Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

BM Servis Social, një zgjidhje profesionale për rikthimin në rrjete sociale

Pas një periudhe mbylljeje, rikthimi i llogarisë sonë në Instagram u realizua përmes bashkëpunimit me BM Servis Social, një kompani e specializuar në shërbime për menaxhimin dhe rikthimin e llogarive në rrjete sociale. Ishte një proces që kërkonte kujdes dhe zgjedhje të matur, ndaj vendosëm t’ia besojmë këtë hap një strukture profesionale.

BM Servis Social është një kompani që ofron mbështetje për biznese dhe individë që përballen me probleme në llogaritë e tyre online. Shërbimet e saj përfshijnë rikthimin e llogarive të bllokuara ose të hakuara, si edhe zgjidhje për bllokimin e sponsorimeve të padëshiruara, një problem që po prek gjithnjë e më shumë faqe biznesi dhe media. Në portofolin e kësaj kompanie numërohen raste të njohura suksesi.

Ajo që e bën këtë kompani të dallueshme është qasja e matur dhe serioze ndaj çdo rasti. Nuk ka premtime të shpejta apo garanci të ekzagjeruara, por fokus te korrektësia, siguria dhe trajtimi i kujdesshëm i çdo problemi. Kompania operon si subjekt real, me staf të dedikuar dhe përgjegjësi të qartë për shërbimin që ofron.

Gjatë bashkëpunimit, komunikimi ishte i vazhdueshëm dhe i kuptueshëm, duke e bërë procesin më të lehtë edhe për përdoruesit që nuk kanë njohuri teknike mbi rrjetet sociale. Kjo qasje ndihmon në ndërtimin e besimit dhe shmang paqartësitë që shpesh shoqërojnë situata të tilla.

Një element i rëndësishëm i mënyrës së punës së BM Servis Social është fakti që pagesa realizohet vetëm pas përfundimit të shërbimit. Ky model i vendos përgjegjësinë te rezultati dhe u jep klientëve më shumë siguri në vendimmarrje.

Në një mjedis digjital ku qarkullojnë shpesh shërbime informale dhe zgjidhje të pasigurta, ekzistenca e kompanive që operojnë me korrektësi dhe transparencë është thelbësore. Për këtë arsye, bashkëpunimi me BM Servis Social është një zgjedhje e menduar dhe e bazuar në profesionalizëm.

E gjen lehtë në Instagram, kliko këtu: BM Servis Social

The post BM Servis Social, një zgjidhje profesionale për rikthimin në rrjete sociale appeared first on iconstyle.al.

Bill Gates nuk u rrethua nga protestues në Forumin e Davosit

Pretendimi: Kjo video tregon një grup njerëzish në dalje të Forumit të Davosit, duke rrethuar makinën e miliarderit Bill Gates 

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një turmë në Davos, Zvicër, që rrethon makinën e milarderit Bill Gates ndërsa e quajnë atë vrasës dhe kërkojnë arrestimin e tij.

Megjithatë, ky pretendim është i rremë.

Video e mësipërme nuk është xhiruar në Davos, në Zvicër, por në Downing Street, Londër. Kjo dëshmohet nga një krahasim pamor i videos me pamje të rezidencës zyrtare të Kryeministrit britanik në Londër.

Në tetor 2021, miliarderi Bill Gates vizitoi Londrën për të darkuar me Kryeministrin e atëhershëm Boris Johnson, i cili ftoi 20 figura më me ndikim të biznesit në botë për të ndihmuar në promovimin e interesave britanike në nivel ndërkombëtar.

Sipas revistës Newsweek, më 18 tetor 2021, protestues në Londër u mblodhën rreth një makine dhe bllokuan rrugën që të çonte në Downing Street me disa që bërtisnin “arrestoni Bill Gates” dhe mbanin pankarta kundër vaksinimit. Policia përfundimisht e shoqëroi automjetin në një hyrje tjetër të Downing Street. Nuk dihet se kush ishte në makinë.

Pamje të këtij incidenti u botuan në rrjet që në 2021. Në to, vërehen ngjashmëri me videon e mësipërme, si veshja e oficerëve të policisë.

Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror 2026 u zhvillua në Davos të Zvicrës, midis 19 dhe 23 janarit. Pamje filmike tregojnë se Gates ishte i pranishëm. 

Bill Gates flet në Forumin Ekonomik Botëror

Megjithatë, nuk ka patur asnjë raportim të besueshëm se ai është sulmuar nga ndonjë turmë që kërkon arrestimin e tij.

Video e mësipërme tregon një incident që ka ndodhur në Londër 5 vite më parë.

The post Bill Gates nuk u rrethua nga protestues në Forumin e Davosit appeared first on Faktoje.al.

Dhjetra faqe mashtruese në Maqedoninë e Veriut targetojnë lexuesit shqiptarë

black android smartphone on orange surface

Fenomeni i fabrikave të ‘lajmeve të rreme’ mori hov dhe u bë i njohur ndërkombëtarisht në vitin 2016, kur një qytet i vogël në Maqedoninë e Veriut u shndërrua në një nga epiqendrat e prodhimit të dezinformimit digjital gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Në atë kohë, të rinj vendas zbuluan se mund të gjeneronin fitime […]

The post Dhjetra faqe mashtruese në Maqedoninë e Veriut targetojnë lexuesit shqiptarë appeared first on Reporter.al.

Instagram, Facebook dhe WhatsApp më nuk janë të njëjta



Kompania Meta po përgatit një ndryshim të madh në mënyrën se si përdoruesit ndërveprojnë me aplikacionet e saj më të njohura: Instagram, Facebook dhe WhatsApp.

Sipas njoftimeve të fundit, kompania do të ofrojë abonime premium, duke ofruar veçori shtesë që nuk do të jenë të disponueshme në versionet falas.

Këto abonime nuk kanë lidhje me shenjën “Meta Verified” që përdoret për verifikimin e identitetit, por do të fokusohen tek funksionalitete të avancuara, si mjetet e inteligjencës artificiale, modaliteti “incognito”, dhe mundësia për të ndjekur aktivitete të caktuara në rrjete sociale pa e bërë publike.

Për shembull, përdoruesit e Instagramit mund të shikojnë "Story" pa u zbuluar, të monitorojnë kush i ka ç’fyer profilin e tyre dhe të krijojnë përmbajtje me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Edhe WhatsApp pritet të marrë veçori shtesë, duke përfshirë mbrojtje më të lartë të privatësisë dhe asistencë për menaxhimin e bisedave.

Meta synon që me këtë lëvizje të fitojë më shumë direkt nga përdoruesit, dhe jo vetëm nga reklamat, duke investuar në teknologjitë e inteligjencës artificiale. Për momentin, versionet bazë të aplikacioneve do të mbeten falas, ndërsa abonimet premium do të jenë një opsion për ata që dëshirojnë funksionalitete të avancuara.

