Reading view

Tatimet kontrolle në tregun agroushqimor në Kashar, konstatohen 15 shkelje

TIRANË, 12 gusht /ATSH/  Task-forca e Administratës Tatimore ka kryer 5 verifikime në tregun agroushqimor në Kashar, në kuadër të planit operacional për sektorin e produkteve agroushqimore dhe blegtorale.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjatë kontrolleve janë konstatuar 15 shkelje administrative.

Shkeljet lidhen me faturimin dhe autofaturimin, listën e çmimeve, si dhe me punonjës të padeklaruar.

Administrata Tatimore deklaron se kontrollet do të vijojnë për garantimin e respektimit të legjislacionit dhe rritjen e gjurmueshmërisë së produkteve agroushqimore, nga ferma te konsumatori.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, Tatimet u bëjnë thirrje fermerëve të denoncojnë rastet e moslëshimit të autofaturës për produktet e tyre, përmes aplikacionit “Denonco Evazionin”.

/e.xh/j.p/

The post Tatimet kontrolle në tregun agroushqimor në Kashar, konstatohen 15 shkelje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Gjermania ndalon alkoolin për 14-vjeçarët edhe në prani të prindërve

BERLIN, 12 gusht /ATSH-AFP/ – Qeveria gjermane miratoi sot një projektligj që synon të heqë të drejtën e të miturve mbi 14 vjeç për të konsumuar alkool nën mbikëqyrjen e prindërve.

Sipas rregullit aktual, të rinjtë nga mosha 14 vjeç mund të blejnë dhe konsumojnë në ambiente publike birrë, verë dhe pije të gazuara alkoolike në prani të prindërve.

Qeveria kërkon ta eliminojë këtë përjashtim, duke argumentuar se ai dobëson mbrojtjen e të rinjve nga pasojat shëndetësore dhe sociale të konsumimit të alkoolit.

Në projektligj theksohet se rregulli aktual bie ndesh me objektivat e qeverisë federale për përmirësimin e parandalimit të varësive.

Projektligji pritet të shqyrtohet së shpejti nga Bundestagu, dhoma e ulët e parlamentit gjerman.

Organizatat e sigurimeve shëndetësore e kanë mirëpritur masën, duke e cilësuar atë si një kontribut të rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit dhe parandalimin e varësisë.

Florian Lanz, zëdhënës i Federatës së Fondeve të Sigurimit Shëndetësor të Detyrueshëm, tha se sa më shumë fëmijët dhe adoleshentët të shmangin alkoolin, aq më mirë është për shëndetin e tyre.

Gjermania mbetet ndër vendet me konsumin më të lartë të alkoolit në botë, me rreth 10 litra alkool të pastër për banor në vit.

Megjithatë, konsumi i alkoolit ka ardhur në rënie, veçanërisht tek brezat e rinj. /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Gjermania ndalon alkoolin për 14-vjeçarët edhe në prani të prindërve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

MM: 10 vatra aktive zjarri në vend, 531 forca dhe 29 mjete në terren

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 11 orëve të fundit vijojnë të jenë aktive 10 vatra zjarri.

Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 531 forca operacionale dhe 29 mjete, mes tyre 104 efektivë të MZSH-së, 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 120 forca bashkiake/ADZM/shërbimi pyjor, 20 efektivë të Policisë së Shtetit dhe 31 vullnetarë. Nga ajri janë angazhuar 5 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.

Në Dajt vijon puna me 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa në Priskë e Madhe po operojnë 15 efektivë me 4 automjete zjarrfikëse dhe mbështetje nga 2 helikopterë. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Drenie, bashkia Patos, operacioni vijon nga toka me forcat zjarrfikëse dhe 30 efektivë të FA-së, të mbështetur edhe nga një autoambulancë ushtarake.

Në Krujë vijon angazhimi në disa vatra. Në Abaze operojnë forcat tokësore, 57 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në lagjen Bojë, njëra vatër po trajtohet nga toka, ndërsa për vatrën në terren të vështirë është angazhuar 1 helikopter i FA-së dhe pranë banesave janë pozicionuar 3 automjete zjarrfikëse. Në Krastë–Halil vijon puna pa rrezik aktual për zonat e banuara.

Në Nëmerçkë dhe Dhëmbel, bashkia Përmet, vijon puna në terren të vështirë malor. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, vijon një nga operacionet më të rëndësishme, me angazhimin e MZSH-së, Policisë së Shtetit, forcave bashkiake, ADZM-së, shërbimit pyjor, vullnetarëve, AKMC-së, 50 efektivëve të FA-së dhe 2 avionëve Air Tractor. Forcat janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen.

