Reading view

SKOCI – Trump: Putin ka afat deri në 12 ditë për të negociuar armëpushimin në Ukrainë

EDINBURG, 28 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka lënë të kuptohet se afati i ri për presidentin rus, Vladimir Putin që të ulet në tryezën e negociatave për të miratuar armëpushimin në Ukrainë do të jetë midis 10 dhe 12 ditëve.

Presidenti i SHBA-së njoftoi më herët gjatë një takimi me kryeministrin britanik, Keir Starmer në Skoci – se do të shkurtonte afatin 50-ditor për Rusinë – për të rënë dakord për një armëpushim me Ukrainën.

I pyetur nga gazetarët se sa kohë do të caktohej afati i ri, Trump tha: “Do të vendos një afat të ri prej rreth 10 ose 12 ditësh nga sot”.

“Nuk ka arsye për të pritur”, theksoi ai.

Përpjekjet për të siguruar një armëpushim në Ukrainë pritet të jenë në fokus të takimit Trump-Starmer , duke përfshirë situatën në Gazë dhe progresin në zbatimin e marrëveshjes tregtare BM-SHBA. //a.i/

The post SKOCI – Trump: Putin ka afat deri në 12 ditë për të negociuar armëpushimin në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

“NATURE” – Google nxjerr një mjet të IA-së që plotëson fjalët e munguara në mbishkrimet romake

NOTINGHEM, 23 korrik /ATSH/ – Përveç higjienës, mjekësisë, arsimit, verës, rendit publik, ujitjes, rrugëve, sistemit të ujit të pijshëm dhe shëndetit publik, romakët prodhuan gjithashtu një numër të madh mbishkrimesh, shkruhet sot në gazetën “The Guardian”, duke ju refeuar një botimi në revisten “Nature”.

Të kuptuarit e këtyre teksteve të lashta është një sfidë për studiuesit, por një mjet i ri i inteligjencës artificiale nga “Google DeepMind” synon ta lehtësojë këtë proces.

I quajtur “Aeneas”, sipas heroit mitik trojan,  programi parashikon se ku dhe kur janë bërë mbishkrimet dhe jep sugjerime për fjalët që mungojnë.

Historianët që e testuan thanë se ky mjet u transformoi punën, duke i ndihmuar të identifikonin mbishkrime të ngjashme me ato që po studionin,  një hap kyç për vendosjen e tyre në kontekst ,  dhe duke sugjeruar fjalë për të plotësuar boshllëqet në artefaktet e dëmtuara nga koha.

“Aeneas ndihmon historianët të interpretojnë, atribuojnë dhe rikonstruktojnë tekstet e fragmentuara latine”, tha dr. Thea Sommerschield nga Universiteti i Nottingham. “Ky ishte qëllimi madhor që vendosëm të realizonim”.

Mbishkrimet janë ndër burimet më të rëndësishme për jetën në botën antike, që nga dekretet e perandorëve, grafitet politike, poezitë e dashurisë, regjistrat tregtarë dhe deri te epitafet në varre. Studiuesit vlerësojnë se çdo vit zbulohen rreth 1 500 mbishkrime të reja.

“Sipas tyre, janë vetë njerëzit e lashtë që flasin,nga të gjitha shtresat shoqërore”, tha Sommerschield. “Nuk është vetëm historia e shkruar nga fitimtarët”.

“Por problemi qëndron në faktin se këto tekste janë shpesh të copëzuara ose aq të dëmtuara nga koha sa që pjesë të tyre janë të palexueshme. Shumë objekte me mbishkrime janë shpërndarë ndër vite dhe origjina e tyre është e pasigurt”, shtoi ai

Ekipi i Google, i udhëhequr nga Yannis Assael, bashkëpunoi me historianë për të krijuar një mjet të Inteligjencës artificiale që ndihmon në kërkime. Programi u trajnua me një bazë të dhënash prej afro 200 000 mbishkrimesh të njohura, me gjithsej 16 milionë karaktere.

“Aeneas” merr tekstin, dhe në disa raste imazhet,  nga mbishkrimi që po studiohet dhe e krahason me mbishkrimet ekzistuese nga shekulli i 7 p.e.s. deri në shekullin e 8-të e.s. Inteligjenca Artificiale nuk kërkon vetëm fjalë të ngjashme, por lidh mbishkrime përmes lidhjeve historike më të thella.

Duke u bazuar në trajnimin me këtë koleksion të pasur, “Aeneas” mund të caktojë një tekst studimi në një nga 62 provincat romake dhe të parashikojë kohën kur është shkruar me një saktësi brenda 13 vitesh. Gjithashtu sugjeron fjalë për të plotësuar boshllëqet, megjithëse kjo veçori është testuar vetëm me tekste të njohura ku disa fjalë janë fshehur qëllimisht.

Në një test, “Aeneas” analizoi mbishkrimin madhështor Res Gestae Divi Augusti të gdhendur në monumente të ndryshme të Perandorisë Romake, që përshkruan arritjet e perandorit August. Inteligjenca artificiale sugjeroi dy periudha të mundshme për tekstin,  dekada e parë para erës sonë ose periudha 10-20 e.s, pikërisht si debatet mes historianëve.

