Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Kemi nevojë për opozitë normale”, debati në Real Story: PD gjithmonë do që të jetë numri 2, partive të reja u mungon koherenca

TIRANË- Jani Marka nga “Shqipëria Bëhet” deklaroi në “Real Story” se detyra e forcave të reja politike është të artikulojnë të vërtetën me zë të lartë dhe në mënyrë të qytetëruar.

Ai shtoi se Partia Demokratike duket se e ka zgjedhur strategjikisht të mbetet forcë e dytë në skenën politike.

Sipas Markës, partia e Sali Berishës është e mobilizuar për këtë qëllim dhe nuk synon realisht ndryshimin. Ai shtoi se përplasjet dhe tensionet e vazhdueshme në seancat parlamentare nuk përbëjnë opozitë efektive dhe normale.

“Detyra jonë të artikulojmë të vërtetën me zë të lartë dhe në mënyrë të qytetëruar. Partia e Sali Berishës është që do të jetë numër dy, e ka këtë strategji dhe ka mobilizuar militantët e vet.Por nëse vazhdon opozita që përplasen me karrige në çdo seancë…”, tha ai.

Nga ana tjetër, analisti Ergys Mërtiri u shpreh se opozita e di shumë mirë se si bëhet një opozitë normale, por sipas tij problemi është se nuk dëshiron ta bëjë. Ai theksoi se partitë e reja ndodhen nën presionin e publikut, i cili kërkon prej tyre më shumë sesa mund të mbajnë.

Sipas Mërtirit, kjo i shtyn shpesh drejt ekzagjerimit, duke përmendur se Adriatik Lapaj tenton të mbajë një peshë më të madhe sesa ka realisht.

“Mjafton të thuash të vërtetën. Këta jo që nuk e dini si bëhet. Dinë të bëjnë opozitë normale, problemi është se nuk duan të bëjnë. Partitë e reja janë në një presion, i cili është presioni i publikut, i cili kërkon që këta të marrin më shumë barrë se çkanë dhe duke bërë këtë shpeshherë ata ekzagjerojnë. Për Mua Lapaj, tenton të mbajë më shumë peshë se c ‘mban. Në fund fare nuk i kërkojmë Lapajt të shpëtojë Shqipërisë, se nuk shpëtohet Shqipëria as nga Lapaj, as nga Berisha dhe as nga njeri tjetri””, tha analisti.

Pedagogia Arsejda Gjyli ngriti pikëpyetje mbi pretendimin e disa forcave të reja për t’u konsoliduar si forcë e tretë politike. Ajo tha se ka vërejtur inkoherencë në qëndrime dhe theksoi se për partitë e reja është thelbësore koherenca dhe shmangia e qasjeve të reja me “fytyrë të vjetër”. Sipas saj, besueshmëria politike ndërtohet vetëm përmes qartësisë dhe qëndrueshmërisë në ide dhe veprime.

“Pretendimi për të qenë forcë e tretë. I kam ngritur disa pyetje Lapajt. Ka një inkoherencë. E parë pretendimi për të qenë dhe për tu fuqizuar si forcë e tretë. Të partitë e reja, më e rëndësishme është  te këtë koherencë dhe të mos vijmë si qasje e re me fytyrë të vjetër”, tha ajo./abcnews.al

“Lëvizja Bashkë synon votuesit e majtë”, Jani Marka: Duam progresin, jo kthim pas në histori tek Sali Berisha

TIRANË- Jani Marka nga “Lëvizja Bashkë” u shpreh se formacioni politik ku ai bën pjesë ka si synim të bindë votuesit e majtë, që vota e tyre të shkojë drejt tyre. Ai theksoi se kjo është beteja kryesore e Lëvizjes Bashkë.

Gjatë diskutimit në “Real Story”, Marka u shpreh se Lëvizja Bashkë nuk është për ta kthyer historinë pas tek Sali Berisha, por aspiron progresin dhe për këtë shtoi ai duhet fillimisht të fitojnë besimin e qytetarëve.

“Ne si Lëvizje Bashkë, që identifikohemi si të majtë në ideologji, ne duhet të bindim sa më shumë qytetarë  që deri dje kanë votuar PS, ta braktisin atë parti, kjo është zgjidhja. Duhet të fitojmë besimin e tyre, që në këtë mënyrë nuk shkohet më. Nuk mund të kthehemi pas në histori. Ne jemi për progres, ne nuk jemi që ta kthejmë historinë pas tek Sali Berisha”, tha ai./abcnews.al

Dorina Prethi nga “Shqipëria Bëhet”: Kodi Zgjedhor i pabarabartë, mijëra qytetarë mbeten pa përfaqësim

TIRANË- Dorina Prethi nga “Shqipëria Bëhet”, e ftuar në “Real Story” ka kritikuar Kodin Zgjedhor, duke theksuar se sistemi aktual prodhon pabarazi në përfaqësim.

