Reading view

Aktori Vincent Pastore, ylli i “The Sopranos”, ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Aktori amerikan Vincent Pastore, i njohur për interpretimin e personazhit ikonik Salvatore “Big Pussy” Bonpensiero në serialin e mirënjohur “The Sopranos”, është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga menaxheri i tij.

Pastore u bë i famshëm për rolet e tij si figura të botës së krimit italo-amerikan në film dhe televizion, por performanca e tij në “The Sopranos” mbetet një nga interpretimet më të paharrueshme në historinë e televizionit. Personazhi i tij, “Big Pussy”, ishte një nga figurat qendrore të serialit dhe kontribuoi në suksesin global të produksionit të HBO-së.

Gjatë karrierës së tij, Pastore interpretoi në dhjetëra filma dhe seriale, mes tyre “Goodfellas”, “Carlito’s Way”, “Gotti”, “Law & Order” dhe projekte të tjera ku shpesh mishëroi personazhe të fortë dhe të lidhur me botën e mafias.

Autoritetet amerikane po hetojnë rrethanat e vdekjes së aktorit, ndërsa shkaku zyrtar ende nuk është bërë publik.

Me interpretimet e tij të veçanta dhe praninë karakteristike në ekran, Vincent Pastore lë pas një trashëgimi të rëndësishme në kinemanë dhe televizionin amerikan.

The post Aktori Vincent Pastore, ylli i “The Sopranos”, ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rama: Shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm se kemi shumë punë për integrimin në BE

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur interesit të influencerit dhe sipërmarrësit ukrainas me bazë në Londër, Max Klymenko për disa çështje gjatë një interviste realizuar në kuadër të Samitit të NATO-s mbajtur disa javë më parë në Turqi.

Gjatë intervistës e cila u publikua sot në rrjetet sociale të TikTok-erit të njohur, Rama pyetet se si po e ndihmon Shqipëria Ukrainën.”Ne jemi përpjekur të bëjmë më të mirën tonë. Ne nuk jemi një vend i madh. Nuk jemi as një vend i pasur. Por kemi qenë pranë saj me gjithçka që kemi mundur”, përgjigjet Rama.

Mê tej, kryeministri shprehet se shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm se “kemi shumë punë për të bërë dhe duhet të vazhdojmë drejtimin tonë drejt Bashkimit Evropian. Dhe sapo të jemi brenda Bashkimit Evropian, do të jemi të sigurt edhe nga vetja jonë”.

I pyetur për marrêdhëniet me liderët botërorë, Rama veçoi kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni si dhe kreun e NATO-s, Mark Rutte.

“Kam marrëdhënie të mira me të gjithë. Ndoshta marrëdhënia më e mirë është me Giorgian. Kemi gjithashtu një marrëdhënie të veçantë mes Shqipërisë dhe Italisë. Kam pasur një marrëdhënie shumë sfiduese me Mark Rutte, kur ai ishte kryeministër i Holandës. Por më pas u bëmë miq shumë të mirë dhe kemi një miqësi të veçantë. Ai është, pa diskutim, njeriu që di ta menaxhojë më mirë Donald Trump”, u shpreh kryeministri Rama.

 

The post Rama: Shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm se kemi shumë punë për integrimin në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Begaj dekreton marrëveshjen e huasë me SHBA, hyn në fuqi menjëherë

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj, ka dekretuar marrëveshjen e huasë direkte prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF) për fushën e mbrojtjes.

Dekreti i publikuar nê faqen zyrtare të presidencës mban datën 30 korrik.

Presidenti Begaj ka dhënë gjithashtu pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë të këtij ligji.

Marrëveshja është pjesë e financimit të jashtëm ushtarak amerikan (Foreign Military Financing – FMF), i cili synon mbështetjen e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe forcimin e bashkëpunimit strategjik me SHBA-në në fushën e sigurisë.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ka theksuar se kjo marrëveshje nuk përbën thjesht një instrument financiar, por një investim strategjik.

Ai ka sqaruar se marrëveshj do të shërbejë për sigurinë kombëtare në kuadër të NATO 3.0 dhe angazhimit të Shqipërisë si një aleat i përkushtuar në Aleancë, forcimin e kapaciteteve dhe modernizimin e Forcave të Armatosura si dhe për thellimin e partneritetit strategjik të Shqipërisë me aleatin e saj më të rëndësishëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dekreti i presidentit Begaj:

PËR SHPALLJE LIGJI DHE DHËNIEN E PËLQIMIT PËR HYRJEN NË FUQI MENJËHERË TË LIGJIT

Në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe 4, dhe nenit 93 të Kushtetutës,

D E K R E T O J:

Neni 1

Shpalljen e ligjit nr. 91/2026, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF)”.

Neni 2

Dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit nr. 91/2026, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF)”.

 

The post Begaj dekreton marrëveshjen e huasë me SHBA, hyn në fuqi menjëherë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Muzeu Marubi publikon fotografi të rralla të Bekim Fehmiut gjatë vizitës së tij në Shkodër më 1972

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka ndarë me publikun  fotografi të rralla nga arkivi i tij, që dokumentojnë vizitën e aktorit të njohur shqiptar Bekim Fehmiu në Shqipëri në vitin 1972.

I cilësuar “Uliksi shqiptar” i kinemasë botërore, Bekim Fehmiu mbërriti në Shqipëri jo thjesht si aktor në kulmin e famës, por si një njeri në kërkim të rrënjëve të tij.

I lindur në një familje shqiptare dhe i formuar mes Prizrenit e hapësirave të Ballkanit, Fehmiu ishte aktori i parë shqiptar që depërtoi në skenat ndërkombëtare dhe në Hollywood, duke e mbartur gjithmonë me vete identitetin e tij.

Në një kohë kur Shqipëria ishte e izoluar nga bota, ai zgjedh ta vizitojë, si një pjesë të historisë së vet personale. Udhëtimi i tij kalon nga një qytet në tjetrin… deri në Shkodër, aty ku kishte kaluar vitet e para të fëmijërisë.