Në një rast tjetër, “Aeneas” analizoi mbishkrimet mbi një altar votiv në Mogontiacum (Mainz, Gjermani) dhe zbuloi përmes ngjashmërive të hollësishme gjuhësore se ai ishte ndikuar nga një altar më i vjetër në të njëjtin rajon. “Ishin momente mahnitëse për ne,” tha Sommerschield.

Detajet janë botuar në revistën “Nature”, dhe “Aeneas” është tashmë i disponueshëm  online për studiuesit.

Në një bashkëpunim, 23 historianë përdorën “Aeneas” për të analizuar mbishkrime latine dhe në 90% të rasteve, konteksti i ofruar nga inteligenca artificiale u konsiderua i dobishëm.

“Ky mjet ka potencial të jetë transformues”, tha Mary Beard, profesore e klasikes në Universitetin e Kembrixhit.

Profesor Jonathan Prag nga Universiteti i Oksfordit shtoi se Aeneas mund të përdoret për të rianalizuar mbishkrimet ekzistuese për të përmirësuar interpretimin. “Më parë, kjo kërkonte një njohuri të jashtëzakonshme personale ose një bibliotekë gjigante,” tha ai. “Por sigurisht, duhet ta përdorësh atë në mënyrë kritike”. /Ad.Ab./

 

The post “NATURE” – Google nxjerr një mjet të IA-së që plotëson fjalët e munguara në mbishkrimet romake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ekuipazhi ajror i Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit trajnon Forcat Ajrore

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Një ekuipazh ajror i Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit (New Jersey) ishte në Shqipëri për të punuar me Forcat Ajrore në mirëmbajtjen e helikopterëve dhe për përgatitje për misione kërkimi dhe shpëtimi.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri të ditur sot se në kuadër të këtij bashkëpunimi ishte në Shqipëri oficeri Justin Blistyak, i cili fluturoi me helikopterin Black Hawk Tail Number 690 në operacionet e shpëtimit nga Uragani Sandy dhe misionet ajrore të zjarrfikjes në Nju-Xhersi.

“Forcat Ajrore Shqiptare përdorin të njëjtin model helikopteri për të luftuar zjarret dhe për të shpëtuar jetë në Shqipëri. Shkëmbime si ai i javës së kaluar ndihmojnë në sigurimin e një koordinimi të përsosur midis Aleatëve të NATO-s për mbrojtjen tonë të përbashkët”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së.

Justin Blistyak, piloti testues i mirëmbajtjes në Gardën Kombëtare të Nju-Xhersit ndodhet në Shqipëri në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror për të ofruar mbështetje për programin e helikopterëve UH-60.

Blistyak vlerësoi se ky partneritet është një mundësi e shkëlqyer, pasi i lejon të punojnë së bashku dhe të ofrojnë ndihmë praktike dhe trajnim, si në procedurat e mirëmbajtjes, ashtu edhe në aspekte shtesë të përdorimit të pajisjeve të misionit, si pajisjet e shpëtimit.

“Ky helikopter ka pasur një rol të madh në fillimet e karrierës time në Gardën Kombëtare të Nju-Xhersit. Ishte një nga helikoperët e parë me të cilët kam fluturuar deri në momentin kur u shit për përdorim ndërkombëtar në vitin 2019 dhe mbërriti këtu në Shqipëri rreth një vit e gjysmë më parë. Gjatë uraganit Sandy në vitin 2012 kam qenë shef ekuipazhi dhe kemi fluturuar me këtë helikopter për shumë orë në operacione për përballimin e fatkeqëpsive natyrore në zonat që nuk ishin të aksesueshsme me mjete pas stuhisë”, theksoi ai.

Oficeri i Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit bëri të ditur se ky helikopter është përdorur gjithashtu disa herë në Nju-Xhersi për misione të shuarjes së zjarreve nga ajri dhe tani po përdoret për të njëjtin qëllim edhe këtu në Shqipëri.

“Ashtu siç bëri për ne atje, po kryen punë të jashtëzkaonshme në përmbushjen e misionit edhe këtu. Gjithashtu nga një këndvështrim i NATO-s ky helikopter i mundëson Forcave Ajrore shqiptare të ecin përpara duke marrë pjesë më me sukses në stërvitjet e NATO-s dhe duke qenë në të njëjtin nivel me shumë mjete të tjera ajrore të NATO-s që përdorin të njëjtin lloj sistem fluturimi”, shtoi ai.

/m.m/r.e/

The post Ekuipazhi ajror i Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit trajnon Forcat Ajrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

KPA vendos trajnim 1-vjeçar për prokuroren Elona Alvora


TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) shpalli sot vendimin për çështjen nr. 39/2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, lidhur me subjektin e rivlerësimit Elona Alvora.

Trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Sokol Çomo anëtarë, vendosi në mënyrë unanime ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 538, datë 7 qershor 2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elona Alvora.

Në përfundim të gjykimit, KPA vendosi pezullimin nga detyra të Elona Alvorës për një periudhë njëvjeçare dhe detyrimin e saj për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.

