Disa nga prodhuesit e produkteve vendase parashikojnë se 2026 mund të sjellë rritje kostosh për ta, për shkak të rritjes së pagës minimale, rritjes të kostos për fuqinë punëtore, ndryshimet e mundshme të çmimeve të lëndëve të para, për sektorë që furnizohen nga tregjet e huaja.
“Kostot do të rriten prej rritjes së pagave, kryesisht prej pagës minimale. Por do të bien prej rënies së çmimit të qumështit nga ferma. Kjo sepse për zonat ku ne grumbullojmë qumësht ka pasur rritje të sasisë së prodhuar apo të grumbulluar të qumështit ndërkohë që shitjet nuk janë rritur.
Çmimet pritet të jenë stabël, të ngjashme me vitin 2025”, pohon Luis Ndreka, nga kompania përpunuese e qumështit ADG (ish-Lufra).
Kurse prodhuesit vendas të birrës parashikojnë se për 2026 do të jenë në presionin e rritjes së kostos, për shkak të koniunkturave të tregjeve të huaja, prej nga furnizohen me lëndë të parë.
“Sipas parashikimeve, kostot mendohet të jenë të pandryshuara në krahasim me vitin 2025. Megjithatë, zëri i kostove varet shumë nga situata ndërkombëtare, pasi ne nuk kemi prodhim vendas për lëndët e para apo për lëndët ndihmëse.
Faktori kryesor varet nga zhvillimet e luftës në Ukrainë (vazhdimi i luftës, arritja e paqes, përfshirja e vendeve europiane në konflikt, kostot e energjisë, etj.).
Faktor tjetër janë zhvillimet e marrëdhënieve SHBA – BE, ku mund të ketë ndryshime të kurseve të këmbimit, të cilat do të pasqyrohen drejtpërdrejt në kostot e blerjes së lëndëve të para”, – pohon Adrian Kostaqi, administrator i birrës “Korça”.
Për sa i përket kërkesës për mallra, prodhuesit e produkteve të bulmetit nuk presin rritje në vitin 2026, pasi nuk kanë pritshmëri për shtim të turistëve të huaj. “Kërkesa për mallra bulmeti pritet të jetë njësoj si në 2025.
Nuk presim rritje, pasi nuk kemi pritshmëri nga turistët”, thotë Luis Ndreka.
Kërkesa për produktet e bulmetit ishte me rënie edhe gjatë 2025, ndryshe nga sa parashikuan përpunuesit. Luis Ndreka, përfaqësues i kompanisë ADG (ish-Lufra) pohoi më herët për “Monitor” se rënia e kërkesës erdhi nga pakësimi i numrit të turistëve të diasporës dhe të Kosovës.
“Kërkesa nga konsumatorët është tkurrur pak, ndërsa konkurrenca në çmime është rritur. Sa i përket turizmit, ardhja e turistëve të huaj nuk ka sjellë efektet e pritshme. Numri total i turistëve ka qenë i njëjtë me vitin e kaluar, por ka pasur ulje të turistëve shqiptarë të diasporës dhe nga Kosova.
Kjo rënie, pjesërisht u zëvendësua me turistët e huaj, të cilët zakonisht nuk parapëlqejnë produktet shqiptare të bulmetit, duke kërkuar më shumë produktet e vendeve të tyre të origjinës”, u shpreh z. Ndreka.
Rënie në konsum në vitin 2026 pritet edhe për prodhuesit e birrës vendase.
Adrian Kostaqi, i birrës “Korça”, thotë se faktori kryesor pengues në shtimin e konsumit do të mbetet humbja e konkurrueshmërisë së produktit vendas, nga akciza e lartë dhe rënia e kërkesës nga familjarët për shkak të çmimeve të larta në bare dhe restorante.
“Tregu i birrës në vendin tonë për vitin 2026 mund të ketë rritje shumë të lehtë, rreth 1–2%.
Konsumi i birrës në vendin tonë është mesatarisht 35–40 litra për frymë në vit, ndërsa tregu i BE-së është përafërsisht 70 litra për frymë në vit. Tendenca e rritjes është gjatë muajve të verës, e ndikuar nga turizmi, periudhë e cila favorizon birrën vendase.
