte lojtari më dominues i sezonit sipas GOAL. /Telegrafi/
Interpol Tirana ka vijuar operacionin e koduar “The Wanted”, në kuadër të kapjes dhe ekstradimit të shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit me autoritetet homologe në Abu Dhabi, janë lokalizuar dhe arrestuar në Dubai pesë shtetas shqiptarë, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar, katër prej të arrestuarve, konkretisht shtetasit me iniciale K. Q., 44 vjeç, Sh. K., 44 vjeç, I. L., 30 vjeç dhe A. P., 38 vjeç, dyshohen për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe kërkoheshin nga SPAK.
Ndërkohë, shtetasi M. C., 34 vjeç, dyshohet për kryerjen e veprës penale të mashtrimit kompjuterik.
Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë vijon edhe për verifikimin e një tjetër shtetasi shqiptar që ndodhet në Dubai, i cili dyshohet se përdor dokumente false.
Interpol Tirana po punon për përfundimin e procedurave të ekstradimit të pesë të arrestuarve drejt Shqipërisë.
Përdoruesit e Microsoft PowerPoint tani mund të shfrytëzojnë integrimin me OpenAI dhe ChatGPT direkt brenda aplikacionit, duke mundësuar krijimin dhe editimin automatik të prezantimeve.
Funksioni i ri e sjell ChatGPT si një asistent brenda PowerPointit, i cili mund të gjenerojë “slajde”, tekst, strukturën e prezantimit, mesazhe dhe elemente vizuale bazuar në komanda të thjeshta me tekst (prompt-e). Përdoruesit mund t’i kërkojnë AI-së të krijojë një prezantim nga zero ose të përmirësojë një ekzistues.
Sipas raportimeve, ky mjet mund të lidhet edhe me shërbime të tjera si Gmail, Outlook dhe SharePoint, duke i mundësuar sistemit të ndërtojë prezantime nga dokumente dhe komunikime ekzistuese. Kjo e bën procesin e punës më të shpejtë dhe më efikas, veçanërisht për përdoruesit e biznesit.
Aktualisht, funksioni është në fazë beta dhe i disponueshëm për një numër të kufizuar përdoruesish, por pritet të zgjerohet gradualisht në të ardhmen.
Ky zhvillim shihet si pjesë e garës së madhe në fushën e inteligjencës artificiale, ku kompani si Google dhe Anthropic po integrojnë gjithashtu mjete të ngjashme në platformat e tyre të punës. /Telegrafi/
Sot në konferencën e saj I/O, Google zbuloi Gemini 3.5, familjen e saj më të fundit të modeleve të AI, së bashku me Gemini Omni, një model të ri që mund të krijojë video nga çdo hyrje.
Modeli i parë i disponueshëm në familjen Gemini 3.5 është Gemini 3.5 Flash. Ky model tani është në dispozicion për të gjithë nëpërmjet aplikacionit Gemini dhe është gjithashtu i disponueshëm në Modalitetin AI në Google Search, transmeton Telegrafi.
Ky model "ofron inteligjencë që rivalizon modelet e mëdha kryesore në dimensione të shumëfishta, me shpejtësitë që keni mësuar të prisni nga seria Flash", thotë Google.
Është modeli më i fortë agjent dhe kodues Gemini, duke tejkaluar edhe Gemini 3.1 Pro në standardet sfiduese të kodimit dhe agjentizimit, ndërsa kryeson në kuptimin multimodal. Gemini 3.5 Flash tani është modeli i parazgjedhur.
Gemini Omni është një model i ri që mund të krijojë video nga çdo hyrje. Ju mund të kombinoni imazhe, audio, video dhe tekst si hyrje dhe do të gjenerojë video me cilësi të lartë "të bazuara në njohuritë e botës reale të Gemini". Pasi të krijohet një video, ajo gjithashtu mund të redaktohet lehtësisht përmes bisedës.
Modeli i parë në familjen Gemini Omni është Gemini Omni Flash, i cili ju lejon të ndryshoni gjëra specifike në lidhje me një video, ose gjithçka, dhe mund të rafinoni krijimet në shumë kthesa, duke ndryshuar gjërat pa humbur kurrë fillin e skenës origjinale.
Modeli ka "një kuptim intuitiv të përmirësuar të forcave si graviteti, energjia kinetike dhe dinamika e fluideve", kështu që mund të krijojë skena më realiste.
Me Omni mund të përdorni zërin tuaj dhe Avatarët, të cilët krijojnë një version dixhital të vetes. Të gjitha videot përfshijnë filigran dixhital SynthID.
Gemini Omni Flash është i disponueshëm sot për të gjithë abonentët e planeve Google AI Plus, Pro dhe Ultra globalisht në aplikacionin Gemini dhe në Google Flow.
Gjithashtu po shpërndahet falas për përdoruesit në YouTube Shorts dhe YouTube Create. /Telegrafi/
Ndërsa gjigantët e teknologjisë dhe një valë e re startup-esh të inteligjencës artificiale po garojnë drejt inteligjencës së përgjithshme artificiale (AGI), studiuesit më elitarë dhe drejtuesit kryesorë të inxhinierisë po shndërrohen në “yjet” e vërtetë të këtij sektori.
Kjo industri në zhvillim ka krijuar një treg pune që nuk është parë në Silicon Valley që nga epoka e “dot-com boom”-it, por me një ndryshim të rëndësishëm: kësaj radhe, thuhet se vetëm disa qindra njerëz në botë kanë aftësinë reale për të ndërtuar dhe shkallëzuar sisteme të avancuara të inteligjencës artificiale, shkruan euronews.
OpenAI, Meta, Google DeepMind, Anthropic, xAI, Safe Superintelligence dhe një numër gjithnjë e më i madh startup-esh të inteligjencës artificiale po garojnë ashpër për të tërhequr këtë grup jashtëzakonisht të kufizuar talentesh të nivelit më të lartë.
