Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në veri, ku gjatë kontrollit në një shtëpi të braktisur në lagjen Bërxhane, Mitrovicë Veriore, u gjetën dhe u sekuestruan armë, municion dhe mjete të tjera ilegale.
Sipas njoftimit të Drejtoria Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veri, gjatë aksionit janë gjetur mes të tjerash:
Karikatorë të zbrazët për armë të gjata dhe bajonet;
Shishe plastike me saqme, kapsula për fishekë dhe sasi baruti;
Minë kundër këmbësorik me detonator;
Pjesë për mbushje fisheku, targa të automjeteve të ish-Milicisë;
Fishekë të armës së gjuetisë dhe të kalibrave të ndryshëm;
Pajisje ushtarake dhe veshje, përfshirë xhaketa dhe doreza ushtarake, si dhe këmisha të Policisë së Serbisë.
Për shkak të materialit të rrezikshëm eksploziv, në vendngjarje ka ndërhyrë Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME), e cila ka larguar sasinë e barutit, fishekët e kalibrave 12.7 mm dhe 20 mm, si dhe minën me detonator.
Rasti është raportuar tek Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurave për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Aktualisht nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka ftuar që çdo informacion që mund të ndihmojë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike të raportohet në numrin emergjent 192.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas lajmit për vdekjen e Hekuran Hoxhës, kandidatit të AAK-së për deputet, i cili u gjet i pajetë në veturën e tij në Prishtinë.
Haradinaj e përshkroi Hoxhën si një koleg të afërt dhe të angazhuar prej shumë vitesh në aktivitetet politike të partisë, duke theksuar korrektësinë, respektin dhe përkushtimin e tij ndaj secilit.
“Ndarja e tij nga jeta na tronditi të gjithëve! Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar Hoxha, miqve dhe të gjithë kolegëve në Aleancë. Qoftë i përhershëm kujtimi për ty, Kani!”, tha Haradinaj në reagimin e tij.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi rrethanat e vdekjes së Hoxhës, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka nxjerrë një apel për institucionet edukativo-arsimore, duke theksuar domosdoshmërinë e respektimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale të nxënësve, prindërve dhe stafit arsimor.
AIP ka kërkuar që institucionet të zbatojnë legjislacionin në fuqi dhe të respektojnë parimet e ligjshmërisë, transparencës, sigurisë dhe minimizimit të të dhënave.
Agjencia ka ritheksuar se, në epokën digjitale, mbrojtja e privatësisë së fëmijëve nuk është vetëm obligim ligjor, por edhe detyrim etik dhe njerëzor.
“Institucionet arsimore duhet të ndërmarrin masa për të parandaluar keqpërdorimin, shpërndarjen e paautorizuar apo cenimin e të dhënave personale dhe të vendosin mekanizma të përshtatshëm teknik dhe organizativ për garantimin e sigurisë së të dhënave,” tha AIP në reagimin e saj.
Agjencia ka ftuar mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit për bashkëpunim, duke ndërtuar një kulturë të respektimit të privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale përmes ndërgjegjësimit dhe edukimit të vazhdueshëm.
AIP rikujtoi se mbrojtja e të dhënave personale të fëmijëve është parakusht për sigurinë, dinjitetin dhe privatësinë, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe konventat ndërkombëtare.
Më 16 qershor 1999, një familje shqiptare ishte rrëmbye nga paraushtarakët serbë. E pas rrëmbimit një sulm seksual i një vajze të re ishte gati të ndodhte para syve të familjes së saj.
Katër ushtarë britanikë morën informacionin dhe ndërhynë, duke rrezikuar jetën e tyre për të ndaluar krimin. Falë veprimit të tyre, vajza u shpëtua dhe familja mbijetoi.
Gazeta britanike Mirror i kishte kushtuar faqen e parë këtij incidenti, duke përshkruar ushtarët si heronj dhe duke publikuar fotografitë e tyre.
Faqja e parë e gazetës nuk tregonte vendndodhjen e saktë të ngjarjes, ndërsa teksti i plotë nuk u publikua në Facebook.
27 vjet më vonë, fotografia u ripublikua në rrjetin social X, duke rikthyer interesin për ngjarjen.
Deputetja britanike Alicia Kearns shprehu dëshirën për t’i identifikuar këta ushtarë dhe për të njohur kontributin e tyre heroik gjatë luftës në Kosovë./Telegrafi.
I shall try to find them - — Alicia Kearns MP (@aliciakearns) January 28, 2026
Në 90 vjetorin e lindjes së gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare, në ceremoninë e zhvilluar nga Ministra për Europën dhe Punët e Jashtme është zbuluar edhe një letër që shkrimtari i ka dërguar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush në vitin 1991.
Në letër Kadare shtron pyetjen nëse populli shqiptar ka të drejtë të jetojë në të njëjtën shtëpi, duke iu referuar Kosovës. Ai thotë se mjetet demokratike që çojnë në një zgjidhje paqësore dhe diplomatike, ekzistojnë.
“Ndonëse nuk do të doja ta mbyllja këtë letër me diçka të zymtë, s’mund të rri pa ju thënë se shqiptarët e Kosovës i kanë bërë thirrje për ndihmë gjithë botës: një masakër e përgjakshme po përgatitet kundër tyre. Shpresoj, Zoti President i SHBA, se ju do të bëni gjithçka, për të ndaluar këtë krim të paralajmëruar, tashmë, nga shumë drejtime”, shkruan ndër të tjera Kadare.
LETRA
Zoti President,
Dy vjet më parë, më 1989, kur jo vetëm në vendin tim por në gjithë perandorinë e Lindjes, diktatura komuniste ishte ende në këmbë, me mikun tim, laureatin e çmimit Nobel të paqes, Elia Weisel, ju kam dërguar një letër.
Në atë kohë, për një letër si ajo, në Shqipërinë komuniste dënoheshe me vdekje, megjithatë unë e ndjeva për detyrë t’ju drejtohesha juve, presídentit të shtetit më të fuqishëm demokratik të botës, për t’ju kërkuar ndjesë në emër të popullit shqiptar, për qëndrimin armiqësor që mbante qeveria komuniste shqiptare ndaj SHBA.
Ju shkruaja, midis të tjerash, në atë letër se populli shqiptar, në kundërshtim me sunduesit komunistë, kishte ndjenja të thella mirënjohjeje për SHBA dhe ju lutesha Juve, që pa ia vënë veshin fyerjeve të Tiranës të vazhdonit të ndihmonit këtë popull martir, si atë që vuante brenda kufijve të shtetit, si gysmën tjetër të tij, që vuante në Jugosllavi.
