Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Punime të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”, arrestohet 44-vjeçari

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Një 44-vjeçar është arrestuar nga policia në Klos pasi kreu ndërhyrje në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”, dhe ndërtoi pa leje një objekt pranë saj.

Policia njoftoi se u arrestua në flagrancë shtetasi M. S., 44 vjeç, banues në fshatin Fshat, Klos.

Sipas policisë “ky shtetas dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shkatërrimi i veprave kulturore” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi u kap në flagrancë duke ndërtuar një objekt pa u pajisur me lejen përkatëse, si dhe duke kryer ndërhyrje dhe punime të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës””.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme procedurale.

/m.q/j.p/

The post Punime të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”, arrestohet 44-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Rusia sulmon Ukrainën para takimit Zekensky-Trump

KIEV, 27 dhjetor /ATSH-DPA/- Rusia nisi sulme të mëtejshme me raketa dhe dronë në të gjithë Ukrainën gjatë natës, duke synuar disa rajone dhe kryeqytetin, Kiev.

Të paktën 19 persona u plagosën, sipas një raporti të kryebashkiakut, Vitali Klitschko.

“Zjarre të mëdha shpërthyen në dy ndërtesa të larta në qytet si rezultat i sulmeve”, tha Klitschko në “Telegram”.

Në qytetin me 3 milion banorë raportua ndërprerje e energjisë elektrike.

“Aktualisht, ka më shumë se 2 600 ndërtesa banimi, 187 kopshte, 138 shkolla dhe 22 institucione sociale pa ngrohje qendrore”, tha Klitschko.

“Furnizuesit e energjisë dhe shërbimet komunale po punojnë për të rivendosur furnizimin me energji dhe ngrohje”, shtoi ai.

“Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në të gjithë vendin gjatë sulmeve, të cilat prekën edhe rajonet, Chernihiv, Mykolaiv, Kharkiv dhe Zhytomyr”, thanë Forcat Ajrore Ukrainase.

Media ukrainase raportoi se raketat hipersonike Kinzhal ishin ndër armët e përdorura, me infrastrukturën energjetike që thuhet se ishte në shënjestër.

Ukraina është mbrojtuar kundër pushtimit të plotë rus që nga shkurti i vitit 2022.

Me sulmet e fundit, Rusia po ushtron presion ushtarak përpara bisedimeve midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe homologut të tij amerikan Donald Trump, të planifikuara sot në Florida.

Nga ana tjetër, Zelensky ka të ngjarë t’i bëjë edhe një herë të qarta vijat e kuqe të Kievit në negociatat me Trump.

Udhëheqësi ukrainas refuzon të dorëzohet për një paqe të diktuar sipas kushteve të Moskës. //a.i/

The post KIEV – Rusia sulmon Ukrainën para takimit Zekensky-Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluks i lartë lëvizjesh në pikën kufitare të Morinës

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit në pikën kufitare të Morinës është regjistruar një fluks i lartë lëvizjesh.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia Kufitare dhe Migracioni Morinë, në hyrje të territorit shqiptar janë regjistruar 10 mijë e 684 shtetas, të cilët kanë kaluar kufirin me 4 mijë e 472 automjete, raportojnë mediet.

Ndërkohë, fluksi më i madh është shënuar në dalje. Përgjatë 24 orëve të fundit, nga Shqipëria kanë dalë 12 mijë e 601 shtetas, me 4 mijë e 976 automjete, çka tregon një lëvizje më të theksuar drejt Kosovës.

Autoritetet bëjnë me dije se në pikën kufitare të Morinës po punohet me 12 sportele, si në hyrje ashtu edhe në dalje, për të përballuar fluksin dhe për të shmangur pritjet e gjata.

Sipas medieve, numri më i lartë i qytetarëve në dalje lidhet kryesisht me emigrantët nga Kosova, të ardhur nga Italia, Zvicra dhe Gjermania, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë tranzit përmes Shqipërisë.

Shumë prej tyre po udhëtojnë për të festuar ndërrimin e viteve, por edhe për të marrë pjesë nesër në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

Autoritetet kufitare vijojnë të jenë në gatishmëri për të menaxhuar fluksin e lëvizjeve edhe në orët në vijim.

/m.q/j.p/

The post Fluks i lartë lëvizjesh në pikën kufitare të Morinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 800 vepra në fondin e Galerisë së Arteve në Shkodër

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Galeria e Arteve e Shkodrës vijon të jetë një nga institucionet kryesore për ruajtjen dhe dokumentimin e artit pamor shqiptar, me një koleksion që numëron mbi 800 vepra arti nga periudha dhe rryma të ndryshme krijuese.

Koleksioni i galerisë përmban punime të artistëve nga Shkodra dhe rajone të tjera të vendit, si dhe vepra të autorëve të huaj, duke krijuar një panoramë të gjerë të zhvillimit të artit pamor ndër vite.

