Shtëpia e Big Brother VIP Albania është pasuruar me tre banorë të rinj, duke sjellë dinamika dhe energji të reja në lojë.
Në garë janë futur Ardit Murataj, gazetar dhe moderator i njohur, Livia Lozi, aktore, si dhe Shëndrit Lumi, gazetar nga Kosova.
Hyrja e tyre ka surprizuar banorët aktualë dhe ka zgjuar reagime të shumta brenda shtëpisë.
Treshja pritet të ndikojë ndjeshëm në strategjitë e lojës, aleancat mes banorëve dhe raportet brenda shtëpisë, duke shtuar edhe më shumë tension dhe kuriozitet tek publiku.
Banorët e rinj do të rrinë në ‘shpellë’. /Telegrafi/
Shkencëtarët zbulojnë diçka shqetësuese brenda gurëve “joinfektivë” – dhe kjo shpjegon pse rikthehen vazhdimisht
Për vite me radhë kemi besuar se guri në veshka është ekskluzivisht pasojë e “kimisë”: shumë pak lëngje, tepër minerale, ushqyerje e gabuar dhe gjenetikë. Megjithatë, një hulumtim i ri i shkencëtarëve nga Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos sjell një zbulim befasues që mund të ndryshojë mënyrën se si e kuptojmë formimin e kësaj gjendjeje jashtëzakonisht të dhimbshme dhe shumë të shpeshtë.
Për herë të parë, studiuesit kanë gjetur prova se bakteret fshihen brenda të ashtuquajturve gurë “joinfektivë” në veshka. Dhe jo vetëm që janë të pranishme, por janë pjesë përbërëse e strukturës së tyre të brendshme.
– Bëhet fjalë për gurë kalcium-oksalat, tipi më i shpeshtë i gurëve në veshka, që përbëjnë më shumë se 70 për qind të të gjitha rasteve. Deri tani, pas nxjerrjes nga organizmi, konsideroheshin “sterilë”. Hulumtimi i ri tregon se ndoshta kurrë nuk kanë qenë të tillë. Ky zbulim vë në pikëpyetje bindjen shumëvjeçare se guri në veshka zhvillohet ekskluzivisht përmes proceseve kimike dhe fizike. Kemi treguar se bakteret mund të qëndrojnë brenda gurit dhe të marrin pjesë aktive në formimin e tij, shpjegon dr. Kimora Skotland, urologe në UCLA dhe një nga autorët e studimit.
Me fjalë të tjera, guri në veshka mund të mos jetë vetëm pasojë e dehidratimit, por edhe e një procesi mikrobiologjik që zhvillohet thellë në sistemin urinar.
Pse është i rëndësishëm ky zbulim
Një nga problemet më të mëdha te guri në veshka është rikthimi i tij i vazhdueshëm. Shumë pacientë përjetojnë të njëjtën dhimbje “ferri” disa herë gjatë jetës, shpesh pa një shpjegim të qartë pse guri formohet sërish.
Hulumtimi i ri sugjeron se, në këto raste, shkaku mund të jetë një infeksion bakterial i fshehur në veshka, ureter ose fshikëz urinare, edhe kur nuk ekzistojnë shenja klasike të infeksionit të traktit urinar. Studiuesit, përmes mikroskopisë elektronike dhe fluorescente, kanë gjetur gjurmë strukturore dhe kimike të baktereve në gurët e marrë nga pacientë që nuk kishin infeksion urinar të diagnostikuar.
Nëse konfirmohet se bakteret kanë rol aktiv në formimin e gurit, kjo hap rrugë për qasje krejtësisht të reja terapeutike. Trajtimi i infeksionit mund, të paktën te disa pacientë, të ulë rrezikun e formimit të përsëritur të gurëve, transmeton Telegrafi.
Shutterstock
Sa i shpeshtë është në të vërtetë problemi i gurit në veshka
Statistikat janë të pamëshirshme. Vlerësimet tregojnë se deri një në 11 persona gjatë jetës do të ketë gur në veshka. A keni ndier ndonjëherë dhimbje të papritur dhe shumë të fortë në shpinë, anë apo në pjesën e poshtme të barkut, aq intensive sa t’ju paralizojë? Nëse po, është e mundur që tashmë të keni përjetuar një sulm nga guri në veshka.
Guri në veshka është një depozitë e fortë e përbërë nga minerale dhe kripëra që formohen brenda veshkave. Përveç dhimbjes së padurueshme, ai mund të çojë edhe në infeksione, dëmtime të veshkave, madje edhe sepsë, nëse nuk trajtohet me kohë.
Tri arsyet më të shpeshta për formimin e gurit në veshka
Sipas dr. Rafid Jusifit, urolog në qendrën McLaren Greater Lansing, ekzistojnë disa faktorë kyç që rrisin rrezikun për formimin e gurit në veshka.
1.Dehidratimi Marrja e pamjaftueshme e lëngjeve është shkaku më i shpeshtë. Kur nuk pimë mjaftueshëm ujë, urina bëhet e përqendruar, gjë që u mundëson mineraleve të kristalizohen më lehtë dhe të formojnë gurë.
2.Ushqyerja e pasur me oksalate Nëse jeni të prirë për gurë, pikërisht disa ushqime që shpesh konsiderohen të shëndetshme mund të jenë problematike. Spinaqi, produktet e sojës, bajamet, patatja, panxhari dhe hurmat përmbajnë nivele të larta oksalatesh që kontribuojnë në formimin e gurëve kalcium-oksalat. Dr. Jusifi këshillon që marrja e këtyre ushqimeve të reduktohet, ndërsa të rritet marrja e acidit citrik, për shembull përmes lëngut të limonit ose uthullës së mollës, pasi ai mund të ndihmojë në parandalimin e formimit të gurëve.
