Albacete shkroi historinë në Kupën e Mbretit duke eliminuar gjigantin spanjoll, Real Madrid, dhe hero i madh i kësaj ndeshjeje ishte pa dyshim sulmuesi Jefté Betancor.
25-vjeçari u shfaq në momentet vendimtare, duke shënuar dy gola kyç që vulosën fitoren dramatike 3-2 të Albacete.
Pas ndeshjes, Betancor shpërtheu në emocione, duke folur për golat, karrierën dhe dedikimin për djalin dhe gruan e tij.
"Gjëja më e madhe që më ka ndodhur në futboll. Është ajo për të cilën ëndërron si fëmijë. Për ekipin tim, i cili ka punuar si i çmendur. Kjo i shkon të gjithë familjes sime, të cilën e dua."
"Nëntë vjet më parë doja ta lija futbollin. Sot, duke ëndërruar dhe duke punuar, shikoni si jemi..."
"Ishte shumë e vështirë, por ekipi dha 100%. E meritonim. Kjo është për djalin tim dhe gruan time, do ta vendosim në kornizë", deklaroi Betancor.
Jefté Betancor është tashmë emri që të gjithë tifozët e Albacete dhe futbollit spanjoll do ta kujtojnë si njeriun që shkaktoi tronditjen më të madhe të Kupës së Mbretit këtë sezon. /Telegrafi/
Në një rezultat që do të mbetet në kujtesën e tifozëve madrilenë për një kohë të gjatë, Real Madrid është eliminuar nga Kupa e Mbretit nga skuadra e nivelit të dytë, Albacete, pas një ndeshjeje dramatike që përfundoi 3-2 për vendasit.
Albacete surprizoi që në fillim, duke kaluar në avantazh në minutën e 42’, kur Javi Villar shfrytëzoi një goditje nga këndi dhe e dërgoi topin me kokë në qoshen e sipërme të portës, duke e bërë rezultatin 1-0.
Real Madrid reagoi menjëherë në minutën e 45+3’, me Franco Mastantuono që barazoi, duke e çuar rezultatin në 1-1 në pushim.
Albacete u rikthye në avantazh në minutën e 82’, kur Jefte Betancor finalizoi një rifutje në këndin e sipërm të majtë, duke sjellë rezultatin në 2-1.
Real Madrid tentoi të barazonte përsëri me golin e Gonzalo Garcia në minutën e 90+1, por surpriza e vërtetë ndodhi në minutën e fundit shtesë.
Zhvillohej minuta e 94’, kur sërish Jefte Betancor shfrytëzoi huti në mbrojtjen mbretërore dhe shënoi golin vendimtar për 3-2, duke vulosur eliminimin e “Los Blancos” nga Kupa.
Ky eliminim për Real Madrid është një lajm i rëndë, dy ditë pasi shkarkuan trajnerin Xabi Alonso, ndërsa në vend të tij erdhi Alvaro Arbeloa. /Telegrafi/
Arsenali ka hedhur një hap shumë të madh drejt finales së EFL Cup, pasi ka triumfuar 3-2 ndaj Chelseat në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në një përballje spektakolare dhe të mbushur me emocione deri në minutën e fundit.
“Topçinjtë” e nisën ndeshjen fuqishëm dhe kaluan në epërsi që në minutën e 7-të, kur Declan Rice ekzekutoi saktë një goditje nga këndi dhe Ben White u ngrit më lart se të gjithë për të realizuar me kokë.
Goli u rishikua nga VAR-i, por u konfirmua, duke i dhënë Arsenalit avantazhin e hershëm. Pjesa e parë u karakterizua nga raste nga të dyja anët dhe disa kartonë të verdhë, por rezultati mbeti 0-1.
Në fillimin e pjesës së dytë, Arsenali goditi sërish. Në minutën e 49-të, Viktor Gyökeres ishte më i shpejti në zonë dhe përfitoi nga një top i kthyer për të shënuar golin e dytë, duke i vështirësuar edhe më shumë gjërat për Chelsean.
Megjithatë, vendasit reaguan shpejt dhe në minutën e 57-të, Alejandro Garnacho shfrytëzoi një krosim të saktë nga Pedro Neto për të ngushtuar shifrat në 1-2.
Arsenali riktheu qetësinë në minutën e 71-të, kur Martin Zubimendi finalizoi saktë një aksion të bukur ofensiv për golin e tretë, duke e çuar rezultatin në 1-3.
Por Chelsea nuk u dorëzua dhe vetëm 12 minuta më vonë, Garnacho realizoi golin e tij të dytë personal, duke e bërë rezultatin 2-3 dhe duke rihapur sfidën. Edhe ky gol u kontrollua nga VAR-i, por u pranua.
Minutat e fundit ishin të tensionuara, megjithatë, Arsenali arriti ta menaxhojë avantazhin dhe të dalë fitues nga kjo përballje e parë.
Me këtë triumf 3-2 në transfertë, Arsenali shkon në ndeshjen e kthimit me një avantazh të rëndësishëm dhe është shumë pranë finales së EFL Cup, ndërsa Chelsea do të ketë nevojë për një paraqitje perfekte për të përmbysur gjithçka. /Telegrafi/
Interi ka fituar 1-0 ndaj Lecce në ndeshjen e mbetur të javës së 16-të në Serie A, duke siguruar tri pikë shumë të rëndësishme dhe duke u shkëputur i vetëm në krye të tabelës me 46 pikë.
