TIRANË, 1 shkurt /ATSH-Maela Marini/ Konstitucionalistja Aurela Anastasi, anëtare e Akademisë së Shkencave, në një intervistë dhënë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) deklaron se: “Shqipëria është shtet unitar dhe nuk e ka traditë senatin si dhomë e parlamentit, ndërkohë që propozimi për reduktimin në 100 deputetë duhet të analizohet, pasi nga pikëpamja kushtetuese lidhet veçanërisht me normën e përfaqësimit të popullit në organin më të lartë përfaqësues”.
E pyetur lidhur me propozimin për ndryshimin e Kushtetutës për reduktimin e numrit të deputetëve në Kuvend, konstitucionalistja Anastasi shprehet se së pari, ndryshimet kushtetuese duket të shërbejnë si moment për fuqizimin e demokracisë.
Në këtë drejtim, ajo nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare përmes diskutimit dhe konsultimit publik për ndryshimet kushtetuese.
“Njoftimi i nismës për ndryshimin e Kushtetutës kërkon që shoqëria të përgatitet për të thënë fjalën e saj në kohën e duhur. Idetë e propozuara lidhen vetëm me një reformë parlamentare. Konkretisht, nga pikëpamja përmbajtjesore, kërkohet pakësimi i anëtarëve të Kuvendit, nga 140 anëtarë në 100 anëtarë si dhe krijimi i një senati, si dhomë e dytë e parlamentit. Nga pikëpamja e procesit, kemi vetëm dy të dhëna: krijimin e një komisioni që do të hartojë ndryshimet dhe kohëzgjatjen për miratimin e tyre, pikërisht, deri në fund të kësaj legjislature”, tha Anastasi.
Kohëzgjatja në të cilën realizohen ndryshimet kushtetuese, për Anastasin, është shumë e rëndësishme për procesin e konsultimit qytetar të amendamenteve.
Në këtë rast, sipas saj, “duket sikur ka kohë, por kjo kohë merr vlerë vetëm nëse nuk do të shpërdorohet”.
“Procesi për ndryshimet kushtetuese ka nevojë për një kodifikim më të mirë të rregullave për përgatitjen dhe miratimin e ndryshimeve. Ky është një detyrim i rëndësishëm kushtetues. Për më tepër, që nga viti 2016, Kushtetuta ka vendosur se për amendamentet e Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese mund të kontrollojë respektimin e procedurës së parashikuar nga Kushtetuta. Deri tani, rregullat e procesit për amendamentet kushtetuese, përpos atyre të përcaktuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 177), janë vendosur edhe nga Rregullorja e Kuvendit”, tha Anastasi.
Ajo theksoi se Rregullorja e Kuvendit ka nevojë për rishikim dhe plotësime që sigurojnë krijimin e komisionit përgatitor, pjesëmarrjen e grupeve të interesit dhe të shoqërisë civile, si dhe kohëzgjatjen e mjaftueshme për të diskutuar projektin me ta.
“Nuk mjafton vetëm rregulli për transmetimin e hapur në media të punimeve parlamentare për diskutimin e ndryshimeve kushtetuese. Në Rregullore nevojiten edhe rregulla për krijimin e komisionit përgatitor, dëgjimin e diskutimin e projektit me përfaqësues të grupeve të ndryshme shoqërore, etj. Për këtë ka nevojë të përcaktohen edhe afate efektive”, tha Anastasi, ndërsa vlerësoi se aktualisht afatet e përcaktuara në Rregullore janë mjaft të ngushta.
Në kuptimin e procesit kushtetues, Anastasi theksoi se “mjaft e rëndësishme mbetet edhe mbarëvajtja e referendumit”.
“Neni 177 i Kushtetutës ka parashikuar mundësinë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese me referendum në dy raste. Së pari, Kuvendi mund të vendosë me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij që projektamendamentet kushtetuese të votohen me referendum. Së dyti, amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, tha ajo.
Nga ana tjetër, Anastasi theksoi se “dispozitat aktuale të Kodit Zgjedhor për referendumet janë shumë të mangëta dhe kanë nevojë të rishikohen”.
