Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Përfundojnë punimet e urës “Bailey”, 12 fshatra dalin nga izolimi

11 December 2025 at 15:57

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Punimet për ndërtimin e urës së tipit “Bailey” në fshatin Qafzezë janë në ditën e tyre të fundit, duke rikthyer plotësisht kalueshmërinë për banorët e 12 fshatrave të bashkisë Kolonjë.

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole ishte në terren së bashku me kryebashkiakun e Kolonjës dhe majorin e Batalionit të Xhenios. Ura e fshatit Qafzezë u dëmtua rëndë si pasojë e reshjeve të pazakonta në qarkun e Korçës.

Jole tha se, puna është realizuar në harkun kohor të dy javëve.

“Që kur u sinjalizuam nga institucionet vendore për dëmtimin e urës, fillimisht u morën masa me Policinë e Shtetit për të mos rrezikuar jetën e banorëve, më pas u angazhuan inxhinierët e Autoritetit Rrugor Shqiptar për të bërë një propozim teknik që u përcoll në rrugë zyrtare pranë Ministrisë së Mbrojtjes”, tha prefekti i Korçës, duke falënderuar për reagimin e menjëhershëm.

Me dëmtimin e rëndë të urës, një komunitet prej 12 fshatrash nuk kishin një alternativë kalimi dhe duke parë këtë situatë, Prefektura Korçë e trajtoi situatën me prioritet të lartë.

Tashmë, me angazhimin maksimal të të gjitha strukturave, punimet janë drejt përfundimit dhe ura pritet të vihet shumë shpejt në funksion të komunitetit.

/r.e/a.f/

The post Përfundojnë punimet e urës “Bailey”, 12 fshatra dalin nga izolimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis riparimi i dëmeve nga reshjet në aksin Pogradec–Qafa e Plloçës

9 December 2025 at 14:42

TIRANË, 9 dhjetor/ATSH/ Reshjet intensive të ditëve të kaluara dëmtuan një pjesë të trotuarit në aksin Pogradec–Qafa e Plloçës, në segmentin që kalon pranë fshatit Gështenjas.

Ndërkohë sot, subjekti që ka zbatuar punimet e këtij segmenti, nisi ndërhyrjen me kërkesë të institucionit të prefektit të Korçës, Nertil Jole. Punimet pritet të zgjasin rreth një javë. Jole bëri me dije se edhe nga ana e Bashkisë së Pogradecit po merren gjithashtu masa për rregullimin e ndriçimit në këtë segment të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Në terren kanë qenë sot nënprefekti i Pogradecit, Luan Maxhari si edhe nënkryetari i bashkisë Pogradec, Paskalino Ziko, të cilët panë nga afër punën e specialistëve të kompanisë, për rehabilitimin e karrexhatës së rrugës dhe korsisë së dëmtuar të biçikletave pranë fshatit Gështenjas.

1 nga 4

/r.e/a.f/

The post Nis riparimi i dëmeve nga reshjet në aksin Pogradec–Qafa e Plloçës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sotiraq Bratko, artisti i madh i roleve të vogla

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Sot ka ditëlindjen një prej figurave të dashura korçare, Sotiraq Bratko, “Mjeshtër i Madh”, aktori që me talentin, thjeshtësinë dhe humorin e tij u bë pjesë e shpirtit artistik të qytetit.

Sotiraq Bratko lindi më 8 dhjetor 1951 në Korçë dhe u rrit me dashurinë për artin.

Pas studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, iu bashkua Teatrit “Andon Zako Çajupi”, ku shkëlqeu në dhjetëra role, duke sjellë në skenë humor, emocion dhe sinqeritet artistik.

Në kinematografi interpretoi shumē personazhe, por famën e gjeti me rolin e Tirkës në “Zonja nga qyteti”, një figurë e  paharrueshme për publikun shqiptar.

Me mbi 70 role në teatër dhe 18 role në film, Sotiraq Bratko dëshmoi një karrierë të pasur, të larmishme dhe plot përkushtim.

Ndër rolet në kinematografi mund të përmendim: Në vitin 1973: “Brazdat” – në rolin e Skënderit; 1976: “Përballimi” – në rolin e punëtorit të fabrikës; 1977: “Flamur në dallgë” – në rolin e mekanikut Vaso; 1978: “Nusja dhe shtetrrethimi” – në rolin e Petrit; 1978: “Pranverë në Gjirokastër” – në rolin e e operatorit televiziv; 1979: “Liri a vdekje” – në rolin e Latif ages; 1980: “Gëzhoja e vjetër” – në rolin e Kujtimit; 1980: “Një shoqe nga fshati” – në rolin e Tirkës; 1981: “Në prag të lirisë” – në rolin e Fihtit; 1982: “Shokët” – në rolin e Janit; 1983: “Fraktura” – në rolin e babait të Gazit; 1984: “I paharruari” – në rolin e Sotirit; 1985: “Të shoh në sy” – në rolin e Nestit; 1986: “Rrethimi i vogël” – në rolin e Maksit; 1986: “Dasëm e çuditshme” – në rolin e Servetit; 1987: “Botë e padukshme”; 1989: “Njerëz në rrymë”; 1976: “Zonja nga qyteti” – Tirka; 1977: “Zemra që nuk plaken në rolin e Petritit; “Një shoqe nga fshati” – Tirka.

Ai ka luajtur në dhjetëra role në dramë e komedi, kryesisht me Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës.

Për disa vite, jeta e çoi jashtë Shqipërisë, në Greqi, por arti ishte brenda tij. Me rikthimin në Korçë, ai u rikthye edhe në skenë, duke dëshmuar se pasioni nuk shuhet kurrë.

