Policia e Kosovës ka iniciuar raste për “Falsifikim të parasë” dhe “Posedim të paautorizuar të narkotikëve” pas një incidenti të raportuar më 6 shkurt rreth orës 19:30, në fshatin Prelez i Jerlive, në Ferizaj.
Sipas njoftimit zyrtar, në një pompë të derivateve është dyshuar përdorimi i një kartëmonedhe të falsifikuar prej 20 eurosh. Patrulla policore ka identifikuar tre persona të dyshuar: Sh. V. (27), shtetas i Kosovës, si dhe dy shtetas palestinezë, N. Z. (30) dhe M. O. (28). Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar kartëmonedhën e dyshuar, një sasi të vogël substance narkotike dhe dy mulli.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, janë iniciuar procedurat penale, ndërsa dy shtetasit e huaj janë ndaluar për 48 orë. I dyshuari kosovar është liruar pas intervistimit.
Më 7 shkurt 2026, gjatë vazhdimit të hetimeve, policia ka identifikuar banesën me qira të të dyshuarve në Ferizaj, ku janë gjetur dhe sekuestruar dokumente identifikimi të shteteve të ndryshme. Po ashtu, është konstatuar se njëri nga të dyshuarit, M. O., ishte subjekt i një urdhërarresti ndërkombëtar.
Gjatë veprimeve hetimore është identifikuar edhe një e mitur kosovare, A. T. (17), e cila shoqëronte të dyshuarin. Në kontrollin e banesës së saj në Kaçanik janë gjetur 39 kartëmonedha prej 50 dollarësh amerikanë të dyshuara si të falsifikuara, një sasi e vogël narkotikësh dhe dokumente të huaja. Sipas policisë, substanca narkotike i përkiste E. D. (19).
Të gjitha veprimet janë zhvilluar në koordinim me Njësitin e Hetimeve të Kufirit dhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj. E mitura është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës, ndërsa ajo dhe E. D. janë liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar. /Telegrafi/
Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është në kilometrin e fundit, dhe pak hapa kanë mbetur deri te vendimi i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë, për akuzat ndaj tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.
Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.
Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Në fillim të javës së ardhshme pritet të nisin deklaratat përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Mbrojtësit të Viktimave dhe të ekipeve mbrojtëse të ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit të asaj që njihet si Gjykata Speciale, në Holandë, që nga nëntori i vitit 2020.
Çfarë ka ndodhur deri më tani?
Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Pastaj nisi procedura paraprake, kur u mbajtën një sërë konferencash statusore, e u prezantuan materiale dhe prova të ndryshme. Gjykimi nuk filloi deri më 3 prill të 2023-tës.
Për tri ditë rresht, palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse. Fillimisht, prokurorët dhe mbrojtësit e viktimave.
Prokurorët e specializuar njoftuan se do të paraqisnin dëshmi se të akuzuarit ishin anëtarë të asaj që e konsiderojnë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, që gjoja kishte shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së. Në deklaratat hyrëse, ata thanë se ajo kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”.
Në fjalimin e tij hapës në nisje të gjykimit, prokurori i specializuar, Alex Whiting, deklaroi se “shumica e viktimave të të pandehurve ishin bashkëkombës shqiptarë të Kosovës”.
“Në zellin e tyre për të goditur dhe eliminuar ata që i konsideronin kundërshtarë, të pandehurit mbështetën dhe zbatuan një politikë që shpesh i viktimizonte edhe të vetët e tyre”, tha Whiting.
Ndërkaq, përmes deklaratave të tyre hyrëse, për dy ditë me radhë, duke nisur nga 4 prilli i vitit 2023, ekipet mbrojtëse argumentuan se UÇK-ja s’kishte një komandë fikse, duke hedhur poshtë akuzën se ata ishin pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, siç pretendon Prokuroria.