Sipas drejtorit të institucionit, Fatmir Juka, fondi i galerisë është ndërtuar dhe pasuruar në mënyrë të vazhdueshme, duke u ndarë në tri faza kryesore që pasqyrojnë periudhat e tranzicionit dhe zhvillimit të artit shqiptar pas viteve ’90. Ai bëri të ditur se gjatë vitit 2025 fondit i janë shtuar rreth nëntë vepra të reja, një pjesë e të cilave vijnë nga ekspozime të artistëve bashkëkohorë vendas dhe të huaj.

Galeria e Arteve e Shkodrës mban në arkivin e saj edhe vepra të autorëve të njohur të pikturës dhe skulpturës shqiptare, duke shërbyer si një pikë referimi për studiuesit, artistët dhe publikun.

Gjatë vitit që po mbyllet, institucioni ka zhvilluar një program të pasur aktivitetesh kulturore. Përveç ekspozitave tradicionale, si “Çmimi Idromeno” dhe “Salloni i Vjeshtës”, janë organizuar edhe ekspozita individuale, të cilat kanë sjellë në vëmendje krijimtarinë bashkëkohore dhe kanë nxitur dialogun artistik në qytet. e.xh/j.p/

The post Mbi 800 vepra në fondin e Galerisë së Arteve në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VARSHAVË – Polonia mbyll aeroportet për shkak të sulmeve ruse në Ukrainë

VARSHAVË, 27 dhjetor /ATSH-DPA/- Polonia mbylli dy aeroporte gjatë natës për arsye sigurie për shkak të sulmeve të rënda ajrore ruse në Ukrainë, thanë sot autoritetet e aviacionit.

“Për shkak të nevojës për të siguruar lirinë e operimit të aviacionit ushtarak, aeroportet në Rzeszów dhe Lublin pezulluan përkohësisht operacionet ajrore”, tha agjencia kombëtare e kontrollit të trafikut ajror, PANSA në platformën X.

Të dy qytetet ndodhen pranë kufirit ukrainas.

Ushtria polake njoftoi më herët se avionët e saj luftarakë ishin ngritur së bashku me avionët e aleatëve të NATO-s për të mbrojtur hapësirën ajrore të Polonisë.

Megjithatë, nuk pati shkelje të hapësirës ajrore.

Ushtria raportoi fundin e misionit rreth orës 8:00 të mëngjesit.

Polonia, ka nisur të ngrejë rregullisht ajër avionët luftarakë pas sulmeve ruse ajrore në rajonet ukrainase pranë kufirit.

Megjithatë, kjo zakonisht nuk rezulton në mbylljen e aeroporteve polake. //a.i/

The post VARSHAVË – Polonia mbyll aeroportet për shkak të sulmeve ruse në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tajlanda dhe Kamboxhia bien dakord për armëpushim të menjëhershëm

BANGKOK, 27 dhjetor /ATSH-DPA/-  Tajlanda dhe Kamboxhia kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm pas disa javësh përleshjesh kufitare.

Ministrat e Mbrojtjes të të dy vendeve që nënshkruan sot një deklaratë të përbashkët armëpushimi.

“Armëpushimi mbulon të gjitha armatimet, sulmet ndaj civilëve, infrastrukturës civile dhe objektivave ushtarake në të gjitha zonat”, thuhet në deklaratë.

Ministrat u takuan në një pikë kontrolli kufitar midis provincës Pailin të Kamboxhias dhe provincës Chanthaburi të Tajlandës, pas diskutimeve përgatitore në një komitet të përbashkët kufitar ditët e fundit. //a.i/

The post FOKUS – Tajlanda dhe Kamboxhia bien dakord për armëpushim të menjëhershëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kori i të rinjve “Zë +”, koncert festiv në Galerinë e Arteve Digjitale, Korçë

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Kori i të rinjve “Zë +” solli atmosferën festive të fundvitit në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë, gjatë një koncerti të zhvilluar në mbrëmje duke krijuar një hapësirë artistike të veçantë për qytetarët dhe artdashësit.

Aktiviteti u organizua nga Bashkia Korçë në bashkëpunim me Qendrën e Artit dhe Kulturës, si pjesë e kalendarit kulturor të aktiviteteve të fundvitit, që realizohen në qytet gjatë muajit dhjetor.

Gjatë koncertit, kori interpretoi një repertor të përzgjedhur këngësh festive dhe korale, të cilat u pritën me interes nga publiku. Interpretimet sollën një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese të frymës së festave, duke theksuar rolin e muzikës në bashkimin e komunitetit dhe në pasurimin e jetës kulturore lokale.

Pjesëmarrja e të rinjve në këtë aktivitet u vlerësua si një dëshmi e angazhimit të institucioneve vendore për nxitjen e talenteve të reja dhe krijimin e hapësirave të dedikuara për shprehjen artistike. Galeria e Arteve Digjitale shërbeu si një ambient bashkëkohor, që i dha një dimension të veçantë koncertit festiv.

