Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rama ndan pamje nga takimet në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara


TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili organizohet nën kujdesin e veçantë të presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Kreu i qeverisë ndau pamjet në rrjetet sociale nga pjesëmarrja në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Zayed”, të cilat nderojnë iniciativat humanitare të atyre që kontribuojnë në vendet në zhvillim.

Çmimet u akorduan për projekte dhe organizata që kanë punuar lidhur me përmirësimin e arsimit dhe shkollimit, sigurimin e ujit të pijshëm, mbështetjen e ushqimit për komunitetet në nevojë si dhe për nisma që adresojnë ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ndërkaq, kryeministrit Edi Rama iu akordua medalja “Zayed” nga presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nayan. Rama theksoi se ky është respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar.

Kreu i Ekzekutivit ishte i pranishëm në këtë event me ftesë të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ky forum ndërkombëtar bën bashkë kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.

/m.q/r.e/a.f/

The post Rama ndan pamje nga takimet në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mozaiku “Dielli i ditës tjetër” do të qëndrojë në AQShF

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Mozaiku “Dielli i ditës tjetër”, i artistes Blerta Kambo, i cili ndërthur trashëgiminë kulturore me ndërgjegjësimin shëndetësor, do të qëndrojë në pjesën lindore të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQShF).

“Tashmë “Shqipja” siç i thërrasim ne ose “Dielli i ditës tjetër” i rikrijuar nga artistja Blerta Kambo dhe i mbështetur nga MTKS do të qëndrojë në pjesën lindore të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

“Faleminderit Blerta Kambo që kujtesës arkivale shqiptare i shtove gjendjen tënde muzeale! Një mozaik që nuk rri në mur, por të rri përballë. Të shikon drejt e në sy, pa zë, dhe të pyet gjëra që i ke shmangur gjithë ditën. Copëza të vogla, të thyera, ngjyra që rrisin emocionet si ne. Dhe prapë, kur bashkohen, bëhen figurë. Bëhen kujtesë. Ky mozaik flet për dhimbjen dhe artin! Flet për durimin dhe gruan. Për kohën. Për njeriun që thyhet dhe ndërtohet copë copë derisa më në fund guxon të qendrojë drejt”, njoftoi AQShF.

Fasada e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë u transformua përkohësisht në nëntor të vitit të kaluar përmes instalacionit “Dielli i ditës tjetër”, ku historia bashkohet me artin bashkëkohor.

Artistja zgjodhi të vendosë mbi figurën kryesore femërore të mozaikut monumental “Shqipëria”, një element të ri artistik, rikontekstualizuar si një gjest simbolik në mbështetje të grave që përballen me kancerin e gjirit.

Në “Dielli i Ditës Tjetër”, kjo figurë e njohur e mozaikut rishfaqet me kokë të qethur dhe me një shenjë në gjoksin e djathtë, si shenjë solidariteti me të gjitha gratë që përballen ose kanë mbijetuar nga kanceri i gjirit.

Ky gjest artistik e zhvendos heroinën mitike të mozaikut në figurën e gruas reale bashkëkohore, të ndjeshme, të plagosur, por të fortë dhe në lëvizje përpara. Një vepër që flet për jetën, forcën dhe rilindjen si pjesë e kujtesës dhe ndërgjegjësimit kolektiv.

Instalacioni qëndroi i dukshëm në fasadën e muzeut, si kushtim për 1 në 12 gra që diagnostikohen me kancer gjiri, një kujtesë e përbashkët dhe një thirrje për ndërgjegjësim, solidaritet dhe shpresë.

/m.q/r.e/

The post Mozaiku “Dielli i ditës tjetër” do të qëndrojë në AQShF appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Qeveria ka zero legjitimitet, PD beson në pushtetin me votën e lirë

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot turin e radhës të “Foltores” me demokratët në qytetin e Lezhës.

Në fjalën e tij Berisha u ndal tek situata brenda partisë si dhe përballja me qeverinë. Në 35-vjetorin e krijimit të degës së PD-së në Lezhë, Berisha tha se kjo ditë është “një kushtrim i madh të përmbushim misionin tonë”.

Sipas Berishës, qeveria ka zero legjitimitet, ndërsa theksoi se kryeministri Edi Rama “ka grabitur mandate me të gjitha mënyrat”. Berisha bëri thirrje që “mos të bllokohet drejtësia”.