Ky vendim ka efekt të menjëhershëm dhe u shpall sot, më 16 korrik 2025, në Tiranë.

/a.f/

The post KPA vendos trajnim 1-vjeçar për prokuroren Elona Alvora appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

ROMË – Shmyhal: Rindërtimi i Ukrainës do të kushtojë mbi 1 trilion dollarë

ROMË, 10 korrik /ATSH-DPA/- Riparimi i dëmeve të shkaktuara nga lufta më shumë se 3-vjeçare – do të kushtojë më shumë se 1 trilion dollarë gjatë një periudhe 14-vjeçare, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal në konferencën për rimëkëmbjen e Ukrainës të mbajtur sot në Romë.

Duke folur në një lidhje me video, Shmyhal tha se Ukraina po shqyrtonte krijimin e dy fondeve me vlerë rreth 1 trilion dollarë.

“Fondi i parë – i administruar nga Kievi – duhet të financohet nga asetet ruse të sekuestruara jashtë vendit me vlerë 540 miliardë dollarë, dhe një fond i dytë me vlerë 460 miliardë dollarë do të mundësohet nga investitorët privatë”, tha ai.

Shmyhal u bëri thirrje aleatëve të vendit të lënë mënjanë fonde shtesë për të mbuluar deficitin në buxhetin e Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027.

“Në kushte paqeje dhe pa përfshirë prodhimin e armëve, mirëmbajtja e ushtrisë ukrainase kushton rreth 50 miliardë euro (58 miliardë dollarë) në vit”, tha ai, duke shtuar se Ukraina po mbështetej në gjysmën e kësaj shume që do të sigurohej nga Bashkimi Evropian.

Ukraina ka luftuar kundër pushtimit rus në shkallë të plotë që nga shkurti i vitit 2022.

Para luftës, Ukraina ishte vendi më i varfër i Evropës, sipas statistikave të Fondit Monetar Ndërkombëtar. //a.i/

The post ROMË – Shmyhal: Rindërtimi i Ukrainës do të kushtojë mbi 1 trilion dollarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

BERLIN – Ministri gjerman optimist për armëpushimin në Gazë pas telefonatës me Rubio

VJENË, 10 korrik /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul beson se shanset po përmirësohen për një armëpushim në Gazë, pas një bisede telefonike me homologun e tij amerikan, Marco Rubio.

Duke folur sot në Vjenë, Wadephul, pas bisedimeve me homologët e tij austriakë dhe izraelitë, tha se ishte optimist se mund të arrihej një “rezultat i mirë”.

Ai bëri thirrje që të ushtrohet presion mbi organizatën ekstremiste palestineze Hamas.

“Hamasi nuk duhet të ketë një të ardhme”, tha Wadephul.

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar, i cili më parë zhvilloi bisedime me Wadephul dhe diplomaten e lartë austriake, Beate Meinl-Reisinger, ra dakord se armëpushimi në Gazë ishte i arritshëm.

Meinl-Reisinger e përshkroi momentin aktual si një “mundësi historike” – për të stabilizuar të gjithë rajonin, duke theksuar se pas 642 ditësh lufte në Gazë, marrëveshja ishte vonuar shumë.

Ministrat gjermanë dhe austriakë i kërkuan sërish Izraelit të mundësonte një përmirësim të shpejtë të situatës humanitare në Rripin e Gazës.

Wadephul dhe Meinl-Reisinger theksuan se pezullimi i Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Gazë, siç po diskutohet aktualisht në nivelin e BE-së, duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. //a.i/

 

The post BERLIN – Ministri gjerman optimist për armëpushimin në Gazë pas telefonatës me Rubio appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

MIK Festival në Korçë, BE mbështet mbrëmjen e veçantë kushtuar Gaqo Çakos

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ MIK Festival rikthehet këtë vit në edicionin e tij të 8-të në Korçë.

Bashkimi Evropian mbështet mbrëmjen e veçantë të MIK Festival, që mbahet nesër më 11 korrik ora 20:00 në Teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë, dedikuar artistit të madh të muzikës lirike Gaqo Çako, Nder i Kombit.

Ky homazh sjell një ndërthurje të elegancës vokale me përkushtimin shpirtëror, duke rikthyer në skenë frymën e një epoke të artë të interpretimit operistik shqiptar.

Në koncert performojnë Tatjana Kora Elmazi, Kastriot Tusha, Gjergji Mani, dhe Xhoiden Dervishi. Koncerti shoqërohet nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, nën drejtimin e mjeshtrit të madh Eno Koço.

Kulmi emocional i mbrëmjes pritet të jetë performanca përmbyllëse, ku Inva Mula do të interpretojë së bashku me të birin, një moment simbolik që përfaqëson vazhdimësinë e një trashëgimie familjare, por edhe lidhjen intime mes muzikës dhe traditës.

/gj.m/j,p/

 

The post MIK Festival në Korçë, BE mbështet mbrëmjen e veçantë kushtuar Gaqo Çakos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

“Shendeverë” vendos Shqipërinë në hartën e verërave

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, theksoi sot se produktet “Made in Albania” po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në tregjet elitare ndërkombëtare.

