Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Zelensky: Ukraina gati të shkëmbejë dronë me avionë polakë dhe raketa kundërajrore

Ukraina është gati të shkëmbejë dronët e saj me raketa kundërajrore dhe avionë luftarakë polakë, deklaroi Volodymyr Zelensky gjatë një konference për shtyp me kryeministrin polak Donald Tusk.

Sipas mediave ndërkombëtare, Zelensky dhe Tusk diskutuan zhvillimin e një ndërlidhjeje të rrjetit elektrik midis Polonisë dhe Ukrainës, sistemi energjetik i të cilave është goditur nga sulmet ajrore ruse në muajt e fundit.  Polonia po përgatit një paketë të re ndihme për Ukrainën, e cila do të përbëhet kryesisht nga automjete të blinduara, tha kryeministri Donald Tusk.

Tusk tha se Polonia mund t’i japë Ukrainës avionë luftarakë MiG-29 në çdo kohë, por Volodymyr Zelensky i kishte thënë atij se Kievi mund të ketë nevojë për pajisje të tjera të mbrojtjes ajrore që ishin me përparësi të lartë dhe se ai do ta diskutonte çështjen me zyrtarët polakë dhe do ta diskutonte përsëri me presidentin ukrainas të hënën.

Italia parandalon hakerat rusë/ Tentativa për sulme kibernetike para Lojërave Olimpike Dimërore

As Lojërat Olimpike Dimërore nuk u kanë shpëtuar tentativave për sulme kibernetike. Në prag të nisjes së Olimpiadës Milano Cortina 2026, Italia ka penguar një seri sulmesh kibernetike.

Ministri i jashtëm italian Antonio Tajani tha se sulmet synonin disa nga zyrat e ministrisë së jashtme, përfshirë një në Uashington, si dhe faqet e internetit të Lojërave Olimpike Dimërore dhe hotelet në Cortina d’Ampezzo.

Duke folur me gazetarët gjatë një udhëtimi drejt Uashingtonit, Tajani tha se sulmet e tentuara ishin nga hakerat rusë, por nuk dha detaje shtesë.

“Janë hakerë rusë, po flasim për sulme ndaj ambasadës italiane dhe faqeve të tjera të internetit që i përkasin Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ne i kemi njoftuar të gjitha autoritetet dhe ekziston një qendër operacionesh pikërisht për të parandaluar këto sulme, të cilat janë me origjinë ruse”-tha Tajani.

Autoritetet italiane po rrisin masat e sigurisë ndërsa udhëheqësit politikë globalë, përfshirë zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, pritet të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes të premten.

Sulmet kibernetike të lidhura me Lojërat Olimpike në të kaluarën ndodhën edhe në Paris në vitin 2024 dhe mendohet se pas tyre qëndronin hakerë rusë.

Shërbimet britanike të inteligjencës thonë se hakerët rusë po parashikonin gjithashtu sulme ndaj Olimpiadës në Tokio në vitin 2021./abcnews.al

“Leonard” godet gadishullin Iberik/ Mot i keq me stuhi, një viktimë në Portugali, zhduket një vajzë në Spanjë

Gadishulli iberik është goditur nga stuhia Leonardo, që ka shkaktuar shira të rrëmbyeshëm, erëra të forta dhe përmbytje.

Në Portugali një burrë 70 vjeçar humbi jetën pasi rrjedha e ujit mori para makinën e tij, ndërsa në Spanjë një vajzë që u hodh në lumë për të shpëtuar qenin e saj, është e zhdukur.

Autoritetet arritën të gjenin qenin, por jo vajzën, pavarësisht kërkimeve intensive gjatë gjithë natës.

Ndërkohë Shërbimet e emergjencës së Andaluzisë kishin marrë pjesë në më shumë se një milion incidente deri në mesnatë të mërkurën.

Katërmbëdhjetë lumenj dhe 10 diga janë në rrezik ekstrem përmbytjeje, sipas kreut të departamentit të brendshëm të qeverisë rajonale.

Leonardo më e fundit nga stuhitë që kanë përfshirë Portugalinë dhe Spanjën këtë vit, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha.

