Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Forcat EOD shqiptare dhe Garda Ajrore Kombëtare e New Jersey-t forcojnë bashkëpunimin në kuadër të NATO-s

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Teknikët e Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese (EOD) të Gardës Ajrore Kombëtare të New Jersey dhe të Forcave të Armatosura stërviten së bashku për të forcuar ndërveprueshmërinë në NATO dhe për të ndërtuar një kapacitet të qëndrueshëm EOD në Shqipëri.

Sipas një njoftimi të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ky partneritet afatgjatë zhvillon aftësitë, standardizon procedurat dhe siguron që ekipet shqiptare EOD të mund t’u përgjigjen në mënyrë të sigurt kërcënimeve shpërthyese në të gjithë vendin.

/gj.m/a.f/

The post Forcat EOD shqiptare dhe Garda Ajrore Kombëtare e New Jersey-t forcojnë bashkëpunimin në kuadër të NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe drejt përmbylljes, mbi 1 mijë ekipe shkollash pjesëmarrëse

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Faza e dytë e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe po shkon drejt përmbylljes, duke përfshirë nxënësit e klasave të IX-ta në një garë që vë në qendër njohjen, përdorimin e saktë dhe dashurinë për gjuhën shqipe.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro vlerësoi rëndësinë e këtij konkursi, duke theksuar se gjuha shqipe po shndërrohet në një garë pasioni dhe dijeje për brezin e ri.

Sipas saj, sfida mes nxënësve nxiti mendimin kritik, saktësinë gjuhësore dhe vlerësimin e fjalës së bukur, si elementë thelbësorë të identitetit kombëtar.

Në këtë edicion të konkursit morën pjesë 1 022 ekipe nga shkolla të ndryshme të gjithë vendit, një tregues i interesit të lartë dhe angazhimit të nxënësve dhe mësuesve për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës amtare.

Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe synon të forcojë aftësitë gjuhësore të nxënësve dhe të kultivojë krenarinë për gjuhën shqipe, duke e kthyer atë në një urë lidhëse mes dijes, kulturës dhe identitetit kombëtar.

/gj.m/a.f/

The post Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe drejt përmbylljes, mbi 1 mijë ekipe shkollash pjesëmarrëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dardha mbulohet nga dëbora, destinacion i preferuar për dashamirësit e skive

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Reshjet e dëborës kanë zbardhur fshatin turistik të Dardhës, duke e shndërruar atë në një nga destinacionet më të frekuentuara dimërore në juglindje të vendit.

Pamja alpine dhe bora e bollshme kanë tërhequr qindra turistë vendas dhe të huaj, veçanërisht të apasionuarit pas sporteve dimërore.

Vetëm 18 kilometra larg Korçës, pista e skive në Dardhë po vizitohet masivisht nga të rinj dhe familje që shijojnë ski, snowboard dhe aktivitete të tjera rekreative në dëborë.

Kushtet klimatike dhe infrastruktura turistike e zonës e bëjnë Dardhën një zgjedhje ideale për pushime dimërore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Dardha e mbuluar nga dëbora, ku fëmijë dhe të rritur shihen duke shijuar sportet dimërore dhe bukurinë natyrore të zonës, duke përcjellë edhe një mesazh pozitiv për fundjavën.

Dardha mbetet një nga atraksionet kryesore turistike të dimrit, duke ofruar jo vetëm sporte dimërore, por edhe mikpritje tradicionale, kuzhinë karakteristike dhe një atmosferë të veçantë alpine.

/gj.m/a.f/

 

The post Dardha mbulohet nga dëbora, destinacion i preferuar për dashamirësit e skive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vllaznia mposht Vorën dhe kryeson Superioren, Partizani përmbys Bylisin në limite

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Java e 23-të e Kategorisë Superiore ka prodhuar emocione dhe rezultate të rëndësishme në luftën për klasifikimin e superligës, me Vllazninë që konfirmon formën e shkëlqyer dhe Partizanin që rikthehet te fitorja me një përmbysje dramatike në transfertë.