Dhe ja, pa u mbushur dy vjet, në marrëdhëniet amerikano-shqiptare ndodhi e pabesueshmja. Kur Sekretari i Shtetıt, Baker, u prit në mënyrë madhështore në Tiranë, isha i lumtur të vërtetoheshin fjalët që ju kisha shkruar më 1989, që në atë kohë mund të tingëllonin si fantazi shkrimtari, se SHBA do të ketë te populli shqiptar, një mik të zjarrtë e të përhershëm. Nga ana e tyre, shqiptarët të zhgënjyer nga ato lidhje të mbrapshta në të cílat i çuan komunistët, janë sot më të etur se kurrë për miqësi të vërtetë.
Zoti President, sot kur një pjesë e botës, e sidomos ajo pjesë që posa është shkëputur nga e kaluara komuniste, po përpëlitet e s’gjen dot qetësi, njerëzimi mbarë përcjell me adhurim përpjekjet tuaja fisnike për rregullimin e saj. Në këtë kahje, jo vetëm si shkrimtar e qytetar shqiptar, por edhe si njeri që dëshiron një botë më të përkryer, ju drejtohem Juve, burrit të shtetit me të cilin e ardhmja e botës ka një lidhje të drejtpërdrejtë.
Për shumë dekada, një pjesë e botës në aksionet e saj politike e diplomatike, përballë problemeve të mëdha ka qenë shpesh herë e paralizuar prej dogmave dhe tabuve. Në emër të një stabiliteti e qetësie false, këto dogma shpalleshin të shenjta e të pandryshueshme, paçka se kombe e popuj të tërë, të rrëzuar prej fatit, njëlloj si titanët e dikurshëm, vuanin e rënkonin prej tyre.
Tani është e qartë për cilindo, se ajo qetësi dhe stabilitet, që përligjej nga formulat gjoja të shenjta, nuk ka qenë veç një harmoni e gënjeshtërt. Nuk do të zgjatem për gjëra që ju i dini më mirë se kushdo dhe, prej të cilave jeni shqetësuar si rrallë kush. Do të dëshiroja vetëm që të tërheq edhe një herë vëmendjen tuaj, Zoti President, për popullin me fatin më tragjík, të krejt kontinentit evropian: shqiptarët.
Ky është i vetmi popull në historinë e Europës, që pas dy mijë vjetëve jetë u nda më dysh, që në fillim të shekullit të XX-të prej Fuqive të Mëdha. Ky është i vetmi komb, që në këtë shekull u shtyp prej dy díktaturave më të egra, që ka njohur bota: diktaturës së komunistëve shqiptarë dhe diktaturës së komunistëve serbë.
Ky gjymtim e kjo shtypje dyfishe, e ka lodhur dhe e ka dëmtuar rëndë këtë komb. Tani, gjysma e tij, ajo që jeton brenda kufijve të shtetit shqíptar, është duke e fituar më në fund lirinë. Por gjysma tjetër, ajo që ende ndodhet nën komunistët serbë, është në zi dhe në mjerim.
Zoti President i SHBA! Mendoj se është e palejueshme dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e natyrës, të së drejtës universale dhe të Zotit, që ky komb të vazhdojë e të jetë i dënuar kështu.
Dhurata që iu bë terroristëve serbë që vranë më 1914 në Sarajevë, dukën Ferdinand të Austro-Hungarisë, duke u dhënë si shpërblim gjysmën e Shqipërisë, është një nga krimet më të rënda në historinë e njerëzimit. Sa më shpejt që bota e qytetëruar ta çlirojë veten e saj nga ky krim, aq më mirë do të jetë.
Kur ju shkruaj këto fialë, unë nuk mendoj kurrë, që paqja dhe mirëkuptimi i sotëm i arritur me aq mundime, të rrezikohen për shkak të shqiptarëve. As nuk parashtroj kërkesa për veprime të ngutshme, brutale ose sensacionale.
Ajo që dëshiroj të shtroj para jush është kërkesa për një ndryshim parimor në qëndrimin ndaj popullit shqiptar. Në mbarim të këtij shekulli, përpara shqiptarëve po ngrihet shansi historik, shansi që të korrigjohet faji që u bë ndaj tyre në fillim të shekullít.
A do të pranohet prej botës së sotme të qytetëruar e drejta e këtij populli, që të jetojë bashkë, në të njëjtën shtëpi, si të gjithë kombet apo do t’i mohohet kjo e drejtë, në emër të tabuve ose të gjumit të qetë të dikujt?
Në qoftë se në vizionin e Europës së nesërme pranohet kjo ide, mendoj se edhe mjetet demokratike për zgjedhjen e saj në mënyrë paqësore, diplomatike, njerëzore, pa dhimbje e gjak për kërrkënd, mund të gjenden.
E tmerrshme është se gjer më sot kjo ide nuk është pranuar. Por në kohën tonë, në kohën e triumfit të të drejtave të njeríut, triumf në të cilín SHBA kanë një vend nderi, të mos pranosh një ide të tillë, do të thotë të pajtohesh me të kundërtën.
Me një krim të tillë në ndërgjegje, bota e lirë s’mund të flejë e qetë. Ndonëse nuk do të doja ta mbyllja këtë letër me diçka të zymtë, s’mund të rri pa ju thënë se shqiptarët e Kosovës i kanë bërë thirrje për ndihmë gjithë botës: një masakër e përgjakshme po përgatitet kundër tyre.
Shpresoj, Zoti President i SHBA, se ju do të bëni gjithçka, për të ndaluar këtë krim të paralajmëruar, tashmë, nga shumë drejtime.
Duke ju falenderuar edhe një herë, ju personalisht dhe shtetin tuaj të madh, për vëmendjen ndaj popullit tim, shpresoj Zoti President, se midis punëve dhe problemeve tuaja të shumta, do të vazhdoni të interesoheni për fatin e popullit tim martir.
Pranoni, Zoti President, shprehjen e respektit tim më të thellë.
Tre punëtorë shqiptarë të angazhuar si zyrtarë për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Mitrovicës së Veriut janë larguar nga puna, ndërsa ata e kanë cilësuar vendimin si “politik, diskriminues” dhe të bazuar në kuota etnike, raporton KosovaPress.
