Ministri serb i Kulturës, Nikola Selakoviq, dhe tre zyrtarë të tjerë janë përballur me gjykatën nën akuza për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, me qëllim hapjen e rrugës për një projekt ndërtimi që duhej të financohej nga kompania e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump.
Projekti parashikonte ndërtimin e një kompleksi luksoz në vendin e ish-Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë në qendër të Beogradit, por Kushner më pas u tërhoq nga investimi, raporton nova.rs.
Plani ishte mbështetur nga presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili e paraqiti atë si një hap për forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në, por ai u kundërshtua fuqishëm nga publiku dhe organizatat për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm, vepër e arkitektit Nikola Dobroviq, konsiderohet monument i arkitekturës moderniste dhe është e mbrojtur ligjërisht.
Të akuzuarit dyshohet se në vitin 2024 kanë hequr në mënyrë të paligjshme statusin e mbrojtjes së objektit.
Ata rrezikojnë deri në tre vjet burg dhe janë deklaruar të pafajshëm. Gjyqi zhvillohet në një klimë tensionesh politike, protestash masive dhe shqetësimesh për cenimin e pavarësisë së drejtësisë në Serbi. /Telegrafi/
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar Daniel J. Lawton, zëvendës ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit, pranë Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.
Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se gjatë këtij takimi ka theksuar se partneriteti dhe miqësia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të qëndrueshme dhe strategjike.
“Pata nderin në Departamentin Amerikan të Shtetit, të takoj Daniel J. Lawton, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit, pranë Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike. E falënderova Lawton për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës, nga liria jonë deri te ndërtimi i demokracisë dhe institucioneve shtetërore. Theksova se partneriteti dhe miqësia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të qëndrueshme dhe strategjike”, ka shkruar ai.
Tutje Haradinaj ka shkruar se “Anëtarësimi i Kosovës në NATO jo vetëm që do të forcojë sigurinë tonë, por do të kontribuojë gjithashtu në paqe, stabilitet dhe mbrojtje kolektive në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin euro-atlantik”. /Telegrafi/
Video të reja nga Irani tregojnë se forcat e sigurisë nuk janë mjaftuar vetëm me përdorimin e armëve të zjarrit për të shtypur protestat kundër regjimit, por kanë ushtruar dhunë ekstreme edhe duke i shtypur protestuesit me automjete.
Këto pamje tronditëse vijnë nga qyteti i Ardabilit dhe janë pjesë e një vale më të gjerë provash vizuale që dokumentojnë brutalitetin e autoriteteve iraniane ndaj qytetarëve të tyre.
Protestat në Iran shpërthyen si reagim ndaj represionit shtetëror, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe kufizimeve të rënda ndaj lirive personale, veçanërisht ndaj grave dhe të rinjve.
Ato u përhapën shpejt në shumë qytete të vendit, duke përfshirë studentë, punëtorë dhe aktivistë civilë.
Përgjigjja e regjimit ka qenë e ashpër: arrestime masive, përdorim force vdekjeprurëse, mbyllje të internetit dhe censurë të mediave, me qëllim shtypjen e zërit kundërshtues.
Pamjet dhe dëshmitë që dalin nga Irani, pavarësisht përpjekjeve për t’i fshehur, kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare dhe kanë rritur thirrjet për llogaridhënie dhe hetime mbi krimet e kryera ndaj protestuesve paqësorë.
Në thelb, këto protesta përfaqësojnë një rezistencë të gjerë popullore kundër frikës dhe dhunës shtetërore, si dhe një kërkesë të qartë për dinjitet, liri dhe drejtësi. /Telegrafi/
TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës paralajmëroi sot drejtuesit e mjeteve për penalitetet në rast parkimi të gabuar.
Përmes një njoftimi për shtyp, Policia Rrugore bëri të ditur se drejtuesit e mjeteve do të ndëshkohen me masë administrative për parkim të gabuar, me masë për ngritjen me mjet ngritës dhe për qëndrimin në pikën e bllokimit.
Policia Rrugore është pajisur me dy mjete të reja, karrotrec dhe platformë ngritëse, me qëllim heqjen e automjeteve të parkuara gabim. Mjetet e reja do të ndikojnë në lehtësimin e punës dhe në garantimin e lëvizjes së lirë e të sigurt të automjeteve, si dhe në përmirësimin e qarkullimit rrugor në kryeqytet.