Stuhia Marta, fronti i radhës i motit në të ashtuquajturin “treni i stuhisë”, pritet të godasë rajonin gjatë fundjavës, sipas agjencisë spanjolle të motit Aemet.

Kjo goditje vjen teksa Portugalia ende nuk është rimëkëmbur nga stuhia Kristin javën e kaluar që shkakoi mbi 4 miliardë euro dëme.

Mbrojtja Civile Kombëtare e Portugalisë tha se kishte regjistruar të paktën 70 incidente që nga mëngjesi i së enjtes./abcnews.al

 

Gjykimi i Ilir Metës/ Procesi paraprak drejt fundit, pritet kalimi për gjykim

SPAK ka përfunduar parashtrimet në gjyqin paraprak ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Pirro Xhixhës, Ema Çokut dhe Fatime Kryemadhit. Gazetari Ervin Leka tha për ABC News se Sotir Kllapi, i kërkoi gjykatës paraprake të kalojë në gjykim themeli dosjen me 5 të akuzuar.

Ndaj këtyre personave rëndojnë akuzat e korrupsionit të pastrimit të parave. Ndërkohë seanca e radhës pritet të mbahet të enjten në orën 12:00.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim paraprak në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Të pranishëm në seancë ishin Meta dhe Kryemadhi të cilët akuzohen nga SPAK për korrupsion pasiv, pastrim parash e mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.

Meta ndodhet në burg që nga tetori 2024, ndërsa Kryemadhi me masën detyrim paraqitje. /abcnews.al

 

 

“AKSHI”, nuk ndryshojnë masat e sigurisë/ Apeli i GJKKO rrëzoi ankimimin e të pandehurve

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masat për zyrtarët dhe biznesmenët e akuzuar për dosjen e AKSHI-t.

Kështu drejtoresha e kësaj agjencie Mirlinda Karçanaj u la në arrest shtëpie bashkë me zëvendësen e saj Hava Delibashi.

U la në fuqi gjithashtu masa e pezullimit nga detyra të zëvendës drejtorit të policisë tiranë Erion Ismaili, detyrim paraqitje për 3 biznesmenët Gëzim Hoxha, Andis Papa dhe Rogers Rryta.

Kanceri, shkaku i dytë i vdekjeve/ ISHP: 7 mijë raste të reja në vit, më të shpeshta në gji dhe mushkëri

Pas sëmundjeve kardiovaskulare, kanceri është shkaku i dytë i humbjes të jetës  në vend.  Specialistët e  Institutit të Shëndetit Publik i referohen shifrave të vitit 2024 dhe   thonë se ai është përgjegjës për  16 % të vdekjeve dhe rreth 7 mijë raste të reja në vit.  Më i shpeshtë është kanceri i mushkërive dhe ai i gjirit.

“Ajo që bie në sy është një rritje e vazhdueshme që nga 2015 kur kemi filluar të përdorim këtë metodologji të regjistrit të kancerit. Pra ka një rritje vjetore prej  2.5-2.6%  çdo vit.”- tha ai

Me plakjen e popullsisë projeksionet e  mjekëve janë për shtim të  numrit të rasteve vitet  e ardhshme.

“Prirja e deritanishme deri në 10 vjet,  prirjet e plakjes së popullsisë pavarësisht se popullata e Shqipërisë rezidente mund të vijë në rënie më shumë gjasë kanceret do të vijnë në rritje në Shqipëri të paktën rastet e reja. Ne shpresojmë që trendi i  vdekshmërisë të jetë ai që kemi vrejtur në dhjetë vjet, por  shëndetësia shqptare duhet te jetë e përgatitur në vitet që vijojnë të kemi dhe 10 mijë  raste te reja në vit apo dhe më shumë çka do të thotë që barra e kësaj sëmundje do të vijë vetem duke u rritur”, u shpreh mjeku.

Ministrja e Shëndetësisë  premtoi  ofrimin e shërbimit  onkologjik afër pacientit me krijimin e Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe Rrjetit Kombëtar të Kancerit. Ndërkohë  tha se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë do të shtohen pajisjet diagnostikuese dhe  zgjerohet lista e barnave.