“Një pushtet i paligjshëm nuk tolerohet. Një pushtet i paligjshëm rrëzohet dhe vetëm rrëzohet”, tha Berisha, teksa shtoi se PD “beson në pushtetin me votën e lirë dhe në rrugë paqësore”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se opozita i ka fituar të gjitha betejat “kur ka dalë në shesh me moton “ja vdekje, ja liri””.

“Edhe një herë, ne, mbajeni mend, kemi fituar në të gjitha rastet kur kemi dalë në shesh ja vdekje, ja liri. Kemi fituar në vitet ’90 me këtë moto. Kemi fituar në vitet ’98-99 po me këtë moto, na vranë. Po ne u hodhëm me moton “ja vdekje, ja liri”. Dhe kur ne themi këtë, nuk ka forcë në botë që na mposht. Ndaj dhe ky është misioni. Ky është misioni që na thërret çdo demokrati e demokrateje, çdo shqiptari e shqiptareje. Ne jemi të pamposhtur, ne e kemi faktuar.

Vendi kërkon qeveri legjitime, vendi kërkon qeveri të dalë nga vota e lirë. Vendi kërkon që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë, të zgjedhin atë që duan”, theksoi kreu i PD.

Berisha ftoi qytetarët që të marrin pjesë në protestën që do të mbahet në datën 24 janar.

“Ju garantoj se PD do përmbushë misionin e saj, detyrimin që ka për të garantuar votën e lirë të shqiptarëve dhe fitoren e opozitës. Më 24 janar, Tirana, sheshet dhe rrugët janë të opozitës. Ndaj dhe ju ftoj të derdhemi të gjithë në Tiranë për të treguar vendosmërinë tonë për të larguar me vendosmëri këtë qeveri nga pushteti”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu garantoi se “PD është në një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm të ripërtëritjes, të përpunimit të programit dhe strategjisë për të realizuar misionin e saj, përmbysjen e diktaturës së dytë në Shqipëri dhe rikthimin e demokracisë”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha: Qeveria ka zero legjitimitet, PD beson në pushtetin me votën e lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: 113 vjet Policia e Shtetit, mirënjohje për sakrificën dhe shërbimin ndaj qytetarëve

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Me rastin e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla dha një mesazh mirënjohjeje për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit ndër vite, duke nderuar veçanërisht dëshmorët që kanë dhënë jetën në shërbim të rendit dhe sigurisë publike.

“113-vjetori i krijimit të Policisë së Shtetit është një ditë e shënuar kujtese dhe mirënjohjeje për të gjithë punonjësit e trupës policore shqiptare ndër vite. Shqipëria nderon dhe përulet para sakrificave sublime të dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

“Jetët dhe gjaku i dëshmorëve të Policisë janë një reflektim dhe detyrim për drejtuesit dhe punonjësit aktualë të kësaj trupe për ta kryer këtë detyrë me përkushtim dhe ndershmëri!”, shkruan Balla në mesazhin e tij.

Në këtë rrugëtim 113-vjeçar, 231 punonjës policie kanë rënë dëshmorë, duke dhënë jetën në krye të detyrës për mbrojtjen e ligjit dhe rendit.

Policia e Shtetit Shqiptar u krijua më 13 janar 1913, me vendim të Qeverisë së Përkohshme të drejtuar nga Ismail Qemali, dhe prej mëse një shekulli ka qenë një nga institucionet themelore të rendit dhe sigurisë në vend.

/m.q/a.f/r.e/

The post Balla: 113 vjet Policia e Shtetit, mirënjohje për sakrificën dhe shërbimin ndaj qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjenden dy barinjtë e mbetur në tokat e përmbytura në Hasturkas

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Dy barinj, të cilët kishin humbur kontaktin në tokat e përmbytura në zonën e Hasturkasit në Fier, janë gjetur pas disa orësh kërkime.

Kështu bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili theksoi se “AKMC, në koordinim me strukturat e Mbrojtjes Civile vendore dhe qendrore, bëri të mundur gjetjen në kushte të mira shëndetësore“.

“Siguri për ta dhe për gjithë banorët, si dhe ushqimi i nevojshëm për gjënë e gjallë,” nënvizoi Vengu.

Lokalizimi i tyre u bë përmes një droni termik.

