Brad Arnold, këngëtari dhe anëtari themelues i grupit amerikan të rokut 3 Doors Down, ka ndërruar jetë të shtunën pas një beteje me kancer.
Ai vdiq në paqe, i rrethuar nga familja. Arnold ishte autor i hitit të famshëm “Kryptonite” dhe një nga figurat kryesore të grupit që nga themelimi në vitin 1996.
Një ndjekje dramatike ka përfunduar me arrestimin e një shoferi dhe tre pasagjerëve në Mitrovicën e Jugut.
Automjeti tentoi t’i shmanget policisë mbrëmjen e 7 shkurtit, duke kaluar me shpejtësi dhe duke goditur tri herë një veturë policore, rrezikueshëm për zyrtarët dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Automjeti u ndal në fshatin Zupç, ku dy policë pësuan lëndime dhe u dërguan për trajtim mjekësor.
Shoferit i është caktuar masa e ndalimit, ndërsa hetimet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare” vazhdojnë.
Një fëmijë është lënduar pasi dy pajisje argëtuese për matjen e forcës së krahut, të njohura si “boxer”, përcollën elektricitet në shëtitoren bregdetare te Shkëmbi i Kavajës.
Lagështia dhe dëmtimet nga moti dyshohet të kenë shkaktuar defektin.
Një prind ka njoftuar Policinë e Durrësit për ndërhyrje të menjëhershme dhe sigurimin e pajisjeve.
Napoli ka shënuar fitore dramatike ndaj Genoas me rezultat 3-2, në ndeshjen e zhvilluar në “Luigi Ferraris”.
Kampionët e Italisë e siguruan triumfin në minutat e fundit, ndërsa paraqitje të mirë pati edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, i cili kontribuoi me një asist.
Me këtë fitore, Napoli mbetet në vendin e tretë të Serie A me 49 pikë.
Një studim i ri i kompanisë së qirasë së veturave Sixt tregon se shoferët në Cyrih kalojnë mesatarisht 94 orë në vit të bllokuar në trafik gjatë orëve të pikut.
Kjo e rendit qytetin ndër më problematikët në Evropën Qendrore për qarkullimin rrugor, pas Parisit dhe Romës.
Për të përshkuar 10 kilometra në qendër të Cyrihut duhen mbi 26 minuta, ndërsa politikat që favorizojnë këmbësorët dhe biçikletat po rrisin pakënaqësinë e drejtuesve të automjeteve.
Prokuroria për Krim të Organizuar ka nisur hetime ndaj tre personave nga Shkupi, të dyshuar për organizim kriminal dhe posedim e tregtim të paautorizuar të armëve dhe materialeve shpërthyese.
Sipas autoriteteve, ata dyshohet se vepronin si grup me ideologji radikale, duke mbledhur fonde për propagandë dhe blerje armësh.
Me vendim gjykate janë kryer bastisje, janë sekuestruar armë dhe pajisje elektronike, ndërsa të dyshuarve u është caktuar paraburgim 30-ditor.
Çrregullimet hormonale mund të shkaktojnë shtim në peshë dhe simptoma si dhimbje koke, fryrje barku dhe cikël menstrual të parregullt.
Për ta balancuar sistemin hormonal, ekspertët rekomandojnë ushqime si: kosi me probiotikë dhe vitaminë D, peshku me omega-3, perimet me gjethe jeshile, erëzat si kanella dhe xhenxhefili, si dhe avokado me yndyra të shëndetshme dhe fibra.
Këto ushqime ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm dhe të sistemit riprodhues.
Ministria e Mjedisit, ajo e Bujqësisë dhe Industrisë kanë forcuar inspektimet në treg, pasi u konstatua se një pjesë e operatorëve i kanë paraqitur produktet e tyre me pesticide, sikur të ishin biocide.
Derisa vit pas viti ngrihen shqetësime për sigurinë e ushqimeve dhe mallrave të tjera që hyjnë në Kosovë, nga Dogana po synojnë që këtë vit të ndërmarrin veprime të cilat do të rezultojnë me analiza më të mirëfillta.
18 milionë euro ishte vlera e mallrave të konfiskuara nga dogana vetëm gjatë 2025-s.