Sipas Prethit, me rreth 64 mijë vota, Partia Socialiste ka marrë 9 mandate në qarkun e Vlorës, dhe Lëvizja Bashkë ka marrë vetëm një mandat dhe kjo përllogaritje tha ajo tregon qartë pabarazinë e sistemit.

 Ajo theksoi se “Shqipëria Bëhet” ishte e vetmja forcë që kërkoi bashkëpunim dhe bashkim mes subjekteve politike opozitare.

“E dinim Kodin Zgjedhor dhe e dimë sot se nuk kemi marrë vota për një mandat, sepse me 64 mijë vota, PS ka marrë 9 mandate në Vlorë. Sistemi është i pabarabartë, jo për ne që duhet të jemi në Kuvend, por për njerëzit, që janë të papërfaqësuar në Kuvend.

Kodi Zgjedhor nuk i lejon koalicionet. Kodi Zgjedhor kërkon një logo. Kështu nuk mund të ruhet identitetit. Ne jemi të vetmit, që kërkuam bashkëpunim dhe bashkim”, tha ajo./abcnews.al

Del fjalori i madh i shqipes/ Publikohet online, përmban 120 mijë fjalë e shprehje

Nëse jeni të pavendosur për mënyrën si shkruhet një fjalë apo  iu duhet  një sinonim mund të  kërkoni në fjalorin  e madh të gjuhës shqipe. Për herë të parë ai është publikuar online dhe mund të  përdoret pa pagesë nga të gjithë.

“Sinonimet, antonimet, frazologjia që lidhet me atë fjalë janë të gjitha falas në faqen fjalori.online.  Nëse do të numërojmë dhe përdorimet e veçanta shkon te 120 mijë fjalë, shprehje frazologjike, fjalë të paasimiluara, fjalë të huaja të përdorura, por nuk kanë arritur të nguliten, ndërsa zëra konkret janë rreth 105 mijë. Kishte ardhur koha që dashamirësit e gjuhës të kishin një mjet të tillë. Një fjalor kaq te madh nuk e kishim deri tani”, tha gjuhëtarja Anila Kananaj.

Pas rreth pesë vitesh punë realizohet projekti më i madh i Akademisë së Shkencave  që përfshiu një grup të madh gjuhëtarësh.

“Fjala që ka më shumë përdorim qoftë në aspektin sasior qoftë në shtrirje gjeografike ajo ka gjetur vendin në këtë fjalor”

Sipas gjuhëtares Anila Kananaj në fjalor janë shtuar fjalë  të reja  ndërsa të  vjetrave iu janë pasuruar kuptimet.

“Është filluar nga fjalori i 1980, këtu duhet të jenë rreth 45 mijë fjalë, janë përditësuar kuptimet, nuk është thjeshtë heqje e ideologjisë… Fjalë të reja që shqipja i ka krijuar nga komunikimi me gjuhë të tjera. Zhvillimi i teknologjisë, është vjel dhe pasuria dialektore, është dhe një lloj pasqyrimi i kulturës. Fjalët që kanë zënë vend në gjuhën shqipe, shqipja i ka bluar le te themi, fjala vjen gugëlloj, e përdor brezi i ri … kjo mund të quhet e bluar, përderisa përdoret patjetër që do pasqyrohet. Fjalët që nuk janë stabilizuar mirë i kemi lënë në një listë në fund të fjalorit”, tha gjuhëtarja.

Gjuhëtarët  shprehen të hapur për sugjerime.  Në faqen e fjalorit online  ka një rubrikë të posaçme.

“Secili mund të shënojë”, shtoi ajo.

Gjuhëtarët do të presin mendime për rreth nëntë muaj, më pas do të nisin punën që fjalorin  e madh të gjuhës shqipe ta kthejnë  në një vepër  për ta  pasur dhe mbi  tavolinë.

“Downtown One Tirana”, në qendër të vëmendjes ndërkombëtare: Shqipëria në hartën globale të arkitekturës bashkëkohore

Tirana po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një qendër e rëndësishme e zhvillimit urban në rajon, dhe “Downtown One” po shndërrohet në një nga simbolet më të forta të këtij transformimi.

Projekti ka tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare, duke u përzgjedhur nga platforma prestigjioze “Dezeen” mes ndërtesave më të larta që pritet të përfundojnë në vitin 2026, një vlerësim që e vendos Shqipërinë në hartën globale të arkitekturës bashkëkohore dhe konfirmon interesin ndërkombëtar ndaj zhvillimeve urbane të kryeqytetit.