Në malin e Moravës, bashkia Devoll, vijon puna e forcave operacionale në zonën e mbrojtur me pyll pishe, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.

AKMC po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën në të gjithë territorin, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të mbrojtjes civile, duke vlerësuar në kohë reale zhvillimin e vatrave dhe nevojën për përforcim të kapaciteteve tokësore dhe ajrore.

Angazhimi do të vijojë deri në vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të çdo vatre aktive, njofton MM.

/e.xh/j.p/

The post MM: 10 vatra aktive zjarri në vend, 531 forca dhe 29 mjete në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Aeroporti i Tiranës, linjë të dedikuar për familjet me fëmijë dhe gra shtatzëna

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” ka vendosur në dispozicion të pasagjerëve një linjë të dedikuar për familjet, me synim lehtësimin e procedurave dhe krijimin e një përvoje më të qetë gjatë udhëtimit.

Sipas njoftimit të aeroportit, përmes kësaj linje mund të përfitojnë familjet që udhëtojnë me fëmijë, gratë shtatzëna, si dhe pasagjerët që udhëtojnë me karroca për fëmijë.

Shërbimi është menduar për të lehtësuar kalimin e këtyre kategorive të pasagjerëve në aeroport, duke u ofruar një alternativë më të përshtatshme gjatë procedurave para fluturimit.

Aeroporti i Tiranës thekson se përdorimi i linjës së dedikuar synon ta bëjë procesin e udhëtimit më të lehtë dhe më komod për familjet dhe pasagjerët që udhëtojnë me fëmijë.

Kjo nisma vjen në kuadër të shërbimeve të aeroportit për përmirësimin e përvojës së pasagjerëve dhe përshtatjen e shërbimeve sipas nevojave të kategorive të ndryshme të udhëtarëve.

/e.xh/j.p/

The post Aeroporti i Tiranës, linjë të dedikuar për familjet me fëmijë dhe gra shtatzëna appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

MUZIKË – Eurovision ndryshon rregullat, vendet në luftë nuk mund ta organizojnë konkursin e këngës

PARIS, 12 gusht /ATSH-AFP/ – Konkursi Eurovision ka ndryshuar rregullat e tij, duke përcaktuar se vendi fitues nuk do të mund të organizojë edicionin e ardhshëm nëse një konflikt i armatosur apo një situatë e rëndë gjeopolitike rrezikon sigurinë dhe stabilitetin e tij.

Sipas rregullores së re, transmetuesi i vendit fitues do të shpallet automatikisht i papërshtatshëm për të organizuar konkursin nëse në territorin e tij ose në rajonin përreth zhvillohet një konflikt apo ekziston një situatë që ndikon ndjeshëm në siguri.

Nëse e konsideron të nevojshme, Unioni Evropian i Transmetuesve (UER) mund të kërkojë një vlerësim të pavarur të situatës së sigurisë në vendin fitues.

Më pas, në konsultim me komitetin ekzekutiv të Eurovisionit, do të vendoset nëse vendi është në gjendje ta organizojë eventin në mënyrë të sigurt.

Edhe pse njoftimi nuk përmend asnjë shtet konkret, ndryshimi vjen në një periudhë kur pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision ka shkaktuar debate të mëdha.

Izraeli përfundoi në vendin e dytë si në vitin 2025, ashtu edhe në vitin 2026.

Në edicionin e zhvilluar në Vjenë, Spanja, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Islanda bojkotuan konkursin për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit dhe mënyrës së zhvillimit të luftës në Gaza.

Rregullat e reja parashikojnë gjithashtu se, nëse vendi fitues nuk konsiderohet i aftë për të garantuar sigurinë e eventit, UER do të zgjedhë një shtet tjetër pritës. Ky shtet do ta organizojë konkursin në emër të vet dhe jo në emër të vendit fitues.

Në të kaluarën, Ukraina organizoi Eurovisionin në Kiev në vitin 2017, ndërsa konflikti në lindje të vendit kishte nisur që në vitin 2014.

Por në vitin 2023, Ukraina nuk mundi ta organizonte konkursin, pavarësisht se kishte fituar në vitin 2022, për shkak të pushtimit rus. Eurovisioni u zhvillua në Liverpool në Britaninë e Madhe në emër të Ukrainës. /Ad.Ab./  a.jor.

 

The post MUZIKË – Eurovision ndryshon rregullat, vendet në luftë nuk mund ta organizojnë konkursin e këngës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Nufi: 650 forca dhe 75 mjete në luftë me zjarret, situata më e vështirë në Krujë dhe Lurë

TIRANË, 12 gusht /ATSH/  Zjarret vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa situata paraqitet veçanërisht e vështirë në Krujë, në lagjen “Abaze”, si dhe në Grykë-Lurë. Era e fortë dhe terreni malor po favorizojnë përhapjen e flakëve dhe po vështirësojnë ndërhyrjen e forcave në terren.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, deklaroi se situata në Krujë është përkeqësuar pasditen e sotme, pas orës 14:00, ndërsa në terren janë angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës nga bashkitë dhe helikopterë.