“Kjo është politike dhe diskriminuese, pozita ime ka qenë zyrtare për Komunitete dhe Kthim”, ka deklaruar njëri nga zyrtarët për KosovaPress, i cili nuk u prononcua me emër dhe mbiemër.
Ai ka thënë se janë pranuar në punë përmes konkursit të hapur dhe se procedurat kanë qenë të rregullta.
“Jemi pranuar me procedurë të rregullt dhe konkurs të hapur… konkursi ka qenë i hapur për të gjithë, nuk ka cekur askund a duhet me qenë shqiptar, serb apo boshnjak për me apliku”, është shprehur ai.
Sipas tij, vendimi për largim është arsyetuar me mosrespektimin e kuotave etnike.
“E kjo është me arsye që jemi larguar nga puna se kemi qenë më shumë shqiptarë se komunitetet tjera”, ka thënë ai.
Zyrtari ka deklaruar se kontratat i kanë pasur me afat të pacaktuar, me periudhë provuese gjashtëmujore, por se nuk janë vlerësuar siç parashihet me ligj.
Ai ka pretenduar se nuk kanë marrë njoftim paraprak me shkrim, ndërsa vendimi u është dorëzuar vetëm ditën e largimit.
“Jo more sen s’na ka lajmëruar… me shkrim asgjë nuk kemi pranuar… Njoftimi për largimin nga puna ana është konfirmuar qat ditë që veç jemi larguar dhe na ka ardh vetëm vendimi”, ka deklaruar ai.
Në vendimin e lëshuar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut thuhet se “procesi i rekrutimit për këtë zyrë ka qenë jotransparent dhe në kundërshtim të hapur me legjislacionin në fuqi, pasi nuk është respektuar vendimi i lartcekur i Kuvendit Komunal i cili përbën akt juridik obligativ për organet komunale”.
Tutje, në të njëjtin vendim theksohet se “në një qytet me përbërje të theksuar multietknike, një veprim i tillë përbën cenim të parimit të përfaqësimit të barabartë të komuniteteve dhe shkelje të drejtpërdrejtë të dispozitave ligjore dhe nënligjore që rregullojnë qëllimin, kompetencat dhe funksionimin e kësaj zyre”.
Largimin nga puna e ka konfirmuar edhe personi me inicialet R.U për KosovaPress, e cila ka thënë se bashkë me dy kolegë janë shkarkuar më 26 të këtij muaji, pa paralajmërim.
“Kam qenë e angazhuar unë dhe bashkë me dy kolegë që na kanë larguar prej pune si zyrtare për Komunitet dhe Kthim, në komunën e Mitrovicës së Veriut. Kemi filluar në vitin 2025, ka qenë periudha provuese 6 muaj pa afat të caktuar, me 26 na kanë shkarkuar, jo për 15 ditëshin nuk kemi pasur lajmërim prej tyre veç na ka ardh qaj vendimi nga kryetari i komunës”, ka deklaruar R.U.
Ajo ka shtuar se në konkurs nuk është specifikuar se sa pjesëtarë të secilit komunitet do të pranoheshin.
“Nuk ka pasur të cekur asgjë prej cilit komunitet me u pranu… ne i kemi plotësuar kushtet unë bashkë me kolegët e mi, dhe jemi pranuar në procedurat të rregullta”, ka thënë ajo.
Zyrtarja ka thënë se e konsiderojnë largimin si të kundërligjshëm dhe paralajmëron ndjekje të rrugëve ligjore.
"Na kanë larguar prej pune jashtëligjshëm edhe jemi të gatshëm me vazhdu me procedura ligjore" ka deklaruar ajo.
Ndërkaq, Xhevdet Haxhiu, shef i Zyrës për Komunitet dhe Kthim, tha për KosovaPress se nuk ka qenë prezent gjatë konkursit, por sipas informacioneve të tij, kandidatët për pozitat ishin kryesisht shqiptarë dhe vetëm një kandidat nga komuniteti turk ishte pjesë e procesit.
“Me sa e di unë dhe informatat që i kam aty nuk ka pasur aplikantë të tjerë, prapë me sa e di një ka qenë i komunitetit turk dhe ka qenë shumë i doptë dhe të tjerët kanë qenë të gjithë shqiptarë”- tha Haxhiu.
Sipas tij, bazuar në vendimet e vitit 2023, struktura etnike për pozitat e zyrës ka qenë 3 shqiptarë, 2 boshnjakë, 1 i komunitetit rom,1 serb dhe 1 turk. Ai potencoi se largimi është bërë sipas vendimit të kryetarit, të cilin e konsideron "arbitrar".
Kujtojmë se gjatë javës së kaluar nga puna janë larguar edhe 2 zyrtarë në komunën e Zvecanit, me arsyetimin e përmendura për mungesën e vlerësimit, trajnimeve dhe buxhetit.
Një profesor 62-vjeçar në Shkollën e Mesme të Lartë Teknike “Mehmet Isai” në Gjilan është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit, nën dyshimet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse të mitur gjatë orarit mësimor.
Rasti u raportua më 27 janar 2026, kur viktima, një 15-vjeçare, u paraqit së bashku me nënën e saj në Stacionin Policor në Gjilan, duke deklaruar se ngjarja kishte ndodhur brenda ambienteve shkollore.
Pas intervistimit të të gjitha palëve, përfshirë edhe të dyshuarin në prani të avokatit mbrojtës, Prokuroria vendosi masën e ndalimit prej 48 orësh.
Hetimet janë marrë në trajtim nga Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan.
Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se më 27 janar 2026 është lëshuar aktvendimi për ndalim ndaj të dyshuarit me inicialet I.SH, për veprën penale të sulmit seksual sipas nenit 229 të Kodit Penal të Kosovës.
Pas pranimit të kallëzimit penal, më 28 janar 2026, Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë ka dorëzuar pranë Gjykatës Themelore në Gjilan kërkesën për caktimin e paraburgimit.
Prokuroria ka bërë me dije se, për shkak se bëhet fjalë për një viktimë të mitur, nuk mund të jepen informacione më të detajuara rreth rastit./Telegrafi.
Pamje të reja janë publikuar nga rasti i të shtënave me armë zjarri në Podujevë, ku një i ri dyshohet se ka shtënë me kallashnikov dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me armën në duar.
Kallxo ka siguruar një video të re, në të cilën i dyshuari shihet teksa rrëzohet në asfalt gjatë tentativës për t’u arratisur.
Pavarësisht përpjekjes për t’u larguar, Policia e Kosovës ka arritur ta lokalizojë dhe ta arrestojë atë.