Në seancën e 4 prillit, u deklarua edhe vetë Thaçi. Ai tha se është vërtetuar se UÇK-ja nuk ka kryer veprën e trafikimit të organeve, akuzë që ishte bërë nga ish-senatori zviceran, Dick Marty, që u konkretizua në një raport të Këshillit të Evropës më 2011. Pikërisht ky raport shërbeu si pikënisje për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, me seli në Hagë.
“Bota tani e di sot, si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët, jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë, dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ia ka vlejtur”, u shpreh Thaçi.
Që nga prilli i vitit 2023, e deri në dhjetorin e vitit 2025, palët paraqitën prova e thirrën dëshmitarë në gjykatore.
Në rastin ndaj katërshes së UÇK-së vlerësohet se janë 155 viktima pjesëmarrëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar ftoi në gjykatore 125 dëshmitarë, ndërkaq 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim.
Një nga dëshmitarët e Prokurorisë ishte edhe Fadil Geci, i cili në tetor të vitit 2024 dëshmoi në Hagë se “Thaçi ka menduar të na shfarosë”.
“Kjo është e vërteta… me krejt familjen, qëllimi i tij ka qenë të na shfarosë”, shprehej Geci.
Në prill të vitit 2025, Prokuroria e Specializuar përmbylli fazën e prezantimit të dëshmitarëve, ndërkaq më vonë, gjatë atij muaji, e përmbylli paraqitjen e provave, duke prezantuar mijëra prova materiale, që tha se mbështesnin akuzat e saj.
Dy viktima u thirrën në gjykatore nga mbrojtësit e viktimave, ndërkaq shtatë dëshmitarë u ftuan nga ekipet mbrojtëse.
Dëshmitarët e mbrojtjes
Në shtator, ekipet mbrojtëse të Thaçit dhe Krasniqit nisën thirrjen e dëshmitarëve, dhe paraqitjen e provave të tyre. Ekipi i Veselit dhe ai Krasniqit zgjodhën të mos paraqisnin as prova, e as të thërrisnin dëshmitarë.
I pari që doli para gjykatores ishte James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, i cili për tri ditë rresht, në shtatorin e 2025-tës, dëshmoi në mbrojtje të Thaçit. Ai tha se ish-presidenti i Kosovës kishte rol kryesisht politik në UÇK, dhe s’kishte kompetenca për vendime ushtarake, duke shtuar se për çdo vendim të rëndësishëm ai duhej të merrte miratimin e komandantëve të zonave. Rubin dëshmoi se nuk kishte informacione që e lidhnin Thaçin dhe Krasniqin me pretendimet për vrasje.
Në gjykatore u paraqit edhe Christopher Hill, diplomat i pensionuar amerikan, që kishte qenë i dërguar i Uashingtonit gjatë luftës në Kosovë. Edhe ai ishte në të njëjtën linjë se Thaçi nuk ishte përgjegjës në UÇK, duke theksuar se nuk kishte informacione se Thaçi kishte urdhëruar aktivitete të paligjshme.
Ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Cark, ishte dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit. Për dy ditë resht, në nëntorin e 2025-tës, ai dëshmoi për rolin e UÇK-së dhe të Thaçit. Sipas gjeneralit të pensionuar amerikan, Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës në Kosovë.
Njeriu kryesor i fushatës së NATO-s ndaj caqeve serbe dëshmoi se UÇK-ja nuk kishte zinxhir komandues funksional, e as hierarki të plotë, dhe nëse do të kishte diçka të tillë, sipas tij, do të ishte e pamundur që SHBA-ja dhe NATO-ja të mos ishin në dijeni.
Ai i tha trupit gjykues se UÇK-ja nuk ishte terroriste dhe se pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e tyre.
Deklaratat përmbyllëse
Me përmbylljen e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes, gjykimi kaloi në fazën tjetër: Dorëzimi i dosjeve përfundimtare nga palët, deri në fund të janarit.
Ndërkaq, nga 9 deri më 18 shkurt, palët do të mbajnë deklaratat përmbyllëse.
Fillimisht do të ketë radhën Prokuroria, ekipet e mbrojtësve të viktimave, dhe më pas nga 11 shkurti do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve.
