Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe tek varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova, në 36- vjetorin e themelimit të LDK-së.
Abdixhiku tha se sot kujtohet lëvizja më e madhe kombëtare për Liri, Pavarësi e Demokraci.
“LDK nisi si aspiratë e popullit të Kosovës për liri, përderisa programi politik i saj, u shndërrua në projekt kombëtar të popullit të Kosovës. Projekt ky i cili kulmoj me shtetin tonë, Republikën tonë”, deklaroi ai para mediave.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar se më 24 Dhjetor 2025, banorët lokalë në fshatin Kastrat të Kurshumlisë (Serbi) do të zhvillojnë një bllokadë të rrugës, nga ora 11:50 deri në 15:50.
Sipas deklaratave të këshilltarëve të opozitës, bllokada është paralajmëruar për shkak të kërkesave të paplotësuara, që përfshijnë: sigurimin e tekstesh shkollore falas për nxënësit e shkollave fillore, një rritje të fondeve për zhvillimin ekonomik lokal, dhe shkarkimin e disa zyrtarëve komunalë.
Bllokada do të zhvillohet në një pjesë të autostradë në Nish, pranë kryqëzimit në fshatin Kastrat, raporton Telegrafi.
Autoritetet e QKMK-së u bëjnë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë rrugë alternative për të evituar pengesat në trafikun rrugor gjatë periudhës së paralajmëruar.
Për informacion shtesë, QKMK ka vënë në dispozicion numrat e kontaktit: +383 45 198 000, +383 45 198 606 dhe 0800 500 95.
Ky njoftim vjen si pjesë e përpjekjeve të autoriteteve për informim të drejtpërdrejtë të mërgimtarëve, që tashmë janë nisur nga venet e ndryshme drejtë Kosovës. /Telegrafi/
Ekspertët paralajmërojnë se aktiviteti fizik intensiv dhe stimuluesit e mëngjesit, pa përgatitje të stomakut, mund të rrisin aciditetin, lodhjen dhe rrezikun për probleme të tretjes
Mëngjesi është shumë më tepër sesa thjesht pika e nisjes së ditës - ai vendos ritmin për trupin, mendjen dhe emocionet tona.
Zakonet që praktikojmë sapo hapim sytë shpesh i konsiderojmë të padëmshme, sepse janë pjesë e një rutine që e përsërisim prej vitesh pa menduar. Megjithatë, pikërisht këto zgjedhje të para të mëngjesit mund të kenë një ndikim të fortë në shëndetin e stomakut, nivelin e energjisë dhe gjendjen e përgjithshme shpirtërore gjatë ditës.
Në ritmin bashkëkohor të jetës, shumë njerëz e anashkalojnë mëngjesin, e nisin ditën me kafe si “vaktin” e parë ose e fillojnë mëngjesin me aktivitete fizike intensive, duke besuar se po bëjnë diçka të mirë për veten. Megjithatë, studime të publikuara në revista shkencore të nutricionit dhe fiziologjisë së ushtrimeve paralajmërojnë se ushtrimet intensive në bark esëll nuk janë të përshtatshme për të gjithë dhe, në shumë raste, nuk rekomandohen si praktikë e përditshme, transmeton Telegrafi.
Çfarë ndodh me stomakun kur e ekspozojmë ndaj stresit menjëherë pas zgjimit?
Stomaku bosh është veçanërisht i ndjeshëm, sepse në atë moment nuk ka shtresën mbrojtëse të ushqimit që do të zbusë veprimin e acideve dhe të irrituesve të jashtëm. Sipas ekspertëve të mjekësisë sportive, aktiviteti fizik intensiv në mëngjes, pa ushqim paraprak, rrit sekretimin e kortizolit, hormonit të stresit, i cili, nga ana tjetër, stimulon prodhimin e acidit gastrik dhe mund të përkeqësojë irritimin e mukozës së stomakut.
Rishikime shkencore të botuara në revista si British Journal of Nutrition dhe Journal of Physiology raportojnë se, megjithëse ushtrimet në gjendje agjërimi mund të rrisin përkohësisht djegien e yndyrës, ato shoqërohen edhe me stres më të madh metabolik, lodhje më të shpejtë dhe rënie të disponueshmërisë së energjisë, veçanërisht tek personat që ushtrohen rregullisht ose me intensitet të lartë.
Në afat të gjatë, sipas gastroenterologëve dhe specialistëve të mjekësisë funksionale, kombinimi i barkut bosh, aciditetit të rritur dhe stresit fizik mund të kontribuojë në shfaqjen ose përkeqësimin e gastritit, refluksit gastroezofageal dhe shqetësimeve të tjera të tretjes. Për këtë arsye, shumë udhëzime profesionale rekomandojnë që stërvitja e mëngjesit të paraprihet nga të paktën një vakt i lehtë ose hidratim i mjaftueshëm.
