Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Telegrafi

Ndërmarrja Ambienti rrit pagat për punëtorët dhe ndanë 500 euro shpërblim vjetor

24 December 2025 at 15:54


Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Ambienti, me kryesim të ing. Gramoz Xhemajlit, ka nënshkruar vendimin për shpërblim vjetor prej 500 eurosh për çdo punonjës, me rastin e festave të fundvitit, si dhe për ngritje page për vitin 2026.

Ky vendim u miratua në mbledhjen e rregullt të Bordit të Drejtorëve, bazuar në propozimin e Kryeshefit Ekzekutiv, Diedon Berisha, duke vlerësuar sukseset e larta të ndërmarrjes gjatë vitit.

Sipas Bordit, Ambienti Sh.A. për herë të parë pozicionohet si kompani lidere në Kosovë për paga, shujta dhe beneficione për punonjësit e saj.

Bordi i Drejtorëve gjithashtu theksoi se prioritet për vitin 2026 mbetet modernizimi i mëtejshëm, digjitalizimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm i ndërmarrjes.

Në përbërje të Bordit janë Gramoz Xhemajli, kryesues, Drita Krasniqi dhe Gazmend Kastrati, të cilët u uruan punonjësve për shëndet dhe suksese të përbashkëta edhe në vitin e ardhshëm.

Bordi falënderoi gjithashtu stafin ekzekutiv dhe operativ për kontributin e dhënë në realizimin e politikave të ndërmarrjes dhe për arritjen e rezultateve të larta. /Telegrafi/


Edi thotë se Big Brother i Kosovës është më i miri nga të gjithë

24 December 2025 at 15:54


Banorët e Big Brother VIP Kosova 4, Ludo Lee, Eduard Kuçi dhe Ardit Stafaj, zhvilluan një bisedë rreth formatit të Big Brother dhe krahasimeve mes tyre.

Ata folën për fillimet e programit dhe për mënyrën se si ka evoluar në vende të ndryshme.

Gjatë diskutimit, Edi theksoi se sipas tij, më i miri nga të gjithë Big Brother është ai i Kosovës.

Foto: Instagram

“Unë besoj që Big Brother më të mirin e kemi ne, ne në Kosovë. Sa surpriza bëhet", tha ai.

Shikuesit gjithashtu kanë reaguar me komente dhe diskutime në rrjetet sociale për këtë krahasim.

Edi ndërkaq ka qenë pjesë edhe e edicionit të kaluar të këtij reality shou, por qëndroi për vetëm dy javë.

Në të kaluarin fitues u shpall boksieri nga Drenica, Drilon Rama. /Telegrafi/

Rusët e lodhur nga lufta - nuk i motivojnë më as propagandat e serialeve

24 December 2025 at 15:51


Që nga fillimi, presidenti rus, Vladimir Putin dhe propagandistët e tij kanë tentuar ta paraqesin agresionin në Ukrainë si një “luftë të popullit”, por ky imazh ka dështuar - vendi është lodhur nga lufta, edhe pse “heronjtë” (ata që vrasin, përdhunojnë dhe lëndojnë pa ndëshkim) kthehen nga fronti.

Si përpjekje për të ndryshuar këtë, ideologët e Kremlinit kanë promovuar një seri komike televizive të titulluar “Anë tjetër e Monedhës”, e cila tregon ushtarë rusë që luftojnë në Ukrainë dhe është financuar me miliarda rubla nga organizata që mbështetet nga shteti. Kjo lloj komedie rreth një lufte është e re dhe pa precedent në propagandën ruse, raporton The Moscow Times.

Seriali përshkruan ushtarët si të lumtur, të lidhur ngushtë me njëri‑tjetrin dhe të udhëhequr nga komandantë të mençur - një realitet që shumë rusë e konsiderojnë larg asaj që dihet për gjendjen e vërtetë në front.

Edhe figura të profilit të lartë që janë pro‑luftës e kanë kritikuar projektin, duke thënë se është thellësisht i gabuar dhe i pavend, veçanërisht kur ironizon për humbjet e familjeve që kanë humbur bashkëshortë ose të afërm.

Në rrjetet sociale, shumë njerëz kanë shprehur zemërim, duke pyetur nëse regjisorët kanë qenë ndonjëherë në front apo e kuptojnë vuajtjen reale të luftës.