Në këtë qytet, vizita e tij në Muzeun Historik të Shkodrës është përjetësuar nga objektivi i Angjelin Nenshatit.

Publikimi i kësaj fotografie vjen në një moment kur emri i “Odiseas” rikthehet në vëmendje përmes filmit të Christopher Nolan.

“Shqipëria nuk është më vetëm një kujtesë personale, ajo dëgjohet. Në kolonën zanore përfshihen tinguj të iso-polifonisë shqiptare, një traditë mijëravjeçare e mbrojtur nga UNESCO, e regjistruar posaçërisht në jug të vendit për t’i dhënë filmit një dimension autentik dhe të lashtë. Një lidhje e rrallë krijohet: nga zëri i maleve shqiptare… tek epika e Homerit. Sot, kur Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara turistike, këto histori dëshmojnë se magnetizmi i saj ka ekzistuar gjithmonë. Arkivi i Muzeut Marubi mbetet një dëshmi e gjallë, një hapësirë ku takohen figura botërore, udhëtime të harruara dhe momente që sot marrin kuptim të ri. Sepse në Marubi nuk ruhen vetëm fotografi”, thuhet në postimin e Muzeut Marubi.

1 nga 5
/k.s/r.e/

The post Muzeu Marubi publikon fotografi të rralla të Bekim Fehmiut gjatë vizitës së tij në Shkodër më 1972 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Giancarlo Giannini feston ditëlindjen, homazh një prej ikonave të kinemasë italiane

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Aktori i njohur italian Giancarlo Giannini feston ditëlindjen, duke rikthyer në vëmendje një karrierë që ka lënë gjurmë në historinë e kinemasë.

Me dhjetëra role të paharrueshme në film dhe teatër, Giannini konsiderohet një nga artistët më të mëdhenj të Italisë. Ai ka bashkëpunuar me regjisorë të njohur ndërkombëtarisht dhe është vlerësuar për interpretimet e tij të fuqishme, duke fituar edhe një nominim për çmimin Oscar.

Në një intervistë të publikuar me rastin e ditëlindjes së tij, aktori thekson se veprat e mëdha mbeten në kohë, pavarësisht ndryshimeve që sjell çdo epokë.

Karriera e Gianninit vijon të jetë një pikë referimi për breza aktorësh dhe një pasuri e rëndësishme e kulturës italiane.

The post Giancarlo Giannini feston ditëlindjen, homazh një prej ikonave të kinemasë italiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Qytetarët vijojnë protestën në ditën e 63-të në Tiranë

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Qytetarë, aktivistë dhe pjesëmarrës të ardhur nga diaspora u mblodhën pasditen e sotme në kryeqytet, në protestën e 63-të kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec si dne me kërkesat për largimin e qeverisë dhe klasës së vjetër politike.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Kërkesat, veç anulimit të projektit në Zvërnec, janë edhe politike, përfshirë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në sistemin politik.

Ata kërkojnë ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë, Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Aktivisti Arben Kola tha se “mërgata sot është e pranishme, kemi nga Gjermania, Italia, Franca, Belgjika, Zvicra. Nëse shqiptarët nuk zgjohen, mërgata nuk do ta lërë vendin në dorën e tradhtarëve. Do t’ju tregojmë se mund të manipuloni një pjesë të shqiptarëve brenda atdheut, por jo ata jashtë. Shqiptarët do të binden se do ta rrëzojmë Ramën nga karrigia dhe do ta shpallim non grata së bashku me Bajram Begajn dhe Ferit Hoxhën”.

Një qytetar që jeton jashtë, tha se “kam 30 vjet që jetoj jashtë vendit, fëmijët kanë ardhur këtu dhe nuk kanë asnjë të ardhme”.

Një tjetër aktivist në fjalën e tij u ndal tek reforma territoriale duke theksuar se “përveç protestës në Tiranë, këto ditë janë mbajtur edhe protesta në qytete, sepse kërkojnë të shkrijnë një sërë bashkish të vogla. Sot ishim në Belsh për t’i mbështetur. Sot iu bëj thirrje të gjithëve që duhet të jemi për decentralizim dhe jo centralizim të mëtejshëm”.

Një ri në fjalën e tij tha se “jemi këtu për qëllimin më të madh, po tregojmë se jemi të bashkuar. Ky zë dhe bashkim i ka mbytur zërat e tyre. Kjo është Shqipëria e vërtetë dhe që kemi dashur, kërkojmë që kryeministri të japë dorëheqjen. Siç e keni parë qeveria kërkon shpopullim duke mbyllur bashki dhe duke lënë njerëzit në harresë. Ka bashki historike dhe ai kërkon ti mbyllë”.

Ai kërkoi nga kryeministri Rama që ti lërë njerëzit të vendosin nëse duan apo jo bashki.

Aktivisti Edison Lika ka bërë thirrje për qytetarët e 15 bashkive që sipas propozimit të mazhorancës priten të shkrihen.

“Jemi në shesh për 15 bashkitë e vogla, që kërkohet t’ju vendoset dryni. Sot ne kemi një të zgjedhur për 40 mijë banorë, do të shkojë 1 për 50 mijë banorë. Le të përmendim bashkitë të cilave do t’ju vendoset dryni: Të na bashkohet Fushë-Arrëzi, të na bashkohen qytetarët e Klosit, Rrogozhinës, Dimalit, Poliçanit, Patosit, kësaj lëvizjeje t’i bashkohen qyetarët e Selenicës, Memaliajt, Cërrikut, Belshit, Prrenjasit, Maliqit, Devollit dhe të kërkojmë dorëheqje”, tha Lika.

Ai po ashtu informoi se nesër do të mbahet një protestë në Shkodër kundër ngritjes së konsullatës serbe atje.

Edhe në ditën e 63-të, protestuesit përsëritën se do të vijojnë çdo ditë tubimet dhe marshimet e tyre.

Pasi qëndruan për disa orë para godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin nëpër akset kryesore të Tiranës.