Ndikimi i zakoneve të mëngjesit në energji dhe gjendjen shpirtërore
Ajo që fusim, ose nuk fusim në organizëm në mëngjes, ndikon drejtpërdrejt në nivelin e sheqerit në gjak dhe në stabilitetin hormonal. Studime krahasuese të publikuara në PubMed dhe Harvard Health Reporting tregojnë se personat që ushtrohen në bark esëll kanë më shpesh rënie të energjisë, marramendje dhe nervozizëm disa orë pas stërvitjes, krahasuar me ata që konsumojnë një sasi të vogël ushqimi përpara aktivitetit fizik.
Ekspertët e ushqyerjes sportive theksojnë se, ndonëse ushtrimet në gjendje agjërimi janë bërë trend, ato nuk ofrojnë përfitime superiore afatgjata për humbjen e peshës apo shëndetin metabolik, ndërsa rreziku i mbingarkesës fizike dhe stresit hormonal mbetet real për shumë individë.
Mbase ju intereson
Një fillim i qëndrueshëm i ditës, me ushqim të lehtë, hidratim dhe aktivitete fizike të moderuara, sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore dhe literaturës shkencore, ndihmon trupin të ruajë ekuilibrin, të mbrojë sistemin tretës dhe të sigurojë energji më të qëndrueshme gjatë ditës. Pikërisht për këtë arsye, gjithnjë e më shumë studime dhe raporte profesionale theksojnë se ushtrimet intensive në bark esëll nuk janë zgjedhja ideale për shumicën e njerëzve, sidomos kur synohet shëndet afatgjatë dhe mirëqenie e përgjithshme. /Telegrafi/
Nga: Rajan Menon / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com
Konferenca maratonë për shtyp e Vladimir Putinit më 19 dhjetor, një ngjarje e përvjetshme në fund të vitit, nuk ofroi asnjë dëshmi se Rusia mund të braktisë qëllimet të cilat presidenti i vendosi për “operacionin e posaçëm ushtarak” kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022: pushtimin e Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhias dhe Hersonit. Si gjithmonë, Putini nuk u duk i shqetësuar nga fakti se, pothuajse katër vjet pas nisjes së luftës, ushtria e tij kishte arritur të pushtonte plotësisht vetëm Luhanskun - ndonëse kishte marrë nën kontroll më shumë se një të tretën e atij rajoni, si dhe Donjeckun, që në vitin 2015.
Qëndrimi i palëkundur i Putinit nuk duhet të jetë befasues. Menjëherë pas pushtimit, Duma e Shtetit të Rusisë miratoi legjislacionin për përfshirjen e këtyre katër rajoneve ukrainase në përbërje të Rusisë - dhe, këtë muaj, ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov, dhe zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, ripohuan pretendimet territoriale të Putinit.
Paaftësia e Rusisë për të lëvizur nga pozicioni i saj bie në kundërshtim me përpjekjet e dëshpëruara të Donald Trumpit për të arritur një zgjidhje politike deri në Krishtlindje. Për të përmbushur këtë afat të përcaktuar, Trumpi madje përpiqet ta detyrojë Volodymyr Zelenskyyn të dorëzojë pjesët e Donjeckut të cilat Ukraina ende i mban. Edhe pse Zelenskyy refuzoi, ai u tregua i gatshëm të braktiste përpjekjen disavjeçare të Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe të pranonte neutralitetin - në këmbim të garancive të fuqishme të sigurisë nga Perëndimi.
Ky ndryshim nga ana e Zelenskyyt nuk do ta zbus Putinin. Shqetësimi i kahershëm - dhe i kuptueshëm - i Rusisë për zgjerimin e NATO-s i paraprin kësaj. Por, lufta e Putinit në vitin 2022 buron nga diçka më e thellë, pasi nuk ka prova që Ukraina ishte më pranë anëtarësimit zyrtar në aleancë në prag të pushtimit të Rusisë - sesa ishte në vitin 2008, kur NATO, në samitin e saj në Bukuresht, deklaroi se Ukraina do të bëhej anëtare në një të ardhme të pacaktuar.
Ashtu si në vitin 2008, vendet e NATO-s mbeten të ndara për kandidaturën e Ukrainës - madje edhe më shumë. Kjo ka rëndësi: neni 10 i traktatit themelues të NATO-s të vitit 1949, kërkon unanimitet për pranimin e anëtarëve të rinj. Kur NATO vërtet dëshiron të rrisë anëtarësinë, ajo vepron me shpejtësi: vëreni pranimin e shpejtë të Finlandës (prill 2023) dhe Suedisë (mars 2024), të cilat aplikuan për anëtarësim në maj 2022. Për të shpjeguar motivimin e Putinit për të pushtuar Ukrainën, duhet të marrim parasysh ankesat e rrënjosura në histori.
Ai ka deklaruar, në mënyrë të përsëritur dhe të zgjatur, se ukrainasit dhe rusët kanë qenë një popull për shekuj të tërë; se ndarja e tyre në dy shtete, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ishte një tragjedi; se Jugu dhe Lindja e Ukrainës, të banuara nga një numër i madh rusësh etnikë apo ukrainasish me gjuhë amtare ruse, i përkasin me të drejtë Rusisë. Me pak fjalë, Putini beson se Rusia është plaçkitur.