Eksperimentimi do të nisë së pari në disa tregje të përzgjedhura, ndërsa çmimi i abonimeve ende nuk është zbuluar. /Telegrafi/

Asnjë provë për rrëzimin e dy satelitëve amerikanë nga Rusia

Pretendimi: Rusia ka rrëzuar dy satelitë sekretë ushtarakë amerikanë. Trump është i tmerruar.

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se Rusia ka rrëzuar dy satelitë sekretë ushtarakë amerikanë, gjë që e ka “tmerruar” presidentin amerikan Trump.

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm, nuk jepet asnjë provë, burim apo referencë.

Postimi i mësipërm i referohet një videoje në gjuhën italiane të botuar në Youtube nga një llogari që duket se poston video të shumta të ngjashme me ‘lajme’ sensacionaliste (dhe të pabesueshme) pro-Rusi.

Video 24-minutëshe nis me çfarë ajo quan një “fakt të thatë, por thelbësor” se “sistemet e kontrollit hapësinor të Shteteve të Bashkuara kanë regjistruar humbjen e komunikimit stabël me dy mjete hapësinore me përdorim ushtarak.”

Megjithatë, ky “fakt i thatë” mbetet i pakonfirmuar. Video nuk jep ndonjë burim, zyrtar ose jo, që vërteton këtë “fakt.”

Humbja e komunikimit me dy satelitë të orbitës së ulët nuk është njoftuar nga Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) amerikane, Departamenti i Mbrojtjes amerikan apo ndonjë institucion tjetër zyrtar.

Njësoj, asnjë lajm i tillë nuk është raportuar në mediat ndërkombëtare apo vendase. Logjikisht, nëse një veprim i tillë do të kishte ndodhur vërtet ai do të ishte raportuar gjerësisht.

Në vitin 2021, Rusia shkatërroi vërtet një satelit jo-funksional sovietik për të testuar një armë anti-satelit, duke lëshuar në hapësirë mbi 1500 copëza mbeturinash mjaftueshëm të mëdha për t’u gjurmuar dhe qindra mijëra copëza më të vogla.

Përpara operacionit, Rusia nxorri një njoftim për pilotët (NOTAM) që i paralajmëronte ata të qëndronin larg hapësirës ajrore mbi Kozmodromin Plesetsk, një strukturë në bregdetin verior të vendit që është e njohur për lëshimin e raketave anti-satelit.

Në 2007, Kina shpërtheu një nga satelitët e saj, duke prodhuar mijëra copëza mbeturinash. Shtetet e Bashkuara vazhduan në vitin 2008, duke shkatërruar një satelit zbulimi që po dështonte në një orbitë shumë të ulët, një ngjarje që rezultoi në rreth 400 copëza mbeturinash orbitale. India bëri të njëjtën gjë në Mars 2019, duke u bërë vendi i katërt që demonstroi atë që njihet si aftësi armësh kundërhapësinore. India qëllimisht shënjestroi një satelit në orbitën shumë të ulët të Tokës, dhe shumica e mbeturinave u dogjën në atmosferën e planetit pak më vonë. Vetëm tre copëza të gjurmueshme mbeten duke rrethuar planetin.

Sisteme të shumta anti-satelitore ose ekzistojnë ose janë në zhvillim. Disa shkatërrojnë në mënyrë aktive satelitët me shpërthim, ndërsa të tjerë i çaktivizojnë satelitët në mënyrë më pasive. Këto teknologji përfshijnë mikrovalë me fuqi të lartë që mund të prishin elektronikën, pajisje që bllokojnë sistemet e komunikimit dhe sisteme lazeri me bazë tokësore. Ekspertët e Projektit të Sigurisë Hapësinore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare raportojnë se sistemet anti-satelitorë të Kinës tani janë aq të fuqishme sa vendi “mund të kërcënojë çdo satelit amerikan në LEO, dhe ndoshta edhe orbitën mesatare të Tokës dhe GEO [orbitën gjeostacionare]”.

Rusia ka testuar sisteme anti-satelitore që nga vitet 1960, duke filluar me sisteme anti-satelitore bashkë-orbitale që takohen me dhe shkatërrojnë objektivat nga hapësira në vend të tokës. Ajo ka testuar raketa Nudol në hapësirë ​​që nga viti 2014, pa goditur asgjë deri më tani.

The post Asnjë provë për rrëzimin e dy satelitëve amerikanë nga Rusia appeared first on Faktoje.al.

Gjigantët e teknologjisë përballen me një gjyq historik në SHBA - Facebook, TikTok dhe YouTube krijojnë qëllimisht varësi



Një gjyq i rëndësishëm ka nisur në Los Angelos ku kompania të mëdha të mediave sociale - Meta (Facebook/Instagram), Snap (prind i Snapchat), TikTok dhe YouTube - janë paditur nga më shumë se 1600 palë, përfshirë familje dhe rajone shkollore, që pretendojnë se këto platforma janë projektuar qëllimisht për t’i bërë të varur njerëzit dhe dëmtojnë shëndetin mendor të fëmijëve dhe rinisë.

Në qendër të kësaj çështjeje është një 19-vjeçare, e identifikuar vetëm me inicialet KGM, e cila pretendon se përdorimi i medias sociale e bëri të varur dhe çoi në probleme serioze psikologjike.

Palët paditëse kërkojnë dëme financiare dhe ndryshime në mënyrën se si dizajnohen këto platforma, për të krijuar standarde sigurie që mbron përdoruesit e rinj, raporton thegruadian.

Pretendohet se dokumente të brendshme mund të shpalosin se kompanitë e dinin rrezikun e këtyre krijimeve, megjithatë i përdorën ato për të maksimalizuar kohën e qëndrimit të përdoruesve dhe fitimet nga reklamat.

Nga ana e tyre, kompanitë e përfshira kanë mohuar qëllimin për të shkaktuar dëm dhe thonë se kanë shtuar mjete sigurie dhe kontrolli për përdoruesit, duke argumentuar se shëndeti mendor është kompleks dhe nuk mund të fajësohen vetëm platformat.

Gjyqi, i cili pritet të zgjasë disa javë, mund të ndikojë në mënyrë të madhe si rregullohen mediat sociale, dhe mund të sfidojë mbrojtjet ligjore që normalisht mbrojnë kompanitë teknologjike në SHBA, si për shembull Neni 230 i Communications Decency Act. /Telegrafi/

Kjo anije gjenerator energjie asnjë lidhje me projektin HAARP

Pretendimi: Kjo video tregon projektin HAARP, një “fabrikë lundruese e tornadove dhe fatkeqësive të ndryshme.”