Shkrimtari argumenton se kjo seri, sipas tij më shumë propagandë sesa satire e vërtetë, me shumë gjasa do të dështojë në qëllimin e saj: t’i bëjë njerëzit të qeshin me luftën. /Telegrafi/

Kuvendi zgjedh për ministra Muhamet Hoxhën dhe Bekim Salin

24 December 2025 at 15:50


Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot, në kuadër të seancës së 75-të plenare, zgjodhi Muhamet Hoxhën si Ministër të Mjedisit dhe Bekim Sali si Ministër për Integrime Evropiane. Menjëherë pas zgjedhjes, Hoxha dhe Saliu dhanë deklarata solemne para deputetëve.

Kryeministri Hristijan Mickoski në Kuvend shpjegoi propozimet për emërimin e Muhamet Hoxhës si Ministër të Mjedisit dhe Bekim Saliut si Ministër për Integrime.

Sot po ju paraqes propozimin për zgjedhjen e dy ministrave me qëllim pajisjen e plotë dhe funksionale të Qeverisë dhe sigurimin e vazhdimësisë në punë, në departamentet kryesore të pushtetit ekzekutiv, tha Mickoski.

Ai për Hoxhën tha se kandidati ka shumë vite përvojë në administratën shtetërore dhe në pushtetin ekzekutiv, se ka qenë i angazhuar në disa institucione me pozicione drejtuese që nënkuptojnë përgjegjësi, koordinim dhe punë në një mjedis kompleks administrativ dhe institucional.

Për Bekimi Sali tha se ai kishte përvojë të mëparshme si ministër, si dhe angazhim të vazhdueshëm në degën legjislative, gjë që i jep atij një kuptim të qartë të marrëdhënieve midis degëve ekzekutive dhe legjislative, si dhe të mënyrës se si funksionojnë institucionet shtetërore.

Kuvendi sot gjithashtu sot ka shkarkuar nga posti i ministrit për Integrime Evropiane, Orhan Murtezanin./Telegrafi/

Komuna e Kaçanikut ka ndarë 103 serra për fermerët gjatë vitit 2025

24 December 2025 at 15:50


Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Kaçanikut, nën drejtimin e Drejtorit Suhad Dullovi, ka përmbyllur me sukses shpërndarjen dhe montimin e 103 serrave për fermerët lokalë gjatë vitit 2025.

Secila serra ka një sipërfaqe prej 50 m², duke ofruar kushte të avancuara për kultivim dhe prodhim bujqësor.

Ky projekt synon të rrisë kapacitetet bujqësore të fermerëve kaçanikas dhe të përmirësojë mirëqenien e tyre përmes mbështetjes direkte në prodhim.

Drejtoria e Bujqësisë thekson se do të vazhdojë përpjekjet për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe fuqizimin e sektorit vendor. /Telegrafi/


KRU “Hidroregjioni Jugor” shkyç konsumatorët me borxhe të papaguara

24 December 2025 at 15:44


Inspektoriati i KRU “Hidroregjioni Jugor” në bashkëpunim me njësitë operuese, ka vazhduar sot aksionin e shkyçjeve për konsumatorët që nuk i kanë përmbushur detyrimet financiare ndaj kompanisë.

Gjatë ditës janë realizuar gjithsej 25 shkyçje, nga të cilat 15 në Prizren dhe 10 në Suharekë.

Shkyçjet vijnë pas thirrjeve dhe afateve të përsëritura për pagesë, të cilat nuk janë respektuar nga konsumatorët e prekur.

KRU “Hidroregjioni Jugor” ka bërë të ditur se nuk do të ketë më tolerancë apo falje për konsumatorët që nuk e kryejnë pagesën e obligimeve, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të kontratave dhe sigurimin e furnizimit të pandërprerë me ujë. /Telegrafi/


A do të shënojë Ronaldo 1,000 gola? Ja çfarë thotë trajneri i Portugalisë për këtë

24 December 2025 at 15:40


Një nga më të mirët e të gjitha kohërave, portugezi Cristiano Ronaldo synon të bëhet lojtari i parë në histori që shënon 1,000 gola në futbollin profesionist.

Në karrierën e tij të jashtëzakonshme deri më tani, ai ka shënuar 955 gola, dhe i mungojnë 45 për këtë shifër të jashtëzakonshme.