Ndeshja në “Via del Mare” ishte e luftuar dhe me ritëm, me Interin që dominoi posedimin, por hasi vështirësi për ta thyer mbrojtjen e organizuar të vendasve.
Rastet nuk munguan, sidomos në pjesën e parë, ku Nicolo Barella dhe Ange-Yoan Bonny u ndalën nga portieri Wladimiro Falcone, ndërsa një penallti e akorduar fillimisht për zikaltërit u anulua pas rishikimit në VAR, duke shkaktuar protesta nga lojtarët e Interit.
Në pjesën e dytë, trajneri Cristian Chivu ndërhyri me disa zëvendësime për t’i dhënë më shumë freski lojës. Presioni i Interit u shtua, por Lecce rrezikoi në disa momente, sidomos me Antonino Gallo, i cili u ndal nga një pritje vendimtare e Yann Sommer.
Momenti vendimtar i ndeshjes erdhi në minutën e 78-të. Pas një aksioni të vazhdueshëm në zonë, Francesco Pio Esposito ishte më i shpejti për të reaguar ndaj topit të kthyer dhe e dërgoi në rrjetë për golin e fitores 1-0.
Pak çaste më vonë, Lautaro Martinez pati një tjetër rast, por Falcone reagoi sërish mirë.
Me këtë fitore, Interi shkon në kuotën e 46 pikëve dhe shkëputet në krye të Serie A, pasi Milani si i dyti ka gjashtë pikë më pak. /Telegrafi/
Roma ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit të ri Robinio Vaz nga Olympique Marseille.
Në njoftimin e klubit, Giallorossët konfirmuan se 18-vjeçari ka nënshkruar kontratë katërvjeçare, e vlefshme deri në qershor të vitit 2030. Vaz vjen në kryeqytetin italian si një nga talentët më premtues ofensivë të brezit të tij në Francë.
Sulmuesi i ri debutoi në futbollin profesionist në janar të vitit të kaluar nën drejtimin e Roberto De Zerbit, në një ndeshje të Kupës së Francës ndaj Lille. Më pas, ai regjistroi edhe paraqitjet e para në Ligue 1, ndërsa këtë sezon fitoi përvojë edhe në Ligën e Kampionëve.
Në total, Robinio Vaz ka zhvilluar 22 paraqitje me ekipin e parë të Marseille në të gjitha garat, duke shënuar katër gola dhe duke forcuar reputacionin e tij si një nga lojtarët më të spikatur të kategorisë U-20 në Francë.
Roma e sheh këtë transferim si një investim afatgjatë, në përputhje me strategjinë e klubit për zhvillimin e talenteve të rinj, ndërsa Vaz pritet të vazhdojë rritjen e tij në futbollin italian.
✍️ Robinio Vaz è un nuovo calciatore giallorosso! 🐺
Bekë Berisha është zgjedhur kryetar i klubit të basketbollit Sigal Prishtina, duke marrë shumicën e votave në Kuvendin Zgjedhor të klubit.
KB Prishtina ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor, ku tashmë klubi i basketbollit ka një president të ri, me Bekë Berishën, që ka fituar shumicën e votova.
Ka qenë vetë Berisha që e ka konfirmuar për Telegrafin, zgjedhjen e tij në krye të klubit më të trofeshëm të basketbollit në vend.
Ai e zëvendëson Blerand Stavilecin, i cili më parë ka udhëhequr klubin dhe ishte kundërshtuar fuqishëm nga tifo-grupi “Plisat”, sidomos në muajt e fundit, ku edhe kishin mbajtur protesta.
Bekë Berisha ka një profil aktiv politik; ai ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës dhe do të jetë edhe deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Kosovës.
Me këtë zgjedhje, klubi synon të nisë një kapitull të ri nën drejtimin e Berishës dhe të forcojë stabilitetin organizativ dhe performancën sportive. /Telegrafi/
Juventusi ka kaluar një periudhë sfiduese, por nën drejtimin e trajnerit Luciano Spallettit, ekipi po tregon shenja rikthimi.
Tifozët bardhezinj mund të kenë arsye të forta për optimizëm, pasi ekzistojnë 6 elemente që ngrenë shpresat për një garë të fortë për titull në Serie A.
Juventusi aktualisht është në vendin e katërtë me 39 pikë, katër më pak me lideri Interi.
1. Guximi i skuadrës në fushë
Një nga arsyet kryesore për optimizëm është guximi i skuadrës. Lojtarët kanë treguar qasje agresive dhe vendosmëri që nga minuta e parë.
Kjo ka sjellë golat vendimtarë të Fabio Mirettit dhe Kenan Yildiz, të cilët kanë siguruar fitore të rëndësishme dhe kanë rikthyer moralin në grup.
2. Kontributi i Jonathan David
Sulmuesi kanadez ka sjellë energji të re dhe ka rritur opsionet ofensive të Juventusit prej ardhjes së Spalletit në krye të ekipit.
David ka treguar se mund të shënojë në momentet vendimtare, duke u bërë një lojtar kyç për ekipin. Prezenca e tij ka ndihmuar ndërtimin e një sulmi më të fortë dhe më efektiv.