Çështja te trupi gjykues
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.
Nga Gjykata në Hagë më herët kanë treguar se gjykatësit mund të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit edhe për dy muaj, dhe në raste të jashtëzakonshme edhe më gjatë.
Teksa ky gjykim po shkon drejt fundit, Thaçi pritet të ketë ende punë me Dhomat e Specializuara, pasi ndaj tij pritet që së shpejti të nisë gjykimi për një rast të ndarë kundër administrimit të drejtësisë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. /REL/
Një person mashkull është gjetur pa shenja jete rreth orës 12:00 në Gjilan. Vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Me vendim të prokurorit kompetent, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, me qëllim të sqarimit të rrethanave të vdekjes.
Rasti është cilësuar si vdekje e dyshimtë dhe mbetet nën hetime nga organet kompetente./Telegrafi/
Ditën e diel vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, megjithatë nuk do të mungojnë kthjellime të herëpashershme kryesisht përgjatë vijës bregdetare e lokalisht në jug gjatë orëve të pasdites.
Nga orët e para të 24-orëshit deri në orët e mëngjesit në pjesën më të madhe të vendit reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në formë shtrëngatash afatshkurtra.
Gjatë ditës reshjet do të vijojnë me intensitet të ulët e lokalisht shtrëngata në veri deri në orët e pasdites. Në zonën e Alpeve dhe relievet e larta malore verilindje- juglindje të vendit reshje dëbore me intensitet kryesisht të ulët
Era do të fryjë verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 4 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 9 m/s. Deti – Valëzimi forcës 1-2 ballë.
Situatë e tensionuar në mes zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe shitësve ilegal ka ndodhur në hapësirat përreth tregut të automjeteve në Prishtinës, pasi shitësit tentojnë ta bllokojnë rrugën si protestë që nuk po u lejohet të shesin asgjë tjetër përveç pjesëve të automjeteve në treg.
Komuna e Prishtinës, përkatësisht Inspektorati i Kryeqytetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe inspektorët e AVUK-ut, që nga ora 05:00 po zhvillojnë një aksion të përbashkët në terren, në lokacionin e tregut të automjeteve dhe në hapësirat përreth.
Arsyeja e këtij aksioni është që të mos bllokohet hapësira publike dhe të mos shiten shpezët ilegalisht.
Shitësit të cilëve nuk po u lejohet të shesin sot në këtë treg që mbahet gjithmonë të dielave, janë ankuar që t’u lejohet të shesin, pasi që kanë ardhur nga qytete të ndryshme.
Ata po qëndrojnë para Policisë së Kosovës si shenjë proteste./KP/
Organizata amerikane për të Drejtat e Njeriut "Human Rights Watch ", 27 vjet më parë publikoi raportin me titull "Java e terrorit në Drenicë" .
Në këtë raport, i cili u publikua më 8 shkurt 1999, përshkruhet se si forcat speciale serbe kah fundi i shtatorit 1998 masakruan 21 civilë në Abri e Epërme, dhe vranë 13 burra në fshatin e afërt Golluboc.
Ekstrakt nga Raporti i Vëzhguesve për të Drejtat e Njeriut - Java e terrorit në Drenicë: Shkeljet e ligjeve humanitare në Kosovë
Luftimet në Abri të Epërme. Kah mesi i Korrikut, 1998, armata jugosllave dhe policia serbe filluan një ofensivë të përgjithshme kundër UÇK-së.
Ajo pothuaj kishte humbur kontrollin, sipas një vlerësimi, në mbi një të tretën e territorit të Kosovës. Ofensiva që shoqërohej nga artileria e rëndë, tanket, forcat ajrore, pati efekt të lartë në detyrimin e forcave të UÇK-së për t'u tërhequr nga shumica e pozicioneve të tyre drejt maleve mes drunjsh.