Vllaznia regjistroi fitoren e gjashtë radhazi, duke mposhtur 1-0 Vorën dhe duke u shkëputur në krye të kampionatit. Shkodranët siguruan tri pikë të arta falë një supergoli të Sherif Kallakut në fundin e pjesës së parë, i cili me një goditje të saktë me të majtën dërgoi topin në rrjetë.

Pavarësisht përpjekjeve të Vorës në pjesën e dytë, rezultati mbeti i pandryshuar. Me këtë sukses, Vllaznia kryeson renditjen me 45 pikë, ndërsa Vora renditet në vendin e shtatë me 25 pikë.

Në Ballsh, Partizani arriti një fitore dramatike 2-1 ndaj Bylisit, në një ndeshje që u vendos në minutat e fundit. Të kuqtë e nisën takimin me vështirësi dhe u ndëshkuan në minutën e 30-të, kur Sandeu kaloi në avantazh vendasit.

Pjesa e dytë ishte e ekuilibruar, deri në fundin e saj, ku Partizani reagoi fuqishëm. Toma barazoi shifrat në minutën e 81-të, ndërsa Human realizoi golin e fitores në minutën e 91-të, duke përmbysur rezultatin.

Pas këtij suksesi, Partizani ngjitet në vendin e pestë me 30 pikë, ndërsa Bylis mbetet në vendin e tetë me 20 pikë. Fitorja e Partizanit është një asist për Tiranën e Vlorën në sfidën e mbijetesës.

Rezultate:
Bylis-Partizani 1-2
Vllaznia – Vora 1-0
Elbasani-Teuta Ora 16:30
Flamurtari – Egnatia  Ora 19:00
Të shtunën:
Tirana-Dinamo City  Ora 13:30

Klasifikimi: Vllaznia 45 pikë, Egnatia 39, Elbasani 39, Dinamo City 34, Partizani 30, Teuta 27, Vora 25, Bylis e Tirana me 20 dhe Flamutari 19

*Bylis, Partizani, Vllaznia e Vora kanë një ndeshje më shumë

/gj.m/r.e/

The post Vllaznia mposht Vorën dhe kryeson Superioren, Partizani përmbys Bylisin në limite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijojnë punimet për rikualifikimin e hyrjes së Shkodrës pranë Urës së Bahçallëkut

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Punimet në kantierin pranë Urës së Bahçallëkut në Shkodër po vijojnë me intensitet, në kuadër të projektit për rikualifikimin e hyrjes kryesore të qytetit, një nga nyjat më të rëndësishme të aksesit rrugor.

Kryeministri Edi Rama teksa ndau foto nga ky kantier, bëri të ditur se, punimet për rikualifikimin e hyrjes së Shkodrës po avancojnë me qëllim përmirësimin e infrastrukturës rrugore, rritjen e sigurisë për qarkullimin dhe krijimin e një imazhi më dinjitoz e estetik për qytetin.

Kreu i qeverisë theksoi se, kjo ndërhyrje synon ta kthejë këtë zonë në një hyrje funksionale dhe përfaqësuese, që reflekton identitetin dhe zhvillimin urban të Shkodrës, duke i dhënë qytetit një prezantim më të rregullt, më modern dhe më mikpritës për banorët dhe vizitorët.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Vijojnë punimet për rikualifikimin e hyrjes së Shkodrës pranë Urës së Bahçallëkut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Katër fitore në katër ndeshje në Superiore, Edi Martini shpallet trajneri i muajit janar

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Drejtoria Teknike e FShF-së ka përzgjedhur trajnerin e Vllaznisë, Edi Martini, si trajnerin më të mirë të muajit janar në Superiore.

Tekniku kuqeblu ka regjistruar katër fitore të rëndësishme gjatë këtij muaji në kampionat, ndaj kundërshtarëve si Egnatia, Dinamo City, Partizani dhe Teuta, duke u ngjitur gjithashtu në krye të renditjes.

Vllaznia kryeson kampionatin “Abissnet Superiore” me 42 pikë dhe meritën kryesore për këtë e ka stafi teknik, në krye me trajnerin Edi Martini.