“Ka qenë e qetë situata deri nga dreka, pas orës 14, në lagjen ‘Abaze’ ka pasur një agravim të situatës edhe pas erës. Kemi prezentë në terren efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës nga bashkitë dhe helikopterë nga Forcat e Armatosura që po operojnë për shuarjen e zjarrit në Krujë”, tha Nufi.

“Era favorizon flakët në Krujë. Pas vlerësimit të situatës, nëse është e nevojshme do bëhet dhe evakuimi i banorëve, me qëllim që të mos kemi dëme në jetë njerëzish apo dëmtime banesash. Forcat tona janë në territor, terreni është malor dhe përhapja e zjarrit është shumë e lartë”, u shpreh ministri.

Nufi tha se problematike është edhe situata në Grykë-Lurë, ku zjarri ka prekur një zonë brenda Parkut Kombëtar, ndërsa vatra janë raportuar edhe në Fier dhe Mirditë.

“Kemi një situatë të vështirë në Grykë-Lurë, që është dhe Park Kombëtar. Edhe atje kemi forca. Kemi situatë të vështirë në Fier, në Mirditë me dy vatra zjarri”, deklaroi ai.

Sipas ministrit, në përballimin e situatës janë angazhuar 650 forca dhe 75 mjete, ndërsa operacioni po mbështetet edhe nga ajri.

“Ky vit na gjen më të përgatitur se kurrë në menaxhimin e emergjencave civile, 5 helikopterë të FA në gjendje aktive, dy avionë Air Tractor. Janë 650 forca të angazhuara në terren dhe janë duke u përballur me zjarret, janë 75 mjete, 30 janë nga FA”, tha Nufi.

Ai e cilësoi situatën në Krujë si një nga më të rrezikshmet e katër viteve të fundit.

“Situata e Krujës ka qenë një prej situatave më të rrezikshme që kemi patur në 4 vitet e fundit. Situata monitorohet 24 orë në shtatë ditë. Çdo ditë ka një vlerësim risku”, deklaroi ministri.

Duke folur për zhvillimet e pritshme të motit, Nufi tha se ulja e temperaturave dhe reshjet lokale mund të ndihmojnë në shuarjen e vatrave.

“Në fund të javës mund të kemi ulje të temperaturave, mund të kemi dhe shira në zonat lokale, që mund të ndihmojnë në shuarjen e vatrave. Sa i përket dëmeve, vlerësimi do të bëhet në një moment të dytë, në përfundim të situatës së zjarreve. Fatmirësisht deri sot nuk kemi asnjë jetë të humbur”, tha ai.

Ministri u bëri apel qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, duke theksuar se dyshimet kryesore janë që një pjesë e konsiderueshme e vatrave të jenë shkaktuar nga dora e njeriut.

“Pjesa më e madhe e zjarreve që janë përhapur dhe janë shumëfishuar, kanë pikënisje situata njerëzore. Dyshimet kryesore janë se janë shkaktuar nga dora e njeriut. Ju bëj thirrje qytetarëve që evitojmë në maksimum ndezjen e zjarreve, një zjarr i vogël, sidomos në kushtet ku jemi sot, me këto temperatura të larta, shumëfishojnë zjarret dhe i kthejnë ato në një krizë kombëtare”, theksoi Nufi.

Sipas të dhënave të bëra publike nga ministri, operacionet vijojnë në disa fronte, me forcat tokësore dhe mjetet ajrore të angazhuara për izolimin dhe shuarjen e vatrave.

/e.xh/j.p

The post Nufi: 650 forca dhe 75 mjete në luftë me zjarret, situata më e vështirë në Krujë dhe Lurë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Spanja në eklips total të Diellit

MADRID, 12 gusht /ATSH/ – Eklipsi total diellor tani është i dukshëm në Spanjë, sipas gazetës spanjolle ”El Pais”.

Duke filluar nga Alaska, eklipsi është bërë total mbi Veriun e Largët rus, pasi kaloi Groenlandën, preku shkurtimisht Islandën, kaloi Atlantikun e Veriut dhe mbërriti në Spanjë, vendin ku eklipsi u pa më së miri ndërsa Hëna errëson Diellin dhe ky fenomen lëviz nëpër gadishull nga perëndimi në lindje.

Rruga, pak më pak se 300 kilometra e gjerë, mbuloi gjysmën veriore të gadishullit në pak minuta përpara se të largohet nga Spanja mbi Ishujt Baleare dhe të përfundojë në mes të Mesdheut.