Dhe në fund të kësaj ofensive, vetëm pak luftëtarë të UÇK-së u vranë apo u zunë rob. Vuajtjet më të mëdha i përjetoi popullata civile shqiptare, që jetonte në zonat e luftimeve. Më shumë se dyqind fshatra janë shkatërruar dhe së pakut 300 mijë njerëz kanë mbetur pa strehë. Shumica e më se 2000 të vrarëve gjatë shtatorit janë civilë.
Rreziku që u kanosej civilëve në Kosovë ishte artikuluar në një qëndrim publik të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq lëshuar në shtator: "Në momentin e tanishëm mbretëron gjendje e rënd dhe e pandryshueshme për disa javë me radhë. Dhjetëra e mijëra civilë janë në rreth të hekurt të sulmeve dhe të zhvendosur nga trojet e veta. Ata i janë ekspozuar dhunës, madje u kërcënohet edhe jeta, shkatërrimi i shtëpive, ndarja nga familjet dhe abduksioni.
Mijëra sish nuk kanë vend ku të strehohen as të kërkojnë vetëmbrojtje..."Nga mesi i shtatorit, presioni ndërkombëtar ndaj Millosheviqit për të ndërprerë këtë ofensivë ishte rritur. Por, tashmë qeveria kishte arritur të shkatërrojë qendrat dhe vendqëndrimet e UÇK-së, duke i shtyrë ata drejt maleve. Veprimet shkatërruese kishin ngelur pambaruar edhe në një zonë të rëndësishme; Drenicën, pjesën qendrore të Kosovës, ku kishin zënë vend luftimet më të shumta mes UÇK-së dhe forcave të qeverisë. Dyshohej se ditët finale të ofensivës ishin kalkuluar me kujdes.
Millosheviq dhe krerët e tij ushtarak e dinin se kishin pak kohë për ta kompletuar objektivin e tyre në Kosovë e pastaj për të manipuluar me një kërkesë për tërheqje rapide të forcave nga Kosova, siç kërkon perëndimi. Fshati Abri e Epërme gjendet në territorin e komunës së Gllogovcit të Drenicës. Fshat i vjetër 500-vjeçar, që kishte rreth 300 shtëpi të ndara në disa komponime (lagje) të mëdha familjare, me fusha dhe drunj në mes tyre, llogaritur edhe lagjen Deliu dhe atë Hysenaj, të cilat zënë vend të posaçëm në këtë raport.
Tri kilometra në veri, në maje të bregut gjendet Likoci, që ishte në shërbim të UÇK-së, por që nga 13 shtatori (1998 - Sh.B) ri-okupohet nga forcat jugosllave. Gjatë muajit shtator, forcat e qeverisë morën një ofensivë në regjionin e Drenicës që kishte për qëllim të dislokojë UÇK-në nga kjo trevë e fuqishme. Policia dhe ushtria sulmuan nga drejtimi i Klinës, në jugperëndim të Gllogovcit, pastaj edhe nga Qyçavica, malet në lindje dhe me efikasitet do t'i rrethojnë forcat e UÇK-së në bregun e Abrisë.
Duke iu referuar Naim Malokut, një komandues i UÇK-së dhe ish-oficer i armatës jugosllave i intervistuar nga "Nju Jork Times", forcat jugosllave hasën në rezistencë të UÇK-së mes Abrisë dhe Likocit... Pas pushtimit të Likocit, forcat e serbe ishin nisur drejt Abrisë. Sipas Zejnije Deliut, që ishte me familjen e saj në Abri, në fillim të ofensivës, forcat e qeverisë filluan të bombardojnë lagjen Deliu nga Likoci që në mëngjes, rreth orës tetë, të premten, më 26 shtator, nga llojet më të ndryshme të artilerisë dhe mortajave. Shumica e banorëve të lagjes ishin strehuar në pyll, për t'u ikur granatimeve.
I vetmi civil që kishte ngelur në Lagje gjatë granatimeve ishte Bashkim Deliu, 21 vjeçar, që duhej të kujdesej për babanë e tij Fazliun, 94 vjeçar dhe invalid. Bashkimi sqaron se sulmet vazhduan sërish të shtunën në mëngjes, pasi në mbrëmjen e së premtes policët sërish ishin kthyer në Likoc. Gjysma e konvojit të tankeve në Likoc, që ishin rreth 68 gjithsej, kishin lëvizur në drejtim të lagjes Deliu.
