Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Çela për ATSH-në: Aplikacioni TEA, 170 mijë shkarkime në 2025-ën

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Aplikacioni TEA (Tourism Events of Albania) gjatë këtij viti që po mbyllet ka ofruar një përvojë të përmirësuar dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që kanë eksploruar bukuritë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë.

Falë TEA-s turistët kanë shijuar krahas natyrës, maleve, detit e kulinarisë, edhe eventet kulturore e artistike.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela bën të ditur për ATSH-në se “TEA, guida digjitale e eventeve është shkarkuar 170 mijë herë, në krahasim me 2024 kur është shkarkuar 90 mijë herë”.

“Ky aplikacion në krahasim me vitin 2024 ka pësuar rritje. Në 2024 në TEA janë përfshirë 2144 aktivitete, ndërsa në 2025, 3331 aktivitete, ku vendin kryesor e zënë ato të Agroturizmit, Art Fest, Festivale Muzikore, Artet Pamore, Trashëgimi Kulturore dhe Teatër”, tha Çela.

AKT promovon Shqipërinë globalisht si një destinacion autentik, të sigurt dhe mikpritës, me një ofertë të larmishme.

“Agjencia zbaton një paketë të integruar promovimi; përveç prezantimit të Shqipërisë në panaire të rëndësishme ndërkombëtare, promovimi digjital ka qenë shumë i rëndësishëm për suksesin. Promovimi digjital dhe marketingu tradicional ecin krah për krah, duke përdorur teknologjitë e reja dhe duke krijuar aplikacione digjitale, si aplikacioni TEA, TEA Digital Tourism App”, theksoi Çela.

Sipas saj, aplikacioni TEA është një zgjidhje inovative e zhvilluar nga AKT-ja, që vendos teknologjinë digjitale në qendër të promovimit të turizmit.

“TEA shërben si një asistent personal për udhëtarët, duke ofruar aktivitete kulturore, artistike dhe sportive, si dhe shërbime praktike”, tha Çela.

Disa nga vendet ku është shkarkuar ky aplikacion janë Shqipëria, Italia, SHBA, Anglia, Franca, Spanja, Turqia, Holanda, Kosova etj.

Aplikacioni TEA, i vetmi udhërrëfyes digjital i Shqipërisë turistike është një shembull i shkëlqyer sesi teknologjia mund të përdoret për të përmirësuar dhe modernizuar përvojën turistike, duke ofruar informacion të shpejtë, të saktë dhe të përshtatur për turistët.

Me TEA, turistët navigojnë nëpër destinacione të ndryshme turistike të Shqipërisë. Ata njihen me monumentet historike, aktivitetet kulturore dhe artistike, por edhe informacion mbi shërbimet utilitare në nevojë të turistëve, si: hotele, bare e restorante, kontakte, etj.

/k.s/j.p/

The post Çela për ATSH-në: Aplikacioni TEA, 170 mijë shkarkime në 2025-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Panaire, ekspozita dhe aktivitete për të gjitha grup-moshat në Durrës

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Në prag të mbylljes së vitit 2025, qyteti i Durrësit është gjallëruar mes muzikës, koncerteve dhe aktiviteteve për të gjitha grup-moshat. Sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit janë veshur me dekore festive, ndërsa organizimet argëtuese kanë shtuar ndjesinë e festës në çdo cep të qytetit.

Migena Muhaj, drejtore pranë Drejtorisë së Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare në bashkinë Durrës, tha për ATSH-në se “programi i festimeve ka përfshirë një gamë të larmishme aktivitetesh, duke nisur nga panairet e Krishtlindjes dhe Panairi i Fundvitit, të cilët kanë krijuar hapësira takimi për familjet dhe vizitorët, si dhe kanë shërbyer si platforma promovimi për produktet artizanale dhe punimet tradicionale të bizneseve dhe artizanëve të Durrësit”.

“Një vend të rëndësishëm në kalendar kanë zënë edhe ekspozitat artistike, ku veçohet aktiviteti i ekspozitave “Magjia e Dhjetorit” dhe “Ekspresione Urbane”, të cilat kanë pasqyruar krijimtarinë bashkëkohore dhe frymën festive përmes formave të ndryshme të artit vizual. Një pjesë kyçe e programit kanë qenë edhe koncertet festive, si Koncerti i Rinisë dhe “Tingujt e Adriatikut” për fëmijë, të cilat kanë sjellë në skenë artistët e rinj Durrsakë, duke ofruar programe muzikore për audienca dhe grupmosha të ndryshme”, tha Muhaj.

Muhaj tha se kalendari i festimeve të dhjetorit në Durrës pasqyron angazhimin e bashkisë Durrës për të ofruar aktivitete cilësore, gjithëpërfshirëse dhe me ndikim kulturor, social dhe ekonomik, duke e kthyer qytetin në një hapësirë aktive, dinamike dhe festive gjatë gjithë muajit dhjetor.

Sipas Muhajt, programi festiv shtrihet përgjatë gjithë muajit dhjetor, duke u ndërtuar si një kalendar i vazhdueshëm aktivitetesh që i jep qytetit një atmosferë festive nga fillimi deri në ditët e para të vitit të ri.

Muhaj shtoi se kalendari i festimeve sjell disa risi të rëndësishme krahasuar me vitet e mëparshme, të cilat synojnë pasurimin e përvojës kulturore, rritjen e përfshirjes së publikut dhe forcimin e lidhjes mes artit, komunitetit dhe institucioneve vendore.