“Rrjeti Kombëtar i Kancerit do të mundësojë ofrimin e shërbimit onkologjik afër pacientit, me të njëjtat protokolle trajtimi si në Tiranë, nëpërmjet një modeli Hub and Spoke. Plotësimi i mungesave të barnave onkologjike dhe zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme. Përmirësimin e kapaciteteve të trajtimit me radioterapi.  Kjo ka qenë një problematikë e vazhdueshme e shërbimit onkologjik. Falë një bashkëpunimi të shkëlqyer me Agjencinë Atomike, shumë shpejt do të kemi 3 açeleratore lineare funksionale dhe sigurisht po punojmë të sjellim aparatin e ri modern të brakiterapisë sa më shpejt”, shtoi ministrja.

Kanceri  është një sfidë e përbashkët e gjithë shoqërisë dhe, si i tillë tha ministrja e shëndetësisë  kërkon një qasje të mirë-koordinuar.  Për të parandaluar  kancerin e qafës së mitrës këtë vit  u zgjerua fasha e depistimit  me moshat nga 35 në 55 vjeç dhe nisi vaksinimi kundër human papiloma virus dhe per  djemtë./abcnews.al

OSBE: Bëni reformën zgjedhore! Të rishikohet sa më parë Kodi Zgjedhor

Ligji zgjedhor duhet të rishikohet sa më parë. Përfaqësuesit ndërkombëtare kanë shtuar thirrjet për palët politike për tu ulur në tryezën e komisionit të reformës zgjedhore për të adresuar boshllëqet ligjore dhe rekomandimet e OSBE ODHIR.

“Inkurajojmë punën e komisionit ad hoc për reformën zgjedhore dhe shpresojmë që ai të rifillojë së shpejti aktivitetin. Ka disa probleme që lidhen me ligjin zgjedhor, i cili sipas vlerësimit tonë nuk është ende në standardin e duhur. Ky është një rekomandim i përsëritur vazhdimisht nga misionet e ODIHR-it.” – tha ai.

Ping pongun e palëve politike për reformat, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, refuzoi ta komentoi por për ligjin zgjedhor pranon se ka një dakortësi mes mazhorancës dhe opozitës.

“Kam përshtypjen se mesazhi i ODIHR-it është dëgjuar. Pa hyrë në debat politik, pasi nuk është roli ynë, duket se të gjitha partitë e përfaqësuara në Parlament janë dakord që reforma është e nevojshme dhe se duhet punuar për ta përmirësuar atë,” u shpreh ambasadori.

Mbledhja e fundit e Komisionit për Reformën Zgjedhore është zhvilluar në dhjetor të vitit të kaluar ndërsa pas ditësh bojkot dhe ultimatumesh PS ia doli të bind PD të rikthehet në tryezë e reformes territoriale.

Ndërsa Komisioni për reformën zgjedhore, përvec çështjeve të nxehta si depolizimi I komisioneve zgjedhore apo ligji për financimin e partive politike, objekt të punës pritet të ketë edhe përgatitjen e institucioneve shqiptare për mbajtjen e zgjedhjeve për parlamentin europian, në përmbushje të angazhimeve që vijnë nga anëtarësimi në Bashkimin Europian.

Rama në Vatikan, homazhe në varrin e Papa Françeskut: Mik i paharruar i Shqipërisë!

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Vatikan që prej ditës së djeshme. Kryeministri ka kryer homazhe në varrin e Papa Françeskut. Nëpërmjet një reagimi në Facebook ai thekson se Papa Francesku ka qenë një mik i paharruar i Shqipërisë.

“Homazhi në varrin e Papa Françeskut, mik i paharruar i Shqipërisë dhe i familjes sonë, që nuk harronte kurrë të lutej për popullin tonë e të na dërgonte mesazhet e tij të miqësisë, ishte një çast i veçantë i vizitës në Selinë e Shenjtë”, shprehet Rama.

Dyshohet e ka marrë rrjedha e lumit Vjosa, vijojnë kërkimet për gjetjen e 65-vjeçarit në Tepelenë

Palombarët e RENEA-s dhe shërbimet e Policisë vijojnë ende kërkimet në lumin e Vjosës, për gjetjen e 65-vjeçarit.