Në këtë drejtim, Policia Rrugore e Tiranës u bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Duke apeluar për kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve dhe parkimit të tyre, Policia Rrugore bën thirrje që të mos pengohet lëvizja e këmbësorëve, personave me aftësi të kufizuara dhe mjeteve të emergjencës dhe të mos parkojnë në kryqëzime, mbi trotuare apo përpara hyrje-daljeve të institucioneve dhe banesave, pasi do të hiqen me mjetet ngritëse dhe do të dërgohen në pikën e bllokimit.
Policia Rrugore fton përdoruesit e rrugës të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë për një qarkullim sa më të rregullt dhe të sigurt për të gjithë.
TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu prezantoi sot administratorin e ri të shoqërisë “Illyrian Guard”, Florenc Spahon, i cili pason në këtë detyrë, Enrik Banushin.
Koçiu u shpreh se me emërimin e Spahos shënohet hapja e një kapitulli të ri për këtë kompani sigurie.
Gjatë prezantimit, ministrja theksoi se ndryshimi në lidership nuk përfaqëson vetëm një emërim të ri, por mbi të gjitha një vizion të qartë për transformimin e “Illyrian Guard” në një model shërbimi me standarde të larta profesionale dhe cilësi të qëndrueshme.
“Qëllimi ynë është i qartë, ta kthejmë “Illyrian Guard” në një kompani moderne, efektive dhe referencë në sektorin e sigurisë, një partner të besueshëm për institucionet publike dhe private që kërkojnë shërbime sigurie profesionale me standarde të larta,” u shpreh ministrja.
Ajo nënvizoi se fokusi do të jetë te forcimi i kapaciteteve menaxheriale, rritja e profesionalizmit të personelit dhe garantimi i shërbimeve të sigurta, transparente dhe në përputhje me kërkesat bashkëkohore të tregut të sigurisë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përmes një postimi në Facebook, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka gënjyer lidhur me eventin e organizuar sot për praktikat e punësimit për studentët ekselentë. Berisha ka shpërndarë mesazhin e një “qytetari digjital”, siç i quan ai, i cili informon se takimi nuk është zhvilluar live. Sipas postimit […]
Një debat për përparësinë në trafik ka përfunduar në dhunë fizike në qytetin e Gent, duke çuar para drejtësisë një 23-vjeçar shqiptar, i cili rrezikon deri në gjashtë muaj burg. Ngjarja ka ndodhur më 8 shkurt të vitit të kaluar në lagjen pranë stacionit hekurudhor. Sipas mediave belge, dy shoferë janë konfliktuar fillimisht verbalish për […]
Bill Gates ka reaguar pas publikimit të dokumenteve të reja që lidhen me Jeffrey Epstein, duke deklaruar se është penduar që ka pasur kontakte me të dhe se ka qenë “budalla” që ka kaluar kohë në shoqërinë e tij. Miliarderi amerikan ka sqaruar se emaili i përfshirë në dosjet e publikuara së fundmi nuk i […]
Pa shpresë dhe me projekte të dështuara që do të siguronin punësim, banorët e Lazaratit kanë si mundësi të vetme emigrimin për të siguruar të ardhurat për veten dhe familjet e tyre. Edhe projekti për laboratorin e bimëve medicinale të inaguruar 3 vite më parë nuk funksionoi asnjëherë. Kjo godinë dikur e shkollës “Muhamet Gjollesha” […]
Organizimi i Kupës së Botës 2026 po shoqërohet gjithnjë e më shumë me polemika, teksa FIFA po përballet me pakënaqësi në rritje nga tifozët që synojnë të ndjekin nga afër ndeshjet e turneut.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me çmimet e larta të biletave, ndërsa FIFA ka pranuar se nuk ka mundësi të ndalojë rishitjen e tyre, pasi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo praktikë është e ligjshme.
Së fundmi, ka dalë në pah edhe një tjetër problem, këtë herë i lidhur me infrastrukturën dhe aksesin në stadiume. Ndryshe nga Evropa, transporti publik në SHBA nuk është gjithmonë i zhvilluar në mënyrë që të lehtësojë lëvizjen e tifozëve, duke i detyruar shumë prej tyre të përdorin automjetet personale për të shkuar në impiantet sportive.