Për kontributin në art, ai është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, vlerësim për një jetë të tërë në shërbim të skenës dhe ekranit.

Sotiraq Bratko është një prej atyre njerëzve që i dhanë Korçës dinjitet artistik. Ai mbetet në kujtesën e qytetit si një aktor i dashur dhe i talentuar që i fali publikut të Korçës dhe gjithë Shqipërisë qeshje, emocione dhe art të vërtetë.

Në këtë ditë të lindjes së aktorit të dashur për publikun korçar dhe jo vetëm, prefekti i Korçës Nertil Jole e uron me një postim në rrjetet sociale: “Urime për ditëlindjen aktori i dashur i qytetit tonë! Jetë të gjatë, shëndet e sa më shumë role të bukura!”.

The post Sotiraq Bratko, artisti i madh i roleve të vogla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jole: Pastrim i rrugëve nga inertet në qarkun e Korçës, dëme në 62 familje në Pogradec

24 November 2025 at 10:14

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Në Korçë po vijon puna për riparimin e argjinaturave të Lumit Devoll në Sheqeras dhe lumit Dunavec, të dëmtuara nga reshjet intensive të ditëve të fundit, ndërkohë që të gjithë qarkun po punohet nga strukturat në terren për neutralizimin e problematikave të shkaktuara nga reshjet në territor.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole, tha sot për ATSH-në se ”që orët e para të mëngjesit ka filluar puna për mbylljen e çarjeve në argjinaturat e lumit Dunavec dhe të lumit Devoll, me angazhimin e subjekteve private dhe mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes”.

Sipas tij, strukturat vendore po vijojnë punën për neutralizimin e të gjitha problematikave në territorin e bashkisë Maliq.

Jole tha se “ekipet e Drejtorisë së Ujitje-Kullimit janë në bashkërendim të plotë me emergjencat civile në nivel qarku e në nivel vendor, si dhe me Forcat e Armatosura, për të garantuar sigurinë e zonave dhe funksionimin e sistemit kullues. Në ndihmë të këtij aksioni na kanë ardhur edhe disa subjekte private duke vënë në dispozicion mjete e punëtorë”, tha Jole.

Prefekti Jole u shpreh se “qëllimi është rikthimi në funksion të plotë të infrastrukturës së argjinaturës dhe kufizimi për dëmtime në tokën bujqësore”.

Në bashkinë Korçë në njësinë administrative Voskopojë ka vijuar puna për sistemimin dhe pastrimin e rrugës që të çon drejt varrezave dhe në njësinë administrative Bulgarec ka vijuar puna në fshatin Çiflig, ku po kryhet pastrimi i tombinove me ekskavator përgjatë unazës.

Gjithashtu po monitorohen prurjet në lumin e Kamenicës dhe degëzimet mbi Dvoran.
Po punohet në riparimin e argjinaturave të dëmtuara në njësinë administrative Voskop. Vijojnë punimet për hapjen dhe funksionalizimin e rrugës Tudas–Lavdar–Bozdovec–Mazrekë.

Në bashkinë Kolonjë është ndërhyrë në devijimin e rrjedhës së lumit për të shmangur rrezikun ndaj këmbëve të urës së Qinamit si dhe janë kryer punime në lagjen Kaskollare, fshati Starje, për largimin e ujërave. Ndërkohë janë zhvilluar punime në Prodan, në shtratin e lumit.

Shërbimi zjarrfikës ka vijuar sot punën e pastrimit të pusetës qendrore të ujit në qytetin e Ersekës.

Sipas njoftimit të Njësisë së Kujdesit për Shëndetin dhe Higjienën (NJVKSH), uji aktualisht është i pijshëm.

Në bashkinë Pustec nuk ka problematika situata rezulton e normalizuar, ndërsa në bashkinë Devoll në fshatin Progër është punuar për sistemimin e lumit në zonat ku ishin çarë pritat, si dhe për çakullimin e rrugës në segmentet e dëmtuara nga erozioni i ujit.

Në njësinë administrative Hoçisht është ndërhyrë për sistemimin e lumit të Borshit, pasi nga çarja e tij ishin përmbytur një sipërfaqe e konsiderueshme tokash bujqësore.

Në bashkinë Pogradec komisionet e verifikimit kanë vijuar punën dhe kanë konstatuar dëme në 62 familje, për të cilat janë mbajtur procesverbalet përkatëse, si dhe janë shpërndarë ndihma ushqimore për familjet e prekura nga fatkeqësia, ndërkohë që po vijon monitorimi dhe identifikimi i rasteve të reja.

Problematikë është evidentuar përgjatë lumit të Verdovës, lumit të Rëmenjit dhe në grykëderdhjen pranë gurores, ku është ndërhyrë për menaxhimin e rrjedhjeve.

Në njësinë administrative Dardhas janë pastruar 4 akse rrugore, të cilat aktualisht janë të kalueshme, si dhe vijon puna për pastrimin e pusetave dhe pastrimin e asfaltit të rrugëve në qytet.

Në aksin Pogradec–Bucimas, pranë fshatit Gështenjas, ka ceduar rreth 50 metra nga korsia e biçikletave.

Në rezervuarin Stropskë 2 është konstatuar shkarje dherash në një sipërfaqe prej rreth 4 dynymësh, ekipi i emergjencave civile vijon vlerësimin në terren.

Hidrovori Tushemisht vijon punën normalisht.