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————-

Video e një anijeje që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon famëkeqin projektin HAARP, një “fabrikë lundruese e tornadove dhe fatkeqësive të ndryshme.”

Si zakonisht, nuk sillet asnjë provë, burim, apo referencë që mbështet pretendimin e jashtëzakonshëm.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në Youtube në vitin 2016 me titullin “Stacioni elektrik lundrues Osman Khan në Detin e Zi, Kantieri Detar i Tuzla.”

Anija e mësipërme, e quajtur Osman Khan, nuk ka të bëjë fare me projektin HAARP. Ajo është një anije me motor që prodhon energji elektrike dhe i përket kompanisë Karadeniz, e cila zotëron një flotë të madhe anijesh të tilla.

Ajo ka aftësinë të gjenerojë 470 Mw energji elektrike, të mjaftueshme për të furnizuar me energji afërsisht 235 mijë shtëpi (duke supozuar një përdorim mesatar prej 2 kw për shtëpi gjatë 24 orëve).

13 nëntor 2016, anija Osman Khan, lundroi për në Gana në një ceremoni ku morën pjesë presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, dhe zyrtarë të tjerë turq. Ajo u ngarkua me detyrën për të furnizuar me energji elektrike rrjetin elektrik në Gana. 

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i krijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.

HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

The post Kjo anije gjenerator energjie asnjë lidhje me projektin HAARP appeared first on Faktoje.al.

Krahasimi i nivelit të ujit në Statujën e Lirisë nuk rrëzon ngrohjen globale

Pretendimi: Ky imazh i Statujës së Lirisë provon se ngrohja globale dhe rritja e nivelit të oqeaneve janë mashtrime

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————–

Dy foto të Statujës së Lirisë në Nju Jork, të cilat pretendohet se janë bërë me më shumë se 100 vjet diferencë, po qarkullojnë në rrjete sociale me pretendimin se ato janë prova të mjaftueshme për të vërtetuar se nuk ka patur ndonjë rritje të ndjeshme të nivelit të detit, një pasojë e njohur e ngrohjes globale.

Megjithatë, ekspertët e oqeanografisë dhe ndryshimeve klimatike paralajmërojnë se krahasimi fotografik nuk mund të përdoret si provë e sjelljes së nivelit të detit. 

Problemi me imazhin e mësipërm qëndron pikërisht në mungesën e kontekstit. Pa e ditur nëse fotot janë bërë në baticë të lartë apo të ulët, nuk ka asnjë mënyrë për t’i krahasuar ato. 

Metodat shkencore të matjes mund të përshkruajnë ndryshimet në nivelin e detit me shumë saktësi dhe ato tregojnë se ai është rritur ndjeshëm në Gjirin e Nju Jorkut gjatë njëqind viteve të fundit.

Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) amerikane thekson se mënyra e saktë për të matur ndryshimet afatgjata është me anë të nivelit mesatar të detit, i llogaritur nga seritë historike që eliminojnë efektet momentale të baticave dhe kushteve të motit. 

Sipas Shërbimit Kombëtar të Oqeaneve të qeverisë amerikane, niveli i detit mund të rritet me dy mekanizma të ndryshëm si pasojë e ndryshimeve klimatike. Së pari, ndërsa oqeanet ngrohen për shkak të një temperature globale në rritje, uji i detit bymehet, duke zënë më shumë hapësirë ​​në pellgun e oqeanit dhe duke shkaktuar një rritje të nivelit të ujit. Mekanizmi i dytë është shkrirja e akullit mbi tokë, e cila më pas shton ujë në oqean.

“Batica në Nju Jork ndryshon me rreth 1.5 metra. Në varësi të kohës së ditës kur është bërë fotografia, ndryshimi i dukshëm mund të jetë i madh ose praktikisht i papërfillshëm”, shpjegoi për Metsul Jacqueline Austermann, një profesore në universitetin Columbia e cila hulumton ndryshimet në nivelet e oqeanit. 

Më tej, që nga viti 1856, NOAA ka mbajtur matje të vazhdueshme në Battery Park, të vendosur në majën jugore të Manhattanit, vetëm pak kilometra nga Statuja e Lirisë. Këto të dhëna konsiderohen si një pikë referimi për monitorimin e nivelit të detit në rajon.

Sipas NOAA, niveli relativ i detit në zonë është rritur rreth 30 centimetra në 100 vitet e fundit, me një shpejtësi mesatare prej afërsisht 3 milimetrash në vit. Në dekadat e fundit, kjo shpejtësi është përshpejtuar, duke arritur në rreth 4.5 milimetra në vit në Nju Jork. 

Në shkallë globale, NOAA dhe NASA vlerësojnë se nivelet e oqeaneve janë rritur midis 20 dhe 25 centimetrave që nga viti 1880. Vetëm që nga viti 1993, rritja mesatare globale ka qenë pothuajse 10 centimetra, duke demonstruar intensifikimin të fenomenit kohët e fundit.

Rritja e nivelit të detit nuk është një fenomen teorik. Ndikimet e tij po ndihen. 

Një studim i botuar pas Uraganit Sandy në vitin 2012 arriti në përfundimin se rritja e nivelit të oqeaneve shtoi afërsisht 8 miliardë dollarë dëme shtesë në rajonin e Nju Jorkut. Për më tepër, parashikimet nga Paneli i Ndryshimeve Klimatike të qytetit tregojnë se, deri në vitin 2050, nivelet e detit mund të rriten me 28 deri në 53 centimetra shtesë. Kjo do të rrisë frekuencën e të ashtuquajturave “përmbytje të ditëve me diell”, kur baticat jashtëzakonisht të larta shkaktojnë përmbytje edhe pa shi ose stuhi. 

Sipas Kenneth G. Miller, profesor i Shkencave të Tokës dhe Planetare në universitetin Rutgers, mohimi i rritjes së nivelit të detit bazuar në imazhe të izoluara injoron dekada hulumtimi. “Rritja globale prej 3.3 mm në vit dhe rritja lokale në Nju Jork prej 4.5 mm në vit është një fakt i dokumentuar nga satelitët dhe matësit e baticës,” tha ai.

The post Krahasimi i nivelit të ujit në Statujën e Lirisë nuk rrëzon ngrohjen globale appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar bora masive në Rusi që ka kthyer pallatet në pista skish

Pretendimi: Kjo video tregon njerëzit në Rusi që rrëshqasin nga kati i katërt pas një stuhie dëbore

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale dhe media, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon njerëz në Rusi duke rrëshqitur poshtë nga kati i katërt i një godine pasi një stuhi e kishte çuar nivelin e borës në lartësi ekstreme.