3.Nxehtësia dhe djersitja e shtuar Temperaturat e larta, qëndrimi në ambiente të ngrohta, ushtrimet intensive ose puna fizike pa rehidratim adekuat e rrisin më tej rrezikun. Me djersitje humbim lëngje dhe, nëse nuk i kompensojmë, krijojmë kushte ideale për formimin e gurëve.
Simptomat që nuk duhen injoruar
Simptomat më të shpeshta të gurit në veshka janë:
dhimbje e fortë në pjesën e poshtme të barkut, shpinë, anë ose ijë • urinim i shpeshtë ose urgjent • gjak në urinë • të përziera dhe të vjella
Nëse këtyre simptomave u shtohen edhe ethe dhe dridhje, kjo mund të tregojë një infeksion të zhvilluar për shkak të gurit, gjë që kërkon ndihmë të menjëhershme mjekësore.
– Nëse ndjeni këto simptoma, është e rëndësishme që trajtimi të nisë sa më shpejt. Ekzistojnë metoda të ndryshme, nga barnat dhe valët ultrasonike deri te ndërhyrjet kirurgjikale. Nëse ka infeksion, ai duhet trajtuar pa vonesë, thekson dr. Jusifi.
Nëse keni dhimbje të forta, të vjella, temperaturë ose ethe, mos prisni. Shkuarja në urgjencën më të afërt mund të jetë vendimtare, sepse në disa raste guri mund të bllokojë rrugët urinare dhe të çojë në komplikime serioze.
Çfarë na mëson hulumtimi i ri
Zbulimi i baktereve brenda gurit në veshka ndryshon këndvështrimin tonë për këtë sëmundje. Guri mund të mos jetë vetëm një “problem mekanik”, por një proces i ndërlikuar ku marrin pjesë edhe mikroorganizmat.
Për pacientët që prej vitesh përballen me gurë të përsëritur, kjo mund të nënkuptojë shpresë se në të ardhmen do të trajtohet shkaku, e jo vetëm pasoja. Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, na kujton edhe një herë se trupi rrallë funksionon thjesht. Pas çdo simptome shpesh fshihet një histori më komplekse sesa kemi menduar. /Telegrafi/
Moda e pranverës 2026 vendos theksin te eksperimentimi dhe shprehja personale përmes ngjyrave intensive dhe teksturave interesante
Moda e femrave për pranverën 2026 dërgon një mesazh të qartë: ka ardhur koha për eksperimente dhe për rikthimin e një shprehjeje të fortë vizuale. Kombinimet minimaliste njëngjyrëshe po ia lënë gradualisht vendin ngjyrave të guximshme, teksturave interesante dhe siluetave që theksojnë figurën. Dizajnerët propozojnë veshje që përshtaten lehtë me gardërobën e përditshme, por që kanë fuqinë ta ngrejnë të gjithë pamjen në një nivel më të lartë.
Nëse dëshironi të jeni në hap me modën në pranverën 2026, mjafton të përfshini në gardërobë disa elemente kyçe që tashmë dominojnë pasarelat dhe stilimin e rrugës.
1. Xhaketë me siluetë të theksuar
Backgrid
Trendet e pranverës 2026 rikthejnë xhaketat që krijojnë strukturë dhe theksojnë përmasat e trupit. Në fokus janë modelet që ndjekin vijën e belit dhe kanë supe të theksuara ose fund të zgjeruar dekorativ. Këto prerje krijojnë efektin e “orës së rërës” dhe e bëjnë edhe kombinimin më të thjeshtë të duket i menduar dhe elegant.
Si të vishet: kombinohet me pantallona të ngushta, xhinse të ngushta ose funde të ngushta për të ruajtur balancën e siluetës. Xhaketa me fund të zgjeruar duket më bukur me pantallona të drejta, ndërsa modelet me supe të theksuara mund të vishen edhe mbi fustane. Janë po aq aktuale si ngjyrat neutrale, ashtu edhe ngjyrat e forta.
2. Bluzë gjysmë transparente
profimedia
Bluzat transparente mbeten ndër hitet kryesore të sezonit, por në një version më të sofistikuar. Rrjeta plotësisht e zhveshur pa detaje po del nga moda, ndërsa në plan të parë vijnë modelet me qëndisje, printime ose zbukurime rreth qafës, si fjongo dhe lidhëse. Veçanërisht të kërkuara janë pjesët e lehta prej tili dhe organze.
Si të vishet: ideale mbi sutjenat e butë prej dantelle ose një top në ngjyrë lëkure. Kombinohen shkëlqyeshëm me pantallona me bel të lartë, funde të ngushta dhe xhinse. Bluzat me fjongo përshtaten lehtë në kombinime zyre, ndërsa modelet fluide janë perfekte për dalje në mbrëmje. Shtresëzimi është i dëshiruar dhe i jep thellësi pamjes.
3. Resa në forma të papritura
Backgrid
Resat mbeten në modë, por në një formë të rifreskuar. Në vend të skajeve klasike, tani shfaqen në versione maksi te aksesorët ose si resë të rregulluara në formë xhufkash. Më së shpeshti i shohim te çantat, këpucët, bizhuteritë, por edhe te veshjet.
Si të vishet: për ato që nuk janë gati për guxim të madh, aksesorët janë fillimi ideal. Veshjet me resë kombinojini me pjesë të thjeshta, pa dekor shtesë. Resat sjellin dinamikë dhe lëvizje, prandaj duken veçanërisht bukur në funde, xhaketa dhe fustane mbrëmjeje.