Situata e furnizimit me energji në qarkun Korçë:Fideri 6 N/St Mollas pa energji zona Kurtesh (11 abonentë ruralë). Të gjitha fiderat që furnizojnë objektet e rëndësisë së veçantë janë në punë të plotë. Hidrovori Pogradec (Fideri 8-18, N/St Pogradec) punon normalisht.

Në aksin Qafë Plloçë- Qukës nga subjekti vijojnë punimet për largimin e inerteve nga shtrati i rrugës, qarkullimi vijon normalisht pasi është hapur rrugë sekondare.

/k.s/

 

The post Jole: Pastrim i rrugëve nga inertet në qarkun e Korçës, dëme në 62 familje në Pogradec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jole: Ka nisur procesi i evidentimit të dëmeve nga përmbytjet

23 November 2025 at 12:42

TIRANË, 23 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole bëri të ditur sot se ka nisur procesi i evidentimit të dëmeve nga përmbytjet, ndërsa banorët janë ndihmuar me mbështetje nga Rezervat e Shtetit

Në një intervistë televizive, Jole u shpreh se intensiteti i reshjeve është ulur, ndërsa Korça është mbuluar nga reshejet e para të borës.

“Ditën e sotme situata paraqitet më normale sepse dhe reshjet kanë qenë më të pakta. Kjo na ka dhënë mundësi të stabilizojmë situatën dhe të organizohemi në territor me të gjitha strukturat”, tha ai.

Jole theksoi se gjatë ditëve të fundit, qarku i Korçës është përfshirë nga një prezencë shirash që ka kaluar nivelin mbi mesatar të viteve të fundit.

“Kemi pasur disa situata në disa bashki. Jemi përpjekur maksimalisht që me prezencë të plotë në territor nga të gjitha strukturat të adresojmë në mënyrë të prioritizuar situatat më delikate”, tha ai.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, sipas Prefektit Jole ka evituar në çdo rast situata të vështira për sa i takon akseve kryesore.

“Janë bërë pastrime të menjëhershme aty ku ka pasur rrëshqitje dheu për të mos cënuar qarkullimin normal të mjeteve, por kemi pasur disa situata më delikate e komplekse në zona rurale të thella si në Vithkuq e Lekas, ku ka pasur rrëshqitje dheu si pasojë e prurjeve të ujit nga zonat malore”, shtoi ai.

Jole theksoi se situata problematike është paraqitur edhe në Devoll e Tushemisht, ndërsa janë përmbytur edhe disa banesa në periferi të Pogradecit.

Situatë delikate, sipas tij, ka pasur edhe në Fushë Maliq ku për herë në mbi 50 vite kuotat e lumit kanë arritur nivele maksimale. “Kjo ka identifikuar edhe disa pika të dobëta të argjinaturave të lumit, ndërkohë do të bëhet edhe rivlerësimi i dëmeve”, tha Jole.

/a.f/

The post Jole: Ka nisur procesi i evidentimit të dëmeve nga përmbytjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vithkuqi dhe Dardha zbardhen nga bora, qarkullim normal në akset rrugore

23 November 2025 at 19:19

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Në qarkun e Korçës sot janë regjistruar reshjet e para të dëborës. Në zonat malore si Dardhë, Vithkuqi dhe Shtyllë në lartësinë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit reshjet e borës janë në intensitet të ulët.

Kreu i Bashkisë së Korçës ndau pamje nga bora e parë në Dardhë.

Prefekti i Korçës, Nertil Jole në një reagim në rrjetet sociale, tha se në segmentin Boboshticë-Dardhë filluan reshjet e borës dhe borëpastrueset janë në terren.

“Kontraktori po punon për largimin e dëborës dhe hedhjen e kripës. Qarkullimi është normal në të gjitha akset kryesore të qarkut. Stafi i Drejtorisë Qendër-Lindje i Autoritetit Rrugor Shqiptar po i monitoron ato për të siguruar çdo ndërhyrje aty ku është e nevojshme”, tha Jole.

Reshjet janë të lehta dhe qarkullimi i automjeteve zhvillohet normalisht, pa probleme të raportuara.

/e.i/a.f/

The post Vithkuqi dhe Dardha zbardhen nga bora, qarkullim normal në akset rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jole: Rehabilitim argjinaturës së lumit Devoll dhe kolektorit të Sovjanit

22 November 2025 at 12:05

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Në shtratin e lumit Devoll pranë fshatin Sheqeras po punohet  për rehabilitimin e argjinaturave, të dëmtuara nga reshjet e dendura të ditëve të fundit.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil jole, i cili ndodhet aktualisht pranë pikës ku ka ndodhur edhe çarja e argjinaturës tha për ATSH-në se “Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Korçë po punon për neutralizimin e situatave të shkaktuara nga reshjet e shiut duke ka aktivizuar të gjithë personelin prej 16 punonjësish në terren, si dhe ka vënë në punë 2 eskavatorë me krah të gjatë dhe 1 trailer transportues si dhe strukturat vendore të bashkisë Maliq, të Bordit të Ujitjes dhe Kullimit”.

Jole tha se “puna që po bëjmë neutralizon pasojat për mbytjen e tokës bujqësore dhe jep siguri edhe për fshatin Sheqeras, duke evituar rrezikun për përmbytje”.

Prefekti Jole informoi se më pas do të ndërhyhet edhe në kanalin C9 në kolektorin e Sovjanit.

Sipas tij, bashkë me Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit po punojnë për riparimin e argjinaturës edhe forcat e Repartit Ushtarak 1033 Drenovë.

Vendi ynë prej katër ditësh është përfshirë nga moti i keq, që ka shkaktuar përmbytje duke shkaktuar dëme për banorët e zonave të prekura. Shumë familje janë detyruar të evakuohen, pasi banesat e tyre janë përmbytur.