“Kjo kërkohet për të gjitha llojet e referendumeve, por veçanërisht për këto referendume. Mungesa e dispozitave ligjore mund të bëhet shkas për pakushtetutshmëri të procedurave në bazë të Kushtetutës. Nga ana tjetër, në lidhje me pjesëmarrjen qytetare në vendime kaq të rëndësishme për vendin, jemi shumë mbrapa në kohë. Kodifikimi i rregullave për procesin e amendimit kushtetues do t’i shërbente konsolidimit të demokracisë në Shqipëri, sidomos në kuadrin e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë popullore me referendum”, tha ajo.
Në lidhje me krijimin e komisionit për përgatitjen e ndryshimeve kushtetuese, Anastasi u shpreh se është e rëndësishme që ai të ketë një mandat të qartë, i cili t’u bëhet i ditur edhe qytetarëve.
“Punimet e tij duhet të jenë të hapura për publikun. Kjo kërkesë siguron jo vetëm legjitimitetin e ndryshimeve, por edhe përgjegjshmërinë politike në lidhje me qëllimin e ndryshimeve. Kushtetutshmërisht, qëllimi i ndryshimeve është shumë i rëndësishëm në rastin e amendamenteve. Nëse ka ardhur një “moment kushtetues” për ndryshime në ndërtimin e Kuvendit, kjo nuk do të thotë që nismëtarët apo komisioni të nxjerrin një produkt me ndryshime për të tjera qëllime”, tha Anastasi.
Për Anastasin, e drejta e qytetarëve për të mos u ndjerë të befasuar nga amendime të befta, sikurse ndodhi me ndryshimet kushtetuese në vitin 2008, është një e drejtë procedurale me rëndësi kushtetuese. “Gjykata Kushtetuese mund ta shqyrtojë këtë në kuadrin e procedurës së parashikuar nga Kushtetuta”, theksoi ajo.
Duke u ndalur te përmbajtja e propozimeve, Anastasi theksoi se “propozimi për të pakësuar numrin e deputetëve është vetëm një ide që ka nevojë të analizohet”.
“Nuk e kemi të qartë shkakun apo arsyen e këtij ndryshimi, i cili ka nevojë të shtjellohet. Nga pikëpamja kushtetuese, numri i anëtarëve të parlamentit, lidhet veçanërisht me normën e përfaqësimit të popullit në organin më të lartë përfaqësues. Ky është aspekti kryesor. Por mund të lidhet me cilësinë dhe efektivitetin e ndërtimit të brendshëm dhe të jashtëm të Kuvendit. Lidhja me nevojat financiare nuk është prioritare për ndryshimet”, shtoi ajo.
Ndërkohë, Anastasi theksoi se “ideja për krijimin e një senati si Dhoma e Dytë e Kuvendit të Shqipërisë, është diskutuar gjerësisht përgjatë procesit për Kushtetutën e vitit 1998”.
“Komisioni për hartimin e Kushtetutës si dhe ekspertë të Komisionit të Venecias kanë zhvilluar analiza dhe bisedime të vyera për këtë çështje. Një pjesë e tyre janë botuar edhe në përmbledhjen e diskutimeve për Kushtetutën në vitin 2006. Prandaj, një analizë mbi këtë propozim nuk ka përse të fillojë nga e para, por aty ku ka mbetur, për të parë nëse ka ndryshuar diçka nga ato rrethana që u diskutuan atëherë”, shtoi ajo.
Anastasi theksoi se “një senat në parlamentin e Shqipërisë nuk ka mbështetje as nga tradita, as nga forma e organizimit të Shqipërisë, e cila është një shtet unitar”.
Në përfundim, Anastasi theksoi se “procesi për diskutimin dhe konsultimin e propozimeve për amendamentet kushtetuese ka një rëndësi të veçantë kushtetuese”.
“Nga njëra anë, ai e bën më cilësor përmbajtjen e amendamentit dhe nga ana tjetër, e bën më të kuptueshëm dhe më të qartë për qytetarët, duke e rritur pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrjen, mjaft e nevojshme për legjitimitetin e amendamenteve”, tha ajo.
Ndaj, Anastasi theksoi se një “moment kushtetues” për ndryshimin e Kushtetutës duhet konsideruar i lidhur ngushtë me “momentin kushtetues” për forcimin e demokracisë.
/r.e//a.g/
The post Anastasi për ATSH-në: Ndryshimet Kushtetuese, moment për fuqizimin e demokracisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.