Papajorgji pret ambasadorin Abbott, diskutohet për forcimin e shtetit të së drejtës
TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, priti sot në një takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, i shoqëruar nga John Walker, Sekretar i Dytë për Çështjet Politike, të Brendshme dhe të Drejtësisë.
Gjatë takimit, Ambasadori Abbott theksoi rëndësinë e angazhimit të Gjykatës Kushtetuese në forcimin e shtetit të së drejtës dhe shprehu mbështetjen e plotë për nisma që garantojnë pavarësinë institucionale. Kryetarja Papajorgji vlerësoi dialogun e hapur me partnerët ndërkombëtarë si një instrument kyç për konsolidimin e drejtësisë kushtetuese dhe theksoi rolin e Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe në garantimin e shtetit të së drejtës.
Po ashtu, u diskutuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit profesional, shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen ndaj iniciativave që synojnë rritjen e standardeve institucionale dhe transparencës.
/e.xh/a.f/
The post Papajorgji pret ambasadorin Abbott, diskutohet për forcimin e shtetit të së drejtës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.