Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 10 February 2026Main stream

“Policët, këta banditë!”, Berisha “zgjat” afatin e durimit

By: xhir jeta
10 February 2026 at 20:51

Në një deklaratë nga selia e PD, Sali Berisha konsideroi banditë efektivët e policisë, duke akuzuar ata për dhunën ndaj protestuesve, duke denoncuar ashpër sjelljen e uniformave të policisë, duke i cilësuar si “banditë dhe kriminelë me uniformë” që sulmuan qytetarët, por sipas tij, vetëpërmbajtja dhe guximi i protestuesve paqësorë janë qindra herë më të fuqishëm se banditizmi i përdorur ndaj tyre.

“Përshëndetje më të përzemërt guximtarëve të pamposhtur të 10 shkurtit, që bënë në këtë revoltë, në këtë kryengritje paqësore, historinë. Me guximin, qytetarët de facto zotëruan sheshin. Banditë me uniformë, kriminelë me uniformë u vërsulën si bisha, duke menduar se mund t’i mposhtnin. Ja ju them unë atyre, që vetëpërmbajtja, guximi, qëndrimi paqësor i protestuesve është dhjetëra, qindra herë më i fuqishëm se banditizmi i tyre. Protestues paqësorë por dhe njerëz me aftësi të jashtëzakonshme.

Dhjetëra mijëra guximtarëve, u mjaftojnë pak minuta për t’u dhënë atë që meritoni. Vetëpërmbajtjen e tyre mos e merrni për dobësi. Vetëpërmbajtja e tyre është trimëri dhe guxim. Është vendosmëri për të realizuar qëllimin, për të rrëzuar, për të hedhur në kosh të plehrave të historisë njërin prej armiqve më të rrezikshëm në historinë e kombit, më të rrezikshëm në historinë e kombit shqiptar, më të pashpirt, Edi Ramën. Mos mendoni se durimi nuk ka një fund. Dhe unë ju garantoj se kjo vetëpërmbajtje, kjo vendosmëri e jona, nuk mund të provokohet. Dhe provokatorët mund të marrin një mësim që meritojnë. Mirënjohje për ju, mirënjohje për çdo qytetar që erdhi nga të katërta anët.

Pra, sot barbaria e policisë nuk kurseu gazetarët. Këta gazetarë dhe kameramanë u trajtuan në mënyrë armiqësore nga banditë me uniformë. U bë gjithçka që të mos përmbushnin dot detyrën e tyre, misionin e tyre. Por i përgëzoj. I përgëzoj se nuk u ndalën për asnjë moment nga detyra dhe misioni i paraqitjes së çdo akti. ” tha Berisha ndërsa njoftoi protestën e radhës në datën 20 shkurt.

Protesta e opozitës/ Reagon Ministrja e Brendshme: Asgjë nuk e justifikon dhunën

By: xhir jeta
10 February 2026 at 20:14

Ministrja e Brendshme në rrjete sociale: E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shteti.

Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj.

Mirënjohje për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi përballë çdo provokimi.

Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën për të protestuar, si dhe të garantojë sigurinë e çdo qytetari dhe të pronës publike dhe të qytetarëve.

 

“Thaçi qeshi me fjalët e prokurorit”, gazetarja tregon çfarë ndodhi me gjyqin në Hagë

By: xhir jeta
10 February 2026 at 17:32

Rina Mujku, gazetare e Klan Kosova e cila po ndjek nga afër procesin ndaj ish krerëvë të UÇK në Hagë, informoi në një lidhje për Balkan Update në ABC News, mbi zhvillimet e këtij procesi.

Ajo bëri një përmbledhje të deklaratave të prokurorit të Hagës në proces, ndërsa tha se në këtë proces kanë dëshmuar në favor të ish Presidentit Thaçi, dëshmitarë që ndoshta nuk do të shkelin më një sallë gjyqi.

Ndër të tjera, Mujku përcolli edhe qëndrimin e ish Presidentit Hashim Thaçi, ndërsa prokurori i Speciales, hidhte akuza të rënda në adresë të tij dhe të UÇK.

“Gjatë ditës së sotme Presidenti Hashim Thaçi ka ironizuar ka qeshur me ironi gjatë fjalës së prokurorit amerikan Matt Halling, sidomos në pjesën ku ai mundohet të diskretitojë dëshmitarët ndërkombëtarë,” tha ajo.

 

 

“Luftë diplomatike” në Olimpiadë/ Helmeta e Heraskevych me portretet e atletëve të vrarë në luftë

By: xhir jeta
10 February 2026 at 16:04

Vladyslav Heraskevych, atleti ukrainas i skeleton dhe flamur mbajtësi i vendit të tij në “Milano-Cortina 2026”, e gjen veten në qendër të një polemike të nxehtë diplomatike dhe sportive. Kjo pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i mohoi lejen për të garuar me një helmetë të veçantë. Atleti, i cili në Kampionatin Botëror 2025 mori vendin e katërt, fillimisht e kishte përdorur pajisjen gjatë seancave stërvitore në pistën olimpike, por mori një ndalim zyrtar kategorik të hënën në mbrëmje.