 

Dita e 63-të e protestës; Fotoreporter: Andrin Hoxha
1 nga 14

/k.s/r.e/

The post Qytetarët vijojnë protestën në ditën e 63-të në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kurti thirrje BE-së dhe SHBA-së: Serbia të deklasifikojë dokumentacionin për krime lufte në Kosovë

PRISHTINË, 1 gusht/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për deklasifikimin e dokumentacionit për krimet e luftës në Kosovë.

Kurti këtë thirrje e bëri në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut, ku po zhvillohen gërmime në një lokacion të dyshuar si varrezë masive.

Ai   tha se në vend që Beogradi të hapë arkivat, po arreston persona në Serbi nën akuza për spiunazh vetëm pse para dy dekadash kishin informuar UNMIK-un dhe organizata të tjera ndërkombëtare për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Kurti vuri në dukje edhe dosjen e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave. Ai tha se kjo dosje lidhet me masakrat e kryera në Kosovë, veçanërisht në Drenicë.

Dosja e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, është klasifikuar në vitin 2014 për tri dekada. Sipas Beogradit, ajo nuk mund të hapet deri në vitin 2044. Ne nuk mund të presim edhe 18 vjet që të zbardhet e vërteta”, tha Kurti./Kosovapress/

 

The post Kurti thirrje BE-së dhe SHBA-së: Serbia të deklasifikojë dokumentacionin për krime lufte në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Turqia dhe Iraku nënshkruajnë marrëveshje njëvjeçare për tubacionin e naftës së papërpunuar

ANKARA, 1 gusht/ATSH-AA/  Turqia dhe Iraku nënshkruan të premten një marrëveshje njëvjeçare për vazhdimin e funksionimit të Naftësjellësit Irak–Turqi, duke ruajtur një rrugë strategjike eksporti me kapacitet transporti deri në 750.000 fuçi naftë në ditë, ndërsa të dyja vendet vazhdojnë negociatat për një marrëveshje të re afatgjatë, raporton Anadolu.

Ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, u takua me ministrin irakian të Naftës, Basim Mohammed Khudair, dhe delegacionin e tij në ministri, sipas një deklarate të Ministrisë turke të Energjisë dhe Burimeve Natyrore.

Pas takimit, operatori shtetëror turk i tubacioneve BOTAS dhe kompanitë shtetërore irakiane të naftës, Organizata Shtetërore për Tregtimin e Naftës (SOMO) dhe Kompania e Naftës Veriore (NOC), nënshkruan marrëveshjen për transportin e naftës së papërpunuar.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i BOTAS-it, Abdulvahit Fidan, drejtori i përgjithshëm i SOMO-s, Ali Nizar Al-Shatri, dhe drejtori i përgjithshëm i NOC-ut, Faisal Hammadi Ramadan.

Marrëveshja e përkohshme, e nënshkruar ndërsa vazhdojnë negociatat për një marrëveshje të re afatgjatë për naftësjellësin, parashikon transportin e deri në 750.000 fuçive naftë të papërpunuar në ditë. Naftësjellësi Irak–Turqi ka shërbyer si një korridor strategjik energjetik mes dy vendeve për gati gjysmë shekulli.

Bayraktar tha se hapat e ndërmarrë pas takimit mes presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit irakian Ali Al-Zaydi përbëjnë një moment historik në bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë.

Synohet shfrytëzimi i plotë i kapacitetit të naftësjellësit

Bayraktar tha se Naftësjellësi Irak–Turqi kontribuon jo vetëm në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, por edhe në sigurinë globale energjetike.

“Në një kohë kur bota po përballet me krizën e Hormuzit dhe rreth 20 milionë fuçi naftë janë praktikisht të bllokuara në Gjirin Persik, ky naftësjellës ka rëndësi të jashtëzakonshme si një rrugë alternative eksporti”, tha ai.

Duke theksuar se Turqia ka operuar sistemin e dyfishtë të naftësjellësit që shtrihet nga Silopi deri te terminali i eksportit në Ceyhan për afro 50 vjet, Bayraktar tha se BOTAS është përgjegjës për operimin e tubacionit, si dhe për aktivitetet e magazinimit dhe ngarkimit në terminal.

Ai tha se Turqia synon të shfrytëzojë plotësisht kapacitetin ditor prej 1,5 milion fuçish, duke shtuar se në të ardhmen, përveç naftës irakiane, edhe nafta nga Kuvajti dhe vendet e tjera të Gjirit mund të transportohet drejt tregjeve globale përmes kësaj rruge.

Bayraktar shtoi gjithashtu se rafineritë turke janë projektuar fillimisht për përpunimin e naftës së këtij rajoni, ndërsa nafta irakiane dhe ajo e Kirkukut mbeten ndër llojet më të përpunuara në vend.

Veçmas, Bayraktar u takua me kryeministrin irakian Ali Al-Zaydi në Bagdad më 9 korrik, ku diskutuan për Naftësjellësin Irak–Turqi. Al-Zaydi zhvilloi më pas një vizitë zyrtare në Turqi më 28 korrik, gjatë së cilës “Turkish Petroleum” bleu 15 për qind të aksioneve në sipërmarrjen e përbashkët të kompanisë bp me bazë në Kirkuk.

Projekti përfshin kupolat Baba dhe Avanah, si dhe fushat Bai Hassan, Jambur dhe Khabbaz në Kirkuk, një nga rajonet kryesore prodhuese të hidrokarbureve në Irak. Zona kontraktuale vlerësohet të përmbajë mbi 3 miliardë fuçi ekuivalent nafte në burime hidrokarbure në fazën fillestare.

The post Turqia dhe Iraku nënshkruajnë marrëveshje njëvjeçare për tubacionin e naftës së papërpunuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Policia sqaron incidentin me shtetasin italian në Tiranë: U konfliktua me disa të mitur, s’pranoi të bënte kallëzim

TIRANË, 1 gusht/ ATSH/ Policia e Tiranës ka sqaruar ngjarjen e ndodhur tri ditë më parë në Tiranë ku një shtetas italian u dëmtua lehtë.