Bashkia Korçë do të vijojë me aktivitete të tilla kulturore edhe në ditët në vijim, me synimin për t’u ofruar qytetarëve dhe vizitorëve një program të pasur artistik gjatë festave të fundvitit, si dhe për të promovuar artin dhe kulturën në Korçë. e.xh/j.p/

The post Kori i të rinjve “Zë +”, koncert festiv në Galerinë e Arteve Digjitale, Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – Mijëra fluturime anulohen për shkak të stuhisë dimërore në verilindje të SHBA-së

NJU JORK, 27 dhjetor /ATSH-DPA/- Një stuhi dimërore që solli reshje të dendura dëbore ka çuar në anulimin e qindra fluturimeve në Nju Jork dhe në të gjithë SHBA-në verilindore.

Sipas “FlightAware”, e cila monitoron trafikun në hapësirën ajrore të SHBA-së, dje u anuluan 1,659 fluturime në të gjithë vendin – gati 10 herë më shumë se numri i regjistruar një ditë më parë.

Një paralajmërim për stuhi dimërore mbetet në fuqi për rajonin deri sot pasdite. Shi i ngrirë u parashikua gjithashtu në disa vende.

Moti i keq përfshiu vendin gjatë periudhës së udhëtimeve pas Krishtlindjeve, kur miliona njerëz janë në lëvizje.

Shërbimi Kombëtar i Motit parashikoi deri në 13 centimetra dëborë për qytetin e Nju Jorkut,  dhe deri në 28 centimetra në zonat në veri dhe verilindje të qytetit.

Zyrtarët e qytetit u bënë thirrje banorëve të shmangnin udhëtimet e panevojshme dhe të qëndronin në shtëpi.

Sipas raporteve të medias, stuhia mund të sjellë reshjet më të dendura të dëborës në qytet në tre vjet.

“FlightAware” raportoi se tre aeroportet kryesore të Nju Jorkut – “John F. Kennedy” “International”, “LaGuardia” dhe “Newark Liberty International” në Nju Xhersin fqinj – ishin ndër më të goditurat, me një total prej 886 fluturimesh të anuluara.

Dhjetëra fluturime të tjera të anuluara u raportuan në aeroportet në Filadelfia dhe Baltimore, si dhe në Toronto, qendra më e madhe e biznesit e Kanadasë. //a.i/

The post NJU JORK – Mijëra fluturime anulohen për shkak të stuhisë dimërore në verilindje të SHBA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Katër alpinistë humbasin jetën nga një ortek i befasishëm

ATHINË, 27 dhjetor /ATSH-DPA/- Katër alpinistë kanë vdekur pasi u përfshinë nga një ortek në Greqinë qendrore, thanë sot shërbimet e shpëtimit.

“Aksidenti ndodhi në malet Vardousia në rajonin e Fokidës”, raportoi gazeta e përditshme “Kathimerini”, duke cituar zyrtarët e shpëtimit.

Tre persona (burra) u raportuan fillimisht të zhdukur të enjten në mbrëmje, pasi u nisën nga fshati Athanasios Diakos për t’u ngjitur në malin Korakas, me një lartësi prej rreth 2,500 metrash.

Pas humbjes së kontaktit me telefon, miqtë dhe të afërmit njoftuan autoritetet.

“Ekipet e shpëtimit zbuluan dje trupat e tre burrave, si dhe atë të një gruaje në të 30-at, e cila fillimisht nuk ishte raportuar e zhdukur dhe besohet të ketë qenë partnerja e një prej viktimave”, raportoi “Kathimerini”.

Të katër personat u gjetën afër njëri-tjetrit, duke sugjeruar se ata ishin kapur në befasi nga orteku dhe nuk kishin mundësi të shpëtonin.

Ekipet e shpëtimit thanë se dy nga burrat ishin alpinistë me përvojë, duke rritur fillimisht shpresat se grupi mund të kishte gjetur strehim.

Megjithatë, operacionet e kërkimit u penguan nga terreni i pjerrët dhe i rrezikshëm, të përkeqësuara nga kushtet e këqija të motit.

Operacioni i rikuperimit për transportimin e katër trupave nga mali pritet të zhvillohet sot. //a.i/

The post GREQI – Katër alpinistë humbasin jetën nga një ortek i befasishëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shpëtoi protestuesin nga shpërthimi i molotovit, vlerësohet inspektori i policisë

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i akordoi “Certifikatë për Shërbime të Dalluara”, inspektorit Marsel Bicja, pasi ndërhyri me profesionalizëm duke shpëtuar jetën e një qytetari nga djegia si pasojë e shpërthimit të një bombe molotov gjatë protestës së opozitës të hënën e kësaj jave.