Helmeta në fjalë nuk është thjesht një pajisje mbrojtëse, por një homazh vizual për kolegët dhe anëtarët e familjes olimpike ukrainase që humbën jetën gjatë pushtimit rus. Ndër fytyrat e portretizuara në serigrafinë gri janë figura të tilla si patinatori artistik Dmytro Sharpar, i cili vdiq pranë Bakhmutit, dhe biatleti i ri 19-vjeçar Yevhen Malyshev, i vrarë pranë Kharkiv, si dhe boksieri Pavlo Ishchenko.

Sipas Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, helmeta e Heraskevych shkel nenin 50 që ndalon çdo lloj demonstrimi ose propagande politike, fetare ose racore brenda ambienteve olimpike. Sipas Komitetit, helmeta e shkel këtë rregull, pavarësisht se Heraskevych këmbëngul me bindje se ky nuk është një mesazh politik, por më tepër një akt nderi ndaj atletëve që nuk do të shkelin më kurrë në një arenë sportive.

Atleti shprehu trishtim të thellë, duke e quajtur vendimin zemërthyes dhe duke akuzuar IOC-në për tradhti të anëtarëve të lëvizjes Olimpike duke penguar nderimin e kujtimit të tyre. Çështja u përhap shpejt në radhët politike, duke arritur deri te Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili e mbrojti flamurtarin e tij, duke lavdëruar iniciativën e tij.

Zelensky përsëriti se shfaqja e portreteve të atletëve të vrarë nuk duhet të konsiderohet e turpshme ose e papërshtatshme, pasi përfaqëson të vërtetën rreth çmimit që po paguan Ukraina për lirinë e saj. Sipas presidentit, kujtimi i këtyre sakrificave është në përputhje me misionin historik të lëvizjes olimpike, e cila duhet të orientohet drejt paqes./abcnews.al

Specialja liron Shalën, Smakën dhe Fazliun

By: xhir jeta
10 February 2026 at 15:38

Dhomat e Specializuara njoftuan se kanë liruar Haxhi Shalën, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, nën kushte të caktuara. Përmes njoftimeve të ndara, Dhomat e Specializuara thanë se ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, u lirua pasi kryetarja e Dhomave, Ekaterina Trendafilova modifikoi dënimin e tij.

“Këto kushte do të vazhdojnë të zbatohen për pjesën e mbetur të nga tre vjetët e dënimit të Shalës”, u tha në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, që njihen edhe si Gjykata Speciale, ku u shtua se Shala u kthye në Kosovë më 10 shkurt.

Familjarë të tij kanë publikuar fotografi në rrjetet sociale, ku shfaqet Shala në Kosovë. Modifikimi i vendimit vjen pasi në dhjetor të vitit të kaluar, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, kishte hedhur poshtë kërkesën e Shalës për ulje të dënimit.

Sipas njoftimit të 10 shkurtit, Trendafilova tha se Shala ka treguar disa shenja të rehabilitimit dhe i kishte dërguar një letër, “në të cilën shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kishin pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij”.

“Kryetarja gjykoi se, ndonëse veprat penale për të cilat ai u shpall fajtor janë të rënda, Shala e kishte shkruar letrën me nismën e vet dhe pa ndihmë ligjore, pas një periudhe reflektimi. Ajo konstatoi se letra e tij ishte shenjë e distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat u shpall fajtor”, tha Gjykata Speciale.

Sipas ligjeve, kur një person vuan dy të tretat e dënimit ai ka të drejtë të kërkojë t’i ulet apo modifikohet vendimi “por vetëm nëse plotëson kriteret” për një gjë të tillë, tha Specialja.

Shala është dënuar me tre vjet burgim shkurtin e vitit 2025, pasi paraprakisht pranoi fajësinë për pengim të drejtësisë.

Shala kishte qëndruar në burgun në Hagë që nga 11 dhjetori i vitit 2023. Ai u dënua së bashku me dy të tjerë, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, ndaj të cilëve prokurorët e Gjykatës Speciale kishin aktakuzë për pengim të drejtësisë. Bahtijari dhe Januzi u dënuan me nga dy vjet burgim. Që të tre kishin arritur marrëveshje me prokurorët për pranimin e fajësisë.

Çfarë thuhej në aktakuzën për Shalën, Januzin e Bahtijarin?
Në aktakuzën e konfirmuar për tre të akuzuarit më 10 korrik të vitit 2023, thuhej se në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023 Haxhi Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, kontaktuan një dëshmitar.

Më saktësisht, sipas aktakuzës, Ismet Bahtijari i bëri një vizitë dëshmitarit në shtëpinë e tij më 5 prill ndërsa Sabit Jonuzi bëri një vizitë më 12 prill.

Në aktakuzë po ashtu u tha se dëshmitarit iu kërkua tërheqja e dëshmisë dhe iu ofruan benefite në këmbim.

Vepra në grup, sipas Prokurorisë së Specializuar, u krye nën direktivën e Haxhi Shalës.

Lirimi i Smakës dhe Fazliut
Ndërkaq, në njoftimin e ndarë për Smakajn dhe Fazliun, Gjykata Speciale tha se ata u liruan me kusht. Ata akuzohen për pengim të drejtësisë dhe bëjnë pjesë në një aktakuzë të përbashkët me Hashim Thaçin, Hajredin Kuçin dhe Isni Kilaj.