Trofeu si trajneri më i mirë i muajit janar iu dorëzua Edi Martinit nga trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, përpara ndeshjes Vllaznia-Vora.

Edi Martini, trajneri i Vllaznisë

/gj.m/r.e/

The post Katër fitore në katër ndeshje në Superiore, Edi Martini shpallet trajneri i muajit janar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shorti i UEFA Nations League, Shqipëria mëson kundërshtarët më 12 shkurt në Bruksel

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Kombëtarja shqiptare do të mësojë kundërshtarët e saj në edicionin e ardhshëm të UEFA Nations League më 12 shkurt, kur në Bruksel do të hidhet shorti i kompeticionit.

Shqipëria bën pjesë në Ligën C dhe është pozicionuar në Vazon 1, së bashku me Islandën, Malin e Zi dhe Kazakistanin.

Sipas ndarjes së vazove, Kombëtarja shqiptare mund të përballet me ekipe nga:

Vazo 2: Finlanda, Sllovakia, Bullgaria, Armenia

Vazo 3: Bjellorusia, Ishujt Faroe, Qipro, Estonia

Vazo 4: Letonia/Gjibraltari, Luksemburgu/Malta, Moldavia, San Marino

Shorti i 12 shkurtit do të përcaktojë përbërjen e grupeve dhe rrugëtimin e Shqipërisë në këtë edicion të Nations League, një kompeticion i rëndësishëm për ecurinë ndërkombëtare të ekipit kuqezi.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Shorti i UEFA Nations League, Shqipëria mëson kundërshtarët më 12 shkurt në Bruksel appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK: Veprojmë në mënyrë të pavarur dhe hetojmë çështje bazuar në prova

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpërndarë sot një mesazh në rrjetet sociale duke vënë theksin tek pavarësia institucionale dhe tek ligji.

SPAK bën të ditur se vepron në mënyrë të pavarur, dhe se heton çështje bazuar në prova.

“SPAK vepron në mënyrë të pavarur dhe heton çështje bazuar në prova”, shkruhet në postimin e Prokurorisë së Posaçme.

/gj.m/a.f/r.e/

The post SPAK: Veprojmë në mënyrë të pavarur dhe hetojmë çështje bazuar në prova appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vdekja e të miturit pas ndërhyrjes dentare, 7 persona në gjyq, 3 për vrasje nga pakujdesia

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtatë persona pas humbjes së jetës së 3-vjeçarit, shtetasit B.S., pas një ndërhyrje dentare në një klinikë në kryeqytet.

Në përfundim të hetimeve, mbi procedimin penal të vitit 2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, dërgoi në gjyq shtetasit R.Xh dhe M.G., për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’ dhe ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim, shtetasen I.Xh. për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm’, shtetasit E.S. dhe E.A. për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’, si dhe shtetasit D.A. dhe V.H. për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’.

Më datë 28.09.2023, i mituri B.S., iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë, tek klinika “Splendent”, e drejtuar nga mjekët R.Xh dhe I.Xh. Pas ndërhyrjes i mituri u kthye në shtëpi dhe brenda pak orësh u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficiencë respiratore akute) në Spitalin e Pediatrisë në Qëndrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, ku dhe më pas, në datën 1 tetor 2023, ndërroi jetë.

Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë, u arrit në konkluzionin se: Shoku septik i rëndë, që solli më pas insuficiencën progresive shumorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B.S.

Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që trajtuan të miturin, u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij.

Këto shkelje kanë konsistuar në moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim, i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit.

Ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë sesa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.

Nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike.

Gjithashtu nga hetimi rezultoi e provuar se dy stomatologët I.Xh dhe M.G. kanë mashtruar prindërit e të miturit duke i marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 prej tyre ishin hapur, por nuk ishin mbushur.

Për këtë fakt, ndaj tyre u ngrit akuza për ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë nga hetimi, u provua që stomatologia I.Xh. pas ngjarjes ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar, në përputhje me procedurat ligjore, licensën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut.

Gjatë hetimeve u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore edhe nga ana e ekspertëve të IML-së, shtetasit E.S dhe E. A.