4. Çorape najloni me ngjyrë
The Image Direct
Një nga trendet më interesante të pranverës 2026 janë çorapet najloni me ngjyrë. Ato mund ta transformojnë në çast edhe kombinimin më të thjeshtë. Modelet e holla, gjysmë transparente janë perfekte për stilit romantik, ndërsa ngjyrat më të forta dhe më të dendura janë ideale për deklarata të forta mode.
Si të vishet: kombinohen me fustane, funde dhe pantallona të shkurtra. Duken më bukur me këpucë në të njëjtën ngjyrë ose në tone neutrale si e zeza apo bezha. Nëse çorapet janë të theksuara, pjesa tjetër e veshjes duhet të jetë më e qetë. Për punë zgjidhni nuanca të errëta, për mbrëmje ngjyra të forta.
5. Ngjyra kontrastuese
Backgrid
Pas disa sezonesh ku dominoi stili monokromatik, me kontraste të forta ngjyrash. rikthehet fuqishëm. Kombinimi i ngjyrave kontraste bëhet mënyra kryesore e shprehjes përmes modës. Mund të bashkohen pjesë me nuanca krejtësisht të ndryshme ose të zgjidhet veshje që tashmë ka blloqe ngjyrash të qarta.
Si të vishet: nisni thjesht, për shembull me një bluzë rozë dhe pantallona blu, ose një fund portokalli dhe top vjollcë. Për më guximtaret, ka fustane dhe komplete me kontraste të integruara. E rëndësishme është që ngjyrat të jenë të pastra dhe të ngopura.
6. Shtresëzim me materiale transparente
Splash
Pranvera 2026 inkurajon lojën me shtresa, sidomos kur bëhet fjalë për pëlhura transparente. Fundi i tejdukshëm, fustan i lehtë dhe rrjeta vishen në disa shtresa, duke krijuar efekte vizuale interesante pa rënduar siluetën.
Si të vishet: një fund i tejdukshëm mbi një fund bazë, një bluzë e hollë mbi një veshje të brendshme të thjeshtë ose një fustan i lehtë mbi pantallona. Për kombinime të përditshme mjaftojnë dy deri në tre shtresa, ndërsa kombinimet e mbrëmjes lejojnë më shumë kreativitet.
7. Aksesorët si theksi kryesor
AKM Images
Në pranverën 2026, aksesorët nuk janë më dytësorë. Çantat, këpucët dhe bizhuteritë bëhen pika qendrore e kombinimit. Në trend janë vathë të mëdhenj, çanta me forma të pazakonta dhe këpucë me dekor si resë, qëndisje dhe detaje metalike.
Si të vishet: rregulli është i thjeshtë. Nëse aksesorët janë të theksuar, veshja duhet të jetë më e thjeshtë. Vathët e mëdhenj shkojnë shkëlqyeshëm me një siluetë të pastër fustani, ndërsa çanta me resë funksionon perfekt me një kostum klasik. Kombinimi i materialeve dhe metaleve të ndryshme lejohet, por pa e tepruar.
Si t’i kombinoni me mençuri trendet
Më e rëndësishmja është të mos përpiqeni t’i vishni të gjitha trendet njëherësh. Mjafton të zgjidhni dy ose tre elemente që përshtaten natyrshëm me stilin dhe gardërobën tuaj. Pranvera 2026 ofron pjesë që kombinohen lehtë: një xhaketë me siluetë të theksuar me një fustan të thjeshtë dhe çorape najloni me ngjyrë, ose një bluzë transparente e kombinuar me pantallona me ngjyra dhe një çantë me resë. Rezultati është një pamje moderne, e veshshme dhe mbresëlënëse, pa shumë përpjekje. /Telegrafi/
Gjatë kësaj jave në Big Brother VIP Albania, në nominim ishin Brikena, Greta, Juela, Kristi, Krusita, Miri, Stenaldo dhe Rogerti, ndërsa publiku votoi për të shpëtuar banorin e preferuar.
Me pyetjen “Kë doni të shpëtoni?”, vendimi i shikuesve ishte vendimtar, dhe në fund banorja që u eliminua nga gara ishte Krusita.
Eliminimi i saj ka sjellë reagime të shumta brenda shtëpisë, ku disa nga banorët u shprehën të surprizuar dhe të mërzitur.
Tashmë, dinamika pritet të ndryshojë ndjeshëm, me strategji të reja, nominime më të forta dhe tensione gjithnjë e më të mëdha mes konkurrentëve të mbetur. /Telegrafi/
Banorët e Big Brother VIP Albania 5 zbuluan së fundmi të vërtetën pas rrengut të Vëllait të Madh me Kutinë e Pandorës së Artanit, duke i hedhur në pah lojërat dhe situatat e sajuara që i kishin mbajtur në tension.
Pas tre ditësh qëndrimi si “mysafir”, Luizi u largua përfundimisht nga shtëpia, duke lënë pas një mesazh të sinqertë për të gjithë banorët.
“U kërkoj falje atyre që mund t’i kem mërzitur vërtet. Doja të bëja vetëm humor. Kam kaluar shumë mirë dhe uroj të më fitoj më i miri. U uroj të gjithëve më të mirën. Fjalët e sinqerta janë: shijojeni. E keni marrë shumë seriozisht. Seriozisht merrni Vëllain e Madh, zarfet dhe lojërat. Ju dua shumë të gjithëve”, u shpreh Luizi përpara se të dilte nga shtëpia. /Telegrafi/
Një incident tejet shqetësues ka ndodhur pasditen e së hënës në Prishtinë, ku një person i panjohur ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një të mituri, duke shkaktuar panik në një zonë të frekuentuar nga nxënës dhe qytetarë.
