Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, pas votimit të Ligjit për kundërvajtje në Kuvend, tha se me këto ndryshime nga 1 shkurti do të nis zbatimi i projektit "Safe City".
Qoku tha se ky projekt mbron qytetarët dhe se për VLEN-in jeta e njerëzve nuk ka çmim, njofton Telegrafi Maqedoni.
"Ligji për kundërvajtje, u miratua sot në Kuvend me dy të tretat e votave, që do të thotë se nga 1 shkurti projekti Safe City do të fillojë të zbatohet. Ky projekt mbron qytetarët. Për VLEN jeta e njerëzve nuk ka çmim dhe nuk mund të bëhet matematike për pazare politike".
"Megjithatë, nuk mund të mos theksojmë tradhtinë e BDI-së. Ata premtuan se do ta mbështesin këtë ligj, ndërsa sot dolën kundër. Ky qëndrim i tyre tregon se Ali Ahmeti nuk ka në kontroll grupin e vet parlamentar dhe se vendimmarrja e tyre nuk ka lidhje me interesin publik. BDI tentoi ta kushtëzojë këtë vendim me Badenter dhe nuk i ecën këto pazare", tha Qoku./Telegrafi/
Dezinformimi në fushën e shëndetësisë është një nga format më të rrezikshme të keqinformimit, me pasoja të drejtpërdrejta për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
Kështu u shpreh Aimona Vogli, menaxhere editoriale në Faktoje.al, në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com
“Informacioni i rremë për shëndetin nuk është një problem abstrakt, por një rrezik real që ndikon në vendimmarrjen e njerëzve. Kur flasim për dezinformim nuk është një gjë abstrakte...Raste të tilla mund të çojnë deri te ndërprerja e mjekimeve dhe përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të pacientëve”, u shpreh ajo.
Vogli vuri në dukje se mund të krijon pasiguri.
“Shpërndarja e informacioneve të paverifikuara për trajtime, sëmundje apo këshilla mjekësore krijon panik dhe keq orienton publikun, veçanërisht në rrjetet sociale, ku mungon filtri profesional”, thotë ajo.
Foto: Ridvan Slivova
Në këtë kontekst, Vogli theksoi rëndësinë e verifikimit të burimeve dhe përgjegjësinë e mediave për të mos publikuar informacione shëndetësore pa u bazuar në burime të besueshme dhe ekspertizë profesionale, duke nënvizuar se dezinformimi në këtë fushë mund të ketë pasoja të pakthyeshme./Telegrafi/.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen ka përsëritur se sovraniteti i Grenlandës nuk është objekt negociatash, duke theksuar se NATO nuk ka mandat të zhvillojë bisedime në emër të Danimarkës apo Grenlandës.
Ajo njoftoi gjithashtu se të premten do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të aleancës, Mark Rutte.
Këto deklarata vijnë në mes të tensioneve të shtuara pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka shprehur sërish interes për blerjen e këtij territori.
Frederiksen iu referua bisedimeve të fundit ndërmjet udhëheqësve të NATO-s dhe presidentit amerikan, raporton bbc.
“Siç e kam kuptuar, NATO dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë biseduar për një angazhim më të madh të NATO-s në veriun e largët dhe në rajonin e Arktikut”, tha Frederiksen, raporton televizioni danez DR. “Ne jemi të kënaqur me këtë. Kjo është diçka që edhe ne, nga ana daneze, e kemi kërkuar”, shtoi ajo.
Megjithatë, kryeministrja vendosi një vijë të qartë sa i përket statusit politik të ishullit.
“NATO nuk ka mandat të negociojë në emër të Danimarkës dhe Grenlandës për marrëdhëniet tona”, ishte e prerë Frederiksen.
Vërejtjet e saj erdhën vetëm një ditë pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe Donald Trump u takuan në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Menjëherë pas takimit, Trump njoftoi se ishte vendosur një “kornizë për një marrëveshje të mundshme” që përfshin Grenlandën dhe rajonin më të gjerë të Arktikut.
Aktiviteti diplomatik vazhdon në Bruksel. Është konfirmuar se Mette Frederiksen do të takohet të premten me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Takimi do të mbahet pas samitit të jashtëzakonshëm të liderëve të BE-së, dhe pritet që tema kryesore të jetë pikërisht roli i NATO-s në Arktik dhe marrëdhëniet me SHBA-në.
Pavarësisht presioneve, Danimarka dhe Grenlanda kanë hedhur poshtë me vendosmëri propozimet për shitjen e territorit, duke konfirmuar sovranitetin danez mbi ishullin. /Telegrafi/
Klubi anglez nga Championship, Ipswich Town ka njoftuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit shqiptar, Anis Mehmeti nga Bristol City.
Reprezentuesi i kombëtares së Shqipërisë ka ndryshuar klub gjatë ditës së sotme (e premte), por jo edhe kampionat, pasi vazhdon të mbetet pjesë e Championshipit anglez.