Një shembull në këtë drejtim është Kantina e Verës Çobo, me të cilën Shqipëria u prezantua në panairin prestigjioz CEE Wine Fair në Londër.

Në një masterclass të zhvilluar nga eksperti britanik i verës, Will Hill, vëmendjen e mori veçanërisht vera Shendeverë Méthode Champenoise.

Eksperti nuk ngurroi ta vlerësonte lart, duke deklaruar se kantina “Çobo” e ka vendosur Shqipërinë në hartën e verërave.

Përveç Shendeverës, në panair u prezantuan edhe verërat “E Bardha e Beratit”, e bërë me varietetin lokal Puls, dhe “E Kuqja e Beratit” me rrushin autokton Vlosh.

Këto verëra impresionuan të pranishmit dhe konfirmuan cilësinë e lartë të produkteve të Kantinës Çobo, duke theksuar njëkohësisht rolin kyç të saj në promovimin e trashëgimisë shqiptare të verës në arenën ndërkombëtare. /j.p/

The post “Shendeverë” vendos Shqipërinë në hartën e verërave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

TEHERAN – Irani lëshon mbi 100 dronë drejt Izraelit mbyll hapësirën ajrore

TEL AVIV-TEHERAN, 13 qershor /ATSH-DPA-ANSA/ – Irani ka dërguar më shumë se 100 dronë drejt Izraelit në orët e fundit, por ushtria izraelite dhe sistemet mbrojtëse të vendit po punojnë për t’i neutralizuar ato, deklaroi zëdhënësja e ushtrisë izraelite Effie Defrin.

Irani ka mbyllur hapësirën e tij ajrore “deri në njoftim të mëtejshëm” pas një sulmi të madh izraelit, deklaroi autoriteti i aviacionit civil të vendit.

Banorëve u është këshilluar të mos udhëtojnë në aeroporte dhe të monitorojnë median për përditësime. Operacionet në aeroportin kryesor të Teheranit tashmë janë pezulluar.

“Irani do të japë një përgjigje vendimtare ndaj sulmeve të egra të armikut sionist, të kryera me ndihmën e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara.Ndëshkim i ashpër e pret Izraelin”, deklaroi zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Abolfazl Shekarchi. /os/

The post TEHERAN – Irani lëshon mbi 100 dronë drejt Izraelit mbyll hapësirën ajrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Dy policë dëshmojnë për rastin “Banjska”

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Dy policë të Kosovës, Alban Rashiti dhe Çlirim Shaqiri, kanë dëshmuar për sulmin në Banjskë të Zveçanit, gjatë seancës së dytë gjyqësore të mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 9 qershor.

Seanca gjyqësore kundër tre nga 45 të akuzuarve për terrorizëm dhe vepra të rënda penale në rastin “Banjska” – ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës në shtator 2023 – do të vazhdojë më 11 qershor, ku pritet të dëshmojnë dy të lënduarit e tjerë Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Seanca filloi mëngjesin e së hënës me dëshminë e policit Alban Rashiti, i cili ishte plagosur kur Policia e Kosovës u përball me sulm nga një grup i serbëve të armatosur natën e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë në veri të vendit. Më pas dha dëshminë edhe polici tjetër i dëmtuar, Çlirim Shaqiri.

Tre të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale në seancën e parë.

Rashiti tregoi se, së bashku me disa kolegë të tij ishin mbaruar ndërrimin dhe po ktheheshin në bazën e tyre në Kushtovë nga fshati Izvor në Zveçan, kur kishin hasur në dy kamionë të ngarkuar që kishin bllokuar urën e Banjskës.

Atyre u ishte kërkuar nga baza të ktheheshin në vendin e ngjarjes, pasi ishin larguar, për të dërguar fotografi apo prova për bllokadën mbi urë, ku më vonë atyre u ishin bashkuar si përforcim edhe dy vetura me gjashtë policë, përfshirë të ndjerin Bunjaku.

Rashiti më pas tregoi se si gjatë kontrollimit të vendit të ngjarjes, “në ato momente qetësie… ndodhi një shpërthim shumë i madh qe nuk e kemi ditur nga ka ardhur edhe e kam kuptuar që jam qëlluar në krah”.

“Pastaj kanë filluar gjuajtjet me armë dhe kam parë që në anën e majtë rreshteri Bunjaku ka mbetur i plagosur në tokë, i gjakosur në fytyrë”, tregoi ai.

Ai tregoi se janë ballafaquar me zjarrin derisa u ka dalë në ndihmë një autoblindë policore.

Sipas Rashitit, grupi ka qenë i organizuar mirë, dhe me një plan. “Formacioni ka qenë ushtarak, sepse gjithçka ka qenë e koordinuar dhe ka qenë shumë afër nesh”.

“Ka pas gjuajtje me raketahedhës, duhet të jesh i kualifikuar për atë mjet”, dëshmoi ai.