“Në vendimet e tij të 3 shkurtit 2026, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të Smakajt dhe Fazliut në dhjetor 2025 dhe se mbajtja e tyre në paraburgim nuk ishte më e arsyeshme apo proporcionale. Megjithëse Gjykatësi konstatoi se ende ekzistonte njëfarë rreziku që, në qoftë se lirohen, si Smakaj ashtu edhe Fazliumund të pengojnë ecurinë e procesit, ai arriti në përfundimin se e drejta themelore e tyre për liri peshon më shumë se këto rreziqe”, u tha në njoftim.

Gjykata tha se një arsye e lirimit të tyre është se nëse do llogaritej koha e kaluar në paraburgim e të dyve, atëherë kjo kohë tejkalon “dënimin minimal që do të merrnin sipas ligjit në qoftë se do të shpalleshin fajtorë”.

Gjykatësi mori parasysh gjithashtu se faza e paraqitjes së provave në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit tashmë ka përfunduar dhe se nuk ka gjasa që ndonjë veprim i mundshëm pengimi i tentuar nga z. Smakaj ose z. Fazliu të mos zbulohet”, u tha në njoftim.

Specialja tha se nuk ka rrezik që Fazliu dhe Smakaj të arratisen, pasi kanë ofruar dorëzani dhe do të humbnin këtë shumë financiare nëse do të arratiseshin.

Megjithatë, të dy mbeten të akuzuar për pengim të drejtësisë – gjykimi ndaj të cilëve do të nisë më vonë gjatë shkurtit – dhe lirimi është bërë nën një sërë kushtesh.

Për çfarë akuzohen Thaçi, Kilaj, Smakaj Fazliu dhe Kuçi?

Aktakuza e re kundër Thaçit dhe katër personave të tjerë, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut – u konfirmua më 29 nëntor, ndërsa u bë publike më 7 dhjetor.

Thaçi – i cili është duke u gjykuar nga kjo gjykatë në një rast të ndarë kundër ish-eprorëve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.

“Së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”, thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës./rel

Viktor Ferraj, skulptori i dy kohëve rrëfehet në ‘Pas Mesnatë’: Dashuria për portretin më çoi drejt skulpturës

By: xhir jeta
10 February 2026 at 14:34

“Dashuria për portretin më çoi drejt skulpturës” – kështu e përkufizon Viktor Ferraj, në një rrëfim në Pas Mesnatë fillesën e rrugëtimit të tij artistik, një udhë që nis nga vizatimi dhe piktura, për t’u mishëruar më pas në vëllim, formë dhe materie. Për të, portreti nuk ishte vetëm paraqitje fizike, por një kërkim i thellë i njeriut, i karakterit dhe i brendësisë shpirtërore.

Liceu Artistik mbetet një moment i veçantë në formimin e tij. “Ishim më të lirë”, kujton Ferraj, duke nënvizuar një klimë krijuese që, pavarësisht kufizimeve të kohës, i lejonte eksperimentimin. Ai skiconte në mënyrë abstrakte dhe gjeometrike, qasje që jo gjithmonë u mirëprit dhe shpesh u kritikua në lice. Megjithatë, kjo frymë kërkuese do të bëhej më vonë pjesë thelbësore e gjuhës së tij artistike.

Një kapitull më vete ishte realizimi i nudove, shpesh në mënyrë “underground”. “Ishte e vështirë të gjeje modele, por ia dolëm”, thotë ai. Vështirësitë nuk kanë ndryshuar shumë as sot: mungesa e modeleve dhe problemi i pagesës mbeten pengesa serioze. “Modelet mitike janë të rralla, ndërsa pagesa e tyre është qesharake”, shprehet Ferraj..

Rruga drejt artit europian nisi si një ëndërr e madhe. “U nisëm ta preknim ëndrrën europiane nga bulevardi për në Durrës”, rrëfen ai. Udhëtimi më i vështirë i jetës së tij ishte ai i viteve ’90, një udhëtim 11-orësh me anijen, i mbushur me pasiguri, shpresë dhe ankth. Këtë përvojë ai e jetësoi më vonë në pikturë, duke e kthyer udhëtimin fizik në një udhëtim simbolik drejt artit europian.

Pavarësisht vështirësive, Ferraj nuk hoqi dorë nga piktura dhe arti. Përkundrazi, këmbëngulja e çoi drejt ekspozimeve edhe në Itali, duke dëshmuar se arti i tij arrin të komunikojë përtej kufijve.

Në krijimtarinë e tij zë vend edhe një cikël i veçantë, i ndarë në 12 pjesë, i lindur nga një fiksim personal me numerologjinë. “Portretet i kisha të ndara në 12 pjesë të rëndësishme”, shpjegon ai, duke ndërtuar një strukturë ku çdo fragment mbart kuptim, ritëm dhe simbolikë.

Qëllimi i Viktor Ferrajit mbetet i qartë: të përcjellë mesazhe filozofike dhe jetësore përmes skulpturës. Vepra e tij nuk synon vetëm syrin, por edhe mendimin, duke e ftuar shikuesin në reflektim mbi njeriun, kohën dhe përvojën njerëzore./abcnews.al

Burgjet mes sigurisë formale dhe mungesës së transparencës, Niazi Jaho: Rehabilitimi nuk mund të mbetet vetëm në letër

By: xhir jeta
10 February 2026 at 14:06

Problematikat e sigurisë, transparencës dhe rehabilitimit në sistemin penitenciar shqiptar rikthehen vazhdimisht në vëmendjen e opinionit publik, zakonisht përmes ngjarjeve të rënda apo skandaleve që zbulojnë dobësi strukturore.