Ndërsa protestuesit hodhën molotovë drejt Kryeministrisë, një prej bombave shpvrtheu duke përfshirë në flakë një protestues, i cili u shpëtua nga djegiet prej inspektorit Bicja.

Certifikata e dhënë ndaj inspektorit mban motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për aktin e humanizmit dhe profesionalizmit të treguar gjatë ushtrimit të detyrës, ku me ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimtare shpëtoi jetën e një qytetari, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si një nga vlerat më të larta dhe misioni kryesor i Policisë së Shtetit”.

Certifikata iu dorëzua nga vetë Proda gjatë festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

“Ju falënderoj për veprimin tuaj, pasi ky veprim dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Vijoni me përkushtim të përmbushni me nder këtë mision, sa të vështirë, po aq edhe fisnik”, u shpreh Proda.

Drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi, vlerësoi veprimin e punonjësit të Shqiponjave, veprim që s’kishte nevojë për komandë për të vepruar, por e komandoi uniforma që mbajmë veshur dhe ndjenja njerëzore.

Nga ana tjetër, inspektor Marsel Bicja, gjatë fjalës së tij, shprehu mirënjohje për certifikatën dhe theksoi se veproi pa u menduar dy herë, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve është parësore për të dhe kolegët e tij.

/m.q/j.p/

The post Shpëtoi protestuesin nga shpërthimi i molotovit, vlerësohet inspektori i policisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Shtëpia e Bardhë konfirmon takimin Trump-Zelensky

UASHINGTON, 27 dhjetor /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi dje se do të zhvillojë një takim me presidentin amerikan, Donald Trump në të ardhmen e afërt, në kuadër të përpjekjeve për të mbajtur gjallë iniciativën amerikane për përfundimin e luftës me Rusinë, sipas BBC.

“Takimi pritet të ndodhë brenda pak ditësh, me shumë gjasa gjatë fundjavës, në Florida”, tha Zelensky.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë konfirmoi sot se Zelensky dhe Trump do të takohen sot në rezidencën e presidentit amerikan në Mar-a-Lago, në Florida, në orën 15:00 sipas kohës amerikane, që korrespondon me orën 21:00 në Evropë.

Megjithatë nuk thuhet nëse në takim do të marrin pjesë dhe përfaqësues nga Moska.

Në një intervistë për “Politico”, Trump deklaroi se gjithashtu do të priste kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

“Pritet të vijnë Zelensky dhe Bibi”, tha Trump, duke shprehur bindjen se ekzistonte një “mundësi e mirë” për një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë.

Megjithatë në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë nuk ka ende nje konfirmi për takim me presidentin izraelit, Netanyahu.

Zelensky tha se fokusi i bisedimeve do të ishte një plan paqeje i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, si dhe propozime të veçanta për garanci sigurie për Ukrainën.

Ai theksoi se plani prej 20 pikësh ishte 90% i përfunduar.

“Qëllimi ynë është që gjithçka të jetë 100% gati. Nuk po humbasim asnjë ditë”, shkroi ai në X, duke shtuar se shumë vendime mund të merren para Vitit të Ri.

Nga ana tjetër, reagimet nga Moska kanë qenë të rezervuara. Një zyrtar i lartë rus ka deklaruar se plani amerikan ndryshonte ndjeshëm nga ai që Rusia po diskutonte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kremlini ende nuk ka komentuar mbi propozimin e Zelensky për tërheqjen e trupave ukrainase nga disa zona të Donbasit, nëse Rusia bën të njëjtën gjë.

Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Gjatë natës, disa sulme ajrore ruse goditën Kievin, duke plagosur të paktën pesë persona, ndërsa autoritetet ukrainase njoftuan se mbrojtja ajrore po përpiqej të zmbrapste sulmet me dronë dhe raketa në të gjithë vendin.

Në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, u raportuan gjithashtu, të vrarë dhe të plagosur pas një tjetër sulmi rus.

Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe aktualisht kontrollon pjesën më të madhe të rajoneve lindore të Donetskut dhe Luhanskut, të njohura së bashku si Donbas.

Ukraina po kërkon garanci të forta sigurie nga SHBA-ja si pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje dhe ka hedhur idenë e krijimit të një “zone të lirë ekonomike të demilitarizuar” në disa pjesë të rajonit.

Trump, tha për mediet amerikane, se pret të bisedojë së shpejti edhe me presidentin rus Vladimir Putin, duke shtuar se bisedimet me të dy liderët do të “shkonin mirë”. //a.i/

The post SHBA – Shtëpia e Bardhë konfirmon takimin Trump-Zelensky appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në 2025, bebja e parë e lindur përmes fekondimit in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni”

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Gjatë vitit 2025, në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” kanë ardhur në jetë 3 767 foshnje, ndërsa institucioni ka shënuar edhe zhvillime të rëndësishme strukturore dhe organizative.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndau një videokartolinë të veçantë urimi për festat e fundvitit nga stafi i Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, ku pjesë e saj është edhe Soreja, tashmë njëvjeçare, bebja e parë e lindur përmes fekondimit in vitro në strukturat spitalore publike në Shqipëri.