/k.s/j.p/

 

 

The post Jole: Rehabilitim argjinaturës së lumit Devoll dhe kolektorit të Sovjanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jole: Situata në Sheqeras është stabilizuar, prurjet e Devollit bien me 1 metër

21 November 2025 at 22:12

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Prefekti i Korçës, Nertil Jole bëri të ditur sot se situata si pasojë e motit të keq në fshatin Sheqeras, paraqitet më e qëndrueshme pas shqetësimeve për rritjen e nivelit të ujit në kanale si pasojë e prurjeve të vrullshme të lumit Devoll.

Jole u shpreh se bashkë me kryetarin e bashkisë po kryejnë një monitorim të detajuar të zonës, pas disa sinjalizimeve të marra më herët.

“Me kryetarin e bashkisë e gjykuam që të bëjmë një monitorim më të detajuar këtu në Sheqeras, prej disa sinjalizimeve që morëm duke qenë se kuotat e kanaleve kishin një lloj rritje si pasojë të prurjeve shumë të vrullshme të lumit Devoll. Lajmi i mirë nga informacionet është që kemi tani nga punonjësit e digës së Zëmblakut, në këtë një orë të fundit ka një ulje përafërsisht 1 metër të thellësisë së lumit, në këtë kuptim është qetësuar situata”, tha ai.

Megjithatë ai theksoi se po vijojnë marrjen e masave parandaluese për shkak të mundësisë së shtimit të reshjeve gjatë natës.

“Janë duke u marrë masat për të evituar nëse do të këtë ndonjë rast precipitimi në kushte që mund të kemi edhe reshje gjatë natës, çdo risk që mund të atakonte edhe të prektë situatën e fshatit dhe në këtë kuptim jemi duke vlerësuar dhe gjykuar me gjithë ekspertët mënyrës se si do e adresojmë situatën në një raste precipitimi dhe reshjeve intensive në vazhdim. Nuk ka rrezik për evakuim edhe në kushtet e motit aktualisht nuk është ky rrezik”, tha Jole.

/m.q/r.e/a.f/

The post Jole: Situata në Sheqeras është stabilizuar, prurjet e Devollit bien me 1 metër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkarje dheu dhe përmbytje nga reshjet në disa zona në Korçë, evakuime në Sovjan

21 November 2025 at 10:43

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Reshjet e dendura të këtyre ditëve, veçanërisht gjatë 24 orëve të fundit, kanë krijuar situatë të vështirë në disa zona të qarkut Korçë.

Sipas të dhënave të marra nga Prefektura e qarkut Korçë, gjatë natës e orëve të para të mëngjesit janë evidentuar disa problematika të shkaktuara nga reshjet e vazhdueshme. Ndërkohë prefekti i Korçës, Nertil Jole bëri me dije se strukturat përgjegjëse po punojnë në terren për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e dëmeve.

Sa i përket Bashkisë Korçë, problematika janë shënuar në mjediset e Prokurorisë së Korçës, ku pati prezencë uji në bodrum dhe në arkivë. Ekipet përkatëse vijuan punën gjatë natës për thithjen e ujit, me qëllim ruajtjen e dokumentacionit dhe situata është e stabilizuar.

Në Bashkinë Maliq është shënuar një masë elektrike dhe dyshohet mungesë energjie në një pjesë të qytetit. OSHEE ka verifikuar situatën dhe për shkak të prezencës së ujit ka bërë stakimin e fidrit. Aktualisht po punohet për largimin e ujit dhe rikthimin e energjisë.

Në Sovjan, ekipet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi kanë evakuuar fillimisht banorët, gjënë e gjallë dhe kosheret e bletëve, ndërkohë që raportohet se situata po shkon drejt normalizimit.

Në Leshnjë raportohet për bagëti të mbytura. Strukturat vendore ndodhen në terren. Në lagjen përballë fshatit Vlocisht ka prezencë uji në oborre banesash. MZSH po ndërhyn për normalizimin e gjendjes.

Probleme janë shfaqur kryesisht nga prurjet malore të ujit dhe tejmbushja e lumit Dunavec që ka shkaktuar përmbytje në disa sipërfaqe të tokave bujqësore. Aktualisht është duke shkuar mjeti për ndërhyrje nga Pogradeci.

Në Bashkinë Pustec, raportohet rrezik për daljen nga shtrati të përroit në rrugën kombëtare Doganë–Goricë e Vogël. Monitorimi po vijon nga strukturat përgjegjëse.

Aksi Zvezdë – Goricë ka prezencë inertesh të sjella nga reshjet të cilat janë duke u pastruar nga kontraktori që është në terren.

Në Bashkinë Devoll, problematike mbetet situata në fshatin Progër, gjithashtu edhe në fshatin Mancurisht. Në fshatin Dobranj ka nevojë për një ndërhyrje urgjente në daljen e përroit, pasi uji ka përmbytur tokat bujqësore.

Rruga Miras – Arrëz ka pësuar shkarje të dheut dhe gurëve dhe po dërgohen punonjës për ta verifikuar situatën në terren.

Në Poloskë është përmbytur një banesë, ku gjatë natës është vendosur një pompë për largimin e ujit.

Në Qytezë raportohet shkarje dheu.