Ngjarja ka ndodhur më 09.02.2026, rreth orës 13:50, në rrugën “12 Qershori”, në afërsi të shkollës “Don Bosko”. Policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë dhe menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetimet dhe krim-teknika.
Në lokacion janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja, ndërsa pas shikimit të kamerave të sigurisë është konstatuar se një person është futur në një lokal dhe ka shtënë me armë në drejtim të viktimës E.G., rreth 17-vjeçar, pa shkaktuar lëndime fizike tek i mituri apo personat tjerë të pranishëm.
Pas intervistimit të viktimës dhe dëshmitarëve, hetuesi kujdestar ka njoftuar Prokuroren kujdestare, e cila ka udhëzuar që rasti të iniciohet për tri vepra penale: “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Njësia e hetimeve ka marrë përsipër trajtimin e rastit dhe është në proces të identifikimit të personit të dyshuar, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë intensivisht.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti, i cili ka ndodhur në një zonë të ndjeshme dhe ka vënë seriozisht në rrezik sigurinë publike.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se sonte në orën 22:05 territori i Kosovës, përkatësisht zona juglindore Prizren–Shtërpcë, është goditur nga një tërmet me magnitudë 4.8 sipas shkallës Rihter dhe intensitet VI ballë të shkallës së Merkalit.
Sipas AME-së, tërmeti ka pasur thellësi hipoqendrore prej rreth 5 kilometrash, ndërsa epiqendra është lokalizuar rreth 23 kilometra në lindje të Prizrenit, me koordinata gjeografike 42.144 dhe 20.985.
“Tërmeti është ndier dukshëm nga qytetarët në pjesë të ndryshme të Kosovës. Për shkak të forcës së tij, ky sizmicitet ka pasur potencial për të rrezikuar qytetarët dhe për të shkaktuar dëme materiale të lehta. Njëkohësisht, kjo ngjarje konfirmon se zona e Prizrenit është zonë sizmogjene aktive, ashtu siç paraqitet edhe në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovën. Deri në këto momente, nuk ka raportime zyrtare për dëme serioze apo persona të lënduar. Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe po e monitorojnë situatën në vazhdimësi”, ka njoftuar AME.
Komunikata e plotë:
NJOFTIM PËR QYTETARËT – TËRMET
Të nderuar qytetarë,
Bazuar në të dhënat e Rrjetit Sizmologjik, Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mesdhetare, si dhe në analizën numerike të ngjarjes sizmike, ju njoftojmë se:
Më 10.02.2026, në ora 22:05 sipas kohës lokale, territori i Kosovës, përkatësisht zona juglindore (Prizren–Shtërpcë), është goditur nga një tërmet me magnitudë 4.8 sipas shkallës Rihter, respektivisht me intensitet VI ballë të shkallës së Merkalit.
• Thellësia hipoqendrore: 5 km.
• Epiqendra: 23 km në lindje të Prizrenit.
• Koordinatat gjeografike: 42.144; 20.985.
Tërmeti është ndier dukshëm nga qytetarët në pjesë të ndryshme të Kosovës. Për shkak të forcës së tij, ky sizmicitet ka pasur potencial për të rrezikuar qytetarët dhe për të shkaktuar dëme materiale të lehta. Njëkohësisht, kjo ngjarje konfirmon se zona e Prizrenit është zonë sizmogjene aktive, ashtu siç paraqitet edhe në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovën.
Deri në këto momente, nuk ka raportime zyrtare për dëme serioze apo persona të lënduar. Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe po e monitorojnë situatën në vazhdimësi.
Udhëzime për qytetarët:
• Ruani qetësinë dhe informohuni vetëm nga burime zyrtare.
• Në rast të lëkundjeve të tjera, qëndroni larg dritareve dhe objekteve që mund të bien dhe shkaktojne lendime.
• Në ambiente të mbyllura, strehohuni nën një tavolinë të fortë ose pranë një muri mbajtës-shtyllave betoni.
• Pas përfundimit të lëkundjeve, dilni me qetësi në hapësira të hapura.
• Mos përdorni ashensorët dhe shmangni përdorimin e panevojshëm të automjeteve.
• Kontrolloni me kujdes banesat për dëmtime eventuale dhe ndihmoni personat në nevojë.
Çdo informacion shtesë do të komunikohet në kohë reale përmes institucioneve zyrtare. Numrat emergjent :112 , 193 ose 192 jane ne dispozicionin tuaj 24/7
Kosova ka shënuar aktivitet sizmik gjatë ditëve të fundit, sipas të dhënave të publikuara nga faqja ndërkombëtare VolcanoDiscovery, e cila monitoron lëvizjet sizmike në mbarë botën.
Sipas këtyre të dhënave, në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar disa tërmete me magnitudë mbi 2 ballë, ku më i forti ka arritur magnitudën 4.8.
15 tërmete brenda një jave
Raporti tregon se gjatë shtatë ditëve të fundit në territorin e Kosovës janë evidentuar gjithsej 15 tërmete, me magnitudë maksimale deri në 4.8.
Nga këto, një tërmet ka qenë mbi magnitudë 4, një tjetër ka qenë ndërmjet magnitudës 3 dhe 4, gjashtë tërmete janë regjistruar në intervalin nga 2 deri në 3 ballë, ndërsa shtatë lëkundje të tjera kanë qenë nën magnitudë 2, të cilat zakonisht nuk ndihen nga qytetarët.
Tërmeti më i fortë i regjistruar më 10 shkurt
Sipas VolcanoDiscovery, tërmeti më i fortë i regjistruar sonte, me epiqendër në zonën e Shtërpcës, me 4.6.