Gadishulli Kamchatka i Rusisë u godit nga stuhi dëbore që nga mesi i janarit, të shkaktuara nga një seri ciklonesh nga deti i Okhotskut. Këto stuhi bllokuan hyrjet e shtëpive, duke bllokuar banorët brenda, duke paralizuar transportin dhe aeroportet, dhe duke detyruar mbylljen e shkollave. Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik rus, hera e fundit që kishte rënë një dëborë e tillë ishte para më shumë se 30 vitesh.

Si fillim, që në pamje të parë vërehet që njerëzit në video nuk rrëshqasin nga kati i katërt i godinës, por nga shumë më lart, të paktën nga kati i tetë. 

Nëse kjo ju duket e jashtëzakonshme, keni instinkte të mira. Video e mësipërme nuk tregon ngjarje të vërteta. Ajo është krijuar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Kjo tregohet nga elementë të videos që duken të pamundur ose alogjikë. Me një grumbull bore kaq të pjerrët dhe të lartë, njerëzit që përpiqen të rrëshqasin poshtë tij ka shumë të ngjarë të fundosen në dëborë ose të shkaktojnë shembjen e formacionit të brishtë të dëborës.

Gjithashtu, një sy i vëmendshëm mund të konstatojë se dy personat që qëndrojnë në tarracën e pallatit mbajnë të njëjtat ngjyra veshjesh me ata që duken se rrëshkasin në pjesën e poshtme të borës. Këto gabime logjike janë një tjetër shenjë e përdorimit të inteligjencës artificiale. 

Videot AI karakterizohen nga një kinematografi shumë perfekte dhe një metodë dukshëm e panatyrshme e kuadrimit. Ato janë shumë të pastra dhe u mungojnë detajet si elementë të vegjël të qytetit. Detajet e vogla zhduken ose anashkalohen. 

Pamjet reale nga gadishulli tregojnë katet përdhese të mbuluara dhe njerëzit që përpiqen të hapin dyert. Në videon e mësipërme, grumbulli i borës shkon deri në lartësinë e një ndërtese nëntëkatëshe, që do ta bënte atë mbi 60 metra të lartë. Megjithatë, sipas autoriteteve vendase, shtresa e dëborës kishte arritur lartësinë maksimale 2,5 metra në pikat më ekstreme.

Më tej, në Kamchatka, nuk ka ndërtesa banimi shumëkatëshe. Për shkak të rreziqeve, përfshirë ato gjeologjike, Kamchatka karakterizohet nga ndërtesa të ulëta deri në rreth 5 kate.

The post E gjeneruar bora masive në Rusi që ka kthyer pallatet në pista skish appeared first on Faktoje.al.

E manipuluar kjo foto e Ramës të prangosur nga DEA amerikane

Pretendimi: Kjo foto paraqet kryeministrin shqiptar të arrestuar nga forcat speciale amerikane

Verdikti: E pavërtetë/ Foto e manipuluar

Barbara Halla

Përgjatë janarit, në rrjetet sociale qarkulloi një imazh i kryeministrit shqiptar Edi Rama i arrestuar nga agjentë të Zyrës Federale për Zbatimin e Ligjit të Drograve (DEA) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pamjet paraqesin kryeministrin të rrethuar nga persona me uniforma dhe mbishkrimin DEA. Fotoja duket qartësisht që është manipuluar në mënyrë dixhitale (përmes programeve si Photoshop ose AI), por i shtohet rrebeshit të imazheve dhe deklaratave të manipuluara, sipas të cilave ShBA ka nisur hetime ndaj Ramës. 

Fotoja që është marrë për bazë për të krijuar këtë imazh filloi të qarkullonte në mediat sociale në fillim të janarit, pas arrestimit të presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga forcat speciale amerikane. Siç e ka treguar Faktoje, edhe fotoja e Maduros ishte e gjeneruar me AI, dhe postuar për herë të parë nga një përdorues i platformës X/Twitter. Pra, këtu kemi të bëjmë me një imazh të manipuluar dy herë. 

Që nga arrestimi i Maduro me datë 3 janar 2026, në mediat shqiptare janë shpërndarë disa imazhe të manipuluar ose të gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Po ashtu, kanë marrë dhenë dhe disa narrativa sipas të cilave Edi Rama mund të arrestohet nga ShBA në të njëjtën mënyrë si është arrestuar Maduro. Për momentin nuk ka asnjë provë, deklaratë, apo çështje gjyqësore kundër Ramës në SHBA, siç e ka shpjeguar Faktoje në një artikull tjetër ku janë hedhur poshtë këto narrativa.   

Në këtë rast, është e qartë se imazhi në fjalë është një foto e manipuluar apo e gjeneruar me mjete digjitale. Deri në këto momente nuk ka asnjë arsye për të menduar se Rama është arrestuar nga marinsat e ShBA. 

The post E manipuluar kjo foto e Ramës të prangosur nga DEA amerikane appeared first on Faktoje.al.

Rama nuk udhëtoi në ShBA për hetimet ndaj McGonigal

Pretendimi: Kryeministri Edi Rama udhëton në 20 janar drejt ShBA për të dëshmuar në çështjen McGonigal

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Në ditët e para të janarit qarkulloi në media lajmi se kryeministri Edi Rama do të merrej në pyetje nga autoritetet amerikane në lidhje me hetimin mbi ish-agjentin e FBI-së, Charles McConigal. Më konkretisht, pretendohej se Rama do të udhëtonte drejt Uashingtonit më 20 janar për t’u marrë në pyetje dhe për të dëshmuar si “person në dijeni” lidhur me hetimin për korrupsion të zyrtarit amerikan.

Kjo deklaratë, e nisur në një studio televizive në News24, u pasua nga portale të ndryshme dhe më pas u përsërit edhe në diskutimet publike të politikanëve opozitarë duke aluduar se Rama rrezikonte “fatin e Maduro-s” në SHBA.

Pretendime të tilla mbështeten vetëm në burime të paidentifikuara dhe pa prova konkrete, dhe veçanërisht pa asnjë referencë zyrtare nga autoritetet amerikane ose ndonjë njoftim të Departamentit të Drejtësisë ose Ambasadës Amerikane që të konfirmonte një ftesë të tillë apo një thirrje për t’u marrë në pyetje një kryeministri në detyrë.

Me kalimin e datës 20 janar, nuk pati asnjë njoftim nga qarqe zyrtare që Rama kishte shkuar në Uashington, as që ai ishte marrë në pyetje apo kishte një seancë gjyqësore në ndonjë gjykatë federale amerikane. Në këtë ditë, Rama iu përgjigj ftesës së marrë nga presidenti Trump për të qënë pjesë e Bordit të Paqes, ndërkohë që një ditë më pas u shfaq publikisht në Kryeministri me familjarët e viktimave dhe në homazhet në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në 15-vjetorin e protestës së 21 janarit.