Në reagimin zyrtar, policia bên me dije se “në lidhje me një video të publikuar, ku shfaqet një shtetas italian i dëmtuar lehtë, sqarojmë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, më datë 29.07.2026, në zonën pas Pallatit të Kulturës, dhe është trajtuar menjëherë nga Policia për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje””.

Konkretisht, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas njoftimit të marrë nga Salla Operative për një konflikt, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar shtetasin italian G. M., me dëmtime të lehta sipërfaqësore.

Në vendngjarje ndodheshin edhe dy shokët e tij, të cilët e shoqëronin. Shtetasi italian ishte ndihmuar fillimisht nga punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët ndodheshin në afërsi.

Më pas, vijon policia shtetasi është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore.

“Sipas deklarimeve të personelit mjekësor dhe këqyrjes së kartelës mjekësore, ai ka qenë i vetëdijshëm, jashtë rrezikut për jetën dhe me dëmtime të lehta sipërfaqësore në gjymtyrë. Pas marrjes së ndihmës së parë, ai është larguar me dëshirën e tij, pa përfunduar ekzaminimet mjekësore dhe pa njoftuar stafin mjekësor për largimin e tij”, thuhet në njoftim.

Policia deklaron se ky shtetas nuk ka pranuar të bëjë kallzim në lidhjen me konfliktin dhe personat që e kishin dëmtuar.

“Edhe dy shtetasit që e shoqëronin nuk kanë dhënë informacion lidhur me rrethanat e konfliktit. Pavarësisht mungesës së kallëzimit nga shtetasi italian, grupi hetimor ka vijuar veprimet hetimore, duke këqyrur pamjet filmike, nga të cilat ka rezultuar se shtetasi italian ishte përfshirë në një konflikt me një grup të miturish në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës”, thekson policia.

Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

The post Policia sqaron incidentin me shtetasin italian në Tiranë: U konfliktua me disa të mitur, s’pranoi të bënte kallëzim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Fundjava e parë e gushtit, fluks i lartë pushuesish në plazhet e Vlorës

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Plazhet e Vlorës vijojnë të tërheqin një numër të madh vizitorësh gjatë sezonit veror, duke e renditur qytetin mes destinacioneve më të frekuentuara turistike në vend.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Vlorës, ku plazhet janë të mbushura me pushues vendas dhe të huaj në fundjavën e parë të gushtit.

Vlora vijon të jetë një nga pikat kryesore të turizmit bregdetar në vend, duke tërhequr vizitorë nga Shqipëria dhe jashtë saj.

Me ujërat e kristalta, plazhet ranore dhe me gurë, si dhe ofertën e larmishme të shërbimeve turistike, Vlora vijon të tërheqë vizitorë nga Shqipëria, rajoni dhe vende të ndryshme të Evropës.

Pozicioni gjeografik, ku takohen deti Adriatik dhe ai Jon, e bën qytetin një pikënisje të rëndësishme edhe për turistët që zgjedhin të vizitojnë Rivierën Shqiptare.

Krahas pushimeve në bregdet, vizitorët kanë mundësi të eksplorojnë edhe atraksione natyrore e kulturore të zonës, si Gadishullin e Karaburunit, ishullin e Sazanit, Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, si dhe sitet historike e monumentet e qytetit.

Vitet e fundit, Vlora ka njohur një rritje të vazhdueshme të fluksit turistik, e mbështetur nga investimet në infrastrukturë, zgjerimi i kapaciteteve akomoduese dhe zhvillimi i shërbimeve për vizitorët.

Sezoni veror vijon të mbetet periudha me intensitetin më të lartë të lëvizjes turistike, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në ekonominë lokale dhe në turizëm.

/k.s/r.e/

The post Fundjava e parë e gushtit, fluks i lartë pushuesish në plazhet e Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kardinali Ernest Simoni rikthehet në Spaç pas më shumë se pesë dekadash, kremton Meshën në nderim të martirëve

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Në vendin ku dikur iu mohua liria dhe u detyrua të punonte në galeritë e minierës, Kardinali Ernest Simoni u rikthye pas më shumë se pesë dekadash për të kremtuar Meshën e Shenjtë në nderim të martirëve të ish-Burgut të Spaçit, një prej simboleve më të rënda të terrorit komunist në Shqipëri.

Me iniciativën e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe me pjesëmarrjen e institucioneve të kujtesës, ndër to edhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), ceremonia përkujtimore mblodhi ish-të dënuar politikë, familjarë të viktimave, përfaqësues të institucioneve shtetërore, pushtetit vendor dhe komunitetit fetar.

Në vendin ku dikur jehonin zhurmat e galerive dhe urdhrat e dhunës, këtë herë u dëgjua lutja për ata që nuk u kthyen kurrë në familjet e tyre, për të ekzekutuarit, për viktimat e punës së detyruar dhe për personat e zhdukur pa gjurmë.

Mesha e kremtuar nga Kardinali Ernest Simoni u shndërrua në një akt kujtese, nderimi dhe reflektimi për mijëra viktima të diktaturës komuniste, shumë prej të cilëve edhe sot nuk kanë një varr të njohur.

Gjatë ceremonisë, Kardinali bekoi artefakte origjinale të përdorura nga të burgosurit politikë, si edhe posterin me portretet e 28 personave të zhdukur, eshtrat e të cilëve ende nuk janë gjetur.

Ai vizitoi gjithashtu ekspozitën e ngritur nga AIDSSH në ambientet e ish-Burgut të Spaçit, ku dokumente arkivore, fotografi dhe dëshmi historike sjellin historinë e këtij burgu politik dhe fatin tragjik të shumë të burgosurve.

Në fjalën e tij, Kardinali Ernest Simoni rikujtoi arrestimin e vitit 1963 dhe ridënimin në vitin 1973, duke ndarë kujtime nga vitet e burgimit dhe të punës së detyruar, mes tyre edhe në Spaç.

Ai solli në kujtesë bashkëvuajtësit me të cilët ndau qelitë dhe galeritë e minierës, shumë prej të cilëve humbën jetën ose nuk u kthyen më pranë familjeve të tyre.

