Berisha: Rama bllokoi kërkesën për imunitetin e Ballukut, akt antikushtetues
TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një konferencë për mediet, ku bëri një bilanc të vitit 2025, duke e cilësuar atë si një vit të shënuar nga problematika serioze në funksionimin e institucioneve dhe procesit demokratik në vend.
Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se kryeministri Edi Rama ka bllokuar kërkesat e prokurorisë për pezullimin dhe heqjen e imunitetit të zv/kryeministres, Belinda Balluku.
Berisha tha se vendimi për të mos lejuar vijimin e procedurave ligjore përbën, sipas tij, një precedent të rrezikshëm dhe një provokim ndaj qytetarëve që paguajnë taksa dhe kërkojnë transparencë nga institucionet.
“Edi Rama në një vendim antikushtetues, antiligjor, në një provokacion të ulët për çdo shqiptar, në një provokacion të padëgjuar ndonjëherë, bllokoi kërkesat e prokurorisë me gjykatës të padenjë, të cilët shkelmojnë Kushtetutën njëlloj sikur të ishin organizatë partie”, tha Berisha.
“Dhe tani nga zyra e tij, deklaron se 16 mijë faqet e sjella nga prokuroria nuk kanë asgjë për Ballukun, prandaj kthejini mbrapsht se nuk hiqet imuniteti i saj”, u shpreh Berisha.
Ai deklaroi se viti 2025 është shoqëruar edhe me reagime dhe qëndrime ndërkombëtare, përmes rezolutave të miratuara nga forca politike të qendrës së djathtë dhe të djathta në nivel europian dhe ndërkombëtar, të cilat, sipas tij, kanë kritikuar qeverinë shqiptare për funksionimin e demokracisë dhe proceset zgjedhore.
Sipas Berishës, këto qëndrime janë reflektuar edhe në institucione si Kongresi i SHBA-së, Parlamenti Europian, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe Asambleja Parlamentare e OSBE-së.
Berisha tha se gjatë këtij viti qytetarët shqiptarë janë përballur me vështirësi të mëdha ekonomike dhe sipas tij, me abuzime të shumta nga ana e qeverisë.
Ai deklaroi se proceset zgjedhore janë shoqëruar me parregullsi dhe se janë cenuar standardet demokratike, duke e cilësuar vitin që po mbyllet si një periudhë me tensione të forta politike.
Berisha tha se Partia Demokratike do të vijojë denoncimet dhe angazhimin e saj për forcimin e shtetit ligjor dhe të standardeve demokratike në vend.
Në përfundim, kreu i Partisë Demokratike uroi qytetarët për Vitin e Ri, duke shprehur dëshirën që viti i ardhshëm të sjellë, sipas tij, më shumë energji, angazhim dhe ndryshim për vendin.
Berisha gjithashtu u premtoi shqiptarëve në 2026-ën rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të reja
“Premtoj rrëzimin e këtij regjimi, qeverinë teknike dhe zgjedhje të reja”, tha Berisha.
/gj.m/j.p/
The post Berisha: Rama bllokoi kërkesën për imunitetin e Ballukut, akt antikushtetues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.