Vetë Rama i ka ironizuar pretendimet për një gjyq amerikan, duke i quajtur fantazi të opozitës dhe duke mohuar ekzistencën e çështjeve penale kundër tij në SHBA. Këto pretendime, siç e ka treguar Faktoje, janë shtuar që prej arrestimit të presidentit venezuelian, Nicolas Maduro me datë 3 janar, por nuk bazohen në fakte apo deklarata zyrtare. 

The post Rama nuk udhëtoi në ShBA për hetimet ndaj McGonigal appeared first on Faktoje.al.

Pavarësisht gëzimit për foshnjën, Romeo Veshaj nuk u bë baba

Pretendimi: Aktori dhe moderatori Romeo Veshaj është bërë baba për herë të parë

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Lajmi se aktori Romeo Veshaj është bërë baba për herë të parë ka ngjallur interes të lartë te lexuesit. Pretendimi (link, link, link) shoqërohet me disa fotografi ku Veshaj shihet duke mbajtur në krahë një foshnjë të porsalindur, si edhe me imazhe të tij së bashku me Heidi Bacin, partneren e tij prej edicionit të Big Brother Vip 3. Gjatë ditëve të para pas publikimit në Facebook, figurojnë mbi 195 mijë shikime të këtij njoftimi për çiftin e dashur të ekranit. Megjithatë, ky pretendim që do ketë gëzuar shumë nëna shqiptare, nuk është i saktë.

Sipas raportimeve të mediave të tjera dhe informacionit të konfirmuar nga familja, foshnja e porsalindur nuk është vajza e Romeo Veshajt. Bëhet fjalë për vajzën e vëllait të tij, Mario, i cili së bashku me partneren, janë bërë prindër për herë të parë. Lajmi për lindjen e vajzës është bërë publik dhe është pritur me entuziazëm, duke shënuar një moment të rëndësishëm për familjen Veshaj.

Fotografitë nga materniteti, ku shfaqen Romeo pranë foshnjës, kanë kontribuar në keqinterpretimin e situatës. Një tjetër element që rrëzon pretendimin është mospërputhja mes personave të shfaqur në fotografi. Gruaja e fotografuar në shtratin e spitalit, e cila ka lindur foshnjën, është brune dhe identifikohet si Kristina Mere. Ndërkohë, në postimin viral janë përfshirë qëllimisht edhe fotografi të Romeo Veshajt me Heidi Bacin, që nuk ka asnjë ngjashmëri me nënën e re në fotot e publikuara.

Mediat rozë kanë folur për një ndarje të çiftit prej më shumë se një viti duke e rënduar më tej keqpërdorimin që është bërë në këtë rast me dy personazhet e ekranit.  

The post Pavarësisht gëzimit për foshnjën, Romeo Veshaj nuk u bë baba appeared first on Faktoje.al.

Vendimi i KQZ në Kosovë për rinumërim dhe jo zgjedhje të parakohshme

Pretendimi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës ka vendosur të mbahen zgjedhje të parakohshme

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————————

Një postim i 19 janarit në Facebook jep lajmin: “Zgjedhje të parakohshme! KZQ sapo mori vendimin e PAPRITUR”, ndërsa fton lexuesit të marrin vesh më shumë duke klikuar lidhjen në komente.

Lajmi patjetër do të sjellë interes për publikun kosovar, i cili votoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28  dhjetor 2025, më pak se një muaj më parë, zgjedhje që u mbajtën pasi legjislatura e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 dështoi të konstituonte përbërjen e re të Kuvendit për muaj të tërë, duke e lënë vendin pa parlament funksional.

Megjithatë, votuesit kosovarë nuk duhet të gëzohen apo hidhërohen. Lajmi nuk është i vërtetë. 

Artikulli që referohet në komente përmban tekstin identik të një artikulli të Radio Evropa e Lirë me titull: “KQZ vendos për rinumërim të plotë të votave.” Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vendosur që do të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në 28 komuna për këto zgjedhje. 

Qartazi, në titull të artikullit është përmendur tërthorazi emërtimi “zgjedhje të parakohshme”, i cili i referohet zgjedhjeve të 28 dhjetorit, dhe vendimit të fundit të KQZ në Kosovë për të rinumëruar votat e këtyre zgjedhjeve. 

Titulli i paqartë i lajmit që synon të krijojë idenë e zgjedhjeve të parakoshme, keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve, reagimeve dhe komenteve.

The post Vendimi i KQZ në Kosovë për rinumërim dhe jo zgjedhje të parakohshme appeared first on Faktoje.al.

Të hershme këto pamje të zhytjes së Putin në ujit e akullt

Pretendimi: Kjo video tregon presidentin rus Vladimir Putin duke u zhytyr në ujë me rastin e festës së Epifanisë në janar 2026

Verdikti: Mungon konteksti

Më 19 janar 2026, ditën kur të krishterët orotdoksë festojnë Epifaninë, në rrjete sociale dhe mediat shqipfolëse u shpërnda një video e presidentit rus Vladimir Putin duke u zhytyr në një pishinë me ujë. Video shoqërohej me pretendimin se ajo tregonte zhytjen tradicionale që Putin kishte bërë në janar 2026. Kjo përmendet si një provë e mëtejshme e shëndetit të plotë që gëzon lideri rus, përkundër zërave në Perëndim se ai është i sëmurë. 

Agjensia shtetërore ruse e lajmeve Tass raportoi më 19 janar 2026 se Putin e kishte bërë zhytjen tradicionale me rastin e Epifanisë. Megjithatë, lajmi i konfirmuar për agjensinë nga zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, nuk shoqërohej me pamje filmike apo fotografike.

Video e mësipërme është nga 5 vite më parë.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video origjinale është transmetuar më 19 janar 2021 nga televizioni shtetëror rus.

Çdo vit për Epifaninë, besimtarët ortodoksë zhyten në lumenj dhe liqene për të përkujtuar pagëzimin e Krishtit në lumin Jordan.

Putini ka krijuar një reputacion prej vitesh me foto që e tregojnë duke bërë aktivitete pa bluzë, si noti, kalërimi ose gjuetia, të cilat janë etiketuar si përpjekje për të forcuar imazhin e tij si një personalitet mashkullor dhe burrë i fortë.

The post Të hershme këto pamje të zhytjes së Putin në ujit e akullt appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar kjo përplasje mes indigjenes dhe policit të ICE

Pretendimi: Kjo video tregon një amerikane indigjene Cherokee duke u ndeshur me një oficer të policisë amerikane të emigracionit (ICE)

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

Një video që ka marrë 15 mijë shikime në Facebook pretendohet se tregon një grua amerikane indigjene Cherokee duke u ndeshur me një oficer të policisë së emigracionit (ICE), i cili përpiqet ta arrestojë dhe ta deportojë si emigrante e paligjshme.