Këtë verë, ai e zgjati kontratën me Al-Nassr dhe do të luajë në Arabinë Saudite të paktën deri në vitin 2027, gjë që është më se e mjaftueshme për të arritur numrin magjik.

Trajneri portugez Roberto Martinez beson se qëllimi i Ronaldos nuk është të shënojë një mijë gola.

"Ai është në një moment të mirë në karrierën e tij dhe e ka arritur këtë sepse jeton në moment. Sekreti i tij është të jetë më i miri sot dhe të shijojë çdo ditë. Pra, numri do të jetë pasojë e ditës kur ai vendos të dalë në pension", përfundoi Martinez.

Ndryshe, Ronaldo gjatë karrierës së tij ka luajtur për Sporting Lisbonën, Manchester Unitedim (dy herë), Real Madridin, Juventusin dhe Al-Nassr. /Telegrafi/

FSK pajiset me sistemin raketor antitank gjerman Panzerfaust 3, Kurti publikon pamje

24 December 2025 at 15:39


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është pajisur me sistemin raketor antitank gjerman Panzerfaust 3, si pjesë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

“Sistemi raketor antitank gjerman Panzerfaust 3 pjesë e arsenalit mbrojtës së FSK-së”, ka shkruar Kurti në një postim publik.

Ai ka theksuar se kjo blerje është realizuar gjatë mandatit të tij qeverisës dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në modernizimin e mbrojtjes së Kosovës.

“Gjatë mandatit tonë, Ministria e Mbrojtjes, përveç të tjerash, ka realizuar edhe një blerje tjetër të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, Panzerfaust 3 është një nga sistemet më të avancuara dhe më të besueshme të këtij lloji, i cili përdoret edhe nga ushtritë e vendeve të NATO-s.

Në fund, kryeministri në detyrë ka theksuar rëndësinë e investimeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Investimi në mbrojtje është investim për paqen, sovranitetin dhe integritetin e Republikës sonë”, ka përfunduar Kurti. /Telegrafi/


Komuna e Drenasit ndalon përdorimin e mjeteve piroteknike në hapësirat publike gjatë festave të fundvitit

24 December 2025 at 15:37


Komuna e Drenasit ka nxjerrë një urdhëresë të re që ndalon përdorimin e produkteve piroteknike në të gjitha hapësirat publike, duke përfshirë sheshet, rrugët dhe zonat e tjera publike.

Sipas vendimit, shitja e produkteve piroteknike do të lejohet vetëm nga data 19 deri më 31 dhjetor, ndërsa përdorimi i fishekzjarrëve është i lejuar nga 26 dhjetor deri më 1 janar 2026.

Çdo shkelje e këtij vendimi do të ndëshkohet me gjoba që variojnë nga 100 deri në 500 euro. Për zbatimin e urdhëresës do të kujdeset Drejtoria e Inspeksionit e komunës.

Komuna e Drenasit apelon tek qytetarët që të respektojnë këtë vendim, duke siguruar qetësi dhe siguri gjatë periudhës festive. /Telegrafi/


Aksion antidrogë në Tiranë, shkatërrohet grupi kriminal me 33 anëtarë

24 December 2025 at 15:34


Finalizohet pas 4 javësh hetime, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “Labirinti 2”.

Goditet një grup kriminal që shiste lëndë narkotike.

Identifikohen 33 shtetas, pjesëtarë të grupit kriminal, të cilët, individualisht ose të organizuar në grupe, ushtronin veprimtarinë e paligjshme të shitjes së lëndëve narkotike, në trajta të ndryshme.

Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg” për 22 prej tyre.

5 shtetas janë arrestuar gjatë periudhës hetimore, ndërsa vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij grupi kriminal.

Si rezultat i operacionit u sekuestruan rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.

Në kuadër të operacionit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa, Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja.

Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar shtetasit: A. V., 23 vjeç, E. P., 22 vjeç, G. V., 19 vjeç, S. C., 22 vjeç dhe R. Gj., 22 vjeç, të cilëve iu janë sekuestruar sasi të ndryshme lëndësh narkotike.

Nga hetimet rezultoi se aktiviteti kriminal i shitjes së lëndëve narkotike shtrihej në disa zona të qytetit të Tiranës, kryesisht në: Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit.

Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe të kamufluara si shpërndarje porosish të ndryshme.

