XHAKARTA, 27 nëntor /ATSH-DPA/ – Të paktën 34 persona kanë vdekur dhe 52 të tjerë janë raportuar të zhdukur pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës që kanë goditur provincën Sumatra e Veriut në Indonezi pas disa ditësh reshjesh të dendura, thanë sot autoritetet.
“Përmbytje dhe rrëshqitje të tokës ndodhën pas disa ditësh reshjesh të dendura. Nivelet e ujit në disa zona mbeten mbi një metër”, tha zëdhënësi i policisë provinciale, Ferry Walintukan, për “Metro TV”.
Sipas të dhënave të policisë, që nga 24 nëntori janë regjistruar 148 incidente katastrofike në 12 distrikte dhe qytete.
Këto përfshijnë 86 rrëshqitje të tokës, 53 përmbytje, shtatë pemë të rrëzuara dhe dy tornado.
Indonezia, një arkipelag me më shumë se 17 000 ishuj, përjeton përmbytje dhe rrëshqitje të tokës gjatë sezonit të reshjeve nga nëntori deri në mars.
Shumë komunitete të cenueshme jetojnë përgjatë brigjeve të lumenjve ose pranë kodrave të paqëndrueshme, dhe qasja në zonat e largëta mund të bllokohet për ditë kur rrugët dhe urat dëmtohen.
“Më shumë se 1 000 punonjës policie janë dërguar në distriktet e prekura për të mbështetur evakuimet, për të siguruar zonat e dëmtuara dhe për të menaxhuar trafikun pranë vendeve të rrëshqitjeve”, tha agjencia e menaxhimit të katastrofave.
“Reshjet janë intensifikuar për shkak të formimit të një sistemi tropikal veriore të ishullit”, tha zëdhënësi i agjencisë së katastrofave, Abdul Muhari .
“Përmbytje kanë goditur edhe provincat fqinjë, Aceh dhe Sumatra Perëndimore”, shtoi ai.
Situata në rritje në Indonezi vjen pas raportimeve për përmbytje të mëdha në Azi Juglindore, ku të paktën 33 persona kanë vdekur në Tajlandë./ /Ad.Ab./
The post INDONEZI – 34 viktima dhe 52 të zhdukur, pas përmbytjeje dhe rrëshqitjeve të tokës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.