Ata hidhnin pandërprerë gjyle nga topat e tankeve mbi lagjen tonë. Këmbësorët vinin pas tankeve dhe shumica e tyre kishin mjekra. Unë vazhdoja të qëndroja me babanë tim, që kishte nevojë për ndihmën time, për ujë dhe ushqim. Ishim duke tymosur nga një cigare, kur granata ra në kulm të shtëpisë.
Kërceva jashtë nga kati i dytë i shtëpisë dhe vrapova nëpër oborr. Shikova nga një vrimë e derës së oborrit dhe pashë se në shtëpinë e fqinjit ishin futur ushtarë e paramilitarë. I pashë ushtarët tek vinin drejt shtëpisë sime jo më larg se tridhjetë metra. Kishin uniforma ushtarake ngjyrë kafeje dhe shumë prej tyre kishin thika të mëdha ose sëpata të vogla, përveç armëve të zjarrta. Vazhdova të vrapoj me sa forcë që kisha drejt Badërlakëve (Lagjes fqinje)... Për disa ditë me radhë pastaj forcat jugosllave do të mbajnë nën kontroll Abrinë, duke kryer keqbërjet e cekura në këtë raport. /KP/
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për një rast grabitjeje të ndodhur më 3 shkurt në Prizren, ndërsa i katërti po kërkohet nga organet e rendit.
Sipas njoftimit, me datë 03.02.2026, rreth orës 01:10, Policia ka pranuar një ankesë nga dy viktima (një mashkull dhe një femër) lidhur me një rast të grabitjes. Viktimat kanë deklaruar se tre persona të maskuar dhe të armatosur me thikë dhe pistoleta, duke i kanosur, u kanë marrë një shumë parash që ata kishin me vete.
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka intervistuar viktimat dhe hetuesi kujdestar është konsultuar me Prokurorin e Shtetit, me urdhër të të cilit ka filluar procedimi i rastit.
Pas një pune intensive hetimore nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, janë identifikuar katër persona të dyshuar. Tre prej tyre janë arrestuar, ndërsa i katërti është në arrati.
Sipas njoftimit, i dyshuari Nr.1 është arrestuar pranë një lokali në Prizren, dhe gjatë bastisjes në trupin e tij është gjetur një armë. Në automjetin e tij janë gjetur edhe një armë tjetër, dy maska, doreza dhe rroba që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes. Me një plan taktik të mbështetur nga njësitë tjera, edhe dy të dyshuar të tjerë janë arrestuar në një lokacion tjetër në Prizren.
Po ashtu, me urdhër të Prokurores së rastit, janë realizuar bastisje në shtëpitë e njërit prej të dyshuarve dhe në një lokal, ku janë gjetur prova shtesë.
Dy nga të dyshuarit, në prezencë të avokatëve mbrojtës, kanë pranuar veprën e kryer. Me urdhër të Prokurorit kujdestar, tre të dyshuarit K.K. (20 vjeç), Sh.G. (20 vjeç) dhe L.G. (36 vjeç) janë ndaluar për 48 orë. I dyshuari i katërt, V.S., nuk është hasur në shtëpi dhe aktualisht gjendet në arrati.
Rasti vazhdon të hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve – Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit. /Telegrafi/
Në rastin ku Hashim Thaçi së bashku me Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, mbrojtja e Thaçit ka njoftuar se në fillim të gjykimit, nuk do të japë deklaratë hyrëse.
Këtë njoftim, mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga Sophie Menegon e ka bërë të ditur përmes një parashtrimi të datës 2 shkurt 2026, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Megjithatë, mbrojtja ka njoftuar se e rezervon të drejtën për të dhënë një deklaratë hyrëse pas përfundimit të çështjes nga ana e Prokurorisë dhe para hapjes së çështjes së tyre.