Si pasojë, gjatë dy viteve të fundit janë raportuar negociata për paketa kompensimi që arrijnë në shifra nëntëshifrore, si dhe grante të mëdha aksionesh. Paralelisht, po zhvillohen edhe fushata rekrutimi të drejtuara personalisht nga CEO-t e disa prej kompanive më të mëdha në botë, përfshirë Mark Zuckerberg dhe Sam Altman.
Megjithatë, disa nga shifrat që qarkullojnë në internet mbeten të kontestuara ose të pakonfirmuara. Për këtë arsye, ky artikull fokusohet vetëm te individët kryesorë për të cilët vlera e rekrutimit dhe kërkesa në treg janë raportuar nga media të mëdha ose janë konfirmuar drejtpërdrejt nga vetë personat e përfshirë në këto negociata.
Më poshtë paraqiten pesë nga inxhinierët dhe studiuesit më të njohur të inteligjencës artificiale në botë sot, pa një renditje të caktuar. Historitë e tyre pasqyrojnë format e ndryshme të garës së fortë për talent që po zhvillohet aktualisht brenda industrisë së AI-së.
Ilya Sutskever
Ilya Sutskever është një nga figurat më të respektuara në fushën e inteligjencës artificiale, një shkencëtar kompjuterik izraelito-kanadez që shpesh përmendet si një nga arkitektët kryesorë të revolucionit të AI-së gjeneruese.
Si bashkëthemelues dhe ish-kryeshkencëtar i OpenAI, Sutskever ka luajtur një rol qendror në zhvillimin e modeleve GPT, teknologji që kanë formësuar në mënyrë vendimtare epokën moderne të inteligjencës artificiale. Ai konsiderohet gjerësisht si një nga mendjet kryesore pas përparimeve që e kanë sjellë AI-në gjeneruese në qendër të industrisë globale të teknologjisë.
Para OpenAI, ai ka punuar në Google Brain, projektin kërkimor të Google që më vonë u bë një nga shtyllat e zhvillimit të Google DeepMind, duke kontribuar në disa prej zbulimeve themelore që nxitën revolucionin e “deep learning”.
Pas krizës së bujshme të qeverisjes në OpenAI në vitin 2023, kur CEO Sam Altman u largua përkohësisht nga detyra, Sutskever u tërhoq nga kompania. Në vitin 2024, ai bashkëthemeloi startup-in Safe Superintelligence (SSI).
SSI është shndërruar shpejt në një nga startup-et më të ndjekura në botën e inteligjencës artificiale. Edhe pse ende nuk ka prezantuar një produkt komercial, kompania u vlerësua privatisht në rreth 32 miliardë dollarë (rreth 27.5 miliardë euro) në vitin 2025, duke reflektuar intensitetin e garës globale për talent dhe teknologjitë e avancuara të AI-së, transmeton Telegrafi.
Më vonë u raportua se Meta kishte shqyrtuar mundësinë e një blerjeje të Safe Superintelligence (SSI), ndërsa paralelisht kishte zhvilluar edhe një fushatë agresive rekrutimi për të tërhequr talente të lidhura me këtë startup, gjatë valës së re të punësimeve në fushën e AI-së të udhëhequr nga Mark Zuckerberg në vitin 2025.
Po ashtu, gjatë dëshmisë së tij në një proces gjyqësor me shumë peshë mes Elon Musk dhe krijuesve të ChatGPT, Ilya Sutskever konfirmoi se zotëron një pjesë aksionesh me vlerë rreth 7 miliardë dollarë (rreth 6 miliardë euro) në OpenAI. Kjo e rendit atë ndër figurat e reja miliardere që kanë dalë nga kompania, krahas presidentit Greg Brockman, i cili gjithashtu dëshmoi se mban një paketë të konsiderueshme aksionesh me vlerë afro 30 miliardë dollarë (rreth 25.8 miliardë euro).
Vlera e Sutskever në industrinë e inteligjencës artificiale buron nga një kombinim i rrallë: kredibiliteti shkencor në nivel elitar, përvoja në ndërtimin e modeleve në kufijtë e teknologjisë dhe aftësia udhëheqëse në organizata kërkimore. Për këtë arsye, shumë investitorë e shohin atë si një nga pak njerëzit në botë që mund të udhëheqë një organizatë kërkimore në shkallën e AGI-së.
Mira Murati
Ajo është një tjetër figurë kyçe që u largua nga OpenAI, ku shërbeu si krye-drejtoreshë teknologjike deri në vitin 2024.
Inxhinierja dhe ekzekutivja shqiptaro-amerikane luajti një rol qendror në zhvillimin dhe lansimin e disa prej produkteve më të rëndësishme të kompanisë, përfshirë ChatGPT, DALL·E dhe GPT-4, duke u shndërruar në një nga fytyrat publike të revolucionit të inteligjencës artificiale. Para OpenAI, ajo ka punuar edhe si menaxhere e lartë e produktit në Tesla.
Pas largimit nga OpenAI, Mira Murati themeloi Thinking Machines Lab, një startup që shpejt tërhoqi ish-studiues nga OpenAI dhe u shndërrua në një lojtar të rëndësishëm në ekosistemin e ri të inteligjencës artificiale.
Edhe pse kompania ende nuk ka lançuar një produkt komercial, ajo është raportuar se ka arritur një vlerësim mbi 5 miliardë dollarë (rreth 4.3 miliardë euro) menjëherë pas themelimit. Fokusimi i saj është te bashkëveprimi njeri–AI, në vend të ndërtimit të sistemeve plotësisht autonome.
Së fundmi, Thinking Machines Lab ka prezantuar në mënyrë paraprake konceptin e “interaction models”, të cilët synojnë t’u mundësojnë përdoruesve kontroll më natyral përmes zërit dhe akses të drejtpërdrejtë në ekranin e tyre, duke synuar një përvojë më të integruar dhe më të thjeshtë të ndërveprimit me inteligjencën artificiale.
Po ashtu, Meta ka tentuar në mënyrë agresive të rekrutojë studiues elitarë të lidhur me Mira Murati dhe startup-in e saj, Thinking Machines Lab, i cili ka arritur të mbledhë inxhinierë dhe kërkues që më parë kanë punuar në projekte si ChatGPT, Character.ai, Mistral AI, PyTorch dhe sisteme të tjera të avancuara të inteligjencës artificiale.