Megjithatë, në konferencën për shtyp, Putini përgëzoi Trumpin për “sinqeritetin absolut” në nisjen e negociatave për t’i dhënë fund luftës, duke shtuar se Rusia mbetet e angazhuar ndaj tyre dhe do ta ndalojë ofensivën ushtarake për sa kohë që interesat e saj merren seriozisht.
Lëvdatat e Putinit kanë një qëllim - dhe një objektiv të ndjeshëm. Trumpi ka lavdëruar “gjenialitetin” e Putinit. Ai, si Putini, ka fajësuar Ukrainën për nisjen e luftës. Ai kërkon një afrim me Rusinë që përfshin investime të përbashkëta multi-miliardë dollarëshe. Ka mbështetur kërkesën e Putinit që Zelenskyy të mbajë zgjedhje, pavarësisht luftës, për të demonstruar legjitimitetin e tij demokratik. Ai, si Putini, përçmon Evropën dhe do të preferonte një marrëveshje që i lë evropianët (dhe ukrainasit) të anashkaluar. Të gjitha këto janë arsye se përse Putini përpiqet ta josh Trumpin dhe të thellojë përçarjen mes ShBA-së dhe Evropës.
Përkundër qëndrimeve të përbashkëta dhe simpatinë e Trumpit për Rusinë, ai ende nuk ka bërë një marrëveshje që i përshtatet Putinit. Nëse nuk e bën, gjakderdhja do të vazhdojë. Ukraina ka paguar tashmë një çmim të tmerrshëm - dhe kjo nuk është për t’u habitur: ajo është pala shumë më e dobët. E habitshme është humbja masive e ushtrisë ruse - në njerëz dhe pajisje. Ekonomia e Rusisë gjithashtu është nën stres të vazhdueshëm dhe mezi po rritet, megjithëse nuk është në rrezik kolapsi. Por, vuajtjet e rusëve, për të mos përmendur ato të ukrainasve, nuk do të kenë rëndësi për sa kohë që Putini beson se objektivat e tij janë ende të arritshëm - në tryezën e bisedimeve, duke bindur Trumpin të vazhdojë presionin ndaj Zelenskyyt, apo në fushëbetejë.
Ndërkohë, BE-ja ka ndërmarrë një hap të madh që do të ulë gjasat që Rusia të fitojë shpejt në cilindo drejtim, duke siguruar që arkat e Kievit të mos mbeten bosh. Krerët e bllokut kishin shpresuar të përdornin interesin e fituar nga 210 miliardë euro në asete të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën. Megjithëse ky plan dështoi për shkak të kundërshtimit të hapur të disa shteteve anëtare të BE-së dhe hezitimeve të të tjerëve, BE-ja arriti të gjente një zgjidhje tjetër. Ajo do të marrë hua 90 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën për dy vjet - dhe, pa detyrim kthimi përveçse nëse Rusia paguan dëmshpërblime, diçka që askush nuk e pret.
Media u fokusua te mosmarrëveshjet brenda BE-së për asetet e ngrira ruse, por ajo që ka rëndësi vërtet është se një bllok prej 27 shtetesh sovrane, shpesh të vështira për t’u menaxhuar, arriti të sigurojë fondet për të shmangur kolapsin e Ukrainës. Ashtu siç fjalët e Putinit sigurojnë vazhdimin e luftës, edhe veprimet e BE-së bëjnë të njëjtën gjë. Vendimi i BE-së është gjithashtu i rëndësishëm, sepse tregon gatishmërinë e Evropës për të vepruar në mënyrë të pavarur lidhur me luftën, edhe nëse kjo nënkupton largimin nga ShBA-ja.
Në gusht, Trumpi deklaroi se amerikanët nuk kanë ndonjë interes në luftën e Ukrainës, pasi ndodhen larg saj, “përtej një oqeani të madh dhe të bukur”. Evropa nuk e gëzon këtë luks gjeografik. Kjo, së bashku me Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të Trumpit, e cila e përshkruan kontinentin si një vend të zhytur në probleme dhe për rrjedhojë me rëndësi në venitje për ShBA-në, mund t’i ketë bindur udhëheqësit evropianë të veprojnë më të pavarur.
Duke qenë se Trumpi pezulloi gjithë ndihmën e drejtpërdrejt ushtarake për Kievin, në mars, ndihma vetëm nga Evropa mund të mos mjaftojë për të qenë të sigurt që ukrainasit të arrijnë një paqe të cilën ata e konsiderojnë të drejtë. Por, kjo ka qenë një luftë e mbushur me befasi, dhe më e madhja prej tyre është që ushtria e Ukrainës ende nuk është mposhtur.