3. Mbrojtja më e organizuar
Faza e mbrojtjes ka marrë një strukturë më të qëndrueshme nën drejtimin e Spallettit. Mbrojtësit dhe mesfushorët defensivë luajnë më koherent dhe reduktojnë gabimet e paqarta. Kjo ka rezultuar drejtpërdrejt te rezultatet pozitive dhe ka sjellë stabilitet te skuadra. Sidomos kthimi i Bremer, ka stabilizuar gjithçka.
4. Roli udhëheqës i Thuram
Khephren Thuram ka marrë përgjegjësi të madhe në mesfushë dhe është një udhëheqës teknik i skuadrës. Ai frymëzon shokët e ekipit dhe ndihmon në organizimin e lojës, duke rritur moralin dhe performancën kolektive të Juventusit.
Aty mbetet edhe Manuel Locatteli, i cili ka përvojën dhe pasimet para kanë filluar të japin sukses.
5. Fleksibiliteti taktik dhe bashkëpunimi
Skuadra është bërë më dinamike, duke aplikuar strategji të ndryshme ndaj kundërshtarëve. Rotacioni i lojtarëve dhe menaxhimi i minutave ka dhënë freski fizike.
Përmirësimi i koordinimit midis linjave ka rezultuar në aksione më efektive dhe më shumë mundësi për të shënuar gola, ndërsa komunikimi dhe kohezioni i linjave po japin rezultate pozitive.
6. Optimizëm dhe identitet
Fitoret e fundit kanë rikthyer besimin tek tifozët dhe brenda grupit. Stafi teknik ka treguar se suksesi nuk varet vetëm nga talenti, por edhe nga disiplinimi dhe strategjia.
Lojtarët e rinj po gjejnë vendin e tyre dhe po përshtaten me kërkesat e Serie A, ndërsa përgatitja fizike dhe menaxhimi i ngarkesës janë pjesë e strategjisë së Spallettit. Skuadra duket e bashkuar dhe e motivuar, duke ndërtuar një identitet të fortë dhe të qëndrueshëm.
Me këto elemente, Juventusi po krijon një platformë solide për të ardhmen, duke u përgatitur për sfidat në Serie A dhe në garat europiane. Tifozët mund të shohin me optimizëm rikthimin e fuqisë konkurruese dhe përparimin e skuadrës nën drejtimin e Luciano Spallettit. /Telegrafi/
Formula 1 vazhdon të rrisë biznesin e saj vit pas viti, me të ardhurat totale të 10 ekipeve që arritën 4.14 miliardë euro në vitin 2024, një rritje prej 16.5% krahasuar me vitin paraprak, e nxitur nga një valë e re tifozësh dhe zgjerimi i rëndësisë mediatike të sportit, sidomos në tregun amerikan.
Liberty Media, promotori i garave, raportoi një xhiro prej 3.138 miliardë eurosh dhe një rritje prej 9.3% në nëntë muajt e parë të vitit 2025, duke krijuar një ambient më të favorshëm financiar për ekipet, ku shpërndarja e të ardhurave dhe paratë e çmimeve luajnë një rol kyç.
Mercedes-AMG Petronas vazhdon të jetë ekipi më i pasur në rrjet, me të ardhura prej 732.3 milionë eurosh dhe fitime neto prej 138.5 milionë eurosh, duke rritur të ardhurat me 16% dhe fitimin me 44% nga viti në vit. Performanca financiare e Mercedes ka tërhequr investitorë të rinj, duke çuar në vlerësimin e ekipit në 5.154 miliardë euro në fund të vitit 2025.
Ferrari ndiqet nga afër nga Mercedes, me të ardhura prej 670 milionë eurosh, duke shënuar një rritje prej 17% krahasuar me vitin e kaluar, përfshirë aktivitetet komerciale dhe të markës, si të drejtat e autorit dhe parqet tematike. Fitimet e tyre mbeten solide, duke mbajtur ekipin italian në vendin e dytë sa i përket fuqisë financiare.
McLaren ka shënuar rritjen më të madhe përqindore të të ardhurave, duke arritur 634.56 milionë euro, falë një strategjie komerciale ambicioze dhe më shumë se 50 sponsorëve, duke përfshirë Google, Dropbox dhe Mastercard. Fitimet neto të McLaren janë të dyfish krahasuar me Red Bull, duke e vendosur në vendin e tretë financiarisht.
Red Bull Racing ka të ardhura prej 566 milionë eurosh dhe fitime neto prej 15.9 milionë eurosh, duke shënuar një rritje të moderuar prej 10% nga viti në vit, por duke mbetur pas Mercedes dhe Ferrari sa i përket performancës së përgjithshme financiare.
Aston Martin, ekipi i Fernando Alonsos, ka të ardhura prej 349.7 milionë eurosh dhe humbje neto prej 52.7 milionë eurosh, duke rritur të ardhurat me 15% dhe duke investuar shumë në fabrikën e re dhe projekte të tjera për të konsoliduar pozicionin e saj si pretendent i madh në F1.
Racing Bulls, ekipi junior i Red Bull, regjistroi të ardhura prej 291.2 milionë eurosh, duke shënuar rritje prej 18%, ndërsa Williams, me bazë në Grove, arriti një rekord të ardhurash prej 277.6 milionë eurosh dhe fitime neto të konsiderueshme, duke rritur të ardhurat me 44% nga viti në vit dhe duke investuar vazhdimisht për të përmirësuar makinat dhe infrastrukturën e ekipit.