Mijëra njerëz kanë udhëtuar në zona ku mund të shohin eklipsin total, mes një përpjekjeje të madhe nga autoritetet për të parandaluar zjarret dhe fatkeqësitë e tjera në një ditë me temperatura jashtëzakonisht të larta.

Hëna tani po hedh hijen e saj mbi Spanjë./  a.jor.

The post FOKUS – Spanja në eklips total të Diellit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

NATO: KFOR do të përshtatet me rrethanat e përmirësimit të sigurisë në Kosovë

PRISHTINË, 12 GUSHT/ATSH/

NATO po punon për të siguruar optimizimin e misionit paqeruajtës në Kosovë, KFOR, duke u bazuar në përmirësimin e situatës së sigurisë. Kështu ka shkruar në platformën “X” zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart.

Ky reagim vjen vetëm dy dite pasi që KFOR-i bëri të ditur për fillimin e tërheqjes graduale nga prania e përhershme te Ura e Ibrit e po ashtu për integrimin gradual të Policisë së Kosovës në sigurimin e Manastirit të Deçanit.

“NATO po punon për të siguruar që misioni ynë paqeruajtës në Kosovë, KFOR, të jetë i përshtatur me rrethanat aktuale, duke marrë parasysh përmirësimin e situatës së sigurisë. Nën udhëheqjen e qëndrueshme të komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, kemi filluar të përshtatim pozicionimin tonë, në koordinim të ngushtë me të gjitha autoritetet dhe palët relevante. Këto përshtatje dëshmojnë përparim konkret në mbështetjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe të lirisë së lëvizjes, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. Ky proces bazohet në kushtet në terren dhe mund të përmbyset, nëse është e nevojshme”, shkruan Hart, përcjell KosovaPress.

Ajo shkroi po ashtu se NATO mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal, në të mirë të të gjitha komuniteteve.

Dy ditë më pare u tha se përkujdesja për sigurinë e Urës mbi Ibër dhe në Manastirin e Deçanit do të bartet gradualisht te policia e Kosovës, konfirmoi KFOR-i në dy njoftime të këtij misioni për këto dy pika.

KFOR-i bëri të ditur se ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së tij nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

KFOR-i njoftoi se ky hap po ndërmerret në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë. /Kosovapress/

The post NATO: KFOR do të përshtatet me rrethanat e përmirësimit të sigurisë në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Mbi 58 mijë mjete u regjistruan nga janari në korrik, me rritje 1,7%

TIRANË, 12 gusht /ATSH/  58 444 mjete janë regjistruar për herë të parë në Shqipëri gjatë periudhës janar-korrik 2026, duke shënuar një rritje prej 1,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), pjesën më të madhe të regjistrimeve e zënë autoveturat.

Në 7 muajt e parë të vitit janë regjistruar 46 446 autovetura, të cilat përbëjnë 79,5% të totalit të mjeteve të regjistruara.

Të dhënat e DPSHTRR pasqyrojnë ecurinë e regjistrimeve për herë të parë dhe tregojnë një rritje të lehtë të numrit të mjeteve të regjistruara në raport me periudhën janar-korrik të vitit të kaluar.

Në total, numri i mjeteve që qarkullojnë në vend arriti në rreth 1.1 milionë në fund të korrikut.

 

/e.xh/j.p/

The post Mbi 58 mijë mjete u regjistruan nga janari në korrik, me rritje 1,7% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Lamallari: Ndërhyrja vijon nga toka dhe ajri për të shpëtuar parkun e Lurës nga zjarri

TIRANË, 12 gusht/ATSH/  Vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të angazhuara po punojnë për neutralizimin e vatrave të zjarrit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se ndërhyrja po kryhet nga toka dhe ajri, ndërsa në terren janë angazhuar forca të Shërbimit Zjarrfikës, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe strukturave të Emergjencave Civile.

Sipas Lamallarit, ekipet po punojnë pa ndërprerje, pavarësisht temperaturave të larta, me synim kufizimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Lurës.

“Do të vijojmë me të njëjtën vendosmëri deri në neutralizimin e plotë të rrezikut dhe shpëtimin e Parkut Kombëtar të Lurës”, u shpreh ministri.

Lamallari theksoi gjithashtu nevojën për identifikimin e personave që mund të kenë shkaktuar zjarret qëllimisht dhe ndjekjen e tyre penale.

Ai kërkoi angazhim maksimal nga Policia e Shtetit dhe organet e drejtësisë për evidentimin e autorëve dhe vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, duke e cilësuar dëmtimin e pasurisë pyjore një cenim të pasurisë kombëtare.