“Klubi është i kënaqur të konfirmojë nënshkrimin e Anis Mehmetit nga Bristol City. 25-vjeçari i bashkohet Bluve për një tarifë të pazbuluar dhe ka nënshkruar një marrëveshje deri në verën e vitit 2029”.
“Një sulmues i gjithanshëm, Anisi transferohet në Portman Road pasi ka shënuar tashmë tetë gola dhe ka kontribuar me gjashtë asistime gjatë gjysmës së parë të sezonit 2025/26 të Sky Bet Championship”, thuhet në njoftim.
✍️ We are delighted to confirm the signing of Anis Mehmeti from Bristol City on a three-and-a-half-year deal.
Welcome to Ipswich Town, Anis! 👋💙 — Ipswich Town (@IpswichTown) January 23, 2026
Faqja zyrtare e Ipswich Town ka zbuluar gjithashtu se pasi të përfundojë transferimin e tij, Mehmeti do të veshë fanellën me numër 33.
"Jam shumë i emocionuar që kam nënshkruar për klubin. Çdo gjë që klubi po përpiqet të arrijë përputhet me ambiciet e mia dhe kjo flet vetë. Tifozët janë të mrekullueshëm dhe mezi pres të luaj para tyre”, ka thënë Mehmeti pas nënshkrimit.
Ndryshe, Ipswich Town momentalisht zë vendin e tretë në renditje në Championship dhe është njëri nga pretendentët kryesor për t’u ngjitur në Ligën Premier për edicionin e ri. /Telegrafi/
Në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror, të mbajtur në Davos, Zvicër, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi Jonathan Powell, këshilltar për Sigurinë Kombëtare të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë takimit, u diskutua për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar, planet dhe projektet për mandatin e ardhshëm qeverisës, progresin demokratik në Kosovë dhe rritjen ekonomike, dhe çështje të sigurisë rajonale.
"Kryeministri u shpreh se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë një nga aleatët më të ngushtë të Republikës së Kosovës dhe mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve", thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Jennifer Lopez vazhdoi serinë e saj të paraqitjeve elegante, teksa u pa në Los Angeles të mërkurën.
Aktorja 56-vjeçare u fotografua duke takuar një mikeshë për drekë në hotelin Bel Air, e veshur me një kombinim gri të butë që përputhej me qiellin e vranët.
Ajo doli për drekë vetëm pak ditë pasi një video e saj në tapetin e kuq të Golden Globe Awards u bë virale, ku fansat e kritikuan duke e quajtur “të pasjellshme” për një shkëmbim të shkurtër fjalësh me drejtorin e Glambot të E!, Cole Walliser.
Megjithatë, Lopez nuk u duk e shqetësuar nga reagimet në internet, duke dëshmuar edhe një herë se është mjeshtre e stilit të thjeshtë dhe interesant.
Ajo i dha jetë një bluze të thjeshtë gri duke e kombinuar me pantallona të gjera mbresëlënëse dhe duke shtuar një prekje ngjyre përmes çantës së dorës.
Ylli i Hustlers e kishte futur bluzën diskrete brenda pantallonave të palosura me bel të lartë, të cilat krijonin një siluetë interesante falë këmbëve të tyre voluminoze.
Pantallonat e gjera pothuajse mbulonin këpucët e saj bezhë me platformë.
Ish-kampionët e Evropës, Benfica dhe Real Madrid, do të luajnë në Lisbonë të mërkurën e ardhshme në ndeshjen e Ligës së Kampionëve nga ora 21:00. Kjo ndeshje do të jetë e vlefshme për xhiron e fundit të fazës së ligës së kësaj gare.
Real Madridi do të hyjë në të si skuadra e tretë në renditje, ndërsa Benfica është në vendin e 29-të dhe i duhet një fitore për të avancuar në ‘play-off’ të Ligës së Kampionëve.
Benfica drejtohet nga trajneri portugez Jose Mourinho, i cili më parë ishte te Reali. Portugezi kritikoi kolegun e tij në Real, Alvaro Arbela, i cili pa përvojë si trajner në futbollin senior mori drejtimin e një prej ekipeve më të mira në botë pas largimit të Xabi Alonsos.
“Ka njerëz që nuk kanë bërë asgjë në karrierën e tyre si trajner, por prapë drejtojnë klube të mëdha”, ka thënë fillimisht Mourinho.
“Është një befasi për mua kur trajnerë pa përvojë marrin një shans në klube të mëdha. Më parë besoja se trajnerët më të mirë janë ata që fitojnë dhe pushtojnë më shumë".
“Kjo nuk është më kështu. Ata që bëjnë më mirë janë ata që krijojnë përshtypjen më të mirë për veten e tyre. Disa trajnerë provojnë diçka dhe dështojnë. Pastaj thonë se vdiqën për idetë e tyre. Nëse vdes për idetë e tua, atëherë je budalla", përfundoi portugezi.