Alpine ishte i vetmi ekip me rënie të të ardhurave, duke regjistruar 276.2 milionë euro dhe një humbje neto prej 16.8 milionë eurosh, duke rënë nga vendi i gjashtë në të tetin në renditjen e të ardhurave. Sauber pasoi me të ardhura prej 206.2 milionë eurosh, ndërsa Haas mbylli renditjen me të ardhura prej rreth 120 milionë eurosh, duke shënuar një rritje të vogël krahasuar me vitin e kaluar.
Numri i spektatorëve në pista ka arritur 6.7 milionë, ndërsa audienca globale është 827 milionë, duke reflektuar rritjen e vazhdueshme të popullaritetit të sportit.
Ekipet e F1 vazhdojnë të përfitojnë nga ky bum ekonomik, ku Mercedes mbetet lideri financiar, Ferrari dhe McLaren e ndjekin me ritme të ngjashme, ndërsa Aston Martin, Racing Bulls, Williams dhe ekipet e tjera po përmirësojnë pozicionin e tyre financiar duke synuar të maksimizojnë potencialin komercial dhe të konkurrencës në pistë. /Telegrafi/
Ernest Muçi vazhdon formën e jashtëzakonshme në Turqi, duke qenë protagonisti absolut i Trabzonsporit ndaj Istanbulspor, në ndeshjen e Kupës së Turqisë.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi dy gola dhe dhuroi një asist, duke udhëhequr një përmbysje spektakolare në transfertë.
Në përballjen e raundit të dytë, të zhvilluar në stadiumin e Istanbulspor, vendasit kaluan të parët në avantazh, por ishte Muçi ai që riktheu Trabzonsporin në lojë.
Në minutën e 41-të, shqiptari realizoi një gol të mrekullueshëm me një diagonale të saktë, duke mposhtur portierin kundërshtar dhe duke ndezur ndeshjen.
Goli i tij shkaktoi entuziazëm të madh edhe në tribuna, ku tifozët e Trabzonsporit shpërthyen në brohoritje “Muçi, Muçi”, një tregues i qartë se sulmuesi shqiptar është kthyer shumë shpejt në një prej figurave më të dashura të skuadrës, pavarësisht se ka vetëm pak muaj që mban veshur këtë fanellë.
⭐️ BU AKŞAM BÜYÜK OYNADI!
🔴🔵 Ernest Muçi'nin 66 dakikalık futbol resitali. 👇
Në pjesën e dytë, Muçi vazhdoi spektaklin. Në minutën e 57-të ai asistoi për golin e përmbysjes, duke treguar jo vetëm instinkt shënues, por edhe vizion loje.
Vetëm tre minuta më vonë, në minutën e 60-të, ai vulosi paraqitjen e tij brilante me një tjetër supergol, duke i dhënë sigurinë fitores së Trabzonsporit.
Tottenham dhe Atlético Madrid kanë arritur marrëveshje për transferimin e mesfushorit anglez Conor Gallagher, i cili rikthehet në Ligën Premier vetëm një sezon e gjysmë pas mbërritjes së tij në La Liga.
Spurs kanë konfirmuar zyrtarisht afrimin e 25-vjeçarit, i cili ka nënshkruar kontratë afatgjatë deri në vitin 2031.
Gallagher ishte transferuar te Atlético Madrid në gusht të vitit 2024 për rreth 42 milionë euro, si pjesë e marrëveshjes që përfshinte edhe Joao Felix.
We are delighted to announce the signing of Conor Gallagher from Atletico Madrid, subject to international clearance ✍️
Tani, klubi madrilen e shet atë për 40 milionë euro, duke mbyllur një cikël relativisht të shkurtër të anglezit në “Riyad Air Metropolitano”.
Gjatë kohës së tij te Atlético, Gallagher regjistroi 77 paraqitje në të gjitha garat, me 7 gola dhe 7 asistime. Megjithatë, pritshmëritë që shoqëruan ardhjen e tij në Spanjë nuk u përmbushën plotësisht.
Në sezonin 2024/25 ai zhvilloi 50 ndeshje, por vetëm 28 prej tyre si titullar, ndërsa në edicionin aktual 2025/26 u aktivizua në 27 takime, me vetëm nëntë startime nga minuta e parë.
Interesi për Gallagher nuk mungoi këtë dimër. Aston Villa ishte klubi i parë që shfaqi interes konkret, por oferta më e fortë erdhi nga Tottenham, si në aspektin financiar për Atlético Madridin, ashtu edhe për kushtet personale të lojtarit. /Telegrafi/
Gazetari i afërt me Juventusin, Romeo Agresti, që punon në Goal Italia, ka folur për situatën e Edon Zhegrovës në Torino.
Ai ka theksuar se klubi bardhezi po vazhdon të punojë me durim me futbollistin kosovar dhe se vlerësimi përfundimtar do të varet nga gjendja e tij fizike.
“Juventus vazhdon të punojë me Edon Zhegrovën. Duhet të kemi durim, e di se kemi arritur në gjysmën e janarit dhe është pak e pakuptimtë një fjalë e tillë por klubi ka bërë një rrezikim sepse bëhet fjalë për një futbollist që nuk kishte luajtur një kohë të gjatë".