/m.q/r.e/a.f/

The post Gjenden dy barinjtë e mbetur në tokat e përmbytura në Hasturkas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balliu: Qeveria e ktheu uniformën blu në mburojë të bandave

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Policia e Shtetit shënon sot 113-vjetorin e themelimit. Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në një deklaratë për mediet nga selia blu, theksoi se qeveria e ka kthyer uniformën blu në mburojë të bandave.

Sipas tij, ky 113-vjetor e ka gjetur Policinë e Shtetit në ditët më të zeza të historisë së saj.

Në fjalën e tij, Balliu tha se shumë efektivë policie të cilët kanë janë betuar që të zbatojnë ligjin në shërbim të qytetarit, janë përndjekur e kërcënuar nga kryeministri Edi Rama.

“Synimi ka qenë i qartë. Të përzënë çdo polic dinjitoz, që ngre zërin kundër padrejtësive dhe shkeljes së ligjit”, tha ai.

Gjithashtu Balliu theksoi se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilirjan Proda është emëruar nga krimi i organizuar.

“Sot ka shefa policie dhe drejtorë që dalin në përgjime si prodhues dhe trafikantë droge, që manipulojnë provat në favor të kriminelëve, që u japin informacion vrasësve me pagesë, që u nxjerrin në pritë kriminelëve policët e ndershëm, duke çuar informacion te shokët e tyre banditë”, tha ai.

Balliu iu bëri thirrje të gjithë policëve që “të refuzojnë urdhrat e paligjshëm të drejtuesve narkotrafikantë, dhe t’i bashkohen përpjekjeve kombëtare, të opozitës dhe çdo qytetari të ndershëm, për të hequr qafe këtë bandë vjedhësish, që po mban peng të ardhmen e shqiptarëve që kanë vendosur të jetojnë në atdhe”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Balliu: Qeveria e ktheu uniformën blu në mburojë të bandave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJKKO dënon për korrupsion zgjedhor dy të pandehur

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) shpalli sot fajtorë Pandeli Bozhën dhe Vladimir Lushkajn, të akuzuar për korrupsion në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të hetuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, GJKKO me trupë gjykuese i përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Bib Ndreca, shpalli fajtor të pandehurin Pandeli Bozha për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Bozha, i cili është babai i kandidates për deputete e Partisë Socialdemokratike në Fier, u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, dënim i cili u ul me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke u konvertuar në 1 vit burgim. Në përfundim, dënimi iu konvertua në një periudhë 24-mujore, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.

Fajtor u shpall edhe Vladimir Lushkaj për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, por sipas GJKKO ky dënim shuhej, pa përcaktuar masën e tij.

Sa i përket provave materiale, gjykata urdhëroi që një kartëmonedhë prej 2 mijë lekësh, t’i kalojë në favor shtetit, ndërsa një fletë e ngjashme me fletët e votimit, ku ishte e ngjyrosur emri i një kandidateje për deputete, të administrohet si pjesë e fashikullit gjyqësor.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

/m.q/r.e/a.f/

The post GJKKO dënon për korrupsion zgjedhor dy të pandehur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga Greqia në Durrës, sulmuesi Manssour Fofana firmos me Teutën

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Teuta e Durrësit në Superligën e futbollit ka zyrtarizuar këtë të hënë firmën me sulmuesin e majtë, Manssour Fofana. 23-vjeçari nga Bregu i Fildishtë e ka nisur karrierën në Itali me Cannara në ligat e ulëta, për të vijuar më pas në Greqi me Veria NPS, PAS Giannina dhe së fundmi AO Egaleo.

“Sulmuesi i majtë nga Bregu i Fildishtë, Manssour Fofana, i bashkohet Teutës pas disa viteve eksperiencë në kampionatin grek, ku ka veshur fanelat e Veria NPS, PAS Giannina dhe së fundmi AO Egaleo. 23-vjeçari pritet të forcojë repartin ofensiv të skuadrës sonë, duke sjellë më shumë intensitet, shpejtësi dhe rrezikshmëri në sulm”, njofton klubi durrsak.

Gjatë këtij sezoni në Ligën e dytë greke, Manssour Fofana është aktivizuar në 16 takime dhe ka shënuar një gol. Trajneri i durrsakëve, Enkeleid Dobi, shpreson që klubi të ketë afruar një element me cilësi në repartin sulmues.