Vlera strategjike e Muratit në këtë ekosistem lidhet jo vetëm me përvojën e saj në ndërtimin e produkteve të mëdha të AI-së, por edhe me aftësinë për të tërhequr në mënyrë të qëndrueshme talent të nivelit më të lartë.
Në industrinë e inteligjencës artificiale, kjo “gravitet rekrutimi” është shndërruar në një avantazh konkurrues më vete, veçanërisht në një kohë kur kompanitë po kuptojnë se talenti elitar është gjithnjë e më i përqendruar në një numër të kufizuar laboratorësh dhe organizatash në kufijtë e teknologjisë.
Alexandr Wang
Alexandr Wang përfaqëson një profil ndryshe brenda garës për talent në inteligjencën artificiale: në vend që të dalë nga OpenAI apo laboratorët e mëdhenj kërkimorë, ai u ngrit si themelues dhe më pas u integrua në një nga strukturat më të mëdha korporative të industrisë.
Ai themeloi Scale AI në vitin 2016, një kompani që u shndërrua në një infrastrukturë kyçe për ekosistemin e mësimit të makinerive, duke ofruar shërbime për etiketimin e të dhënave, vlerësimin dhe testimin e modeleve. Me kalimin e kohës, Scale AI u bë një pjesë e rëndësishme e zinxhirit global të zhvillimit të inteligjencës artificiale, duke bashkëpunuar me qeveri, kompani të mëdha dhe laboratorë kryesorë të AI-së.
Në vitin 2025, u raportua se Meta bleu një pjesëmarrje prej 49 për qind pa të drejtë vote në kompani për rreth 14.3 miliardë dollarë (rreth 12.3 miliardë euro), duke e vlerësuar Scale AI në rreth 29 miliardë dollarë (rreth 25 miliardë euro). Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, Wang mori një rol drejtues brenda “Meta Superintelligence Labs”, divizioni i ri i AI-së i kompanisë së Mark Zuckerberg.
Sipas dokumenteve të supozuara të rrjedhura, kompensimi i tij është ndër më të mëdhenjtë në historinë e Silicon Valley, duke përfshirë një pagë bazë rreth 1 milion dollarë (860 mijë euro), bonuse shumë milionëshe dhe paketa aksionesh që mund të arrijnë nga 100 deri në 150 milionë dollarë (86–129 milionë euro), të shpërndara gjatë pesë viteve.
Kjo lëvizje u interpretua gjerësisht si pjesë e përpjekjes së Mark Zuckerberg për të përshpejtuar kapacitetet e Meta-s në fushën e inteligjencës artificiale, në një kohë kur kompania perceptohej se kishte mbetur prapa OpenAI në garën publike të AI-së.
Ndryshe nga studiuesit e pastër akademikë, Alexandr Wang u bë veçanërisht i vlefshëm për shkak të kuptimit të tij operacional mbi mënyrën se si ndërtohen dhe shkallëzohen sistemet e AI-së në nivel frontier. Ekspertiza e tij përfshin infrastrukturën, ndërtimin e grupeve të të dhënave, pipeline-et e vlerësimit dhe organizimin e ekzekutimit në shkallë të gjerë.
Ky lloj njohurie gjithëpërfshirëse po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, ndërsa sistemet e inteligjencës artificiale rriten në kompleksitet, kosto dhe nevojë për koordinim të avancuar teknik.
Demis Hassabis
Demis Hassabis është një nga figurat më me ndikim në historinë moderne të inteligjencës artificiale, me një rrugëtim që ndërthur themelimin e një startup-i kërkimor dhe integrimin e tij në një nga strukturat më të mëdha teknologjike në botë.
Ai është bashkëthemelues i DeepMind, një laborator kërkimor i inteligjencës artificiale i krijuar në Londër, i cili shumë shpejt u shndërrua në një nga qendrat më të avancuara të kërkimit në botë. DeepMind u bë i njohur globalisht për arritje si AlphaGo, një sistem që mposhti kampionët njerëzorë në lojën e lashtë kineze Go, si dhe AlphaFold, një model që revolucionarizoi biologjinë duke parashikuar strukturat tredimensionale të proteinave.
Në vitin 2024, AlphaFold2 zgjidhi një sfidë shkencore që kishte qëndruar e hapur për dekada në biologjinë strukturore, duke hapur rrugën për përdorim të gjerë në mjekësi dhe kërkime shkencore. Për këto kontribute, Hassabis u nderua me Çmimin Nobel në Kimi në vitin 2024.
DeepMind u ble nga Google në vitin 2014 dhe më vonë u integrua në strukturën e Google DeepMind, që sot funksionon si një nga divizionet kryesore të inteligjencës artificiale brenda gjigantit teknologjik.
Shuma e blerjes nuk u konfirmua kurrë zyrtarisht, por vlerësohet se ka qenë mes 400 dhe 650 milionë dollarëve (rreth 344–559 milionë euro), në një periudhë kur inteligjenca artificiale ende nuk konsiderohej një prioritet qendror në industrinë e teknologjisë.
Hassabis është sot CEO i Google DeepMind dhe një nga figurat më të rëndësishme në garën globale të inteligjencës artificiale.
Paga e tij bazë nuk është bërë publike, por si drejtues i Google DeepMind, kompensimi i tij vjetor total vlerësohet në miliona dollarë. Po ashtu, ai ka marrë shpërblime të veçanta të lidhura me performancën, përfshirë një bonus të raportuar prej rreth 3 milionë dollarësh (rreth 2.58 milionë euro) për sukseset e lidhura me projektin Gemini AI. Pasuria e tij neto vlerësohet rreth 600 milionë dollarë (rreth 516 milionë euro).
Pas lansimit të OpenAI dhe sidomos suksesit të ChatGPT, gara globale e inteligjencës artificiale u përshpejtua ndjeshëm, duke bërë që Google të konsolidojë më fort aktivitetet e saj të AI-së rreth Google DeepMind nën drejtimin e Hassabis. Kjo e vendosi kompaninë në një konkurrencë më të drejtpërdrejtë me Anthropic, Meta dhe OpenAI, si për talentin ashtu edhe për ndikimin publik.