Duke kremtuar Meshën në vendin e vuajtjeve të përbashkëta, ai u lut për shpirtrat e tyre dhe theksoi se ruajtja e kujtesës është një detyrim moral ndaj viktimave të diktaturës komuniste dhe një përgjegjësi për brezat që vijnë.

Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Ethem Fezollari kërkoi angazhim më të madh institucional në mbështetje të ish-të përndjekurve politikë, si edhe për ruajtjen dhe promovimin e vendeve të kujtesës.

Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, ritheksoi kërkesës që ish-Burgu i Spaçit duhet të mbrohet, konservohet dhe zhvillohet si një memorial i gjallë, ku dokumentohen krimet e diktaturës komuniste dhe historia u përcillet brezave të rinj.

Nga ana e tij, Imzot Gjergj Meta theksoi se kujtesa nuk është vetëm detyrim ndaj së shkuarës, por edhe përgjegjësi ndaj së ardhmes. Sipas tij, Spaçi mbetet një vend simbolik ku nderohen martirët e diktaturës dhe ku brezat e rinj duhet të njohin të vërtetën mbi persekutimin komunist.

Pjesëmarrja e AIDSSH në këtë aktivitet lidhet me misionin e tij për dokumentimin, studimin dhe zbardhjen e krimeve të diktaturës komuniste.

Prej vitesh, Autoriteti ka zhvilluar kërkime të vazhdueshme mbi historinë e Spaçit, duke identifikuar dhe bërë publike dokumente arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, duke organizuar ekspozita e veprimtari përkujtimore, si dhe duke mbështetur kërkimin shkencor mbi këtë simbol të represionit komunist.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm i punës së Autoritetit janë hetimet administrative për personat e zhdukur gjatë regjimit komunist. Përmes administrimit të dëshmive dhe dokumenteve arkivore, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe familjarët e viktimave, AIDSSH ka kontribuar në identifikimin dhe shënjimin e vendvarrimeve të dyshuara, përfshirë edhe zona që lidhen me ish-Burgun e Spaçit, në përpjekje për t’u dhënë familjeve të drejtën të njohin fatin e të afërmve të tyre.

Në përfundim të ceremonisë, Kardinali Ernest Simoni u nderua me Dekoratën e Mirënjohjes, të dorëzuar nga bashkëvuajtësi i tij Zenel Drangu.

Ceremonia përcolli mesazhin se Spaçi nuk duhet të mbetet vetëm një vend i kujtesës së dhimbjes, por një memorial i gjallë i ndërgjegjes kombëtare, ku e vërteta mbi krimet e diktaturës komuniste të ruhet, të dokumentohet dhe t’u transmetohet brezave që vijnë.

The post Kardinali Ernest Simoni rikthehet në Spaç pas më shumë se pesë dekadash, kremton Meshën në nderim të martirëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Spanja: Pothuajse të gjithë migrantët janë kthyer në Marok nga Ceuta

MADRID, 1 gusht /ATSH -AA/ – Pothuajse të gjithë migrantët që hynë në Ceuta janë kthyer në Marok, njoftoi të premten ministri i Jashtëm i Spanjës, duke bërë thirrje që të ndalet “dezinformimi i qëllimshëm.

“Nuk është e mundur të udhëtosh nga Ceuta dhe Melilla drejt territorit kontinental të Spanjës pa u identifikuar në një pikë kontrolli policor”, shkroi Jose Manuel Albares në platformën amerikane X. “Integriteti i Zonës Schengen është plotësisht i garantuar. Mjaft me dezinformimin e qëllimshëm”.

Agjencia spanjolle e lajmeve EFE raportoi më herët se qindra migrantë po i drejtoheshin kufirit të premten pasdite për t’u kthyer në Marok, duke iu referuar marrëveshjes së riatdhesimit mes Spanjës dhe Marokut, si dhe mungesës së dyqaneve, supermarketeve dhe restoranteve të hapura në Ceuta për të përmbushur nevojat bazë.

Garda Civile e Spanjës dhe Grupi Regulares Nr. 54 i ushtrisë u dislokuan përgjatë zonës së plazhit Tarajal për të parandaluar mbërritje të tjera nga deti.

Sipas autoriteteve spanjolle, të paktën 57 persona kanë humbur jetën gjatë krizës së migracionit.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez të premten e cilësoi hyrjen masive të migrantëve në Ceuta që nga e enjtja si “sulm” dhe “shkelje të integritetit territorial të Spanjës”, duke premtuar rikthimin e normalitetit “sa më shpejt të jetë e mundur”.  /os/

The post FOKUS – Spanja: Pothuajse të gjithë migrantët janë kthyer në Marok nga Ceuta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Jo vetëm mëlçia, alkooli prek edhe trurin

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ – Konsumi i rregullt i alkoolit nuk ndikon vetëm në mëlçi, por mund të ketë pasoja edhe për shëndetin e trurit. Studime të publikuara vitet e fundit tregojnë se përdorimi i vazhdueshëm i alkoolit lidhet me zvogëlim të vëllimit të disa rajoneve të trurit dhe me rënie të aftësive njohëse, si kujtesa, të mësuarit, planifikimi dhe marrja e vendimeve.

Sipas studiuesve, ndryshimet janë vërejtur veçanërisht në hipokampus, një zonë e trurit e rëndësishme për kujtesën, si dhe në korteksin frontal, i cili kontrollon vendimmarrjen dhe vetëkontrollin. Sa më i madh dhe më i zgjatur të jetë konsumi i alkoolit, aq më i lartë priret të jetë rreziku për këto ndryshime.

Edhe studime më të fundit kanë gjetur se konsumimi i konsideruar më parë “me rrezik të ulët” mund të shoqërohet me ndryshime të matshme në strukturën e trurit, megjithëse nevojiten kërkime të mëtejshme për të përcaktuar ndikimin afatgjatë te individët.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se nuk ekziston një nivel plotësisht pa rrezik i konsumit të alkoolit për shëndetin. Rreziku për sëmundje të ndryshme, përfshirë ato që prekin trurin, rritet me shtimin e sasisë së konsumuar dhe me vazhdimësinë e këtij zakoni.