Kërkimet vijojnë prej ditës së djeshme. 65-vjeçari dyshohet se pasi është rrëzuar, e ka marrë nga rrjedha e lumit Vjosa, në afërsi të vendit të quajtur “Fusha e fshatit Peshtan”, Tepelenë.

Në operacionin e kërkimit janë të angazhuar palombarët e RENEA-s, Forca e Posaçme “Shqiponja” e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe forca vullnetare e familjarë, të cilët vijojnë krehjen e shtratit të lumit nga të dyja anët.

Deri në këto momente, nuk është bërë e mundur gjetja e 65-vjeçarit.

 

 

Vizita në Vatikan/ Kryeministri Rama takohet me Papa Leoni e XIV

VATIKAN- Këtë të enjte, Papa Leoni XIV priti kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Takimi ndërmjet Papa Leoni XIV dhe  Ramës u zhvillua në Pallatin Apostolik në Vatikan.

Më pas, Rama zhvilloi takim me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë kardinalin Pietro Parolin dhe imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

“Në bisedimet e përzemërta – thuhet në një njoftim të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – u vu në dukje marrëdhënia e mirë ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë dhe u trajtuan tema me interes të përbashkët që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile”.

Ndër temat në qendër të bisedimeve – vijon njoftimi – ishin edhe çështjet kryesore rajonale, “përfshirë situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”.

Ukraina dhe Rusia do të shkëmbejnë 314 të burgosur

Ukraina dhe Rusia do të shkëmbejnë 314 të burgosur. Lajmi është konfirmuar nga Steve Witkoff.

“Sot delegacionet e SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë ranë dakord për shkëmbimin e 314 të burgosurve -i pari i këtij lloji në pesë muaj”, tha Witkoff.

Gjithashtu u shpreh se ky rezultat u arrit pas bisedimeve të shumta që rezultuan pozitive.

“Ky rezultat u arrit nëpërmjet bisedimeve të thella dhe produktive për paqe. Ndërsa mbetet ende punë e rëndësishme për t’u bërë, përparime të tilla tregojnë se angazhimi i vazhdueshëm diplomatik po prodhon rezultate konkrete dhe po kontribuon në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, siguroi ai.

Witkov shtoi se bisedimet do të vazhdojnë dhe se pritet përparim shtesë në javët në vijim.

/abcnews.al/

Nura analizon vizitën e Ramës në Vatikan: Po përgatit rrugën për në Shtëpinë e Bardhë!

I ftuar në “News Line’ në ABC News, analisti Artur Nura komentoi vizitën e kryeministrit Edi Rama në Vatikan, duke thënë se dje, kryeministri nuk ndodhet rastësisht në Romë dhe se sipas tij përçoi një mesazh shumë domethënës.

Gjatë intervistës, Nura theksoi se kryeministri Rama komunikim në të gjitha format e mundshme se është një aleat i rëndësishëm.

“Rama ndodhet në Romë dhe do takojë njeriun më simbolik nga pikëpamja politike. Dhe gjithashtu bëri një lutje dhe lutjen e bëri në Shqip dhe u transmetua me kujdes. Do kemi edhe një mesazh tjetër pas takimin me institucionin më të rëndësishëm. Kemi propozimin e Ramës për shtetin bektashi. Të gjitha mediat ndërkombëtare u morën me Shqipërinë për këtë veprim të njoftuar nga zoti Rama. Tek shenjtorja është gjithmonë flamuri shqiptar. Dhe propozimi i Ramës për bektashinjtë është edhe një mesazh për tolerancën fetare”, u shpreh ai.

Gjithashtu ia theksoi se vizita e kryeministrin Rama në Izrael dhe në Vatikan e lexon si “përgatitje të rrugës për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë dhe se në këtë mënyrë mbyll të gjitha ‘gojët’ apo kritikët ndaj tij për performancën.