“Brenda këtij programi të zgjeruar, përqendrimi i veçantë te të rinjtë e qytetit përbën risinë më domethënëse të këtij viti. Arti pamor, teatri dhe muzika kanë zënë një vend të rëndësishëm përmes ekspozitave, shfaqjeve dhe koncerteve, duke nxitur pjesëmarrjen aktive të brezit të ri në jetën kulturore dhe duke i kthyer të rinjtë jo vetëm në spektatorë, por edhe në kontribues të drejtpërdrejtë”, vijoi ajo.

“Një vëmendje e posaçme i është kushtuar gjithashtu fëmijëve, përmes shfaqjeve artistike dhe aktiviteteve interaktive të dedikuara për ta, si dhe përmes bashkëpunimeve me kopshtet dhe shkollat e qytetit dhe të rrethit, duke e kthyer festën në një përvojë njëkohësisht edukative dhe argëtuese për brezin më të vogël”, tha Muhaj, teksa theksoi se një vëmendje e veçantë i është dhënë traditës dhe identitetit kulturor, duke ndërthurur elementë bashkëkohorë me vlerat kombëtare dhe lokale, në mënyrë që festimet të pasqyrojnë më qartë identitetin kulturor të Durrësit.

Muhaj tha se njëherësh janë parashikuar edhe masa për menaxhimin e fluksit të qytetarëve dhe vizitorëve përgjatë ditëve festive.

“Në bashkëpunim me forcat e rendit dhe policinë bashkiake, janë marrë masa për rregullimin e qarkullimit në hapësirat publike. Për aktivitetet që zhvillohen në ambiente të mbyllura, si Pallati i Sportit, galeritë apo qendrat kulturore, është marrë parasysh kapaciteti maksimal i hapësirave, në mënyrë që çdo pjesëmarrës të ketë një eksperiencë të sigurt dhe të rehatshme. Në këtë mënyrë, sigurojmë që festimet e dhjetorit të jenë të gjalla, por të menaxhueshme dhe të sigurta, duke garantuar një përvojë pozitive për të gjithë qytetarët dhe vizitorët”, përfundoi ajo.

Momente nga dhjetori festiv në Durrës
1 nga 16

/e.i/j.p/r.e/

The post Panaire, ekspozita dhe aktivitete për të gjitha grup-moshat në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodra, qyteti që di të festojë

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH–Ermira Isufaj/

Dritat e fundvitit kanë ndezur Shkodrën dhe bashkë me to edhe ritmin e qytetit. Në sheshin para bashkisë, ku muzika dëgjohet deri në rrugicat përreth, turistë dhe qytetarë ndalen, fotografojnë dhe bëhen pjesë e festës që këtë fundvit e ka kthyer Shkodrën në një nga destinacionet më të kërkuara në vend.

Sheshi është epiqendra e festimeve, ku çdo mbrëmje ngjiten artistë të njohur, duke e shndërruar qytetin në një skenë të hapur. Kalendari festiv do të kulmojë në natën e ndërrimit të viteve me performanca nga Arilena Ara, Noizy, Elvana Gjata, Sidrit Bejleri dhe spektaklin e fishekzjarreve.

Drejtoresha e Kulturës në Bashkinë Shkodër, Sara Smaja, thotë për ATSH-në se ky fundvit ka ardhur ndryshe, jo vetëm për shkodranët, por edhe për turistët e shumtë që kanë zgjedhur qytetin për të festuar. Risia e këtij viti është shtrirja e atmosferës festive në disa pika kryesore të qytetit.

Për fëmijët është krijuar një hapësirë e posaçme pranë lulishtes së bashkisë, ndërsa përgjatë pedonales “Kolë Idromeno” rinia ka ngritur shtëpizat e saj festive. Të menaxhuara nga të rinjtë e “Act4Shkodra”, këto hapësira nuk janë vetëm festive, por edhe solidarizuese, pasi të ardhurat e mbledhura shkojnë për bamirësi për shtresat në nevojë.

Smaja thekson se ky është viti i tretë që bashkia e ka çuar festën në një tjetër dimension, duke dyfishuar numrin e turistëve. Strukturat akomoduese janë pothuajse të mbushura dhe gjetja e vendeve të lira për ditët e fundvitit është gjithnjë e më e vështirë.

Atmosfera festive shtrihet edhe në institucionet kulturore të qytetit. Teatri “Migjeni” ka sjellë premiera dhe varietetin e humorit dhe këngës “Kartolinën ta dërgova”, ndërsa Orkestra Simfonike ka mbajtur koncert me të ftuar sopranon e njohur ndërkombëtare Marigona Qerkezi. Muzeu Historik dhe Galeria e Arteve ofrojnë ekspozita dhe veprimtari që pasqyrojnë trashëgiminë dhe krijimtarinë bashkëkohore të Shkodrës.

Krahas festës, bashkia ka ndërmarrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë. Policia Bashkiake dhe ajo e Rendit janë të pranishme në sheshe dhe në akset kryesore për menaxhimin e trafikut dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve.

Përtej muzikës dhe dritave, turistët po shfrytëzojnë edhe atraksionet historike dhe natyrore të qarkut Shkodër. Kalaja e Rozafës, liqeni i Shkodrës, Buna, Thethi, Valbona dhe malet përreth mbeten pjesë e itinerarit edhe në dimër.

Në këto ditë festash, Shkodra jo vetëm feston, por edhe mirëpret, duke i dhënë kuptim ftesës së saj tradicionale për vizitorët: “Ardhshi të bardhë”.