Me lartësinë dhe formën e saj të veçantë, “Downtown One” po pozicionohet si një nga landmark-et më të rëndësishme urbane në Ballkan, duke u kthyer në një pikë reference vizuale për Tiranën dhe një simbol të një qyteti që po evoluon me ambicie dhe identitet modern.

Prania e Shqipërisë në të njëjtin artikull krah vendeve si SHBA, Kina, Australia, Emiratet e Bashkuara, tregon se zhvillimi urban i Tiranës tashmë është pjesë e një narrative globale, duke forcuar imazhin e vendit si destinacion serioz për zhvillim dhe investime.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Dezeen (@dezeen)


“Downtown One” mban firmën e studios së njohur ndërkombëtare MVRDV, një nga emrat më inovativë të arkitekturës bashkëkohore, çka nënvizon standardet e larta dhe vizionin afatgjatë të “Kastrati Group”.

Projekti nuk konceptohet thjesht si një kullë e lartë, por si një “vertical village”, me ballkone të gjelbra dhe hapësira komunitare që promovojnë një mënyrë jetese urbane më humane dhe të qëndrueshme, të lidhur ngushtë me qytetin.

Përfshirja në “Dezeen” përforcon rolin e “Kastrati Group” si një nga promotorët kryesorë të projekteve që po ndryshojnë standardet e ndërtimit dhe zhvillimit urban në Shqipëri.

“Downtown One” shihet si një shembull i qartë i vizionit afatgjatë, ku investimi, arkitektura dhe përgjegjësia urbane ecin paralelisht.

Ndahen rrugët, Real Madrid shkarkon Xabi Alonson

Xabi Alonso është shkarkuar si trajner i Real Madridit. Ky zhvillim u konfirmua nga klubi spanjoll. Sipas njoftimit, Alonso dhe Real Madrid kanë ndarë rrugët me marrëveshje të dyanshme.

Të dielën, Real Madrid humbi sfidën përballë Barcelonës, në finale të Superkupës së Spanjës.

“Real Madridi do të jetë gjithmonë shtëpia e tij,” thuhet në komunikatë.

Klubi gjithashtu falënderon Alonson dhe ekipin e tij teknik për puna dhe përkushtimin e treguar gjatë këtij periudhe dhe u uron atyre fat të mbarë në fazën e re të karrierës.

Por, “Los Blancos” nuk ka humbur kohë dhe kanë gjetur menjëherë pasuesin e Alonsos. Trajneri i  ri i Real Madrid do jetë Alvaro Arbeloa.

Tropojë, energjia nga era/ Nura: Investim i jashtëzakonshëm që duhet parë në shumë plane

TIRANË- Shqipëria do të prodhojë energji elektrike nga era. Një park eolik do të ngrihet në Tropojë nga një kompani amerikane.

Kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria po shton investimet ne energjinë e rinovueshme, me synim uljen e varësisë nga energjia hidrike.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku pohoi se këto projekte synojnë qëndrueshmëri ne energji, ndërsa në proces janë 1.5 miliardë euro investime private.

Analisti Artur Nura, i ftuar në “Tirana Live” theksoi se ky investim ka përmasa disaplanëshe, të cilat duhen parë me vëmendje.

“Takimet që ka bërë përfaqësuesja e kësaj ambasade janë domethënëse. Të investojë kjo qeveri në Tropojë është investim dispalanësh.

Është investim ekonomik, por edhe investim politik, për të thënë se ne nuk kemi paragjykime siç na akuzojnë për veriun.

Dy krerët e ekzekutivit sot ishin prezentë dhe morën fjalën për këtë takim. Politika ka të bëjë me ekonominë dhe ekonomia ka të bëjë me politikën”, tha ai.

Ai theksoi se qeveria shqiptare ka hapur “dyert” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partnerin dhe aleatin strategjik të Shqipërisë.

“Ka edhe një lloj bashkëpunimi me ekzekutivin, që vjen në mënyrë të hapur, vjen si mbështetje.

Besoj do kemi zhvillime brenda dhe jashtë janarit, që duket se ka një sinkronizim të kësaj qeverie me SHBA.

Kjo qeveri ka hapur dyert për Shtëpinë e Bardhë, aleatin tonë strategjik”, u shpreh Nura./abcnews.al

“Meta” çaktivizon gjysmë milioni llogari të personave nën 16-vjeç në Australi

Meta, kompania mëmë e platformës amerikane të mediave sociale Facebook dhe Instagram, tha se ka çaktivizuar 544.052 llogari që besohet se mbaheshin nga përdorues nën moshën 16-vjeç në Australi pas ndalimit të mediave sociale në vend.

Më 10 dhjetor, Australia u bë vendi i parë që zbatoi një ndalim për mediat sociale për fëmijët nën 16-vjeç. Me ndalimin në fuqi, të rinjve u ndalohet të përdorin ose të mbajnë profile në platformat kryesore si Facebook, Instagram, X, TikTok, YouTube, Snapchat dhe të tjera.