KF Teuta me 25 pikë pas 18 ndeshjeve të luajtura këtë sezon në Superligë mban vendin e pestë në klasifikim.

/m.q/a.f/r.e/

The post Nga Greqia në Durrës, sulmuesi Manssour Fofana firmos me Teutën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pr.ligji “Për Prefektin e Qarkut”, shtohet për herë të parë pozicioni i Prefektit Detar

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Projektligji i ri “Për Prefektin e Qarkut” është në fazën e konsultimit publik.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, theksoi se me këtë projektligj “forcojmë rolin e prefektit në sigurinë publike, mbrojtjen e territorit dhe menaxhimin e emergjencave civile, duke garantuar që çdo qytetar, në të gjithë territorin e vendit, të përfitojë shërbime me standarde të larta, mbështetje dhe siguri”.

Gjithashtu, sipas Koçiut, prezantohet për herë të parë nocioni i Prefektit Detar, për monitorimin dhe mbrojtjen e vijës bregdetare.

Projektligji “Për Prefektin e Qarkut” synon të riformësojë rolin e prefektit si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në territor dhe të forcojë mekanizmat e koordinimit mes institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor.

Projektligji parashikon një rol më aktiv të prefektit në ndërlidhjen e veprimtarisë së administratës shtetërore me pushtetin vendor, si dhe në raportimin e drejtpërdrejtë pranë Kryeministrit në rastet kur problematikat nuk gjejnë zgjidhje në nivel ministror.

Risi e paketës ligjore është krijimi i institucionit të “Prefektit Detar”, një strukturë e re që synon forcimin e sigurisë në zonat bregdetare. Sipas projektligjit, do të emërohen dy prefektë detarë, me qendra në Durrës dhe Vlorë, me juridiksion mbi dhe nën lumin Seman. Prefekti Detar do të ketë përgjegjësi të gjera në koordinimin e sigurisë detare, monitorimin e vijës bregdetare, menaxhimin e burimeve detare, sigurinë e plazheve, luftën kundër aktiviteteve të paligjshme në det dhe drejtimin e strukturave për emergjencat civile detare.

/m.q/a.f/r.e/

The post Pr.ligji “Për Prefektin e Qarkut”, shtohet për herë të parë pozicioni i Prefektit Detar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në Emiratet e Bashkuara Arabe, merr pjesë në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe për të marrë pjesë në Javën e Qëndrueshmërisë “Abu Dhabi Sustainability Week 2026” (ADSW).

“Si gjithnjë të mikpritur vëllazërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, këtë herë me ftesë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, për të diskutuar projektet e përbashkëta në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë është shoqëruar edhe nga disa ministra e kryetarë bashkish.

Ky forum ndërkombëtar sjell së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.

1 nga 4

/m.q/a.f/r.e/

The post Rama në Emiratet e Bashkuara Arabe, merr pjesë në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Më 24 janar, kryengritje qytetare kundër korrupsionit

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e përjavshme para godinës së Kryeministrisë, ku ishte vendosur edhe foltorja.

Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje për protestë më 24 janar qytetarëve, intelektualëve dhe të rinjve që të bashkohen në një front të vërtetë opozitar për përmbysjen e asaj që ai e quajti “narkodiktaturë”.

Ai theksoi se protestat do të jenë paqësore, por të vendosura, dhe se opozita do të bëjë gjithçka për një kryengritje qytetare kundër korrupsionit, varfërisë dhe kapjes së shtetit.

“Më 24, të gjithë në këtë shesh për të treguar fuqinë e bashkimit të shqiptarëve, fuqinë e guximit të shqiptarëve, vizionin ne tyre, shpirtin e pamposhtur të popullit opozitar. Të dashur miq, këto ditë që na ndajnë është jetike që secili prej nesh të ulet rrafsh, të bisedojë me çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij politike.

“Të bashkohemi, të bisedojmë me çdo intelektual, pavarësisht nga qëndrimet e tij, të dalë nga konformizmi, të harrojë se konformizmi është sëmundja më e tmerrshme e një intelektuali. Se konformizmi nuk i lejon atij të përmbushë misionin e madh para qytetarëve, para popullit të tij”, tha Berisha.