Produkte me pesticide mbi normat e lejuar, e ushqime me origjinë të dyshimtë vit pas viti arrijnë të depërtojnë në tregun kosovar. Njoftimi se disa operatorë kanë keqpërdorur sistemin e regjistrimit duke paraqitur pesticidet si biocide, ka ngritur alarmin për marrje të masave, duke iniciuar edhe auditim të brendshëm për mbi 100 lëndë.
Paralelisht me inspektimet që po bëhen në tregun vendor, është shtuar nevoja edhe për analiza më të mirëfillta nga Dogana e Kosovës, RTK.
“Ne synojmë të fillojmë me zhdoganimin para arritjes. Formaliteti për dërgesat që janë në import dhe eksport do të përfundojnë para arritjes së mallit te dogana. I lejon doganës kohë për të bërë analizë të mirëfilltë të rrezikut në mënyrë që të vendos cilat dërgesa çfarë kontrolli i nënshtrohen”, tha Agron Llugaliu, drejtor i Doganës së Kosovës.
Reformat dhe investimet në infrastrukturë e teknologji, sipas Llugaliut, kanë ndikuar në rritjen e efikasitetit të doganës. Me këtë rast, ai tregoi se vetëm në 2025-tën, kanë konfiskuar mall me vlerë 18 milionë euro.
“Kemi pasur përpjekje në avancimin e sistemeve që na mundësojnë zbatimin e inteligjencës artificial në analizat që i bëjmë. Ka pasur edhe një mori reformash te avancimet që kemi bërë. Të gjitha kanë ndiku me pas një efikasitet më të mirë se vitin paraprak”, shtoi ai.
Pas përforcimit të inspektimit në terren ministritë gjegjëse, ka bërë të ditur se është ndaluar importi dhe përdorimi i substancave të rrezikshme.
Banorja e Big Brother VIP Kosova 4, Alba Pollozhani, ka dhënë intervistën e saj të parë pas daljes nga gara, duke zbuluar arsyet e largimit të saj nga shtëpia më e madhe në Kosovë.
Në një intervistë për KlanKosova, Alba u shpreh se vendimi i saj erdhi nga dëshira për të mos lejuar që të tjerët të përfitonin në kurriz të saj.
“Nga shtëpia e Big Brother dola sepse nuk doja më asnjë moment me shumë që të tjerët të përfitonin në kurrizin tim dhe mundësisht të shkonin në finale dhe të fitonin vetë të gjithë Big Brotherin në kurrizin tim”, tha ajo.
Banorja nga Struga foli edhe për ndjenjat e saj pas daljes, duke hedhur poshtë çdo pendesë. “Për pjesën që a jam e penduar që kam dalë. Jo aspak! Jeta është aty përjashta. 24 orët e para jashtë shtëpisë? Për këtë nuk dua të flas”, u shpreh Alba.
Megjithatë, ajo që i habiti shumë fansat ishte pamja e saj në intervistë. Ndërsa në spektaklin e së premtes kishte paralajmëruar se do të vendoste mbulese dhe do t’i përkushtohej riteve fetare myslimane, Alba u shfaq e relaksuar me flokë të lirë, duke lënë pas tensionin dhe surprizën që kishte shkaktuar në shtëpi.
Kjo intervistë tregon një tjetër anë të Albës, duke i dhënë publikut mundësinë të shohë mendimet dhe ndjenjat e saj të sinqerta pas një vendimi që shkaktoi shumë reagime brenda dhe jashtë Big Brother VIP Kosova 4. /Telegrafi/
Lojërat Olimpike Dimërore në Milano dhe Cortina u hapën zyrtarisht dje, ndërsa ceremonia madhështore e hapjes mahniti publikun në mbarë botën, veçanërisht përmes homazhit kushtuar ikonës së modës italiane, Giorgio Armani
Ceremonia u hap me një performancë spektakolare të Mariah Carey, e cila edhe një herë dëshmoi fuqinë e saj artistike – si përmes zërit karakteristik, ashtu edhe përmes një paraqitjeje skenike plot elegancë dhe shkëlqim. Muzika, dritat dhe koreografia krijuan një atmosferë solemne, por njëkohësisht emocionale, në përputhje të plotë me frymën olimpike.