Në një postim në blog të dielën, kompania tha se midis 4 dhe 11 dhjetorit çaktivizoi 330.639 llogari në Instagram, 173.497 në Facebook dhe 39.916 në Threads.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë australiane të angazhohet në mënyrë konstruktive me industrinë për të gjetur mënyrë më të mirë përpara, siç është nxitja e të gjithë industrisë për të rritur standardin në ofrimin e përvojave online të sigurta, që ruajnë privatësinë dhe janë të përshtatshme për moshën, në vend të ndalimeve të përgjithshme”, tha deklarata.

Gjiganti i teknologjisë nënvizoi se është i përkushtuar për të zbatuar ligjin ndërsa vuri në dukje se “shqetësimet e tij lidhur me përcaktimin e moshës në internet pa një standard të industrisë mbeten”.

Skocia ngre alarmin për përmbytje në mbarë vendin

Përmbytjet kanë sjellë trazira në disa pjesë të Skocisë, me paralajmërime për përmbytje në shumë zona, për shkak të shirave të rrëmbyeshëm dhe shkrirjes së borës.

Që nga mëngjesi i ditës së sotme, ka patur 19 paralajmërime për përmbytje nga Agjencia Skoceze për Mbrojtjen e Mjedisit (SEPA) dhe 12 alarme për përmbytje në të gjithë vendin.

Në Aberdeenshire, rruga kryesore u mbyll në të dy drejtimet për shkak të përmbytjeve. Një paralajmërim i verdhë i meteorologëve për shira të rrëmbyeshëm në pjesën më të madhe të Skocisë veriperëndimore është në fuqi deri në orën 10:00.

Shiu i rrëmbyeshëm vjen pas një jave moti dimëror në Skocinë veriore, që shkaktoi mbylljen e qindra shkollave gjatë javës së parë të semestrit të ri.

Këshilli i Aberdeenshire, javën e kaluar shpalli situatën e jashtëzakonshme për shkak të motit ekstrem, por dje u njoftua se kjo gjendje kishte përfunduar.

Dhoma e Qëndrueshmërisë Skoceze e Qeverisë së Rëzistencës u mblodh dje për të shtatën ditë radhazi, ku së bashku me agjencitë partnere diskutuan se si t’i përgjigjen kushteve të ashpra të motit që prekin vendin.

Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të jenë vigjilentë për shkak të kushteve të motit. Paralajmërimi i verdhë i Zyrës Meteorologjike parashikon që shirat e rrëmbyeshëm dhe shkrirja e borës do të sjellin përmbytje të mëdha.

“Akumulimet e konsiderueshme të borës në disa pjesë të Skocisë të përziera me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe një rritje të temperaturave sjellin rrezik përmbytjesh në disa zona ndërsa bora shkrihet”, tha Zyra Meteorologjike.

Gjatë fundjavës, mbylljet e rrugëve dhe anulimet e transportit publik ishin të shumta si rezultat i kushteve të borës, erës, shiut dhe akullit.

Van Horn takon Papajorgjin: Kushtetuesja, rol të rëndësishëm në garantimin e drejtësisë për qytetarët

TIRANË– E Ngarkuara me Punë e SHBA, Nancy VanHorn takoi kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgjin.

Ambasada Amerikane në Tiranë thotë se Gjykata Kushtetuese luan rol të rëndësishëm në garantimin e drejtësisë për qytetarët.

“Sot, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn përgëzoi Kryetaren e sapoemëruar të Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji dhe diskutoi se si mbështetja afatgjatë e Shteteve të Bashkuara për institucionet e zbatimit të ligjit në Shqipëri çon përpara prioritetet e Presidentit Trump: çmontimin e rrjeteve të narkotrafikut dhe krijimin e kushteve të barabarta për bizneset amerikane.

Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm në garantimin e drejtësisë për qytetarët shqiptarë, duke i mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjet e saj dhe duke ruajtur një sistem ligjor të drejtë dhe të parashikueshëm, në mënyrë që bizneset amerikane të mund të lulëzojnë.”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë./abcnews.al

 

Shefi i NATO: Aleatët po bisedojnë hapat për të mbajtur Arktikun të sigurt

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha sot se vendet aleate po diskutojnë “hapat e ardhshëm” për të siguruar sigurinë në Arktik, duke përmendur rrezikun që Rusia dhe Kina të jenë “më aktive” në rajonin strategjikisht të rëndësishëm.

“Të gjithë aleatët bien dakord për rëndësinë dhe sigurinë e Arktikut, sepse e dimë se me hapjen e rrugëve detare, ekziston rreziku që rusët dhe kinezët të jenë më aktivë. Dhe siç e dini, ka tetë vende arktike”, u tha Rutte gazetarëve në Zagreb gjatë një konference të përbashkët për mediat me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç.