Ndryshe, është interesante se Mourinho e stërviti Arbeloan si lojtar ndërsa drejtonte Real Madridin. /Telegrafi/
Faton Selami është zgjedhur Avokat i Popullit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Kuvendi sot me 87 vota “për”, dhe shumicë të Badenterit (20 vota nga deputetët jomaqedonas), miratoi propozimin që Selami të jetë Avokat i Popullit.
Nga gjithsej 28 deputetë jomaqedonas të pranishëm, 20 votuan “për”, ndërsa 8 ishin “kundër”.
Shumica arriti të sigurojë një votim sipas parimit të Badinterit pa votat e BDI-së, përkatësisht, përveç deputetëve të partive në pushtet OBRM-PDUKM dhe VLEN, për Selamin votuan edhe deputetët e LSDM-së dhe "Levicës" që u përkasin komuniteteve, si dhe deputetët e pavarur Ilir Demiri dhe Bejxhan Iljas./Telegrafi/
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në ngjarjen ndërkombëtare Experience Fest California - Virtual Campus Edition, e cila po mbahet në Kaliforni, në format virtual.
Në kuadër të këtij eventi dyditor, Rektori Hajrizi mbajti prezantimin me temën “Coastal Academy: From One Campus to Global Reach”, prezantimi trajtoi gjithashtu procesin e modernizimit dhe rigjallërimit të sistemit arsimor, përmes integrimit të inovacionit, teknologjisë immersive dhe bashkëpunimeve strategjike që synojnë përgatitjen e studentëve për tregun global të punës.
Pjesëmarrja e Rektorit Hajrizi në këtë ngjarje të organizuar nga EON Reality përforcon angazhimin e UBT-së për ndërkombëtarizim, inovacion akademik dhe rol aktiv në transformimin global të arsimit.
UBT ka një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe strategjik me EON Reality, kompani globale lidere në zhvillimin e teknologjive immersive për edukim dhe trajnim profesional.
Ky bashkëpunim përfaqëson një model inovativ të integrimit të teknologjive të avancuara në arsimin e lartë, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e kampuseve virtuale, ofrimin e mësimdhënies interaktive dhe aplikimin praktik të njohurive akademike.
I vetëdijshëm për interesin e madh që ka ngjallur mes gjigantëve të futbollit evropian, Tottenham ka vendosur një çmim jashtëzakonisht të lartë për mbrojtësin Micky van de Ven.
Sipas klubit londinez, lojtari nuk do të largohet për më pak se 115 milionë euro.
Nxjerrja e Van de Ven nga Tottenham pritet të jetë një mision tepër i vështirë.
Sipas asaj që raporton Talksport, drejtuesit e Spurs janë të gatshëm të shqyrtojnë largimin e mbrojtësit holandez vetëm nëse ndonjë klub paraqet një ofertë që i afrohet kësaj shifre astronomike.
Gjatë muajve të fundit, 23-vjeçari është përfolur disa herë si objektiv i Real Madridit dhe Barcelonës, por as madrilenët nuk janë të gatshëm të investojnë kaq shumë për një mbrojtës, ndërsa katalanasit nuk e kanë aktualisht kapacitetin financiar për të realizuar një transferim të tillë.
Në këtë kontekst, Liverpooli mbetet i vetmi klub që potencialisht mund të përmbushë kërkesat e Tottenhamit, teksa edhe “Reds” po e vlerësojnë seriozisht afrimin e qendërmbrojtësit.
Transferim historik?
Nëse Liverpooli vendos të bëjë hapin vendimtar, Van de Ven do të shndërrohej në mbrojtësin më të shtrenjtë në historinë e futbollit.
Rekordi aktual mbahet nga kroati Josko Gvardiol, i cili në vitin 2023 u transferua te Manchester City për rreth 90 milionë euro nga RB Leipzig.
I formuar te Volendam në Holandë, Van de Ven ka luajtur më pas për Wolfsburgun në Gjermani, përpara se të transferohej te Tottenham.
Deri tani, ai numëron 80 paraqitje zyrtare me klubin londinez, ku ka realizuar 9 gola dhe 3 asistime.
Mbrojtësi ka kontratë të vlefshme me Tottenham deri në qershor të vitit 2029. /Telegrafi/
Deputetët e ASH-së së Taravarit paralajmërojnë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese, kundër sistemit “Safe City”. Deputeti Rijad Shaqiri tha se ndryshimet në ligjin për kundërvajtje janë në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës.
“Do të shtrojmë kërkesë në kuadër të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e këtij ligji pasi është në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës. Ligjet duhet të sillen në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut”, tha në intervistë për "Alsat" Rijad Shaqiri, Deputet i ASH-së së Taravarit.
Shaqiri tha se ASH-ja e Taravarit është kundër idesë së kreut të BDI-së Ahmeti për një njësi zgjedhor me prag prej 5%. Ai tha se për ASH-në modeli i pranuar do të ishte me tetë njësi zgjedhore.