Mjeku Petrit Cami teksa shprehu urimin për festën e Vitit të Ri, vuri theksin në punën e stafit shëndetësor dhe kontributin e spitalit në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.

Ndërsa kryeinfermierja Nineta Nasyfaga vlerësoi rolin e spitalit si simbol i shpresës, jetës së re dhe përkushtimit të stafit mjekësor ndaj nënave dhe fëmijëve.

Gjatë vitit 2025, në këtë spital është krijuar Qendra Mjekësore për Riprodhim të Asistuar, duke zgjeruar shërbimet publike në fushën e fertilitetit, si dhe spitali ka marrë statusin e Autonomisë Menaxheriale Spitalore. /j.p/

The post Në 2025, bebja e parë e lindur përmes fekondimit in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis restaurimi i dy ikonave historike në laboratorin e DRTK-së në Berat

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat kanë nisur ndërhyrjet konservuese për dy ikona me vlerë të veçantë historike dhe artistike: Shën Kolli dhe Krishti Pantokrator, të gjetura në kishën e Shën Kollit në lagjen Kala.

Kështu bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se “procesi zhvillohet mbi bazën e analizave të specializuara dhe dokumentimit teknik të çdo faze, duke përfshirë pastrimin, konsolidimin dhe stabilizimin e materialeve, me synimin e ruajtjes së autenticitetit, integritetit artistik dhe vlerës historike të veprave, si dhe garantimin e konservimit të tyre afatgjatë”.

Restaurimi i fundit i realizuar nga laboratori i DRTK Berat ishte ai i ikonës së Krishtit, gjetur në Libofshë të Fierit, me autorë vëllezërit Çetiri.

Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja – sipas mbishkrimeve që mbart – rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine.

Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike.

/m.q/j.p/

The post Nis restaurimi i dy ikonave historike në laboratorin e DRTK-së në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Veshjet sintetike mund të ndikojnë në shëndetin riprodhues si tek burrat ashtu edhe tek gratë

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/- Ndërsa provat e drejtpërdrejta dhe përfundimtare që lidhin vetëm veshjet prej poliesteri me infertilitetin njerëzor janë të kufizuara, hulumtimet sugjerojnë se pëlhurat sintetike si poliesteri (i zakonshëm në veshjet sportive) mund të përmbajnë kimikate që prishin sistemin endokrin (EDC) që ndikon në shëndetin riprodhues, sipas “National Institutes of Health” – agjencia kombëtare e kërkimit mjekësor në SHBA.

Kimikatet nga plastika dhe pëlhurat mund të thithen përmes lëkurës, veçanërisht me djersën, duke hyrë potencialisht në qarkullimin e gjakut.

Ato ndërhyjnë në prodhimin dhe funksionin e hormoneve, të lidhura me një kohë më të gjatë deri në shtatzëni dhe rezultate të dobëta riprodhuese.

Vetë poliesteri mund të mos jetë fajtori i vetëm, por kimikatet e përdorura në prodhimin dhe trajtimin e tij, veçanërisht në veshjet sportive, janë një shqetësim i rëndësishëm për çrregullimet endokrine dhe pjellorinë tek burrat dhe gratë.

Poliesteri, një nga materialet më të zakonshme të veshjeve në botë, mund të mbartë rreziqe të fshehura shëndetësore përtej ndikimit të tij mjedisor.

I prodhuar nga plastika me bazë nafte, poliesteri shpesh përmban kimikate si ftalate – komponime të lidhura me çrregullime të sistemit endokrin.

Kur vishet direkt në lëkurë, këto kimikate mund të depërtojnë në trup, duke ngritur shqetësime në lidhje me ekspozimin afatgjatë.

Përveç kësaj, është edhe çështja e derdhjes së mikroplastikës: çdo larje lëshon fibra të vogla plastike në sistemin e ujit, duke kontribuar në ndotjen e përhapur në oqeane dhe zinxhirët ushqimorë.

Përtej shqetësimeve rreth kimikateve, hulumtimet e hershme sugjerojnë se poliesteri mund të ndikojë në pjellorinë njerëzore përmes efekteve elektrostatike dhe biologjike.

Studimet e kryera te kafshët, veçanërisht te qentë, kanë treguar ulje të pjellorisë së lidhur me kontaktin e zgjatur me veshjet e poliestrës.

Pëlhura sintetike mund të gjenerojë fusha elektrostatike të vazhdueshme, dhe megjithëse ndikimi i plotë biologjik i kësaj është ende duke u studiuar, gjetjet paraprake ngrenë pyetje të rëndësishme.