Ekspertët sqarojnë se konsumimi i rastësishëm i një pijeje nuk shkakton dëmtime të menjëhershme të trurit. Megjithatë, shndërrimi i alkoolit në një zakon të përditshëm mund të ndikojë gradualisht në shëndetin e tij, shpesh pa shenja të dukshme në fazat e para. Kufizimi i alkoolit, së bashku me një regjim të shëndetshëm ushqimor, aktivitet fizik dhe gjumë cilësor, konsiderohen ndër mënyrat më të mira për të mbrojtur funksionet njohëse dhe shëndetin e trurit në afat të gjatë.

The post Jo vetëm mëlçia, alkooli prek edhe trurin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – SHBA u bën thirrje qytetarëve të saj të shqyrtojnë largimin nga LM

AMMAN, 1 gusht /ATSH – AA/ – Ambasada e SHBA-së në Jordani u bëri thirrje amerikanëve që të shqyrtojnë mundësinë e largimit nga Lindja e Mesme nëse tensionet rajonale përshkallëzohen.

“Amerikanët që ndodhen aktualisht në Lindjen e Mesme duhet të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar dhe duhet të jenë të përgatitur për anulime fluturimesh, mbyllje periodike të hapësirës ajrore dhe ndërprerje të mundshme të udhëtimeve”, tha ambasada në një njoftim sigurie në platformën sociale amerikane X.

Ajo gjithashtu këshilloi amerikanët që ndodhen jashtë Lindjes së Mesme që “ta rishqyrtojnë seriozisht udhëtimin në dhe përmes rajonit”.

Ambasada paralajmëroi se “Irani dhe grupet që mbështesin Iranin mund të vënë në shënjestër interesa të tjera amerikane jashtë vendit” dhe e përshkroi situatën në Lindjen e Mesme si “të paqëndrueshme”.

“Ambasada e SHBA-së në Aman i këshillon të gjithë amerikanët të shmangin udhëtimet drejt bazave ushtarake në Jordani”, shtoi ajo, duke u bërë thirrje qytetarëve të monitorojnë paralajmërimet zyrtare dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve jordaneze.

Paralajmërimi vjen në një kohë tensionesh të rritura mes SHBA-së dhe Iranit, ndërkohë që CBS News raportoi, duke cituar zyrtarë, se Washingtoni po planifikon sulme të reja ndaj Iranit gjatë këtij fundjave.

Më herët të shtunën, Kuvajti tha se kishte interceptuar dronë iranianë që synonin një objekt qeveritar dhe automjete civile, ndërsa një cisternë u godit nga një predhë e panjohur pranë brigjeve të Omanit, afër Ngushticës së Hormuzit. Në asnjërin prej incidenteve nuk pati viktima.

The post FOKUS – SHBA u bën thirrje qytetarëve të saj të shqyrtojnë largimin nga LM appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Koçiu: Temperaturat e larta rrisin rrezikun e zjarreve, ekipet zjarrfikëse vijojnë punën në terren

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka bërë apel për kujdes maksimal nga qytetarët për të shmangur zjarret, ndërsa theksoi se ekipet e Shërbimeve Zjarrfikëse dhe të Mbrojtjes Civile vijojnë angazhimin në terren për menaxhimin e situatave të krijuara nga temperaturat e larta.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçiu theksoi se temperaturat e larta sjellin rrezik të shtuar për përhapjen e zjarreve dhe se strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri për mbrojtjen e jetës, pronës dhe pasurive natyrore.

“Ekipet e Shërbimeve Zjarrfikëse dhe ato të Mbrojtjes Civile janë në terren, duke punuar me profesionalizëm për mbrojtjen e jetës, pronës dhe pasurive natyrore”, tha Koçiu.

Sipas saj, falë reagimit të shpejtë, koordinimit dhe menaxhimit efektiv të situatave, vatrat e zjarrit janë vënë nën kontroll në kohë të shkurtër, duke shmangur pasoja më të rënda.

Koçiu shprehu mirënjohjen për efektivët zjarrfikës, të cilët vijojnë të jenë në shërbim të qytetarëve edhe në kushtet e temperaturave të larta.

“Mirënjohje për çdo efektiv që, edhe në temperaturat më të larta, vijon të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të Shqipërisë”, tha Koçiu.

Zëvendëskryeministrja Koçiu u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me strukturat emergjente për parandalimin e situatave të rrezikshme.

/k.s/r.e/

The post Koçiu: Temperaturat e larta rrisin rrezikun e zjarreve, ekipet zjarrfikëse vijojnë punën në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Begaj në Vuthaj: Alpet Shqiptare, urë që bashkon shqiptarët me rrënjët dhe identitetin kombëtar

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në manifestimin: “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2026”, të cilin e vlerësoi si një urë që bashkon shqiptarët me vendlindjen, ruan identitetin kombëtar dhe forcon lidhjet mes brezave.

Në fjalën e tij Begaj theksoi se “Alpet Shqiptare janë një pjesë e historisë së shqiptarit, e karakterit dhe e mënyrës se si kemi ditur të jetojmë në harmoni me tokën, me familjen dhe me njëri-tjetrin. Në këto male janë ruajtur zakone, këngë, veshje e mënyra jetese që i japin identitet kulturës sonë kombëtare. Kush vjen këtu nuk gjen vetëm bukuri, por edhe kujtime dhe një mënyrë jetese që ruan ende lidhjen e ngushtë mes njeriut dhe natyrës, mes traditës dhe së ardhmes”.

Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, traditave dhe kulturës shqiptare, duke nënvizuar se komuniteti i Plavës dhe Gucisë ka dhënë një kontribut të çmuar në mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe në zhvillimin e Malit të Zi.