“Hipotetikisht nëse ne shkojmë me një njësi zgjedhore, cila është garancia që ne mund të mbikëqyrim procesin zgjedhor në pjesën e Maqedonisë Lindore ku dihet se ajo pjesë është e boshatisur.
Ne jemi kundër idesë që të ketë një njësi zgjedhore. Ne jemi për lista të hapura mirëpo me tetë njësi zgjedhore”, u shpreh Rijad Shaqiri, Deputet i ASH-së së Taravarit.
Shaqiri tha se me BDI-në janë partnerë në AKI dhe se asnjëherë nuk do të ndodhë që kjo strukturë e udhëhequr nga Taravari të shkrihet në BDI, pavarësisht vendimit gjyqësor për vulat e partisë.
Kujtojmë se sot në Kuvend me 81 vota "pro" kaluan ndryshimet ligjore për Ligjin për Kundërvajtje, sipas të cilës nga 1 shkurti mundësohet zbatimi i projektit "Safe City" në qytetet e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka folur sërish për mavijosjen që i shihet në dorën e majtë.
Ai deklaroi se mavijosja e madhe është shkaktuar pas një goditjeje ndaj mobilieve në Zvicër.
“E kam goditur te tavolina,” tha ai për CNN gjatë fluturimit me Air Force One. “I vendosa pak — si e quajnë atë? — krem mbi të. Por e kam goditur”, shpjegoi lideri amerikan.
Më herët gjatë ditës, Shtëpia e Bardhë kishte bërë një deklaratë të ngjashme, duke treguar se 79-vjeçari e kishte goditur dorën në tavolinën e nënshkrimeve gjatë një ngjarjeje të Bordit të Paqes në Davos, Zvicër.
“Në ngjarjen e Bordit të Paqes sot në Davos, Presidenti Trump e goditi dorën në këndin e tavolinës së nënshkrimeve, duke shkaktuar mavijosje”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ndau gjithashtu foto të presidentit në Davos të mërkurën dhe të enjten, duke deklaruar për CNN se “fotot e djeshme dhe të mëngjesit tregojnë qartë se nuk kishte mavijosje”.
Në fillim të ngjarjes së nënshkrimit të Bordit të Paqes, videoja e Trump nuk tregonte mavijosje të dukshme në dorë. Megjithatë, rreth 10 minuta më vonë, pasi ai u ul në tavolinë dhe nënshkroi disa dokumente, mavijosja u bë e dukshme.
Trump ka pasur prej kohësh mavijosje në dorë, që CNN ka raportuar se ekzistonin para se ai të kthehej në Shtëpinë e Bardhë. Këto mavijosje të hershme tërhoqën vëmendje pasi ai filloi t’i mbulonte me make-up dhe fashë dhe t’i mbante larg kamerave me dorën tjetër. Mavijosja në dorën e majtë, e vënë re në fund të vitit të kaluar, ngriti pyetje shtesë për shëndetin e tij.
Trump i tha Wall Street Journal se merr një dozë më të lartë të aspirinit çdo ditë sesa rekomandojnë mjekët, duke argumentuar se “aspirina është e mirë për hollimin e gjakut”. Mjeku i tij, Dr. Sean Barbabella, tha se presidenti merr 325 miligramë aspirinë në ditë, duke e bërë atë të mavijoset më lehtë.
Sipas Klinikës Mayo, një dozë e ulët aspirini, që mund të ndihmojë në parandalimin e sulmit në zemër ose goditjes në tru, zakonisht ndryshon nga 75 deri në 100 miligramë, me 81 miligramë të rekomanduar shpesh. Për terapinë me aspirin, doza ditore zakonisht është midis 75 dhe 325 miligramëve. /Telegrafi/
Kompanitë Hamilton dhe Capcom kanë bashkuar forcat për të krijuar dy modele të veçanta orësh, me rastin e prezantimit të video-lojës Resident Evil Requiem.
Modeli i parë, i frymëzuar nga protagonisti Leon S. Kennedy, është një orë me dizajn të zi dhe elementë të frymëzuar nga plumbat, ndërsa modeli i dytë, i bazuar në Grace Ashcroft, ka detaje elegante në ngjyrë të zezë dhe të artë, që pasqyrojnë forcën dhe sofistikimin e karakterit të saj.
Çdo model do të prodhohet në një seri të kufizuar prej vetëm 2000 copash dhe do të dalë në shitje më 27 shkurt 2026, në të njëjtën kohë me prezantimin e video-lojës.
Çmimi i modelit Leon është rreth 2095 euro, ndërsa ai i Grace rreth 1345 euro.
Ky bashkëpunim synon të kombinojë botën e video-lojërave me koleksionet ekskluzive të orëve, duke ofruar një artikull unik për adhuruesit e lojës dhe të dizajnit. /Telegrafi/
Një ligjëratë mbi Gjykatën Speciale e cila është mbajtur të enjten në ambientet e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë ka shkaktuar reagime të ndryshme nga institucione dhe organizata.