Festat në Shkodër; Foto: Florjan Abazaj
1 nga 27

/e.i/r.e/

The post Shkodra, qyteti që di të festojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shfaqje cirku dhe koncerte muzikore “ndezin” Gjirokastrën në ditët festive

TIRANË, 14 dhjetor /ATSH/ Gjirokastra po jeton një atmosferë të veçantë festive, ku arti dhe kultura kanë marrë rolin kryesor në gjallërimin e qytetit. Një kalendar i pasur aktivitetesh artistike e ka kthyer qytetin e gurtë në një hapësirë të hapur krijimtarie, duke mbledhur rreth vetes banorë dhe vizitorë të çdo moshe, vendas e të huaj.

Me surpriza dhe numra të veçantë ishte shfaqja e Trupës së Cirkut Kombëtar, e cila solli në Gjirokastër një spektakël plot dinamizëm, ngjyra dhe emocione. Performancat u ndoqën me interes të madh, veçanërisht nga fëmijët, por edhe nga të rriturit që përjetuan një mbrëmje festive ndryshe nga e zakonshmja.

Artisti i cirkut Gerald Shima u shpreh se për trupa të tilla është gjithmonë kënaqësi të jenë pranë publikut. Ai theksoi se arti i cirkut synon të sjellë emocione dhe gëzim për të gjithë, duke e konsideruar Gjirokastrën një ndalesë të veçantë në këtë periudhë festash.

“Ne jemi gjithmonë të lumtur që e çojmë artin e cirkut kudo. Çdo qytet na mirëpret dhe sot, në Gjirokastër, në këtë atmosferë festash, ishte e pamundur të mungonim. Qëllimi ynë është të dhurojmë emocione për të gjithë publikun”, u shpreh artisti i cirkut Gerald Shima.

Atmosferës festive iu shtua edhe muzika klasike, përmes një koncerti të mbajtur në zonën muzeale të qytetit nga artistë italianë. Sopranoja Barbara Luccini dhe pianisti Aliano Fridani interpretuan pjesë operistike dhe muzikë nga filma të njohur, duke krijuar një mbrëmje elegante dhe emocionale për publikun.

Barbara Luccini, në vizitën e saj të parë në Shqipëri, u shpreh e impresionuar nga bukuria e Gjirokastrës dhe nga mikpritja e publikut. “Është vizita ime e parë në Shqipëri dhe jam e mahnitur nga bukuria e Gjirokastrës. Publiku na priti ngrohtë dhe na shoqëroi me duartrokitje gjatë gjithë koncertit. Ishte një kënaqësi të sillnim muzikë të pavdekshme për këtë qytet”, tha sopranoja Luccini.

Nërsa pianisti Aliano Fridani theksoi se rikthimi i tij në Shqipëri është gjithmonë një emocion i veçantë. “Koncerti i kësaj mbrëmjeje i dedikohet Ennio Morricone-s dhe muzikës së filmave të tij. Falënderoj publikun e Gjirokastrës për mikpritjen dhe dashurinë për artin”, u shpreh ai.

Aktivitetet kulturore do të vijojnë gjatë gjithë ditëve të festave, duke i dhënë Gjirokastrës një gjallëri të veçantë dhe duke e konsoliduar atë si një destinacion tërheqës turistik edhe gjatë sezonit dimëror.

/a.f/

The post Shfaqje cirku dhe koncerte muzikore “ndezin” Gjirokastrën në ditët festive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spektakël Vespash në Durrës mes adrenalinës dhe peizazheve ikonike

TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ Në qytetin bregdetar të Durrësit, Vespa Club Epidamn bëri bashkë rreth 50 vepistë nga Durrësi, Tirana, Vlora dhe Shkodra që morën pjesë në aktivitetin “As dimri s’na fik Vespat”, duke dhuruar spektakël për vendasit dhe turistët e huaj.

Pjesëmarrësit krijuan një atmosferë mjaft të bukur duke eksploruar pikat më ikonike të qytetit si Vilën e Zogut, Portin, Torrën dhe Murin Bizantin.

Xhiro u mbyll me një perëndim piktoreskë buzë detit perfekt për të finalizuar një ditë plot adrenalinë dhe pasion.

/e.i/a.f/

The post Spektakël Vespash në Durrës mes adrenalinës dhe peizazheve ikonike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prizreni hap “Dimrin Kulturor” me atmosferë festive dhe shtëpiza druri



Me muzikë dhe aktivitete festive, mbrëmë në Prizren u shënua hapja e edicionit të ri të “Dimrit Kulturor”, i cili do të ofrojë argëtim dhe kulturë për qytetarët dhe vizitorët deri më 5 janar 2026.

Shtëpizat e drurit, të dekoruara me stil dhe të shoqëruara me ofertat e gastronomëve lokalë, kanë krijuar një destinacion ideal për festat e fundvitit.

Atmosferën festive e përforcon edhe prania e bashkatdhetarëve që rikthehen në qytet për të kaluar festat me familjet e tyre, duke i dhënë Prizrenit energji të ngrohtë dhe dinamizëm të veçantë.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka ftuar të gjithë qytetarët dhe vizitorët të shijojnë këtë periudhë festive dhe të bashkohen në aktivitete, duke e bërë “Dimrin Kulturor 2026” një përvojë të paharrueshme për të gjithë. /Telegrafi/


Piramida kthehet në qendër të festimeve për Ditën Kombëtare të Rinisë

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë, një sërë aktivitetesh do të zhvillohen sot në ambientet e Piramidës së Tiranës.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, një nga studentët e Dhjetorit ’90, ftoi të qytetarët dhe të rinjtë të bëhen pjesë e këtyre organizimeve që kanë në qendër krijimtarinë dhe angazhimin e brezit të ri.