Statistika afatgjata të tërmeteve
Të dhënat statistikore tregojnë se gjatë 12 muajve të fundit në Kosovë dhe zonat përreth janë regjistruar mbi 300 tërmete të magnitudave të ndryshme, shumica prej tyre me intensitet të ulët.
Në dhjetë vitet e fundit, numri i përgjithshëm i tërmeteve të regjistruara tejkalon shifrën prej 2 mijë.
Institucionet përgjegjëse vazhdojnë të monitorojnë situatën, ndërsa deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar.
Federata e Sportit Shkollor të Kosovës ka njoftuar se të gjithë nxënësit pjesëmarrës në programin “Drejt Malit”, të akomoduar në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore pas lëkundjeve sizmike të ndodhura sonte në Kosovë dhe rajon.
Sipas Federatës, ekipi i programit është vazhdimisht pranë nxënësve, në bashkëpunim me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe strukturat përgjegjëse të qendrës së skijimit. Janë kryer verifikimet e nevojshme në hapësirat e akomodimit dhe të aktiviteteve, pa u evidentuar ndonjë rrezik apo incident.
Federata bën të ditur se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe se është në koordinim të plotë me institucionet përkatëse për të garantuar sigurinë maksimale të nxënësve dhe stafit.
Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) njoftoi se në qytetin Kemah të provincës Erzincan ka ndodhur një tërmet me magnitudë 4.1 shkallësh të Rihterit.
Sipas informacioneve të dhëna nga AFAD, tërmeti u regjistrua në orën 00:38 të natës dhe epiqendrën e kishte në një thellësi prej 7.02 kilometrash nën sipërfaqen e tokës.
Për momentin nuk ka njoftime për dëme materiale apo persona të lënduar.
Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, ka konfirmuar se kishte vizituar ishullin e Jeffrey Epsteinit në vitin 2012, duke hedhur poshtë kështu pretendimet e mëparshme se kishte shkëputur lidhjet me abuzuesin seksual vite më herët, përpara se ai të dënohej.
“Kam ngrënë drekë me të, ndërsa isha duke udhëtuar gjatë një pushimi familjar”, ka dëshmuar Lutnick të martën në Capitol Hill.
“Me mua ishte gruaja ime, katër fëmijët e mi dhe dadoja… Hëngrëm drekë në ishull. Kjo është e vërtetë. Për një orë”, ka shtuar ai.
Vizita është e përfshirë në dokumentet e Epsteinit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Disa ligjvënës kanë kërkuar dorëheqjen e Lutnickut, por të martën Shtëpia e Bardhë ka thënë se ai gëzon mbështetjen e plotë të presidentit Donald Trump.
Sekretari i Tregtisë kishte deklaruar më parë para Kongresit se i kishte ndërprerë lidhjet me Epsteinin në vitin 2005, pasi financieri i ndjerë, një fqinj i Lutnickut në New York, kishte përdorur aludime seksuale për të shpjeguar pse kishte një tavolinë masazhi në një dhomë të shtëpisë së tij.
Në dëshminë e së martës, ai ka thënë se “gjatë 14 vjetëve pasuese, e kam takuar edhe dy herë të tjera, aq sa më kujtohet”.
Dokumentet e Departamentit të Drejtësisë tregojnë se Lutnick e kishte vizituar ishullin karaibian të Epsteinit më 23 dhjetor 2012, gati katër vjet pasi Epsteini ishte dënuar për abuzim seksual.
Ndërkaq, dëshmia e Lutnickut në Capitol Hill shënon herën e parë që ai e konfirmoi publikisht këtë vizitë.
“Nuk e mbaj mend pse e bëmë, por e bëmë”, ka thënë ai të martën, duke iu referuar drekës.
Lutnick nuk është akuzuar për asnjë shkelje ligjore në lidhje me Epsteinin.
Takimi tjetër, përveç atij në ishull, kishte ndodhur rreth një vit e gjysmë më vonë, për të cilin, Lutnick ka thënë se kishte pasur një takim njëorësh me Epsteinin.
“Gjatë një periudhe 14-vjeçare, nuk kam pasur asnjë marrëdhënie me të, pothuajse nuk kam pasur fare lidhje me atë person”, ka shtuar ai.
Dosjet Epstein kanë shkaktuar reagime të mëdha në SHBA dhe Evropë për shkak të përfshirjes së figurave të profilit të lartë në raporte me të dënuarin për abuzim seksual, financierin e ndjerë, Jeffrey Epstein.
Epstein ka vdekur në një burg të Neë Yorkut në gusht të vitit 2019, teksa priste gjykimin për trafikim seksual.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, është deklaruar pas tërmetit që ndodhi në Kosovë, duke u bërë thirrje qytetarëve që ta ruajnë qetësinë.
Fushtica shkruan në FB-në e tij se “deri në këto momente, nuk ka raportime zyrtare për dëme serioze apo persona të lënduar. Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe po e monitorojnë situatën në vazhdimësi”.
Postimi i tij i plotë:
Bazuar në të dhënat e Rrjetit Sizmologjik, Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mesdhetare, si dhe në analizën numerike të ngjarjes sizmike, ju njoftojmë se:
Më 10.02.2026, në ora 22:05 sipas kohës lokale, territori i Kosovës, përkatësisht zona juglindore (Prizren–Shtërpcë), është goditur nga një tërmet me magnitudë 4.8 sipas shkallës Rihter, respektivisht me intensitet VI ballë të shkallës së Merkalit.