Në lidhje me rastin, Telegrafi ka kontaktuar Policinë e Kosovës, e cila ka konfirmuar se fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Sipas Policisë, rreth orës 13:30 është raportuar për gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar personin e dyshuar.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat që karakterizojnë këtë rast, ndërsa bazuar në të dhënat fillestare nuk raportohet për persona të lënduar./Telegrafi/
Gazeta prestigjioze amerikane The New York Times i ka kushtuar një artikull avatarit shqiptar të njohur si Diella, e promovuar si ministrja e parë qeveritare në botë e krijuar nga inteligjenca artificiale, e cila synon të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
Sipas gazetës, Diella është shndërruar në simbol të përpjekjeve të kryeministrit Edi Rama për rritjen e transparencës, në kohën kur vendi synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.
E veshur me kostume tradicionale dhe e pranishme në konferenca ndërkombëtare, ajo ka tërhequr vëmendje të gjerë mediatike si shembull i integrimit të inteligjencës artificiale në qeverisje.
Por, The New York Times thekson se nisma përballet me një paradoks të madh: drejtuesit e agjencisë shtetërore që krijoi Diellën janë vënë nën hetim për manipulim të tenderëve publikë.
Prokurorët e një njësie të posaçme hetimore kanë vendosur muajin e kaluar në arrest shtëpiak drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Informacionit dhe zëvendësin e saj, të dyshuar për lidhje me një organizatë kriminale që dyshohet se ka manipuluar aplikimet për kontrata publike përmes intimidimit.
Agjencia administron edhe infrastrukturën digjitale shtetërore, përfshirë vetë Diellën.
Zyrtarët nuk janë akuzuar ende zyrtarisht, ndërsa kryeministri Rama ka deklaruar se do të përmbahet nga gjykimi, duke theksuar se “duhet të presim dhe të shohim”.
Në praktikë, Diella ndihmon qytetarët të aplikojnë online për shërbime shtetërore, duke shmangur procedurat e gjata dhe ryshfetin. Në fazën e ardhshme, ajo pritet të vlerësojë aplikimet për tenderë publikë, bazuar në të dhëna dhe algoritme, me mbikëqyrje nga auditorë.
The New York Times nënvizon se lufta kundër korrupsionit është një kusht kyç për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Një raport i Bashkimit Europian nga nëntori vlerëson disa përparime, por thekson se korrupsioni mbetet i përhapur në sektorët më të ndjeshëm, veçanërisht në prokurimet publike.
Ekspertë ndërkombëtarë kanë vlerësuar se Diella ka rritur efikasitetin dhe paanshmërinë në vendimmarrje, por mbeten skeptikë për ndikimin real të saj, sidomos pas akuzave ndaj zhvilluesve të sistemit.
“Ka skepticizëm, por fakti që hetimi nuk është fshehur tregon se problemi i korrupsionit po pranohet dhe po trajtohet”, ka deklaruar eksperti Andi Hoxhaj për gazetën amerikane.
Vetë kryeministri Rama ka theksuar se, pavarësisht mangësive dhe vështirësive, Shqipëria po përpiqet të luftojë korrupsionin.
“Kjo përpjekje, me të gjitha dobësitë e saj, është një hap i mirë”, ka thënë ai.
Nxënësi Zejn Zejnullahu, i cili më herët ishte raportuar si i zhdukur dhe më pas u gjet në lumin e Gadimes, ka ndërruar jetë, pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar.
Lajmi është konfirmuar nga të afërmit dhe personat që i kanë dalë në ndihmë në vendin e ngjarjes.
Driton Shabiu ka bërë të ditur se, pavarësisht angazhimit të madh të vendasve dhe ekipit mjekësor, i riu nuk arriti të mbijetojë.
“Pas një përpjekjeje të madhe nga ne, vendasit dhe mjekët, nxënësi ynë Zejna nuk arriti të shpëtojë. Lusim Zotin e madh të mos ketë raste të tilla. Ngushëllime familjes”, ka shkruar ai.
Sipas informacioneve, gjendja shëndetësore e Zejn Zejnullahut në momentin e gjetjes ka qenë e rëndë.
Ai është dërguar me urgjencë për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Me pranimin e tij në Shërbimin Emergjent të QKUK-së, ekipet mjekësore kanë nisur menjëherë reanimimin, por fatkeqësisht, pas përpjekjeve intensive, i riu ka ndërruar jetë.
Analisti Visar Ymeri ka vlerësuar se qëndrimi i Kosovës ndaj Bordit të Paqes duhet të trajtohet si çështje shtetërore dhe strategjike, e jo të mbetet peng i “përplasjeve politike” mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
Ymeri ka kritikuar mungesën e një deklarimi të qartë institucional nga kryeministri në detyrë, duke e cilësuar atë si të palogjikshme.
“Së pari mos me u deklaru për Bordin e Paqes, nga kryeministri meqë Kosova është pjesë, por edhe të mos ishte Kosova pjesë vetëm për ftesën unë mendoj që është e palogjikshme. Nëse Albin Kurti e sheh vetën si kryeministër edhe në detyre edhe i ardhshëm që do të jetë, ne si Kosovë duhet me pas qëndrim".
"Dhe qëndrimin e Kosovës e jep presidentja, por e jep edhe kryeministri. Sepse mendoj që anëtarësimi dhe nënshkrimi i Kosovës në Bordin e Paqes gjithqysh duhet të shihet përtej këtyre zënkave Vjosa-Albin, kjo parti e ajo. Tek e fundit këto janë normale për neve.
Po ky është përkushtim edhe zotim që mund me dal edhe më serioz. Ndoshta edhe nuk del. Megjithatë ky është një lloj rreshtimi. Dhe rreshtimi i Kosovës, që është i ndryshëm që ka qenë tradicional. Pra, uniteti transatlantik dhe ne pjesë e tij. Duhet të diskutohet…”, ka thënë Ymeri.
Botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami flet për bashkëpunimin me Anëtarin e Lartë të Komitetit, Gregory Meeks dhe kongresistë të tjerë, senatorin John Thune, udhëheqës i shumicës në Senatin Amerikan, lobimin e gjatë për Kosovën dhe Luginën e Preshevës dhe nevojën për organizim që projektligji të miratohet nga Kongresi Amerikan.
Fati i shqiptarëve të harruar të Luginës së Preshevës ka marrë më së fundi vëmendjen e duhur.