Ndryshe, fillimi i gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smkajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, është caktuar më 27 shkurt 2026.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Në këtë rast, Prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake. Po ashtu, dosjen e tij për këtë fazë të procedurës e ka dorëzuar edhe Fadil Fazliu. /BetimipërDrejtësi/
Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Emilia Rexhepi, e cila vjen nga Partia e Re Demokratike që përfaqëson komunitetin boshnjak, ka thënë se do ta respektojnë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili i jep të drejtë Listës Serbe që ta ketë nënkryetarin e Kuvendit nga komuniteti serb.
Ajo tha se nuk kanë vendosur ende se a do të kenë votë për kandidatët e Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit.
“Unë, si deputete vazhdimisht i respektoj të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Duhet të respektohet Kushtetuta. Tash nuk e di se çfarë qëndrimi si grup do ta kemi, por patjetër, si deputetë, duhet ta respektojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vendimet e Gjykatës”, tha Rexhepi për RTV21.
Rexhepi preferon që sërish procesi i votimit për nënkryetar të Kuvendit të bëhet ndaras.
“Për ne është më mirë të mos shkohet në pako votimi për nënkryetarët e Kuvendit nga komunitetet, por të votohet veç e veç për nënkryetarin nga komuniteti serb dhe për atë nga komunitetet joserbe. Do ta shohim në Parlament, në rendin e ditës, se si do të shkojë situata. Ndarja nga pako është në rregull dhe nuk përbën shkelje kushtetuese, sepse unë e kam vendimin e Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarët nga komunitetet e tjera. Mundemi të votojmë edhe veç e veç.”, tha Rexhepi.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar se do të marrë pjesë në ceremoninë vjetore të Lutjeve të Mëngjesit, e cila zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ku Presidenti Donald Trump pritet të mbajë fjalim kryesor.
Kjo ngjarje, e cila bashkon mijëra pjesëmarrës nga e gjithë bota, përfaqëson një moment të rëndësishëm të unitetit, besimit dhe vlerave të përbashkëta.
Haradinaj ka theksuar se është shumë domethënëse që Kosova të jetë e pranishme në këtë aktivitet, duke riafirmuar miqësinë dhe partneritetin e qëndrueshëm me SHBA-në.
"Është shumë domethënëse që Kosova të përfaqësohet në këtë ngjarje të rëndësishme, duke riafirmuar miqësinë e bekuar dhe partneritetin e qëndrueshëm të vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/
Kryeministri Edi Rama këtë të enjte ka zhvilluar një takim me Papa Leon XIV.
Edhe gjatë këtij takimi Rama ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama dhe djali i tij.
Sipas një deklarate me shkrim nga Vatikani, Papa priti kryeministrin Rama këtë mëngjes në Vatikan.
Më pas u zhvillua një takim në Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë me kardinalin Pietro Parolin dhe Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare (Ministri i Jashtëm), Kryepeshkopin Paul Richard Gallagher.
Në deklaratën e Vatikanit u nda informacioni se "Gjatë diskutimeve të përzemërta, u vu theksi në marrëdhëniet e mira dypalëshe midis dy vendeve, si dhe u trajtuan çështje me interes të përbashkët në lidhje me marrëdhëniet midis kishës dhe shoqërisë civile në vend".
"Takimi u përqendrua gjithashtu në çështjet kryesore rajonale, duke përfshirë situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian" thuhet ndër të tjera deklaratë. /Telegrafi/
Rinia Demokratike e Kosovës (RDK) ka zhvilluar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Ekonomisë, përmes të cilit ka kundërshtuar paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, mungesën e saj si dhe faturat gjithnjë e më të papërballueshme për qytetarët e Kosovës.
Gjatë aksionit, të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës lanë para ministrisë një faturë simbolike të përmasave të mëdha, e cila, sipas tyre, pasqyron realitetin e rëndë të çmimeve të larta dhe jetesës me borxhe të shumë familjeve kosovare.
