Ndërmarrja Ambienti rrit pagat për punëtorët dhe ndanë 500 euro shpërblim vjetor
Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Ambienti, me kryesim të ing. Gramoz Xhemajlit, ka nënshkruar vendimin për shpërblim vjetor prej 500 eurosh për çdo punonjës, me rastin e festave të fundvitit, si dhe për ngritje page për vitin 2026.
Ky vendim u miratua në mbledhjen e rregullt të Bordit të Drejtorëve, bazuar në propozimin e Kryeshefit Ekzekutiv, Diedon Berisha, duke vlerësuar sukseset e larta të ndërmarrjes gjatë vitit.
Sipas Bordit, Ambienti Sh.A. për herë të parë pozicionohet si kompani lidere në Kosovë për paga, shujta dhe beneficione për punonjësit e saj.
Bordi i Drejtorëve gjithashtu theksoi se prioritet për vitin 2026 mbetet modernizimi i mëtejshëm, digjitalizimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm i ndërmarrjes.
Në përbërje të Bordit janë Gramoz Xhemajli, kryesues, Drita Krasniqi dhe Gazmend Kastrati, të cilët u uruan punonjësve për shëndet dhe suksese të përbashkëta edhe në vitin e ardhshëm.
Bordi falënderoi gjithashtu stafin ekzekutiv dhe operativ për kontributin e dhënë në realizimin e politikave të ndërmarrjes dhe për arritjen e rezultateve të larta. /Telegrafi/