• Thellësia hipoqendrore: 5 km
• Epiqendra: 23 km në lindje të Prizrenit
• Koordinatat gjeografike: 42.144; 20.985
Tërmeti është ndier dukshëm nga qytetarët në pjesë të ndryshme të Kosovës. Për shkak të forcës së tij, ky sizmicitet ka pasur potencial për të rrezikuar qytetarët dhe për të shkaktuar dëme materiale të lehta. Njëkohësisht, kjo ngjarje konfirmon se zona e Prizrenit është zonë sizmogjene aktive, ashtu siç paraqitet edhe në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovën.
Deri në këto momente, nuk ka raportime zyrtare për dëme serioze apo persona të lënduar. Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe po e monitorojnë situatën në vazhdimësi.
Udhëzime për qytetarët:
• Ruani qetësinë dhe informohuni vetëm nga burime zyrtare.
• Në rast të lëkundjeve të tjera, qëndroni larg dritareve dhe objekteve që mund të bien.
• Në ambiente të mbyllura, strehohuni nën një tavolinë të fortë ose pranë një muri mbajtës.
• Pas përfundimit të lëkundjeve, dilni me qetësi në hapësira të hapura.
• Mos përdorni ashensorët dhe shmangni përdorimin e panevojshëm të automjeteve.
• Kontrolloni me kujdes banesat për dëmtime eventuale dhe ndihmoni personat në nevojë.
Çdo informacion shtesë do të komunikohet në kohë reale përmes kanaleve zyrtare.
Faleminderit për qetësinë dhe bashkëpunimin tuaj.
Siguria e qytetarëve mbetet prioriteti ynë kryesor.
Ndërsa, Komuna e Prishtinës njofton se institucionet përkatëse po e monitorojnë situatën në vazhdimësi.
NATO i kushton vëmendje të madhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht duke pasur parasysh tendencat shqetësuese të viteve të fundit, tha një zyrtar i NATO-s, duke theksuar se për stabilitetin e rajonit një përgjegjësi të madhe mbajnë liderët lokalë.
Në një bisedë me gazetarë nga Ballkani Perëndimor në Bruksel, zyrtari shtoi se rajoni ka një rëndësi strategjike dhe se NATO mbetet thellësisht e angazhuar për stabilitetin afatgjatë, duke nënvizuar se “nuk do të lejojë që të krijohet një vakum sigurie në rajon”, shkruan N1.
“Po shohim disa tendeca shqetësuese në rajon, sidomos në vitet e fundit, të cilat kërkojnë monitorim të kujdesshëm të zhvillimeve”, tha ai, duke kujtuar sulmet në Kosovë në vitin 2023, të cilat shkaktuan shqetësime të mëdha mes aleatëve, pasi ndikimi i tyre nuk kufizohet vetëm në Kosovë, por mund të ketë pasoja më të gjera, transmeton Telegrafi.
Përveç kësaj, zyrtari përmendi edhe të të tjera shqetësuese në Ballkanin Perëndimor, si fushatat e dezinformimit, kërcënimet hibride, tensionet politike, retorikën që nxit ndarje dhe mungesën e përparimit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Nuk shohim rrezik për përshkallëzim, të paktën për momentin, por ka shumë arsye për të qëndruar vigjilentë dhe të angazhuar, si dhe për të vazhduar monitorimin e kujdesshëm të situatës, gjë që NATO po e bën dhe do të vazhdojë ta bëjë”, tha zyrtari.
Ai theksoi se ajo që ndodh në rajon nuk ndodh në një vakum “rajoni gjithashtu nuk është imun ndaj tendencave dhe kërcënimeve të jashtme, dhe mund të jetë edhe më i cenueshëm për shkak të ndjeshmërisë politike dhe të sigurisë. Për këtë arsye, besojmë se NATO si aktor stabilizues dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë kanë arsye të jenë më të kujdesshëm dhe më të angazhuar”.
Zyrtari shtoi se NATO, së bashku me Bashkimin Evropian dhe komunitetin ndërkombëtar, mbështet paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, por këto qëllime nuk mund të arrihen vetëm nga aktorët ndërkombëtarë. Përgjegjësia kryesore mbetet mbi liderët lokalë.
“Politikanët dhe liderët lokalë kanë përgjegjësi për të ruajtur stabilitetin në vendet e tyre. Për këtë arsye, ne i bëjmë thirrje liderëve në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të arritur prosperitet, paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe përparim në reformat dhe proceset e integrimit”, tha zyrtari para takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s më 12 shkurt.
Zyrtari theksoi se Serbia është një partner i rëndësishëm i NATO-s për stabilitetin rajonal dhe se forcimi i marrëdhënieve është në interes të ndërsjellë.
Ai nënvizoi përsëri se aleanca ushtarake perëndimore kërkon përgjegjësi të plotë për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në muajin maj të vitit 2023 në Zveçan dhe për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të po atij viti.
Ai shtoi se ekzistojnë komunikime të rregullta mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfshirë edhe çështjet që lidhen me incidentet në Kosovë.
Siç rikujtoi ai, pas vitit 2023 numri i pjesëtarëve të KFOR-it u rrit me 1.000 ushtarë, por për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë, forcat po reduktohen gradualisht dhe po kthehen në nivelin para vitit 2023.
Aktualisht, KFOR-i ka më shumë se 4600 pjesëtarë nga 33 vende dhe jep “një kontribut të prekshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha zyrtari.
Megjithatë, ai theksoi se është e qartë që zgjidhja “nuk është ushtarake, por politike dhe përmes dialogut”.
Për këtë arsye, NATO mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duke shpresuar që së shpejti të ketë përparim, pasi kjo është thelbësore për stabilitetin afatgjatë të rajonit.