Në këtë intervistë, juristi Niazi Jaho ndalet te funksionimi i burgjeve, përgjegjësitë e administratës, boshllëqet ligjore dhe mungesa e transparencës institucionale, duke ofruar një lexim kritik të gjendjes aktuale dhe të standardeve që Shqipëria është e detyruar të zbatojë.

– Z. Jaho, herë pas here informohet publiku se në burgjet tona futen sende të ndaluara si p.sh. celularë, drogë, etj. A tregon kjo se niveli i sigurisë nuk është ai që kërkohet.

– Sigurisht që po, sidomos kur raste të tilla ndodhin shpesh. Ligji është i qartë. Shkeljet janë evidente: mungesë kontrolli, kontrolle të përcipta, korrupsion.

– Flagrante ishte ngjarja e Durrësit që u aratis i paraburgosuri A.N me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Kjo ngjarje u transmetua nga TV-të. Njerëzit u shqetësuan jo thjesht për rrezikshmërinë e këtij personi, por sidomos për faktin se mënyra e arratisjes tregonte haptazi implikimin e vet personelit të burgjeve me pasoja të rënda për sigurinë. Në fakt për rastin u morën disa masa të shpejta. A mendoni se ato do të jenë të efektshme?

– Në një rast të tillë natyrisht që duheshin marrë masa të shpejta: procedime penale, ndëshkime administrative, etj. Hetimi do të konkretizojë si u organizua kjo arratisje në mes të ditës.

Por unë jam i prirur ta shikoj çështjen në një aspekt tjetër. Konkretisht: mos vallë ka boshllëqe në ligjin dhe aktet nënligjore lidhur me rekrutimin (marrjen në punë) të personelit të burgjeve, ose mos vallë testimi nuk është rigoroz, është disi formal me justifikimin se duhet “të plotësojmë organikën”. Nëse ka ndodhur kështu, pasojat e dëmshme vërtetohen në praktikë. Pastërtia e figurës (integriteti) dhe aftësia profesionale janë kritere përcaktuese në zbatimin rigoroz të ligjit.

Në nenin 30 dhe 31 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” bëhet fjalë për detyrat e personelit të institucionit (burgut) si dhe për përgjegjësitë e Policisë së burgjeve. Megjithkëtë, kam mendimin se këto dispozita ka vend të rishikohen. Veç kësaj, mendoj se duhet të rishikohen rregullat (kriteret) për rekrutimin në burgje. Nxitje për këtë sugjerim u bë njohja me masat (normat) minimale që duhen zbatuar në burgjet dhe që janë miratuar nga OKB-ja. Këto norma janë të detyrueshme për zbatim. Në paragrafin 14 të këtij dokumenti të titulluar “çështje të kualifikimit” veç të tjerave, thuhet se kualifikimi duhet të përfshijë të paktën këto fusha: njohuri mbi të drejtat kushtetuese, të drejtën penale, dhe të procedurës penale, dispozitat që zbatohen në burgje, rregullat standart minimum të OKB-së, të drejtat e njeriut, njohuri mbi kriminologjinë, njohuri për parandalimin e vetëvrasjeve, si duhet vepruar për të burgosurit e dhunshëm, kur duhet përdorur forcë përfshirë vetëmbrojtjen, njohuri në fushën e psikologjisë, trajtimin e përdoruesve të drogës, etj (shih faqen 152-153 të Librit “Si ti bëjmë normat të zbatueshme”, botim i vitti 1995).

– Tërheq vëmendjen fakti se opinioni publik informohet kryesisht për ngjarje apo incidente të ndryshme, korrupsionin në burgje dhe procedimin penal të disa personave, për lëvizjet e shpeshta të drejtorëve, etj. Sipas jush përse ndodh kjo, përse transparenca është relativisht e dobët?

– Kjo është pyetje e rëndësishme dhe aktuale. Do të shpreh disa mendime edhe pse mund të jenë të diskutueshme. Së pari, mendoj se ky është problem që ka të bëjë me transparencën. Publiku i gjerë nuk di çfarë ndodh në burgje. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk zbaton pikën 7 të nenit 26 të ligjit nr. 81/2020 ku thuhet se ajo “duhet të informojë në mënyrë të vazhdueshme publikun për veprimtarinë e saj, në mnëyrë që të kuptohet më mirë roli i sistemit të burgjeve në trajtimin e të burgosurve”.

Së dyti: Ekziston koncepti i fshehtësisë. Në paragrafin 22 të manualit që përmendëm më lart thuhet se: “Ka një prirje që të burgosurit të konceptohen si qënie që kanë bërë mëkate dhe që duhet të hidhen në qeli të zymtë për një periudhë të konsiderueshme kohe”.