"E kuptoj se ndonjë tifoz mund të fillojë të ketë dyshime, por gjithçka varet nga gjendja e tij fizike".
"Nëse Juventus e fiton këtë sfidë, Zhegrova do të jetë një futbollist që mund të ketë të ardhme konkrete në Torino”, ka deklaruar Agresti.
Edon Zhegrova u transferua te Juventusi nga Lille gjatë afatit kalimtar të verës, si një investim me rrezik të llogaritur nga klubi italian. Deri tani, 25-vjeçari ka regjistruar 17 paraqitje në të gjitha garat, prej të cilave 16 i ka nisur nga stoli, duke u aktivizuar kryesisht si alternativë gjatë ndeshjeve.
Edhe pse ende nuk ka arritur të shënojë gol apo të asistojë, Zhegrova ka dhënë shpesh shkëndija pozitive me driblimet, shpejtësinë dhe kreativitetin e tij në krahë, elemente që kanë treguar potencialin e tij ofensiv. /Telegrafi/
Álvaro Arbeloa e nis zyrtarisht aventurën e tij si trajner i Real Madridit me një debutim që, edhe pse nuk është finale në kuptimin klasik, mbart peshën e një ndeshjeje vendimtare.
Sfida e parë e tij vjen në raundin e 1/8-ës së finales në Kupën e Mbretit ndaj Albacetes, një përballje me eliminim direkt ku çdo gabim mund të jetë fatal.
Arbeloa i afrohet kësaj ndeshjeje me guxim, duke lënë disa veteranë në Madrid dhe duke u besuar lojtarëve të akademisë – një sinjal i qartë për projektin që synon të ndërtojë.
Pas kësaj prove fillestare, kalendari duket relativisht i favorshëm. Të shtunën, më 17 janar, në orën 14:00, Real Madridi do të presë Levanten në “Santiago Bernabéu”, në një ndeshje që përkon edhe me ditëlindjen e 43-të të Arbeloas. Me Levanten që ndodhet në zonën e rënies nga kategoria, në letër kjo paraqitet si një mundësi e mirë për fitore dhe për rritjen e vetëbesimit të ekipit dhe trajnerit të ri.
Vetëm tri ditë më pas, më 20 janar, vjen debuti evropian në Ligën e Kampionëve, po ashtu në shtëpi, kundër Monacos. Reali synon të shfrytëzojë avantazhin e fushës për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit mes tetë ekipeve më të mira, por Liage Kampionëve mbetet gjithmonë një provë e vështirë dhe një matës i rëndësishëm për projektin e ri.
Nga fundi i janarit, niveli i vështirësisë rritet. Sfida e parë e fortë jashtë fushe do të jetë ndaj Villarrealit, në një duel direkt për pozitat e larta në tabelë. Kjo ndeshje pritet të tregojë më qartë nivelin konkurrues të skuadrës së Arbeloas kundër kundërshtarëve të fortë.
Megjithatë, përballja më simbolike do të vijë në Ligën e Kampionëve ndaj Benficas, ku në stolin kundërshtar do të jetë Jose Mourinho. Një duel i veçantë për Arbeloan, i cili do të përballet me trajnerin që ka pasur ndikim të madh në karrierën e tij si futbollist.
Të mendosh se në ndeshjen e tij të dytë evropiane si trajner do të sfidojë një legjendë të bankinës, e bën këtë moment edhe më domethënës.
Kështu nis epoka e Alvaro Arbeloas në stolin e Real Madridit: me pesë ndeshje dhe tre gara brenda vetëm 14 ditësh, një fillim intensiv që do të testojë aftësinë e tij për të udhëhequr nga një prej stolive më të vështira dhe më prestigjioze në botën e futbollit. /Telegrafi/
Legjenda e Arsenalit, Robert Pires, ka lëvduar mesfushorin Declan Rice, duke theksuar se ai është në “të njëjtën ligë” me ikonat e klubit, Thierry Henry dhe Patrick Vieira.
Me Topçinjtë që aktualisht kryesojnë Ligën Premier me gjashtë pikë epërsi dhe synim për të fituar titullin e parë në mbi dy dekada, Pires beson se Rice është një element kyç për suksesin e skuadrës, raporton Goal.com.
Krahasimi me legjendat e epokës Highbury-t
Pires, pjesë e skuadrës historike të Arsenalit “Të Pamposhtur” në sezonin 2003/04, beson se Rice do të qëndronte në këmbë përballë ish-yjeve të Highburyt.
Ndërsa skuadra e Mikel Artetas synon të përfundojë një sezon historik dhe t’i japë fund pritjes 22-vjeçare për titull, miratimi i legjendës franceze nënvizon ndikimin transformues të Rice që nga mbërritja e tij në Londrën veriore.
“Ju nevojiten Patrick Vieira, Thierry Henry, Tony Adams… dhe Declan Rice është në të njëjtin rreth, po”, tha Pires për Sky Sports.
Talisman në mesfushë
Që nga transferimi prej 115 milionë eurosh nga West Ham verën e vitit 2023, Rice është bërë një lojtar i domosdoshëm për skuadrën e Artetas.