Berisha tha se kryeministri Edi Rama po bllokon sistemin e drejtësisë për të mbrojtur Belinda Ballukun, ndërsa shtoi se qeveria mbahet në këmbë nga mashtrimi, propaganda dhe korrupsioni.

Berisha e mbylli fjalën me thirrje për unitet, guxim dhe angazhim qytetar, duke deklaruar se ka ardhur koha që qeveria të përballet me zemërimin e shqiptarëve dhe me kërkesën për ndryshim rrënjësor.

“I bëj thirrje të rinjve të ngrihen në lartësinë e misionit të shenjtë, hyjnor. Gjenerata e tyre është gjenerata e misioneve të mëdha. Ndaj dhe ftoj çdo të ri të këtij vendi të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij dhe me guximin, energjinë të bëjë çdo gjë për largimin e këtij regjimi armiqësor ndaj shqiptarëve”, tha Berisha.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha: Më 24 janar, kryengritje qytetare kundër korrupsionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Bllokimi gjashtëjavor i kërkesës së SPAK për Ballukun është pengim i drejtësisë

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pas vendimit të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për të thirrur mbledhjen për Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më 28 janar, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për deputeten Belinda Balluku.

Bardhi thekson se “ky bllokim 6-javor është i paprecedent dhe një akt i lartë papërgjegjshmërie nga ana e mazhorancës socialiste”.

Sipas Bardhit, “pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cenuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve”.

Në emër të grupit parlamentar të PD, Bardhi dënoi me forcë “shkeljen e Rregullores nga Niko Peleshi dhe zbatimin prej tij të urdhrit politik të Edi Ramës për të zvarritur çështjen dhe për të penguar drejtësinë”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Bardhi: Bllokimi gjashtëjavor i kërkesës së SPAK për Ballukun është pengim i drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VanHorn takon kryetaren e “Kushtetueses”: Mbështetje për të çuar përpara prioritetet e Trump

TIRANË, 12 janar /ATSH/ E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn, përgëzoi sot kryetaren e sapoemëruar të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji.

Përmes një njoftimi për mediet, ambasada amerikane thekson se gjatë takimit VanHorn “diskutoi se si mbështetja afatgjatë e Shteteve të Bashkuara për institucionet e zbatimit të ligjit në Shqipëri çon përpara prioritetet e Presidentit Trump: çmontimin e rrjeteve të narkotrafikut dhe krijimin e kushteve të barabarta për bizneset amerikane”.

Sipas ambasadës amerikane “Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm në garantimin e drejtësisë për qytetarët shqiptarë, duke i mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjet e saj dhe duke ruajtur një sistem ligjor të drejtë dhe të parashikueshëm, në mënyrë që bizneset amerikane të mund të lulëzojnë”.

Fiona Papajorgji u zgjodh në dhjetor të vitit të kaluar, kryetare e Gjykatës Kushtetuese për një mandat 3-vjeçar.

Vakanca për kryetaren e GJK-së u krijua pas përfundimit të mandatit të Holta Zaçajt në mars të këtij viti, ndërsa Papajorgji ishte kandidatura e vetme në garë për drejtimin e Gjykatës Kushtetuese.

/m.q/a.f/

The post VanHorn takon kryetaren e “Kushtetueses”: Mbështetje për të çuar përpara prioritetet e Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbrojtja Civile: Situatë problematike nga moti i keq në shtatë qarqe

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, njoftoi sot në lidhje me situatën e krijuar si pasojë e kushteve të paqëndrueshme atmosferike në vend.

AKMC bëri të ditur se reshjet intensive të shiut dhe dëborës gjatë orëve të fundit kanë përfshirë një pjesë të madhe të territorit të vendit, duke krijuar problematika të natyrës hidrologjike dhe infrastrukturore në disa qarqe.

Sipas AKMC-së, situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Dibër, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera situata ka qenë me problematika të kufizuara dhe të menaxhueshme.