Komiteti për Punët e Jashtme të Dhomës në Kongresin Amerikan sapo miratoi me votën masive 43-3 një rezolutë e cila detyron Sekretarin e Shtetit që të përgatisë brenda 180 ditëve një raport për gjendjen e shqiptarëve në Serbi.
Raporti duhet të ndalet në problemet që shqetësojnë shqiptarët prej vitesh siç janë: Pasivizimi i adresave, e drejta e votës, e pronës dhe dokumenteve, përfaqësimi në institucionet dhe shërbimet rajonale, njohja e diplomave dhe gradave shkencore, përdorimi i gjuhës shqipe etj.
Hapi tjetër për “Aktin e Shqyrtimit të Diskriminimit në Luginën e Preshevës” tani është që të votohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, por kalimi i pragut të Komitetit me një votë kaq masive ishte një arritje e rëndësishme. Ajo dëshmoi se çështja e Luginës tani nuk mund të fshihet më nën rrogoz dhe se Serbia në një mënyrë apo një tjetër, do të fillojë të ndjejë presionin amerikan.
Vota e suksesshme në nivel Komiteti nënvizoi edhe dy mesazhe të rëndësishme. I pari na thotë se kur komuniteti shqiptar në Amerikë angazhohet, rezultatet nuk vonojnë dhe se mbështetja jonë në Kongres dhe Washington vijon të jetë dypartiake. Rezultati 47-3 nuk ishte një rastësi. Ai reflektoi drejtësinë e kauzës së Luginës së Preshevës që përfshinë komunat Preshevë e Bujanoc me shumicë shqiptare dhe Medvegjë, por edhe punën e madhe të bërë nga shqiptaro-amerikanët.
Një meritë të madhe kanë veprimtarët e shoqatës “Albanians for America” (Shqiptarët për Amerikën), si Doc Vranici, Gino Mulliqi, Gezim Rushiti e të tjerë për miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë që kanë krijuar me kongresistin Keith Self, nga Texas, i cili tani drejton NënKomitetin për Evropën në Komitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Për më tepër, ata kanë krijuar lidhjen me kongresistin Brian Mast nga Florida, një veteran i luftës që i ka humbur të dy këmbët dhe që sot shërben në postin e fuqishëm të Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve. Këtë pozicion ka pasur dikur në fund të karrierës kongresisti Eliot Engel dhe pas tij, për disa vite kongresisti Gregory Meeks.
Kongresisti Keith Self mori pjesë dhe mbajti fjalim në shtator të vitit të kaluar në darkën mbresëlënëse të Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro Amerikane (AARC), në Manhattan, ku u njoh edhe më mirë me forcën e komunitetit shqiptar në SHBA e ku merrnin pjesë si mysafirë nderi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Aty edhe mbajti një nga fjalimet më të mira në përkrahje të shqiptarëve. Të nesërmen ai u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Takime me të dhe kongresistë të tjerë kanë organizuar edhe Liga Qytetare e DioGuardit që drejtohet tani nga Agim Aliçkaj.
Projektligji për Luginën e Preshevës u paraqit në fillim nga kongresisti Self në Nënkomitetin e tij dhe pastaj u referua për miratim në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë. Aty fitoi me votën e vendimtare 43-3.
Ky rezultat sjell mesazhin e dytë, apo nxjerr në pah fenomenin tjetër, mbështjen për kauzën shqiptare në mbarë spektrin e politikës amerikane. Kjo ka qenë karakteristikë e vazhdueshme e lobimit shqiptar në Amerikë dhe mesa duket vazhdon edhe sot e kësaj dite me gjithë polarizimin në politikën amerikane. Republikanët dhe demokratët në Washington po ndahen për shumë gjëra këto ditë por u bashkuan për votën e Luginëss së Preshevës. Kjo nuk është rastësi, por rezultat i punës së shqiptarëve në Amerikë.
Self dhe Mast janë republikanë përkatësisht nga Texas dhe Florida, kurse demokratët në këtë Komitet udhëhiqen nga Gregory Meeks, kongresist nga Queens, New York, i zgjedhur në Kongres që nga viti 1998 dhe tani anëtar i Lartë i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Pas largimit nga politika i kongresistit Engel, Meeks u bë demokrati më i fuqishëm në Komitet. Për të mos lejuar humbjen e ndikimit shqiptar, në një kohë ngadalësimi të lobimit tonë në SHBA, para disa vitesh, botuesi i gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami, në bashkëpunim me Halil Ahmetajn, veprimtar i njohur dhe pronar i disa restoranteve në Manhattan, organizuan një darkë të rëndësishme për të krijuar lidhje dhe bashkëpunim me zëvendësuesin e Engelit, kryetarin Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë, kongresistin Gregory Meeks.
Me ftesën e tyre në takim mori pjesë edhe kongresistja e fuqishme Carolyn Maloney, kryetare e Komitetit të Mbikqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve si dhe kongresisti Mondaire Jones.
Botuesi i gazetës “Illyria”, autor dhe ish drejtor i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”, gjatë takimit me tre kongresistët për të mbështetur fushatat e tyre elektorale, u dorëzoi atyre një dokument për Kosovën ku përfshihej edhe kërkesa që Kongresi të ndikojë tek administrata amerikane për ta detyruar Serbinë që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë të drejtat që kanë serbët e Kosovës.
Komuniteti iu përgjigj ftesës së Vehbiut dhe Halilit. Mes pjesëmarrësve në takimin prezantues ishte Jim Xhema, figurë e madhe e lobimit shqiptar në SHBA si dhe Christopher Hyland, njeriu që prezantoi komunitetin shqiptar me kandidatin për President, Bill Clinton, në vitin 1992. Marash Nucullaj kishte udhëtuar nga Detroiti për të dëshmuar se shqiptarët mbeten të bashkuar pavarësisht se nga cilat troje vijnë e ku banojnë në SHBA. Për të folur për çështjen e Vëllezërve Bytyçi, që u vranë nga forcat serbe në vitin 1999, kishte ardhur Ilir Bytyçi, i cili ka dëshmuar dhe në Kongresin Amerikan.
Që atëherë, Vehbi Bajrami ka mbajtur një raport bashkëpunimi me zyrën e kongresistit Meeks e të tjerë, duke e ushqyer me raporte dhe propozime për të ndihmuar Kosovën, ngritjen e Forcave të Armatosura të saj, hyrjen në NATO, shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi etj.
