Viti 2025 do të mbahet mend si viti ku Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) shënjestroi zyrtarë dhe politikanë të lartë duke nxjerrë në dritë një shkallë të paimagjinueshme korrupsioni.
Viti i fundit nën drejtimin e kryeprokurorit Altin Dumani, i cili u pasua nga Klodian Braho, solli çështje të bujshme hetimore si ajo e Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, zëvendëskryeministres Belinda Balluku apo dhe abuzimeve në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Rastet në fjalë, iu shtuan serisë së hetimeve nga SPAK ndaj politikanëve të pushtetshëm si ish-Kryeministri Sali Berisha dhe ish-Presidenti Ilir Meta.
Marrja si të pandehur e Metës dhe Berishës
Në maj të këtij viti ish-Presidenti Meta u mor zyrtarisht i pandehur së bashku me ish-bashkëshorten Monika Kryemadhi. I arrestuar prej tetorit 2024, ai akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Çështja kryesore ndaj tij mbetet marrëdhënia ekonomike CEZ‑DIA, e cila dyshohet se, për interesa private, u ndikua nga favorizime dhe ndryshime ligjore të shtyra nga Meta.
Ish-Presidenti e ka cilësuar procesin “farsë hetimore” dhe e ka akuzuar SPAK‑un për “shërbim politik” ndaj qeverisë.
Ngjashëm, SPAK mori zyrtarisht të pandehur, në maj, edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
Pas rreth një viti arrest shtëpie, ai u la të gjykohej i lirë nën akuzat për korrupsion pasiv, nën dyshimin se përmes vendimeve kur ishte në krye të qeverisë, favorizoi dhëndrin, Jamarbër Malltezi, në një projekt ndërtimi ku ortakë kishte sipërmarrësit Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja.
Berisha e ka kundërshtuar hapur akuzën, duke e cilësuar si të motivuar politikisht dhe duke cilësuar SPAK‑un për veprime në shërbim të mazhorancës.
Shpesh, gjuha e përdorur nga dy ish-shtetarët me ndikim në kampin opozitar, ka qenë e ashpër dhe me etiketime të rënda ndaj ish-kreut të SPAK, Altin Dumani.
Hetimi dhe akuzat ndaj Erion Veliajt
Në shkurt, SPAK arrestoi Kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Ai dyshohet për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.
Hetimi i SPAK përqendrohet te pasuria dhe flukset e parave në drejtim të një grupi organizatash joqeveritare, pas të cilave dyshohet se qëndron bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa.
SPAK dyshon se pasuria e kryebashkiakut Veliaj u ushqye për interesa klienteliste nga sipërmarrës, të cilët përfitonin leje ndërtimi dhe favorizime në tenderë publik.
Veliaj i kundërshtoi akuzat duke sulmuar publikisht prokurorët dhe gjykatësit që vendosën për arrestimin e tij. Rasti nxiti tensione politike, pasi ndodhi pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit.
Kryeministri Rama mbajti një qëndrim të ashpër ndaj SPAK-ut, të cilin e akuzoi për “arrestime abuzive”, “pa gjyq” dhe “pa fakte”.
Në korrik, Veliajt iu komunikua akuza, ku në morinë e pretendimeve të SPAK ishte shtuar edhe akuza për futjen e një celulari në qelinë e paraburgimit.
Në shtator kryebashkiaku u mor zyrtarisht i pandehur, teksa pak ditë më pas Rama – fitimtar me 83 mandate në zgjedhjet e majit – tha publikisht se ish-ministrja e Arsimit dhe Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu do të ishte pasuesja e tij në bashki.
Kjo nënkuptoi nisjen e procedurave për shkarkimin e Veliajt dhe vajtjen në zgjedhje të parakohshme për bashkinë Tiranë. Procedurat u ndoqën me shpejtësi nga shumica socialiste, e cila udhëhoqi shkarkimin deri te Presidenti Bajram Begaj. Ky i fundit e dekretoi vendimmarrjen pa vonesa.
Megjithatë, Veliaj e sfidoi këtë proces në Gjykatën Kushtetuese. Kjo më 3 nëntor rrëzoi vendimet si antikushtetuese duke e lejuar Veliajn të mbetej Kryetar Bashkie pavarësisht se mbeti në qeli për 10 nga 12 muajt e vitit 2025.
Ky proces nxori në pah tensionin midis pushtetit ekzekutiv, atij lokal dhe institucioneve të pavarura gjyqësore duke evidentuar sfidën e madhe për llogaridhënie ndaj pushtetarëve, të cilët tashmë e kanë kthyer në normë vijimin e ushtrimit të detyrës pavarësisht se ndaj tyre mund të ketë procese gjyqësore.