Roli i Hassabis është veçanërisht i vlefshëm sepse ai kombinon statusin e themeluesit, kredencialet elitare shkencore dhe aftësinë drejtuese organizative në një figurë të vetme. Në këtë kontekst, mbajtja e studiuesve kryesorë të DeepMind është bërë strategjikisht kritike për Google, sidomos ndërsa pritjet për kompensime dhe konkurrenca për talent në industrinë e AI-së vazhdojnë të rriten.
Andrej Karpathy
Andrej Karpathy përmbyll këtë listë si një tjetër figurë kyçe e lidhur me themelimin e OpenAI.
Pas rolit të tij në fazat e hershme të OpenAI, ai kaloi në Tesla, ku drejtoi ekipin e inteligjencës artificiale dhe kontribuoi në zhvillimin e sistemeve të drejtimit autonom të bazuara në rrjete neurale gjatë periudhës 2017–2022. Kjo punë e vendosi atë në qendër të përpjekjeve për aplikimin praktik të AI-së në industrinë e automjeteve.
Më pas, Karpathy u rikthye për një periudhë të shkurtër në OpenAI, përpara se të themelonte në vitin 2024 Eureka Labs, një iniciativë e fokusuar në edukimin dhe projektet e pavarura në fushën e inteligjencës artificiale. Deri më tani, kompania nuk ka një vlerësim të publikuar privat, pasi operon kryesisht në fazë zhvillimi dhe eksperimentimi.
Ndryshe nga shumë drejtues të tjerë të kësaj liste, vlera e Karpathy-t në ekosistemin e inteligjencës artificiale lidhet më shumë me aftësinë e tij për të lidhur kërkimin akademik me aplikimet praktike në industri, sidomos në fusha si autonomia dhe sistemet e mësimit të thellë.
Megjithatë, pasuria neto e Andrej Karpathy vlerësohet të jetë mes 50 milionë dollarëve (rreth 43 milionë euro) dhe 150 milionë dollarëve (rreth 129 milionë euro), kryesisht si rezultat i karrierës së tij në kompani të mëdha teknologjike dhe roleve të mëparshme drejtuese.
Edhe pse ai nuk është përfshirë publikisht në spekulimet për kompensime të jashtëzakonshme si disa studiues të tjerë të laboratorëve frontier, Karpathy mbetet një figurë me ndikim strategjik në ekosistemin e AI-së.
Kjo lidhet veçanërisht me aftësinë e tij për të ndikuar komunitetet e zhvilluesve dhe për të tërhequr talent, falë rolit të tij të hershëm në formësimin e kulturës moderne inxhinierike rreth mësimit të thellë dhe sistemeve të inteligjencës artificiale. /Telegrafi/
Një juri në Kaliforni ka hedhur poshtë padinë e profilit të lartë të Elon Musk kundër OpenAI dhe shefit të saj Sam Altman.
Në një vendim unanim, juria ra dakord se Musk kishte pritur shumë gjatë për të ngritur padinë e tij, duke i lënë të gjitha pretendimet e tij praktikisht të skaduara, transmeton Telegrafi.
Musk kishte akuzuar Altman për shkelje të një kontrate jofitimprurëse duke e transferuar krijuesin e ChatGPT në një kompani fitimprurëse pasi Musk dhuroi 38 milionë dollarë në fillim të historisë së OpenAI.
Musk pretendoi se Altman e kishte mashtruar duke pranuar paratë e tij dhe më pas duke u larguar nga misioni origjinal jofitimprurës i OpenAI, për të zhvilluar teknologjinë e inteligjencës artificiale (IA) në dobi të njerëzimit.
Anëtarët e jurisë kaluan vetëm rreth dy orë të hënën duke diskutuar çështjen, por ata kishin kaluar tre javë duke parë korrespondencën e brendshme dhe duke dëgjuar dëshmi nga Musk, Altman dhe drejtues të tjerë të industrisë së teknologjisë si drejtori ekzekutiv i Microsoft, Satya Nadella.
Musk kishte akuzuar Microsoft për ndihmë dhe inkurajim të OpenAI në tranzicionin e saj të supozuar të papërshtatshëm në një kompani më fitimprurëse.
Pretendimet e tjera të Musk kundër Microsoft u hodhën poshtë si çështje ligjore duke pasur parasysh gjetjet e jurisë mbi dy pretendimet kundër OpenAI.
Carl Tobias, profesor i drejtësisë dhe kryetar në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit të Richmond, tha se juristët morën një "vendim shumë të bazuar në fakte" në lidhje me çështjen.
"Ky rast dukej disi i çuditshëm dhe i çmendur, por kjo është arsyeja pse ne u besojmë jurive, sepse ato sjellin logjikën e shëndoshë të komunitetit për të zgjidhur mosmarrëveshjet faktike", tha Tobias.
Në ditën e parë të gjyqit, Musk doli në bankën e të akuzuarve i veshur me një kostum të errët dhe kravatë dhe u pyet nga një prej avokatëve të tij se për çfarë bëhej fjalë në veprimin ligjor.
"Në fakt është shumë e thjeshtë. Nuk është në rregull të vidhni një organizatë bamirësie... Nëse është në rregull të plaçkitni një organizatë bamirësie, i gjithë themeli i dhënies bamirëse do të shkatërrohet", tha ai.
Altman i tha jurisë gjatë dëshmisë së tij se Musk jo vetëm që mbështeti idenë që OpenAI të bëhej një biznes fitimprurës, por ai kishte konkurruar për kontrollin e saj në planin afatgjatë.
"Një moment veçanërisht tronditës ishte kur bashkëthemeluesit e mi pyetën: 'Nëse ke kontroll, çfarë ndodh kur vdes?'", kujtoi Altman në gjykatë.
"Ai tha diçka si, 'ndoshta duhet t'u kalojë fëmijëve të mi'", shtoi ai.