Evropa ia ka hedhur Ukrainës një jelek shpëtimi, por nuk duhet të kemi iluzione. Ukraina do të vazhdojë të luftojë me shpinë për muri kundër një armiku që ka më shumë në secilin burim të rëndësishëm për luftën - dhe lideri i të cilit e barazon “kompromisin” me kapitullimin e kundërshtarit. Në mungesë të një ndryshimi të papritur të pozicionit të Rusisë mbi çështjen territoriale, Trumpit do t’i mohohet dhurata e Krishtlindjes të cilën aq shumë e dëshiron. Ndonëse secili në mënyrën e vet, konferenca për shtyp e Putinit dhe paketa e huas së BE-së për Ukrainën, sigurojnë që lufta do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. /Telegrafi/
Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat për kryeministër takoi anëtarët e mbështetësit e IRDK, të cilët i kishte edhe partner koalicioni në këtë qeverisje.
Kurti lëvdoi bashkëpunimin me kryetarin e IRDK, Elbert Krasniqi, duke e quajtur këtë një bashkëpunim të suksesshëm.
Ai potencoi se fitorja e 28 dhjetorit do të jetë e përbashkët, duke vazhduar shtrirjen e sigurisë e jetëgjatësinë e begatisë.
LSDM sot akuzon Qeverinë se po nxiton të marrë kontrollin e prokurorisë dhe gjyqësorit.
Nga atje thonë se qëllimi është kontrolli i plotë mbi prokurorinë dhe, siç thonë ata, varrosja e drejtësisë në mënyrë që t'i shpëtojë përgjegjësisë për tenderët kriminalë që po zhvillohen pas shpinës së qytetarëve.
Sipas LSDM-së, zgjedhja e prokurorit të ri publik shtetëror në detyrë është një provë tjetër për këtë.
"Anita Topolova Isajlovska njihet si prokurorja që kërkoi anulimin e rastit "Talir", në të cilin u akuzua edhe Nikolla Gruevski dhe që kishte të bënte me financimin e paligjshëm të OBRM-PDUKM-së.
Ajo është gruaja e Ilija Isajlovskit, një ish-zëvendësministër nga OBRM-PDUKM. A është e qartë për të gjithë tani se çfarë po ndodh? Ashtu si gjatë kohës së Gruevskit", thonë nga LSDM./Telegrafi/
Në një nga momentet qesharake të Big Brother VIP Albania, Kristi dhe Xhodi zhvilluan një bisedë që shkaktoi shumë të qeshura.
Ai tha se kur njerëzit i flisnin, zakonisht e shikonin në sy për të parë ngjyrën e tyre.
Por, biseda mori një kthesë të papritur kur Kristi shtoi se në kohët e fundit ka vënë re diçka të ndryshme.
BBVA/Instagram
Ai tha “Në fillim më shihnin në sy, tani më shohin nga dhëmbët”.
Kristi ka dhëmbë të rregulluar, të bardhë të cilët tërheqin menjëherë vëmendjen.
Xhodi nuk mundi të mbante të qeshurën dhe biseda mes tyre u kthye në një moment shumë të qeshur për banorët e tjerë.
Kristi shpjegoi se kjo ndryshon mënyrën se si perceptohen nga të tjerët dhe se tani çdo bisedë duket se përqendrohet edhe tek buzëqeshja e tij.
Ky moment i vogël, por qesharak, tregoi edhe një herë se Big Brother VIP Albania nuk është vetëm një reality show për konkurrencë, por edhe një vend ku banorët ndajnë momente të veçanta dhe të sinqerta që tërheqin vëmendjen e publikut. /Telegrafi/
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha botës se duhet të ushtrojë më shumë presion mbi presidentin rus Vladimir Putin për t'i dhënë fund luftës, pasi tha se forcat e Moskës kishin nisur një sulm "masiv" gjatë natës së të martës me qindra dronë dhe dhjetëra raketa, duke shkaktuar të paktën tre vdekje, përfshirë një vajzë të vogël.
"Ky sulm rus dërgon një sinjal jashtëzakonisht të qartë në lidhje me prioritetet e Rusisë. Një sulm përpara Krishtlindjeve, kur njerëzit duan thjesht të jenë me familjet e tyre, në shtëpi, në siguri", tha Zelensky në një postim në Telegram, fillimisht në gjuhën ukrainase.
"Një sulm i kryer virtualisht në mes të negociatave që synojnë t'i dhënë fund kësaj lufte. Putini nuk mund ta pranojë nevojën për të ndaluar vrasjet. Dhe kjo do të thotë që bota nuk po ushtron mjaftueshëm presion mbi Rusinë. Nevojitet veprim tani. Rusia duhet të detyrohet drejt paqes dhe sigurisë së garantuar", shtoi ai, transmeton Telegrafi.
Një grua vdiq në rajonin e Kievit dhe një person tjetër në Khmelnytskyi. Një vajzë katërvjeçare vdiq në Zhytomyr kur një ndërtesë banimi u godit nga një dron.
Zelensky tha se sulmi goditi infrastrukturën energjetike dhe civile. Ai më parë kishte propozuar një armëpushim për Krishtlindje mbi sulmet energjetike për të mbrojtur civilët në të dyja anët nga ndërprerjet e energjisë dhe shtëpitë e pa ngrohura gjatë muajve të hidhur të dimrit, të cilin Rusia e hodhi poshtë.