6 shtetas të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij rrjeti janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /TCH/

Barnatorja qendrore në spitalin e Mitrovicës hapet një vit pas fillimit të punimeve

24 December 2025 at 15:33


Në spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” të Mitrovicës së Jugut, sot më 24.12.2025 është hapur barnatorja qendrore e cila kishte filluar të ndërtohej para një viti.

Kështu ka njoftuar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai tha se kur e morën përgjegjësinë e qeverisjes në kohë pandemie, gjetën një gjendje alarmante në shëndetësi.

“QKUK-ja pa depo të duhur për ruajtjen e vaksinave, Kosova pa depo qendrore të barnave dhe spitalet publike pa kushte adekuate për ruajtjen e tyre”- shkroi ai në rrjetin social Facebook.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ushtruesi i detyrës së drejtorit të spitalit, Gëzim Berisha theksoi se deri më tani ka qenë procedurat për t’u pajisur me inventar kjo depo e barnave.

“Deri tash kemi qenë në procedurë për ta blerë inventarin dhe pajisjet që janë brenda, e të cilat i ka blerë ShSKUK-ja. Tash kanë përfunduar procedurat”- tha Berisha.

Më 28.10.2024, Ministria e Shëndetësisë kishte filluar punimet për ndërtimin e Barnatores Qendrore në Spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë të Jugut.

Ndërsa më 20.11.2024, kjo komunë kishte ndërprerë punimet me arsyetimin se “Ministria nuk kishte marrë leje për ndërtim”.

Po në këtë ditë, Vitia, kishte njoftuar se ky projekt po vazhdon me intensitet dhe se ai do të sigurojë kushte optimale për ruajtjen dhe qëndrueshmërinë e produkteve medicinale.

Mirëpo intensitetin e vazhdimin e punimeve e kishte ndërprerë Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Mitrovicës së Jugut me arsyetimin se nuk është kërkuar leje për këtë ndërtim.

Kështu tha për KALLXO.com ish drejtori i Inspeksionit në këtë Komunë, Valon Brahimi.

“Është objekt që bën pjesë në kategorinë e parë dhe ne në bazë të Ligjit për ndërtim e kemi obligim me e mbikëqyr. Ka qenë vizitë rutinore, kemi hasur që është duke u ndërtuar pa leje ndërtimi dhe i kemi ndërprerë punimet. E kemi obliguar palën që në afat të caktuar me u pajisë me leje pranë Drejtorisë së Urbanizimit”- kishte thënë ai.

Më 16.06.2025, për punimet rreth përfundimit të objektit të depos farmaceutike, Spitali i Mitrovicës, ka shpërblyer me kontratë N.N.P “Hysnia” Vushtrri, në vlerë totale të ofertës, 23 mijë euro e 275 euro e 50 cent.

Volvo prezanton fontin e ri që do të bëjë veturat më të sigurta

24 December 2025 at 15:31


Volvo është i njohur për kujdesin e tij ndaj sigurisë në trafik. Tani ka një ide të re.

Ndryshe nga rripi me tre pika i cili rriti ndjeshëm sigurinë të gjithë pjesëmarrësve në trafik, kjo shpikje mund të duket pak më pak “revolucionare”. Volvo tani po e drejton vëmendjen te siguria e ekranit në vetura, jo përmes një sistemi operativ më të mirë apo procesori më të shpejtë, apo madje as nga shtimi i butonave, por përmes tipografisë (fontit).

Në ditët e sotme, automjetet kanë më shumë ekrane se kurrë më parë, dhe Volvo dëshiron që fontet të jenë lehtësisht të lexueshme, sidomos gjatë vozitjes. Pikërisht për këtë, ekipi i tyre për ndërfaqe përdoruesh ka zhvilluar një font të ri me qëllim përmirësimin e sigurisë në rrugë.

Ky font quhet Volvo Centum dhe është një lloj homazh për 100-vjetorin e kompanisë, që do të shënohet në vitin 2027. Ai është zhvilluar në bashkëpunim me studion tipografike Dalton Maag, dhe Volvo planifikon ta prezantojë atë për herë të parë në modelin e ri EX60 në fillim të vitit 2026.