Prefekti Nertil Jole bëri të ditur se strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në të gjitha zonat problematike. Prefektura vijon monitorimin dhe koordinimin me të gjitha strukturat përgjegjëse për garantimin e sigurisë së qytetarëve. /j.p/

1 nga 4

The post Shkarje dheu dhe përmbytje nga reshjet në disa zona në Korçë, evakuime në Sovjan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prefekti i Korçës: 1,762 abonentë pa energji, nuk raportohen situata rreziku nga reshjet

20 November 2025 at 10:13

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, ndau me ATSH-në informacionin e përditësuar lidhur me situatat e shkaktuara nga reshjet e shiut, në këtë qark.

Jole u shpreh se, strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në të gjitha zonat ku ka konstatime të problematikave. Deri në këto momente nuk raportohen situata që paraqesin rrezik për qytetarët apo banesat. Gjithashtu, sa i përket situatës në lumin Devoll e Dunavec, paraqitet pa problematika, megjithë reshjet e shtuara.

Ndërkohë situatat e evidentuara nëpër territoret e bashkive janë:

Bashkia Korçë

Fshati Çiflig:

Është raportuar prezencë uji në oborret e 3 banesave në fshatin Çiflig, ku janë prekur vetëm hangarë me bazë blegtorale. Po vijon puna për pastrimin e kanaleve dhe largimin e ujërave.

Fshati Vinçan:

Rruga e fshatit Vinçan pati shkarje dherash. Administratori i Njësisë Administrative, së bashku me Ndërmarrjen e Shërbimeve të Bashkisë ndërhynë dhe u pastruan inertet. Rruga është e hapur pa probleme.

Bashkia Maliq

Në zonën e minierës në fshati Qenckë si pasojë e shkarjeve të dherave pati prezencë inertesh ne rrugë të cilat u pastruan nga kontraktori. Qarkullimi vijon normalisht. Situata në akset rrugore kryesore paraqitet e normalizuar.

Aksi i vjetër Korçë–Ersekë (Qarri)

Janë konstatuar shkarje dherash, kontraktori është në terren me mjetet përkatëse për pastrimin e rrugës.

Ndërkohë ekipet e OSHEE-së po punojnë për rregullimin e defekteve dhe aktualisht janë pa energji: zonat Protopapë, Peshtan, Mazrekë, Pulahë.

Sipas Jole, problematika me energjinë kanë 208 abonentë në Korçë, 1444 abonentë në Bilisht, në Qinam, Skorovodë, Kreshovë, rreth 60 abonentë ndërkohë që në Maliq e Pogradec nuk raportohen probleme. Sipas raportit të Institucionit të Prefektit, totali i abonentëve pa energji është 1,762.

/a.f/

The post Prefekti i Korçës: 1,762 abonentë pa energji, nuk raportohen situata rreziku nga reshjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plan masash për administrimin e emergjencave të dimrit në qarkun e Korçës

12 November 2025 at 15:53

TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Prefekti i Korçës, Nertil Jole mblodhi sot Komisionin e Mbrojtjes Civile në nivel qarku, ku u bë analiza e administrimit të emergjencave civile verore dhe marrja e masave përgatitore për administrimin e emergjencave në prag të dimrit.

“Të gjitha institucionet që janë pjesë e Komisionit të Mbrojtjes Civile, kanë marrë tashmë programin të përgatitur nga institucioni i Prefektit, i cili do të zbatohet e monitorohet me përgjegjësi e vigjilencë, për të garantuar shërbimet e duhura për banorët e qarkut tonë dhe një sezon të mbarë e të suksesshëm për turizmin dimëror”, u shpreh prefekti i Korçës.

Në programin e përballimit të emergjencave dimërore, Institucioni i Prefektit kujton subjektet kontraktore që mirëmbajnë akset kryesore nacionale dhe ato rurale në bashki te marrin masa parapërgatitore për administrimin e problematikave që mund të krijohen gjatë periudhës së dimrit.

Në të gjitha bashkitë e qarkut Korçë do të zhvillohen takime me Komisionet e Mbrojtjes Civile dhe të hartohen programe pune me masa e detyra konkrete për përballimin e situatave emergjente gjatë periudhës dimërore

Gjithashtu do të ketë kontrolle, vëzhgime dhe monitorim në bashki, subjektet kontraktore, lidhur me masat e marra për administrimin e Emergjencave Civile dimërore, venddepozitimin e kripës, gjendjen dhe gatishmërinë e automjeteve, të rezervuarëve dhe ujëmbledhësve, pastrimin e lumenjve kryesorë, kanaleve të kullimit, etj.

Komisariatet e Policisë Korçë, Pogradec, Kolonjë, Maliq dhe Devoll në bashkëpunim me shërbimet e MZSH-ve të bashkive dhe Shërbimin e Urgjencës Mjekësore do të përgatisin dhe mbajnë në gatishmëri grupe të përbashkëta për dhënien e ndihmës së menjëhershme dhe evakuimin e banorëve në zonat më me risk që mund të bllokohen gjatë periudhës së dimrit. Gjithashtu edhe komandanti i repartit ushtarak 1033 Drenovë–Korçë, gjatë kësaj periudhe do të mbajë në gatishmëri forcat dhe mjetet për t’i përdorur në situata emergjente sipas kërkesës së Institucionit të Prefektit.

/a.f/

The post Plan masash për administrimin e emergjencave të dimrit në qarkun e Korçës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vetëdija kombëtare dhe “Vetëvendosja” politike

By: redi
29 October 2025 at 16:13

Nga Nertil Jole Nëse ka diçka që shqiptarët e të dy shteteve po përjetojnë paralelisht, është kriza e vetëdijes politike. Nga njëra anë, Kosova e bllokuar në pamundësinë për të formuar qeveri. Nga ana tjetër, Shqipëria që dëgjon në Kuvend tone përçmuese ndaj drejtësisë nga politika e vjetër. Dy realitete të ndryshme, por me një rrënjë të përbashkët: mungesën e respektit për shtetin dhe për…

Source

Jole aktivizon strukturat për sigurinë rrugore gjatë dimrit

20 October 2025 at 09:40

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Prefekti i Korçës, Nertil Jole, ka vënë në veprim strukturat për të marrë masa për garantimin e sigurisë rrugore dhe lëvizjes normale gjatë periudhës së dimrit.