“Ka vende ku njeriu lind. Ka vende ku jeton. Por ka edhe vende ku ndien gjithmonë nevojën të kthehet. Gucia dhe Alpet Shqiptare janë një nga ato vende. Këtu, kthimi është një takim me rrënjët, me familjen, me gjuhën, me kujtimet dhe me gjithçka që na ka formuar. Ai është dëshmia se lidhja me vendlindjen nuk dobësohet nga largësia dhe nuk matet me kilometrat që na ndajnë prej saj. Kjo trevë e bekuar ka qenë historikisht një vatër qëndrese, arsimi dhe kulture. Këtu natyra ka gdhendur majat më të larta, ndërsa historia ka formuar njerëz me dinjitet të rrallë, që ditën të ruajnë gjuhën, traditat dhe rrënjët e tyre, pa u lëkundur nga stuhitë e kohërave. Kjo është edhe toka që i dha historisë sonë burra si Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri e shumë atdhetarë të tjerë”, u tha Kreu i Shtetit shqiptarëve të diasporës që ishin pjesë e këtij manifestini.

Presidenti Begaj vlerësoi faktin se shqiptarët jetojnë sot në një periudhë me më shumë mundësi, duke theksuar rëndësinë e paqes, integrimit evropian dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në përfundim të fjalës së tij, Begaj dha një mesazh për ruajtjen e trashëgimisë kombëtare, forcimin e unitetit dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë.

“Teksa shoh sot të mbledhur këtu banorë të zonës, të rinj, të moshuar, familje dhe bashkatdhetarë të ardhur nga Diaspora, bindem edhe më shumë se lidhjet tona janë të forta. Ato nuk ruhen vetëm në dokumente dhe në fjalime zyrtare si ky. Ato ruhen në familje, në këngë, në valle, në veshjet tradicionale, në lojërat popullore, në gjuhën që u mësojmë fëmijëve dhe identitetin tonë kombëtar. Ky është mesazhi im sot për ju dhe për të gjithë shqiptarët: të ruajmë atë që kemi trashëguar, por njëkohësisht të ndërtojmë me besim të ardhmen; të jemi krenarë për identitetin tonë, por edhe të hapur ndaj bashkëpunimit; të mbështesim njëri-tjetrin dhe të punojmë që brezat që vijnë të kenë më shumë mundësi se ne”, tha Begaj.

Kreu i Shtetit u nderua me çmimin “Krenaria e Alpeve Shqiptare”, si vlerësim për kontributin e tij në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe mbështetjen e shqiptarëve kudo që jetojnë.

Vizita e Presidentit në Plavë dhe Guci përfshiu takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar në nivel qendror dhe autoritete lokale.

/k.s/r.e/

The post Begaj në Vuthaj: Alpet Shqiptare, urë që bashkon shqiptarët me rrënjët dhe identitetin kombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

SPAK kërkon ekstradimin e të arrestuarit në Francë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) bëri të ditur se është arrestuar në Francë shtetasi E.B., ndaj të cilit në Shqipëri është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për një sërë veprash penale, ndërsa është kërkuar ekstradimi i tij drejt vendit.

Sipas SPAK, ndaj E.B. zhvillohen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025 për veprat penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Prokuroria bën të ditur se më 15 dhjetor 2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj E.B. dhe E.A., ndërsa më 24 dhjetor 2025 u kërkua shpallja e tyre në kërkim ndërkombëtar përmes Interpol Tirana, me “Red Notice”.

Sipas SPAK, më 19 qershor 2026 u kërkua mbështetja e autoriteteve franceze, pasi dyshohej se E.B. ndodhej në territorin e Francës. Në bashkëpunim me Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI), Drejtorinë Kombëtare të Policisë Gjyqësore Franceze (DNPJ), Zyrën Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO) dhe strukturat e tjera ligjzbatuese franceze, u zhvilluan hetime që çuan në lokalizimin e tij dhe identifikimin e disa aseteve me origjinë të dyshuar kriminale.

SPAK njofton se në Francë janë identifikuar llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, si dhe mjete motorike. Për këto pasuri, si edhe për asete të tjera që mund të evidentohen gjatë hetimeve, u është kërkuar autoriteteve franceze ndihmë juridike për sekuestrimin e tyre.

Sipas SPAK, E.B. u arrestua më 24 korrik 2026 nga autoritetet franceze pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly-t dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it. Gjykata franceze vendosi vazhdimin e paraburgimit të tij për qëllime ekstradimi drejt Shqipërisë.

SPAK bën të ditur se, me kërkesë të saj, autoritetet franceze kanë kryer kontrolle personale dhe në disa ambiente në pronësi të E.B., ku janë sekuestruar materiale që vlerësohen me interes për hetimin penal.

Prokuroria e Posaçme ka përcjellë përmes Ministrisë së Drejtësisë kërkesën zyrtare për ekstradimin e E.B. nga Franca në Shqipëri, ndërsa hetimet financiare vijojnë paralelisht me synim sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë të dyshuar kriminale.

SPAK falënderon Policinë e Shtetit, Interpol Tirana, autoritetet ligjzbatuese franceze dhe magjistratin ndërlidhës të Francës për bashkëpunimin në realizimin e operacionit.

/k.s/r.e/

The post SPAK kërkon ekstradimin e të arrestuarit në Francë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Gonxhja: Kalaja e Rozafës hyn në një etapë të re investimesh

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Kalaja e Rozafës në Shkodër po hyn në një etapë të re zhvillimi përmes projektit “Improving Cultural Tourism Potential through the Intervention at Rozafa Castle in Shkodra”, që synon përmirësimin e aksesit publik dhe turistik në një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se projekti përfaqëson investimin më të rëndësishëm në aksesin publik dhe turistik të Kalasë së Rozafës pas shumë dekadash.

Projekti zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), me financim të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, përmes Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, si dhe me Bashkinë Shkodër.

“Ky është investimi më i rëndësishëm në aksesin publik e turistik në këtë monument pas shumë dekadash dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt kushteve për menaxhimin e transportit urban që sjell vizitorë, stacionin e ri të autobuzit për destinacionin kryesor të Kalasë së Shkodrës, duke nxitur promovimin e saj si një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare”, theksoi Gonxhja.

Kjo ndërhyrje synon të përmirësojë përvojën e vizitorëve dhe të forcojë promovimin e Kalasë së Rozafës si një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Investimi do të pasohet nga punime të tjera në kompleksin monumental, të orientuara drejt ruajtjes, restaurimit dhe valorizimit të vlerave historike të kalasë, me synim përcjelljen e tyre te brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë”, tha Gonxhja.