“Nuk është vetëm përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar, por edhe e aktorëve në rajon që të ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe kompromiset për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme”, shtoi zyrtari.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Prizren, ku një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 21:00, në rrugën Saraqeve, ku ekipet emergjente kanë konstatuar vdekjen e shtetases Edita Koska.
Sipas informatave nga strukturat e afërta me hetimin, rasti është raportuar pasi dëshmitari Sh.K kishte shkuar për ta vizituar të ndjerën (nusja e axhës së tij). Meqë nuk kishte marrë përgjigje nga brenda shtëpisë, ai ka dyshuar për gjendjen e saj shëndetësore dhe ka njoftuar shërbimet emergjente.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe hetuesit e Stacionit Policor në Prizren. Pas konstatimit të vdekjes nga ana e mjekut, është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Hetim i vdekjes”.
Po ashtu, në vendngjarje kanë intervenuar edhe Hetimet Rajonale, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Burimet bëjnë me dije se e ndjera jetonte e vetme.
Hetimet janë në zhvillim dhe autoritetet po punojnë për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj vdekjeje
TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi se gjatë orëve të mbrëmjes në Spitalin Universitar të Traumës dhe Spitalin Universitar “Nënë Tereza” janë paraqitur 21 persona.
MSHMS njofton se 19 prej tyre efektivë të Policisë së Shtetit, një deputet i Partisë Demokratike dhe një qytetar.
Në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur 10 efektivë policie, deputeti B.N dhe një qytetar. Ata kanë marrë ndihmën mjekësore sipas protokolleve respektive, të pritur nga ekipi mjekësor multidisiplinar.
Pas trajtimit, 9 efektivë janë larguar nga spitali, sipas këshillave të mjekut dhe një prej efektivëve është dërguar në QSUNT në Shërbimin e Toksikologjisë, për shkak të problemeve me frymëmarrjen.
Gjithashtu, deputeti B.N, pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm është larguar nga spitali me këshilla mjekësore.
Në SUT po trajtohet qytetari K.K., jashtë rrezikut për jetën.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 10 efektivë policie me probleme shëndetësore, kryesisht intoksikacione dhe djegie të gjymtyrëve.
Nga këta, 7 efektivë kanë marrë trajtim ambulator dhe kanë lënë ambientet e spitalit, ndërsa 3 të tjerë, për shkak të gjendjes shëndetësore, janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm.
Stafi mjekësor dhe infermieror i Shërbimit të Urgjencës Polivalente dhe i Shërbimit të Djegie-Plastikës ka qenë në gatishmëri të plotë për përballimin e rasteve dhe ofrimin e kujdesit mjekësor sipas protokolleve përkatëse.
Pak ditë më parë u hapën aplikimet për përfitimin e vlerës së kompensimit për arsimin e fëmijëve, për të gjithë ata individë që plotësuan Deklaratën Vjetore e të Ardhurave Personale, DIVA 2025 dhe rezultuan me tatim të mbipaguar nga zbritja e shpenzimeve me vlerë 48 mijë lekë apo 100 mijë lekë në vit për fëmijët nën 18 vjeç.
Vlera e kompensimit nuk do të disbursohet menjëherë pas dorëzimit të kërkesës për rimbursim, në llogaritë bankare të përfituesve.
Administrata tatimore sqaroi se pas dorëzimit të kërkesës do të bëjë verifikimet e nevojshme të dokumentacionit justifikues të shpenzimeve të dorëzuara nga individët aplikues.
Duke qenë se dhënia e kompensimit për arsimin e fëmijëve, zbatohet për herë të parë, pritet që vlera e kompensimit të disbursohet një herë në muaj për një numër të caktuar përfituesish. Tatimet sqaruan se është zgjedhur kjo procedurë me qëllim administrimin sa më efikas të numrit të lartë të verifikimeve, të cilat para dhënies së kompensimit do t’i nënshtrohen edhe verifikimit të nevojshëm të dokumentacionit të dorëzuar.
Afati i lejuar për dorëzimin e kërkesës për rimbursim është 60 ditë pas plotësimit të DIVA.
Ndërsa afati për plotësimin e DIVA 2025 është deri më 31 Mars.
Pas plotësimit dhe dorëzimit të DIVA, kërkesa për përfitimin e kompensimit do të bëhet nëpërmjet sistemit e-Filing, në rubrikën “Pyetje të Përgjithshme”, ku krahas dokumentit me të dhënat e llogarisë personale bankare (IBAN), përfituesit duhet të ngarkojnë, edhe certifikatën familjare dhe dokumentacionin justifikues që vërteton shpenzimet e kryera për arsimimin e fëmijëve, si: kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës (faturat) për fëmijët, dokumentet (faturat) për fëmijët, dokumentet (faturat) për pagesën e gjuhëve të huaja etj.
Fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për kompensimin e arsimit është në vlerën e 15 mln eurove.
Administrata tatimore parashikon që në total numri i individëve që do të plotësojnë dhe dorëzojnë DIVA 2025 të arrijë në 200 mijë.
Për shkak të aplikimeve të zbritjes së shpenzimeve për arsimin e fëmijëve me vlerë 48 mijë lekë dhe 100 mijë lekë DIVA po plotësohet edhe nga individët që nuk kanë detyrimin ta dorëzojnë, pra ata me të ardhura bruto vjetore nën 1.2 mln lekë.
Për shkak të këtyre ndryshimeve, krahasuar me deklarimet e bëra në 2025 për DIVA 2024, parashikon që numri i deklaruesve të rritet me rreth 75.5 mijë apo 60% më tepër./ Dorina Azo
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2025, i publikuar nga Transparency International së fundmi vuri në dukje se institucionet e dobëta dhe prapambetja demokratike po nxisin korrupsionin dhe po tkurrin hapësirën e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor, duke lënë rajonin në një nivel mesatar prej vetëm 34 pikësh nga 100 të mundshme.