Ndërsa poliesteri vazhdon të dominojë gardërobën globale, nevojiten urgjentisht kërkime më të thella për të kuptuar shkallën e plotë të ndikimit të tij në shëndetin e njeriut. //a.i/

The post Veshjet sintetike mund të ndikojnë në shëndetin riprodhues si tek burrat ashtu edhe tek gratë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lejuan ndërtime pa leje në Butrint, dërgohen për gjykim zyrtarët e IVMT

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Prokuroria e Sarandës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq pesë shtetas, midis të cilëve dhe kryeinspektorin dhe inspektorin e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT), Sarandë për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i Paligjshëm”.

Sipas prokurorisë, nga hetimet e nisura në vitin 2023, rezultoi se në zonën e Ksamilit në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, është ndërtuar në zonë të mbrojtur në një sipërfaqe të madhe pa leje ndërtimi nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit si dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.

Kanali i Vivarit bën pjesë në Parkun Kombëtar “Butrint” dhe ka statusin Monument Natyre (MN) sipas Vendimit nr.303, datë 10.5.2019 “Për miratimin e listës së rishikuar, të monumenteve të natyrës shqiptare”.

“Nga ana e punonjësve të IVMT Bashkia nuk është mbajtur procedura ligjore në lidhje me konstatimin e plotë të punimeve dhe marrjen e masës administrative “dënim me gjobë”, njoftoi prokuroria.

Në lidhje me kvt fakte, u dërguan në gjyq shtetasit: R.P, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”; Personin Juridik “Laguna Invest”, për veprën penale “Ndërtimi i Paligjshëm”, “Pushtimi i tokës”; Shtetasit E.Z, B.K, V.X, me detyrë inspektor të IVMT, Bashkia Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Shtetasin A.M, me detyrë Kryeinspektor të IVMT Bashkia Sarandë, në kohën e kryerjes së veprës penale, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

/m.q/j.p/

The post Lejuan ndërtime pa leje në Butrint, dërgohen për gjykim zyrtarët e IVMT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet Lasgush Poradeci, 126 vjet nga lindja e poetit

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ 126 vjet më parë lindte poeti ynë i madh, Llazar Gusho, i njohur me emrin e penës, Lasgush Poradeci.

Lasgush Poradeci lindi në familjen Gusho, më 27 dhjetor 1899 në Pogradec. U quajt Llazar, ndonëse do të arrinte përjetësinë në sajë të emrit të tij të penës. Në moshën 10-vjeçare ndoqi mësimet në Manastir dhe më pas u zhvendos në Athinë, ku mbaroi liceun. Në vitin 1921 iu drejtua Rumanisë për të vijuar me studimet e larta. Në Bukuresht, u përfshi në radhët e lëvizjes atdhetare të kolonisë shqiptare dhe iu besua detyra e sekretarit të përgjithshëm.

Në vitin 1933 u botua vëllimi i parë i poetit “Vallja e yjeve” dhe më 1937-n, u publikua vëllimi pasues “Ylli i zemrës”. Ndër të tjera, Poradeci shkroi poemat “Ekskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta” dhe “Kamadeva”.

Vepra e Poradecit, e cila është një triptik që i këndon dashurisë, lirisë dhe liqenit të Ohrit, zë një vend të privilegjuar në letërsinë shqiptare. Tiparet e përveçme të penës së Lasgushit ishin vargëzimi dhe melodia e hollë, ndërsa tema e dashurisë ishte tema më e rrahur në mesin e mbi 100 poezive të tij që dallojnë për dikotomi mes fjalëve arkaike dhe eksperimenteve leksikore.

Lasgush Poradeci përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, sikurse: “Eugjen Onjegini” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, poemat dhe lirikat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes, poezi të Lanaut, Brehtit, Hygoit etj.

/m.q/j.p/

The post Përkujtohet Lasgush Poradeci, 126 vjet nga lindja e poetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/ Sot në përfaqësitë diplomatike të Kosovës zhvillohet votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të çdo shteti.

Vetëm 19.187 votuesit e regjistruar në 29 përfaqësi diplomatike mund të votojnë sot, pasi në listën votuese, e cila do të përdoret në këto përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit 26 nëntor-6 dhjetor.

Procesi i votimit do të zhvillohet në 40 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të ndryshme. /KosovaPress/

The post Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Historia frymëzuese e 37-vjeçares në Laç, nga tri betejat me kancerin, tek artizanati

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Historia e saj është dëshmi se edhe në përvojën më të errët, njeriu mund të gjejë dritë për të vazhduar përpara. Është historia e një gruaje që, megjithëse e goditur fort nga jeta, zgjodhi të jetojë, të krijojë dhe të mos e humbasë shpresën.

Blerina Kalthi është vetëm 37 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, që jeton në fshatin Sanxhak të Laçit. Një prej sprovave më të mëdha me të cilat i është dashur të përballet në jetë është ajo e betejës me sëmundjen e kancerit. Kjo sëmundje i hodhi “rrënjët” e para tek i vëllai, i cili ndërroi jetë në moshën 28-vjeçare, i diagnostikuar me tumor në kokë.

