SHKUP, 29 dhjetor /ATSH/ – Jeta në Turqi është bërë politikisht shumë e vështirë, por edhe tepër e shtrenjtë për një familje, prandaj për mua ishte më e lehtë të shpërngulesha këtu dhe të kërkoja shtetësi maqedonase”, shpjegon 28-vjeçari Benk Bingjul.
Ai prej disa muajsh punon si menaxher në një kafene në Shkup, e cila është në pronësi të biznesmenëve turq.
Kanë kaluar tashmë dy vjet qëkurse ai u shpërngul nga Antalia në Shkup me bashkëshorten e tij maqedonase. Për këtë arsye ka marrë leje qëndrimi, ndërsa para një muaji bëri kërkesë për shtetësi maqedonase. Ai thotë se i mungon qyteti i lindjes për shkak të jetës pranë detit dhe plazhit, por këtu jeta është më e lirë.
“Për shembull, në shitore, një blerje e zakonshme për shtëpi: perime, vezë, mish, qumësht, edhe nëse blen minimalisht, duhet të paguash rreth 280–300 euro. Ndërsa me këto para në Shkup mund ta mbushësh makinën e vjetër plotësisht: bagazhin, sediljen e përparme dhe të pasmen. Në Turqi kjo është e pamundur”, thotë Bingjul.
Ai nuk e flet mirë gjuhën maqedonase, por thotë se ushtron me bashkëshorten e tij. Një nga kushtet që, sipas ligjit maqedonas, duhet të plotësojë është dhënia e provimit për njohjen e gjuhës maqedonase.
“E kuptoj disi maqedonishten, di të lexoj me alfabet latin, por jo me cirilik. Këtë duhet ta mësoj”, thotë ai.
Megjithatë, ky kusht nuk vlen për ata që dëshmojnë se kanë prejardhje maqedonase.
Vala e kërkesave të turqve për shtetësi maqedonase
Përveç njerëzve si Bingjul, të cilët kërkojnë shtetësi maqedonase për shkak të martesës me shtetase maqedonase, gjithsej 10.500 qytetarë turq kanë kërkuar shtetësi maqedonase gjatë katër vjetëve të fundit mbi bazën e prejardhjes maqedonase, tregojnë të dhënat që REL-i i ka marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Sipas MPB-së, këta janë shtetas të Turqisë që duhet të dëshmojnë në institucionet maqedonase se janë mërgimtarë nga ky vend dhe se kanë prejardhje etnike maqedonase.
Në përgjigjen për REL-in, MPB-ja thekson se arsyeja e rritjes së numrit të kërkesave për shtetësi maqedonase lidhet me ndryshimet e fundit ligjore.
“Ndryshimet ligjore të vitit 2021 kontribuuan në një rritje enorme të numrit të kërkesave për fitimin e shtetësisë maqedonase nga mërgimtarët që jetojnë në Republikën e Turqisë”, tha MPB-ja.
Përkufizimi i ri i “mërgimtarit” në Ligjin për Shtetësinë
Bëhet fjalë për ndryshime në Ligjin për Shtetësinë të propozuara nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga koalicioni LSDM dhe BDI.
Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, propozoi në Kuvend ndryshime në ligj me të cilat përcaktohet se kush konsiderohet mërgimtar.
Sipas ligjit, mërgimtari dhe pasardhësi i tij i gjeneratës së parë mund të fitojnë shtetësi maqedonase pa jetuar në vend, pa e njohur mjaftueshëm gjuhën maqedonase dhe pa hequr dorë nga shtetësia e mëparshme – rregull që vlen për shtetasit e huaj.
“Mërgimtar, në kuptim të këtij ligji, konsiderohet qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut që është shpërngulur nga Republika e Maqedonisë së Veriut në një shtet tjetër, pa marrë parasysh gjininë, racën, ngjyrën e lëkurës, prejardhjen kombëtare dhe shoqërore, bindjet politike dhe fetare, si dhe statusin pasuror dhe shoqëror”, thuhet në Ligjin për Shtetësinë.
Mbi 4.000 kompani të themeluara me kapital turk
Sipas të dhënave që REL-i ka marrë nga Dhoma Ekonomike Maqedonaso-Turke (MATTO), për vitin 2024 numri i kompanive të regjistruara me kapital turk nga persona juridikë dhe fizikë arrin në 4.132.
Sipas tyre, interesi i biznesit buron nga marrëdhëniet e afërta maqedonaso-turke.
“Ato bazohen në lidhjen e përbashkët historike nga periudha osmane, numrin e konsiderueshëm të mërgimtarëve nga këto troje në Republikën e Turqisë, si dhe lidhjet familjare dhe kulturore ekzistuese mes qytetarëve të të dyja vendeve. Për më tepër, Republika e Maqedonisë së Veriut paraqet një portë strategjike drejt tregjeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për kompanitë nga Republika e Turqisë, gjë që rrit atraktivitetin e saj si destinacion investimesh”, thuhet në përgjigjen e MATTO-s, shkruan REL. /os/.
The post KOMENT – Pse po rritet numri i turqve që kërkojnë shtetësi në Maqedoninë e Veriut? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.