Por, avokatët mbrojtës të të akuzuarve vlerësuan se dëshmitari Rashiti foli “në mënyrë të përgjithshme” për zhvillimet para dhe gjatë sulmit, pa i akuzuar drejtpërdrejt klientët e tyre.

Avokati Lubomir Pantoviq, i cili përfaqëson Blagoja Spasojeviqin, përsëriti se as në aktakuzë nuk është përshkruar saktësisht, apo në mënyrë të hollësishme se çfarë kanë bërë konkretisht tre të pandehurit gjatë sulmit, por se vetëm është përshkruar përgjithësisht ngjarja.

Avokatja Jovana Filipoviq, që mbron Dushan Maksimoviqin, tha se dëshmitari Rashiti nuk ka qenë në gjendje ta identifikojë asnjë nga të pranishmit, dhe “për këtë arsye mbrojtja nuk kishte asnjë pyetje për të”.

“Të gjithë dëshmitarët e propozuar për këtë javë nuk kanë deklarata konkrete lidhur me të pandehurit, prandaj nuk presim të mësojmë ndonjë të re”, u shpreh ajo për gazetarët.

Filipoviq përsëriti se klienti i saj “nuk ka lidhje me ngjarjet në Banjskë” dhe se “ekzistojnë dëshmitarë që do të konfirmojnë alibinë e tij”.

Në seancën e sotme ka dëshmuar edhe Çlirim Shaqiri, polici i dëmtuar gjatë sulmit.

Shaqiri tregoi se më 24 shtator ka marrë lëndime të rënda dhe se vazhdon të marrë trajtim mjekësor.

Ai tha se gjatë bisedës në telefon me nënkolonel Veton Elshani, kanë ndodhur dy shpërthime dhe se ka arritur t’i thotë në telefon se kanë ndodhur shpërthimet.

“Të shtënat nuk janë ndalë asnjë moment, ka qenë armatim jashtëzakonisht i rëndë”, tha Shaqiri.

Shaqiri e përshkroi momentin kur ishin munduar ta fusnin në veturë rreshterin, Afrim Bunjaku, duke thënë se kishin vështirësi ta fusin në veturë për shkak të gjuajtjeve të vazhdueshme.

“E kam vërejtur që s’ka puls”, tha ai për Bunjakun, trupin e së cilit arritën ta fusin në veturë për ta çuar në spitalin e Mitrovicës.

“Gjatë përvojës si polic nuk jam përballur asnjëherë me një sulm të tillë”, shtoi ai.

Shaqiri iu përgjigj pyetjes së avokatit të Vladimir Toliqit, i cili kërkoi të dijë se nga çfarë i ka marrë lëndimet Shaqiri gjatë sulmit.

Ai tregoi se përveç lëndimeve psikologjike ka edhe lëndime trupore.

“Kur ka ndodhur shpërthimi kam ndjerë një shtypje në kraharor. Kur kam filluar të tërheq trupin e Afrim Bunjakut kam vërejtur se dhimbja në kraharor është shumë e madh”, deklaroi ai.

Gjatë seancës së parë në prill, avokati i familjes së rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, Arianit Koci, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve e sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau Bunjakun.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.

Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.

Dyzet e dy të dyshuarit akuzohen terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiq akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për shpëlarje parash.

Gjykata theksoi në prill se gjykimi ndaj tyre duhet të vazhdojë pas arrestimit dhe ekstradimit të tyre në Kosovë.

Në seancën e parë në prill, pas deklarimit për fajësinë nga tre të akuzuarit, prokurori special Naim Abazi tha se përmes videove do të dëshmohet se sulmi ishte i paraplanifikuar dhe se grupi ishte “i mirëorganizuar”.

Gjatë shfaqjes së videove të marra nga dronët në ditën e sulmit, Abazi tha se nga sulmi kishin mbetur të dëmtuara edhe shtëpitë e qytetarëve të asaj zone.

Tre të akuzuarit i mohuan akuzat dhe pretenduan se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.

Kush janë të pandehurit?

Në aktakuzë përmenden 45 persona:

Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.

Çfarë përmban aktakuza për rastin “Banjska”?

Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave”.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.

Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.

Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. /rel/

The post Dy policë dëshmojnë për rastin “Banjska” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

TURQI – Kryetarët e bashkive të opozitës pezullohen nga detyra për shkak të hetimeve për korrupsion

STAMBOLL, 5 qershor /ATSH/- Ministria e Brendshme në Turqi ka pezulluar nga detyra pesë kryetarë bashkie nga Partia Republikane Popullore (CHP) në opozitë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Anadolu”.

Pezullimet vijnë pas disa urdhërarrestesh të lëshuara si pjesë e një hetimi për korrupsion.

Kryetarët e pezulluar nga detyra janë nga tre rrethe të Stambollit dhe dy zona në provincën jugore të Adanas.

Ndërkohë, prokurorët kanë nisur një hetim penal kundër udhëheqësit të CHP-së, Ozgur Ozel – lidhur me kritikat e tij ndaj kryeprokurorit publik të Stambollit dje gjatë një tubimi.