Sipas gazetarit Henry Bushnell të ‘The Athletic’, FIFA ka vendosur të shesë edhe vendet e parkimit pranë stadiumeve. Për shembull, një vend parkimi pranë “SoFi Stadium” në Los Angeles po ofrohet me çmim që varion nga 250 deri në 300 dollarë amerikanë për ndeshje.
Përveç kostos së lartë, tifozët janë ankuar edhe për distancën që duhet të përshkojnë nga parkingjet deri në stadium, e cila në disa raste arrin deri në rreth 1.500 metra.
Një tjetër vendim që rrezikon të rëndojë më tej marrëdhënien mes FIFA-s dhe tifozëve, vetëm pak muaj para fillimit të Botërorit më të madh në histori./ET
Kryeministri duhej të ishte fshatar i ardhur nga ku ta dish. Siç i kemi pasur dy a tre kryeministra gjatë tre dekadave të fundit dhe të gjithë kryeministrat në periudhën e diktaturës. Enveri nuk quhet kryeministër, ishte më shumë.
Po të ishte Edi Rama një fshatar nga Çorrush apo nga Vicitoli, me siguri nuk do të kishim rënë në këtë rrezik me foletë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Fëmijëve të fshatit, përfshi edhe mua, prindërit u jepnin mësime me rreziqe, çdo mbrëmje. Iu thonin të ruheshin nga shkëmbi, nga hardhuca, nga lumi, nga gjarpri…
Me grerëzat ishte tregimi më i shpeshtë.
“Kur shihni një fole grerëzash në degën e manit, mos e ngacmoni!”
-Do të shikoni një si top i vogël ngjitur në degë. Do të shikoni sikur fle, sikur nuk ka pasur jetë që në fillim; asgjë as hyn as del. Kësaj ruhuni!- porosisnin prindërit.
Foleja e grerëzave është më dinake se foleja e dhelprës dhe se gjarpri . Grerëzat ‘flenë’ gjithë jetën, por edhe asnjëherë nuk flenë. Po e preke (ç’mu kujtua fraza e Berishës ‘po preke gjënë më të vogël, kam snajper në dorë’)… Por po preke në folenë e grerëzave, atëherë ke prekur rrezikun. Dhjetëra grerëza të nxjerrin sytë.
Këtë po përjeton Edi Rama që preku folenë e gjykatësve dhe të prokurorëve. Nuk e dinte përrallën e fshatit, ky është fati i keq. Kryeministrat nga fshati e kanë grirë vendin, me çfarë kishte ky vend. Këtë e kanë arritur duke u bërë miq me grerëzat.
Çfarë bëri Edi Rama, si kryeministër?
Qysh para disa vitesh trokiti në folenë e tyre të pistë dhe iu kërkoi që të pastrohej shtëpia e Drejtësisë. Aty kishte bashkëpunëtorë krimi, vetë kriminelë, vrasës të të drejtës, trafikantë njerëzish, trafikantë e mafiozë të çdo lloji. Më të shumtët njerëz që shisnin e blinin të drejtat njerëzore dhe pasuroheshin për vete.
E gjitha kjo është. Se ata janë të pareformueshëm. O zhvendoset krimi nga foleja, o të riparosh folenë e të lësh krimin brenda- kjo nuk bën. Po ku ta dinte Rama, që nuk kishte idenë e përrallës në fshat.
Ndërsa populli, në shumicë e ka vuajtur prej 30 vjetësh padrejtësinë që i kanë bërë prokurorët dhe gjykatësit.
Reforma që preku rrezikun e bëri këtë duke menduar se foleja ishte një gjë e brishtë thuajse e vdekur. Por kjo ishte vetëm dukja. Brenda folesë, ku hahen miliona të drejta njerëzore, aty ka tension shumë të madh. Aty secili nga gjyqtarët e prokurorët, si grerëza, mbrojnë copën e tyre. Copa është e majme. Njerëzit më të korruptuar të shoqërisë janë këta të Drejtësisë.
Gabimi i dytë i Reformës, që kësaj here nuk erdhi nga fshati, ishte se e goditi folenë e grerëzave. Saliu dhe Iliri qeshën kur e panë, sepse të dy e kishin mësuar në fshat që ‘mos i sulmo, bëhu me ta!’.
Sapo u sulmua foleja e drejtësisë së plepave dhe e korruptuar, atëherë grerëzat u bënë bashkë, të gjithë në sulm kolektiv. Sot kemi dy shoqata gjyqtarësh që kanë vënë përpara Parlamentin dhe Qeverinë e po u kërkojnë haraç gjithë pushtetin. Ose do t’u nxjerrin sytë.