Kremlini ka përjashtuar vazhdimisht armëpushimet e përkohshme, duke thënë se Ukraina do të përdorte një pauzë për t'u riorganizuar dhe riarmatosur ndërsa po humbet në fushën e betejës.
Në vend të kësaj, Rusia thotë se dëshiron që një marrëveshje paqeje që i jep fund luftimeve të jetë gjithëpërfshirëse dhe e përhershme.
Gjatë sulmit të fundit rus ndaj Ukrainës, aleati fqinj i NATO-s, Polonia, ngriti në ajër avionë luftarakë.
Polonia gjithashtu vendosi sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të zbulimit me radar në "gjendjen më të lartë të gatishmërisë" për të mbrojtur territorin e NATO-s, tha ushtria e Varshavës.
Më herët gjatë vitit, Polonia rrëzoi ato që i quajti dronë rusë që shkelnin hapësirën e saj ajrore. /Telegrafi/
Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, e ka kritikuar sërish Real Madridin, duke folur për konkurrencën në ligë, polemikat e arbitrimit dhe tensionet që përfshijnë klubin dhe Florentino Perezin.
Tebas beson se tensioni kundër gjyqtarëve vjen nga Real Madridi, jo nga klubet e tjera.
“Sipas mendimit tim, nuk është Barcelona ajo që po shkakton tensionin në këtë rast. Është Real Madridi kundër gjithçkaje, domethënë kundër Barcelonës, kundër gjyqtarëve… Kundër gjithçkaje”, ka thënë fillimisht Tebas.
Trajneri i La Ligës kritikoi gjithashtu narrativën që lidh gabimet aktuale të arbitrimit me polemikat e së kaluarës.
“Narrativa është se ajo që po ndodh sot me disa gabime të arbitrimit është faji i asaj që ndodhi në vitin 2019 ose 2017. Qëllimi është të krijohet një narrativë që gjyqtarët tani janë të anshëm. Kjo është shumë e rrezikshme sepse nuk është e vërtetë”.
Lidhur me çështjen e Negreirës dhe reagimin e Real Madridit, ai shtoi se tensionet nga Los Blancos po vijnë pasi janë të hutuar.
“Të gjithë e dinë tashmë mendimin tim… Por të kalojmë nga kjo në të thënën se sot, kur një lojtari të Real Madridit nuk i jepet një penallti në një ndeshje, kjo është pasojë e kësaj. Kjo po krijon tension gjatë gjithë fundjavës në kanalin televiziv të Real Madridit… Mendoj se janë shumë të çorientuar”.
I pyetur nëse e konsideronte ndërmjetësimin, Tebas ishte i qartë: “Jo, sepse edhe unë jam cak i sulmeve, kështu që nuk mendoj se jam ndërmjetësi më i përshtatshëm në këtë çështje”. /Telegrafi/
Punëtorët e KRU “Hidrodrini” po vazhdojnë grevën paralajmëruese, e cila sot hyri në ditën e pestë, si pjesë e ushtrimit të së drejtës për grevë në përputhje me ligjin.
Në një njoftim për media, Shoqata Sindikale e Punëtorëve të KRU “Hidrodrini” theksoi: "Greva gëzon përkrahje të gjerë nga punëtorët, por rrugët e dialogut dhe negociatave mbeten të hapura për adresimin e kërkesave të punëtorëve, në kuadër të kompetencave të palëve përgjegjëse".
Greva zhvillohet çdo ditë nga ora 09:00 deri në 10:00 dhe do të vazhdojë deri në ndërmarrjen e hapave konkretë për zgjidhjen e kërkesave ose deri në një njoftim tjetër zyrtar nga Këshilli i Grevës.
Në njoftim bëhet e ditur se greva po zhvillohet në qytete të ndryshme, përfshirë Pejë, Deçan, Klinë dhe Istog, ndërsa Shoqata Sindikale ka publikuar edhe fotografi nga aktiviteti.
Këshilli i Grevës njofton se qëllimi i grevës është të sigurojë respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe adresimin e kërkesave të tyre në mënyrë ligjore dhe transparente. /Telegrafi/
Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se gjatë procedurave për dy konkurset publike të shpallura më 8 gusht 2025, janë konstatuar shkelje të dispozitave ligjore, çka ka sjellë vendimin për anulimin e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat administrative.
Konkursi i parë, me Nr. 849, ishte shpallur për pozitat në sektorin shëndetësor dhe administrativ, duke përfshirë: mjekë të përgjithshëm (6 pozita), mjek stomatolog (1 pozicion), infermier/e (18 pozita), teknik/e stomatologjie (4 pozita), teknik/e laborant (4 pozita), teknik/e i farmacisë (1 pozicion), administrator i sistemit informativ shëndetësor (1 pozicion) dhe jurist/e (1 pozicion).