Dyshja e themeloi OpenAI në vitin 2015, por Musk u largua në vitin 2018 pasi bashkëthemeluesit e tij ia mohuan kontrollin.
Padia ishte në një farë mënyre një kulminacion i armiqësisë midis Musk dhe Altman të krijuar që atëherë.
Ndërsa Altman u bë një nga emrat më të famshëm dhe më të pasur në industrinë e teknologjisë pas suksesit shpërthyes të ChatGPT, Musk filloi të kritikonte Altman dhe OpenAI.
Në vitin 2024, kompania u ndje e detyruar nga pretendimet online të Musk të publikonte një postim të gjatë në blog, duke i ofruar publikut një kronologji ngjarjesh që hidhnin poshtë pretendimet e Musk.
Të hënën, Sam Singer, një zëdhënës i OpenAI, tha nga jashtë gjykatës së Oakland se vendimi ishte një "fitore e jashtëzakonshme".
"Kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje e Z. Musk për të ngadalësuar një konkurrent," tha ai, duke shtuar se ishte një fitore "edhe për sistemin e drejtësisë".
Avokati William Savitt, i cili përfaqësoi OpenAI gjatë gjyqit, tha se padia e Musk "nuk ka lidhje me realitetin" dhe se juria vendosi që Musk po gënjente gjatë dëshmisë së tij në lidhje me origjinën e kompanisë.
"Jemi të kënaqur që juria arriti në rezultatin e duhur dhe e arriti shpejt", tha ai.
Savitt tha gjithashtu se OpenAI do të vazhdojë të përqendrohet në misionin e saj për të zhvilluar "IA të sigurt për të mirën e të gjithë njerëzimit".
Megjithatë, pas vendimit, Steven Molo, avokati kryesor i Musk në këtë rast, i tha gjyqtarit se donte të "ruante të drejtën e klientit tim për të apeluar", duke lënë të hapur mundësinë që Musk të përpiqet të anulojë gjetjen e jurisë.
"Më lejoni të konsultohem me klientin tim", tha Molo.
Nëse Musk vendos të apelojë, Tobias tha se çështja ka të ngjarë të përfundojë "duke u zvarritur për një kohë".
Por edhe atje Musk mund të mos ketë gjasa të fitojë.
"Në fund të fundit, një gjykatë apeli do të kishte shumë pak gjasa të rrëzonte një vendim kaq specifik të bazuar në fakte nga një juri dhe një gjyqtar që është dakord me të", shtoi ai. /Telegrafi/
Edmond Hajrizi, rektor dhe themelues i UBT-sw, ka folur për rolin e inteligjencës artificiale në arsim dhe mënyrën si teknologjia po ndryshon universitetet dhe tregun e punës
Sipas tij inteligjenca artificiale po ndryshon me shpejtësi mënyrën si funksionon arsimi dhe universitetet, ndërsa institucionet arsimore po orientohen gjithnjë e më shumë drejt modeleve të reja digjitale dhe të personalizuara të mësimit.
Në “Përballje Podcast”, Hajrizi, foli për projektet dhe risitë që po zhvillohen në UBT në fushën e inteligjencës artificiale dhe arsimit digjital.
Sipas tij, UBT tashmë ka punuar në krijimin e një platforme të integruar me inteligjencë artificiale, ku studentët mund të kenë mbështetje të vazhdueshme përmes sistemeve të bazuara në AI.
“Ne kemi punu shumë në krijimin e gjithë platformës që ka mbështetje nga inteligjenca artificiale, domethënë studenti me pasë një profesor të bazuar në inteligjencë artificiale”, deklaroi Hajrizi.
Ai tha se ky “profesor virtual” do të jetë në dispozicion të studentëve në çdo kohë, duke ofruar përgjigje, shpjegime dhe mbështetje të personalizuar sipas nevojave të secilit student.
“Është për ty në çdo moment, çdo kohë, njëzet e katër për shtatë. Të jep mbështetje, të jep përgjigje, të shpjegon, të ligjëron, mbi bazën që është e personalizuar për ty”, u shpreh ai.
Sipas Hajrizit, ky model i ri i mësimit mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit dhe cilësisë së arsimit, duke u mundësuar studentëve qasje më të lehtë dhe më të vazhdueshme në dije dhe mësim.
“Unë mendoj që kjo e rrit produktivitetin dhe e rrit mundësinë që studentët të kenë qasje në mësim dhe mbështetje shumë më të madhe”, tha ai.
Hajrizi theksoi se inteligjenca artificiale nuk duhet parë si zëvendësim i plotë i profesorëve, por si një vegël mbështetëse që ndihmon studentët dhe procesin mësimor në një epokë ku teknologjia po bëhet pjesë e pandashme e arsimit dhe tregut të punës.
Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital po ndryshojnë me shpejtësi mënyrën si funksionon arsimi, tregu i punës dhe vetë universitetet e kolegjet, ndërsa profesionet dhe aftësitë që kërkohen në të ardhmen po evoluojnë vazhdimisht.
Në këtë realitet të ri teknologjik, institucionet arsimore po përballen me nevojën për të krijuar modele më fleksibile, më inovative dhe më të lidhura me zhvillimet globale.
Në “Përballje Podcast”, themeluesi dhe rektori i UBT, Edmond Hajrizi, tha se ky institucion tashmë është duke zhvilluar modele të reja të arsimit digjital, të mbështetura në inteligjencën artificiale, teknologjitë virtuale dhe konceptet e së ardhmes.
Sipas tij, universitetet nuk mund të funksionojnë më vetëm në formatin tradicional, pasi tregu i punës po kërkon kompetenca të reja në fusha si inteligjenca artificiale, fintech, blockchain, cybersecurity, smart cities dhe transformimi digjital.
“Ne duhet t’i përgatisim studentët për kompetencat e së ardhmes dhe për profesionet që po krijohen nga zhvillimet e reja teknologjike”, deklaroi Hajrizi.
Ai tha se UBT ka punuar në krijimin e një platforme të integruar me inteligjencë artificiale, ku studentët mund të kenë mbështetje të vazhdueshme përmes sistemeve të bazuara në AI.