Ai tha se shtatë nga tetë vendet arktike janë anëtare të NATO-s: SHBA-ja, Kanadaja, Danimarka, Islanda, Norvegjia, Finlanda dhe Suedia ndërsa Rusia mbetet i vetmi vend arktik jashtë aleancës. Kina shtoi ai, është bërë një lojtare gjithnjë e më aktive në rajon pavarësisht mungesës së pranisë gjeografike.

“Deri tani, Kina është bërë pothuajse një lloj vendi arktik dhe jo gjeografikisht, por të paktën për shkak të sasisë së madhe të aktiviteteve dhe interesit të saj në rajon”, tha Rutte.

Ai vuri në dukje se NATO përfundoi diskutimet e brendshme vitin e kaluar mbi mënyrën e forcimit të bashkëpunimit midis anëtarëve të saj në Arktik dhe tani po punon për masa “praktike pasuese”.

“Aktualisht, po diskutojmë hapin tjetër drejt kësaj, si të sigurohemi që të japim ndjekje praktike të këtyre diskutimeve për t’u siguruar që si aleancë të bëjmë gjithçka, kolektivisht dhe përmes aleatëve tanë individualë, për t’u siguruar që Arktiku të mbetet i sigurt, pasi të gjithë pajtohemi se kjo duhet të jetë një përparësi”, tha ai.

Rutte tha se NATO është angazhuar më shumë në sigurinë e Arktikut që nga viti 2025 me kërkesë të shtatë aleatëve të saj të Veriut të Lartë, duke e quajtur rajonin “një pjesë jetësore të territorit të NATO-s”.

Komentet e tij erdhën mes raporteve se një grup vendesh evropiane, të udhëhequra nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, po planifikojnë të zgjerojnë praninë e tyre ushtarake në Groenlandë.

“Keni parë disa njoftime nga britanikët dhe gjermanët”, tha Rutte. “Sot po punojmë tani së bashku për të parë se si mundemi në thelb së bashku si aleancë të ndërtojmë atë hap tjetër”, tha ai.

“Trumpi po bën gjënë e duhur për NATO-n”

Lidhur me marrëdhëniet me SHBA-në, Rutte hodhi poshtë shqetësimet për një krizë të brendshme brenda NATO-s, duke lavdëruar shtytjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për shpenzime më të larta për mbrojtjen midis aleatëve.

“Unë besoj se Donald Trump po bën gjërat e duhura për NATO-n duke na inkurajuar të gjithëve të shpenzojmë më shumë për të barazuar atë që po shpenzon SHBA-ja”, tha ai. “Kur lavdëroj dikë, kjo bazohet në fakte dhe besoj se faktet janë aty”, shtoi ai.

Kryeministri kroat Plenkoviç tha se dialogu mbetet çelësi për zgjidhjen e tensioneve rreth statusit të Groenlandës.

“Jam i bindur se me diskutim, mund të gjejmë zgjidhje që do të ofrojë sigurinë për SHBA-në dhe do të sigurojë që Groenlanda të jetë pjesë e Danimarkës. Kjo është arsyeja pse dialogu me cilësi të lartë është i nevojshëm dhe padyshim që mund ta zgjidhë situatën në dobi të sigurisë globale”, tha Plenkoviç.

Suedia investon 440 milionë dollarë në sisteme ushtarake pa pilot

Në dy vitet e ardhshme, Suedia do të ndajë rreth katër miliardë korona (rreth 440 milionë dollarë) për prokurimin e sistemeve ushtarake pa pilot, tha sot Ministri suedez i Mbrojtjes Pal Jonsson, ndërsa qeveria suedeze planifikon të marrë hua rreth 28 miliardë euro në periudhën e ardhshme për blerjen e pajisjeve të reja ushtarake, duke përfshirë nëndetëse dhe anije.

Siç deklaroi ai, anëtari i NATO-s planifikon të blejë sisteme të ndryshme pa pilot, duke përfshirë dronë për sulme me rreze të gjatë veprimi, sisteme lufte elektronike, dronë zbulues, si dhe mjete pa pilot për mbikëqyrje dhe çminim në det. 

“Askush nuk e di se si do të duket lufta e ardhshme, por një gjë është e qartë, fusha e betejës e së ardhmes do të shënohet nga sisteme pa pilot dhe aftësi me rreze të gjatë veprimi”, tha Jonsson në konferencën vjetore të mbrojtjes në Salen, në veri të Suedisë.

Vala e të ftohtit arktik “mbërthen” Poloninë, ngrin lumi Vistula

POLONI– Vala e të ftohtit arktik evropian arriti në Poloni të hënën, më 12 janar, duke sjellë temperatura të përhapura nën zero gradë në të gjithë vendin.