Sipas raportit të posaçëm Rajoni i Ballkanit për një dekadë rresht nuk ka bërë hapa para me reformat. Korrupsioni po gjen terren për shkak të tkurrjes së hapësirës qytetare dhe kontrollit mbi institucionet e pavarura. Në rastin specifik të Shqipërisë, e cila vlerësohet me 39 pikë, raporti i këtij viti vendos gishtin në mungesën e transparencës në projektet strategjike të investimeve.
Një shembull konkret që përmendet në deklaratën zyrtare të CPI-së është rreziku i degradimit mjedisor në ishullin e Sazanit, ku procedurat e pakontrolluara dhe mungesa e konkurrencës e vënë pasurinë kombëtare në rrezik korrupsioni. Ky rast ilustron një tendencë më të gjerë rajonale ku qeveritë po pezullojnë rregullat e transparencës për t’u dhënë kompetenca të pakontrolluara projekteve me vlerë të lartë, duke gërryer besimin e publikut dhe duke e lënë mjedisin në mëshirë të interesave të investitorëve privatë.
Përqendrimi i pushtetit dhe ndikimi i tepruar mbi sistemin gjyqësor mbeten shqetësime kyçe, pasi këta faktorë po dobësojnë sistemin e kontrolleve dhe balancave që duhet të mbikëqyrin institucionet publike.
Ndërsa në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit vihet re një presion i shtuar mbi shoqërinë civile dhe mediat e pavarura, reagimi gjyqësor mbetet i pafuqishëm për të goditur abuzimet në nivele të larta.
Kjo situatë krijon paradokse ku, ndonëse ligjet miratohen, zbatimi i tyre sabotohet nga sulmet qeveritare ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që guxojnë të hetojnë anëtarë të kabineteve. Ky trend prapambetës në Ballkan bie në kontrast të fortë me zhvillimet në vende si Ukraina dhe Moldavia, të cilat, pavarësisht presioneve të forta gjeopolitike, po forcojnë verifikimin gjyqësor dhe po arrijnë dënime në raste politikisht të ndjeshme falë një shoqërie civile mjaft aktive, vë në dukje raporti.
Transparency International nënvizon se për Shqipërinë, progresi i ardhshëm do të varet tërësisht nga vullneti politik për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit dhe për të siguruar që burimet natyrore, si ato në zonat bregdetare, të mos trajtohen si mallra për shkëmbim pa mbikëqyrje publike.
Pa këto ndryshime rrënjësore, konvergjenca me standardet demokratike të Bashkimit Evropian do të mbetet një aspiratë e largët, ndërsa qytetarët do të vazhdojnë të mbeten të prekshëm ndaj abuzimit të pushtetit të rrënjosur që po favorizon një pakicë në dëm të interesit të përgjithshëm kombëtar./ B.Hoxha
Shqipëria vazhdon të ketë performancë nën mesataren rajonale dhe ndërkombëtare në arsimin profesional dhe kompetencat digjitale, sipas një raporti të Fondacionit Europian të Trajnimit (ETF).
Raporti evidenton se “rezultatet e dobëta në shkrim-lexim, matematikë dhe shkenca te të rinjtë, të kombinuara me kapacitete të kufizuara mësimdhënieje, materiale të vjetruara dhe mungesë infrastrukture digjitale, po dëmtojnë përgatitjen e brezit të ri për tregun e punës. Shqipëria renditet poshtë mesatares së Evropës Juglindore dhe dukshëm më poshtë se standardet ndërkombëtare për aftësitë themelore.”
Raporti nënvizon se djemtë përballen me nivele shumë të ulëta të shkrim-leximit dhe aftësive bazë, me mbi 80% të tyre që performojnë në ose nën nivelin minimal të testimeve ndërkombëtare, duke reflektuar dobësi strukturore në arsimin profesional fillestar. Vajzat, ndonëse shfaqin aftësi më të mira organizative dhe komunikuese, mbeten të kufizuara nga zgjedhje profesionale të forta sipas gjinisë, çka redukton zhvillimin e kompetencave teknike dhe digjitale.
Dobësitë janë edhe më të theksuara te të rriturit. “Pavarësisht niveleve të larta formale të shkrim-leximit, pjesëmarrja në arsimin gjatë gjithë jetës mbetet nën 1%, ndërsa aftësitë digjitale të avancuara janë ndër më të ulëtat në Evropë. Vetëm një pakicë e vogël e të rriturve zotëron njohuri bazë të teknologjisë së informacionit, duke kufizuar produktivitetin dhe aftësinë për riorientim profesional,” vëren raporti.
Pabarazitë gjinore dhe territoriale mbeten shqetësuese. Raporti thekson se “gratë dhe zonat rurale përballen me akses më të kufizuar në aftësi digjitale dhe numerike, duke thelluar hendekun mes kërkesave të ekonomisë moderne dhe kapaciteteve reale të fuqisë punëtore shqiptare.”
Të dhënat e përdorura për llogaritjen e SPI-ve (Treguesi i Panoramës së Aftësive) tregojnë dobësi konkrete në aftësitë digjitale: “Vetëm 10.1 % e grave dhe 8.7 % e burrave mund të përdorin formula bazë në fletë-llogaritëse, ndërsa 16.3 % dhe 17.6 % përkatësisht mund të krijojnë prezantime elektronike.
Vetëm rreth një në pesë persona mund të transferojnë skedarë midis pajisjeve ose të konfigurojnë programe dhe aplikacione, dhe më pak se 5 % kanë përfunduar një kurs online.”/ N.Maho