“Në të gjitha ambientet arbëreshë Zoja e Këshillit të Mirë është një instrument me të cilin ata krenohen, pra Rama çoi edhe një mesazh për ta që kam vëmendje ndaj arbëreshëve. Unë besoj që Rama nuk do që ë shkojë n SHBA në një moment kur janë të gjithë dhe që nuk arrin të bëjë dot gjë. Pra nuk do t’i interesonte strategjisë së tij vajtja në një moment të tillë. Theksojmë këtu rëndësinë e vizitës në Izrael, dhe sipas leximit tim shkoi për të përgatitur rrugën për në Shtëpinë e Bardhë. Rama po ashtu shkoi në Vatikan për të përgatitur rrugën për në Shtëpinë e Bardhë”, shtoi më tej analisti Nura. /abcnews.al/

NBA, dominon “molla e madhe”/ New York arrin fitoren e tetë radhazi në sezonin e rregullt

Mund ta ndjejë veten si një ekip me emër tepër të madh. Nuk është gjë e vogël të përfaqësosh Nju Jorkun, qytetin më të lavdishëm të historisë moderne të botës, dhe skuadra e basketbollit e di këtë shumë mirë.

Gjithsesi, të mbiquajturit “Niksat” nuk kanë qenë aspak në nivelin që kërkon qyteti i tyre, qendra e biznesit dhe e financave amerikane dhe botërore, ndonëse ky brez po përpiqet pa masë që t’ia dalë.

Nju Jork Niks arriti fitoren e 8-të radhazi këtë sezon në NBA, duke kaluar një rival shumë të fortë si Denverin me rezultatin 134-127.

U deshën dy kohë shtesë, pra 58 minuta vetëm lojë e kronometruar që të përcaktohej fituesi në “Medison Skuer Garden”, ndërsa në total rreth 20 000 spektatorët në Arenë mbetën në tribuna për rreth 3 orë.

Sfida ishte e shkëlqyer me lojë sulmuese dhe mbrojtje që shpesh nuk ekzistonin, siç është moda e viteve të fundit në NBA, ndërsa njujorkezët u udhëhoqën nga Xhejlën Braun, më I miri I tyre me 42 pikë, 8 topa në tabela e 9 asistë.

U dalluan edhe Karl-Entoni Tauns me 24 pikë e 12 topa në tabela, Anunobi me 20 pikë dhe Shamet me 16.

Denverit nuk i mjaftoi shkëlqimi i kapitenit, Nikola Jokiç, me 30 pikë, 14 topa në tabela e 10 asistë.

Ylli serb u ngjit në vendin e dytë në renditjen e të gjitha kohëve për tripëll dabëlla, me 181, po aq sa Oskar Robertson, dhe kjo ndodhi pasi shërbeu asist për Harduejn kur duheshin edhe 46 sekonda deri në përfundim të ndeshjes.

Niksat janë në vendin e dytë në Lindje me 33 fitore e 18 humbje, lënë pas vetëm nga kryesuesi Detroit që ka vetëm 12 humbje.

Gjithsesi, shanset janë të mira që të synohet titulli këtë sezon. Do të ishte titulli i tretë në histori dhe i pari pas plot 53 viteve.

Rekord tifozësh në Gjermani/ Plot 50 000 spektatorë në ndeshjen për të rinj në Champions

Duhej të ishte thjesht një ndeshje. Edhe pse luhejn në nivelin e Ligës së Kampionëve, sërish flasim për 19-vjeçarët, dhe nëse në stadium mund të jenë 2 apo 3 mijë njerëz kjo është mjaft.

Nuk ndodh kështu në Gjermani, dhe këtë herë u vendos një rekord.

Plot 50 000 spektatorë mbushën stadiumin e Këlnit, me emrin e sponsorit “Rain Energi”, ndërtuar mbi stadiumin e vjetër Myngersdorfer.

Luanin Këlni vendas dhe Interi milanez, e tifozët vendas dhanë një spektakël në tribuna, duke thyer rekordin e mëparshëm që ishte 40 368 spektatorë, kur Interi luajti ndaj Trabzonsporit në prill të vitit të kaluar.

Për skuadrën zikaltër, titullar ishte portieri i Shqipërisë U19, Alen Taho, i cili bëri disa pritje, ndërsa nuk mund të quhet fajtor për golin.

Ekipi i Shpresave të Interit ia doli vetëm në fund, pasi ndeshja e Championsit për të rinj ishte në barazim 1-1 deri minutën e shtatë shtesë.

Pikërisht në fund, italianët shënuan dy gola.