/e.xh/j.p/

The post Lamallari: Ndërhyrja vijon nga toka dhe ajri për të shpëtuar parkun e Lurës nga zjarri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – BE dënon ekzekutimet e protestuesve në Iran

PARIS, 12 gusht /ATSH-AFP/ – Bashkimi Evropian dhe 31 vende të tjera, mes tyre  Britania e Madhe dhe Kanadaja, kanë dënuar ashpër ekzekutimet e protestuesve në Iran, të cilat janë shtuar ndjeshëm muajt e fundit.

Në një deklaratë të përbashkët, 32 nënshkruesit dënuan përdorimin e dënimit me vdekje nga autoritetet iraniane, duke argumentuar se ai po përdoret për të heshtur disidentët, për të frikësuar komunitetet dhe për të ndëshkuar njerëzit që ushtrojnë të drejtat e tyre themelore.

Vendet kërkuan ndalimin e menjëhershëm të ekzekutimeve dhe lirimin e personave të arrestuar në mënyrë arbitrare.

Deklaratës iu bashkuan një numër i madh vendesh evropiane, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Irlandën, shtetet baltike dhe vendet skandinave, si dhe Australia dhe Zelanda e Re.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, tha se shtatë muaj pas vrasjeve masive gjatë protestave, regjimi iranian vazhdon represionin dhe ekzekutimet.

Shqetësimi ndërkombëtar është rritur edhe pas paralajmërimeve të Kombeve të Bashkuara.

Sipas OKB-së, të paktën 56 persona janë ekzekutuar për akuza që lidhen me sigurinë kombëtare që nga ekzekutimet e para të lidhura me protestat e fillimit të vitit.

Mbi 100 persona të tjerë rrezikojnë të ekzekutohen për akuza të ngjashme.

Ekzekutimet janë shtuar pas fillimit të luftës më 28 shkurt, ndërsa shumë prej të ekzekutuarve ishin dënuar për pjesëmarrjen në protestat që nisën në fund të dhjetorit.

Protestat, të shkaktuara fillimisht nga rritja e kostos së jetesës, u shndërruan shpejt në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë, me kulmin më 8 dhe 9 janar.

Autoritetet iraniane kanë pranuar më shumë se 3 000 viktima, duke ia atribuar dhunën “akteve terroriste” të orkestruara nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Ndërkohë, organizata të huaja për të drejtat e njeriut thonë se numri real i viktimave nga masat represive është shumë më i lartë. /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – BE dënon ekzekutimet e protestuesve në Iran appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Pamjet e rralla të eklipsit të diellit nga Dajti

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Eklipsi i plotë diellor, i pari pas 20 vitesh që vërehet në Europë, ka dhuruar pamje spektakolare edhe në Tiranë, pasditen e sotme edhe pse me pamje të pjesshme.

Adhuruesit e fenomeneve të tilla kanë qenë gati sot rreth orës 19:30 minuta pak para perëndimit të diellit për të kapur imazhet e rralla. Eklipsi ka qenë i dukshëm në zona të larta në Tiranë si mali i Dajtit apo kodrat përreth.

Trajektorja, ku eklipsi do të jetë i plotë, ishte përmes Grënlandës, Islandës dhe një pjese të madhe të Spanjës veriore e Ishujve Baleare. Në vendet e tjera evropiane, përfshirë Shqipërinë, ngjarja u shfaq si eklips i pjesshëm në orët e vona të pasdites.

Ekspertët këshilluan që kjo ngjarje e rëndësishme astronomike, të vëzhgohet vetëm me syze të posaçme mbrojtëse, pasi syzet e diellit nuk mjaftojnë.

Astronomët e cilësojnë këtë si një nga ngjarjet më të rëndësishme të dekadave të fundit në Evropë, ndërsa interesimi për ta ndjekur ishte i madh në shumë vende të kontinentit.

Eklipsi i diellit u vëzhgua edhe në Tiranë, foto: ATSH
1 nga 4

The post Pamjet e rralla të eklipsit të diellit nga Dajti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kumbaro: 14 projekte kërkimore të financuara në 2026, nga inteligjenca artificiale te mirëqenia sociale

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Arsimi, teknologjia, punësimi dhe mirëqenia e të rinjve janë në fokus të projekteve të kërkimit shkencor të financuara gjatë vitit 2026.

Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit këtë vit janë financuar 14 projekte kërkimore, të orientuara drejt sfidave dhe nevojave të brezit të ri.

Projektet trajtojnë tema të ndryshme, duke nisur nga zhvillimi i kompetencave universitare dhe orientimi i të rinjve drejt tregut të punës, deri te përdorimi i inteligjencës artificiale dhe digjitalizimit në arsim.