Gjithashtu shkelje u konstatuan edhe tek mjekët e rojës të Pediatrisë, V.A. dhe D.S., në momentin që i mituri u dërgua në spital. Mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë.

Si rrjedhojë edhe moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë, fakt që rezultoi nga akti i riekspertimit, pasi vdekja e tij nuk erdhi nga mosveprimet e tyre, por nga shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë, që ishin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve R.Xh., I.Xh dhe M.G.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Vdekja e të miturit pas ndërhyrjes dentare, 7 persona në gjyq, 3 për vrasje nga pakujdesia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Superliga, katër ndeshje të premten, derbi Tirana–Dinamo të shtunën

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Java e 23-të e Superiors do të zhvillohet të premten dhe të shtunën, me pesë ndeshje që premtojnë spektakël dhe emocione të forta.

Të premten, Bylisi do të presë Partizanin në “Adush Muçaj”, ndërsa Vllaznia do të përballet me Vorën, të dyja sfidat në orën 13:30.

Në orën 16:30, AF Elbasani do të luajë ndaj Teutës në “Elbasan Arena”, ndërsa mbrëmjen e së premtes, Flamurtari do të presë Egnatian në Vlorë.

Java do të mbyllet të shtunën në orën 13:30 me përballjen Tirana – Dinamo City në “Selman Stërmasi”.

Java 23

Bylis – Partizani, 06.02.2026 13:30 Stadiumi “Adush Muçaj”

Vllaznia – FK Vora, 06.02.2026 13:30 Stadiumi “Vora”

AF Elbasani – Teuta, 06.02.2026 16:30 Stadiumi “Elbasan Arena”

Flamurtari – Egnatia, 06.02.2026 19:00 Stadiumi “Flamurtari”

Tirana – Dinamo City, 07.02.2026 13:30 Stadiumi “Selman Stermasi”

/gj.m/a.f/

The post Superliga, katër ndeshje të premten, derbi Tirana–Dinamo të shtunën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pranga 19-vjeçarit në Shkodër, sekuestrohen mbi 160 mijë euro dhe municion lufutarak

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Livadhet 3”, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkodrës.

Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë një shtetas 19-vjeçar, banues në Shkodër.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, me mbështetjen e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit të arrestuar, në kuadër edhe të dy operacioneve të mëparshme të koduara “Livadhet 1” dhe “Livadhet 2”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 164 300 euro, të dyshuara të falsifikuara; municion luftarak; 8 aparate celularë; një sasi lënde djegëse; 1 automjet, i dyshuar i vjedhur në qytetin e Fushë-Krujës në vitin 2019; 2 targa automjeti, të dyshuara të vjedhura në Tiranë në vitin 2025.

Shtetasi i arrestuar dyshohet për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Policia bën me dije se vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

1 nga 2

/gj.m/a.f/

The post Pranga 19-vjeçarit në Shkodër, sekuestrohen mbi 160 mijë euro dhe municion lufutarak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nisin sot Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Kortina, Shqipëria përfaqësohet nga katër skiatorë

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Sot nisin Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Kortina 2026 të cilat do të mbahen deri më datën 22 shkurt.

Shqipëria përfaqësohet në këto Lojëra Olimpike nga 4 skiatorë: Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.

Në fokus të garave do të jetë Lara Colturi, e cila renditet e pesta në botë dhe ka pretendime të mëdha për të fituar medalje olimpike.

Gara kryesore e saj do të zhvillohet më 15 dhe 18 shkurt, ku ajo do të garojë për të sjellë një medalje për Shqipërinë.

Në kuadër të përurimit të Lojërave Olimpike, do të organizohen tri ceremoni: një në Milano, një tjetër në Kortina, ku Lara Colturi do të mbajë flamurin shqiptar, dhe një e tretë në Borno.