Duket se tifozët e Këlnit janë të pakënaqur me skuadrën e të rriturve që po kalon sezon të vështirë në Bundesligë, dhe kanë vendosur të ndjekin të rinjtë./abcnews.al

Cristiano Ronaldo bën 41/ Ylli portugez feston ditëlindjen, mbyll “grevën” me Al Nassr

Vitet kalojnë, por ata jabë vetëm një numër për Cristiano Ronaldo. Ylli portugez i futbollit feston këtë të enjte ditëlindjen e tij të 41, por nuk ka ndërmend të ndalet.

Këtë e konfirmon foto e postuar nga ai në rrjetet sociale, duke u stërvitur me Al Nassr, si shenjë edhe e mbylljes së rebelimit pas përplasjes me klubin saudit për shkak të merkatos.

Tani të gjithë presin që ai të jetë në fushë në ndeshjen e ardhshme kundër Al Ittihad, për të thelluar më shumë rekordet personale që e shoqërojnë në këtë ditë të shënuar.

Me 1,308 ndeshje të luajtura dhe një shifër të pabesueshme prej 961 golash zyrtarë, portugezi është ndër golashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave, ndërsa mision ka arritjen e 1 mijë realizimeve në karrierë. CR7 mund të krenohet me pesë “Topa të Artë” dhe katër “Këpucë të Arta”, por është aftësia e tij për të rishkruar statistikat në çdo garë që e bën atë unik.

Megjithëse prej vitesh është larguar nga skena e madhe e futbollit europian, lidhja e Cristiano Ronaldo me Champions League kufizohet me përsosmërinë. Ai mban rekordin për më shumë paraqitje, gola dhe asiste në historinë e turneut. Portugezi ishte i pari që theu barrierën e 100 golave ​​në këtë garë, duke dominuar çdo fazë: nga grupet deri në finale, pa harruar një seri të pafundme tregolëshash dhe golash të njëpasnjëshëm.

I njëjti diskutim vlen edhe me kombëtaren e Portugalisë, si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e ekipit kombëtar, rekordi për gola dhe asiste në historinë e Kampionatit Evropian dhe më shumë gola në turnetë kualifikuese dhe finale evropiane.

Përveç rekordeve të tij me Real Madridin si realizuesi më i mirë i të gjitha kohërave, Ronaldo ishte lojtari i parë që përfundoi golashënuesi më i mirë në katër liga të ndryshme dhe shënoi mbi 50 gola në secilën prej tyre.

Nga Premier League me Manchester United, në La Liga me Real Madrid, nga Serie A me Juventus dhe tani në Ligën Profesionale Saudite me Al Nassr, “marka” e CR7 nuk ka njohur kufij, duke i dhuruar atij një vend nderi në “Olimpin” e futbollit botëror./abcnews.al

VIDEO/ Reshjet e dëborës, vijon puna për hapjen e rrugës në zonën e Panaritit

KORÇË– Si pasojë e reshjeve të dëborës gjatë orëve të fundit, autoritete vijojnë punën në terren për pastrimin e borës dhe hapjen e rrugës në zonën e Panaritit.

Puna po kryhet në mënyrë të pandërprerë, me qëllim garantimin e qarkullimit dhe sigurisë për banorët.

Sipas autoriteteve, aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk raportohen probleme./abcnews.al

City, në finalen e Kupës/ Skuadra e Guardiola mundi 3-1 Newcastle në gjysmefinalen e dytë

Asnjë surprizë në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Ligës në Angli. Ashtu si titulli kampion në Premier edhe ky trofe do të diskutohet nga dy rivalët e mëdhenj të këtij sezoni, Arsenal dhe Manchester City.

Pas “Topçinjve”, biletën për në finalen e “Wembley” siguroi edhe Manchester City.

Skuadra e Guardiolës mundi 3-1 Neëcastle në sfidën e kthimit, ndërsa kishte fituar 2-0 edhe ndeshjen e parë në transfertë.

Gjithçka e lehtë për “Cityzens”, që në fushën e tyre e vranë garën që në pjesën e parë.

Pas vetëm shtatë minutash, Marmoush ndali topin në rrjetë për epërsinë e të zotëve të shtëpisë.

Nuk mund të flitet për reagimin e Neëcastle, që u dorëzua përpara pushimit.