Nga organizata YIHR KS kanë dhënë sqarime se sesioni informues (ligjëratë) i cili është mbajtur para nxënësve të shkollës “Xhevdet Doda” është realizuar me lejen e institucionit arsimor.
Sipas tyre, sesione të tilla mbahen që nga viti 2018, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, në bashkëpunim me përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Këto sesione janë pjesë e programit tonë për drejtësi tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën. Gjatë sesionit është prezantuar informacion bazik dhe publik mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke përfshirë mandatin dhe kompetencat e tyre, si institucion i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç thuhet në njoftim YIHR KS, prej më shumë se 20 vitesh nga themelimi i saj, ka zhvilluar aktivitete të vazhdueshme me fokus në të drejtat e njeriut, ballafaqimin me të kaluarën dhe fuqizimin e të rinjve dhe të rejave në Kosovë.
“Sesione të tilla informuese janë pjesë e misionit afatgjatë të YIHR KS për të kontribuar në promovimin e drejtësisë tranzicionale dhe ne do të vazhdojmë me punën dhe aktivizmin tonë në këtë fushë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ndryshe, drejtuesit e shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, kanë reaguar publikisht ndaj, siç thuhet, disa informacioneve të pasakta që po qarkullojnë në opinion, duke sqaruar se në ambientet e shkollës nuk është mbajtur asnjë ligjëratë nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale.
Sipas reagimit, ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur për aktivitetet e saj edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve.
Qëllimi i ligjëratës ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një qasjeje të përgjithshme, neutrale dhe edukative.
Në reagim sqarohet se Drejtoria Komunale e Arsimit nuk ka qenë e përfshirë në dhënien e pëlqimit për mbajtjen e kësaj ligjërate, ndërsa autorizimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH). /Telegrafi/
Kosova gjatë vitit 2025 ka shënuar nivelin më të lartë të importit ndonjëherë, duke arritur në 7.11 miliardë euro, ndërsa eksporti ka kapur vlerën prej 943 milionë euro, kështu bën të ditur drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.
Në një intervistë për emisionin ekskluzivisht ekonomik “Shtylla” në KosovaPress, Llugaliu tha se kjo është hera e parë që importi i Kosovës tejkalon pragun prej 7 miliardë eurosh, duke shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.
“Tek importi janë produktet minerale, e kryesisht në këtë pjesë bëjnë pjesë me një sasi dominuese lëndët djegëse, derivatet që i përdorim për qëllime të ndryshme. Mandej janë mjetet e transportit si produkte të gatshme, makineritë, pajisjet mekanike, giza dhe çeliku, plastika dhe produktet e tyre sa i përket importit. Domethënë këto janë top 5 produktet që importohen në vendin tonë nga vlera. Ndërsa sa i përket eksportit, Kosova në pjesën dërmuese të produkteve që mbizotërojnë janë metalet bazë dhe artikujt me metale bazë, plastika dhe artikujt prej tyre, ushqimet e përgatitura, pijet, alkooli dhe duhani, artikuj të ndryshëm të prodhuar siç janë mobiliet, si dhe produktet minerale, xehet në përgjithësi”, potencon ai.
Kësisoj, sipas drejtorit të i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, u arrit edhe rekordi i importit prej 7.11 miliardë euro, krahas eksportit që ka kapur vlerën prej vetëm 943 milionë euro.
“Dogana dhe vitin që lamë pas ka vazhduar me një performancë të kënaqshme, duke arritur kështu të sigurojmë të hyra për buxhetin e Kosovës në shumën prej 1 miliard e 668 milionë. Kjo përbën afër 8 për qind rritje më shumë sesa viti paraprak, të cilin vit kemi pasur 1 miliard e 832 milionë”.
Por, çka ndikoi në këtë rritje të importit?
Pas fillimit të zbatimit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë me BE-në, me Turqinë e së fundmi edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pasur një ndikim dukshëm të rritshëm në taksat që lirohen, që në fakt kanë efekt negativ sa i përket shumës që mbledhim ne, në shumën prej 48 milionë më shumë sesa viti paraprak, duke arritur në rreth 425 milionë për vitin 2024.
Llugaliu, u shpreh optimist edhe për vitin që nisi javë më parë. Kjo, derisa qartëson formën se si po mblidhen të hyrat.
“Ne presim të kemi një performancë të ngjashme. Besoj që ne do të vijojmë që të kemi një rritje të trendit të hyrave në këto përmasa, nëse aspektet që ndikojnë ekonominë në nivel lokal po edhe në nivel global nuk paraqesin ndonjë të papritur të madhe që mund me ndiku tek aspektet ekonomike. Përndryshe, vlen me e cek se me gjithë atë suksesin që ne kemi arritur, është shumë e rëndësishme që gati 98% e të hyrave që ne i mbledhim vijnë nga deklarimet që i bëjnë vetë bizneset, domethënë deklarime vullnetare. Është vetëm 2.4 për qind pjesa e mbetur e të hyrave që mblidhen nga shumat që dogana në bazë të veprimeve, informatave, rivlerësimeve që i ndërmerr, i siguron si të hyra shtesë në buxhetin vjetor”, nënvizon Llugaliu.