Gonxhja ndau në rrjete sociale momente që përkujtojnë lëvizjen studentore të vitit 1990.

Gjithashtu, ministri fton të rinjtë që t’i bashkohen sot një sërë aktivitetesh që do të mbahen te Piramida e Tiranës nga Agjencia Kombëtare e Rinisë.

Aktivitetet e parashikuara përfshijnë nga hapësirat kreative, diskutimet, performancat artistike e deri te eksperienca multimediale imersive, ku në qendër do të vendoset krijimtaria, pjesëmarrja aktive dhe bashkëpunimi ndërmjet të rinjve,

8 Dhjetori, i shpallur si Dita Kombëtare e Rinisë, përkujton lëvizjen studentore të vitit 1990, e cila shënoi fillimin e ndryshimeve demokratike në Shqipëri.

/e.xh/ /a.g/

The post Piramida kthehet në qendër të festimeve për Ditën Kombëtare të Rinisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pavarësia e Shqipërisë festohet edhe në Kiev

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Festa Kombëtare e Pavarësisë së Shqipërisë u kremtua në zemër të Ukrainës, në një moment simbolik ku vlerat e lirisë dhe dinjitetit njerëzor marrin kuptim të veçantë.

Në kryeqytetin ukrainas u organizua një aktivitet për të nderuar 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ku morën pjesë përfaqësues diplomatikë, miq të Shqipërisë dhe anëtarë të komunitetit shqiptar.

Ceremonia reflektoi jo vetëm respektin për historinë shqiptare, por edhe solidaritetin me popullin ukrainas, i cili sot po përballet me sfida të rënda për mbrojtjen e sovranitetit dhe lirisë së tij.

Gjatë aktivitetit u vu në dukje se festimi i Pavarësisë së Shqipërisë në Kiev përçon një mesazh të fortë shprese dhe qëndrese, duke theksuar miqësinë mes dy popujve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për Ukrainën në këto kohë të vështira.

Aktiviteti u shoqërua me elemente kulturore dhe simbolike shqiptare, duke sjellë në Ukrainë shpirtin e festës kombëtare. /j.p/

The post Pavarësia e Shqipërisë festohet edhe në Kiev appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FELT 2025, ditë dedikuar lexuesve të rinj në Tiranë

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ Zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi sot se dita e katërt e Festivalit të Letërsisë Evropiane (FELT 2025) do t’i kushtohet lexuesve të rinj, me aktivitete të shpërndara në disa institucione arsimore dhe kulturore të kryeqytetit.

Në Gjimnazin e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, shkrimtarja austriake-sllovene Maja Haderlap dhe përkthyesja Blerta Lazebeu do të lexojnë fragmente nga veprat e tyre dhe do të diskutojnë me nxënësit për rolin e letërsisë në ruajtjen e kujtesës, ballafaqimin me të kaluarën dhe identitetin në një botë të globalizuar.

Ndërkohë, në Gjimnazin “Protagonistët”, autori grek Christos Kythreotis do të zhvillojë një bisedë me të rinjtë rreth temave të identitetit, rinisë dhe migracionit.

Më pas, dita zhvendoset në Shtëpinë e Evropës me masterclass-in e shkrimit krijues të Dario Voltolinit dhe një bisedë me Nadia Terranovën. Në Fakultetitn e Historisë dhe Filiologjisë, Philippe Collin do bashkëbisedojë me studentët e gazetarisë dhe komunikimit mbi podcast-et, median dhe historinë.
Mbrëmja mbyllet në Qendrën Kulturore Tulla me një bisedë mbi veprën e Wisława Szymborska-s me Michał Rusinek dhe një diskutim me Christos Kythreotis mbi rininë, identitetin dhe migracionin në letërsinë bashkëkohore.

Delegacioni i BE-së fton publikun të shfletojë programin e plotë të ditës së katërt dhe të bëhet pjesë e Festivalit të Letërsisë Evropiane në Tiranë. /j.p/

The post FELT 2025, ditë dedikuar lexuesve të rinj në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Edicioni i parë i Next Generation në Tropojë, model i diplomacisë kulturore

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Qyteti i Bajram Currit (Tropojë) u kthye në një skenë të gjallë arti, krijimtarie dhe diplomacie kulturore, duke mirëpritur edicionin e parë të Next Generation.

Ky edicion u mbajt në datat 21 dhe 22 nëntor dhe është një projekt që synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për artistët dhe të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova.

Edicioni i parë i Next Generation ishte më shumë sesa një event, ishte një ftesë për bashkëpunim. Atje ku arti bëhet mjet dialogu, ku kultura merr forma të reja dhe ku zëri i brezit të ri tejkalon kufijtë politikë. Në një rajon ku lidhjet kulturore kanë qenë historikisht të natyrshme, projekti rikthen fokusin pikërisht tek ajo që është e përbashkët: energjia krijuese dhe dëshira për të ndërtuar të ardhmen së bashku.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare dhe sipas organizatorëve u zgjodh Tropoja sepse është një nga vendet ku marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë gjithmonë organike. Ku kulturat nuk takohen për herë të parë, por rikthehen tek njëra-tjetra.