- YouTube www.youtube.com

Volvo ka shpjeguar për publikimin Dezeen se fonti është krijuar për të “ndikuar drejtpërdrejt në lëvizjet e syve”, në mënyrë që asgjë në ekran të mos tërheqë vëmendjen e shoferit përveç tekstit vetë. Ata gjithashtu kanë reduktuar elementët grafikë të panevojshëm dhe “çorganizimin vizual”, duke ndihmuar shoferin që të fokusojë shikimin vetëm tek ajo që ka rëndësi.

Pablo Bosch, dizajner i zhvillimit të fontit në studion Dalton Maag, thotë se çdo vendim dizajni – forma, trashësia dhe proporcioni i shkronjave – janë bërë me qëllim që njerëzit të lexojnë më shpejt, të kuptojnë më mirë dhe të qëndrojnë të fokusuar në veturën.

Edhe pse kjo mund të duket e parëndësishme, fonti më i qartë mund të ndikojë realisht në siguri. Një studim i Shoqatës Amerikane të Automjeteve (AAA) tregon se shoferët mesatarisht shikojnë ekranin qendror nga 18 deri në 40 sekonda, në varësi të moshës. Në një shpejtësi prej vetëm 40 km/h, automobili përshkon pothuajse gjysmë kilometri gjatë 40 sekondave. Një font më i qartë mund të ndihmojë në shkurtimin e kohës që shoferi e kalon duke parë ekranin.

Megjithatë, artikulli shprehet se edhe pse duket se fonti mund të ndihmojë, disa mendojnë se një zgjidhje edhe më efektive do të ishte kthimi i butonave fizikë në vend të ekranit. /Telegrafi/

Kievi merr përgjegjësinë për shpërthimin me bombë ndaj policisë ruse në Moskë

24 December 2025 at 15:30


Inteligjenca e Mbrojtjes e Ukrainës tha se agjencia qëndron pas një shpërthimi me bombë në Moskë të mërkurën në mëngjes që vrau dy policë rusë.

Sipas dëshmitarëve okularë dhe autoriteteve lokale, një shpërthim në Moskën jugore vrau dy policët kur ata iu afruan një të dyshuari pranë automjetit të tyre të shërbimit rreth orës 1:30 të mëngjesit.

Burimet e Kyiv Post në HUR konfirmuan se agjencia ishte e përfshirë në sulm, transmeton Telegrafi.

Personi tha se dy të vrarët luftuan në pushtimin e Ukrainës dhe torturuan të burgosurit e luftës ukrainas.

"Në orët e para të 24 dhjetorit, dy punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme Ruse u eliminuan në rrugën Yeletska në Moskë, të cilët morën pjesë në luftën kundër Ukrainës dhe, në veçanti, torturuan të burgosurit e luftës ukrainas", tha personi për Kyiv Post.

Identiteti i dy policëve të vrarë mbetet i paqartë. Burimi tha se një disident vendas kreu sulmin.

“Rreth orës 1 të mëngjesit, një banor vendas, në shenjë mospajtimi me politikën agresive të Kremlinit, eliminoi dy përfaqësues të agjencisë ruse të zbatimit të ligjit. Duke iu afruar një makine policie të parkuar pranë stacionit të policisë, burri hodhi një pako shpërthyese përmes dritares së makinës, duke shkaktuar një shpërthim”, tha personi.

Dy persona u “shtruan gjithashtu në spital me lëndime të rënda” së bashku me policët e vrarë, shtoi personi.

Shpërthimi ndodhi pranë vendit ku gjenerali lejtnant rus Fanil Sarvarov u vra të hënën nga një pajisje shpërthyese e vendosur nën makinën e tij të parkuar.

Sarvarov kishte drejtuar departamentin e trajnimit të Shtabit të Përgjithshëm Rus. /Telegrafi/

Institucioni i Avokatit të Popullit është në bllokim total, punonjësit që do të mbeten pa paga po kërkojnë zgjidhje urgjente nga Kuvendi

24 December 2025 at 15:27


Nga Viti i Ri, nëse nuk zgjidhet një Avokat i ri i Popullit, institucioni do të hyjë në një bllokadë totale sepse Kuvendi nuk ka zgjedhur zëvendës për Naser Ziberin për gjysmë viti, i cili doli në pension në korrik, ndërsa autorizimin që e mori zëvendësi i tij Ilber Rufati për të nënshkruar tashmë po skadon.

Më shumë se tetëdhjetë punonjës të institucionit për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut do të mbeten pa pagë, qira për ambientet e marra me qira nga institucioni, shpenzimet rrjedhëse dhe detyrimet sipas kontratave të lidhura të prokurimit publik nuk do të paguhen.