Llugaliu nuk e sheh keq as nivelin e eksportit, ani se është larg nga ai i importit.
“Gjatë vitit 2025 kemi pasur eksport prej rreth 943 milionë euro, ndërsa sa i përket importit, importi ka qenë në shumën prej 7.11 miliardë euro… Po, në vitin paraprak ka qenë diku 6.35 miliardë euro. Pra është një dinamikë e rritjes pothuajse normale vit për vit që është pak a shumë krahas edhe rritjes ekonomike që bën vendi… Në fakt janë rritur të dyjat( sasia dhe vlera), për shkak se edhe tek pjesa e produkteve që në treguesin tonë është pesha si masë matëse, kemi edhe aty një rritje të theksuar”, thotë Llugaliu.
Por, e pranon se ka ende shumë punë për t’u bërë në mënyrë që të rritet eksporti në vend.
“Është vetë fakti i gjendjes së industrisë sonë në përgjithësi. Ne vërejmë që ka një rritje të theksuar nëse e krahasojmë me 5-6 vite më herët, kemi dyfishim të eksportit. Tani i jemi ofruar 1 miliard euro në vitin që lamë pas. Kemi politika që janë jashtëzakonisht përkrahëse për biznesin, mirëpo nuk është që industria mundet me e zënë hapin brenda natës. Kështu që janë disa faktorë historikë duke filluar që prej kohës së ish-Jugosllavisë, mandej edhe procesi i privatizimit te ne besoj që nuk e ka arritur efektet e dëshirueshme për me mundësu që me pas një tranzicion prej ekonomisë shoqërore në ekonomi të hapur të tregut, në mënyrë që kapacitetet prodhuese që kanë qenë në atë kohë të jenë mirëfilli të përdorura.
Ka pasur edhe vonesa edhe në aspektin e politikave përkrahëse, sidomos për prodhuesit. Shtoja kësaj edhe pasigurinë që kemi pasur në statusin juridik si shtet deri në vitin 2008, që ka qenë pasiguri e madhe dhe për investitorët e huaj me ardhë dhe me investu në Kosovë. Janë disa, besoj, aspekte që kanë ndikuar në përgjithësi në trendin e eksportit që ne kemi aktualisht”, thotë ai.
Gjatë intervistës, Llugaliu foli edhe për procedurat doganore.
“Ne në vitin 2024, në maj, e kemi në fuqi kodin e ri doganor, i cili është plotësisht në harmoni me kodin doganor të Bashkimit Evropian dhe ofron lehtësirat e fundit që zbatohen në vendet e BE-së. Po përtej kësaj, Kosova që nga viti 2017 është edhe vend anëtar i Organizatës Botërore të Doganave dhe ne jemi bërë edhe pjesë e disa konventave, përfshirë Konventën e Kyotos, që na mundëson që të kemi sistemin më të avancuar sa i përket lehtësirave tregtare. Një matës që është shumë objektiv dhe i besueshëm është koha e zhdoganimit që e bën sekretariati i CEFTA-s në Bruksel, i cili në kohë reale mat muaj për muaj sa është koha e zhdoganimit në vendet anëtare të CEFTA-s. Kosova e zë vendin e parë tani e disa vite me radhë. Domethënë, e kemi kohën më të mirë sa i përket procesit të zhdoganimit. Besoj që ky është mjeti më adekuat i matjes së performancës sonë”, thotë ai.
Ai tutje tha se deri më 2025, Dogana pati staf sa në vitin 2008.
“Ne kemi normalisht kapacitete të konsoliduara në përgjithësi. Gjatë vitit të kaluar, krahas reformave të tjera, kemi bërë edhe rekrutimin e 107 zyrtarëve të rinj. Megjithatë është e nevojshme që të kemi numër më të madh për shkak të gjitha kërkesave që kanë lindur gjatë viteve, qoftë me hapjen e zyrave të reja, qoftë me rritjen e ekonomisë. Nëse e krahasojmë me vitin 2008, ne kemi pasur dyfish më shumë dërgesa në eksport dhe në import, ndërsa që staf që nga viti 2008 deri në vitin e kaluar ne nuk kemi rekrutuar.
Kështu që është normalisht e domosdoshme dhe ne jemi në komunikim edhe me Ministrinë e Financave për me e rrit numrin e lejuar të stafit që rekrutojmë. Tani është me rëndësi që kemi një sistem të ndërtuar për pjesën e rekrutimit bazuar në meritë edhe me përkrahjen që kemi pas nga zyra e BE-së, me një ekspert që ka punuar për rreth 9 muaj me ekspertët tanë, me kriju një bazë të mirëfilltë që mundëson rekrutim bazuar në meritë”, deklaron Llugaliu.