Hetimet dhe akuzat ndaj Belinda Ballukut
Hetimet e SPAK-ut nuk u ndalën vetëm tek Veliaj. Në fund të muajit tetor, u konfirmuan hetimet edhe ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Ajo nuk u dorëhoq, pavarësisht se u mor zyrtarisht e pandehur. Me arsyetimin se mund të pengonte vijimin e hetimeve, Gjykata e Posaçme pranoi masën e kërkuar nga SPAK për të pezulluar Ballukun nga detyra si anëtare e qeverisë, ku ajo ushtron njëherazi edhe detyrën si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
SPAK dyshon se Balluku, së bashku me vartës të saj në Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), u përfshi në manipulime të tenderëve dhe garës së tyre për projektet e Unazës së Madhe dhe tunelit të Llogarasë, tenderë me vlerë mbi 200 milionë euro.
Mijëra faqe komunikime mes saj dhe vartësve ekspozuan një praktikë të strukturuar të favoreve të paligjshme dhe keqpërdorimit të fondeve publike, të cilat dyshohet se janë shtrirë edhe në procedura të tjera.
Megjithatë, Kryeministri Rama nuk e shkarkoi, përkundrazi, ai i siguroi mbështetje Ballukut duke e ankimuar vendimin e pezullimit në Gjykatën Kushtetuese e cila më 12 dhjetor vendosi ta rikthejë në detyrë duke nxjerrë në pah edhe më shumë tensionin mes kërkesës për llogaridhënie dhe pretekstit për pavarësi mes pushteteve.
Me lëvizjen e kryer, Rama dukej se vendosi një precedent, që i paraprin një rast hipotetik ku SPAK mund ta hetojë edhe atë.
Përballë kësaj situate, SPAK ndryshoi qasje. Prokuroria e Posaçme kërkoi heqjen e imunitetit të Ballukut duke nënkuptuar ndryshimin e kërkesës për masë sigurie: nga pezullim detyre në arrest.
Ekspertë të ligjit, vlerësuan për Citizens.al se rasti Balluku tregon sfidën e lartë për SPAK-un në hetimin dhe vënien përpara drejtësisë të një zyrtareje me kompetenca ekzekutive dhe lidhje politike të fuqishme.
Megjithatë rasti i zëvendëskryeministres vuri seriozisht në diskutim qendrueshmërinë politike të qeverisë teksa gjatë dhjetorit u organizuan protesta të vazhdueshme ku u kërkua dorëheqja e Kryeministrit Rama.
Dosjet e AKSHI-t dhe lidhja me krimin e organizuar
Viti 2025 ekspozoi dhe një nga skemat, me gjasë, më korruptive të historisë së tranzicionit: abuzimet me fondet e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), agjenci e cila prej vitit 2017 ka buxhetuar rreth gjysmë miliardi euro.
Hetimet e SPAK kanë nxjerrë në pah fitime marramendëse prej dhjetëra milionë euro të një grupi kontraktorësh të kryesuar nga sipërmarrësit Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri dhe manipulime financiare në projekte të lidhura me fondet kryesore të AKSHI-t, të drejtuar nga Mirilda Karçanaj.
SPAK ka ngritur dyshime për lidhje me grupe kriminale dhe skema të zhvatjes së parave publike. Drejtuesja Karçanaj, vartësit e saj në AKSHI dhe sipërmarrësit kryesorë të përfshirë, Agasi e Beqiri, akuzohen për grup të strukturuar kriminal.
Në lupën e hetimeve janë vënë të paktën 19 tenderë të AKSHI-t, me vlerë rreth 60 milionë euro, të cilët dyshohet se janë hartuar me fryrje zërash me qëllim për t’u përvetësuar në garë të paracaktuar.
Ato prekin sektorë të rëndësishëm si identifikimi dhe nënshkrimi elektronik, siguria e barnave apo dhe siguria ushqimore. Po kështu përmes këtyre tenderëve kompanitë e marra nën hetim kanë pasur akses në sistemet e sigurisë së policisë dhe burgjeve.
Ky ishte një tjetër skandal për qeverinë Rama, e cila e nisi mandatin e katërt pikërisht duke lavdëruar botërisht angazhimin e një ministre “artificialisht inteligjente” si Diellën, për të garantuar luftën ndaj korrupsionit dhe sigurinë në tenderët publik.
Projekti i Diellës në e-Albania është ngritur nga tenderët e AKSHI-t. Me rastet në fjalë, viti 2025 tregoi një qasje më agresive të SPAK-ut ndaj korrupsionit të nivelit të lartë.
Qartësisht është vendosur një standard i ri hetimi, por sfidat mbeten të mëdha. Proceset gjyqësore treguan vështirësitë që ka përpara sistemi i drejtësisë për të balancuar llogaridhënien me respektimin e pavarësisë së pushteteve, por mbi të gjitha të besimit të qytetarëve.
The post Dosjet e SPAK-ut që tronditën politikën në Shqipëri appeared first on Citizens.al.