Në një letër drejtuar Kuvendit, ata kërkojnë që legjislatura të zgjedhë urgjentisht një Avokat të ri të Popullit dhe të gjejë një zgjidhje se si institucioni mund të funksionojë në këtë ngërç pa shkelur dispozitat kushtetuese, ligjore dhe të tjera ligjore. Edhe pse letra është dërguar më 11 dhjetor, ata ende nuk kanë marrë një përgjigje nga Kuvendi, prandaj letër u kanë dërguar mediave dhe të gjitha ambasadave të huaja në vend.

"Prandaj, nga data 1.01.2026, nëse nuk zgjidhet një Avokat i ri i Popullit, institucioni do të hyjë në një fazë bllokimi total në të cilën vetë shërbimi i Institucionit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut do të dëmtohet më shumë, përmes pamundësisë për t’u paguar paga dhe kontributet bazë nga punësimi i rregullt", thuhet në letrën e institucionit./Telegrafi/

Mbyllet stinori vjeshtor në Superligë: Ballkani dimëron si lider

24 December 2025 at 15:25


Është mbyllur stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës me ndeshjen Drita - Prishtina që përfundoi 2-0 në të mirë të vendasve.

E pas 18 xhirove të zhvilluara, Ballkani është kampion vjeshtor dhe dimëron si lider. Skuadra nga Suhareka ka përfunduar pjesën e parë të kampionatit me 33 pikë, duke regjistruar 9 fitore, 6 barazime dhe vetëm 3 humbje, me golaverazh mbresëlënës 38:18, sulmi më i mirë në ligë deri tani.

Pas tyre renditet Prishtina me 30 pikë, e cila megjithëse ka të njëjtin numër fitoreje sa Ballkani (9), ka pësuar më shumë humbje dhe ka një golaverazh dukshëm më modest (32:26). Forma e fundit e kryeqytetasve ka qenë luhatëse, çka i ka kushtuar me humbjen e kreut.

Në vendet pasuese, Dukagjini dhe Drita ndajnë nga 29 pikë secila, duke qëndruar shumë pranë zonës së kreut dhe duke mbajtur gjallë ambiciet për titull.

Malisheva (27 pikë) dhe Gjilani (26 pikë) janë gjithashtu në garë për zonën e Evropës, falë një serie rezultatesh pozitive në javët e fundit.

Në pjesën e poshtme të tabelës, Llapi me 21 pikë ende nuk është i qetë, ndërsa presioni është shumë më i madh për Drenicën (20 pikë), Ferizajn (19 pikë) dhe Prishtinën e Re, e cila mbyll tabelën me vetëm 15 pikë dhe golaverazh -11.

Lufta për mbijetesë pritet të jetë tejet e ashpër në pranverë.

Skuadrat tani do të shfrytëzojnë pushimin dimëror për rikuperim dhe përforcime, por një gjë është e qartë: Ballkani e mbyll vjeshtën në maje dhe do të hyjë në gjysmën e dytë të sezonit me epërsi, por edhe me presionin e madh për ta mbrojtur pozitën e parë. /Telegrafi/

Frigoriferi do të jetë i pastër dhe pa erë të pakëndshme nëse spërkatni një përbërës nga kuzhina

24 December 2025 at 15:23


Erërat e këqija në frigorifer mund të jenë shumë bezdisëse dhe, me kalimin e kohës, mund të ndikojnë edhe në shijen e ushqimit. Shpesh, pajisjet shtëpiake si frigoriferi neglizhohen gjatë pastrimit, edhe pse higjiena është thelbësore për ruajtjen e freskisë së ushqimeve.

Për të luftuar aromat e pakëndshme, një pastruese profesioniste nga Zapatas Cleaning Services, e quajtur Kellsie, ka ndarë në TikTok katër metoda shumë efektive. Ajo shpjegon se këto truke funksionojnë më mirë se qirinjtë apo spërkatësit dhe janë zgjidhje të shpejta që mund t’i provoni menjëherë.

Frigoriferët ndoten lehtë nga derdhjet dhe mbetjet e ushqimit. Nëse raftet dhe pjesa e brendshme nuk pastrohen rregullisht, erërat e këqija mund të mbeten për një kohë të gjatë. Nëse aroma vazhdon edhe pasi keni hequr ushqimin e prishur, është e nevojshme një pastrim i thellë: hiqni raftet dhe sirtarët dhe lajini mirë.