Ky vendim vjen pas një vale arrestimesh që kanë synuar figurat e opozitës dhe zyrtarët bashkiakë – që nga shkarkimi dhe burgosja e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, në mars.

Imamoglu u burgos për akuza për korrupsion dhe përballet edhe me akuza të lidhura me terrorizmin. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat. //a.i/

 

The post TURQI – Kryetarët e bashkive të opozitës pezullohen nga detyra për shkak të hetimeve për korrupsion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

GAZË – Të paktën 60 të vrarë në sulmet izraelite gjatë 24 orëve të fundit

GAZË, 31 maj /ATSH-DPA/- Të paktën 60 persona janë vrarë në Rripin e Gazës gjatë 24 orëve të fundit – si rezultat i sulmeve ajrore izraelite, thanë sot raportet palestineze.

Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi tha gjithashtu se 284 persona ishin plagosur gjatë së njëjtës periudhë.

Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Sipas ministrisë, shifrat aktuale nuk përfshijnë viktimat e regjistruara në spitalet në veri të brezit bregdetar të shkatërruara nga lufta, ku qasja mbetet e kufizuar për shkak të luftimeve të vazhdueshme.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar ende mbi raportet më të fundit të sulmeve nga Gaza.

Sipas shifrave palestineze, më shumë se 54 300 persona janë vrarë dhe më shumë se 124 000 janë plagosur që nga fillimi i luftës në Gazë – e cila u shkaktua nga sulmet terroriste të udhëhequra nga Hamasi në Izrael, më 7 tetor 2023.

Dy javë më parë, ushtria izraelite nisi një ofensivë të re të madhe në Gazë. Dhjetëra vdekje janë raportuar çdo ditë gjatë ditëve të fundit. //a.i/

 

The post GAZË – Të paktën 60 të vrarë në sulmet izraelite gjatë 24 orëve të fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

BRUKSEL – BE dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nisin bisedimet për një marrëveshje të tregtisë së lirë

BRUKSEL, 28 maj /ATSH- DPA/- Bashkimi Evropian dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë nisur negociatat për një marrëveshje dypalëshe të tregtisë së lirë, njoftoi sot Komisioni Evropian, në Bruksel.

Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, dhe ministri i Tregtisë së Jashtme i Emirateve të Bashkuara Arabe, Thani bin Ahmed Al Zeyoudi synojnë të arrijnë një marrëveshje në Dubai dhe ranë dakord për një plan veprimi, që do të fillojë në qershor.

Takimet fillestare do të përqendrohen në uljen e tarifave për mallrat dhe lehtësimin e shërbimeve, tregtisë digjitale dhe flukseve të investimeve.

Gjithashtu, do të shqyrtohen mënyrat se si të rritet tregtia në sektorë strategjikë, siç janë energjia e rinovueshme, hidrogjeni i gjelbër dhe lëndët e para kritike.

Sipas të dhënave të BE-së, eksportet nga Emiratet e Bashkuara Arabe përfshijnë naftë, gaz dhe metale bazë – ndërsa BE eksporton kryesisht automjete, makineri, produkte kimike dhe ushqime.

Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të vendosin tarifa të larta për importin e duhanit, verës, pijeve alkoolike dhe ëmbëlsirave.

Tregtia aktuale arrin në rreth 55 miliardë euro (62 miliardë dollarë) në vit, me shërbime që arrijnë në rreth 39 miliardë euro.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se marrëveshja do të ndihmojë në forcimin e lidhjeve midis BE-së dhe rajonit të Gjirit.

Ajo tha se marrëveshja do të ofrojë mundësi të reja për bizneset e BE-së, ndërkohë që do të forcojë partneritetin në fusha që kanë rëndësi për qytetarët e BE-së, si energjia e rinovueshme dhe teknologjitë digjitale. //a.i/

The post BRUKSEL – BE dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nisin bisedimet për një marrëveshje të tregtisë së lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Euro U-17, luhen sot ndeshjet e fundit të Grupit A, Shqipëria përballet me Francën në “Elbasan Arena”

TIRANË, 25 maj /ATSH/ Sot do të luhen dy ndeshjet e fundit në Grupin A të Kampionatit Europian U-17, ku do të vendoset gjithçka sa i përket dy skuadrave që do të kualifikohen më tej në gjysmëfinalet e Europianit.

Kombëtarja shqiptare do të përballet me Francën në “Elbasan Arena”, ndërsa në “Arenën Kombëtare” do të luhet ndeshja Portugali – Gjermani. Të dyja takimet do të zhvillohen në orën 20:30.

Portugalia dhe Franca kryesojnë renditjen me nga 4 pikë, ndërsa pas tyre vjen Gjermania me 3 pikë. Shqipëria ndodhet në vendin e fundit me 0 pikë.

Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë në të dyja stadiumet, ku tifozë të shumtë pritet të shijojnë spektaklin e Kampionatit Europian nga shkallët e stadiumit.

Biletat për ndeshjet e Euro U-17 janë në shitje vetëm online, në ebileta.al.