Së treti: Megjithse media ka për mision të marrë informacion dhe t’ja transmetojë atë publikut, ajo, kufizohet kryesisht me informacionin për incidentet, korrupsionin, futjen e sendeve të ndaluara, procedimet penale, etj. Përse media nuk kërkon informacion si punohet për rehabilimtin e të burgosurve, për të drejtat që ata kanë, si trajtohen të miturit, etj?

– A ka mbipopullim në burgjet tona?

– Këtë nuk e di. Nuk disponoj të dhëna. Por mund të them se nuk do të kishte mbbipopullim nëse do të siguroheshin standartet e përcaktuara në ligj, që kubatura e qelisë (dhomës) të jetë jo më pak se 9m3 dhe sipërfaqja e banimit jo më pak se 4m2 për çdo të burgosur, dritare që mundësojnë ajrim të mjaftueshëm dhe ndriçim natyral normal për të lexuar dhe punuar, ndërsa në regjimin e posaçëm duhet që ato të jenë jo më pak se 6m2 dhe kubatura jo më pak se 9m3.

Në periudha të caktuara dhe në raste të veçanta, mund të krijohet përkohësisht mbipopullimi. Ai mund të bëhet shqetësues kur është i vazhdueshëm dhe që mund të diskutohet trajtimi çnjerëzor dhe degradues (Neni 3 i KEDNJ). Gjykata e Strasburgut kur ka trajtuar çështje të tilla, nuk i ka justifikuar pretendimet se mbipopullimi është shkaktuar për mungesë fondesh.

– Sipas jush cila është detyra kryesore e administratës së burgjeve?

– Rehabilitimi i të burgosurve, trajtimi me dinjitet i tyre, respektimi i të drejtave dhe lirive që u garanton ligji, parandalimi i sjelljeve ose trajtimit mizor, çnjerëzor, poshtërues apo degradues. Të miturit dhe gratë duhen trajtuar në mënyrë të veçantë. Të respektohet e drejta e ankimit dhe mos teprohet me masa ndëshkimore.

Rehabilitimi synon riintegrimin (riasocimin) në shoqëri (mbas lirimit). Pregatitja për integrim, sipas nenit 12 të ligjit fillon me paraburgimin, vazhdon gjatë kryerjes së dënimit si dhe pas lirimit.

– Ç’farë thuhet në ligje për regjimin e posaçëm?

– Ky regjim zbatohet në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë. Ai zbatohet ndaj personave me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, pjesëmarrës në grup të strukturuar kriminal, banda të armatosura, organizatë terroriste ose për vepra me qëllime terroriste. Ata që vendosen në këtë rregjim, kanë disa kufizime në krahasim me të tjerët. E megjithkëtë edhe këta kanë të drejtën e ankimit.

– Lidhur me takimet me të burgosur ka patur disa ankesa. Pretendohet se u kufizohet ose u mohoet kjo e drejtë. Ç’thuhet në ligje për këtë?

– Në nenin 49 të ligjit për takimet, vizitat, korrespondencat dhe informacionet në rastet e të paraburgosurve “merret miratimi paraprak me shkrim i prokurorit”. Të paraburgosurit kanë të drejtë të komunikojnë me median, me përjashtim të rasteve kur ka shkaqe të arësyeshme që përligjen dhe që kanë të bëjnë “me ruajtjen e sigurisë brenda institucionit…”. Për hyrjen e mediave në institucion në rastin e të paraburgosurve merret miratimi paraprak me shkrim i prokurorit.

Përsa i përket hyrjes në institucion të disa personave siç janë p.sh. Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, etj, nuk është e nevojshme marrja e autorizimit.

– Po përfaqësuesit e BE-së a mund të hyjnë në këto institucione pa autorizim?

– Në nenin 51 të ligjit nr. 81/2020 thuhet: “Të drejtën të hyjnë pa autorizim në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, e kanë edhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, në kuadër të angazhimeve të marra përsipër nga Republika e Shqipërisë gjatë kryerjes së vizitave monitoruese”.

– Më sipër u trajtua çështja e riasocimit që do të thotë lirimi i të burgosurve kur u mbaron koha e vuajtjes së dënimit. Në këto raste administrata e burgjeve a ka ndonjë detyrim ligjor?

– Për këtë çështje bëhet fjalë në nenin 59 të Ligjit. Midis të tjerave në pikën 3 të këtij neni thuhet: “Për të mbështetur procesin e riintegrimit të të liruarit, në rastet kur rezulton se ai do të përballet me vështirësi pas daljes nga institucioni, njoftohet njësia përkatëse e vetqeverisjes vendore e vendbanimit të tij për të mundësuar asistencë të mëtejshme.” Për të miturit dhe gratë pregatitet një plan i veçantë, ndërsa në pikën 6 të këtij neni thuhet: “Gjykata që ka dhënë vendimin, prokurori që ka udhëruar ekzekutimin e vendimit, ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike dhe policia e shtetit njoftohen mënjëherë për të dënuarin e liruar”.

– A është i mjaftueshëm ky detyrim ligjor dhe a ndiqet situata, veprimet që ndermerren, ndihmesa që u jepet të liruarve. Kështu p.sh. brenda 3 ose 5 vjetëve mund të jenë liruar 2000 persona. Ç’farë pune është bërë me ta, a janë sistemuar në punë ose jo, a janë strehuar, etj?