“Në një nga takimet e shpeshta që kam pasur me kongresistin Meeks”, thotë Bajrami, “i shpreha shqetësimin për humbjen e kongresistit Eliot Engel, duke shtuar se shqiptarët humbën një kampion të mbrojtjes së Kosovës në Kongres. Më tha: ‘Tani më keni mua aty në Kongres në vend të tij. Unë do të jem përkrahës i Kosovës. Para bombardimeve të NATO-s në Serbi, vazhdoi ai, unë e mbështeta presidentin Clinton kur ai kërkoi ndihmën time. Më tha se e ndjente veten fajtor që nuk mundi të ndihmonte kundër gjenocidit në Ruanda dhe tani nuk mund të mos ndihmonte Kosovën’”.
Këto lidhje kanë qenë të rëndësishme që projektligji për Luginën, i cili u propozua nga republikanët Self dhe Mast, të merrte mbështetjen edhe nga opozita demokrate.
“Vota për projektligjin në Kongresin Amerikan është një arritje e jashtëzakonshme dhe për këtë një meritë të veçantë kanë aktivistët e Texas-it, bashkë me Faton Bislimin dhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro – Amerikane. U jam mirënjohës të gjithë kongresistëve që votuan për projektligjin e veçanërisht kongresistëve Keith Self dhe Gregory Meeks, ky i fundit një mik imi për shumë vjet”, shprehet për këtë ngjarje botuesi Vehbi Bajrami. “Megjithatë, lobimi për të drejtat e shqiptarëve në Serbi, në Washington ka filluar më heret. Personi që ka bërë më së shumti në këtë drejtim nga Lugina e Preshevës dhe i pari që ka denoncuar pasivizimin e adresave është Prof.Muharrem Salihu, në kohën kur ishte këshilltar komunal në Medvegjë. Aktiviteti i tij ka qenë tejet i rëndësishëm për njohjen e Kongresit dhe institucioneve evropiane për pasivizimin e adresave nga qeveria serbe dhe shkeljet e tjera të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.
Bajrami tregon se si bashkë me prof. Muharrem Salihun dhe Skender Perollin në vitin 2019 u takuan në New York dhe Washington me kongresistin Eliot Engel dhe Robert Hand nga Komisioni i Helsinkit, organ ky i themeluar nga Kongresi Amerikan për të monitoruar të drejtat e njeriut në Evropë.
“Dëshmia e Prof. Muharrem Salihut gjatë këtyre takimeve shërbeu si bazë e projektrezolutës në Kongresin Amerikan”, thotë ai. “Salihu gjatë këtyre takimeve në Washington dhe më pas në Komisionin e Helsinkit në Beograd, që drejtohet nga humanistja Sonja Biserko, paraqiti dokumente mbi diskriminimin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe ato u morën si bazë faktografike e shkeljes së të drejtave të njeriut”.
Si tregon botuesi i gazetës “Illyria”, zyrtarët amerikanë më pas udhëzuan ambasadën e SHBA-së dhe Komisionin e Helsinkit në Beograd që të merren me këtë problem dhe vijuan pastaj vizitat e ambasadorit amerikan dhe Sonja Biserkos (drejtuese e Komisionit të Helsinkit në Beograd) në Luginën e Preshevës për t’u njohur me diskriminimin e shqiptarëve.
Robert Hand i rekomandoi prof. Salihut të takohej edhe me ambasadorin e OKB-së për pakicat në Hagë, Lamberto Zanier, ish administrator në Kosovë pas Lufte. Prof. Salihu u takua edhe me të dhe e informoi me fakte për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi nga qeveria serbe.
Bajrami shton se raporti i Komisionit të Helsinkit i bazuar nga dëshmitë e Prof. Salihut është referenca më relevante në tryezat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe projekligjin aktual në Kongresin Amerikan.
Hapi tjetër tani do të jetë miratimi nga mbarë Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, e cila ka 435 anëtarë.
Vehbi Bajrami, i cili e ka vendlindjen pikërisht në Luginën e Preshevës, u shpreh me këtë rast se shqiptarët duhet të organizohen dhe të përdorin të gjithë lidhjet e tyre kur të vijë dita e votimit në Dhomën e Përfaqësuesve.
Viteve të fundit ai ka bashkëpunuar me disa kongresistë amerikanë për të lobuar për Kosovën, Preshevën dhe çështjet shqiptare në Ballkan. Të paktën tre prej tyre, pas kërkesës sl tij, kanë pranuar të bëhen anëtarë të Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongres: Grace Meng, Seth Moulton dhe Joe Morelle.
Vitin e kaluar, Jim Xhema bashkë me të dhe aktivistë të tjerë të komunitetit në New York, organizoi një mbrëmje për të mbështetur senatorin e fuqishëm, John Thune, i cili më pas u zgjodh udhëheqës i shumicës në Senatin Amerikan. Aktivistët, në mesin e kërkesave, të cilat iu paraqitën në formë të shkruar nga z. Bajrami, ishte që Kosova të anëtarësohej në NATO si mënyra më e mirë për sigurinë e saj nga Serbia si dhe stabilitetin e rajonit ballkanik.
“Ka zëra se ndikimi i diasporës shqiptare në Kongres, Senat e Shtëpinë e Bardhë është zbehur. Kjo nuk është e vërtetë. Aktivistët shqiptarë kanë lidhje me shumë ligjvënës amerikanë dhe me zyrtarë të tjerë të lartë në administratën amerikane. Me këtë rast do të veçoja senatorin John Thune, udhëheqës i shumicës në Senatin Amerikan dhe John Ratcliffe, drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA). Vendimet e mëdha presidenti amerikan nuk i merr pa mendimin ose aprovimin e kryetarit të Senatit dhe CIA-s. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet të kontraktojë një firmë të fuqishme lobuese në Washington, e cila do të forconte edhe më shumë lidhjet e Kosovës me Amerikën dhe do të demantone gënjeshtrat e lobistëve të paguar nga Serbia në Washington, që po punojnë fort në favor të Serbisë e në dëm të Kosovës. Kjo firmë do të ndihmonte aktivitetin lobues të ambasadave tona e të komunitetit, i cili mbetet forcë e pazëvendësueshme e këtij lobimi”, thotë z. Bajrami.
“Kur të afrohet dita e miratimit të projektligjit për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi nga Dhoma e Përfaqësuesve, shqiptarët në Amerikë duhet të organizohen. Të kontaktojmë të gjithë kongresistët që njohim dhe t’u kërkojmë të votojnë për projektligjin, madje të bindin edhe kolegë të tjerë”.