Sipas Kellsie, sekreti për të eliminuar aromat është ekstrakti i vaniljes. Përzieni dy lugë ekstrakt vaniljeje me një e gjysmë gotë ujë në një shishe spërkatëse. Me këtë përzierje pastroni të gjitha sipërfaqet e frigoriferit me letër kuzhine ose leckë mikrofibre, pa e shpëlarë më pas. Vanilja vazhdon të neutralizojë aromat edhe pasi pastrimi ka përfunduar.

Megjithatë, kompania Nielsen-Massey këshillon kujdes, pasi ekstrakti i vaniljes është i destinuar kryesisht për përdorim në gatim. Ata sugjerojnë të vendosen vetëm disa pika vanilje në një sfungjer për një aromë më të fortë.

Për ata që preferojnë alternativa natyrale dhe pa kimikate, ekspertët e Delish rekomandojnë përdorimin e limonit, sodës së bukës dhe kripës. Ata sugjerojnë të prisni një limon në feta, ta spërkatni me sodë buke dhe kripë, dhe ta lini në një pjatë brenda frigoriferit.

Soda e bukës është shumë efektive për neutralizimin e aromave, sepse si substancë alkaline reagon me erërat acide dhe i bën ato më pak të ndjeshme. Ndërkohë, limoni ndihmon në luftimin e baktereve falë acidit citrik. Ai ka veti antibakteriale, antiseptike dhe pastruese, duke e bërë një zgjidhje natyrale dhe miqësore me mjedisin për pastrimin e frigoriferit.

Në Ferizaj nis Panairi i Bizneseve Artizanale për promovimin e prodhuesve vendorë

24 December 2025 at 15:20


Në Ferizaj ka filluar sot Panairi i Bizneseve Artizanale, një ngjarje e organizuar nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit e Komunës, me qëllim promovimin dhe mbështetjen e prodhuesve vendorë.

Panairin e vizitoi Drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Balton Derguti, i cili theksoi rëndësinë e këtij eventi për fuqizimin e bizneseve artizanale.

“Kjo ngjarje u ofron prodhuesve vendorë hapësirë për promovim, rrjetëzim dhe zhvillim të qëndrueshëm. Është një mundësi për artizanët lokalë që të prezantojnë produktet e tyre unike dhe punimet tradicionale, si dhe të krijojnë lidhje të reja me konsumatorë dhe partnerë potencialë”, tha Derguti.

Panairi do të zgjasë katër ditë dhe gjatë kësaj periudhe qytetarët do të kenë mundësi të njihen nga afër me produktet vendore dhe të mbështesin bizneset artizanale të rajonit.

Organizatorët ftojnë të gjithë të interesuarit që ta vizitojnë këtë panair dhe të kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë lokale. /Telegrafi/


Violeta Kukaj thotë dy fjalë për Malin pas hyrjes në Big Brother VIP Albania 5

24 December 2025 at 15:19


Djali i këngëtares së njohur Violeta Kukaj, Mal Retkoceri, ka bërë hapin e tij të madh dhe është bërë pjesë e Big Brother VIP Albania 5.

Lajmi ka ngjallur menjëherë reagime të shumta edhe nga fansat, të cilët mezi presin të ndjekin lojën e tij brenda shtëpisë më të famshme të Shqipërisë.

Kukaj nuk ka kursyer mbështetjen për të birin.

Foto: TikTok

Në një video të shpërndarë në TikTok, ajo i ka uruar suksese në këtë rrugëtim.

“Suksese djali im, Mal", ka thënë ajo.

Shikuesit tashmë janë kuriozë të shohin sesi ai do të përballojë sfidat dhe marrëdhëniet brenda shtëpisë.

Ndërkaq, Mali duket premtues këtë edicion, një karakter tejet interesant brenda shtëpisë. /Telegrafi/

@violetekukaj Suksese Djali jem @MAL 👑❤️rrugetimi yt ne BIG BROTHER ALBANIA VIP 🤗 #mal #malbigbrother #bigbrotheralbaniavip #@Top Channel - Big Brother Vip ♬ CMENDUR - MAL

Në prag të zgjedhjeve, Serbia hap konkurs për 300 vende pune në institucionet paralele në Kosovë

24 December 2025 at 15:19


Ministria e Shëndetësisë e Serbisë ka shpallur sot konkurs për 300 vende të reja pune në institucionet shëndetësore paralele serbe që veprojnë në Kosovë.