Një tjetër grup projektesh fokusohet te mirëqenia psikologjike dhe sociale, gjithëpërfshirja, ndërgjegjësimi mjedisor dhe kompetencat klimatike.

Në fokus të kërkimit janë edhe lidershipi i të rinjve, bullizmi, diskriminimi, drejtësia sociale dhe të drejtat e të rinjve.

Kumbaro theksoi se financimi publik i kërkimit shkencor synon të mbështesë projekte që nisen nga pyetjet dhe sfidat reale të të rinjve, duke e lidhur kërkimin me nevojat e arsimit, karrierës, teknologjisë dhe shoqërisë.

“Investimi në dije, kërkim dhe inovacion është një investim te brezi i ri dhe te e ardhmja”, u shpreh Kumbaro.

/e.xh/j.p/

The post Kumbaro: 14 projekte kërkimore të financuara në 2026, nga inteligjenca artificiale te mirëqenia sociale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

RAMALLAH – Ushtria izraelite merr masa ndaj kolonëve të akuzuar për dhunë ndaj familjeve palestineze

RAMALLAH/TEL AVIV, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Forcat e Armatosura të Izraelit (IDF) thanë sot se po ndërmarrin masa kundër kolonëve radikalë izraelitë në Bregun Perëndimor, të cilët akuzohen se kanë ngacmuar për ditë me radhë banorët palestinezë të një shtëpie të izoluar.

Sipas raportimeve, kolonët kishin bllokuar me gurë të mëdhenj rrugën drejt shtëpisë në fshatin Qusra, duke i lënë palestinezët të bllokuar brenda saj.

IDF-ja tha në një postim në Telegram se sot në mëngjes kishte patrulluar në zonë dhe kishte biseduar me familjen palestineze që jeton në shtëpi.

Familjarët u thanë ushtarëve se shtëpia kishte energji elektrike dhe ujë.

Mediat izraelite raportuan për përplasje mes kolonëve dhe forcave të sigurisë gjatë mëngjesit.

Ushtria izraelite tha se policia kufitare kishte larguar një çadër të ngritur nga kolonët pranë shtëpisë dhe po përpiqej t’i largonte ata nga zona.

Palestinezët e prekur nga situata kishin deklaruar kohët e fundit se nuk dëshironin të largoheshin nga shtëpia, pavarësisht ngacmimeve.

Sipas raportimeve, në familje ndodhen edhe dy fëmijë, të moshës 4 dhe 10 vjeç.

Mediet izraelite raportuan gjithashtu se disa ushtarë izraelitë kishin shkuar kohët e fundit në një postë të kolonëve në Qusra.

Megjithatë, sipas këtyre raportimeve, ushtarët thjesht u lutën së bashku me kolonët dhe, në pjesën tjetër, i lejuan ata të vazhdonin aktivitetet e tyre.

Gjatë inspektimit të zonës, komandantët e IDF-së thanë se ishin seriozisht të shqetësuar nga veprimet e civilëve izraelitë ndaj familjes palestineze dhe urdhëruan marrjen e disa masave, përfshirë edhe masa disiplinore ndaj personelit të sigurisë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post RAMALLAH – Ushtria izraelite merr masa ndaj kolonëve të akuzuar për dhunë ndaj familjeve palestineze appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

HAPËSIRË – Eklipsi i Diellit fillon në Rusinë e Largët

MOSKË, 12 gusht /ATSH-AFP/ – I pritur me padurim nga miliona evropianë, një eklips i rrallë diellor, i cili do ta zhytë Spanjën veriore në errësirë ​​shumë shkurt sot pasdite, sapo filloi në një rajon shumë të largët të Rusisë.

”Ky fenomen i rrallë astronomik filloi rreth orës 17:00 GMT në Rrethin Arktik, në majën më veriore të Rusisë kontinentale”, njoftoi agjencia hapësinore ruse ”Roscosmos”.

Eklipsi do të kalojë më pas Groenlandën dhe Islandën nga veriu në jug përpara se të arrijë në Spanjë. Do të jetë total për 1 minutë e 14 sekonda në Reykjavik dhe do të zgjasë deri në 1 minutë e 50 sekonda në Spanjën veriore, sipas llogaritjeve nga Observatori i Parisit.

Për disa momente, qielli do të errësohet, ajri do të ftohet dhe korona diellore do të shfaqet si një aureolë rreth një disku të zi.

Në Islandë, e vendosur përgjatë kësaj rruge, mijëra njerëz u mblodhën për ta dëshmuar atë, përfshirë komunikuesin e njohur të shkencës dhe astronomin Saevar Helgi Bragason.