Konkursi i dytë, me Nr. 850, përfshinte pozitat e vozitësve (2 pozita), higjienistëve (3 pozita), mirëmbajtës/punëtor teknik (1 pozicion) dhe punëtor sigurimi (1 pozicion).
Komuna ka bërë të ditur se për çdo konkurs të ri eventual, qytetarët do të njoftohen me kohë përmes faqes zyrtare të internetit dhe rrjeteve sociale. /Telegrafi/
Një person ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga dy persona të tjerë.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë thuhet se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 07:35 në fshatin Dumnicë të Podujevës.
Tutje në raport thuhet se njëri nga të dyshuarit është arrestuar, ndërsa tjetri nuk është hasur.
“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë. Njëri nga të dyshuarit është arrestuar, ndërsa tjetri nuk është hasur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/
I ftuar në emisionin Debat Plus, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore, Uran Ismaili, ka folur për programin zgjedhor të PDK-së dhe gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Ismaili tha se sot gjendja ekonomike e familjeve në Kosovë është e rënduar dhe se çmimet e larta janë një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve. Sipas tij, ulja e kostos së jetesës është një ndër prioritetet kryesore të programit të Bedri Hamzës, në kuadër të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies.
Ai theksoi se qeverisja e ardhshme e udhëhequr nga Hamza parasheh masa konkrete, përfshirë heqjen e TVSH-së nga produktet bazike dhe nga faturat e energjisë elektrike, me qëllim që jeta e përditshme e qytetarëve të bëhet më e përballueshme.
Sipas Ismailit, qytetarët e Kosovës sot po kërkojnë stabilitet ekonomik dhe politik, duke shtuar se kjo është pikërisht ajo që përfaqëson Bedri Hamza dhe Partia Demokratike e Kosovës. Ai vlerësoi se këto janë arsyet pse PDK-ja synon të arrijë rezultat historik në zgjedhjet e 28 dhjetorit. /Telegrafi/
Peco Trajkoski nga OJQ thotë se ekziston një "frikë" midis autoriteteve të Maqedonisë se dërgimi i trupave në Ukrainë do të thoshte "marrje anësie".
"Në komunikimin publik, Ministria e Mbrojtjes e lidh vendimin me një qëndrim parimor se Maqedonia "gjithmonë ka qenë për paqe dhe siguri" dhe se siguria e qytetarëve është një përparësi, prandaj ushtarët e Maqedonisë nuk do të dërgohen në Ukrainë. Nëse e lexojmë vendimin "nën sipërfaqe", arsyet zakonisht janë më praktike sesa ideologjike.
Së pari, për ushtritë e vogla, çdo vendosje e re do të thotë një zgjedhje që do të sakrifikohet në vend ose në misionet/detyrimet ekzistuese, dhe një mision në Ukrainë do të mbartte rrezik më të lartë, logjistikë më të madhe dhe potencialisht rregulla më të vështira angazhimi", tha për "Lokalno" Peco Trajkoski nga OJQ-ja - Qendra për Kërkime dhe Analiza Strategjike pas qëndrimit të përsëritur të ministrit të Mbrojtjes, Vllado Misajlovski, se Maqedonia nuk do të dërgojë ushtarët e saj në një mision të mundshëm paqeruajtës në Ukrainë.
Sipas Trajkovskit, më e rëndësishmja, në një periudhë kaq të trazuar, qeveritë shpesh nuk duan të dalin përpara vijës së partnerit më të fortë, në këtë rast Shteteve të Bashkuara.
"Analizat vendase dhe të huaja sugjerojnë se pozicionimi zyrtar ka një element përputhjeje me administratën e re amerikane dhe një fokus në prioritete "më të sigurta" në vend të një vendosjeje të rrezikshme në Ukrainë", thekson Trajkoski.
Analisti vlerëson se ekziston njëfarë “frike” midis autoriteteve të vendit se dërgimi i trupave do të thoshte “marrje anësie”, por, siç thotë ai, nuk duhet të jetë “frikë” në një kuptim dramatik, por më tepër kujdes strategjik./Telegrafi/
Një glaciolog francez me përvojë ka paralajmëruar se akullnajat e Alpeve kanë humbur më shumë se gjysmën e vëllimit të tyre që nga fundi i shekullit të 19-të, duke theksuar ndikimin përshpejtues të ndryshimeve klimatike në vargmalin më të lartë të Evropës.
Në një intervistë si pjesë e raporteve speciale të Anadolu-t “Maja e Evropës: Alpet”, Sylvain Coutterand detajoi ndryshimet e thella që ndikojnë në rajonin e Alpeve të Francës. Ai theksoi një transformim të thellë në peizazhin e Alpeve.
Duke kujtuar vizitat e tij të verës së fëmijërisë në vitet 1970 dhe 1980 në Les Houches, një fshat në rajonin Auvergne-Rhone-Alpes pranë Chamonixit, ai tha se reshjet ishin të shpeshta, çdo dy ditë, duke mbajtur borën në lartësi të mëdha dhe duke lejuar akullnajat të përparojnë.