Sa i përket luftës kundër kontrabandës, drejtori i Doganës bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë zbuluar mallra në vlerë miliona eurove, ani se mohon të jetë rritur kjo veprimtari ilegale.
“Për faktin që kemi pasur rritje të theksuar të hyrave në njërën anë, dhe në anën tjetër rritje të theksuar të zbulimeve, besoj që kemi pasur efikasitet të konsiderueshëm sa i përket luftimit të kontrabandës dhe informalitetit në përgjithësi. Gjatë vitit që kemi lënë pas, kemi pasur diku 18.4 milionë euro mallra të zbuluara, qoftë kontrabandë...Nuk besoj që ka shtim. Unë besoj që ka pasur efikasitet në zbulim, për shkak se dinamika e kontrabandës nuk është që ka pas ndonjë faktor të ri që kish me ndiku në këtë dinamikë.
Mirëpo, vetë aspekti i rritjes së efikasitetit që e përmenda edhe me risitë që i kemi bërë në legjislacion, me reformën në legjislacion, edhe me reformën me gradimet, promovimet që i kemi bërë brenda për brenda organizatës, edhe numri prej 107 zyrtarëve të rinj, ne veç kemi fillu me i pa menjëherë frytet e para të efikasitetit”, thotë ai.
Edhe në këtë fushë, Llugaliu thotë se Dogana e Kosovës të jetë lartë e ranguar.
“Qëndrojmë mjaft mirë, përjashto pjesën e Serbisë që është impakti më shumë politik. Në pjesën tjetër kemi bashkëpunim efikas me të gjitha vendet. Në Shqipëri siç e dini që nga viti 2022 jemi edhe me zhdoganim në Portin e Durrësit, që ka ndihmuar që të krijojmë vlera edhe për tregun tonë, po edhe për pjesën e Shqipërisë me rritje mbi 25% vit për vit në dërgesat që shkojnë në Portin e Durrësit, ndërsa portet e tjera kanë shënuar një rënie të lehtë. Po ashtu jemi përherë të angazhuar me operacionet e përbashkëta që iniciohen, mirëmbahen nga Organizata Botërore e Doganave në fusha të ndryshme, duke filluar nga kontrabanda e barnave të falsifikuara, mashtrimet e ndryshme, armë, shkatërrimit në masë. Janë disa fusha që ne vit për vit jemi pjesë e operacioneve dhe madje në shumë raste edhe kemi treguar rezultate duke u renditur, për nga numri i zbulimeve, në top dhjetëshin e mbi 150 vendeve që marrin pjesë si rëndom”, shprehet Llugaliu. /KP/
Prokuroria Themelore e Prizrenit ka paralajmëruar një konferencë për media lidhur me aksionin e Prokurorisë Themelore në Prizren, mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore, gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në regjionin e Komunës së Prizrenit.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.
Sipas njoftimit konferenca pritet të mbahet në orën 15:00 në objektin e Prokurorisë Themelore në Prizren.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Kryeprokurori Petrit Kryeziu së bashku me Policinë e Kosovës, do të mbajë sot (23 Janar 2026) konferencë për media lidhur me aksionin e Prokurorisë Themelore në Prizren, mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore, gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në regjionin e Komunës së Prizrenit. Konferenca do të mbahet në orën 15:00, në objektin e Prokurorisë Themelore në Prizren, kati tretë, Salla e Takimeve”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, mediat kanë raportuar se janë arrestuar mbi 100 persona, ndërkaq po ashtu raportohen se në mesin e të intervistuarve dyshohet të jetë edhe djali i ish-deputetit Nait Hasanit, Art Hasani.
Ky i fundit besohet se ka ushtruar funksionin e komisionerit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Po ashtu në mesin e të arrestuarve është edhe komisioneri i Emilja Rexhepit, kjo e konfirmuar nga avokati i tij, Blend Gjini. /Telegrafi/
Me 81 vota “për” dhe 19 “kundër, në Kuvend kaloi Ligji për kundërvajtje, me të cilin do të finalizohet projekti "Safe City" dhe i njëjti do të hyjë në fuqi nga 1 shkurti.
Kundër ndryshimeve në këtë ligj ishin 19 deputetë ndërsa nuk kishte asnjë të përmbajtur.
Pro votuan deputetët e OBRM-PDUKM-së, VLEN-it, ZNAM-it, "Të Majtës" dhe deputeti i pavarur tashmë, Ilir Demiri.
Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari u shpreh kundër “Safe Cityt”, ashtu sikurse edhe Rijad Shaqiri dhe Ilire Dauti. Pasi ndryshimet e Ligjit u votuan me 81 vota, deputetja e BDI-së, Rina Jadari kërkoi votim veçmas dhe të hapur, ndërkohë që sërish dolën 81 vota “për”.