“E kam pritur këtë ditë për më shumë se 10 vjet”, tha ai, vetëm disa orë para asaj që e quajti “spektakli më i madh i natyrës, me një bukuri marramendëse”, duke iu referuar eklipsit të pjesshëm diellor që ndodhi në ishull më 20 mars 2015./ a.jor.

The post HAPËSIRË – Eklipsi i Diellit fillon në Rusinë e Largët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ndërhyrje intensive për izolimin e zjarrit në zonën Abaze në Krujë

TIRANË, 12 gusht/ATSH/  Situata e zjarrit në zonën e Krujës vijon të mbetet në monitorim, ndërsa ekipet e emergjencave janë angazhuar për frenimin e përhapjes së flakëve në lagjen Abaze dhe në zonën e Bojës.

Mediet raportojnë se ndërhyrja po kryhet në kushte të vështira për shkak të erës, e cila favorizon përhapjen e zjarrit dhe vështirëson punën e forcave në terren.

Për forcimin e operacionit është vënë në përdorim edhe një helikopter, i cili po kryen ndërhyrje nga ajri në mbështetje të ekipeve tokësore.

Pavarësisht përhapjes së flakëve, deri në këto momente nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për banesat në lagjen Abaze dhe nuk ka një urdhër për evakuimin e banorëve.

Banorë të zonës janë bashkuar me forcat operacionale në përpjekjet për të kufizuar përhapjen e zjarrit, ndërsa ekipet zjarrfikëse vijojnë punën për izolimin e vatrave.

Ekipet e insitucionve të linjës po ndjekin në vijimësi situatën, ndërsa prania e mjeteve ajrore dhe forcave në terren synon të parandalojë afrimin e flakëve drejt zonave të banuara.

/e.xh/j.p/

The post Ndërhyrje intensive për izolimin e zjarrit në zonën Abaze në Krujë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Euronews publikon indeksin, Rama: Nga objektiv i një sulmi shtetëror, në numrin 1 të botës për sigurinë kibernetike

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sërish pasditen e sotme zërave kritikë në lidhje me lajmin se Shqipëria renditet e para në botë sa i takon sigurisë kibernetike, sipas një rankimi ndërkombëtar.

Kryeministri solli në vëmendje një artikull në Euronews për lajmin që, siç u shpreh ai, në Shqipëri i mërziti aq shumë sorrat, korbat dhe dështakzemërakët.
Në lajmin e gjigandit evropian televiziv, Euronews, nën titullin “Shqipëria e para në botë për sigurinë kibernetike”, vendi përshkruhet si “nga vendi që në vitin 2022 u godit nga një sulm masiv kibernetik i sponsorizuar nga Irani, tek vendi që sot kryeson renditjen globale për sigurinë kibernetike”.
Sipas indeksit të publikuar edhe nga Euronews, Shqipëria renditet e para në botë me 98.33 pikë nga 100, përpara fuqive të mëdha teknologjike si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Pikë maksimale për politikat kibernetike, bashkëpunimin ndërkombëtar, arsimin dhe kërkimin, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, analizën e kërcënimeve, mbrojtjen e të dhënave, reagimin ndaj incidenteve, menaxhimin e krizave dhe luftën kundër krimit kibernetik.
“Sulmi i vitit 2022 mund të na kishte gjunjëzuar. Ne e kthyem atë në një shtysë për transformim. Rindërtuam kuadrin ligjor, centralizuam mbrojtjen kibernetike, forcuam kapacitetet tona dhe ngritëm partneritete të reja me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe kompanitë më të mëdha të teknologjisë”, u shpreh Rama.
Dhe sot, vijoi Kryeministri, në një kohë kur Shqipëria digjitale ofron online 95% të shërbimeve publike, kjo mburojë është po aq jetike sa çdo infrastrukturë tjetër strategjike e vendit.
“Nga objektivi i një sulmi shtetëror kibernetik, në numrin 1 të botës për sigurinë kibernetike”, përfundoi Rama.

The post Euronews publikon indeksin, Rama: Nga objektiv i një sulmi shtetëror, në numrin 1 të botës për sigurinë kibernetike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

MV – Raste të reja të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor

SHKUP, 12 gusht /ATSH-MIA/ – Gjatë këtyre ditëve në vend janë regjistruar shtatë raste të reja me infeksion nga virusi i Nilit Perëndimor (WNV).

Të gjitha rastet janë nga Shkupi, nga dy raste në komunat Kisella Vodë dhe Gazi Babë, si dhe nga një rast në Ilinden, Butel dhe Aerodrom.

”Personat e infektuar rishtazi janë të moshës nga 60 deri në 84 vjeç dhe të gjithë janë të hospitalizuar”, informuan nga Ministria e Shëndetësisë.

“Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, aktualisht janë të hospitalizuar gjithsej 16 pacientë. Tek 15 prej tyre infeksioni është konfirmuar laboratorikisht, ndërsa për një rast të dyshuar priten rezultatet. Tre pacientë janë në gjendje kritike dhe janë të intubuar”, sqaruan nga Ministria e Shëndetësisë.

Bëhet fjalë për persona të moshës më të avancuar me sëmundje shoqëruese.

Pacientët e tjerë janë në gjendje stabile dhe marrin trajtimin e duhur.

“Deri më tani në vend janë regjistruar gjithsej 20 raste me infeksion nga virusi i Nilit Perëndimor. Rasti i parë është raportuar më 15 maj 2026 në Veles. Mënyra më efikase e parandalimit është mbrojtja nga pickimet e mushkonjave. Rekomandohet të shmanget qëndrimi në ambiente të hapura në agim dhe në muzg, kur mushkonjat janë më aktive, si dhe të përdoren repelentë dhe rrjeta mbrojtëse në dyer dhe dritare. Qytetarët duhet rregullisht të largojnë ujërat e ndenjura nga oborret dhe tarracat, pasi ato paraqesin vende të përshtatshme për shumimin e mushkonjave”, theksoi Ministria e Shëndetësisë./ a.jor.

The post MV – Raste të reja të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

“Nuk je vetëm”, informacion, orientim dhe mbështetje për të moshuarit përmes Linjës së Gjelbër

TIRANË, 12 gusht/ATSH/  Një telefonatë mund të jetë shumë më tepër se një kërkesë për informacion. Për një të moshuar, ajo mund të jetë edhe mundësia për të dëgjuar një zë, për të ndarë një shqetësim apo për të kërkuar ndihmë për një nevojë të përditshme.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën të ditur se, numri i telefonit  “0800 40 42”, është Linjë e Këshillimit për të Moshuarit, një shërbim falas dhe i dedikuar për t’i dëgjuar, informuar dhe orientuar të moshuarit dhe familjarët e tyre.

Në mesazhin sensibilizues të ministrisë përcillen disa nga kërkesat që mbërrijnë përmes telefonit.

“Kam ditë që nuk flas me njeri dhe doja të dëgjoja një zë, të flisja me të dhe të ndaja dy halle me të”, shprehet një i moshuar, duke treguar edhe një nga nevojat më të rëndësishme që shpesh nuk duken: nevojën për komunikim dhe shoqëri.

Një tjetër telefonues kërkon ndihmë për një çështje administrative: “Të lutem, moj bijë, më ndihmo me aplikimin për pasaportë”.

Ndërsa një e moshuar kërkon mbështetje për një nevojë të thjeshtë, por të rëndësishme për të: të bëjë pazarin, pasi nuk mund të zbresë dot nga banesa.

Përmes Linjës së Këshillimit, të moshuarit mund të marrin informacion, orientim dhe mbështetje në varësi të nevojës së tyre.

“Një zë në dispozicion të të moshuarve, për këshillim, orientim dhe mbështetje në çdo moment që kanë nevojë”, thekson Ministria e Shëndetësisë, duke përcjellë edhe mesazhin: “Nëse ti ke nevojë për mbështetjen tonë, ti nuk je vetëm”.

Linja e Këshillimit për të Moshuarit, në numrin 0800 40 42, është falas dhe në dispozicion të të moshuarve dhe familjarëve të tyre.

/e.xh/j.p/

 

The post “Nuk je vetëm”, informacion, orientim dhe mbështetje për të moshuarit përmes Linjës së Gjelbër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kodra mes Priskës dhe Farkës në flakë, ndërhyrje urgjente nga ajri

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Zona e Priskës së Madhe në Tiranë është përfshirë nga flakët këtë të mërkurë ndërsa zjarri është aktivizuar më së shumti në kodrën që ndan Priskën nga Farka.

Mediet raportuan se në terren ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve, ndërsa ndërhyrja po kryhet edhe nga ajri me helikopter.

Zjarrfikësit po punojnë në kushte të  vështira pasi edhe terreni nuk favorizon ndërhyrjen me mjete.
Flakët janë favorizuar nga temperaturat shumë të larta të këtyre ditëve të gushtit ku sot termometri u ngrit mbi 40 gradë Celsiues, ndërkohë që vrundujt e erës e bëjnë të vështirë izolimin e vatrave.

Sipas raportimeve të medieve nga terreni janë 4-5 grupe zjarrfikësish që po punojnë për shuarjen e flakëve ndërkohë që zona ku ka rënë zjarri ndodhet në një kodër me prani banesash.

The post Kodra mes Priskës dhe Farkës në flakë, ndërhyrje urgjente nga ajri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