Sot, temperaturat në rritje janë shumë më të theksuara në vendpushimet e skive si në Chamonix të Francës dhe Zermatt të Zvicrës.
“Ndryshimi i klimës ndihet më intensivisht në male sesa gjetkë”, tha Coutterand.
Regjistrimet e temperaturës në Alpe datojnë që nga vitet 1880.
“Që nga fundi i shekullit të 19-të, akullnajat kanë humbur më shumë se 50 për qind të vëllimit të tyre”, theksoi ai.
Akullnajet e Alpeve filluan të tërhiqen nga shtrirjet e tyre maksimale të Epokës së Vogël të Akullnajeve rreth mesit të shekullit të 19-të, sipas rindërtimeve glaciologjike, me periudha të shkurtra stagnimi ose përparimi të përsëritur në shumë rajone gjatë viteve 1890, 1920 dhe 1970-1980.
Akullnajat në lartësi më të ulëta dhe ato më të vogla që atëherë janë zhdukur plotësisht.
“Zhdukja e akullnajave po ndodh tani”
“Zhdukja e akullnajave po ndodh tani. Sipas modeleve, akullnajat ikonike si Mer de Glace mund të zhduken midis viteve 2060 dhe 2080. Jemi plotësisht në epokën e ndryshimeve klimatike, pa asnjë fund në horizont”, tha Coutterand.
Duke parë përpara, ai parashikoi sfida të rënda për prodhimin e energjisë hidroelektrike dhe për ftohjen e centraleve bërthamore për shkak të rrjedhës së reduktuar të ujit.
Vetëm në Luginën Chamonix, problemet e ardhshme të furnizimit me ujë duken të mëdha sapo akullnajat të zhduken.
“Brenda 100 vjetësh, pak akullnaja do të mbeten në Alpe, të kufizuara në majat më të larta si Mont Blanc ose Monte Rosa”, paralajmëroi Coutterand.
Coutterand shpjegoi se shkrirja e akullnajave po ndryshon bimësinë e rajonit, duke i mundësuar parazitëve të infektojnë pemët dhe të shkatërrojnë pyjet, duke shtuar se pemët e mëdha të bredhave në fushë po vdesin dhe po thahen.
Sipas glaciologut, brumbujt e lëvores që vendosen në këto pemë së pari përpijnë lëvoren, pastaj vetë trungun.
Ai theksoi se frenimi i emetimeve të gazrave serrë mund të shpëtojë ende shtresat e akullit të Antarktidës dhe Groenlandës. /AA/
Barcelona nuk planifikon të nënshkruajë me një qendërmbrojtës gjatë afatit kalimtar të janarit, pavarësisht dëmtimit afatgjatë të Andreas Christensen, sipas raportimeve të Marca-s.
Mungesa e danezit fillimisht rihapi diskutimet brenda klubit për një përforcim të mundshëm në repartin defensivë gjatë afatit kalimtar të dimrit.
Megjithatë, pas analizave të brendshme, drejtori sportiv Deco ka vendosur të mos ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.
Sipas drejtuesve të klubit katalanas, aktualisht nuk ekzistojnë opsione të përshtatshme për qendërmbrojtës në treg, sidomos në këtë fazë të sezonit, ku lëvizjet janë të kufizuara dhe kostot të larta.
Një tjetër faktor kyç mbeten kufizimet financiare. Barcelona nuk ka hapësirën e nevojshme ekonomike për të investuar në një mbrojtës të ri gjatë janarit, ndërsa rregullat e regjistrimit e bëjnë të pamundur edhe afrimin e një lojtari të lirë.
Si pasojë, klubi ka vendosur të ruajë stabilitetin aktual dhe të presë deri në verë, kur çështja e përforcimit të mbrojtjes do të rivlerësohet në kushte më të favorshme financiare dhe sportive. /Telegrafi/
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një tubim zgjedhor në shkollën “Ismail Qemali” në Bregun e Diellit, organizuar nga Dega e Tretë e LDK-së.
Gjatë tubimit, Abdixhiku theksoi se Prishtina kërkon zhvillim dhe projekte konkrete, duke prezantuar një plan investimesh me vlerë 1.5 miliardë euro, që përfshin Unazën e Jashtme, Qendrën Sportive, teatrot dhe parkun teknologjik.
Ai shtoi se qytetarët e kryeqytetit kanë zgjedhur ndryshimin e parë, duke theksuar se LDK-ja, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, synon të sjellë normalitet dhe projekte konkrete për qytetarët.
Abdixhiku prezantoi gjithashtu kandidatët e Degës së Tretë për zgjedhjet e ardhshme, të cilët përfaqësojnë një ekip me përvojë institucionale, energji qytetare dhe përkushtim ndaj vlerave rugoviane dhe shërbimit publik.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, e përmbylli të hënën në një tubim në Hajvali.
Në prani të banorëve, mbështetësve, miqve e aktivistëve, ai e theksoi edhe një herë se siguria dhe begatia nuk kufizohen vetëm te sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik, por përfshijnë edhe një sistem modern energjetik, furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijes dhe infrastrukturë rrugore dinjitoze.