Në emër të Rinisë Demokratike të Kosovës, para mediave foli kryetari i Degës së RDK-së në Prishtinë, Trim Syla, i cili tha se aksioni është një thirrje për përgjegjësi institucionale dhe ndalje të goditjes ndaj qytetarëve.
“Sot s’kemi ardhë me pankarta. Kemi ardhë me një faturë. Një faturë që po e ngulfatë jetën e qytetarëve çdo muaj,” tha Syla, duke shtuar se “një familje në Kosovë, me 1000 euro të ardhura mujore, ka 1085 euro shpenzime bazike”.
Ai theksoi se kjo faturë përfaqëson modelin e një familjeje të vogël me dy prindër të punësuar, duke vënë në pah vështirësitë e jetesës edhe për familjet me të ardhura më të ulëta.
Sipas Sylës, rritja e çmimit të energjisë elektrike po i shtyn qytetarët drejt varfërisë.
“Rritja prej 21% e çmimit të energjisë elektrike nuk është reformë. Është goditje direkte ndaj familjes. Është shtytje drejt varfërisë,” deklaroi ai.
Syla shtoi se pasojat e rritjes së çmimit të energjisë elektrike po reflektohen edhe në rritjen e çmimeve të produkteve bazike dhe shërbimeve të tjera, ndërkohë që pagat mbesin të njëjta.
“Energjia nuk është luks. Është nevojë bazike,” tha ai, duke theksuar se fatura simbolike do të mbetet para Ministrisë së Ekonomisë deri në marrjen e përgjegjësisë nga institucionet.
Në fund, Rinia Demokratike e Kosovës kërkoi ndaljen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, transparencë në menaxhimin e sektorit energjetik dhe politika publike që mbrojnë qytetarët nga varfëria dhe borxhet./Telegrafi/
Pjesëtarë të Njësisë së Ndërhyrjes së Policisë së Specializuar (NJPS) të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), së bashku me njësi të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, kanë zhvilluar ushtrime të përbashkëta trajnimi për evakuim mjekësor ajror (Air MEDEVAC).
Ushtrimet janë mbajtur më 4 shkurt në Kampin Bondsteel dhe kanë përfshirë trajnime teorike dhe praktike, me qëllim të fuqizimit të bashkërendimit ndërmjet njësive dhe avancimit të gatishmërisë operacionale për reagim në raste emergjente.
Sipas njoftimit të EULEX-it, aktiviteti kishte për synim përgatitjen e pjesëtarëve për situata reale, duke rritur aftësitë për menaxhimin e emergjencave dhe ndërhyrjen e shpejtë përmes evakuimit mjekësor ajror.
EULEX thekson se ushtrime të tilla të përbashkëta kontribuojnë në rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në garantimin e një reagimi efikas dhe të koordinuar në raste të emergjencave në terren. /Telegrafi/
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Emiratet e Bashkuara Arabe, është takuar me gra lidere, me nikoqire Lartmadhërinë e Saj, Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum, Kryetare e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve.
Në një postim, Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e këtij takimi dhe potencialin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
“Një pasdite në shoqërinë e grave lidere, me nikoqire Lartmadhërinë e Saj, Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum, Kryetare e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve", ka shkruar Osmani.
Ajo ka vënë në pah se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe shkojnë përtej miqësisë tradicionale. “Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë më shumë sesa miqësi: kanë hapësirë për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi edhe në kulturë, krijimtari, art dhe inovacion”, ka theksuar Presidentja.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, veçanërisht në fushat e kulturës, artit dhe inovacionit, me fokus të veçantë në rolin e grave lidere në këto procese. /Telegrafi/
INPO ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në tenderin për shërbime me ushqim për Policinë e Kosovës, duke ngritur shqetësime serioze për ligjshmërinë, transparencën dhe integritetin e procesit të prokurimit publik.
“Në vazhdën e monitorimit të tenderit për ushqim për Policinë e Kosovës, INPO reagon ndaj zhvillimeve të fundit që thellojnë shqetësimet për ligjshmërinë, transparencën dhe integritetin e procesit të prokurimit publik", thuhet në komunikatën për media.