Populli Cherokee jetoi në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara juglindore para kolonizimit europian që nisi në shekullin e XV.

Në disa qytete amerikane, përfshirë Minneapolis, ka pasur përplasje midis qytetarëve dhe agjentëve të ICE pas bastisjeve të ndryshme dhe operacioneve të kontrollit të imigracionit, dhe veçanërisht vrasjesRenee Nicole Good nga një agjent federal më 7 janar 2026.

Megjithatë, kjo video nuk tregon një incident real. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Video u postua fillimisht më 3 janar nga një llogari që ndan përmbajtje të gjeneruar artificialishtmedia sociale, kryesisht duke shfaqur agjentë të ICE që bllokohen ose shtyhen nga qytetarë, protestues ose oficerë të tjerë të zbatimit të ligjit.

Këto variacione të temave që ngjallin zemërim, të gjeneruara nga IA, postohen shpesh njëra pas tjetrës. Një shembull tematik janë pastorë të zinj që përballen me agjentë të ICE në shkallët e kishës duke bërtitur: “Jo sot, dhe jo në këtë kishë!” Në një seri tjetër, shitëset e frutave thonë: “Mos më prek, jam amerikane, o racist!”

Seria e videove të përballjes fiktive në “Grand Central Market” paraqet sinjalistikë të një tregu të gjeneruar nga AI. Që nga viti 1917 ka pasur një treg të vërtetë të Los Angeles me këtë emër. 

Udhëzimi i dhënë programit AI duket se ka kërkuar që gruaja në secilën prej videove të jetë me lëkurë kafe, me flokë të gjatë të zinj, dhe që agjenti i ICE të jetë një burrë i bardhë me veshje taktike. Në shumicën e videove, gruaja mban çantë dhe mund të ketë veshur stile tradicionale veshjesh të Amerikës së Jugut ose Qendrore. Në shumicën e videove ajo bërtet një përzierje frazash angleze dhe spanjolle.

Në video mund të identifikojmë edhe disa gabime tipike të programeve gjeneruese AI. Për shembull, në sfond, një burrë tregohet duke ecur mbrapsht, dhe kur gruaja e godet agjentin në fytyrë, syzet e diellit që ai mban duket sikur zhduken në ajër.

Më tej, etiketa në krahun e majtë të gruas ka shkronja të padëshifrueshme, dhe rripi i çantës ndryshon nga shpatulla e djathtë në të majtën, dhe nga brenda në jashtë xhaketës kur gruaja kthehet.

Këto video janë shembuj i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.”
Llumi AI në Facebook zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit, si zemërimi. Llumi AI që nxit zemërim merr shumë angazhim.

The post E gjeneruar kjo përplasje mes indigjenes dhe policit të ICE appeared first on Faktoje.al.

Austriaku që foli për konfiskimin e bazave amerikane asnjë lidhje me NATO-n

Pretendimi: Një zyrtar i NATO ka kërcënuar ShBA se nëse ata marrin Groenlandën, të gjitha bazat amerikane në Europë do të konfiskohen dhe ShBA “do të duhet të largohej.”

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————————–

Në ditët e para të vitit 2026, pasi forcat speciale amerikane rrëmbyen presidentin venezuelian Maduro, presidenti amerikan Donald Trump rideklaroi ambicien e ShBA për të marrë Groenlandën, duke mos përjashtuar edhe ndërhyrje ushtarake.

Një numër mediash shqipfolëse njoftuan 9 janar se një zyrtar i NATO kishte kërcënuar ShBA duke thënë: “Nëse merrni Groenlandën, ne do të marrim çdo bazë amerikane nga Aviano në Ramstein, nga Rumania e të gjitha bazat e tjera ushtarake, do të konfiskohen.”

Artikujt e mësipërm shpesh shoqërohen dhe me imazhe ilustruese që përmbajnë foton e Trump dhe të Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO, duke lënë të nënkuptohet se Rutte mund të jetë zyrtari i NATO në fjalë.

Megjithatë, në brendinë e artikujve citohet një postim i Gunther Fehlinger-Jahn, i cili përshkruhet si zyrtar i NATO.

Në videon e postuar më 5 janar, Gunther Fehlinger-Jahn, një ekonomist austriak dhe mbështetës i integrimit evropian, kritikon dëshirën e administratës Trump për të marrë në zotërim Groenlandën, një ishull që ka qenë pjesë e Danimarkës që nga viti 1953.

Në profilet e tij në rrjete sociale, Fehlinger-Jahn e përshkruan veten si “kryetar i Komitetit Austriak për Zgjerimin e NATO.” Artikujt e mësipërm e marrin të mirëqenë që ky vetëpërshkrim e bën austriakun zyrtar të NATO.

Megjithatë, një thellim i vogël do të zbulonte se ky komitet nuk duket se ka lidhje as me organet zyrtare të BE dhe as me NATO. 

Në vitin 2023, kur u kontaktua nga Reuters, Fehlinger-Jahn sqaroi se komiteti në fjalë përbëhet nga ai vetë dhe “disa miq nga vendet që duan të bashkohen me NATO për t’u mbrojtur nga Rusia” dhe se ai nuk ka lidhje me NATO. 

“Nuk kam asnjë lidhje me NATO. Asnjë nga postimet e mia nuk përfaqëson ndonjë qëndrim zyrtar,” deklaroi Fehlinger-Jahn. Në një deklaratë, NATO gjithashtu konfirmoi për median se Fehlinger nuk ka lidhje zyrtare me organizatën.

Më 16 janar 2026, përsëri për Reuters, zyrtarët e institucioneve europiane sqaruan se Fehlinger-Jahn nuk punon për dhe nuk flet në emër të Këshillit Evropian, Këshillit të BE, Parlamentit Europian apo Komisionit Europian. 

Një zyrtar i NATO përsëriti për Reuters se Fehlinger-Jahn nuk kishte lidhje zyrtare me organizatën. “Ai nuk është punonjës i NATO”, tha zyrtari. “Pikëpamjet dhe opinionet e tij janë personale dhe nuk pasqyrojnë ato të Aleancës. Gjithashtu, pavarësisht titullit – ‘Komiteti Evropian për Zgjerimin e NATO-s’ – ky nuk është një komitet apo organ i NATO.”

Ministria e jashtme e Austrisë tha se Fehlinger-Jahn nuk kishte asnjë rol me qeverinë dhe as me misionin e saj në NATO, i cili menaxhon marrëdhëniet e Vjenës me aleancën si një vend jo-anëtar.

