Alarm te Real Madridi: Jude Bellingham u largua i dëmtuar në minutën e 9-të, priten testet

Ishte minuta e 9-të në stadiumin “Santiago Bernabeu” kur Jude Bellingham ndjeu një dhimbje të fortë në kofshën e majtë.
Mesfushori anglez po vraponte drejt vijës anësore, por u rrëzua në tokë duke kapur pjesën e pasme të këmbës, në një moment që ngriti menjëherë alarmin te Real Madridi.
Bellingham u largua drejt dhomave të zhveshjes me një shprehje serioze në fytyrë, ndërsa dyshimet e para flasin për një këputje muskulore të mundshme, edhe pse diagnoza përfundimtare do të konfirmohet vetëm pas ekzaminimeve mjekësore.
Në fushë, ai u zëvendësua nga Brahim Díaz, ndërsa largimi i tij nga loja u shoqërua me dukshëm zhgënjim dhe nervozizëm nga ana e anglezit.
Nuk ishte një pasdite e lehtë për Bellinghamin. Së bashku me Vinícius Júnior, ai ishte ndër lojtarët më të fishkëllyer nga publiku i “Santiago Bernabeut” para fillimit të ndeshjes ndaj Rayo Vallecanos, çka shtoi edhe më shumë presionin mbi të.
Real Madridi fitoi ndaj Rayo Vallecanos me rezultat 2-1, me një gol të Kylian Mbappe nga pika e bardhë në kohën shtesë.
💜🤍💜🤍💜 pic.twitter.com/ONyo7CVDQH
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) February 1, 2026
Ky pritet të jetë dëmtimi i dytë i Jude Bellinghamit në këtë sezon. Mesfushori kishte munguar edhe në fillim të kampionatit, pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në shpatull pas Kupës së Botës për Klube, të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/






