Shqipëria shpreson që kjo pjesëmarrje të jetë një hap i rëndësishëm për sportet dimërore dhe të sjellë sukses në arenën olimpike.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Nisin sot Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Kortina, Shqipëria përfaqësohet nga katër skiatorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Apeli i GJKKO lë në fuqi masat për zyrtarët e AKSHI-t

TIRANË, 5 shkurt /ATSh/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë sot në fuqi masën “arrest shtëpie” për drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj.

Gjyqtari i Apelit të GjKKO, Florjan Kalaja ka lënë në fuqi të njëjtën masë të “arrestit në shtëpi” edhe për zv.drejtoreshën e AKShI-t, Hava Delibashi.

Në vendimin e Apelit të GjKKO-së, thuhet se lihet në fuqi edhe masa e pezullimit nga detyra për zyrtarin e policisë Erion Ismaili, njëkohësisht i revokoi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit.

Gjithashtu, për tre zyrtarët e tjerë të AKShI‑t, Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta u la në fuqi masa shtrënguese “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

SPAK ka kërkuar tetë masa sigurie në lidhje me dyshimet për abuzime me tenderët e AKShI-t. Sipas SPAK, këta persona dyshohet se kanë favorizuar disa kompani kundrejt disa të tjerave për përfitimin e tenderave.

/gj.m/r.e/

The post Apeli i GJKKO lë në fuqi masat për zyrtarët e AKSHI-t appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Papa Leoni XIV pret kryeministrin Rama

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Sot paradite papa Leoni XIV priti në audiencë kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, publikoi sot Vatican News.

Më pas u zhvillua takimi në Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin dhe imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit

“Në bisedimet e përzemërta, – thuhet në një njoftim të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, – u vu në dukje marrëdhënia e mirë ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë dhe u trajtuan tema me interes të përbashkët që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile”.

Ndër temat në qendër të bisedimeve – vijon njoftimi – ishin edhe çështjet kryesore rajonale, “përfshirë situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”.

I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama, djali Zaho dhe delegacioni që e shoqëron, kryeministri Edi Rama ka nisur dje vizitën e tij zyrtare në Vatikan, me ftesë të Selisë së Shenjtë.

Vizita e kryeministrit në Vatikan do të vijojë në Bazilikën e Shën Pjetrit, në mjediset e Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Sistina dhe në altarin e shën Gjon Palit II.

Në përfundim të qëndrimit të tyre në Vatikan, kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, do të vizitojnë vendvarrimin e papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.

Pjesë e kësaj vizite do të jenë edhe disa takime të tjera mes të cilave takimi me kardinalin Pietro Parolini, sekretar shteti i Vatikanit.

1 nga 3

/gj.m/a.f/r.e/

The post Papa Leoni XIV pret kryeministrin Rama appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Duka vlerëson progresin dhe zhvillimin e futbollit në Kosovë

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka mori sot pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës, zhvilluar në Prishtinë, një ngjarje me rëndësi të veçantë për qeverisjen dhe të ardhmen e futbollit në Kosovë.

Në këtë Kuvend, u rizgjodh president i FFK, Agim Ademi si dhe u zgjodhen 10 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, duke riafirmuar qëndrueshmërinë institucionale dhe vazhdimësinë e projekteve zhvillimore të federatës së kosovës.

Në fjalën e tij në cilësinë e zv.presidentit të UEFA-s, Duka vlerësoi progresin e ndjeshëm të bërë nga Federata e Kosovës gjatë katër viteve e fundit, duke theksuar se futbolli në Kosovë po ndërtohet mbi baza të qarta, të strukturuara dhe të qëndrueshme, në përputhje me standardet evropiane.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Duka vlerëson progresin dhe zhvillimin e futbollit në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Investime në radarë dhe burime njerëzore të Forcës Ajrore

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu vizitoi sot efektivët e Forcës Ajrore dhe një sërë infrastrukturash kritike, duke përfshirë sistemet e radarëve, në kuadër të investimeve të vazhdueshme për forcimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura.

“Jemi në proces investimesh domethënëse, qoftë për përmirësimin e sistemeve të radarëve, qoftë për zgjerimin e kapaciteteve të tyre, në mënyrë që të jenë të ndërveprueshme me NATO-n dhe me komandat përkatëse që mbulojnë zonën e interesit të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit”, deklaroi ministri Vengu, gjatë vizitës.