“Në vitin 2012, vëllai im u diagnostikua me tumor në kokë. Ne ishim vetëm dy fëmijë. Ai nuk kishte asnjë shenjë, thjesht një dhimbje të lehtë koke. Kishte bërë kontrolle të shumta, pasi asokohe jetonte në Francë atë kohë, e dërguam për kontroll edhe në Belgjikë, por ai kishte një tumor agresiv në qendër të trurit. Vëllait nuk i bëhej, as ndërhyrje, as kimioterapi dhe ne e humbëm për vetëm 45 ditë në moshën 28-vjeçare”, tha Kalthi, për ATSH.

Blerina tha se menjëherë pas kësaj përvoje të hidhur, kaloi një periudhë të errët depresioni, ndërsa kishte edhe të birin vetëm katër muajsh.

Ajo thotë se jeta vazhdoi mes dhimbjes pafund, kur në vitin 2021, u bë shkak një dhimbje e lehtë në gjoks që Blerina të konfirmonte diagnozën e kancerit në gji.

“Kisha një tumor që në gjuhën e mjekëve quhet me qeliza kulluese. Tumori u përhap shumë shpejt në mitër, mëlçi dhe në gjak. Kam bërë 28 seanca kimioterapie, dy ndërhyrje dhe transplant të palcës kurrizore në Turqi. E gjithë kjo periudhë e vështirë ka zgjatur tre vite, ndërkohë që unë mbyllesha në vetvete, urreja botën, nuk doja njerëzit dhe askënd afër. Për shumë muaj nuk kam mundur as të eci”, tha Kalthi.

37-vjeçarja u shpreh se nuk mund ta quajë veten plotësisht të shëruar, pasi është ende me terapi, suplemente dhe ndjekje të vazhdueshme nga mjekët e spitalit Onkologjik për ecurinë e sëmundjes.

Por, goditjen e tretë me diagnozën e kancerit, do ta merrte nga nëna e saj, e cila në janar të vitit të kaluar, në moshën 68-vjeçare, u diagnostikua me kancer malinj në gjoks.

Ajo thotë se e ëma iu nënshtrua disa analizave specifike që e çuan në heqjen e gjirit deri në pjesën e limfomave nën sqetull.

Por, mes kësaj stuhie emocionesh, ajo zgjodhi të mos dorëzohet. Gjeti forcë tek duart e saj, tek krijimtaria dhe arti. Punimet artizanale u bënë streha e saj shpirtërore, një mënyrë për të shprehur dhimbjen, por edhe shpresën. Çdo punim mban brenda një histori, një luftë të fituar, një kujtim të dashur dhe një dëshirë të fortë për jetën.

“Me punimet e pikturës dhe ato në allçi jam njohur dy vitet e fundit nga një mikesha ime. Ajo më ofroi në kurs për t’u rikuperuar pak nga situatat e vështira që kalova. Nuk mendova që do e përvetësoja aq shpejt, por kuptova që ky kishte qenë një pasion i fshehur i imi. Lindi si një dëshirë e momentit, që më pas u kthye në burim të ardhurash për veten, familjen e që më ndihmoi në rritjen e fëmijëve”, pohoi Kalthi.

Faqja e saj online “Art me dashuri” është një pikë takimi me të pasionuarit pas artizanatit, që zgjedhin të blejnë kundrejt çmimeve simbolike suvenire në allçi apo tablo pikture.

Kalthi tha se ka shumë njerëz që e kanë “përqafuar” artin e saj, edhe në shenjë sensibilizimi dhe mbështetje për një grua të re, nënë e dy fëmijëve që ka kaluar një kalvar vuajtjesh dhe dhimbjesh, por që nuk u dorëzua kurrë.

Krijimtaria i jep kuptim ditëve të saj mes përditshmërisë së punëve në shtëpi në fshatin Sanxhak të Laçit, por njëherësh e ndihmon të përballojë humbjen e vëllait dhe frikën për shëndetin e nënës, duke e kthyer dhimbjen në forcë dhe frymëzim për shumëkënd.

Nga intervista me Blerina Kalthin në Laç; Foto: Florjan Abazaj
1 nga 9

/e.i/r.e/

The post Historia frymëzuese e 37-vjeçares në Laç, nga tri betejat me kancerin, tek artizanati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zbulohet një rrjet i ri i trurit që lidh mendjen dhe trupin

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/- Hulumtimet e fundit të publikuara në fund të vitit 2025 kanë identifikuar një rrjet të trurit të panjohur më parë, të cilin studiuesit e kanë quajtur rrjeti i veprimit somato-kognitiv, ose SCAN.