Megjithatë, janë disa faktorë që ndikojnë në pengimin e rritjes së konsumit të birrës vendase:
Akciza e aplikuar për prodhimin vendas është e barabartë me akcizën e shoqërive importuese; Çmime konkurruese nga birrat e importit, si pasojë presion konkurrues mbi çmimet; Ulja e konsumit të pijeve alkoolike në tërësi në ambientet familjare dhe konsumi i tyre kryesisht në bare dhe restorante, ku çmimet e ofruara janë të larta (çmimi mesatar për shishe 0.33 l ose kanaçe 0.5 l në dyqan është 80–120 lekë, ndërsa në bare dhe restorante 200–350 lekë)”, nënvizon z. Kostaqi.
Alban Zusi, drejtuesi i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, thotë se në tërësi, prodhuesit e produkteve bujqësore gjatë 2026 do të hezitojnë të investojnë për rritje aktiviteti.
Ai rendit disa faktorë që pritet të ndikojnë te hezitimi i kompanive për investime, që nga rënia e monedhës Euro, që ende do të nxisë importin e produkteve ushqimore me çmime të lira, turizmi, si dhe mungesa e qartësisë për ndërmarrjen e investimeve në arritjen e standardeve të konkurrueshmërisë para anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Për të gjitha këto arsye, Alban Zusi thotë se për 2026, investimet në sektorin agroushqimor pritet të jenë në stanjacion.
“Zhvlerësimi i monedhës Euro nuk është më problem i eksportuesve, por po kthehet në problem edhe për prodhimin vendas. Rënia e Euros po favorizon importet e produkteve ushqimore me çmim më të lirë, të cilat i japin me çmim të ulët në distribucionet.
Por në këtë situatë nuk po përfitojnë konsumatorët, por po përfitojnë ndërmjetësit e tregtimit të produkteve ushqimore. Është krijuar dominimi i mallrave të importit. Edhe në bregdet, restorantet apo resortet janë të orientuar drejt tregtimit të mallrave të lira që vijnë nga importi, jo për produktet vendase.
Edhe sektori i turizmit nuk po arrin të mbajë levën mbështetëse për prodhimin vendas. Nuk presim gjë nga turizmi.
Edhe për vitin 2026, turizmi do të vijojë të ketë të njëjtën ecuri si në vitin 2025. Ky është niveli i turizmit që mund të arrihet në Shqipëri, pasi nuk ka politika për zhvillimin e strukturave turistike, edhe pse ndaj tyre aplikohet TVSH-ja e reduktuar në 6%”.
Për shkak të rënies së Euros, prodhuesit vendas humbasin në eksport 4 deri në 5% nga të ardhurat e tyre të plota, që mund të jetë 50% i marzhit të fitimit. Kjo vështirëson rritjen e investimeve, sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat nuk e gjejnë veten në këtë situatë dhe ndihen të pasigurta për kreditimin.
Edhe garancia sovrane, që mundëson kredi të buta me deri në 2% interes, nuk po i tërheq. Bizneset nuk janë optimiste për marrjen e saj, pasi nuk shohin perspektivën e rritjes së aktivitetit.
Problem tjetër mbetet rritja e kostos së fuqisë punëtore, për shkak të mungesës së saj. Edhe çështjet e sigurisë së mallrave janë problematike nga mungesa e ligjeve të sigurisë ushqimore në vend. Kjo ka krijuar një situatë të vështirë për eksportin e mallrave vendase edhe në vendet e rajonit.
Për të gjitha këto arsye, pritet që për vitin 2026, investimet në sektorin agroushqimor të jenë në stanjacion. Bizneset do të hezitojnë për të kryer investime, të cilat do të presin vitin 2027 për hapjen e fondeve të IPARD.
Bizneset janë të paqarta edhe për arritjen e standardeve përmes investimeve para anëtarësimit të vendit në BE. Pra, bizneset nuk janë të qarta se me çfarë fondesh do të financohen këto rritje: do të jenë me fondet e BE-së apo nëpërmjet kreditimit.
Është edhe problemi i likuiditetit. Është një periudhë shprese dhe hezitimi. Viti 2026 do të jetë vit stanjacioni ose një “vit studimi” për ta. Bizneset do të presin çfarë do të bëjnë institucionet”.
Lexoni edhe:
Dilemat e ekonomisë, nga pesimizmi i bizneseve te rreziku i flluskës në ndërtim
The post Në vitin 2026, agroindustria pret rritje të kostove dhe rënie konsumi appeared first on Revista Monitor.