Momenti që preku më shumë audiencën ishte segmenti i titulluar “Timeless Elegance” (Elegancë e përjetshme), i cili iu kushtua trashëgimisë së Giorgio Armanit dhe ndikimit të tij të jashtëzakonshëm në kulturën italiane dhe modën botërore. Përmes një defileje simbolike, vajza të veshura me kostume në ngjyrat e flamurit italian – jeshile, e bardhë dhe e kuqe, krijuan vizualisht vetë flamurin e Italisë, duke ndërthurur identitetin kombëtar me estetikën e modës së lartë.
Kostumet e paraqitura në këtë defile janë dizajnuar personalisht nga Giorgio Armani, duke reflektuar filozofinë e tij të njohur: linja të pastra, prerje të përpikta dhe elegancë që i reziston kohës. Ky homazh nuk ishte vetëm një nderim për një stilist, por për një epokë të tërë të modës italiane që Armani e përfaqësoi për dekada, transmeton Telegrafi.
Në Milano dhe në Itali në përgjithësi, moda nuk është thjesht industri, por pjesë thelbësore e identitetit kulturor. Pikërisht për këtë arsye, një defile i tillë në një ngjarje sportive të përmasave globale si Olimpiada, dëshmon se moda dhe sporti mund të flasin të njëjtën gjuhë universale: gjuhën e estetikës, disiplinës dhe emocioneve që bashkojnë botën.
Ky moment i ceremonisë së hapjes konfirmoi edhe një herë se Italia di të nderojë trashëgiminë e saj kulturore me dinjitet, ndjeshmëri dhe stil të pakrahasueshëm. /Telegrafi/
Kapiteni i Sunderlandit Granit Xhaka është përqafuar me trajnerin Mikel Arteta pas fitores së Arsenalit 3-0 në “Emirates”.
Xhaka shkoi për ta mbështetur Sunderlandin te skuadra londineze, pavarësisht që nuk luante si pasojë e lëndimit.
Arsenali e dominoi bindshëm tërë përballjen për të fituar me rezultat 3-0, si dhe mbajtur pozitën e parë në Ligën Premier.
Megjithatë, ajo që ra në sy pas ndeshjes ishte takimi i ngrohtë mes Xhakës dhe Artetas, të cilët kanë lidhje fantastike që prej kohës kur ylli shqiptar ishte te “Topçinjtë”.
Faktikisht, Xhaka qëndroi te Arsenali vetëm shkaku i Artetas, i cili e bindi se do ta ndryshonte situatën me tifozët, gjë që ndodhi – me lojtarin që tashmë shihet si legjendë e klubit londinez.
Përndryshe, Arsenali aktualisht është plot nëntë pikë para Man Cityt, me këta të fundit që i pret një sfidë e vështirë në udhëtim te Liverpooli të dielën./Telegrafi
Palestinezi 14-vjeçar, Suheyb Ismail Mutawwak, i cili u plagos rëndë në një sulm izraelit ndërsa po shkonte drejt një pike shpërndarjeje ndihmash në Gazën veriperëndimore, humbi aftësinë për të folur dhe përtypur për shkak të plagëve.
Pavarësisht muajve të trajtimit, Suheyb i paaftë të flasë, po mbijeton me ndihmën e nënës së tij.
Suheyb, i cili jeton me familjen e tij në veri të Rripit të Gazës, shkoi në pikën e shpërndarjes së ndihmave me shpresën për të gjetur ushqim për vëllezërit e motrat e tij më të vegjël për shkak të bllokadës së gjatë dhe urisë.
Megjithatë, ky udhëtim ia ndryshoi jetën në mënyrë të pakthyeshme.
I plagosur rëndë në sulmin izraelit, fëmija humbi aftësinë për të folur dhe nuk mund të konsumojë më ushqim të fortë.
Nëna e tij, Siham Nabil Mutawwak, tha se djali i saj ishte një fëmijë i shëndetshëm dhe i gëzuar para sulmit.
Duke deklaruar se nuk kishin ushqim në shtëpi para se të shkonin për të marrë ndihma, ajo tha: "Atë ditë, djali im më tha, mami do të shkoj me miqtë e mi, do të gjej diçka posaçërisht për vëllezërit e motrat e mia. Ai nuk kishte ngrënë ëmbëlsira ose biskota për një kohë të gjatë. Ai u gëzua shumë kur dëgjoi se këto ishin midis ndihmave".