Zbulime të tjera të kohëve të fundit kanë identifikuar një rrjet të fshehur të nanotubave që lidhin neuronet dhe një lloj të ri qelize neuroni.

Në një studim të botuar në “Nature”, studiuesit në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit në Saint Louis identifikuan një rrjet të trurit të pazbuluar më parë që mund të jetë përgjegjës për lidhjen mendje-trup.

Rrjeti duket se integron qëllimet, fiziologjinë dhe lëvizjen e trupit të një individi, duke shpjeguar potencialisht pse gjendjet mendore si ankthi mund të shkaktojnë përgjigje fizike (p.sh., pëllëmbë të djersitura ose një zemër që rreh fort).

Rrjeti përfshin zona të korteksit motorik që më parë mendohej se ishin të përfshira vetëm në prodhimin e lëvizjes, duke sfiduar një pikëpamje të gjatë në neuroshkencë.

Studiuesit përdorën fMRI precize për të skanuar pjesëmarrësit në mënyrë të përsëritur, si në qetësi ashtu edhe gjatë kryerjes së lëvizjeve, dhe vunë re zona të qëndrueshme dhe të ndërlidhura në korteksin motorik që lidheshin me rajonet e trurit – të lidhura me planifikimin dhe qëllimet e nivelit të lartë (rrjeti cingulo-operkular).

Nanotubat midis neuroneve: Një studim i botuar në “Science” në tetor 2025 identifikoi një rrjet të ri tubash të vegjël dhe të hollë që lidhnin neuronet me njëri-tjetrin.

Këto “nanotuba dendritike” u zbulua se transportonin molekula të implikuara në sëmundje si Alzheimeri, duke sugjeruar se ato mund të luanin një rol në përhapjen e sëmundjeve neurodegjenerative.

Në shkurt të vitit 2025, shkencëtarët në Universitetin British Columbia zbuluan një lloj të ri neuroni, të quajtur “qeliza vezake”, të vendosura në hipokampus.

Këto qeliza janë thelbësore për kujtesën e njohjes së objekteve dhe mund të ofrojnë njohuri të reja në trajtimin e sëmundjeve si, sëmundja e Alzheimerit dhe epilepsia. //a.i/

 

 

 

 

 

 

The post Zbulohet një rrjet i ri i trurit që lidh mendjen dhe trupin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Media britanike “Which?”: Shqipëria kryeson mes destinacioneve më të mira për pushime

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/- Një udhëtim me anije prej 600 miljesh në Nil, një vizitë në Shqipëri apo një turne rreth pamjeve romake të Britanisë së Madhe ishin ndër destinacionet më të mira për pushime sipas ekspertëve të turizmit, shkruan Kate Pasola në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Which?”.

Secila nga këto vende u vlerësua si më e mira në ofrimin e çdo lloj pushimi, nga turnetë me shoqërues deri te pushimet në plazh. Mund të jeni të sigurt se ato ofrojnë pushime të shkëlqyera!

Ekspertët rekomanduan destinacione – ku turistët mund të eksplorojnë jetën e egër, vijën bregdetare, vendet historike dhe kulturore – si dhe alternativa që ishin më shumë një frymëzim për udhëtime autentike në vitin 2026.

Shqipëria

E konsideruar nga ekspertët e turizmit si destinacioni më mahnitës për pushime në plazh me çmime të përballueshme, Shqipëria ofron shumë më tepër sesa thjesht një udhëtim në Mesdhe.

Ju mund të eksploroni gjithçka, nga fshatrat e listuara në UNESCO me arkitekturën magjepsëse të epokës osmane deri te vendet piktoreske përgjatë Rivierës Shqiptare.

Turistët do të kenë mundësinë të bëjnë një xhiro me anije rreth gadishullit, të vizitojnë kështjella dhe zonat ku prodhohet vera vendase.

Shqipëria ka disa nga vreshtat më të vjetra në botë.

“One Traveller”, operatori turistik britanik, e ka përshkruar Shqipërinë si një zgjedhje të shkëlqyer për pushime solo në zemër të Evropës.

Udhëtimi për shtatë netë në Shqipëri kushton 2,510 euro për person.

Çmimi përfshin fluturimet, akomodimin, shumicën e vakteve, pijeve dhe turet.

Nëse planifikoni të vizitoni Shqipërinë, “One Traveller” rekomandon muajt maj, qershor, shtator dhe tetor.

Media britanike “Which?”, duke ndjekur sugjerimet e ekspertëve të turizmit, ka renditur destinacionet më të mira për udhëtime autentike në vitin 2026:

Shqipëria
Austria
Japonia
Anglia Veriore
Vietnami&Kamboxhia
Egjipti
India
Kosta Rika   //a.i/

https://www.which.co.uk/news/article/most-popular-tours-best-holidays-2026-aIFT48J18Nr4

 

 

 

 

The post Media britanike “Which?”: Shqipëria kryeson mes destinacioneve më të mira për pushime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