Kalaja e Rozafës në Shkodër është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ajo ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese, të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Kalaja hyrjen kryesore e ka nga verilindja.

Emrin ajo e mori bazuar mbi legjendën e Rozafës, sipas të cilës kalaja u ngrit mbi trupin e një gruaje që u sakrifikua.

/k.s/r.e/

The post Gonxhja: Kalaja e Rozafës hyn në një etapë të re investimesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Haxhiu: Asnjë viktimë të mos mbetet pa emër, asnjë krim pa u dokumentuar

PRISHTINË, 1 gusht /ATSH/ Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu tha se dokumentimi i krimeve të luftës në Kosovë duhet të vazhdojë derisa asnjë viktimë të mos mbetet pa emër, asnjë krim pa u dokumentuar.

Instituti i Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë ditë më parë paraqiti për herë të parë listën institucionale të viktimave të luftës, duke dokumentuar gjithsej 12 230 viktima të luftës në Kosovë. Lista është paraprake dhe puna vazhdon.

Haxhiu tha se pas çdo numri është një jetë e ndërprerë, një familje që pret drejtësi dhe një dhimbje që nuk është shuar kurrë dhe se pikërisht për këtë, dokumentimi i së vërtetës nuk është vetëm një detyrë institucionale, por edhe një obligim moral ndaj viktimave dhe brezave që vijnë.

“E vlerësoj veçanërisht punën e stafit të Institutit, i cili përballet çdo ditë me materiale dhe dëshmi të rënda, duke e trajtuar secilin rast me kujdesin profesional dhe njerëzor që meriton.

Për vite të tëra, të dhënat ishin të shpërndara në arkiva të ndryshme, në dosje institucionesh e organizatash dhe në dokumentet që familjet i kishin ruajtur vetë”, shkroi Haxhiu.

Ajo tha kur nisën procesin e rithemelimit të Institutit, ishte e qartë se ai nuk duhej të ishte një strukturë e përkohshme, e varur nga vendime të çastit, por një institucion i qëndrueshëm me mandat të qartë dhe vazhdimësi dhe se për këtë arsye u themelua me ligj të posaçëm, duke e bërë dokumentimin e krimeve të luftës detyrim të përhershëm të shtetit.

“Raporti i paraqitur këto ditë është dëshmia e parë e rëndësishme e këtij angazhimi. Instituti ka nisur ta krijojë evidencën zyrtare të viktimave, ndërsa puna duhet të vazhdojë me dokumentimin e masakrave, dëbimeve, dhunës seksuale, burgosjeve, torturave, varrezave masive dhe dëmeve të tjera të shkaktuara nga Serbia gjatë luftës.

Kjo punë duhet të vazhdojë derisa asnjë viktimë të mos mbetet pa emër, asnjë krim pa u dokumentuar dhe e vërteta të mos mbetet vetëm në kujtesën e familjeve, por të zërë vendin që meriton në historinë dhe ndërgjegjen e shtetit tonë”, shkroi Haxhiu.

/KosovaPress/

The post Haxhiu: Asnjë viktimë të mos mbetet pa emër, asnjë krim pa u dokumentuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – UEFA: Kemi humbur besimin te drejtimi i FIFA-s nga Infantino

ZYRIH, 1 gusht /ATSH/ – UEFA thotë se ka humbur besimin te drejtimi i FIFA-s nga Gianni Infantino, ndërsa pasojat nga plani i diskutueshëm i investimeve të anuluar po përshkallëzohen, shkruan BBC.

Të shtunën, Infantino tha se FIFA nuk do të vazhdojë më me propozimin për t’u shitur investitorëve privatë pjesë të kompeticioneve të organizatës qeverisëse të futbollit botëror.

UEFA – që drejton futbollin në Evropë – kishte votuar më herët për bojkotimin e Kupave të Botës nëse planet do të zbatoheshin, ndërsa edhe organizata të tjera qeverisëse kishin shprehur kundërshtimin e tyre.

Të shtunën, UEFA tha se e mirëpriste vendimin për të tërhequr planin, duke e përshkruar atë si “një fitore për të gjithë lojën”.

Ajo gjithashtu e akuzoi Infantinon se nuk ka mbajtur premtimet e tij, duke cituar një fjalim që ai mbajti kur po kandidonte për t’u bërë president i FIFA-s në vitin 2016.

Përplasja për këtë plan do të thotë se Infantino tani është nën një presion të madh, ndërsa kërkon rizgjedhjen për një mandat të katërt si president në Kongresin e FIFA-s në mars.

“Drejtimi aktual i FIFA-s jo vetëm që ka humbur besimin e UEFA-s, por edhe atë të shumë anëtarëve të tjerë të familjes së futbollit.”
“Kur Gianni Infantino kërkoi besimin dhe votat e shoqatave anëtare të FIFA-s për ta zgjedhur si president në vitin 2016, ai tha: ‘Sigurisht që duhet të jemi transparentë”, thuhet në deklaratên e saj.

“Ai u tha palëve të interesuara të pranishme: ‘Paratë e FIFA-s janë paratë tuaja. Nuk janë paratë e presidentit të FIFA-s. Ju jeni shoqatat kombëtare dhe paratë e FIFA-s duhet t’i shërbejnë zhvillimit të futbollit dhe jo diçkaje tjetër.”, thekson UEFA.

“Për të dyja këto premtime, ai ka dështuar të përmbushë atë që tha. Marrëveshja e turpshme, e bërë në prapaskenë dhe pa transparencë, të cilën ai e krijoi dhe u përpoq ta kalonte me forcë, ishte gjithçka përveçse transparente”, thekson deklarata.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham – i cili ishte lideri i parë i një vendi të madh që i kërkoi Infantinos të jepte dorëheqjen – tha se FIFA kishte marrë “vendimin e duhur” duke u tërhequr nga plani.  / os/

The post FOKUS – UEFA: Kemi humbur besimin te drejtimi i FIFA-s nga Infantino appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