Sipas INPO-s, organizata kishte reaguar që në nëntor të vitit të kaluar për problematikat e identifikuara në tenderin e hapur për shërbime ushqimore për Policinë e Kosovës, me vlerë të parashikuar 2.7 milion euro për 36 muaj, i cili u anulua në dhjetor 2025.
“Aktualisht, ligjshmëria e anulimit të këtij tenderi është në shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP)”, theksohet më tej.
INPO bën të ditur se, pavarësisht kësaj, Policia e Kosovës ka lidhur një kontratë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në vlerë prej 650 mijë euro për vetëm tre muaj.
“Pas anulimit të tenderit të hapur dhe derisa çështja është ende në shqyrtim në OShP, Policia e Kosovës ka lidhur një kontratë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në vlerë 650 mijë euro për vetëm 3 muaj, për të njëjtin objekt kontrate dhe për të njëjtat nevoja të parashikueshme”, thuhet në njoftim.
Sipas INPO-s, kjo procedurë ka pasoja të drejtpërdrejta financiare për buxhetin publik.
“Kontrata e negociuar i kushton Policisë së Kosovës rreth 216 mijë euro në muaj, ndërkohë që tenderi i hapur i planifikuar për 36 muaj parashihte një kosto mesatare prej rreth 75 mijë euro në muaj”, thekson organizata, duke shtuar se “procedura e negociuar rezulton të jetë gati trefish më e shtrenjtë në baza mujore sesa një procedurë e rregullt konkurruese”.
INPO shpreh shqetësim të veçantë edhe për operatorin ekonomik të përzgjedhur.
“Edhe më shqetësues është fakti se kjo kontratë e negociuar është lidhur pikërisht me operatorin ekonomik që në procedurën e hapur ishte shpallur i papërgjegjshëm,” thuhet në komunikatë, duke vlerësuar se ky kontrast “minon besueshmërinë e vlerësimit institucional dhe krijon dyshime të bazuara për trajtim selektiv dhe favorizim”.
Organizata vlerëson se rreziku që kontratat e negociuara të kthehen në praktikë është real. “Kjo krijon një rrezik real që kontrata e negociuar të mos mbetet përjashtim i përkohshëm, por të shndërrohet në praktikë të përsëritur", paralajmëron INPO.
Në fund, INPO thekson se do të vazhdojë të ndjekë rastin.
“INPO do të vazhdojë monitorimin e kësaj procedure dhe do t’i adresojë gjetjet e saj tek institucionet mbikëqyrëse dhe ato të zbatimit të ligjit, me qëllim të mbrojtjes së interesit publik, parasë publike dhe integritetit të prokurimit publik", thuhet mes tjerash në komunikatë. /Telegrafi/
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim përfaqësuesin e posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzhej Frangesh.
Sipas njoftimit, Frangesh në këtë takim ishte i shoqëruar nga ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj.
“Së bashku diskutuan rreth zhvillimeve në vend dhe situatës në rajon,” thuhet në komunikatë.
Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Ai vuri në pah se “mbetet me rëndësi formimi sa më parë i qeverisë së re pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, dhe votimi në Kuvend mes tjerash edhe i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe Planit të Rritjes me Bashkimin Evropian”.
Në përfundim të takimit, Bislimi falënderoi përfaqësuesin e posaçëm slloven për vizitën dhe bisedën, duke i uruar atij “qëndrim të frytshëm në Kosovë”./Telegrafi/
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti të enjten nuk u deklarua për media se a synon koalicion qeverisës.
"Jam shumë vonë per takimet e radhës", ka thënë Kurti para gazetarëve.
Ai sot mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropian - Dita e Biznesit Francez në Kosovë".
Ndryshe një ditë më parë, Kurti tha se janë duke u përgatitur që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe të formohet Qeveria e re, meqë sipas tij ekziston urgjencë për miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.