The post Euro U-17, luhen sot ndeshjet e fundit të Grupit A, Shqipëria përballet me Francën në “Elbasan Arena” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

UASHINGTON – SHBA ndërmerr hapat e parë për lehtësimin e sanksioneve ndaj Sirisë

UASHINGTON, 24 maj /ATSH-DPA/- Qeveria amerikane ka filluar pezullimin e sanksioneve ndaj Sirisë – në një përpjekje për të nxitur investime të reja dhe për të mbështetur rrugën e vendit drejt paqes dhe stabilitetit, njoftoi sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.

“Siç premtoi Presidenti Donald Trump, Departamenti Amerikan i Thesarit dhe Departamenti Amerikan i Shtetit po zbatojnë autorizimet për të nxitur investime të reja në Siri”, tha dje në mbrëmje Bessent.

“Sigurisht që Siria duhet të vazhdojë të punojë drejt një vendi të qëndrueshëm që është në paqe, dhe veprimet e sotme shpresojmë ta vendosin vendin drejt një të ardhmeje të ndritshme, të begatë dhe të qëndrueshme”, shtoi ai.

Javën e kaluar, Trump njoftoi heqjen e të gjitha sanksioneve të SHBA-së ndaj Sirisë.

Sanksionet u vendosën nga SHBA-ja dhe vende të tjera pas luftës civile që shpërtheu nën drejtimin e ish-presidentit, Bashar al-Assad. Regjimi i tij u përmbys në fillim të dhjetorit nga një aleancë rebele islamike.

Sipas Departamentit Amerikan të Thesarit, lehtësimi i kufizimeve do të lejojë aktivitete të reja ekonomike, duke përfshirë shërbimet financiare dhe transaksionet që lidhen me naftën dhe produktet e naftës me origjinë nga Siria.

Departamenti tha se do të lejoheshin gjithashtu marrëveshjet me qeverinë e re siriane, presidentin e përkohshëm Ahmed al-Sharaa, bankën qendrore siriane dhe institucione të tjera financiare.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se sanksionet do të pezulloheshin për 180 ditë – për të siguruar që kufizimet të mos bllokonin investimet e përqendruara në stabilitet në Siri.

Pavarësisht rënies së al-Assad, paqëndrueshmëria në Siri vazhdon. Kohët e fundit kanë shpërthyer përleshje midis pakicës druze dhe milicive sunite, dhe në fillim të marsit qeveria tranzitore nisi operacione ushtarake në përgjigje të sulmeve nga besnikët e al-Assad. //a.i/

The post UASHINGTON – SHBA ndërmerr hapat e parë për lehtësimin e sanksioneve ndaj Sirisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

STAMBOLL – Ukraina dhe Rusia bien dakord për shkëmbimin e të burgosurve në shkallë të gjerë

STAMBOLL, 16 maj /ATSH-DPA/- Ukraina dhe Rusia ranë dakord sot për të shkëmbyer 1000 të burgosur secila, “në të ardhmen e afërt”, tha sot ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov.

Marrëveshja erdhi pas 90 minutash bisedimesh në Stamboll – negociatat e dyta në më shumë se tre vjet – që kur Rusia nisi pushtimin e plotë të fqinjit të saj .

Bisedimet e para erdhën menjëherë pasi Rusia filloi luftën e saj më 24 shkurt 2022.

Vëzhguesit nuk kishin pritshmëri të larta nga negociatat – pasi u njoftua se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të merrte pjesë në bisedimet e planifikuara në Turqi.

Përpara njoftimit të Stambollit, Ukraina tha se kishte marrë trupat e 909 ushtarëve nga Rusia, ndërsa media ruse raportoi se pala ruse kishte marrë 34 trupa. //a.i/

The post STAMBOLL – Ukraina dhe Rusia bien dakord për shkëmbimin e të burgosurve në shkallë të gjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

TEL AVIV – Netanyahu: Izraeli do të nisë ofensivën e re kundër Hamasit në Gazë

TEL AVIV, 13 maj /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha sot se një ofensivë e re e madhe që synon mposhtjen e Hamasit do të nisë në ditët në vijim.

Duke folur para rezervistëve izraelitë të plagosur në Rripin e Gazës, Netanyahu deklaroi se shkatërrimi i Hamasit dhe lirimi i të gjithë pengjeve izraelite – të dyja të lidhura ngushtë.

“Në ditët në vijim, ne do të hyjmë me forcë për të përfunduar fushatën”, tha Netanyahu gjatë takimit në zyrën e tij në Jerusalem, duke iu referuar një sulmi të ri ushtarak.

Dhjetëra mijëra rezervistë janë mobilizuar së fundmi nga ushtria izraelite për operacionet e rinovuara.

Megjithatë, raportet e medias izraelite sugjerojnë se ofensiva mund të vonohet pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump të përfundojë vizitën e tij këtë javë, në shtetet arabe të Gjirit Persik.

“Forcat tona janë tashmë në terren”, tha Netanyahu.

Ai tha se nëse Hamasi propozonte të lironte më shumë pengje, Izraeli do të pranonte – por do të vazhdonte ofensivën e tij pavarësisht kësaj.

“Ndërsa një armëpushim i përkohshëm është i mundur”, tha ai.