Nuk është aq e thjeshtë puna se “duam rroga sa presidenti i Amerikës”. Jo. Duan gjithë pushtetin; duan gjithë të drejtën njerëzore që ta grinë në folenë e tyre; duan të mos ketë më përralla si Kuvend, Zgjedhje, Qeveri, Ushtri, Siguri.
“Njerëz, këto mbajini për vete- thërrasin grerëzat- Ne duam folenë tonë në degën e manit”.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka reaguar lidhur me një rast diskriminimi që është transmetuar të martën në mbrëmje në Top Channel.
“KMD shpreh keqardhjen për situatat e përsëritura në këtë format televiziv me shikueshmëri të lartë, që ka një ndikim të gjerë në diskutimin dhe opinionin publik, dhe i fton të jenë më të vëmendshëm në transmetimin publik, me qëllim parandalimin e situatave që mund të shkojnë në kufijtë e gjuhës së urrejtjes”, shkruhet në reagimin publik të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Të martën në darkë, gjatë njërit prej transmetimeve “prime” të formatit Big Brother VIP, u shfaq një video ku njëri prej konkurrentëve artikuloi një frazë diskriminuese dhe fyese ndaj një konkurrenti të verbër në shtëpinë e Big Brother, duke iu referuar me termin “dënim nga Zoti”.
Njëkohësisht, edhe Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë ka reaguar zyrtarisht ndaj këtij episodi, duke e quajtur gjuhën e përdorur një mesazh të rrezikshëm që cenon dinjitetin njerëzor.
“Verbëria nuk është dënim dhe nuk është arsye për poshtërim publik. Një gjuhë e tillë nuk sulmon vetëm një individ, por prek një komunitet të tërë dhe normalizon përjashtimin social”, shkruhet në reagimin zyrtar të Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi gjithashtu shpreh shqetësimin mbi paragjykimet dhe stereotipet negative që rëndojnë sidomos tek njerëzit më të pambrojtur dhe kërkon më tej nga operatori që të garantojë moscenimin e dinjitetit njerëzor.
“KMD fton produksionin e reality show Big Brother VIP dhe operatorin kombëtar Top Channel të analizojë protokollet e formatit, si edhe të krijojë mundësinë e një diskutimi, po në të njëjtin format, mbi personat me aftësi të kufizuara dhe zërat e tyre”, përfundon deklarata zyrtare e KMD./BIRN
Rrjeti social “TikTok” do të jetë i aksesueshëm sërish në të gjithë territorin e Shqipërisë, pas rreth një viti bllokimi. Masë kjo e vendosur nga qeveria pak muaj pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatar i tij, pas një sherri që nisi në këtë platformë.
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për rikthimin e aplikacionit, i cili ishte i bllokuar që më 13 mars 2025.
Në vendim theksohet se “Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore përkatëse, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për heqjen e masave të ndërprerjes së aksesit ndaj platformës”.
Kryeministri Edi Rama kishte deklaruar se mbyllja e TikTok ishte masë e përkohshme dhe se aplikacioni do të rihapej sapo të arrihej dakordësia me kompaninë kineze për vendosjen e filtrave, për të minimizuar ndikimin e mundshëm negativ mbi shëndetin psiko-emocional të fëmijëve.
VENDIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, pika 1, 26, pika 212 pika, 2, 174, 177, pika 5, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 32, pika 4, 32/1, 42 e 46, të ligjit nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr. 18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Arsimit, të ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
1. Heqjen e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën on-line “Tik Tok” në territorin e Republikës së Shqipërisë, pas adresimit të problematikave në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital.
2. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibemetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, ndërmerr veprimet e nevojshme për realizimin e heqjes së masave për ndërprerjen e aksesit të kësaj platforme, duke respektuar edhe dispozitat ligjore për mbrojtjen të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi në territorin e Republikës së Shqipërisë.
3. Vendimi nr.151, datë 6.3.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line “Tik Tok”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë, Ministri lafrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Punëve të Brendshme. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe autoritetet rregullatore sektoriale për zbatimin e këtij vendimi./ET
Një debat për përparësinë në trafik ka përfunduar në dhunë fizike në qytetin e Gent, duke çuar para drejtësisë një 23-vjeçar shqiptar, i cili rrezikon deri në gjashtë muaj burg.