Nëna tha se rreth një orë më vonë, ajo mori lajmin se djali i saj ishte qëlluar dhe se mjekët e thirrën për ta informuar se ai ishte dërguar në Spitalin Shifa.
Mutawwak e përshkroi skenën që pa në spital si "momentin më të vështirë të jetës".
Sipas mjekëve, një copë metali e një predhe sulmi hyri në shpatullën e Suhejb dhe doli përmes mjekrës së tij.
Fëmija, i cili pësoi dëmtime serioze në mjekër dhe gjuhë, iu nënshtrua disa operacioneve.
Megjithatë, pavarësisht të gjitha ndërhyrjeve, ai humbi aftësinë për të folur.
"Kur ai u rikthye në vetëdije pas operacionit, kuptuam se nuk mund të fliste. Ai ka thyerje në nofull dhe nuk mund ta hapë gojën. Mjekët thonë se ai ka nevojë për një transplant nofulle dhe disa implante. Ai ka nevojë për disa operacione të tjera, por nuk ka burime në Gaza", tha Mutawwak.
Suheyb, i cili u detyrua të migronte me familjen e tij në zonën ez-Zevayide në pjesën qendrore të qytetit të Gazës pas sulmit, aktualisht jeton në një tendë.
Për shkak të bllokadës izraelite, qasja në ilaçe, furnizime mjekësore dhe ushqim të mjaftueshëm është pothuajse e pamundur.
Duke deklaruar se dëmtimi i nofullës së Suhejbit është ende duke vazhduar, nëna tha: "Pothuajse çdo javë një copë kocke bie nga goja e tij. Ka gjak. Njëherë ai pothuajse u mbyt”.
Nëna tha se djali i saj, i cili ka humbur aftësinë për të folur, i shpreh ndjenjat e tij duke shkruar në telefon dhe se është më i mërzitur që nuk mund të largohet nga Gaza për trajtim.
Djali i vogël shpesh e pyet nënën e tij: "Pse disa njerëz mund të shkojnë, por unë jo".
Duke theksuar se djali i saj është shumë i lodhur psikologjikisht, ajo tha: "Ai sheh njerëz, sheh ata që shkojnë jashtë vendit për trajtim. Ai i mban të gjitha brenda. Meqenëse nuk mund të flasë, ai shpreh gjithçka duke shkruar". /AA/
Sipas Calciomercato, Juventusi ka hequr dorë nga mundësia për të transferuar në formë huazimi sulmuesin brazilian Endrick nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të dimrit.
Klubi bardhezi kishte shqyrtuar këtë opsion që në muajin nëntor, për shkak të shqetësimeve lidhur me repartin ofensiv.
Jonathan David dhe Lois Openda, të afruar gjatë verës së kaluar, nuk kishin arritur të përmbushnin pritshmëritë, duke e shtyrë Juventusin të kërkonte një sulmues të ri të tipit “numër nëntë”.
Gjatë këtij procesi, në radar të Juventusit ishin edhe emra të tjerë si Jean-Philippe Mateta, Youssef En-Nesyri dhe Randal Kolo Muani, çka dëshmon urgjencën e klubit për përforcime në sulm.
Sipas raportimeve, ishte rrethi i Endrick që iu afrua Juventusit me propozimin për huazim, por drejtuesit bardhezinj vendosën përfundimisht të mos e pranojnë marrëveshjen.
Arsyeja kryesore lidhej me faktin se huazimi nuk përfshinte një opsion blerjeje, gjë që, sipas Juventusit, do të forconte një aset të një klubi tjetër pa garantuar mundësinë për ta siguruar lojtarin në mënyrë permanente në rast se ai do të shkëlqente.
Pas kësaj, Endrick u transferua te Lyon në formë huazimi të thjeshtë. Sulmuesi 19-vjeçar ka lënë menjëherë gjurmë, duke shënuar pesë gola dhe duke dhënë një asist në pesë paraqitjet e para, çka thekson potencialin që Juventusi zgjodhi të mos shfrytëzojë.