Në Qarkun Shkodër, rritja e nivelit të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë rritje të prezencës së ujit në zonën e Obotit dhe Dajçit si dhe përmbytje të tokave bujqësore në zonën Urrelat–Shirq. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore është i pakalueshëm për mjetet e ulëta. Nuk raportohen përmbytje banesash, ndërsa argjinaturat dhe kanalet kulluese, shkarkuesit dhe diga e rezervuarit të Shkodrës vijojnë të jenë funksionale. Strukturat vendore po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Në Qarkun Durrës, situata po shkon drejt përmirësimit në zonat e përmbytura të Sukthit dhe Katundit të Ri, megjithatë vijon prezenca e ujit në rreth 1 800 hektarë toka bujqësore dhe në disa banesa në zona të veçanta të Kënetës dhe Shkozetit. Janë kryer ndërhyrje për lirimin e akseve rrugore dhe për funksionalizimin e shkarkuesve, me qëllim shmangien e përkeqësimit të situatës.

Në Qarkun Dibër, reshjet e dëborës kanë shkaktuar bllokime rrugësh në disa njësi administrative si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara. Qarkullimi në akset kryesore po mbahet i kontrolluar, ndërsa në rrugët rurale po punohet për hapjen dhe garantimin e aksesit. Po ashtu vijon operacioni i kërkimit për një shtetas të humbur, me angazhimin e forcave të specializuara.

Në Qarkun Berat, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore dhe prezencë uji në disa banesa dhe objekte publike si dhe evakuimin e disa familjeve për arsye sigurie. Situata po menaxhohet nga strukturat vendore, me mbështetjen e forcave të emergjencës.

Në Qarkun Fier, lumenjtë Seman dhe Shkumbin kanë dalë nga shtrati në disa zona, duke përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore dhe duke prekur disa banesa. Strukturat e bashkive ndodhen në gatishmëri të plotë dhe po vlerësojnë në mënyrë të vazhdueshme nevojën për masa shtesë.

Në Qarqet Korçë dhe Gjirokastër, problematikat lidhen kryesisht me rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore, bllokime rrugësh dhe evakuime të kufizuara të disa familjeve në zona me rrezik.

Sipas AKMC-së, puna në terren vijon për hapjen e akseve rrugore dhe eliminimin e rrezikut për banorët. Forcat e Armatosura janë angazhuar në disa qarqe të vendit me efektivë dhe mjete të specializuara për ndërhyrje emergjente, lirimin e rrugëve të bllokuara, evakuimin e banorëve dhe mbështetjen e autoriteteve vendore.

AKM u bëri thirrje banorëve të zonave të prekura të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat me rrezik përmbytjeje apo rrëshqitjeje dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përgjegjëse. /j.p/

The post Mbrojtja Civile: Situatë problematike nga moti i keq në shtatë qarqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëbora në Korçë bashkon fëmijë e të rritur në lojë

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Reshjet e dëborës kanë mbuluar qytetin e Korçës, duke krijuar një pamje piktoreske. Rrugët, sheshet dhe ndërtesat e qytetit juglindor duken si një tablo e bardhë dimërore, ndërsa qytetarët shijojnë bukurinë natyrore.

Kryeministri Edi Rama, ndau foto nga të rritur e fëmijë të cilët luajnë më dëborë dhe shijojnë bardhësinë e saj.

Dëbora i ka dhënë qytetit që tërheq mijëra turistë në të katër stinët e vitit, një bukuri për t’u admiruar.

Të rinjtë e apasionuar pas sportit të skive mund të shijojnë edhe Dardhën. Vetëm 18 km në juglindje të Korçës, pista e skive në Dardhë vizitohet në këto ditë të ftohta nga qindra turistë vendas e të huaj. Fshati turistik është një nga atraksionet turistike kryesore gjatë dimrit.

/m.q/j.p/

The post Dëbora në Korçë bashkon fëmijë e të rritur në lojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksi Qafë Priskë-Shëngjergj, i hapur për qarkullimin e automjeteve

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani ka bërë me dije se aksi rrugor Qafë Priskë – Shëngjergj, i cili ishte mbuluar nga dëbora, është tashmë i hapur për qarkullimin e automjeteve.

Ristani theksoi se aksi është pastruar dhe është trajtuar me kripë për të mundësuar qarkullimin e automjeteve, ndërsa u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që të udhëtojnë me kujdes.

“Megjithatë, për shkak të temperaturave të ulëta dhe mundësisë së ngricave, u bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të lëvizin me kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të ulin shpejtësinë gjatë lëvizjes dhe të sigurohen që automjetet të jenë të pajisura me zinxhirë dëbore për gomat, me qëllim shmangien e aksidenteve”, theksoi Ristani.