Me këto ndryshime, projekti "Safe City" do të mund të zbatohet nga 1 shkurti./Telegrafi/
Nga: Daisy Dunn / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com
Në një moment gjatë 20 vjetëve të fundit, harruam për çfarë shërbejnë librat. Shiko nga njëra anë dhe do t’i hasësh të shndërruar në objekt fetishist, ku dizajnet me ngjyra gjallërojnë dhomat gri, kopertinat zbukurojnë çantat dhe fotot e tyre postohen me krenari në internet para se të jenë hapur. Shiko nga ana tjetër dhe do të mësosh se shfletimi i këtyre fotove (dhe përmbajtjeve të tjera) në rrjetet sociale tejkalon leximin dhe çdo hobi tjetër mes të rriturve, ndërsa vetëm 33 për qind e fëmijëve mbi tetë vjeç kënaqen duke lexuar për qejf.
Qartësisht kemi një problem. Ashtu si me shumë gjëra në shoqërinë moderne - dyqanet, kutitë postare, kishat - i nderojmë librat dhe duam që të vazhdojnë të ekzistojnë, por nuk arrijmë të gjejmë kohën apo energjinë për to.
Nëse pasojat për inteligjencën dhe mirëqenien tonë janë të rënda, ato për vendin mund të jenë edhe më keq. Këtë muaj, Bridget Phillipson, ministrja e Arsimit, paralajmëroi se rënia e leximit është aq serioze saqë përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Thuhet se, pa ekspozim të shpeshtë ndaj tekstit të shkruar, jemi në rrezik të bëhemi pre e dezinformatave të përhapura nga Rusia dhe nga vendet e tjera.
Si autore që siguron jetesën nga shkrimi i librave, jam natyrisht e angazhuar në fushatën Viti Kombëtar i Leximit dhe çdo përpjekje tjetër për të ringjallur përdorimin e duhur të librave të vërtetë. Por, si klasiciste, kam edhe një pyetje. A mund të kompensohet deri-diku rënia e shkrim-leximit nga rritja e komunikimit gojor? Me këtë nënkuptoj: a mund të jetë rritja e podkasteve dhe komenteve që kemi parë vitet e fundit një pararojë e një epoke të re - edhe pse ndryshe - të kulturës së lartë, si ajo që solli në jetë Iliadën dhe Odisenë e Homerit?
Këto poema epike ishin produkt i një epoke analfabete. Të kompozuara në Greqi rreth shekullit të tetë para Krishtit, përpara shpikjes së shkrimit të gjatë, ato u ruajtën përmes interpretimit dhe kujtesës për qindra vjet. Janë, ndër të tjera, dëshmi e aftësive të mendjes dhe kujtesës njerëzore. Kjo aftësi nuk vdiq me antikitetin. Edhe në shekullin XX, udhëtari dhe shkrimtari Paddy Leigh Fermor hasi njerëz në Kretën rurale që mund të recitonin mijëra vargje poezie përmendësh.
Nëse nuk mund ta kthejmë rrjedhën përfundimisht drejt leximit, atëherë është teorikisht në fuqinë tonë të punojmë mbi dashurinë e rizbuluar për fjalën e folur dhe ta përqafojmë letërsinë në mënyrën e grekëve. Pengesat kryesore për këtë tregojnë se mungesa e leximit nuk është problemi i vetëm. Së pari, dëgjimi është bërë më pasiv sesa aktiv; dhe, së dyti, mësimi përmendësh konsiderohet i papranueshëm në shkollat e sotme. Kjo është një nga arsyet pse podkastet nuk janë zëvendësim për librat. Aftësitë tona për përqendrim janë zhdukur bashkë me oreksin për të shfletuar faqet.
Përveç nëse aftësia për të memorizuar ushtrohet te fëmijët, çfarë shprese ka që dëgjimi të zëvendësojë leximin në moshë madhore? Nuk mund t’i kemi të dyja: nuk ka zëvendësim të leximit me dëgjimin nëse nuk mësojmë si të dëgjojmë, përndryshe dëgjimi nuk është më i mirë se lëvizja e pafundme e gishtit në ekran. Përkundrazi, duhet të rizbulojmë fuqitë e leximit dhe të dëgjimit, si dhe të përvetësimit të informacionit përmes të dyjave. Kjo është thelbësore për trurin dhe për Britaninë, por edhe për librin - për të cilin është një poshtërim i madh të reduktohet në zhurmë sfondi. /Telegrafi/
Ndonëse nuk dihet vjetërsia e pamjeve, ato kanë bërë xhiron në rrjetet sociale.
Ende nuk dihet kush qëndron pas këtij sulmi, por ka ngritur spekulime të shumta që nuk janë konfirmuar.
Lim Hoti është banori që pak kohë më parë iu bashkua shtëpisë së BBVK-së dhe shpejt u bë një nga më të përfolurit e këtij edicioni për shkak të dinamikave që solli brenda shtëpisë.