Anijet e argëtimi janë rrethuaa nga pjesë të ngrira të lumit Vistula, së bashku me zona të mbuluara me borë në të gjithë Krakowin, ndërsa masa ajrore arktike lëviz më thellë në Evropën Qendrore.

Të dhënat e parashikimit treguan anomali të temperaturës që variojnë midis minus dhjetë dhe minus pesëmbëdhjetë gradë Celsius në pjesën më të madhe të kontinentit.

Reshjet e dendura të borës edhe më herët në janar kanë mbuluar disa rajone, ndërsa shërbimet meteorologjike prisnin që akumulimi i borës të vazhdonte ndërsa vala e të ftohtit përparonte.

“Foltoret e Berishës, dështim”, Zaloshnja: Opozita mbetet e përçarë, qeveria nuk ka pse të shqetësohet

TIRANË- Analisti dhe sondazhisti i njohur Eduart Zaloshnja ka analizuar zhvillimet politike në vend, gjatë një interviste në emisionin “Ora e Fundit”, ku u shpreh se si qeveria ashtu edhe opozita përballen me problematika, por situata më e vështirë mbetet në kampin e opozitës.

Opozita, sipas Zaloshnjës, po përballet me një krizë të thellë përçarjeje brenda saj. Ai komentoi edhe mbledhjen e zhvilluar së fundmi nga Sali Berisha, duke theksuar se partitë e vogla parlamentare nuk morën pjesë në tryezë.

“Qeveria është munduar gjatë gjithë këtyre muajve të menaxhojë problemet e saj, tani i është shtuar edhe problem i motit. Opozita problemin kryesor e ka që nuk po bashkohet dot, madje jo vetëm që nuk po bashkohet, por po ndahet. Berisha mblodhi dje atë mbledhje, por pamë që partitë e vogla parlamentare nuk u paraqitën në këtë tryezë. Kemi një lëvizje të Salianjit, i cili e filloi me foltoret e tij dhe po e vazhdon. Ai bëri një foltore sot në Korçë, ku pjesëmarrja ishte e lartë. Edhe vetë brenda PD nuk kemi një front unik . PS nuk ka gjë brenda për brenda PS”, tha ai.

Ai theksoi se Partia Demokratike është reduktuar në një parti që identifikohet vetëm me emrin e Berishës, gjë që, sipas tij, ka sjellë rënie të ndjeshme të mbështetjes në opinionin publik.

Zaloshnja theksoi se në kushtet aktuale nuk ka arsye pse të realizohet kërkesa e opozitës për qeveri teknik. Sipas tij, 2026 nuk ka asnjë pikë bashkuese me vitin 2017, vit në të cilin u krijua qeveria teknike.

“Në 2017, PD po kërcënonte për bojkotin zgjedhjeve, kurse tani kemi 6 muaj që kanë mbaruar zgjedhjet. Kjo qeveri në shtator ka nisur punë, Nuk kanë lidhje këto dy situata. Foltoret e Berishës janë të dështuara. Pjesëmarrja është shumë e ulët. Kur sheshet nuk mbushen, për çfarë duhet të shqetësohet qeveria. PD ka emrin Berisha dhe pikë. Duke mbetur një parti e tillë, i kanë rënë dhe kuotat në opinionin publik. Kemi opozitën e Berishës, aty kemi një regjiment që ka vetëm një komandat dhe nuk flet askush dhe pastaj kemi dhe një fraksion brenda PD, që nuk përbëjnë shumicën dhe prandaj kemi këtë situatë në opozitë”, tha ai.

Duke iu referuar rezultateve zgjedhore, Zaloshnja tha se katër vite më parë PD dhe LSI morën rreth 37 mijë vota më pak se PS, ndërsa në zgjedhjet e fundit diferenca shkoi në rreth 300 mijë vota. Sipas tij, kjo rënie drastike e opozitës i dha Partisë Socialiste avantazhin për të siguruar numrin e mandateve që ka sot.

“Para 4 vjetësh, PD dhe LSI morën 37 mijë vota  më pak se sa mori PS, Vjet, morën 300 mijë vota më pak, Ishte një rënie drastike e përkrahjes së PD e udhëhequr nga Berisha nga ajo që udhëhoqi Basha para katër vitesh.  Kundërshtarët humbën kaq mijë vota, dhe nda PS mori kaq mandate. Nga depresioni elektoral i palës kundërshtare PS mori ato mandate që mori”, u shpreh ndër të tjera Zaloshnja. /abcnews.al

SHBA nis sulmet ajrore kundër ISIS në Siri

Ushtria amerikane ka nisur sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik (ISIS) në Siri. Operacioni shënon herën e dytë që ushtria amerikane ka goditur objektiva të Shtetit Islamik në Siri që nga 19 dhjetori, pas vrasjes së dy ushtarëve të Gardës Kombëtare të Ajovës dhe përkthyesit të tyre amerikan nga një person i armatosur i vetëm i ISIS.