Në kuadër të masave përgatitore për administrimin e Emergjencave Civile dimërore, Jole, mblodhi drejtorin e Rajonit Qendër-Lindje të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shefin e Sektorit të Qarkullimit Rrugor pranë DVP Korçë, përfaqësues të bashkive të qarkut si edhe subjektet kontraktore që mirëmbajnë akset kryesore nacionale e turistike në qarkun Korçë.

Në rolin e kryetarit të Komisionit të Mbrojtjes Civile të qarkut, prefekti i Korçës, kërkoi nga subjektet që për të gjitha akset kryesore nacionale nga Qafa e Thanës-Pogradec-Korçë-Bilisht (doganë), aksi i ri Qukës-Qafë Plloçë, Korçë-Qafa e Qarrit-Ersekë-Leskovik dhe aksi i vjetër drejt Ersekës, si dhe rrugët turistike Voskopojë, Dardhë e Prespë, të zbatohen rigorozisht termat kontraktuale në kuadër të përgjegjësise direkte që ata kanë për mirëmbajtjen dimërore të këtyre segmenteve rrugore.

“Të gjitha subjektet kontraktore duhet të marrin masat e nevojshme përgatitore, të kenë identifikuar që tani zonat më me risk referuar problematikave të konstatuara gjatë sezoneve të kaluara, përqëndrimin e sasive të matarialeve e kripës, automjetet borëpastruese dhe personelin e nevojshëm manovrator, duke qëndruar në gatishmëri të plotë për çdo situatë”, u shpreh prefekti gjatë takimit.

Jole tha se, bashkëpunimi me strukturat e policisë rrugore është kyç, në funksion të zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve. Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e sensibilizimit dhe njoftimit të qytetarëve në kohë, për ato raste kur parashikimet e motit sinjalizojnë situata më të ngarkuara. /j.p/

1 nga 5

The post Jole aktivizon strukturat për sigurinë rrugore gjatë dimrit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit në Korçë, nisin konsultimet për projektin sipas modelit francez

TIRANË, 9 tetot/ATSH/ Turizmi në qarkun e Korçës ishte në qendër të takimit mes prefektit Nertil Jole dhe Rémy Privat, atashe për bashkëpunimin pranë Ambasadës së Francës në Tiranë.

Në takim ishin të pranishëm edhe ekspertë nga organizata franceze Tétraktys, të specializuar për turizmin malor.

Në fokus të takimit ishte projekti për hartimin e masterplanit për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në rajonin e Korçës, që bashkëfinancohet nga Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD) dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit me vlerë rreth 400 mijë euro.

Prefekti Jole në një postim në rrjetet sociale tha se “tashmë ka filluar procesi i konsultimit me aktorë institucionalë e jo vetëm, si bashkitë e qarkut, universiteti “Fan S. Noli”, sipërmarrje të suksesshme në sektorin e turizmit dhe agroturizmit, për të hartuar masterplanin për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në rajonin e Korçës, sipas modelit francez të përshtatur me kontekstin tonë”.

Projekti do të përfshijë planifikimin strategjik, një plan investimesh dhe forcimin e bashkëpunimeve teknike me autoritetet lokale franceze, si qyteti i Chambéry dhe departamenti i Savoie, duke përfshirë edhe aktorë të tjerë nga rajoni Alpin i Parkut Natyror Rajonal të Maleve Bauges në Francë.

“Këto shkëmbime synojnë forcimin e kapaciteteve lokale dhe nxitjen e transferimit të njohurive për zhvillim të qëndrueshëm në sektorin e turizmit, duke pasuruar njëherazi ofertën turistike të qarkut tonë”, tha Jole.

Në maj të këtij viti Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD) dhe Ministria Shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit nënshkruan marrëveshjen për mbështetjen e këtij projekti për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në rajonin e Korçës.

Marrëveshja do të mbështesë hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për të udhëhequr zhvillimin e turizmit në rajonin e Korçës gjatë viteve në vijim. Plani do të kombinojë mbrojtjen e mjedisit, planifikimin e qëndrueshëm territorial dhe vlerësimin e trashëgimisë arkitektonike dhe natyrore të rajonit.

Ky projekt plotëson gjithashtu përpjekjet e tjera të udhëhequra nga Franca në rajonin e Korçës, përfshirë rihapjen e planifikuar të Liceut Francez dhe bashkëpunimin e decentralizuar në vazhdim të mbështetur nga Ambasada Franceze.

1 nga 5

/k.s/j.p/

The post Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit në Korçë, nisin konsultimet për projektin sipas modelit francez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jole: Vijon aktive vatra e zjarrit në zonën pyjore mbi fshatin Miras

28 August 2025 at 20:03

TIRANË, 28 gusht /ATSH/ Vatra e zjarrit në zonën pyjore me bimësi të dendur mbi fshatin Miras, me bimësi të përzier (dushk, pishë etj.) vijon aktive prej ditës së djeshme.

Prefekti i Korçës, Nertil Jole u shpreh sot se, që prej orës 05:00 të mëngjesit, forcat zjarrfikëse, shërbimi pyjor, strukturat vendore dhe banorë të zonës po punojnë intensivisht për shuarjen e flakëve. Në total janë angazhuar rreth 75 forca nga kapacitetet e deklaruara të bashkisë.