Ai shtoi se prioritet i qeverisë mbetet zhvillimi i burimeve njerëzore dhe inovacioni brenda Forcës Ajrore.

“Do të vijojmë të investojmë veçanërisht në kapacitetet njerëzore të Forcës Ajrore, me më shumë oportunitete këtë vit për inxhinierë, për gjithë personelin e specializuar që vjen nga bota civile, për më shumë inovacion dhe për një mirëmbajtje gjithnjë e më cilësore të këtyre sistemeve kritike qoftë për mjetet tona, qoftë për mjetet e reja që do t’i bashkohen flotës së Forcës Ajrore Shqiptare”, tha Vengu.

Sipas ministrit, këto investime synojnë të forcojnë ndërveprimin me aleatët dhe të sigurojnë funksionimin optimal të infrastrukturës kritike të vendit, duke rritur kështu gatishmërinë dhe kapacitetet tona mbrojtëse.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Vengu: Investime në radarë dhe burime njerëzore të Forcës Ajrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tarran: Inkurajojmë punën e Komisionit për Reformën Zgjedhore

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) së bashku me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri organizuan sot një aktivitet në kuadër të Ditës Botërore të Zgjedhjeve.

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran ka komentuar gjithashtu edhe punën e Kuvendit për hartimin e Reformës së re Zgjedhore.

Tarran inkurajon ligjvënësit për të vijuar bashkëpunimin në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ndërsa i referohet rekomandimeve të ODIHR duke thënë se disa probleme vijojnë ende të jenë të pazgjidhura.

“Rekomandimet e ODIHR janë për të përmirësuar ligjin e zgjedhjeve, dhe këtu inkurajojmë punën e komisionit për reformën zgjedhore. Shpresojmë shpejt të fillojë punën e tij. Puna e tij është shumë e rëndësishme, sepse ka disa probleme të lidhura me ligjin zgjedhor që, sipas nesh, nuk është akoma aty ku duhet të jetë. Ky është rekomandim i vazhdueshëm i misionit të ODIHR. Më duket se kësaj here mesazhin e ODIHR e kanë lexuar dhe partitë politike”, tha Tarran.

Për sa i përket debatit politik, ambasadori sqaron se nuk përfshihet.

“Sa i përket debatit politik, ne nuk përfshihemi. Por të gjitha partitë politike janë dakord që ligji zgjedhor duhet të ndryshojë. Do të ndihmojmë për të punuar në këtë drejtim”, tha Michel Tarran.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Tarran: Inkurajojmë punën e Komisionit për Reformën Zgjedhore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi në Forumin e Sigurisë në Kongresin amerikan: Shqipëria në krah të SHBA-së për sigurinë, stabilitetin dhe paqen

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi mori pjesë sot në Forumin për Sigurinë të organizuar nga Kongresi amerikan, ku mbajti një fjalë mbi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rëndësinë e rritjes së investimeve në mbrojtje.

Në fokus të diskutimeve ishin çështjet e sigurisë në kontekstin global e rajonal, sfidat e reja gjeopolitike dhe bashkëpunimi me vendet e Ballkanit Perëndimor, në përputhje me qëndrimet dhe prioritetet strategjike të SHBA-së dhe NATO-s.

Gjatë fjalës së tij, Kryetari Peleshi theksoi se Shqipëria është një aleat i besueshëm i SHBA dhe një anëtare e denjë dhe aktive e NATO-s, e cila është e vetëdijshme dhe mban mbi supe barrën e saj të sigurisë.

Ai vuri në dukje se Shqipëria ka rritur investimet në mbrojtje në 2,12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me një trajektore të qëndrueshme rritjeje në vitet në vijim, në përputhje me angazhimet e aleatëve për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe sigurisë kolektive.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi gjithashtu se partneriteti Shqipëri-SHBA nuk është transaksional, por strategjik, afatgjatë dhe i bazuar në vlera të përbashkëta demokratike, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Ai theksoi rolin aktiv të Shqipërisë si partnere operative, kontributin në misione ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e ngushtë në fushën e modernizimit të forcave të armatosura dhe sigurisë kibernetike.