Në njoftimin e publikuar përmes Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, thuhet se konkursi ka të bëjë me “300 vende të reja pune në institucionet shëndetësore serbe në Kosovë”.

Po ashtu, Ministria ka bërë të ditur se është në proces edhe një konkurs tjetër për 50 vende pune, i cili është hapur më 22 dhjetor të këtij viti, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve të reja të punës në 350.

Sipas autoriteteve serbe, këto punësime synojnë forcimin e sistemit shëndetësor serb në Kosovë.

Në njoftim theksohet se “punësimet e reja do të përmirësojnë nivelin e kujdesit shëndetësor në komunitetet serbe në Kosovë”.

Gjithashtu, bëhet e ditur se në gjysmën e dytë të muajit janar pritet të punësohen edhe 700 persona, personel mjekësor dhe jomjekësor, në bazë të një konkursi të zhvilluar më herët.

Në njoftim përmendet se gjatë tri viteve të fundit janë punësuar mbi 1.500 persona në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, duke u theksuar nevoja për punësim shtesë dhe modernizim të shërbimeve shëndetësore.

Autoritetet serbe kanë bërë deklarata të ngjashme edhe më herët, përfshirë edhe paralajmërimet e presidentit Aleksandar Vuçiq për punësime të reja në prag të zgjedhjeve lokale të muajit tetor. /Telegrafi/

Estonia kërcënon Rusinë: Do t'i qëllojmë "burrat tuaj të vegjël të gjelbër" në kufi

24 December 2025 at 15:16


Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, ka paralajmëruar se "burrat e vegjël të gjelbër" të Rusisë që përpiqen të shkelin kufirin me Estoninë, do të përballen me forcë vdekjeprurëse.

"Burrat e vegjël të gjelbër" i referohet ushtarëve rusë pa shenja dalluese gjatë aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, të cilët mbanin uniforma të gjelbra pa shenja dalluese për të fshehur përfshirjen zyrtare, transmeton Telegrafi.

Duke komentuar incidentet e fundit kufitare me Rusinë - përfshirë një në tetor kur rusë pa shenja dalluese u panë në kufi - Tsahkna i tha medias polake o2.pl se trupat estoneze do t'i "qëllojnë" nëse kalojnë kufirin.

"Më lejoni ta them troç: Nëse burrat e vegjël të gjelbër kalojnë ndonjëherë kufirin tonë, ne do t'i qëllojmë. Këto do të jenë pasojat; nuk ka diskutim për këtë. Nëse Rusia nuk është e sigurt se do të reagojmë vërtet, ata mund të na testojnë", tha Tsahkna, siç raportohet nga një media tjetër polake, Onet.

Tsahkna tha gjithashtu se incidente të ngjashme u raportuan pranë Narva, një vendbanim kufitar pranë Rusisë.

“Nuk ishte hera e parë që i shihnim. I kemi vëzhguar vazhdimisht, për shembull, kemi shumë raportime të ndryshme nga Narva, e cila është një qytet kufitar”, tha ai.

Lumi Narva shënon një rrip të ngushtë toke ku ndodhi inkursioni, duke u shtrirë deri në bregun lindor të territorit estonez. Estonia dhe Rusia kanë dështuar prej kohësh të ratifikojnë një traktat formal kufitar, pavarësisht viteve të negociatave.

Më 17 dhjetor, agjencia e mbrojtjes së kufijve e Estonisë tha se tre roje kufitare ruse hynë shkurtimisht në territorin estonez pranë lumit Narva dhe qëndruan atje për rreth 20 minuta.

Në atë kohë, Ministri i Brendshëm estonez Igor Taro tha se ishte shumë herët për të përcaktuar nëse kalimi ishte aksidental apo një provokim i qëllimshëm.

Në nëntor, një anije ruse roje kufitare që mbante flamurin e grupit mercenar Wagner u pa duke patrulluar lumin Narva.

Në fillim të vitit 2025, Talini njoftoi planet për të krijuar një bazë ushtarake në Narva. /Telegrafi/

❌
❌