Sulmet vijnë ndërsa i dërguari special i SHBA-së për Sirinë, Tom Barrack, tha se u takua në Damask me udhëheqjen e re të Sirisë për të diskutuar të ardhmen e vendit.

“Sot, në emër të presidentit Donald J. Trump dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, u takova me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa, Ministrin e Jashtëm Asaad al-Shaibani dhe anëtarët e ekipit të tyre në Damask”, shkroi Barrack.

Barrack tha se bisedimet u përqendruan në “zhvillimet e fundit në Alepo dhe rrugën më të gjerë përpara për tranzicionin historik të Sirisë”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara “mirëpresin tranzicionin historik të Sirisë dhe i ofrojnë mbështetjen e tyre qeverisë siriane nën presidentin Ahmed al-Sharaa”.

Presidenti Trump: Irani po kërkon liri, SHBA është gati të ndihmojë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se iranianët po “kërkojnë liri”, ndërsa protestat vazhdojnë të përhapen në të gjithë vendin, duke shtuar se Washingtoni është gati të ofrojë mbështetje.

“Irani po kërkon liri, ndoshta si kurrë më parë”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke shtuar, “SHBA janë gati të ndihmojnë!!!”

Demonstratat filluan më 28 dhjetor pranë Pazarit të Madh të Teheranit dhe më vonë u përhapën në disa qytete.

Trump tha se Irani ishte “në telashe të mëdha” ndërsa trazirat u përshkallëzuan, duke shtuar se Uashingtoni po monitoronte nga afër zhvillimet dhe po i paralajmëronte autoritetet të mos përdorin forcë vdekjeprurëse kundër protestuesve.

Presidenti amerikan madje ka paralajmëruar ndërhyrje nëse autoritetet iraniane vazhdojnë të ushtrojnë dhunë në protestues.

Gurët e shtëpisë time/ Në Borsh, 40 rrënjë ullinj për t’u martuar, tregti me hebrenjtë, jepnin qitro dhe merrnin grurë

Borshi është “qendra e botës” për borshiotët. Kryeplaku Ridvan Hajdini, na tregon për historinë e Borshit, nga Bizanti, në katolicizëm dhe më pas pushtimi osman i kalasë së Borshit dhe shekujt nën okupim. Kontrolli i kalasë kalon nga borshioti Haxhi Bedo tek Ali Pashë Tepelena, që e kthen në një fortesë shumë të fuqishme në detin e jugut.

Në vitin 1914, Borshi digjet nga trupat greke. Borshioti Naim Kelleçi, na thotë se djegia e Borshit u bë në emër të fesë, por në të vërtetë, bashkëjetesa fetare dhe miqësia me himarjotët, këtu ka qenë e veçantë. Borshiotët ishin të pasur, me ar, toka, ullinj dhe agrume.

Borshiotët janë njerëz punëtorë dhe të zotë dhe toka këtu është pjellore. Zonjat e Borshit ishin ndër gratë e emancipuara të kohës, ndërkohë që lulëzonte edhe tregtia me hebrenjtë, që blinin qitro dhe shisnin grurë tek borshiotët.

Flamuri kuq e zi valëvitet në kalanë e Borshit dhe një borshiot e vendos vazhdimisht në kala.

Pas viteve ’90, emigracioni prek fshatin masivisht. Naim Kelleçi, është një ish-emigrant në Greqi që është kthyer.

“Malli dhe dashuria për vendin, shpresë për kthim,” thotë ai.

Mikaela Lala, një vajzë e re, menaxhere biznesi, na tregon se babai i saj u kthye nga emigracioni dhe hapi biznes këtu. E bija u shkollua për menaxhim biznesi dhe tani drejton hotelin dhe restorantin. Këtu është vija bregdetare më e madhe në zonë.

“Në bregdetin e jugut nuk ka asnjë plazh kaq të gjerë”, na thonë borshiotët. E folura e Borshit është gjithashtu e veçantë, ku Y zëvendësohet me I. Tradita e ullirit është gjithashtu e veçantë. Dikur duhet të kishe 40 rrënjë ullinj për t’u martuar.

Borshi, mes malit dhe detit, me këtë det të mrekullueshëm, ka edhe banorë mikpritës që e bëjnë të veçantë.

Moti i keq në Korçë/ Borëpastrueset në gatishmëri në Qafë Thanë, zonat problematike nën monitorim

Reshjet me intensitet të lartë të dëborës kanë rinisur në zonën e Qafë Thanës, në territorin e Pogradecit. Për garantimin e qarkullimit pa problem në këtë aks rrugor janë vënë në shërbim disa mjete borepastruese.

Autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.

Aktualisht, lëvizja e mjeteve kryhet pa përdorimin e zinxhirëve, ndërsa kontraktorët janë në terren duke kryer kriposjen dhe pastrimin e vazhdueshëm të aksit rrugor.

Pas bllokimit të aksit Qukës–Qafë Plloçë katër ditë më parë si pasojë e rrëshqitjeve të inerteve, Qafë Thana mbetet aktualisht i vetmi aks i hapur që lidh juglindjen e vendit me Shqipërinë e mesme. Ky segment është jetik për qarkullimin.

Në Kolonjë, si pasojë e prishjes së urës së Prodanit, rritjes së nivelit të ujit dhe prezencës së inerteve, rrezikohet lidhja midis fshatrave Gjonc – Prodan, si dhe aksi nacional Ersekë–Leskovik, duke prekur zonat Tac dhe Ersekë. Po punohet për pastrimin e shtratit.

Në Borovë, rruga nacionale ka pësuar çedim në një pike te segmentit po punohet nga subjekti kontraktor për hapjen e një korsie shtesë. Qarkullimi kryhet me një korsi.

Në km 7 të aksit Korçë–Voskopojë u krye pastrim dhe kriposje dhe qarkullimi vijon normal. Në aksin Boboshticë–Dardhë ka çedim të rrugës dhe po vijohet qarkullimi me nje korsi.

Aktualisht, në aksin Boboshticë–Dardhë qarkullimi lejohet vetëm me goma dimërore.

Në Pogradec janë evakuuar 1 familje në fshatin Çërravë, 3 familje në fshatin Dardhas si pasoje e shkarjeve te dherit dhe 1 familje në fshatin Verdovë, si pasojë e gërryerjes se bazamentit nga prurjet e lumit te Verdovës. Familjet do trajtohen me bonus qiraje nga ana e bashkisë.

Në Maliq, si pasojë e reshjeve dhe rritjes së prurjeve të Lumit të Mesmalit, është konstatuar gërryerje serioze e argjinaturës pranë trupit të rrugës, në afërsi të urës në vendin e quajtur “Miniera e Selcës”, Njësia Administrative Gorë. Në rrugën Kakaç – Vërçun vijon puna për pastrimin e masivit të dherave nga shtrati i rrugës.

Në Devoll, situata paraqitet e qete e nuk ka problematika te raportuara.

Reshje dëbore ka pasur në zonat Dardhë, Voskopojë dhe Zemblak, me ndikim në qarkullimin rrugor po punohet nga kontraktoret për pastrim dhe kriposje.

Autoritetet raportojnë rrëshqitje rruge në aksin Barmash – Ersekë dhe dalje e përroit nga shtrati në zonën Udenisht – Pogradec.

Situata po ndiqet dhe po ndërhyhet nga subjektet e mirëmbajtjes.

Nga OSHEE vijohet puna ne teren me grupet operative për rregullimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike për te gjithë konsumatorët. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.

Studimi: 1 në 5 persona në Gjermani mendon të largohet nga vendi

Sipas një sondazhi të kryer së fundmi, një në pesë persona në Gjermani po mendon të largohet nga vendi.

Studimi zbuloi se 21 për qind e popullsisë së Gjermanisë po shqyrton mundësinë e largimit nga vendi, përfshirë 34 për qind e personave me prejardhje migrante dhe 37 për qind të fëmijëve të tyre.

Qendra Gjermane për Studime të Integrimit dhe Migracionit (DeZIM) e kreu studimin midis viteve 2024 dhe 2025 me 2.933 pjesëmarrës.

Nga personat pa prejardhje migrante, 17 për qind po mendojnë të largohen nga Gjermania, ndërsa 31 për qind e atyre nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe 28 për qind e atyre nga vendet e tjera të BE-së raportuan të njëjtën gjë.

Arsyeja më e shpeshtë e përmendur për emigrim në të gjitha grupet ishte dëshira për një “cilësi më të lartë jete”.

Për personat me prejardhje migrante, përvojat e diskriminimit gjithashtu luajtën rol.

U raportua se 25 për qind e pjesëmarrësve nga Turqia dhe nga rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut përmendën përvojat e diskriminimit si arsye për të menduar largimin.

Fabio Best, studiues në DeZIM, theksoi se të dhënat tregojnë se dëshira për t’u larguar nga Gjermania mbetet e lartë.

“Sidomos te personat me prejardhje migrante dhe fëmijët e tyre, kërkimi për kushte më të mira jetese, së bashku me perceptimet për diskriminim, luan një rol të rëndësishëm”, tha ai.

❌