“Ne kemi punu shumë në krijimin e gjithë platformës së integruar me inteligjencë artificiale, ku studenti mund ta ketë një profesor të bazuar në AI, i cili është në dispozicion 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë”, u shpreh ai gjatë diskutimit me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Edmond Hajrizi nga UBT me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu në "Përballje Podcsat"Foto: Ridvan Slivova
Sipas Hajrizit, ky model u mundëson studentëve të marrin mbështetje të personalizuar, shpjegime dhe komunikim interaktiv në çdo kohë, duke rritur produktivitetin dhe cilësinë e mësimit.
Ai foli edhe për konceptin e “Virtual Campus”, që sipas tij përfaqëson një nga drejtimet kryesore të zhvillimit të UBT-së në vitet e ardhshme.
“Ne po ndërtojmë një institucion virtual me AI-based solutions, ku studenti hyn në klasë dhe e përjeton sikur është në amfiteatër fizik, por në format virtual”, deklaroi Hajrizi.
Ai shtoi se ky model do t’u mundësojë studentëve nga vende të ndryshme të botës të studiojnë në UBT pa qenë fizikisht në Kosovë, duke ruajtur interaktivitetin dhe përvojën universitare.
“Një student nga Afrika, Amerika apo Azia mund ta përjetojë të gjithë infrastrukturën dhe interaktivitetin e universitetit pa qenë fizikisht këtu”, tha ai.
Hajrizi theksoi se ky kolegj tashmë po investon në laboratorë modernë dhe programe të reja të lidhura me teknologjinë, ndërsa studentët po përgatiten praktikisht për tregun global të punës.
Ai përmendi gjithashtu zhvillimet në fushën e fintech, smart agriculture, e-health, digjitalizimit të shërbimeve dhe qyteteve të mençura, duke theksuar se universiteti po funksionon si një “Future Lab”, ku testohen dhe zhvillohen modele të reja për të ardhmen.
“UBT-ja është një laborator i së ardhmes, ku zhvillohen prototipe, modele dhe zgjidhje inovative që mund të përdoren jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende tjera të botës”, deklaroi ai.
Sipas Hajrizit, një nga sfidat kryesore mbetet digjitalizimi më i shpejtë i arsimit dhe institucioneve në Kosovë, ndërsa bashkëpunimi mes universiteteve, sektorit privat dhe shtetit është thelbësor për zhvillimin e vendit.
Ai shtoi se Kosova ka potencial të madh për inovacion dhe teknologji, veçanërisht për shkak të moshës së re të popullsisë dhe zhvillimit të sektorit të TIK-ut.
“Teknologjia dhe inteligjenca artificiale nuk janë më luks apo trend, por domosdoshmëri për të ardhmen”, përfundoi Hajrizi./Telegrafi/.
ChatGPT tani mund të kujdeset për financat tuaja personale, gjë që padyshim tingëllon si një ide e mirë.
Në SHBA, abonentët e ChatGPT Pro tani mund të lidhin llogari nga mbi 12,000 institucione financiare, falë një partneriteti që OpenAI ka krijuar me shërbimin e lidhjeve financiare Plaid, transmeton Telegrafi.
Sapo të lidhni llogarinë/llogaritë tuaja me ChatGPT, do të shihni një panel të performancës së portofolit tuaj, shpenzimeve, abonimeve dhe pagesave të ardhshme.
ChatGPT mund t'u përgjigjet pyetjeve në lidhje me shpenzimet ose planet tuaja për të kursyer para në kontekst nga situata juaj aktuale financiare.
Ju mund të menaxhoni lidhjet me llogaritë tuaja në çdo kohë dhe të hiqni cilëndo prej tyre, si dhe të shikoni dhe fshini kujtimet financiare nga chatbot.
Për të filluar, thjesht shkoni te opsioni Financat në shiritin anësor të ChatGPT. Kjo është e disponueshme në internet dhe në aplikacionin iOS për fillestarët, për përdoruesit e ChatGPT Pro në SHBA.
OpenAI thotë se më shumë se 200 milionë njerëz tashmë bëjnë pyetje financiare për ChatGPT çdo muaj.
Kjo veçori thjesht i jep chatbot-it më shumë (dhe më të mirë) kontekst për pyetjet tuaja. Dhe potencialisht qasje në të dhënat financiare të dhjetëra miliona njerëzve. /Telegrafi/
Procesi gjyqësor i shumëpërfolur mes Elon Muskut dhe Sam Altmanit ka zbuluar prapaskena të reja mbi mënyrën se si është zhvilluar OpenAI, ndërsa çështja ka hyrë këtë javë në fazën e tretë.
Sipas reuters, avokatët e Muskut kanë paraqitur prova të ndryshme, përfshirë mesazhe private, email-e dhe dëshmi ish-zyrtarësh të kompanisë, me qëllim që të paraqesin Altman si një udhëheqës të paqëndrueshëm dhe të pasigurt në vendimmarrje.
Një nga dëshmitë kryesore ishte ajo me video e Mira Muratit, ish-drejtoreshës së teknologjisë në OpenAI, e cila u largua në vitin 2024. Ajo deklaroi në gjykatë se Altman kishte krijuar “kaos” brenda kompanisë dhe përdorte një stil komunikimi kontradiktor.
Sipas Muratit, Altman shpesh “i thoshte një gjë një personi dhe krejt të kundërtën një tjetri”, gjë që sipas saj ka shkaktuar pasiguri dhe tensione të vazhdueshme në menaxhimin e kompanisë.
Gjykata shqyrtoi gjithashtu mesazhe të vitit 2023, kur Altman ishte shkarkuar përkohësisht nga posti i CEO-s. Në komunikimet me Muratin, ai kërkonte informacion mbi vendimin e bordit, ndërsa ajo i ishte përgjigjur se situata ishte “shumë e keqe”.
Akuza të ngjashme janë ngritur edhe nga ish-anëtarë të tjerë të bordit. Helen Toner ka folur për një “model shqetësues të mungesës së ndershmërisë”, ndërsa Natasha McCauley ka thënë se Altman ka shkaktuar “kriza të përsëritura” brenda OpenAI.