Tropoja ofron terrenin e duhur për të ndërtuar një model të ri diplomacie kulturore, të bazuar në kreativitet, bashkëpunim dhe art që buron nga brezi i ri.

Programi i dy ditëve përfshiu forume, performanca, punëtori, ekspozita dhe aktivitete interaktive, të cilat bashkojnë disiplinat kryesore kreative kinematografi, debate, rrëfime dhe bashkëpunime të reja mes krijuesve filmikë.

Gjithashtu, në program kishte edhe muzikë me performanca që lidhin skena e qytete, me pjesëmarrjen e emrave si Oda Haliti, e njohur për ritmin që udhëton mes Tiranës, Prishtinës dhe Berlinit, dhe Shpat Deda, kantautori me bazë në Prishtinë që sjell rrëfime intime në tinguj pop, soul, rock dhe jazz.

Në aktivitet, u përfshinë edhe disiplinat e artit dhe kulturës me instalacione dhe ndërhyrje vizuale që hapin hapësira të reja interpretimi.

Njëherësh, aktiviteti pati edhe një një qasje e re ndaj shijeve dhe traditave vendase, duke i trajtuar si elementë të kulturës bashkëkohore, si edhe trashëgimi kulturore një rikthim te rrënjët për të kuptuar më mirë të ardhmen.

Në qendër të programit ishte ideja se bashkëpunimi kulturor nuk duhet vetëm të ekzistojë, duhet të zhvillohet, të sfidohet dhe të ndërtohet nga ta që e mbajnë gjallë skenën kreative sot.

Qëllimi i kësaj ngjarjeje është krijimi i një platforme ku artistët dhe të rinjtë të ndërveprojnë lirshëm, të shkëmbejnë ide dhe të ndërtojnë ura të reja. Të mendojnë përtej kufijve dhe të imagjinojnë bashkë një vizion të ri kulturor për rajonin. Next Generation është një hap i parë i domosdoshëm drejt një modeli më të avancuar të diplomacisë kulturore, një diplomaci që lind nga arti, bashkëkrijimi dhe dëshirat e brezit të ri.

/e.i/r.e/

The post Edicioni i parë i Next Generation në Tropojë, model i diplomacisë kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga futbolli tek alpinizmi, aktivitetet sportive të nëntorit

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Muaji nëntor 2025 do të jetë një periudhë e ngjeshur dhe emocionuese për sportet në vendin tonë, me një kalendar të mbushur me ngjarje të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndau sot kalendarin e aktiviteteve sportive të muajit nëntor.

Gonxhja theksoi se nëntori vjen me një kalendar të pasur aktivitetesh sportive, nga kampionatet kombëtare dhe kupat e federatave olimpike e joolimpike, deri te ngjarjet ndërkombëtare.

“Nga shah në Gjirokastër, bilardo në Tiranë, deri tek alpinizmi dhe badminton në qytete të ndryshme, sportistët shqiptarë tregojnë talent, pasion dhe përkushtim, duke promovuar kulturën e garës dhe shëndetin fizik në çdo moshë dhe disiplinë”, theksoi Gonxhja.

Në futboll, Kombëtarja shqiptare do të përballet me Andorrën në transfertë më 13 nëntor dhe me Anglinë në Tiranë më 16 nëntor, në kuadër të eliminatoreve për kompeticionet ndërkombëtare. Ndeshjet do të jenë të rëndësishme për shanset e Shqipërisë për t’u kualifikuar në Botërorin 2026 dhe pritet të sjellin emocion për tifozët.

Në basketboll, Shqipëria do të ndeshet me Sllovakinë në 27 nëntor dhe me Kosovën në 30 Nëntor në kuadër të “FIBA EuroBasket 2029 – Pre Qualifiers”, duke sjellë intensitet dhe mundësi për të avancuar në këtë kompeticion të madh.

Volejbolli shqiptar do të ketë një muaj të mbushur me finale, përfshirë Kupën e Shqipërisë për Superligën e femrave dhe meshkujve, dhe finale të Kupës së Pavarësisë mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ngjarjet do të zhvillohen gjatë gjithë muajit dhe pritet të ofrojnë një konkurrencë të fortë për skuadrat më të mira të vendit.

Peshëngritësit shqiptarë do të garojnë në disa aktivitete të rëndësishme si kampionati evropian për të Rinjtë dhe U23 në Durrës, Europianet e Peshëngritjes për Cadet në Greqi dhe Europianet për Junior në Zvicër.

Gjimnastët shqiptarë do të marrin pjesë në Kampionatin Ballkanik të Gjimnastikës Artistike në Kroaci dhe në Turneun Ndërkombëtar të Gjimnastikës Ritmike në Gjeorgji.

Shahu do të sjellë emocionet e tij në Gjirokastër me Kupën e Republikës dhe Kampionatin Kombëtar Ekipor nga 14 deri më 21 nëntor, si dhe me kampionatet individuale Rapid dhe Blitz më 22-23 nëntor.

Në sportet motorike, Federata Shqiptare e Motoçiklizmit do të organizojë Kampionatin Kombëtar MotorRally më 28 nëntor, dhe një tjetër ngjarje të rëndësishme do të jetë Kampionati Superlotto më 23 nëntor.

Një ngjarje e veçantë për studentët e sporteve do të jenë edhe Lojërat Studentore të Lirisë Shqipëri-Kosovë, që do të organizohen më 27-28 nëntor, nga Federata Shqiptare e Sportit Universitar. Kjo do të jetë një mundësi për sportistët e rinj që të forcojnë marrëdhëniet sportive ndërmjet tyre.