Endrick u ble nga Real Madridi në verën e vitit 2024 për një shifër pak më të ulët se 50 milionë euro, ndërsa ka kontratë me klubin spanjoll deri në vitin 2030, duke mbetur një lojtar për t’u ndjekur me vëmendje edhe në muajt në vijim./Telegrafi/
Për shtetasit e Kosovës, kalimi transit nga Serbia edhe më tej po vazhdon të jetë i pasigurt. Ditë më parë, autoritetet serbe arrestuan Mit'hat Llozhanin. Rasti nxiti reagimin e institucioneve vendore. Duke e parë këtë praktikë të Serbisë, nga Organizata e Veteranëve të Luftës bëjnë thirrje që mos të udhëtohet nëpërmjet shtetit serb. Ndërkaq, bashkësisë ndërkombëtare iu kërkua të jetë më e ashpër me Serbinë.
Udhëtimi transit përmes Serbisë vazhdon të mbetet i pasigurt për shumë shqiptarë të Kosovës, veçanërisht ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një pasaportë e Republikës së Kosovës, një emër në listat serbe, apo ndonjë simbol kombëtar, kanë mjaftuar që shqiptarët e Kosovës, të bien në prangat e autoriteteve serbe.
Me të hyrë në Serbi, në kufi me Kroacinë ditë më parë u arrestua edhe shtetasi Mit'hat Llozhani, veprim ky që vulos faktin se Serbia po vazhdon me praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit.
Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se Serbia po cenon normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për çka ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtroj presion ndaj saj.
Organizatat e dala nga lufta, vazhdojnë të bëjnë thirrje që veteranët e luftës mos të udhëtojnë nga shteti serb.
“Ju kemi bërë thirrje veteranëve që mos të kalojnë nga Serbia sepse Serbia ka lista dhe i ndalon njerëzit. Për ne është e papranueshme për shkak se lëvizja është e lirë në gjithë Evropën. Por ne e dimë mentalitetin e Serbisë. I ftoj veteranët e UÇK-së që mos të kalojnë nga Serbia duke e ditur se Serbia është duke i ndaluar dhe mbajtur nga 2-3 vite në burg”, tha Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së
Ndërkohë njohës të sigurisë kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare të jetë më e ashpër me Serbinë.
“Duhet një herë e përgjithmonë të mendoj dhe të filloj tashmë me sankisone ose me një qasje shumë reale dhe shumë të ashpër që t'ju mundësohet të gjithëve në Ballkan që të udhëtojnë të lirë”, thotë Arben Dashevci, njohës i sigurisë.
Nën arsyetimet për krime të lufte, shtetas të Kosovës vit pas viti ndalen në pikat kufitare nga autoritetet serbe, në disa raste edhe keqtrajtohen e mbahen në paraburgim./RTK
Sulmuesi Ernest Muçi ka shkëlqyer sërish te Trabzonspori, ku shënoi dhe asistoi ndaj Samsunsporit.
Ylli shqiptar po kalon formën më të mirë të karrierës që kur iu bashkua Trabzonsporit, ndërsa ishte protagonisti kryesor në fitoren 0-3.
Fillimisht, dhuroi një asistim të bukur për Onuachon, duke e vendosur para portierit me një harkim fantastik, me këtë të fundit që e finalizoi për mrekulli për ta zhbllokuar epërsinë (23’).
Ndërsa, në kohën shtesë shënoi nga pika e bardhë për ta vulosur fitoren prej 0-3 (90+1’).
Me këtë fitore të madhe, Trabzonspor qëndron në pozitën e tretë në tabelë me 45 pikë, katër më pak se lideri Galatasaray.
Kurse, Muçi në anën tjetër që aktualisht është lojtari më në formë i Shqipërisë ka shënuar nëntë gola në Superligën Turke, si dhe kompletuar dy asistime në proces./Telegrafi
Prokurorët e krimit financiar në Francë thonë se kanë hapur një hetim paraprak ndaj ish-ministrit të Kulturës, Jack Lang, për lidhjet e tij me Jeffrey Epstein.
Lang, një figurë e rëndësishme në qeveritë socialiste franceze midis viteve 1980 dhe 2000, po hetohet për dyshime për "pastrim të të ardhurave nga mashtrimi tatimor".
Kjo vjen pas publikimit nga Departamenti i Drejtësisë i dosjeve të Epstein nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, të cilat kanë dokumentuar lidhje midis familjes Lang dhe pedofilit të ndjerë.
Lang, tani 86 vjeç, mohon të ketë bërë ndonjë shkelje i përshkroi akuzat kundër tij si "të pabaza".