Në proces është dëgjuar edhe bashkëthemeluesi i kompanisë, Ilya Sutskever, i cili ka shprehur shqetësime për stilin e udhëheqjes së Altman dhe transparencën e tij.
Ndërkohë, Sam Altman i ka mohuar të gjitha akuzat e Elon Musk dhe pritet të dëshmojë në ditët në vijim. Çështja gjyqësore lidhet me pretendimet e Musk se OpenAI është larguar nga misioni fillestar jofitimprurës dhe është shndërruar në një strukturë fitimprurëse. /Telegrafi/
Versioni standard i ChatGPT është përditësuar në GPT-5.5 Instant, një model që sjell përmirësime në saktësi dhe reduktim të “halucinacioneve” (gabimeve të pavërteta), veçanërisht në fusha si mjekësia, ligji dhe financat, ka njoftuar OpenAI.
GPT-5.5 Instant është më i aftë për detyra si analiza e imazheve, përgjigjja në pyetje STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë) dhe vendosja kur duhet përdorur kërkimi në internet për të dhënë përgjigje më të mira.
Po ashtu, përgjigjet mund të personalizohen më shumë, pasi modeli mund të përdorë më mirë kontekstin nga bisedat e mëparshme, dokumentet dhe Gmail-i, por kjo veçori aktualisht është e kufizuar për përdoruesit me pagesë.
OpenAI thotë se përgjigjet tani janë më të shkurtra dhe më të qarta, pa humbur përmbajtjen thelbësore, dhe pa e ndryshuar “personalitetin” e ChatGPT. Modeli jep informacionin njësoj, por me më pak formatime të panevojshme, më pak emoji dhe pa pyetje shtesë të tepërta.
Të gjithë modelet e ChatGPT po përditësohen gjithashtu me funksionin e “kujtesës”, që i lejon sistemit të shfaqë biseda të mëparshme, dokumente dhe kontekst tjetër që është përdorur për krijimin e përgjigjeve.
GPT-5.5 Instant po shpërndahet për të gjithë përdoruesit dhe po zëvendëson GPT-5.3 Instant si modeli standard. Ndërsa përdoruesit falas mund ta përdorin këtë version, funksionet e reja të personalizimit janë të kufizuara për abonentët Plus dhe Pro në web.
OpenAI shton se personalizimi do të zgjerohet edhe në pajisjet mobile dhe në javët në vijim do të jetë i disponueshëm edhe për përdoruesit Free, Go, Business dhe Enterprise.
Ende nuk dihet kur integrimi i ChatGPT në Apple Intelligence do të kalojë në GPT-5.5 Instant. /Telegrafi/
Google, Microsoft dhe xAI do të ndajnë versione të papublikuara të modeleve të tyre të IA-së me qeverinë për të frenuar kërcënimet e sigurisë kibernetike, njoftoi të martën Instituti Kombëtar i Standardeve dhe Teknologjisë.
Partneriteti vjen pasi modeli i ri i fuqishëm i IA-së, Mythos i Anthropic i çoi shqetësimet në lidhje me ndikimin e IA-së në sigurinë kibernetike në një pikë kthese muajin e kaluar, duke ndihmuar në nxitjen e Shtëpisë së Bardhë të peshojë një proces formal shqyrtimi për IA-në.
Marrëveshjet e reja i lejojnë Qendrës për Standardet dhe Inovacionin e IA-së, brenda Departamentit të Tregtisë të SHBA-së, të vlerësojë modelet e reja të IA-së dhe ndikimin e tyre të mundshëm në sigurinë kombëtare dhe sigurinë publike para lansimit të tyre.
Qendra gjithashtu do të kryejë kërkime dhe testime pasi modelet e IA-së të jenë vendosur dhe tashmë ka përfunduar më shumë se 40 vlerësime të modeleve të IA-së, transmeton Telegrafi.
"Shkenca e matjes së pavarur dhe rigoroze është thelbësore për të kuptuar IA-në në front dhe implikimet e saj në sigurinë kombëtare", tha Drejtori i CAISI-t, Chris Fall, në një deklaratë.
"Këto bashkëpunime të zgjeruara të industrisë na ndihmojnë të shkallëzojmë punën tonë në interes të publikut në një moment kritik", shtoi ai.
Mythos, për të cilin Anthropic tha se është "shumë përpara" modeleve të tjera për sa i përket sigurisë kibernetike, shkaktoi një valë shqetësimesh midis qeverive, bankave dhe kompanive të shërbimeve gjatë muajit të kaluar.
Kompania tha se nuk ndihet rehat ta publikojë ende modelin publikisht dhe po kufizon qasjen për një grup të zgjedhur organizatash të miratuara. Gjithashtu ka informuar zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane mbi aftësitë e saj.
OpenAI tha gjithashtu javën e kaluar se po i vë në dispozicion modelet e saj më të përparuara të IA-së për të gjitha nivelet e verifikuara të qeverisë me qëllim që të jetë përpara kërcënimeve të mundësuara nga IA.
Partneritetet mund ta bëjnë më të lehtë për CAISI-n të testojë IA-në duke ofruar më shumë burime, tha Jessica Ji, analiste e lartë kërkimore në Qendrën për Siguri dhe Teknologji në Zhvillim të Georgetown.
"Ata thjesht nuk kanë të njëjtën sasi burimesh (si kompanitë e mëdha të teknologjisë), qoftë si fuqi punëtore, staf teknik dhe gjithashtu qasje në llogaritje, për të hequr këto modele, për të bërë testime rigoroze", tha ajo.
Shtëpia e Bardhë aktualisht po kërkon të konsultohet me një grup ekspertësh për të këshilluar mbi një proces të mundshëm shqyrtimi qeveritar për modelet e reja të IA-së, ka konfirmuar CNN.
Kjo do të përfaqësonte një largim nga qasja e lehtë e administratës Trump ndaj rregullimit të inteligjencës artificiale deri më tani.
New York Times raportoi për herë të parë grupin e punës të hënën.