Në tenisin shqiptar do të zhvillohen Festivali Rajonal i Tenisit më 8-9 nëntor, Finalet e Kampionatit Kombëtar për meshkuj, demra dhe Senior nga 13 deri më 21 nëntor, si dhe Kupa e Pavarësisë në Vlorë më 28-29 nëntor.

Alpinistët do të kenë mundësinë të garojnë në “Open Balkan Cup” – Kupa Ndërkombëtare e Ngjitjes Sportive, e cila do të mbahet më 8-9 nëntor në Durrës, duke sjellë garues nga e gjithë Juglindja e Europës.

Në nëntor do të zhvillohen gjithashtu aktivitete të tjera, si Kampionati Kombëtar i Ping Pongut më 15-16 nëntor, Turneu i Bilardos në Tiranë më 8-9 nëntor, dhe Kampionati Kombëtar i Teqball më 14 nëntor. Po ashtu, në sportet e qitjes do të zhvillohet Gara e 12 Sportistëve më të Mirë më 1 nëntor dhe Kupa e Pavarësisë më 22 nëntor.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Nga futbolli tek alpinizmi, aktivitetet sportive të nëntorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Abissnet Superiore, përzgjidhet formacioni dhe trajneri më i spikatur i javës

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Pas përfundimit të javës së 7-të të “Abissnet Superiore”, trajnerët e ekipeve kombëtare kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të spikatur të javës, sipas skemës 4-3-3.

Aldo Teqja i Dinamo City-t mbajti të paprekur portën në ndeshjen kundër Egnatias. Mbrojtja përbëhet nga këtërshja: Edison Ndreca (Egnatia), Melos Bajrami (Vllaznia), Saliou Sembene (Partizani), Rimal Haxhiu (Tirana).

Irgi Kasalla i Vorës dhe Xhoele Maçolli i Teutës përbëjnë krahët e mesfushës dhe në qendër qëndron futbollisti i Vllaznisë, Ardit Krymi.

Në sulm rreshtohen tre futbollistët: Bernard Karrica (Vora), Vusal Isgandarli (Partizani), Ibrahima Diallo (AF Elbasani).

Trajneri më i mirë i javës së 7-të është përzgjedhur Arjan Bellai i Vorës, pas fitores 1-2 në transfertë kundër Elbasanit.

/e.i/j.p/

The post Abissnet Superiore, përzgjidhet formacioni dhe trajneri më i spikatur i javës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan fotoalbumin e javës

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot fotoalbumin e javës.

Kryeministri Rama priti të hënën presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila nisi nga Tirana turin e saj në rajon, si dhe mori pjesë në Forumin e parë të Investimeve BE – Ballkani Perëndimor.

Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes u mbajt në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e më pas kryeministri Rama dhe presidentja Von der Leyen zhvilluan një takim kokë më kokë në Kryeministri, i cili u pasua nga takimi mes dy delegacioneve.

Në vijim, kryeministri Rama dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhanë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Më pas ata morën pjesë në hapjen e Forumit të parë të Investimeve BE – Ballkani Perëndimor. Ky forum përbën një moment strategjik në integrimin ekonomik të rajonit me Bashkimin Evropian. Ai ofron mundësi për të tërhequr investimet e huaja direkte, për të nxitur inovacionin dhe për të përshpejtuar integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, duke nxitur në këtë mënyrë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në rajon.

Në kuadër të Forumit u shkëmbyen një seri letrash qëllimi (LOI) që i paraprijnë marrëveshjeve mes vendeve me interes të ndërsjellë.

Të martën kryeministri Edi Rama mori pjesë në forumin e Investimeve WB6- Bashkimi Europian, në aktivitetin Hackathon-i Rajonal i Inteligjencës Artificiale 2025 që bëri bashkë 161 pjesëmarrës nga i gjithë Ballkani Perëndimor dhe diaspora, me synimin për të zhvilluar zgjidhje konkrete të bazuara në Inteligjencën Artificiale (IA) për sfida reale shoqërore.

Kryeministri Rama, gjatë hapjes së eventit, vlerësoi rëndësinë e krijimit të një hapësire bashkëpunimi për inovatorët dhe startup-et, duke ofruar akses në institucionet shtetërore dhe burimet e të dhënave që do të mundësojnë zhvillimin e zgjidhjeve të reja përmes inteligjencës artificiale.

Të enjten kryeministri Rama ishte i pranishëm në konkursin ndërkombëtar për rilindjen e pallatit të sporteve “Asllan Rusi”, ku 6 skuadrat finaliste prezantuan për jurinë projektidetë arkitekturore.

Fitues u shpall projekti i kompanisë MVRDV. Ai parashikon që godina ekzistuese të transformohet në një qendër të gjallë, që ka jetë gjatë 24 orëve, një hapësirë ku takohen aktivitetet sportive, kulturore dhe ato sociale.

/gj.m/r.e/

The post Rama ndan fotoalbumin e javës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga xhudo te matcha, aktivitetet në Javën Japoneze në Tiranë

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Tirana mirëpret Javën Kulturore Japoneze, një ngjarje e shumëpritur që bashkon qytetarët me shpirtin, elegancën dhe thellësinë e kulturës japoneze.