Fehlinger-Jahn është ekonomist, konsulent menaxhimi dhe punonjës zhvillimi, sipas faqes së tij të internetit. Nuk ka asnjë tregues nga përvoja e tij profesionale se ai flet në emër të BE ose NATO. Ai aktualisht është i përfshirë në promovimin e bashkëpunimit ekonomik midis Austrisë dhe Shqipërisë. Në fillim të viteve 2000, ai ishte sekretar i përgjithshëm i Unionit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme të Partisë Popullore Evropiane, i cili promovon interesat e bizneseve të vogla dhe të mesme.

NATO është një aleancë politike dhe ushtarake kombesh. Një nga angazhimet e saj kryesore është që një sulm kundër njërit prej anëtarëve të saj të konsiderohet një sulm kundër të gjithëve. ShBA dhe Danimarka janë të dyja anëtare të NATO. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi më parë se një sulm i ShBA ndaj Groenlandës do të shënonte fundin e NATO.

The post Austriaku që foli për konfiskimin e bazave amerikane asnjë lidhje me NATO-n appeared first on Faktoje.al.

Të gjeneruara pamjet apokaliptike të borës rekord në Kamchatka

Pretendimi: Kjo video tregon dëborën masive që ra në Kamchatka të Rusisë në janar 2026

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————————

Një video që duket se tregon një grumbull gjigand bore që mbulon pjesën e poshtme të pallateve të banimit po qarkullon në media dhe rrjete sociale me pretendimin se ajo tregon borën që ka rënë në Kamchatka, Rusi në janar 2026.

Gadishulli Kamchatka i Rusisë u godit nga stuhi dëbore që nga mesi i janarit, të shkaktuara nga një seri ciklonesh nga Deti i Okhotskut. Këto stuhi bllokuan hyrjet e shtëpive, duke bllokuar banorët brenda, duke paralizuar transportin dhe aeroportet, dhe duke detyruar mbylljen e shkollave. Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik rus, hera e fundit që kishte rënë një dëborë e tillë ishte para më shumë se 30 vitesh.

Kjo situatë ekstreme e motit është ndarë si lajm në të gjitha mediat botërore dhe më pas edhe në ato shqiptare. Megjithatë, videot e mësipërme që janë publikuar nuk tregojnë rekordet e borës në Kamchatka. Ato janë gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Fotot reale nga gadishulli tregojnë katet përdhese të mbuluara dhe njerëzit që përpiqen të hapin dyert. Në videot e inteligjencës artificiale, grumbullimet e borës shpesh shkojnë deri në lartësinë e një ndërtese nëntëkatëshe, që do t’i bënte ato mbi 60 metra të larta. Megjithatë, sipas autoriteteve vendase, shtresa e dëborës kishte arritur 2,5 metra në pikat më ekstreme.

Videot reale tregojnë pajisje të rënda për heqjen e borës, ndërsa videot e inteligjencës artificiale tregojnë pamje të banorëve që rrëshkasin nga dritaret e kateve të larta me slita plastike që fluturojnë vetë tëposhtë shpateve vertikale.

Gjithashtu, në videot e gjeneruara, dritaret dhe muret e ndërtesave “fluturojnë” ose ndryshojnë formë me lëvizjen e kamerës. Në një prej tyre, pjesa e poshtme e një shtylle ndriçimi duket e shkëputur nga pjesa e sipërme. Ndërsa dy makina të mbuluara nga bora duket sikur janë vendosur njëra mbi tjetrën.

Video e mësipërme u postua fillimisht në TikTok, ku ishte etiketuar nga krijuesi si e gjeneruar me AI.

Videot AI karakterizohen nga një kinematografi shumë perfekte dhe një metodë dukshëm e panatyrshme e kuadrimit. Ato janë shumë të pastra dhe u mungojnë detajet si elementë të vegjël të qytetit. Detajet e vogla zhduken ose anashkalohen. 

Më tej, në Kamchatka, nuk ka ndërtesa banimi shumëkatëshe. Për shkak të rreziqeve, përfshirë ato gjeologjike, Kamchatka karakterizohet nga ndërtesa të ulëta deri në rreth 5 kate.

Mediat serioze që ranë pre e këtyre imazheve të gjeneruara korigjuan gabimin pas pak kohësh, ndërsa në mediat shqiptare pamjet apokaliptike vijojnë të ngjallin habi mes lexuesve.

The post Të gjeneruara pamjet apokaliptike të borës rekord në Kamchatka appeared first on Faktoje.al.

Ushtarët gjermanë nuk u tërhoqën nga Groenlanda prej presionit të Trump

Pretendimi: Gjermania tërhoqi papritur trupat e saj nga Groenlanda pasi dërgoi 13 ushtarë për të mbrojtur Groenlandën nga kërcënimet e presidentit amerikan Trump për të pushtuar ishullin.

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————

Më 18 janar 2025, në media dhe rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi lajmi se Gjermania kishte tërhequr papritur 13 ushtarë që kishte dërguar për të mbrojtur Groenlandën nga kërcënimet e presidentit amerikan Trump për të pushtuar ishullin.

Megjithatë, largimi i togës gjermane nuk ishte i fshehtë, i papritur apo i ndikuar nga frika e tarifave që kërcënoi Trump. Largimi i misionit ishte parashikuar dhe njoftuar që në kohën e dërgimit të tij në Groenlandë. 

Ministria e Mbrojtjes gjermane kishte njoftuar paraprakisht se 13 ushtarët do të kishin një mision zbulues, i planifikuar të zgjaste për tri ditë nga 15 deri më 17 janar. Ushtarët gjermanë shkuan atje me ftesë të Danimarkës.

Ekipi kishte për qëllim të vlerësonte kushtet për ushtrime të mundshme të NATO, ndërsa zëdhënësi i qendrës së kontrollit të komandës tha më 18 janar se misioni kishte përfunduar. “Rezultatet e zbulimit do të analizohen në ditët në vijim,” tha ai.

Ndërkaq, Trump kërcënoi se Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Hollanda dhe Finlanda do të përballen me tarifa 10% mbi të gjitha mallrat duke nisur nga shkurti dhe se ajo do të rritet në 25% më 1 qershor nëse nuk arrihet një marrëveshje për “blerjen e plotë dhe totale të Groenlandës” nga Shtetet e Bashkuara.

Ky kërcënim erdhi më 17 janar, ndërsa kohëzgjatja e misionit zbulues gjerman ishte lajmëruar tri ditë më parë, më 14 janar.