– Nuk ka ndonjë informacion për këtë. Siç përmendëm edhe më sipër ngarkohen disa institucione, por nuk është kryer ndonjë monitorim ose të jetë bërë ndonjë analizë. Kam përshtypjen se për këtë nuk ka patur interes. Në fakt, përmbajtja e nenit 59 të ligjit ka qenë vetëm një orientim apo “detyrim formal” i disa institucioneve. Prandaj do të sugjeroja që ky problem të shqyrtohet për të realizuar synimin. Ekziston mundësia (rreziku) që nëse ato që përmenden në nenin 59 të ligjit, nuk shoqërohen me ndjekjen dhe zbatimin e tyre në praktikë një pjesë e të liruarve mund të kthehen përsëri në burg, për arsye nga më të ndryshmet siç mund të jenë: kryerja e veprave penale, përfshirja në grupe kriminale, etj.

Lidhur me këtë çështje do të sugjeroja që ky problem të vlerësohej seriozisht, të analizohej gjendja për një periudhë 3 ose 5 vjeçare. Kam parasysh se së shpejti sipas amnistisë penale që do të miratohet mund të lirohen rreth 500 të dënuar.

Intervistoi: Zylyftar Bregu

Macron: Europa të zgjohet! Presidenti francez: Trump do shpërbërjen e BE

By: xhir jeta
10 February 2026 at 12:32

Europa duhet të përgatitet për momente të tjera armiqësore me Shtetet e Bashkuara, të cilat janë hapur antieuropiane.

Kjo ishte deklarata e presidentit francez Emmanuel Macron për disa media europiane, i cili theksoi se administrata e Donald Trump kërkon shpërbërjen e Bashkimit europian.

“Administrata Trump është hapur anti-evropiane dhe po kërkon shpërbërjen e Bashkimit Europian. Është koha për t’u zgjuar, është koha për të dalë nga një gjendje papjekurie.” tha Macron.

Macron parashikoi tensione të mëtejshme në një kohë kur marrëdhëniet mes bllokut dhe aleatit përtej oqeanit, kanë rënë në një moment qetësie.

Lideri francez theksoi se Bashkimi Europian nuk duhet ta ngatërrojë këtë qetësi, me një ndryshim të qëndrueshëm pavarësisht një pauze në kërcënimet e amerikane ndaj Groenlandës, tregtisë dhe teknologjisë.

Macron theksoi se kërcënimet ndaj ishullit gjysmë autonom danez duhet të shërbejnë si një thirrje zgjimi për të çuar përpara reformat e vonuara prej kohësh për të forcuar fuqinë globale të bllokut.

“Kur ka një akt të qartë agresioni, mendoj se ajo që duhet të bëjmë është të mos përulemi ose të përpiqemi të arrijmë një zgjidhje. E kemi provuar këtë strategji për muaj të tërë. Nuk po funksionon.”tha Macron.

Macron u kërkoi udhëheqësve të unionit të përdorin një samit në një kështjellë belge këtë javë për të injektuar energji të re në reformat ekonomike për të forcuar aftësinë e bllokut për t’u përballur me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara në skenën botërore.

Mbrojtësi i viktimave: Lufta e UÇK-së do të çonte në humbje jetësh, ishte e pashmangshme

By: xhir jeta
10 February 2026 at 12:30

Në fjalët përfundimtare në gjyqin e madh ndaj sish-krerëve të UÇK-së, deklaratat përmbyllëse është duke i dhënë edhe mbrojtës i viktimave, Sajmon Loz.

Ai tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pashmangshëm do të çonte në humbje jetësh, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa ai, po ashtu shtroi një sërë pyetjesh, që sipas tij, duhet të iu bëhen viktimave.

“Ka njerëz që zgjohen sot me dhimbje në trupin e tyre, dhe në mungesë të njerëzve. Nuk është ekzagjerim kur thuhet se këto krime kanë lënë plagë të pashërueshme. Lufta e UÇK-së do të çonte në humbje jetësh. Shumë prej viktimave kanë mbështetur UÇK-në. Ishte e pashmangshme që do humbnin jetë njerëzisht, por a ishte e pashmangshme që kjo luftë që të çonte në mizori?

A ishte e pashmangshme që një luftë çlirimtare të çonte në humbjen e lirisë për një numër kaq të madh njerëzish? Këto ngjarje a e kanë pasur burimin në trurin që donin ta merrnin pushtetin, apo thjesht spontante? “, ishin pyetjet dhe deklarimi i Loz.

Before yesterdayMain stream

Osmani: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, kjo s’ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë

By: xhir jeta
9 February 2026 at 16:12

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me kërkesën e Prokurorisë në Hagë për t’i dënuar secilin nga ish-krerët e UÇK-së me nga 45 vjet burgim. Në një postim në Facebook, e para e vendit thotë se çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë.

Ajo shtoi se Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi, derisa tha se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër.

“Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, ka shkruar Osmani.

Ndër të tjera, ajo shtoi se Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës, ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme”.

BE: Me arrestimin e shtetasve të Kosovës, Serbia po shkel marrëveshjen e vitit 2015

By: xhir jeta
9 February 2026 at 14:29

Bashkimi Evropian tha se arrestimi i fundit nga Serbia i një veterani të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është “një shkelje tjetër” e obligimeve të Serbisë të Marrëveshjes për dialogun dhe drejtësinë të vitit 2015.

“Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia është zotuar që të mos iniciojë hetime penale apo ndjeje penale për krimet që pretendohet se janë kryer në Kosovë, përveç nëse një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet e Kosovës. Juridiksioni mbi pretendimet për krime të luftës dhe vepra të tjera serioze bie mbi institucionet e Kosovës. I bëjmë thirrje Serbisë që të respektojë zotimet e saj”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Më 5 shkurt, autoritetet e Serbisë arrestuan Mitehat Llozhanin me të hyrë në terrorin serb nga kufiri me Kroacinë. Ai, sipas autoriteteve, në Beograd dyshohet për krime kundër popullatës civile.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me këtë rast. Sipas Serbisë, i arrestuari dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 “pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave”. Në njoftim thuhet po ashtu se “si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve”.

Por, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se i arrestuari ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

Nënkryetari i kësaj organizate të veteranëve, Gazmend Syla, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Llozhanit iu gjet kartela e veteranit në xhep gjatë kontrollit nga autoritetet serbe. Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.

“Drejtësi, jo politikë”/ Prokuroria kërkoi 45 vite burg për të atin, reagon djali i Hashim Thaçit

By: xhir jeta
9 February 2026 at 13:35

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje publike për marsh, përmes një postimi në rrjetet sociale, në kohën kur në Hagë ka nisur faza përfundimtare e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në postimin e tij, Thaçi ka shpërndarë një poster me mbishkrimin “Drejtësi, jo politikë”, duke ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 17 shkurt, në ora 14:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Në poster po ashtu theksohet slogani “Liria ka emër”, si dhe simboli i UÇK-së. Thirrja për t’iu bashkuar marshit vjen pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, e cila ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh burg për secilin nga ish-udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Marshi pritet të mbahet në Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe sipas organizatorëve synon të kërkojë drejtësi dhe të kundërshtojë, siç thuhet, politizimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Film aksion? … JO! / Të shtëna e shpërthim drejt furgonit me para në Lecce të Italisë

By: xhir jeta
9 February 2026 at 12:48

Terror dhe frikë këtë mëngjes në autostradën që lidh Brindisin me Leçen, pranë Turanos. E gjitha ngjason me një skenë filmash aksion, por në fakt është një skenë reale.

Në furgon i blinduar, u bë objektiv i grabitje spektakolare, ku Shoferët u përballën me një sulm ndaj një furgoni të blinduar në pronësi të BTV Battistoli. Banditët fillimisht bllokuan rrugën dhe i vunë flakën automjetit, i cili më pas shpërtheu.

Sipas raportimeve, një njësi komando prej të paktën katër personash të armatosur me Khalashnikovë mbërritën në vendngjarje me një makinë me drita që ndizeshin, duke u paraqitur si oficerë eskorte.

Ata fillimisht i vunë flakën një kamioni, duke bllokuar rrugën për në furgonin e blinduar, i cili u detyrua të ndalonte. Më pas, ndodhi një shpërthim. Gjatë sulmit u dëgjan edhe të shtëna. Sulmuesit lanë një SUV të bardhë në vendngjarje dhe, sipas raportimeve, ikën me automjete të tjera.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by ABC News Albania (@abcnewsal)

Erion Veliaj kalon për gjykim/ GJKKO vendos që procesi të kalojë për gjykim në themel

By: xhir jeta
9 February 2026 at 12:28

Gjykata e Posacme ka vendosur kalimin për gjykim në themel të dosjes në ngarkim të Erion Veliajt. Vetë Veliaj mungoi ne seancë, dhe e pranishme ka qënë vetem avokatja kryesisht Valentina Teodoresku.

Më datë 10 shkurt 2025, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shoqërua prej ambjenteve të zyrës së tij dhe u ndalua, bazuar në masën e masa e sigurimit “arrest në burg” që ishte caktuar një ditë më parë, pasi akuzohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për stilin e jetesës dhe blerje luksoze në internet. Veliaj dhe Xoxa i mohojnë akuzat./abcnewsa.al

Kryeprokurorja e Hagës: Dëshmitarët ndërkombëtarë nuk ofruan prova të mjaftueshme

By: xhir jeta
9 February 2026 at 11:50

Në fjalën e saj hyrëse në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeprokurorja e Hagës, Kimberly West, nënvizoi se krimet për të cilat akuzohen janë kryer dhe se ata mbajnë përgjegjësi ligjore për to.

West gjithashtu theksoi se Gjykata ka dëgjuar dëshmi nga disa dëshmitarë të mbrojtjes, të cilët janë ndërkombëtarë dhe kanë qenë të përfshirë në përpjekje për të sjellë paqe dhe administrim të Kosovës.

“Këto krime janë kryer, dhe se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi ligjore për to. Gjykata gjithashtu ka dëgjuar dëshmi drejtpërdrejtë nga disa dëshmitarë të mbrojtjes, shtatë dëshmiratë të mbrojtjes, të gjithë ndërkombëtarë, të cilët ishin të përfshirë në përpjekje për të sjellë paqe dhe administrim të Kosovës dhe që duhet të përgëzohen për përpjekjet e tyre”, tha ajo.