Marmoush dyfishoi po vetë diferencën në rezultat në minutën e 29-të, ndërsa vetëm tre minuta më pas, Tijani Reijnders shënoi edhe golin e tretë për Manchester City.

Në pjesën e dytë, miqtë vetëm sa zbutën humbjen me golin e Elanga, por nuk arritën të prishinin festën e Guardiolës dhe skuadrës së tij.

Kështu, rivaltiteti mes Mancester City dhe Arsenal në këtë sezon të futbollit anglez pasurohet me një tjetër kapitull. Dy skuadrat do të diskutojnë trofeun e Kupës së Ligës më 22 mars në stadiumin “Wembley”.

Inter nuk fal as në Kupë/ Zikaltërit kualifikohen në gjysmëfinalen e kompeticionit

Habia e parë ishte se përse shkuan në një stadium tjetër.

Interi e kishte në shtëpi ndeshjen çerekfinale të Kupës së Italisë ndaj Torinos, por ajo nuk u luajt në “San Siro”, veçse në Monzë.

Çfarë ndodhi?

Arsyeja është e thjeshtë dhe e rëndësishme, në impiantin legjendar të Milanos do të mbahet këtë të premte ceremonia e hapjes së Lojrave Olimpike Dimërore, ndaj edhe nuk mund të luhej futboll.

Interi gjithsesi nuk e vuajti aq shumë këtë zhvendosje, duke fituar 2-1 e duke kaluar në gjysmëfinale.

Trajneri Kristian Kivu bëri ndryshime të rëndësishme në formacion, dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe për shkak të ngarkesës së madhe sezonale në Serinë A dhe në Champions, plus Superkupën e Italisë dhe Kupën e Botës për Klubet që në verë.

Vetëm të tillë si Mkitarian, Açerbi apo Turam ishin ndër titullarët e aktivizuar.

Golat u shënuan nga Boni në pjesën e parë dhe Diuf menjëherë pas pushimit, ndërsa për Torinon realizoi sulmuesi kroat I ardhur tani në janar, Sandro Kulenoviç.

Interi kërkon Kupën e 10-të të Italisë, ndërsa për herë të fundit fitoi në 2023, dhe pret rivalët në gjysmëfinale.

Sonte do të luhen sfidat Atalanta-Juventus, Napoli-Komo dhe Bolonja-Lacio./abcnews.al

SHBA heton kompaninë Nike mbi pretendimet për diskriminim ndaj punonjësve të bardhë

Komisioni i SHBA për Mundësi të Barabarta në Punësim (EEOC) tha të mërkurën se ka hapur një hetim ndaj kompanisë Nike lidhur me akuzat se kompania diskriminoi punonjësit e bardhë dhe aplikantët për punë.

Agjencia ka kërkuar që Nike të ofrojë informacion në lidhje me akuzat, duke përfshirë objektivat e saj të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI) për vitin 2025 dhe objektiva të tjera të lidhura.

Komisioni po shqyrton nëse kompania është përfshirë në një model ose praktikë të trajtimit të ndryshëm ndaj punonjësve të bardhë, aplikantëve dhe pjesëmarrësve në programe në vendimet e punësimit, ngritjes në detyrë, uljes në detyrë ose ndarjes nga puna, si dhe në stazhet dhe programet e zhvillimit të karrierës.

EEOC lëshoi ​​një kërkesë ligjore duke kërkuar të dhënat e kompanisë Nike që datojnë që nga viti 2018, duke përfshirë dokumente mbi kriteret e pushimit nga puna, përdorimin e të dhënave të racës dhe etnisë së punonjësve, dhe disa programe mentorimi dhe zhvillimi të karrierës. Ajo gjithashtu ngriti një padi zbatimi në gjykatën federale pasi kompania nuk arriti të ofrojë të gjithë informacionin e kërkuar.

“Ne kemi pasur pjesëmarrje të gjerë dhe me mirëbesim në një hetim të EEOC-ut mbi praktikat, programet dhe vendimet tona të personelit dhe kemi pasur përpjekje të vazhdueshme për të ofruar informacion dhe për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive me agjencinë”, tha një zëdhënës i kompanisë Nike në një deklaratë.

❌