Ai u shpall lojtari i sezonit të Arsenalit për sezonin 2024/25 dhe vazhdon të jetë figurë kyçe këtë sezon. Sipas Pires, ndikimi i tij në mesfushë është i qartë: ashtu si Vieira u ofroi forcë dhe lidership “Të Pamposhturve”, Rice ofron bazën për suksesin e gjeneratës aktuale të Arsenalit.
Lëvdata edhe nga Roy Keane
Rice nuk është vetëm i vlerësuar nga legjenda e Arsenalit. Ish-kapiteni i Manchester United, Roy Keane, gjithashtu ka lavdëruar performancën e mesfushorit anglez. Para barazimit 0-0 të Arsenalit me Liverpoolin, Keane theksoi se Rice ka ngritur lojën e tij në nivel botëror.
“Ai duket si një djalë i përulur, por ka edhe vetëbesim – pak ego ju duhet për të luajtur për një klub të madh. Shikoni karrierën e tij: ka bërë një punë të shkëlqyer te West Ham dhe tani te Arsenali është i rrethuar nga lojtarë më të mirë”, tha Keane për Sky Sports. /Telegrafi/
Në ndeshjen e parë gjysmëfinale të EFL Cup, Manchester City arriti një fitore të rëndësishme 2-0 në fushën e Newcastle, duke marrë avantazh të konsiderueshëm për finalen e kompeticionit.
"Qytetarët" e Pep Guardiolës morën iniciativën që nga minuta e parë dhe shfaqën kontroll të fortë mbi lojën, megjithëse Newcastle krijoi disa raste të rrezikshme.
Goli i parë erdhi në minutën e 53-të, kur Antoine Semenyo shfrytëzoi një hapësirë brenda zonës pas një pasimi të Bernardo Silvës dhe goditi në mes të rrjetës, duke çuar Manchester City në avantazh prej 1-0.
Joelinton, Bruno Guimaraes dhe Tonali kishin raste ta barazonin rezultatin, por nuk ia dolën.
Për të vulosur rezultatin, Rayan Cherki shënoi golin e dytë në minutën e 90+9’, pas një pasimi të bukur nga Rayan Ait Nouri. Ky gol i dha qetësi skuadrës së Guardiolës dhe pothuajse siguruan vendin në finalen e EFL Cup.
Me këtë fitore, Manchester City ka një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit dhe është favorit për të siguruar vendin në finalen e EFL Cup.
Të gjitha sytë janë drejtuar te finalisti i mundshëm që do të dalë nga çiftet gjysmëfinale, ku në ndeshjen tjetër rivalët e mëdhenj Arsenal dhe Chelsea do të përballen për avantazh para ndeshjes së kthimit. /Telegrafi/
Torino ka shkaktuar befasi të madhe në Kupën e Italisë, duke eliminuar Romën me fitore 3-2 pas një ndeshjeje dramatike, të vendosur në minutat e fundit në “Stadio Olimpico”.
Skuadra mike kaloi e para në epërsi në minutën e 35-të, kur Nikola Vlašić lëshoi një pasim perfekt në hapësirë për Che Adams, i cili pa portierin jashtë pozicionit dhe e dërgoi topin me qetësi në këndin e poshtëm për 0-1. Roma pati disa raste për të barazuar në pjesën e parë, por mungoi konkretizimi.
Vetëm 46 sekonda pas rifillimit të pjesës së dytë, Roma reagoi. Leon Bailey asistoi për Mario Hermoson, i cili nga brenda zonës realizoi për 1-1, duke rikthyer shpresën për vendasit.
Megjithatë, Torino u rikthye shpejt në avantazh. Në minutën e 52-të, pas një aksioni të ndërtuar nga Vlasic, Che Adams shënoi golin e tij të dytë personal me një goditje të saktë për 1-2.
Roma nuk u dorëzua dhe në minutën e 81-të arriti barazimin. Wesley França krosoi bukur nga krahu, ndërsa Antonio Arena u shkëput mirë në zonë dhe me kokë shënoi për 2-2, duke e çuar ndeshjen drejt një fundi të tensionuar.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt vazhdimeve, Torino goditi në momentin vendimtar. Në minutën e 90-të, pas një topi të kthyer nga portieri, Emirhan İlkhan reagoi më shpejt se të gjithë dhe e shtyu topin në rrjetë për 2-3, gol që vulosi eliminimin e Romës nga Kupa e Italisë.
Në minutat shtesë, Roma tentoi me ngulm të barazonte, me Antonio Arenën që ishte shumë pranë golit në minutën e 90+4’, por goditja e tij përfundoi pak centimetra jashtë shtyllës.
Kështu, Torino siguron kualifikimin dhe vazhdon rrugëtimin në Kupën e Italisë, ndërsa për Romën kjo humbje përbën një tjetër goditje të rëndë sezonale dhe një eliminim zhgënjyes para tifozëve të saj. /Telegrafi/
Xabi Alonso u shkarkua nga detyra e trajnerit të Real Madridit të hënën, ndërsa në vend të tij u emërua Alvaro Arbeloa, ish-lojtari i klubit që deri më tani kishte punuar me ekipet e të rinjve.
Vendimi i klubit ka shkaktuar zemërim te një pjesë e madhe e tifozëve, por edhe reagime të forta dhe kritika nga media spanjolle dhe ish-lojtarë të Real Madridit.