Në fjalën e tij, Peleshi vuri theksin edhe te rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar rajonin si një hapësirë gjeopolitike të ndjeshme ndaj kërcënimeve hibride, ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit, çka kërkon vigjilencë, qëndrueshmëri dhe koordinim të ngushtë me aleatët. Integrimet euroatlantike dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë të domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Forumi mblodhi drejtues komisionesh të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, senatorë e kongresmenë, përfaqësues të lartë të sigurisë, parlamentarë dhe qeveritarë nga vendet e Europës dhe të rajonit si dhe personalitete të larta ushtarake të SHBA-së etj.

Në përfundim, Peleshi ritheksoi se, Shqipëria nuk kërkon përfitime pa kontribut, por synon të forcojë partneritetet strategjike mbi bazën e përgjegjësisë, besueshmërisë dhe veprimit konkret, duke e konsideruar sigurinë një investim thelbësor për paqen dhe stabilitetin afatgjatë.

1 nga 2

/gj.m/r.e/a.f/

The post Peleshi në Forumin e Sigurisë në Kongresin amerikan: Shqipëria në krah të SHBA-së për sigurinë, stabilitetin dhe paqen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shoqata e Prokurorëve ende e paregjistruar te Tatimet

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot ndaj Shoqatës së Prokurorëve, duke sqaruar se kjo shoqatë nuk ka përfunduar ende procedurat e plota të regjistrimit, pasi nuk është regjistruar në organet tatimore.

Në një reagim në platformën X, Rama theksoi se nuk ka deklaruar se shoqata nuk është regjistruar në gjykatë, por se ajo mbetet ende e paregjistruar në kuptimin e plotë ligjor.

Ai sqaroi se regjistrimi i një shoqate nuk përfundon vetëm me vendimin e gjykatës, por kërkon edhe regjistrimin pranë administratës tatimore, proces që sipas tij ende nuk ka ndodhur.

“Një zëdhënës/e vullnetar/e i/e shoqatës së prokurorëve paska thënë se shoqata e re qenkej e regjistruar në gjykatë dhe unë paskesha gënjyer, po në fakt unë nuk shkruajta që s’janë regjistruar në gjykatë”, shkruan Rama në platformën X.

“Unë shkruajta: janë ende të paregjistruar, por janë brenda afatit – pra s’pata qëllim ta thumboj, po thjesht të ilustroj moshën fare të njomë të shoqatës, ndërkohë që dihet botërisht se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, po duhet bërë edhe tek Tatimet, gjë që ende s’ka ndodhur”, thekson Rama.

Por, shton Kryeministri, “halli me zëdhënësit vullnetarë është se e kanë zellin më të madh se sa zëdhënësit institucionalë, ndërkohë që informacionin e kanë si rregull gjysmak, çka i bën lajmës të nxituar të gjysëm të vërtetave, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha”.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Rama: Shoqata e Prokurorëve ende e paregjistruar te Tatimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama i përgjigjet Shoqatës së Prokurorëve: Arrestet pa gjyqe kanë njollosur Shqipërinë botërisht

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot në platformën X edhe ndaj deklaratës së Shoqatës së Prokurorëve lidhur me kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e pagave të magjistratëve.

“Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re – ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim – e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!!”, shkruan Rama.

Pra, thekson Kryeministri, “orvajtja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!!”.

“A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi? Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!!”, thekson Rama.

Pra, vijon kreu i qeverisë, “shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!!”.

“Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë! Absurditet total pra, sepse vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve!”, thekson Rama.

Madje, shton Kryeministri, “kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon!”.

Kryeministri i shtron gjithashtu një pyetje Shoqatës së Prokurorëve lidhur me prezumimin e pafajësisë.

“Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re: Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!”, shkruan Rama.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Rama i përgjigjet Shoqatës së Prokurorëve: Arrestet pa gjyqe kanë njollosur Shqipërinë botërisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