Për çdo situatë emergjente, Ristani apeloi që të kontaktohet numri 112.

/m.q/j.p/

The post Aksi Qafë Priskë-Shëngjergj, i hapur për qarkullimin e automjeteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshjet masive gjatë natës, sot priten prurje në të gjithë lumenjtë

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave njoftoi sot se sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve të rëna me intensitet të lartë, pritet që ketë rritje të prurjeve dhe niveleve në të gjithë lumenjtë.

Po ashtu rrezik të shtuar për përmbytje lokale, ditën e sotme, do të kenë lumenjtë Ishëm, Erzen, Mat, Shkumbin, Seman dhe Vjosë, ndërsa nesër pritet rënie e prurjeve dhe niveleve në këta lumenj.

Sipas IGJEO-s, Lumi Drin- Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të vazhdojë të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve dhe rrezik të shtimit të sipërfaqeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës.

Gjithashtu sot dhe nesër si pasojë e temperaturave të ulëta në veri, lindje dhe juglindje të territorit, ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor.

Sa i përket reshjeve, priten reshje të dobëta në qarqet Kukës, Elbasan, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje deri lokalisht të dobëta.

Në veri, lindje dhe juglindje në lartësitë mbi 600 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.

/m.q/j.p/

The post Reshjet masive gjatë natës, sot priten prurje në të gjithë lumenjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Alis, fituesi i Festivalit të këngës: Eurovizioni, ëndrra e bërë realitet

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Me këngën “Nan”, të Alis Kallaçit, Shqipëria do të marrë pjesë në Eurovizion 2026, i cili do të mbahet në Vjenë të Austrisë. Këngëtari ishte i ftuar sot në nisje të sezonit të ri të Podkastit “Flasim”, me kryeministrin Edi Rama.

Alis tregoi se momenti kur kishte kuptuar se duhej të vazhdonte rrugën e muzikës, ishte kur kishte fituar spektaklin e talenteve “X Factor”.

“Aty ishte konfirmimi që unë ta nis seriozisht. Unë isha i ndrojtur kisha problem të këndoja dhe në “X Factor”, ishte pjesa që unë ndërrova lëkurë komplet dhe thashë shyqyr më erdhi momenti që të bëj atë që unë dashuroj pa frikë dhe këtë e quaj fitore prej “X Factor”, tha ai.

Ai vlerësoi gjithashtu edhe këngët e tjera në Festivalin e Këngës.

“Ishte konkurrencë e fortë, kishte këngë shumë të bukura. Ishin këngë origjinale dhe nga ana skenike i kishin dhënë përparësi”, tha ai.

I ndalur tek kënga e tij “Nan”, Alis tregoi se në Eurvizion do të shkojë me ndryshime sa i përket paraqitjes skenike.

“Ne po mendojmë ta amplifikojmë të paktën nga ana skenike, diçka pak më të madhe dhe më të veçantë”, tregoi Alis.

“Dëshira ime është të provoj edhe përtej kufijve dhe rasti i Eurovizioni është ëndrra e bërë realitet për ta prekur atë që kisha shpresuar, tha ai.

Teksti i këngës “Nan”, shtoi Alis është shkuar nga e dashura e tij.

“Ajo ishte shtysa, ajo pa një ëndërr dhe më tha Alis kam bërë një tekst. Më goditi teksti dhe u ula në piano dhe shkrova vijën melodike dhe shkova tek producenti për ta realizuar”, tha ai.

Gjithashtu Alis theksoi se edhe familja ishte një mbështetje e rëndësishme për të. Alis tregoi se ndjek studimet për Pedagogji Muzikore, duke shtuar se i pëlqen mësimdhënia.

/m.q/j.p

The post Alis, fituesi i Festivalit të këngës: Eurovizioni, ëndrra e bërë realitet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Na duhet reflektim serioz e largpamës mbi politikën penale

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në nisje të sezonit të ri të Podkastit “Flasim” në “Shënimet e Javës”, u ndal edhe tek Samiti i Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën. Sipas Kryeministrit, samiti shërbeu për të bërë një bilanc të përpjekjeve të përbashkëta ndërkombëtare në mbështetje të Ukrainës dhe për të forcuar koordinimin mes aktorëve kryesorë

“Kjo javë nisi me pjesëmarrjen në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, thirrur nga Presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Élysée, ku kisha nderin të isha edhe unë ndër të ftuarit për të përfaqësuar Shqipërinë”, vuri në dukje Kryeministri.