Angazhimi i shqiptarëve me politikën amerikane ka dëshmuar që jep fryte. Ai është jetik për fatin e kombit shqiptar dhe i shërben jo vetëm shqiptarëve por edhe vetë sigurisë së Amerikës./illyria.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar ashpër pas djegies dhe përdhosjes së Kuranit të Shenjtë në zonën e Çabratit në Gjakovë, duke e cilësuar aktin si vandal, kriminal dhe thellësisht shqetësues.
Në një deklaratë publike, Myftiu Tërnava tha se është i tmerruar dhe i tronditur nga ky veprim, i cili sipas tij është kryer me mision të qartë kriminal nga persona ende të panjohur.
Ai theksoi se një akt i tillë cenon rëndë vlerat universale humane dhe godet drejtpërdrejt parimet, traditën dhe identitetin e popullit shqiptar.
Sipas tij, populli shqiptar historikisht është identifikuar për harmoni, bashkëjetesë dhe mirëkuptim ndërfetar, si dhe për respektimin e besimit dhe traditës së tjetrit, veçanërisht në çështjet e ndjeshme që lidhen me fenë.
Myftiu i Kosovës ka shprehur shqetësimin se kohëve të fundit këto vlera janë vënë në shënjestër nga, siç i quajti ai, lëvizje të errëta që në emër të një “shqiptarie” të deformuar dhe të ashtuquajturit “kthim në rrënjë”, po promovojnë urrejtje, përçarje dhe dhunë.
Ai ka akuzuar individë dhe grupe të organizuara për përhapje të gjuhës së urrejtjes dhe thirrje për dhunë ndaj shqiptarëve të besimit mysliman, si dhe për cenim të trashëgimisë dhe kulturës islame.
Tërnava ka deklaruar se kjo propagandë e rrezikshme, sipas tij, në disa raste është përkrahur edhe nga persona me pozita akademike.
Djegien e Kuranit në Gjakovë, Myftiu e ka cilësuar si një akt alarmues që, sipas tij, vjen si pasojë direkte e ideologjive antishqiptare dhe antiislame, të cilat synojnë përçarjen dhe destabilizimin e shoqërisë.
Në fund, Myftiu Tërnava u ka bërë thirrje organeve kompetente shtetërore që të ndërmarrin veprime të menjëhershme ligjore ndaj autorëve të këtij akti, por edhe ndaj, siç u shpreh ai, ideatorëve dhe nxitësve të urrejtjes.
Ai ka kërkuar gjithashtu nga institucionet që të marrin masa konkrete për ruajtjen e kohezionit shoqëror, harmonisë ndërfetare dhe interesit të përgjithshëm të qytetarëve.
Driton Aliu, zyrtar i Kabinetit të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka ndërruar jetë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, përmes një njoftimi, duke e quajtur të ndjerin mik të zemrës dhe bashkëpunëtor të afërt.
“Sot humba një mik të vërtetë dhe një bashkëpunëtor të përkushtuar. Dritoni nuk ishte vetëm pjesëtar i kabinetit tim, ai ishte mik i zemrës, njeri me zemër të madhe, gjithmonë pranë atyre që e donin. Ikja e tij e parakohshme lë një boshllëk të madh për të gjithë ne që e njohëm. Kujtimet dhe momentet që kaluam së bashku do të mbeten të paharrueshme përgjithmonë,” ka shkruar Hyseni.
Ai ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të afërmit e Driton Aliut, duke shtuar se shpirti i tij u prehtë në paqe.
Genci Sadiku dhe Vasil Palo janë dy viktimat e aksidentit tragjik në Rumani. Video që po bë xhiron e mediave evropiane pasqyron një aksident të tmerrshëm rrugor në Rumani që ka tronditur mbarë Greqinë.
Është një furgon me tifozë të ekipit grek PAOK të Selanikut ,të cilët udhëtonin drejt Francës për të ndjekur ndeshjen kundër Lyonit në Ligën e Evropës, i cili siç duket përfshihet në një përplasje fatale në autostradën pranë qytetit Lugoj.
Bilanci është tragjik, 7 persona humbën jetën dhe 3 të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Të gjithë udhëtarët ishin me nënshtetësi greke, të moshës 25 deri në 30 vjeç. Pesë prej viktimave ishin nga Aleksandria e Imathias, dy nga Katerini, ndërsa tre nga Selaniku.
Dy prej viktimave, dalin të jenë shqiptarë. Genci Sadiku dhe Vasil Palo janë në mesin e shtatë viktimave të aksidentit tragjik në Rumani
Sipas autoriteteve rumune, furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por gjatë rikthimit në korsi u përplas fillimisht me të dhe më pas u hodh në krahun e kundërt të rrugës, ku u përplas me një kamion tjetër. Në aksident u përfshinë gjithsej katër mjete.
Gjashtë nga viktimat humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit.
Dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, ndërsa një i tretë ka dëmtime më të lehta dhe ishte ai që njoftoi autoritetet për aksidentin.
Helikopterët e emergjencës nuk mundën të ndërhyjnë për shkak të kushteve të këqija atmosferike, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalin e qytetit Lugoj.
Ministria e Jashtme e Greqisë dhe ambasada greke në Bukuresht ndodhen në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune, për identifikimin e viktimave dhe mbështetjen e familjarëve.
Klubi i PAOK ka shpallur zi dhe ka njoftuar se do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kthimin e trupave dhe ndihmën ndaj të plagosurve.
Ndërkohë kërkesa për anulimin e ndeshjes nuk është pranuar nga UEFA, raporton tch.
Djali i gazetarit të njohur shqiptar Artan Hoxha, u arrestua të hënën, më 19 janar, në Tiranë, nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar, konkretisht trafikim të qenieve njerëzore.
Geri Hoxha dhe një person tjetër u shpallën në kërkim me urdhërarrest ndërkombëtar, me kërkesë të UNMIK.
Lidhur me rastin, Artan Hoxha ka folur për Klankosova duke thënë se ende nuk është i informuar për akuzat konkrete ndaj djalit të tij.
Ai shprehu shqetësim lidhur me akuzat, duke theksuar se në kohën kur pretendohet se janë kryer veprat, djali i tij ka qenë vetëm 13 vjeç.