"Çdo njoftim politikash do të vijë direkt nga Presidenti. Diskutimi rreth urdhrave të mundshëm ekzekutivë është spekulim", tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë për CNN.
Ndërsa Microsoft teston rregullisht modelet e veta, CAISI ofron "ekspertizë shtesë teknike, shkencore dhe të sigurisë kombëtare", tha në një deklaratë Drejtoresha Kryesore e Microsoft për IA-në, Natasha Crampton. /Telegrafi/
Gjatë ditës së djeshme, aktivisti Blendi Hodai ka raportuar se është kërcënuar pas publikimit të pretendimeve për parregullsi në një avancim akademik në Universitetin e Tetovës.
Hodai bëri të ditur se rastin e ka paraqitur në polici, duke theksuar se kërcënimet janë drejtuar ndaj tij, familjes dhe kolegëve të tij.
E për këtë rast ka reaguar zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, i cili ka dënuar kërcënimet ndaj kryetarit të organizatës “Forumi për Ndryshime në Arsim”, Blendi Hodai, duke kërkuar hetim institucional të rastit dhe mbrojtje të lirisë së shprehjes.
Përmes një reagimi publik, Sulejmani dënoi kërcënimet ndaj Hodait dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë ndaj aktivistit të arsimit.
“Dënoj ashpër kërcënimet e bëra ndaj kryetarit të organizatës ‘Forumi për Ndryshime në Arsim’, z. Blendi Hodai, dhe shpreh përkrahjen time ndaj tij”, deklaroi Sulejmani.
Ai u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin hapa konkretë për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e përgjegjësve. “Ftoj organet përgjegjëse ta hulumtojnë këtë rast”, theksoi zv/ministri i Arsimit dhe Shkencës.
“Fjala e lirë është vlera më e lartë e demokracisë. Kemi bërë shumë në këtë drejtim dhe tani nuk duhet t’i lejojmë askujt ta dëmtojë atë”, u shpreh ai.
Një aeroplan pasagjerësh i operuar nga China Eastern Airlines u përplas me një “urë pasagjerësh” në Aeroportin Ndërkombëtar të Shangait Hongqiao të shtunën, sipas linjës ajrore.
Të gjithë pasagjerët në bord u raportuan të sigurt dhe zbritën në një "mënyrë të rregullt", tha linja ajrore në një deklaratë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Siç bëhet e ditur më tej, incidenti ndodhi rreth mesditës ndërsa aeroplani po lëvizte ngadalë drejt pozicionit të tij të parkimit.
China Eastern Airlines tha se një "defekt mekanik" ndodhi gjatë “procesit të taksisë”.
Sipas deklaratës, ekuipazhi i fluturimit ndoqi procedurat standarde, por aeroplani përfundimisht bëri "kontakt të pjesshëm" me urën e pasagjerëve.
Linja ajrore kërkoi falje për incidentin dhe konfirmoi se autoritetet kanë hapur një hetim për të përcaktuar shkakun e saktë të përplasjes. /Telegrafi/
Hajdutët vodhën më pak vetura në vitin 2025 sesa në vitin paraprak.
Sipas Byrosë Kombëtare të Krimit të Sigurimeve (NCIB), pronarët raportuan 659,880 automjete të vjedhura, një rënie prej 23%.
Hajdutët shënjestruan marka dhe modele të caktuara në vend të të tjerave, me një automjet të vjedhur çdo 48 sekonda.
Automjeti numër një i vjedhur në SHBA në vitin 2025 ishte Hyundai Elantra, me 21,732 vjedhje.
Honda Accord ishte i dyti me 17,797, i ndjekur nga Hyundai Sonata me 17,687.
Sipas NCIB, vjedhjet e automjeteve Hyundai dhe Kia ranë për të tretin vit radhazi pasi ato u bënë shënjestër e hajdutëve sepse ishin të lehta për t'u vjedhur.
Hyundai dhe Kia përbënin 14% të të gjitha vjedhjeve të automjeteve vitin e kaluar, nga 23% në vitin 2023.
Nuk është çudi që disa automjete në këtë listë janë ndër më të shiturat në SHBA, si Ford F-150 dhe Chevrolet Silverado , të cilat përbëjnë një përqindje të lartë të automjeteve të vjedhura.
Ja 10 automjetet më të vjedhura në SHBA në vitin 2025:
Latif Arifi, njëri ndër bashkëpunëtorët e zv.kryeministrit Arben Fetai tha në intervistë për Alsat se ndër pakënaqësitë kryesore të Arben Fetait është çështja e bashkëkryetarëve.
Ai megjithatë tha se Fetai ka luajtur rol kyç në bashkimin e VLEN-it në një subjekt. Arifi tha se Arben Fetai e ka vendin në VLEN dhe se ai edhe nga Brukseli mund të ndihmojë vendin në procesin integrues në BE
“Pakënaqësitë e z.Fetait janë kryesisht te çështja e lidershipit për këtë unë nuk dua të flas për shkak se opinioni e din, ne kishim vetëm debate të brendshme”, tha Latif Arifi, VLEN.
A e ka kërkuar pozitën e zonjës Musa?
“Jo nuk e ka kërkuar për këtë ka qenë parimor, ka qenë ndoshta ndër të vetmit që fillimisht ka propozuar drafte për bashkimin e VLEN-it, për bërjen e VLEN-it një parti, por pavarësisht kontributit çfarë ka dhënë kishte momente ku ai ishte i pakënaqur sidomos me këtë pjesën e bashkëkryetarëve dhe mendoj se kjo ka qenë arsyeja. Ai vendin e ka në VLEN, vendin e ka në Qeveri nëse don ta vazhdojë nuk ka asnjë pengesë nga askush”, theksoi Latif Arifi, VLEN.
Jo në Qeveri kryeministri Mickoski njoftoi se do të largohet me rikonstruimin.
“Si do që të jetë ai mund të angazhohet edhe në Bruksel që të kontribuojë për betejën që vendi e bën për anëtarësim në BE mendoj se ai mund të japë kontribut edhe nga Belgjika por sido që të jetë fjalën e fundit e ka ai”shtoi ai./Alsat.mk.