Për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së infrastrukturës rrugore, ndërhyrja në brendësi të pyllit është e vështirë, duke kërkuar ecje në këmbë për të mbërritur pranë vatrave, theksoi Jole, duke shtuar se, zjarri si pasojë e erës ka marrë shtrirje dhe ka përfshirë sipërfaqe me pisha, çka e bën situatën komplekse.

Në këto kushte, theksoi Jole, “kemi koordinuar me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, dhe gjatë ditës së sotme kemi siguruar edhe mbështetje nga ajri për të neutralizuar intensitetin e flakëve”.

“Gatishmëria e strukturave të emergjencave civile është maksimale! Puna po vijon në terren dhe nga ekipet është organizuar ndërhyrja edhe ditën e nesërme që në orën 5 tē mëngjesit”, shkroi Jole në një postim në rrjetet sociale.

Jole gjithashtu ripërsëriti apelin për kujdes të shtuar nga të gjithë, për të shmangur situata të tilla që kërkojnë shumë energji njerëzore e shpenzime buxhetore për t’u neutralizuar.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Jole: Vijon aktive vatra e zjarrit në zonën pyjore mbi fshatin Miras appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jole: Në qarkun e Korçës ka vetëm 1 vatër zjarri aktive

17 August 2025 at 10:59

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Në qarkun e Korçës ka vetëm 1 vatër zjarri aktive.

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole u shpreh sot se nga informacioni më i përditësuar, situata e zjarrit të rënë në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjës prej datës 11 gusht, paraqitet relativisht më e qetë sot, por ende ka prezencë aktive të zjarrit (pikat e kuqe në hartë).

“Në terren sot janë organizuar rreth 65 forca nga MZSH, AdZM, policia kufitare, punonjës shërbimi të bashkisë e vullnetarë të zonës, të mbështetur nga 35 forca të ushtrisë. Terreni ka vështirësi pasi kërkon afro 3 orë për të mbërritur në sipërfaqen e prekur dhe duhet shumë kujdes sepse zona ka edhe municione”, theksoi ai.

Jole shtoi se, po punohet prej gjashtë ditësh për të penguar sa është e mundur depërtimin brenda kurorës zonë të mbrojtur.

“Strukturat vendore janë në komunikim edhe me palën greke, për të koordinuar veprimet, duke shpresuar se ditën e sotme situata do të përmirësohet akoma më shumë”, theksoi ai.

Jole ripërsëritu apelin për kujdes të shtuar nga të gjithë, për të shmangur situata të tilla që kërkojnë shumë energji njerëzore e shpenzime buxhetore për t’u neutralizuar.

/gj.m/a.f/

The post Jole: Në qarkun e Korçës ka vetëm 1 vatër zjarri aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sulmi ndaj News24/ Përplotet Drejtoresha e Përgjithshme Anila Jole: I paprecedentë, 230 punonjës u hodhën në rrugë, u trajtuam si kriminelë, jo gazetarë (VIDEO)

By: V K
9 August 2025 at 10:55

Mëngjesin e sotëm 9 gusht 2025, Policia ka rrethuar godinën e News24, duke ndërprerë me forcë dhe pa asnjë paralajmërim sinjalin e transmetimit, në një akt të paprecedent ndaj medias së lirë.

Punonjësit janë penguar të hyjnë në vendet e tyre të punës, ndërsa qytetarët janë privuar nga kanali më i madh dhe më i besueshëm informativ në vend.

Tashmë News24, ka nisur transmetimin maratonë në Youtube, nga ku qytetarët do të ndjekin gjithçka po ndodh në kohë reale, pavarësisht përpjekjeve që zëri i të vërtetës të mos mbërrijë tek qytetarët, duke ndërprerë energjinë elektrike, e për pasojë edhe trensmetimin e medias më të rëndësishme informative në vend.

 

 

Drejtoresha e News24, Anila Jola, është përlotur nga situata në të cilën ndodhet News24 nën terrorin e policisë.

“Ështe një situatë qe nuk mund ta përshkruaj, jam zgjuar me telefonatën që që në orën 6 këtu kishte ardhur policia. Erdhëm bashkë me kolegët por nuk u lejuam të hynim brenda dhe të vijonte transmetimi. News24 është rrethuar nga policia dhe gjithçka ndodhi pa një njoftim paraprak, si të ishim një kioskë e thjeshtë. Ishte vendim arbitrar abuziv i papritur dhe nuk u lejuam të hynim në vendin e punës si të ishim kriminelë jo punonjës kaq vjeçarë të News24.

Nuk e përfytyroj dot këtë që po ndodh me median më të besueshme për shqiptarët. Lokalet kishin lënë ekranin e bardhë, me shpresën se ka ndonjë difekt. Shikuesit shpresojnë që ne do të rikthehemi. Ndoshta duhet të presim të hënën që të nisin punën gjykatat dhe të japë një vendim shpresojmë në favorin tonë. Ngjarja më e dhimbshme që ndodh në këto vite punë. 230 punonjës që në lëtë moment janë në rrugë. 230 familjeve u janë prerë të ardhurat”, shprehet ajo.

The post Sulmi ndaj News24/ Përplotet Drejtoresha e Përgjithshme Anila Jole: I paprecedentë, 230 punonjës u hodhën në rrugë, u trajtuam si kriminelë, jo gazetarë (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Jole: Neutralizohen plotësisht vatrat e zjarreve në qarkun e Korçës

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Të gjitha vatrat e zjarrit në qarkun e Korçës janë neutralizuar tashmë plotësisht.