“Në tërësi, takimi shërbeu për të bërë një bilanc të gjithë përpjekjeve të njehsimit të pozicionit dhe të koordinimit të forcave e të ndarjes së detyrave mes Shteteve të Bashkuara, Koalicionit të Vullnetmirëve dhe Ukrainës, në kuadër të garancive të sigurisë së nevojshme për hapjen e rrugës drejt kompromisit dhe paqes pas një lufte që ka marrë vërtetë tejet shumë jetë njerëzish”, tha Rama.

Gjatë qëndrimit në Paris, Rama bëri të ditur se zhvilloi edhe një takim me ministrin e Drejtësisë së Francës, ku fokusi ishte Kodi i ri Penal.

“Por, gjatë qëndrimit tim në Paris, u takova edhe me Ministrin e Drejtësisë së Francës, me të cilin diskutuam mbi pjesëmarrjen e partnerëve francezë në grupin e reflektimit që kemi nisur për problematikat e politikës penale në Shqipëri, si dhe mbi konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal, në harmoni të plotë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane”, tha Rama.

Rama theksoi se se vendi ka nevojë për një rishikim të thellë të politikës penale. Kryeministri nënvizoi se Shqipëria ka tashmë një drejtësi të pavarur, por ende jo plotësisht funksionale në aspektin e cilësisë dhe paanësisë.

“Siç e kam thënë na duhet një reflektim i madh, serioz dhe largpamës mbi politikën penale në Shqipëri, sepse duhet të adresojmë problematika të mprehta, por njëkohësisht të mbrojmë pavarësinë, të nxisim paanësinë dhe të rrisim cilësinë e drejtësisë në këtë vend, ku kemi më në fund një drejtësi të pavarur, falë lidershipit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mbështetjes bipartizane të popullit shqiptar, po nuk kemi ende as një drejtësi të paanshme e as një drejtësi cilësore. Nuk është e lehtë, por unë nuk i jam përkushtuar politikës për të bërë gjëra të lehta apo për t’i marrë lehtë gjërat e rënda. Përkundrazi”, u shpreh Rama.

/m.q/j.p

The post Rama: Na duhet reflektim serioz e largpamës mbi politikën penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ndotja e lumenjve nga plastika rëndon përmbytjet, masa të reja ndaj fenomenit

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në nisje të sezonit të ri të Podkastit “Flasim”, përmblodhi disa nga zhvillimet kryesore të fillimit të janarit 2026.

Në “Shënimet e Javës”, kryeministri Edi Rama deklaroi se përtej motit ekstrem dhe ndryshimeve klimatike, faktori njerëzor mbetet një nga shkaqet kryesore që rëndon situatat e përmbytjeve në vend.

Sipas tij, ndotja masive e lumenjve dhe mjedisit, veçanërisht nga plastika, përbën një “krim” të mirëfilltë ndaj natyrës dhe vetë Shqipërisë.

“Ama përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh. Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull!”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u ndal veçanërisht te ndotja e lumenjve, duke e cilësuar alarmante. Ai shtoi se ndotja e mjedisit cenon jo vetëm natyrën, por edhe identitetin kombëtar

“Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës. Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet, librin e historisë së përpjekjeve tona shekullore si komb për të jetuar në shtetin tonë, fytyrën e secilit prej nesh si njerëz të këtij populli e si qytetarë të Europës, që mbajmë emrin shqiptar, të cilin e mbajmë me të drejtë me krenari në shumë raste, të cilin e ndiejmë me të drejtë si vërtetë fjalën kyçe që na bën të ndihemi krenarë kur je në stadium, por të cilin e përdhosim, emrin shqiptar, duke përdhosur Shqipërinë, duke përdhosur natyrën e Shqipërisë, duke përdhosur fytyrën e Shqipërisë”, tha Rama.

Duke folur për masat në vijim, Rama theksoi se qeveria nuk do të tërhiqet nga përpjekjet për ta luftuar këtë fenomen

“Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, KRIM”, tha Rama.

/m.q/j.p

The post Rama: Ndotja e lumenjve nga plastika rëndon përmbytjet, masa të reja ndaj fenomenit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