Gazeta Marca, më e lexuara sportive në Spanjë, i ka kushtuar largimit të Alonsos një artikull të gjatë në faqen e parë me titullin: “Dita kur Xabi u rrëzua dhe gjithçka shkoi për dreqi: ‘Nuk e dija që do të vija të stërvisja fëmijë kopshti!’”.
Në këtë shkrim përshkruhet momenti kur marrëdhënia mes trajnerit dhe një pjese të madhe të skuadrës u thye përfundimisht, gjatë një seance stërvitore në muajin nëntor.
Fraza që ndryshoi gjithçka
Sipas Marcas, përçarja mes ekipit dhe Xabi Alonsos pas dyerve të mbyllura ishte tashmë e dukshme. Distanca mes palëve po rritej gradualisht, derisa situata shpërtheu. Gjatë një seance stërvitore, Alonso humbi kontrollin dhe u bërtiti lojtarëve: “Nuk e dija që po vija të stërvisja një çerdhe!”
Nuk ishte një paralajmërim i zakonshëm për të tronditur skuadrën, as një shpërthim i çastit zemërimi, por një britmë dëshpërimi, rraskapitjeje dhe frustrimi. Alonso ishte prej kohësh i irrituar, pasi mendonte se lojtarët nuk po i përmbushnin kërkesat e tij, sidomos ato që kishin të bënin me aspektin taktik dhe disiplinën në stërvitje.
“Fytyra të zymta, mungesë përqendrimi, pëshpëritje… derisa ai shpërtheu dhe shqiptoi fjalinë që shënoi fillimin e fundit. Ai tha me zë të lartë atë që kishte menduar prej kohësh dhe hapi një plagë në marrëdhënien me ekipin që nuk u mbyll më kurrë”, shkruan Marca.
Mbingarkesë taktike dhe informacion i tepërt
Lojtarët, nga ana tjetër, i konsideronin seancat stërvitore të Alonsos tepër të vështira nga ana taktike dhe ankoheshin se u ngarkohej shumë informacion në një kohë të shkurtër. Zelli i tepruar i Xabit në punën taktike, obsesioni me detajet dhe korrigjimet e vazhdueshme, sipas raportimeve, krijuan lodhje edhe te stafi i tij teknik.
Pakënaqësi kishte edhe ndaj asistentëve, veçanërisht ndaj Sebas Parrilla, ndihmësit kryesor të Alonsos. Prania e shumë personave që jepnin udhëzime dhe monitoronin çdo detaj i bënte lojtarët të ndiheshin nën presion dhe në siklet. Atmosfera e punës u përkeqësua ditë pas dite dhe konsumimi psikologjik filloi të ndihej gjithnjë e më shumë.
Megjithatë, Xabi Alonso i shihte gjërat krejtësisht ndryshe. Kupa e parë e Botës për Klube, e ndjekur nga një rikthim i menjëhershëm në garë, pothuajse pa përgatitje, sipas tij i kishte lënë shumë pak hapësirë për të punuar mbi idetë që dëshironte t’i implementonte te Real Madridi. Ai mendonte se kishte shumë gjëra për t’u ndryshuar dhe korrigjuar dhe se i duhej çdo minutë e çdo seance stërvitore për ta përcjellë këtë te ekipi.
“Xabi e dinte se skuadra ishte larg asaj që ai kishte në mendje dhe se procesi duhej përshpejtuar. Por ky ritëm pune dhe përvetësimi i koncepteve të reja hasnin në vështirësi në dhomën e zhveshjes. Palët nuk ishin në të njëjtën gjatësi vale dhe jeta e përditshme po bëhej gjithnjë e më e vështirë. Xabi ishte i pakënaqur me lojtarët dhe lojtarët ishin të pakënaqur me Xabin”, shton Marca.
Emri i Arbeloas filloi të qarkullojë
Sikur të mos mjaftonte kjo situatë, thashethemet për Alvaro Arbeloan nisën të qarkullojnë gjithnjë e më shpesh në dhomat e zhveshjes. Emri i tij shihej si një zgjidhje e mundshme për të ardhmen dhe prania e tij rreth ekipit të parë po bëhej gjithnjë e më e dukshme.
Qoftë sepse klubi kishte filluar ta testonte këtë opsion, apo sepse vetë lojtarët e vërenin, fakti që Arbeloa – si trajner i Castillas – ishte rregullisht i pranishëm në stërvitjet e ekipit të parë, shtoi pasigurinë dhe dyshimet.
Në këtë klimë të tensionuar erdhi edhe kriza e rezultateve. Real Madridi humbi stabilitetin e pakët që kishte dhe problemet nisën të grumbulloheshin. Edhe pse në momentet e fundit skuadra u përpoq të qëndronte e bashkuar për të kapërcyer situatën dhe për të shmangur shkarkimin e Alonsos, por diçka ishte thyer tashmë.
Dyshimet dhe trazirat nga dhoma e zhveshjes u reflektuan edhe në nivelet më të larta të klubit dhe kthim pas nuk kishte më. Superkupa u bë pika e fundit, por, siç përfundon Marca, britma në stërvitje ishte në fakt fillimi i fundit. /Telegrafi/
Galatasaray ka siguruar kualifikimin në Kupën e Turqisë, duke mposhtur Fethiyesporin me rezultat 2-1, në një ndeshje ku vëmendja u përqendrua te një moment i pazakontë me Mauro Icardin.