Kurti tha se prioritet e qeverisjes së tij mbeten kujdesi për nënat dhe fëmijët, forcimi i ushtrisë, zhvillimi i veriut dhe bujqësisë, si dhe investimet në infrastrukturë, por edhe ndërlidhja e vendit e qytetarëve përmes urave të reja.
AC Milan po planifikon të forcojë repartin e mbrojtjes gjatë afatit kalimtar të janarit dhe ka përpiluar një listë me tre objektiva kryesorë: Federico Gatti, Milan Skriniar dhe Eric Dier.
Megjithatë, transferimi i Federico Gattit paraqitet shumë i vështirë.
Mbrojtësi italian ka kontratë me Juventusin deri në vitin 2030 dhe konsiderohet një pjesë kyçe e projektit afatgjatë të bardhezinjve.
Pavarësisht marrëdhënies shumë të mirë mes Gattit dhe trajnerit të Milanit, Massimiliano Allegri, Juventusi nuk pritet të heqë dorë lehtë nga shërbimet e tij.
Edhe pista që çon te Milan Skriniar duket e komplikuar, pasi gjasat që mbrojtësi sllovak të largohet nga Fenerbahçe në janar janë të vogla.
Nga ana tjetër, Eric Dier ngre pikëpyetje serioze për shkak të problemeve fizike që ka hasur këtë sezon te Monaco, çka ka shtuar rezervat brenda drejtuesve kuqezi për një transferim të mundshëm.
Ndërkohë, David Odogu nuk ka arritur të gjejë hapësirat e duhura te Milani që prej transferimit të tij gjatë verës.
Sipas raportimeve të fundit, klubi po shqyrton mundësinë që ai të largohet në formë huazimi gjatë afatit kalimtar së janarit, në mënyrë që të fitojë më shumë minuta dhe eksperiencë. /Telegrafi/
Vince Zampella, i cili bashkë-krijoi serinë e videolojërave shumë të njohura Call of Duty, ka vdekur në një aksident me makinë në Kaliforni, në moshën 55 vjeç.
Vdekja e Zampellës u konfirmua nga Electronic Arts, e cila zotëron Respawn Entertainment, një studio lojërash që ai bashkë-themeloi, transmeton Telegrafi.
Zhvilluesi me ndikim i videolojërave po udhëtonte në një Ferrari me një person tjetër, kur ajo u përplas dhe u përfshi nga flakët në një autostradë në Los Angeles të dielën.
"Kjo është një humbje e paimagjinueshme dhe zemrat tona janë me familjen e Vince, të dashurit e tij dhe të gjithë ata që u prekën nga puna e tij", tha një zëdhënës i Electronic Arts për BBC-në.
Zyrtarët thanë se personi në ulësen e pasagjerit të automjetit u nxor jashtë, ndërsa shoferi mbeti i bllokuar. Nuk është e qartë nëse Zampella po drejtonte makinën dhe kush ishte personi tjetër brenda.
Të dy personat brenda automjetit vdiqën.
"Për arsye të panjohura, automjeti doli nga rruga, goditi një barrierë betoni dhe u përfshi plotësisht nga zjarri", tha policia e Kalifornisë në një deklaratë për BBC-në.
Zampella krijoi Call of Duty me bashkëpunëtorët e tij të hershëm Jason West dhe Grant Collier në vitin 2003.
Pjesërisht e frymëzuar nga ngjarjet në Luftën e Dytë Botërore, loja ka shitur më shumë se 500 milionë kopje duke e bërë pronarin e saj, Activision, një nga kompanitë më fitimprurëse të lojërave. Gjithashtu, ajo ka sjellë edhe një film të ardhshëm me aksion.
Franshiza Call of Duty nuk ishte suksesi i tij i vetëm. Ai ishte gjithashtu pas lojërave të tjera shumë të njohura, duke përfshirë Medal of Honor, Titanfall dhe Apex Legend.
"Ai me të vërtetë kujdesej për përvojën e lojtarit, kujdesej për krijimin e lojërave, kujdesej për mënyrën se si ndiheshin njerëzit kur luanin dhe kjo vërehej sa herë që i flisje", tha Keza MacDonald, redaktore e videolojërave në Guardian për BBC Newshour.
Në vitin 2010, Zampella dhe West u pushuan nga puna nga Activision, e cila publikon lojërat Call of Duty, dhe dyshja më pas u përfshi në një mosmarrëveshje të gjatë me kompaninë, të cilën e zgjidhën jashtë gjykatës në vitin 2012.
Tek Electronic Arts, Zampella punoi në Battlefield 6, i cili shihet si një konkurrent i drejtpërdrejtë i Call of Duty.
Infinity Ward, kompania amerikane që zhvilloi Call of Duty, tha se Zampella "gjithmonë do të ketë një vend të veçantë në historinë tonë".
"Trashëgimia juaj e krijimit të argëtimit ikonik dhe të qëndrueshëm është e pamatshme", tha kompania në një deklaratë në X. /Telegrafi/