Me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, nga data 12 deri më 18 Tetor 2025, kryeqyteti shqiptar bëhet një urë kulturore që lidh Shqipërinë me Japoninë përmes një programi të pasur me aktivitete artistike, sportive, kulinarie dhe kinematografike.

Java nis më 12 Tetor, në Parkun Olimpik të Tiranës, me Kupën e Ambasadorit në Xhudo dhe Karate.

Të rinj sportistë shqiptarë do të sjellin emocionin dhe disiplinën e arteve marciale japoneze përmes ndeshjeve dhe demonstrimeve mbresëlënëse.

Në datën 13 Tetor, në ambientet e COD – Qendra për Hapje dhe Dialog, zhvillohet seminari informues mbi turizmin në Japoni, i organizuar nga Organizata Kombëtare e Turizmit e Japonisë (JNTO). Të pranishmit do të kenë mundësinë të njihen me destinacionet më tërheqëse, këshillat praktike për udhëtimin dhe një “shije” autentike të kulturës japoneze.

Nga 14 deri më 16 Tetor, vëmendja zhvendoset në Vila 31 Art Explora, ku do të mbahen dy aktivitete që sjellin traditën dhe kuzhinën japoneze në qendër të Tiranës. Ndërkohë po nga data 14, deri më 15 Tetor, do të organizohet Ceremonia Japoneze e Çajit, e udhëhequr nga një mjeshtër japonez i çajit.

Ndërsa më 16 Tetor, publiku do të ketë mundësinë të marrë pjesë në një udhëtim kulinarik në Japoni, ku do të demonstrohet përgatitja e mochi-t, tortës tradicionale të orizit, dhe gatimeve të tjera tipike të kuzhinës Washoku. Kjo përvojë interaktive ofron një dritare drejt kulturës përmes shijes dhe aromës autentike japoneze.

Për të apasionuarit pas kinemasë, nga 14 deri më 18 Tetor, Qendra e Artit “Agimi” do të hapë dyert për Javën e Filmit Japonez, një cikël filmash që prezanton pesë kryevepra të kinemasë moderne japoneze. Nga drama dhe komedia tek fantazia dhe introspeksioni, publiku do të ketë mundësinë të eksplorojë dimensione të reja të artit filmik japonez, përtej anime-ve të njohura globalisht. Filmat e përzgjedhur përfshijnë: “The Lines That Define Me”, “MONDAYS: See you ‘this’ week!”, “Neko Ninja”, “Between Us” dhe “Takano Tofu”.

The post Nga xhudo te matcha, aktivitetet në Javën Japoneze në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fëmijë e të rritur, pjesë e aktiviteteve argëtuese në “Fun Fair 2025”

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Panairi i dedikuar për fëmijë, “Fun Fair ’25”, përmbylli siparin e edicionit të tij të parë, mbrëmjen e të dielës.

Nga data 19 deri në 21 shtator, Tirana u shndërrua në kryeqytetin e fëmijëve, ku një gamë e gjerë aktivitetesh argëtuese bënë bashkë, fëmijë të grup-moshave të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama, ndau sot pamje nga atmosfera e “Fun Fair” në sheshin “Italia”, ndërsa tha se “fëmijë e të rritur u bënë pjesë e aktiviteteve argëtuese”.

Panairi u kthye në një eksperiencë të re dhe të veçantë për fëmijët, ku aktivitetet kreative, lojërat, inovacioni dhe argëtimi ishin “kryefjalë” e kësaj përvojë treditore.

Gjatë ditëve të panairit fëmijët u njohën me ekspozita pikture dhe instalacione, lojëra kreative e argëtuese, aktivitete artistike të ndryshme.

Kjo iniciativë është pjesë e vizionit të ri për zhvillimin e kulturës dhe inovacionit tek fëmijët, duke i përfshirë ata në aktivitete sociale dhe zbavitëse. “Fun Fair” synon të sjellë jo vetëm argëtim, por edhe edukim përmes lojës dhe inovacionit.

Aktiviteti erdhi si bashkëpunim mes institucioneve të linjës dhe u mbështet nga MEKI dhe Bashkia e Tiranës.

/e.i/a.f/r.e/

The post Fëmijë e të rritur, pjesë e aktiviteteve argëtuese në “Fun Fair 2025” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kitsurf në Durrës, Sako: Po fiton terren në brigjet tona

TIRANË, 7 shtator /ATSH/ Qyteti bregdetar i Durrës, tashmë nuk është vetëm një destinacion i preferuar për pushuesit vendas dhe ata të huaj, por edhe një atraksion për sportistët e pasionuar pas aktiviteteve ujore.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emirana Sako tha sot se në Sektor Rinia u zhvillua një event emocionues në kitesurf, një sport spektakolar që po fiton gjithnjë e më shumë terren në brigjet tona.

Sako tha se do të vazhdojë mbështetja për nisma dhe evente që promovojnë turizmin sportiv dhe potencialin e pakufizuar që ofron qyteti i Durrësit.

Kitsurfi është një sport që konsiston në një platformë ku mbështeten këmbët e sportistit dhe me një litar që fiksohet në belin e tij lidhet një balonë e cila e tërheq atë. Ky sport kërkon një shpejtësi ere afërsisht 20 km/orë.

/e.i//a.f/

The post Kitsurf në Durrës, Sako: Po fiton terren në brigjet tona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kalaja e Bashtovës, një hapësirë moderne për kulturën dhe turizmin

TIRANË, 30 gusht /ATSH/ Kalaja e Bashtovës është rihapur si një qendër kulturore falë programit “EU4Culture” të financuar nga Bashkimi Evropian.

E dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, restaurimi i kalasë së Bashtovës ka ruajtur elementët autentikë, ka sjellë hapësira të reja për vizitorët dhe ka zbuluar shtresa të reja historike, duke hapur një kapitull të ri për këtë monument.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, pamje nga kalaja e Bashtovës, duke e cilësuar atë si “një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë sonë historike”.

Rama u shpreh se kalaja e Bashtovës “ka rilindur duke hapur dyert për vizitorët, tashmë si një hapësirë moderne për kulturën, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit”.

Kalaja e Bashtovës, Monument Kulture i Kategorisë së Parë që nga viti 1948 dhe kandidate për Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është një nga 23 sitet e trashëgimisë që po restaurohen përmes programit EU4Culture, një program prej 40 milionë eurosh i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Aktivitete të organizuara në kalanë e Bashtovës
1 nga 12

/e.i//a.f/

The post Rama: Kalaja e Bashtovës, një hapësirë moderne për kulturën dhe turizmin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aktivitete perfekte për një ditë me shi dhe stuhi: Si ta shfrytëzoni këtë të shtunë!

Pavarësisht stuhisë dhe shiut që ka mbërthyer qytetin këtë të shtunë, ka shumë mundësi për të kaluar një ditë të këndshme dhe produktive brenda. Ja disa ide për t’u argëtuar dhe relaksuar në kushte perfekte për një ditë të tillë:

  1. Qëndrimi në shtëpi: Shfrytëzoni kohën për të parë një film ose serial të preferuar. Mund të krijoni një atmosferë të rehatshme me dritat e zbehta, batanije dhe patatina.
  2. Lexim i librit të preferuar: Një ditë me shi është perfekt për të humbur në një libër të mirë. Zgjidhni një libër që keni dëshiruar ta lexoni prej kohësh dhe relaksohuni me të.
  3. Kuzhinë dhe gatim: Pse të mos provoni një recetë të re? Me reshjet jashtë, mund të kaloni kohë duke gatuar dhe shijuar diçka të shijshme.
  4. Meditim dhe relaksim: Përdorni këtë ditë për të reflektuar dhe për t’u kujdesur për veten. Provoni meditim, joga ose thjesht një vrapim të qetë në mendje.
  5. Bashkëbisedim me miqtë ose familjen: Pavarësisht stuhisë jashtë, mund të shijoni një kafe të ngrohtë dhe një bisedë të këndshme me ata që keni pranë.

Shfrytëzoni këtë ditë për të rinovuar energjinë dhe për të kaluar kohë cilësore me vetveten dhe të dashurit tuaj. Edhe pse jashtë është i errët dhe me shi, mund të krijoni atmosferën tuaj të ngrohtë dhe të bukur brenda! 

The post Aktivitete perfekte për një ditë me shi dhe stuhi: Si ta shfrytëzoni këtë të shtunë! appeared first on iconstyle.al.

Balluku në festën e Sh’Mrajas në Lurë: Ekspozohen traditat dhe kultura e zonës

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Festa e Sh’Mrajas po kthehet në një traditë të përvitshme në kalendarin e aktiviteteve që organizohen në Lurë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në festën e Sh’Mrajas mes banorëve e vizitorëve që nuk mungojnë në Lurë.

Në një postim në rrjetet sociale, Balluku u shpreh se kjo është një festë që i bashkon të gjithë, ku ekspozohen me krenari traditat dhe kultura e pasur e zonës.

“Kisha e fshatit, që mban emrin Sh’Mraja, është një tjetër thesar jo vetëm i Lurës. Kënaqësi që u riktheva sërish për ta vizituar”, tha Balluku.

Kisha e Shën Mërisë, e cila ruan brenda saj rrënoja të kishës së vjetër 630-vjeçare, është një pasuri e Lurës. E restauruar së fundmi, kjo kishë është edhe një destinacion turistik për vizitorët në Lurë.

Sh’Mraja është festa që bën bashkë të gjithë, banorë e vizitorë, në një atmosferë festive, me tingujt e muzikës tradicionale e veshjet karakteristike të zonës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në festën e Sh’Mrajas në Lurë
1 nga 9

/e.i/j.p/

The post Balluku në festën e Sh’Mrajas në Lurë: Ekspozohen traditat dhe kultura e zonës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konkursi kombëtar i verifikimit të fakteve “Fatos Baxhaku”

Faktoje hap thirrjen për konkursin kombëtar të verifkimit e fakteve, një mundësi për gazetarët që duan
të kontribuojnë në kërkim të së vërtetës dhe të nderojnë kujtimin e gazetarit të shquar Fatos Baxhaku. 

Si të Aplikoni:

Dërgoni CV-në tuaj dhe plotësoni formularin në info@faktoje.al
Afati: 15 Shtator 2025!

Kush mund të aplikojë:

Gazetarë të apasionuar pas verifikimit dhe raportimeve të bazuara në fakte për të promovuar mendimin
kritik mbi çështje me rëndësi publike.
Ne po kërkojmë produktet më të mira nga gazetarë që përdorin teknikat më efektive të kontrollit të
fakteve dhe shfaqin kërkime që përfshijnë analizën e të dhënave, përmbajtje me të dhëna të hapura dhe
të tjera burime inovative.
Mos e humbisni mundësinë për të faktuar të vërtetën!

The post Konkursi kombëtar i verifikimit të fakteve “Fatos Baxhaku” appeared first on Faktoje.al.

❌