Në minutën e 35-të, gjiganti nga Stambolli fitoi një penallti, ndërsa përgjegjësinë për ta ekzekutuar e mori Icardi. Sulmuesi argjentinas u ndal nga portieri i Fethiyesporit, Arda Akbulut, i cili bëri një pritje të shkëlqyer.
Pas rishikimit me VAR, gjyqtari vendosi që penalltia të përsëritej, por edhe në tentativën e dytë rezultati ishte i njëjtë – Akbulut sërish doli fitues në duel me Icardin.
Veprimi i Icardit pas penalltisë së dytë u vlerësua gjerësisht, pasi ai i zgjati dorën dhe e përgëzoi portierin kundërshtar për pritjet vendimtare, duke treguar sportivitet të lartë.
💥 MAURO ICARDI, 2 KERE KULLANDIĞI PENALTI VURUŞUNDAN YARARLANAMADI!
🦁 Galatasaray, 35. dakikada penaltı kazandı.
❌ Mauro Icardi, 36. dakikada kullandığı penaltı vuruşundan yararlanamadı.
📺 37. dakikada VAR'dan gelen uyarıyla penaltı tekrar edildi.
Pavarësisht këtij momenti, Galatasaray arriti të kontrollojë ndeshjen dhe në fund ta mbyllë atë me fitore, duke vazhduar rrugëtimin në Kupën e Turqisë. /Telegrafi/
Fenerbahce ka nisur bisedime me përfaqësuesit e N’Golo Kante për një transferim të mundshëm gjatë afatit kalimtar të janarit, me lojtarin që shumë shprepjt mund të përfundojë te gjiganti turk.
Mesfushori francez, 34 vjeç, ka kontratë me Al Ittihad deri në verë dhe klubi turk shpreson të arrijë një marrëveshje me skuadrën saudite për ta rikthyer atë në futbollin evropian.
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Fenerbahçe i ka paraqitur Kantes një ofertë kontrate, ndërsa pritet që në ditët në vijim të zhvillohen edhe bisedime direkte mes dy klubeve. Ende mbetet e paqartë nëse Al Ittihad do të pranojë ta lëshojë lojtarin në mes të sezonit të Saudi Pro League.
🚨🔵🟡 Fenerbahçe had direct meeting today with N’Golo Kanté camp with initial contract proposal now presented.
Discussions continue also with Al Ittihad and Kanté to understand if possible to proceed. pic.twitter.com/jBMBudS7dl — Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) January 13, 2026
Kante iu bashkua futbollit saudit në vitin 2023, pasi i përfundoi kontrata me Chelsean, por burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se ai është i hapur për një rikthim në Evropë, me kushtet e ofruara nga Fenerbahcen që janë të pranishme për Kanten.
Francezi ishte pjesë e Francës në Euro 2024 dhe pritet të jetë sërish në planet e Didier Deschamps për Kampionatin Botëror të ardhshëm.
Në aspektin statistikor, Kanté ka zhvilluar 14 ndeshje këtë sezon në Saudi Pro League, duke shënuar një gol dhe pa asiste, ndërsa vazhdon të jetë një element i rëndësishëm në mesfushën e Al Ittihadit.
Fenerbahce aktualisht është vetëm tre pikë prapa Galatasarayt në krye të renditjes dhe vjen pas fitores ndaj rivalit të përjetshëm në Superkupën e Turqisë.
Fenerbahçe nuk ka fituar titullin kampion në Turqi që nga viti 2014 dhe afrimi i një lojtari me përvojën dhe profilin e Kantés do të ishte një shtysë e madhe në përpjekjen për t’i dhënë fund pritjes së gjatë. /Telegrafi/
Largimi i papritur i Xabi Alonsos nga Real Madridi ka zënë lojtarët në befasi, pasi ata e mësuan lajmin nga deklarata zyrtare e klubit dhe jo nga një komunikim i brendshëm.
Kylian Mbappé ishte i pari që reagoi, duke i dhënë lamtumirën publikisht trajnerit. “Ishte e shkurtër, por ishte kënaqësi të luaja për ty dhe të mësoja prej teje. Faleminderit që më dhe besim që nga dita e parë. Do të të kujtoj si një trajner me ide të qarta dhe një kuptim të thellë të futbollit. Fat të mbarë në kapitullin tënd të ri”, shkroi francezi në Instagram.
Gjatë gjithë pasdites së së hënës, mesazhe mbështetëse kanë vërshuar nga lojtarët e tjerë të ekipit.
Vinícius Júnior, Trent Alexander-Arnold dhe Mastantuono janë të vetmit që nuk kanë publikuar mesazhe deri tani.
Endrick, i huazuar te Olympique Lyonnais, nuk ishte më nën komandën e tij, ndërsa Jude Bellingham ishte i fundit që tha disa fjalë respekti për trajnerin.
Largimi i Alonsos konfirmon sfidat e brendshme që trajneri ka pasur me lojtarët dhe klubin, megjithatë mbështetja e lojtarëve të tij të afërt tregon lidhjen e fortë që krijoi gjatë kohës së tij te Real Madridi. /Telegrafi/