Deklarata e Ministrisë gjermane së Mbrojtjes shtoi se qëllimi i misionit, i cili përfshinte disa vende të tjera evropiane, ishte të shqyrtonte kushtet për një stërvitje të përbashkët ushtarake në territorin sfidues të ishullit si dhe vlerësuar kontribute të mundshme ushtarake për të mbështetur Danimarkën në shtimin e sigurisë në rajon.

Ushtarët gjermanë gjithashtu u larguan nga Groenlanda më 18 janar, sipas një zëdhënësi të komandës operative të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, një ditë më vonë se sa ishte njoftuar fillimisht.

Vizita e planifikuar tri-ditore u zhvendos një ditë më vonë në mënyrë që ushtria e Gjermanisë të mund të përfitonte nga oferta e Danimarkës për të fluturuar së bashku në Groenlandë më 16 janar, tha Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë, në një deklaratë online.

The post Ushtarët gjermanë nuk u tërhoqën nga Groenlanda prej presionit të Trump appeared first on Faktoje.al.

Sjellja e ujit në hapësirë nuk provon “gënjeshtrat e NASA”

Pretendimi: Një gotë me ujë që shihet në videot e astronautëve kinezë vërteton se pamjet nuk janë filmuar në të vërtetë në hapësirë

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————–

Një gotë uji e palëvizshme në një video që tregon disa astronautë kinezë po përdoret në rrjetet konspiracioniste si provë se “NASA po gënjen.”

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet origjinale janë nga një leksion shkencor i vitit 2021 nga ekuipazhi i Shenzhou-13 i Tiangong, stacionit hapësinor kinez. 

Megjithatë, gota me ujë të palëvizshëm në video nuk është provë mashtrimi: Ekziston një fenomen themelor shkencor që shpjegon sjelljen e ujit.

Në mikrogravitet, objekte si uji dhe enët qëndrojnë në vend përveç nëse diçka i shtyn ose i tërheq. Meqenëse asgjë nuk e shqetësoi ujin në video, ai mbeti i palëvizshëm në gotën e tij. Ky është një shembull i Ligjit të Parë të Njutonit: objektet në qetësi qëndrojnë në qetësi përveç nëse veprohet mbi to nga një forcë e jashtme.

“Molekulave të ujit u pëlqen të ngjiten në xham dhe në molekula të tjera uji më shumë sesa të shpërndahen në ajër”, tha për Associated Press Jordan Bimm, një studiues postdoktoral dhe historian i hapësirës në Universitetin e Çikagos. “Pra, nëse nuk ka forcë të jashtme, uji mbetet në ‘grumbullime’ në mjedisin pa peshë, dhe në këtë rast brenda xhamit.”

Ai shtoi se tensioni sipërfaqësor, një veti e sipërfaqes së një lëngu që ndihmon në përcaktimin e formës së tij dhe i lejon atij t’i rezistojë forcave të jashtme, “gjithashtu punon për të ndihmuar në ruajtjen e formës statike dhe paraqet iluzionin se si do të vepronte uji në tokë”.

Një video e postuar në Weibo, një media sociale popullore në Kinë, në qershor 2022 nga programi hapësinor i Kinës tregon pamje prapa skenave të ekuipazhit Shenzhou-13 duke u përgatitur për mësimin e tyre duke derdhur me kujdes ujë në gotë përmes një pipe në mënyrë që ajo të qëndrojë në vend. Gjithashtu tregon qartë shirita që ngjitin gotën në tavolinë.

Gjatë mësimit të tyre, astronautët demonstruan gjithashtu një sjellje tjetër të ujit unike për mjediset me gravitet zero duke zhytur një top pingpongu në gotë. Topi do të pluskonte në sipërfaqe të ujit nëse do të ishin në Tokë për shkak të lundrueshmërisë së ujit, por në hapësirë ​​ai mbetet i zhytur.

Astronautë të tjerë nga e gjithë bota kanë postuar gjithashtu video rreth mënyrës se si funksionojnë lëngjet në hapësirë, duke përfshirë se si bëjnë kafe ose çfarë ndodh kur shtrydhin një peshqir të lagur.

The post Sjellja e ujit në hapësirë nuk provon “gënjeshtrat e NASA” appeared first on Faktoje.al.

I rremë titulli për rritje tronditëse pensionesh këtë fillimviti

Pretendimi: Kryeministri Edi Rama jep njoftimin për rritje pensionesh që po trondit pensionistët

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————

“Rritje pensionesh?! Edi Rama jep njoftimin që po trondit pensionistët – Shpresë apo zhgënjim i ri?”, lajmëron një postim në Facebook më 14 janar 2026, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.

Megjithatë, pensionistët dhe dashamirësit e tyre nuk duhet të gëzohen para kohe. Ky lajm, dhe gjithë artikulli, janë të rreme.

Në brendinë e artikullit pretendohet se në një komunikim publik, Rama ka lënë të kuptohet se qeveria “po shqyrton mundësinë e një ndërhyrjeje të re në skemën e pensioneve.” Rama gjithashtu citohet të ketë thënë se “pensionistët janë një shtresë që ka dhënë shumë për këtë vend dhe meriton më shumë dinjitet.”

Një tregues fillestar që duhet të na bëjë dyshues është mungesa e ndonjë burimi, reference, apo detaji identifikues si data dhe vendi i deklaratës së Ramës. 

Artikulli flet gjithashtu për debat në opinion publik pa iu referuar ndonjë burimi specifik, përdor fjalë të pacaktuara si “disa” dhe “shumëkush” dhe flet për “ekspertë të ekonomisë” pa dhënë asnjë emër apo institucion.

Termat e vagullt dhe të përgjithshëm të përdorur në artikull, si dhe mungesave e detajeve specifike, na bën të dyshojmë më tej se artikulli jo vetëm që është i rremë, por me gjasa është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale. 

Është e vërtetë se Rama foli për pensionet së fundmi në podkastin e tij të 11 janarit. Megjithatë, ai nuk foli për ndonjë ndryshim në skemën e pensioneve dhe nuk tha se pensionistët kanë dhënë shumë për vendin dhe meritojnë më shumë dinjitet, siç pretendohet në artikull.

Çfarë tha Rama për pensionet në podkastin e 11 janarit 2026

Më herët, në tetor 2025, Rama ka deklaruar se nga janari 2026, pensionet do të rriteshin çdo muaj me 600-1800 lekë në varësi të llojit.

Profili i Facebook që ka ndarë këtë lajm të rremë ka ndarë dhe më parë lajme të rreme të ngjashme, duke pretenduar se gazetari shqiptar Enkel Demi kishte ndërruar jetë dhe se vrasësi i politikanit të ndjerë Sokol Olldashi ishte zbuluar.

The post I rremë titulli për rritje tronditëse pensionesh këtë fillimviti appeared first on Faktoje.al.

❌