Kryeprokurorja foli për, siç tha ajo, kufizimet e këtyre dëshmive në kontekstin e vendimeve të Gjykatës.

“Por, ndërkohë që përfshirja e tyre në këtë çështje, konstatimet e kufizuara të tyre kanë vlerë për këtë Gjykatë, puna e kësaj Gjykate është tërësisht e ndryshme”.

“Për pjesën dërmuese, shtatë ndërkombëtarët janë hedhur në një situatë me pak informacion lidhur me aktorët kryesorë, të përfshirë, nuk e kanë folur gjuhën, kanë ndërvepruar ballë për ballë më aktorët kryesorë vetëm për pak herë dhe thuajse nuk kanë parë asnjëherë rregullore, urdhëra dhe komunikata të UÇK-së dhe nuk ishin fare të njohur në strukturën e UÇK-së”, tha ajo.

West shtoi se informacioni i kufizuar i dëshmitarëve mund të ketë qenë i mjaftueshëm për punën e tyre të përditshme, por se sipas saj, nuk është i përshtatshëm për të nxjerrë përfundime të sakta juridike.

“Për kontekstin e punës së tyre konkrete, kjo shtresë e paktë informacioni mund të ketë qenë mjaftueshmë, por është absolutisht jo e përshtatshme për të nxjerrë fakte dhe për gjetjen e fakteve të sakta nga kjo Gjykatë”, tha kryeprokurorja./Klankosova.tv

Norvegjia nuk zhgënjen/ Skandinavët i nisin me kryesim Lojrat Olimpike në Itali

By: xhir jeta
9 February 2026 at 11:46

Rivalët janë aty, por ata duan të respektojnë parashikimet. Përfaqësuesit e Norvegjisë nuk kanë zhgënjyer aspak në ditët e para të Lojrave Olimpike Dimërore në Itali, duke fituar medaljet radhazi.

I shkëlqyer ishte Sander Eitrem, që fitoi medaljen e artë në 5000 metra skijim në akull, duke mposhtur kundërshtarët, e duke vendosur një rekord të ri olimpik.

Kampioni 23-vjeçar e uli rekordin e mëparshëm me 3 sekonda dhe dha kohën 6’03”95. E vetmja notë negative ishte që nuk mundi dot vetveten, pasi nuk arriti dot rekordin botëror me 5’58”52.

Pas norvegjezit mbërritën çeku Jilek që mori argjendin dhe italiani Lorelo, që fitoi bronzin. Për femra, ishte Ana Odinë Strëm që I dha Norvegjisë një tjetër medalje ari, në kërcim me ski nga trampolina.

Ajo pati kërcimin e kombinuar me 267.3 pikë duke shkaktuar një të papritur të madhe, sepse mundi favoriten nga Sllovenia, Nika Prevc, që mbeti më shumë se 1 pikë prapa.

Nordikët fituan të artën edhe me veteranin Johanes Hësflot Klebo. Ai triumfoi në garën e skive nordike, apo siç njihet ndryshe kros-kauntri, apo krosi me ski në distancë 20 kilometra.

Në një garë tepër sfiduese, Klebo 29-vjeçar, la prapa francezin Delozh dhe patriotin e tij norvegjez, Nienget. Kjo ishte medalja e gjashtë e artë olimpike për Klebon, që ka fituar edhe 15 medalje të arta në kampionatet botërore, duke qenë skiatori me më shumë suksese në histori.

Norvegjia ka fituar edhe medalje argjendi në garën e shpejtësisë në akull 3000 metra, dhe bronz në garën e skive nordike 20 km për femra./abcnews.al

William dhe Catherine: Thellësisht të shqetësuar për zbulimet e Epstein

By: xhir jeta
9 February 2026 at 10:51

Princi dhe Princesha e Uellsit kanë qenë “thellësisht të shqetësuar” nga raundi i fundit i zbulimeve rreth Jeffrey Epstein, tha një zëdhënës i Pallatit Kensington.

Në deklaratën e tyre të parë publike mbi këtë çështje, një zëdhënës mbretëror tha se Princi William dhe Princesha Catherine ishin “të përqendruar te viktimat” në dritën e informacionit të ri të përfshirë në dokumentet që lidhen me abuzuesin e ndjerë seksual të publikuar në SHBA.

Andrew Mountbatten-Windsor është ndër ata që janë nën shqyrtim të ri për lidhjet e tyre të kaluara me Epstein. Një zëdhënës i Pallatit Kensington tha: “Mund të konfirmoj se Princi dhe Princesha janë shqetësuar thellësisht nga zbulimet e vazhdueshme.

“Mendimet e tyre mbeten të përqendruara te viktimat.” Javën e kaluar Mountbatten-Windsor u largua nga shtëpia e tij në Windsor përpara afatit mes lajmeve për lidhje me marrëdhënien e tij me Epstein.

Mountbatten-Windsor kishte një miqësi të gjatë me Epstein dhe mbajti kontakt me financierin amerikan pas dënimit të tij për një vepër penale seksuale me fëmijë në vitin 2008. Ai më parë ka kërkuar falje për lidhjet e tij të kaluara me Epstein, por ka mohuar me forcë çdo keqbërje./abcnews.al

❌
❌