Ngjarja ka ndodhur më 8 shkurt të vitit të kaluar në lagjen pranë stacionit hekurudhor. Sipas mediave belge, dy shoferë janë konfliktuar fillimisht verbalish për përparësinë e kalimit.
Situata ka dalë jashtë kontrollit kur i riu shqiptar ka zbritur nga makina, ka hapur derën e automjetit të shoferit tjetër dhe e ka goditur atë tri herë me grusht në fytyrë.
Viktima ka pësuar lëndime dhe është shpallur e paaftë për punë për tre ditë. Avokati i tij ka deklaruar se pasojat nuk janë vetëm fizike, por edhe psikologjike./ET
Deputeti demokrat Belind Këlliçi pyet publikisht kryeministrin Edi Rama, nëse zyra e biznesmenit në kërkim Ergys Agasi në zonën e Bllokut në Tiranë, ishte e regjistruar në Drejtorinë e Tatimeve, ashtu siç kreu i qeverisë po pyet për Shoqatën e Prokurorëve.
“Edi Rama paska zbuluar sot në kohë rekord në mënyrë të rrufeshme, se shoqata e prokurorëve nuk qenka e regjistruar tek tatimet! Për tu admiruar kjo zotësi e qeverisë për kontroll e monitorim. Por 2 pyetje ngrihen sot”, shkruan Këlliçi, teksa shtron pyetjet:
– A e dinte Edi Rama me gjithë këtë informacion që ka nëse ishte e regjistruar, ku ishte dhe çfarë aktiviteti ushtronte zyra e Gys Agasit në Bllok, aty ku paraqiteshin në radhë zyrtarë të lartë të qeverisë?! A ishte kjo një zyrë që po ashtu siguronte verën 33 mijë euro për atë, e organizonte dhe rrëmbime personash?!
– Dhe e dyta, a kishte dijeni Edi Rama që posedon gjithë këtë informacion në kohë rekord, se ku ishin godinat dhe si ishin sistemuar 50 kompani të regjistruara në Durana Park, të cilat çuditërisht gjetën parajsën fiskale në një livadh?!
Sipas deputetit demokratë, këto janë dëme të mëdha dhe që u interesojnë qytetarëve e taksapaguesve, sepse të tjerat sipas Belind Këlliçit, janë përralla të lodhura për të ushqyer një propagandë të skaduar.
Ai thotë se kjo propagandë paguhet me paratë e inceneratorit inekzistent të Tiranës, të cilin si një nga denoncuesit më të mëdhenj, deputeti thekson se Edi Rama nuk e gjen dot.
Mesatarisht 2 573 persona ndodhen në paraburgim në Shqipëri, një shifër që sipas ekspertëve të Këshillit të Evropës tregon përdorim të tepruar të masës së paraburgimit dhe cënim të së drejtës për liri dhe siguri personale.
Në raportin e hartuar nga gjyqtarë dhe prokurorë evropianë, i cili u prezantuan në një tryezë të përbashkët me ministrin e Drejtësisë, kërkohen ndryshime urgjente ligjore për ta kthyer paraburgimin në masë të jashtëzakonshme, kufizim të veprave penale që çojnë në arrest me burg, ulje të afateve dhe përdorim më të gjerë të masave alternative, si monitorimi elektronik dhe arresti shtëpiak.
Raporti prej 51 faqesh, është përgatitur nga gjyqtari belg Theo Byl, zëvendësprokurori i përgjithshëm italian Nicola Lettieri dhe gjyqtari portugez Filipe César Marques.
Sipas ekspertëve, problemi nuk zgjidhet duke ndërtuar më shumë burgje, por duke ndryshuar politikën penale dhe mënyrën se si autoritetet gjyqësore justifikojnë vendimet për heqjen e lirisë.
Sipas tyre, gjykatat duhet të argumentojnë qartë pse paraburgimi është i domosdoshëm dhe pse masat alternative nuk janë të mjaftueshme.
Një nga rekomandimet kryesore është kufizimi i veprave penale për të cilat mund të caktohet paraburgimi. Ekspertët sugjerojnë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke përcaktuar që paraburgimi të lejohet vetëm për krime që parashikojnë dënim maksimal jo më pak se 5 vjet burg. Sipas tyre, vepra të lehta, si vjedhja e thjeshtë, nuk duhet të çojnë kurrë në paraburgim.