Ai tha se hetimi "do të hedhë shumë dritë mbi akuzat që po vënë në pikëpyetje nderin e tij”.
Disa orë pasi u njoftua hetimi, Lang ofroi të jepte dorëheqjen si kreu i Institutit të Botës Arabe, një organ që promovon bashkëpunimin dhe shkëmbimet midis Francës dhe kombeve arabe.
Në një letër drejtuar Ministrit të Jashtëm Jean-Noel Barrot, Lang tha se do të paraqiste dorëheqjen e tij në mbledhjen e ardhshme të bordit.
Ish-ministri francez, i cili përmendet pothuajse 700 herë në dosjet e Epstein, deri më tani i kishte rezistuar presionit për të dhënë dorëheqjen.
Barrot tha se e kishte pranuar ofertën për dorëheqje dhe planifikonte të fillonte procesin e kërkimit të një pasardhësi.
Ndryshe, Vajza e Lang, Caroline, 64 vjeç, është gjithashtu nën hetim në lidhje me këtë çështje.
Më herët këtë javë ajo dha dorëheqjen si kryetare e një sindikate franceze të producentëve të filmave.
Detajet nga dosjet e zbuluara nga media franceze sugjerojnë se Lang i është drejtuar Epstein për fonde ose favore në disa raste - duke përfshirë përdorimin e veturës dhe aeroplanit privat të Epstein për vete dhe familjen e tij.
Caroline Lang tha se u takua me Epstein në vitin 2012, kur ai i tha se donte të “invesonte në artistë të rinj francezë dhe ndërkombëtarë”.
Ajo tha se avokatët e tij kishin krijuar një kompani, Prytanee LLC, me seli në Ishujt Virgjër të SHBA-së.
Lang kishte marrë gjysmën e aksioneve, por tha se nuk kishte investuar në të dhe as nuk kishte marrë fonde prej saj. /Telegrafi/
Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte ish-futbollisti i njohur, tashmë trajneri Fadil Ademi.Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Exfis.
Ademi ka treguar haptas pagën që kishte marrë gjatë kohës sa kishte qenë futbollist profesionist nga presidenti Selami Osmani – Bezi.
“Po ju jeni gazetarë, besoj atë punën tuaj që e bëni por jo nuk prishë punë. Ato kanë qenë para që ne normalisht i kemi merituar, edhe ata që i kanë dhënë, i kanë dhënë ndershëm edhe jemi falënderues”.
“Unë jam paguar 18 mijë marka në atë kohë, plus e kam pasur rrogën diku 600-700 marka, që i binte rrogë mujore diku afër 1000 marka me disa premia që i kemi pasur”.
“Po e kemi pasur një ciklus, nuk po më kujtohet saktë, por kemi pasur një ciklus jemi shpërblyer me premi dhe normal kemi shkuar me ambicie, me objektiva të qarta”.
“Atë kohë kemishkuar, përveç profesorit si trajner i dëshmuar, i konfirmuar për futboll të Kosovës gjithsesi, por edhe në rajon”, rrëfen mes tjerash Ademi.
Episodin e plotë me Fadil Ademin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/
Këngëtarja me famë botërore Era Istrefi ka treguar edhe një herë se, përtej suksesit dhe karrierës ndërkombëtare, familja mbetet prioriteti i saj kryesor.
Ylli i muzikës ka vendosur që fitimet nga puna e saj t’i kthejë në një dhuratë të veçantë për personin më të shtrenjtë në jetën e saj – nënën. Era i ka blerë asaj një veturë luksoze Range Rover, duke e surprizuar në mënyrë emocionuese.
Momentin e veçantë, këngëtarja e ka ndarë edhe në rrjetet sociale, ku mbi pamjet e veturës së re, të dekoruar me fjongo dhe të parkuar pranë shtëpisë, ajo ka shkruar: “Një dhuratë për mbretëreshën, mamin stref”.
Foto: Era Istrefii/InstaStory
Krenaria dhe emocionet në sytë e nënës së Erës ishin të pamohueshme, teksa surpriza u prit me shumë gëzim.
Dhurata luksoze dëshmon jo vetëm suksesin e madh të Erës në muzikë, por edhe lidhjen e fortë dhe mirënjohjen që ajo ka ndaj familjes së saj. /Telegrafi/