Netanyahu gjithashtu pretendoi se më shumë se gjysma e afërsisht 2 milionë palestinezëve që jetojnë në Gaza do të zgjidhnin të largoheshin nëse do t’u jepej mundësia.

Megjithatë, ai pranoi vështirësitë në gjetjen e vendeve të gatshme për t’i pranuar.

Përshkallëzimi i konfliktit ka intensifikuar frikën midis palestinezëve për një valë të re zhvendosjeje, që kujton dëbimet masive gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1948 dhe Luftës Gjashtëditore të vitit 1967.

Negociatat për armëpushim pritet të rifillojnë së shpejti në Katar. //a.i/

 

The post TEL AVIV – Netanyahu: Izraeli do të nisë ofensivën e re kundër Hamasit në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

BRUKSEL – Merz mbështet përpjekjet për armëpushim në Ukrainë, paralajmëron sanksione të mëtejshme

BRUKSEL, 9 maj /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu sot mbështetje për propozimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për një armëpushim 30-ditor pa kushte në Ukrainë.

“Rusisë, më në fund po i bëhet thirrje të bjerë dakord për një armëpushim më të gjatë, i cili duhet të lërë hapësirë ​​për një traktat të vërtetë paqeje”, tha Merz në Bruksel pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Ai gjithashtu paralajmëroi për sanksione të mëtejshme nëse Rusia nuk bashkëpunonte.

“Nëse kjo nuk ndodh, ne nuk do të hezitojmë, së bashku me partnerët tanë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të rrisim më tej presionin e sanksioneve”, tha ai.

Merz zhvilloi dje në mbrëmje një bisedë telefonike me Trump, dy ditë pasi mori detyrën.

Kancelari gjerman tha se disa shtete evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën, Poloninë dhe Britaninë e Madhe ishin të gatshme të mbështesnin iniciativën e Trump me një deklaratë të përbashkët. //a.i/

The post BRUKSEL – Merz mbështet përpjekjet për armëpushim në Ukrainë, paralajmëron sanksione të mëtejshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

TEHERAN – Irani i bën thirrje Indisë dhe Pakistanit të tregojnë vetëpërmbajtje

TEHERAN, 7 maj /ATSH-DPA/- Qeveria iraniane u ka bërë thirrje Indisë dhe Pakistanit të tregojnë vetëpërmbajtje në konfliktin mes dy palëve.

“Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei e përshkroi përshkallëzimin e fundit ushtarak – si një shkak serioz për shqetësim”, sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Jashtme, në Teheran.

Të hënën, Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi ishte në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, për të ndërmjetësuar midis fuqive bërthamore të Azisë Jugore.

Teherani është ofruar për të ndërmjetësuar me marrëdhëniet e tensionuara mes dy shteteve.

Është ende e paqartë nëse një udhëtim në Indi, i planifikuar të enjten nga ministri, do të zhvillohet sipas planit.

India sulmoi disa objektiva në Pakistan dhe pjesën e kontrolluar nga Pakistani të rajonit të trazuar të Kashmirit. Sipas ushtrisë pakistaneze, 26 persona u vranë dhe 46 të tjerë u plagosën. //a.i/

The post TEHERAN – Irani i bën thirrje Indisë dhe Pakistanit të tregojnë vetëpërmbajtje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

SHBA – Carney: Kanadaja nuk do të jetë kurrë në shitje

UASHINGTON, 6 maj /ATSH-DPA/ – Kryeministri kanadez Mark Carney hodhi sot poshtë me humor, por pa mëdyshje, çdo ambicie territoriale nga ana e presidentit të SHBA-së Donald Trump gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë.
“Siç e dini, nga pasuritë e patundshme, ka disa vende që nuk janë kurrë në shitje,” i tha Carney presidentit Trump në Zyrën Ovale.
“Ne jemi ulur në njërën prej tyre tani. Ju e dini edhe Pallatin Buckingham që e vizituat”, shtoi ai.
Trump ndërhyri duke theksuar se “kështu është”.
Carney më pas e bëri të qartë se e njëjta gjë vlen edhe për Kanadanë.
“Nuk është në shitje, nuk do të jetë kurrë në shitje”, tha ai.
“Por, mundësia është në partneritet dhe në atë që mund të ndërtojmë së bashku”, pohoi kryeministri.
Trump u përgjigj me një buzëqeshje dhe tha “kurrë mos thuaj kurrë”.
Që nga marrja e detyrës, Trump ka bërë vazhdimisht thirrje që Kanadaja të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, duke iu referuar vendit fqinj si “shteti i 51-të”.
Partia e Carney fitoi zgjedhjet kombëtare të Kanadasë më 28 prill, e mbështetur nga qëndrimi i tij i ashpër anti Trump.
Pas fitores së Partisë së tij Liberale në zgjedhjet parlamentare, Carney njoftoi qëllimin e tij për të kundërshtuar me vendosmëri politikat agresive të qeverisë amerikane./ /os/

The post SHBA – Carney: Kanadaja nuk do të jetë kurrë në shitje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