Po ashtu, kërkohet heqja e formulimeve të paqarta ligjore si “dyshim i arsyeshëm” dhe zëvendësimi me kritere më konkrete të bazuara në prova dhe indicie. Në raport thuhet ndër të tjera se vendimet standarde konsiderohen në kundërshtim me standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Po ashtu, ekspertët rekomandojnë uljen e afatit maksimal të paraburgimit (deri në 1 vit për vepra më pak të rënda dhe 2 vite për vepra të rënda); rishikim të rregullt të paraburgimit nga gjykata, ku barra e provës i takon prokurorisë; si dhe apelim efektiv të vendimeve dhe afate më realiste për shqyrtimin e çështjeve komplekse.
Një theks i veçantë i vihet masave alternative, si monitorimi elektronik, arresti shtëpiak, garancia pasurore dhe ndalimi i largimit nga vendi.
Në fund, ekspertët e Këshillit të Evropës kërkojnë përshpejtim të hetimeve, rritje të kapaciteteve në prokurori, gjykata dhe polici, si dhe një ndryshim të mentalitetit të trashëguar./ET
Gjykata Kushtetuese ka publikuar Aktgjykimin lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Sipas Kushtetueses, zgjedhja e Rashiq më 10 tetor 2025 nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
“TË KONSTATOJË, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër, që Vendimi [nr. 09-V071] i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i 10 tetorit 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në Aktgjykim.
Teksti i plotë i aktgjykimit është i qasshëm në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka bërë të ditur se, sipas të dhënave për vitin 2024, në Kosovë janë raportuar gjithsej 4,620 raste me kancer, prej të cilave 2,546 raste te vajzat/gratë dhe 2,074 raste te djemtë/burrat.
Gjatë po këtij viti janë regjistruar 3,644 raste të reja, prej të cilave 1,866 te vajzat/gratë dhe 1,758 te djemtë/burrat.
“Me moton ‘Të bashkuar nga e veçanta’, sot shënohet Dita Botërore e Kancerit, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe nxitjes së një angazhimi të përbashkët institucional dhe shoqëror për parandalimin, zbulimin e hershëm, si dhe përmirësimin e trajtimit dhe shërbimeve shëndetësore për personat e prekur nga kanceri”, thuhet në komunikatën e MSh-së të publikuar në Ditën Botërore të Kancerit.
Qeveria shqiptare ka vendosur të rikthejë aksesin në platformën TikTok, një vit pas vendimit për bllokimin e saj. Ky vendim u mor gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave të mbajtur këtë të mërkurë.
Në vendim parashikohet heqja e masave të përkohshme që ndalonin aksesin në TikTok, pas shqyrtimit të problematikave në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në bashkëpunim me entet rregullatore, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për rikthimin e platformës, duke respektuar ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Gjithashtu, vendimi shfuqizon masat e vendosura më 6 mars 2025 me vendimin nr.151, që kishte kufizuar aksesin në TikTok për të parandaluar ndikimet negative në mjedisin digjital dhe shoqëror.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar se Lord Peter Mandelson “gënjeu vazhdimisht” për marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein dhe shprehu keqardhjen që e kishte emëruar atë si ambasador të SHBA-së në vitin 2024.
Starmer gjithashtu i tha Parlamentit se do të publikojë të gjitha materialet që lidhen me emërimin e Lord Mandelson, duke përjashtuar ato që lidhen me sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ndërkohë, udhëheqësja konservatore Kemi Badenoch akuzoi Starmer se po përpiqet të “sabotojë” publikimin e këtyre dokumenteve.
Një ditë më parë, Peter Mandelson dha dorëheqjen në Dhomën e Lordëve Britanikë, dhomën e sipërme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, pas zbulimit të një sërë email-esh kontraverse dhe kompromentuese që e lidhin atë me autorin e dënuar të krimit seksual, Jeffrey Epstein. Këto përfshijnë email-e që dyshohet se rrjedhin nga komunikime konfidenciale të qeverisë britanike.
Sipas gazetës Guardian, Mandelson i kishte dërguar Epstein një seri emailesh që përmbanin informacione të marra gjatë kohës që ishte ministër i ekonomisë në qeverinë e ish-kryeministrit britanik Gordon Brown, duke përfshirë detaje mbi masat që qeveria po merrte për t’u përballur me krizën globale financiare.