Lajmin e bëri dot të ditur prefekti i Korçës, Nertil Jole, i cili falënderoi ekipet e emergjencave në çdo bashki të qarkut për punën e pandërprerë deri në neutralizimin e plotë të vatrave të zjarreve.

“Pas përpjekjeve të të gjitha ekipeve të emergjencave civile në çdo bashki të qarkut për neutralizimin e plotë të zjarreve të shfaqura në territorin e rajonit tonë”, tha ai.

Jole vlerësoi po ashtu edhe punën në terren të gazetarëve për informimin në kohë reale të qytetarëve.

“Dëshiroj të shpreh edhe një falenderim për komunitetin e gazetarëve të qarkut e jo vetëm, të cilët kanë pasqyruar në kohë reale zhvillimet sa i takon administrimit të situatave të shkaktuara. Dritaret e komunikimit na kanë ndihmuar të informojmë opinionin publik, si dhe përcjellim thirrjet e përbashkëta për vigjilencë e kujdes të shtuar”, theksoi ai.

Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë vendin janë evidentuar 52 vatra zjarri, ndër të cilat 2 janë ende aktive, 4 vatra janë në monitorim dhe 46 janë shuar.

/m.m/r.e/

The post Jole: Neutralizohen plotësisht vatrat e zjarreve në qarkun e Korçës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prefekti Jole: 100 forca të angazhuara për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Në Parkun Kombëtar të Prespës vijon që të jetë ende aktive vatra e zjarrit. Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole në një prononcim për mediet sot tha se në total janë angazhuar 150 forca për shuarjen e flakëve.

Jole theksoi se falë edhe uljes së temperaturave dhe angazhimit të sotëm do të mund të neutralizohet vatra e zjarrit në një kohë më të shpejtë.

Prefekti nënvizoi se në total në gjithë qarkun e Korçës janë angazhuar rreth 1000 mijë forca për shuarjen e vatrave të zjarrit me të cilat u përball ky qark ditët e fundit.

“Që para dy ditësh kemi marrë njoftim nga stacioni i pikës kufitare Goricë për një vatër zjarri të shfaqur këtu në Parkun kombëtar të Prespës, edhe falë një reagimi shumë të shpejtë të strukturave vendore të stafit të Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, u bë e mundur që të ketë një mobilizim me reagueshmëri të lartë edhe të shpejtë në mënyrë që të ndikonin pozitivisht që në momentet e para.

Sot është dita e dytë që organizohet aksionin që në orën pesë të mëngjesit. Në total janë angazhuar rreth 150 forca, edhe unë dua të përfitoj nga rasti në fakt të falenderoj gjithë ekipet e angazhuara në këtë drejtim, jo vetëm këtu në rastin e Pustecit, por në të katër rastet që është prekur qarku jonë ditët e fundit, ku në totalin e tyre janë angazhuar rreth 1000 forca, edhe afërsisht 100 mjete. Kjo ka bërë të mundur që sot të kemi aktive në qark vetëm vatrën në Parkun Kombëtar të Prespës. Por që besoj që falë organizimit të sotëm, edhe në një farë mënyre, edhe favorizimi që kemi patur nga ulja e temperaturave, të kemi mundësinë që ta neutralizojmë sa më herët, edhe të evitojmë riskun e përshkrimit të sipërfaqeve të tjera të gjelbra në Parkun Kombëtar të Prespës”, tha prefekti.

Jole tha se deri tani në Parkun Kombëtar të Prespës janë djegur rreth 7 hektarë bimësi.

“Janë diku tek 7 ha të bimësisë të prekur. Besojmë që puna e sotme dhe nesër të bëjë të mundur që edhe kjo vatër të neutralizohet”, tha Jole.

/r.e/

The post Prefekti Jole: 100 forca të angazhuara për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prefekti Jole: Rritje e bashkëpunimit midis strukturave për përballimin e situatave të zjarreve

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Komiteti i Mbrojtjes Civile zhvilloi një mbledhje të përbashkët me Prefekturën e qarkut Korçë, për të diskutuar rreth situatës së krijuar nga zjarret.

Prefekti i Korçës, Nertil Jole bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Ministrinë e Brendshme, Arben Cara, në takimin me drejtues të stacioneve të MZSH-ve dhe përgjegjësit e sektorëve të emergjencave civile dhe pyjeve pranë bashkive të qarkut, kërkuan angazhim maksimal të të gjitha strukturave për të pasur një vëmendje më të shtuar, duke marrë shkas edhe nga temperaturat më të larta që priten në ditët në vijim. 

Jole tha se “takimi kishte fokus rritjen e bashkëpunimit midis strukturave në nivel qarku për përballimin e situatave të zjarreve, forcimin e masave parandaluese, rritjen dhe forcimin e kapaciteteve reaguese, gatishmërisë së punonjësve, mjeteve dhe pajisjeve të ndërhyrjes zjarrfikëse, etj.”.  

“Zjarrëvëniet rrezikojnë jetën dhe pronën, ndotin ndjeshëm mjedisin dhe kërkojnë shpenzime financiare për t’i përballuar”, u shpreh ai, ndërsa theksoi se mbrojtja e pyjeve dhe pasurisë është detyrë e të gjithëve.

Prefekti i Korçës, Nertil Jole zhvilloi në mbledhjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile në nivel k...
1 nga 7

/e.i//r.e/

The post Prefekti Jole: Rritje e bashkëpunimit midis strukturave për përballimin e situatave të zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