“Ka disa ditë që ka ndodhur kjo, por unë ende nuk kam parë asnjë dokument apo vendim zyrtar. Është e çuditshme si mund të akuzohet një fëmijë për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Kam frikë se po më bëhet padrejtësi”, tha Hoxha.
Sipas gazetarit shqiptar, autoritetet në Kosovë kanë bërë kërkesë për ekstradim, por deri më tani nuk i është dorëzuar asnjë dosje apo dokumentacion zyrtar.
“Më kanë thënë se dokumentet do t’u përcillen autoriteteve shqiptare”, shtoi ai.
Hoxha po ashtu deklaroi se në momentin e arrestimit, djali i tij ishte duke shkuar në punë dhe se punon si laborant dentar.
“Në xhep kishte vetëm 10 mijë lekë. Bashkë me të u arrestua edhe një shofer ambulance. Si mund të lidhet kjo me krim të organizuar?”, e ngriti si pyetje gazetari.
Në fund, Hoxha hodhi dyshime edhe për trajtimin e të birit, duke thënë se nuk i lejohet as kontakti minimal dhe se ka frikë për sigurinë e tij.
Komisioni Evropian ka njoftuar për mbështetje prej 171 milionë eurosh për nxitjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjes së sektorit privat në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, nga këto fonde nuk do të përfitojë Kosova.
“Sa i përket Kosovës, ajo ende nuk ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa, pasi që ende nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor. Prandaj, Kosova nuk mund të përfitojë nga fondet e këtij instrumenti. Ne shpresojmë se kjo çështje të zgjidhet shpejt”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier.
Nga kjo shumë e ndarë për nxitje të zhvillimit në Ballkanin Perëndimor, 94.7 milionë euro janë të dedikuara për investime infrastrukturore, 76.3 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat, ndërsa 2.9 milionë euro janë ndarë për katër projekte të asistencës teknike në Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.
Këto projekte janë të orientuara drejt përgatitjes së investimeve të ardhshme në sektorët e energjisë, furnizimit me ujë, inovacionit dhe kërkimit.
Sipas njoftimit të KE-së, fondet e ndara për projektet infrastrukturore pritet të mobilizojnë gjithsej 263 milionë euro investime përmes shtatë projekteve në sektorë me prioritet, përfshirë digjitalizimin, energjinë e pastër, kapitalin njerëzor, transportin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Projektet përfshijnë vendosjen e infrastrukturës së internetit me brez të gjerë në Shqipëri, përmirësimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, si dhe ndërtimin dhe rinovimin efikas energjetik të objekteve arsimore në Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.
Sipas KE-së, projektet do të zbatohen nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.
“Investimi te partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor është thelbësor për afrimin e tyre me Bashkimin Evropian. Më shumë se dy vjet pas miratimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, kemi punuar – përfshirë edhe përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor – për t’i shndërruar zotimet në veprime konkrete. Nga përmirësimi i infrastrukturës deri te forcimi i zhvillimit të biznesit, këto investime krijojnë mundësi reale për qytetarët dhe e bëjnë BE-në një realitet të prekshëm në mbarë rajonin”, tha përmes një deklarate komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, njofton rel.
Paketa e re e mbështetjes përfshin kontribute investuese nga disa burime financimi të BE-së, përfshirë Instrumentin për Ndihmë të Para-Anëtarësimit (IPA), donatorët bilateralë përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe Instrumentin për Reforma dhe Rritje.
“Paketa e sotme e financimit përfshin projekte investimi dhe projekte të asistencës teknike që u miratuan sot, duke forcuar më shumë përkushtimin e BE-së ndaj rritjes së qëndrueshme dhe ndërlidhjes rajonale në Ballkanin Perëndimor”, tha KE-ja.
Pas miratimit nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, projektet mund të kalojnë në fazën e zbatimit. Kjo nënkupton finalizimin e marrëveshjeve të nevojshme me institucionet partnere dhe përfituesit, nisjen e studimeve përgatitore për aktivitetet e asistencës teknike dhe përfundimin e procedurave të domosdoshme për realizimin e projekteve të sektorit privat. Pas përmbylljes së këtyre proceseve, mund të fillojë zbatimi i investimeve që mbështeten nga blloku.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Selam Hajrizi ka kërkuar që kandidatët për deputetë dhe të gjithë të përfshirët në manipulimin e votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit të marrin përgjegjësi, duke thënë se ligji duhet të veprojë pa dallim.
Ai ka vlerësuar se hetimet duhet të shkojnë përtej komisionerëve dhe të zbardhin të vërtetën për ndërhyrjet brendapartiake në procesin zgjedhor.
“Do të ishte mirë që të gjithë deputetët të marrin përgjegjësi. I kemi dëgjuar të thonë që nuk jemi pjesë e një aspekti të tillë… këtu do e shoh që kryeprokurori Kryeziu, një prokuror i ri i Prizrenit që duket të jetë i guximshëm duhet ta bëjë punën e tij.
Ligji duhet të jetë mbi të gjithë. Të gjithë marrin përgjegjësinë e duhur. Edhe deputetët do të ishte mirë të marrin përgjegjësinë dhe të tregojnë të vërtetën se çka ka ndodhur”, ka thënë Hajrizi në FIVE të TV Dukagjinit.
Ndërkohë, Prokuroria ka konfirmuar se rreth 20 komisionerë nga të gjitha partitë parlamentare ndodhen në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa hetimet janë zgjeruar nëpër komuna të ndryshme të vendit.
Procesi i rinumërimit po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku deri më tani janë rinumëruar rreth 77 për qind e vendvotimeve.
KQZ ka bërë të ditur se rinumërimi pritet të përfundojë deri në fund të muajit, ndërsa certifikimi i zgjedhjeve do të varet nga afatet ligjore për ankesa.
Pas luftës e ndërroi objektin, e dikush duket se deshti t’ia ndryshojë edhe identitetin patriotik.
Gjimnazi “Xhevdet Doda” ishte ditë më parë nikoqir i një ligjëratë për Gjykatën Speciale, institucionin që po gjykon katër nga ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlrimtare e të Kosovës.
E pikërisht për përkrahjen e kësaj ushtrie, kjo shkollë e mesme, ishte më e zëshmja gjatë luftës së viteve 1998-99 në gjithë Kosovën.
Tryeza të organizuara, shkrime në revista shkollore e tituj që flisnin për luftën e UÇK-së, kishin kulmuar edhe me vizita në zonat e luftës, e madje edhe festime të Vitit të Ri me luftëtarët.
Ish-drejtori i gjimnazit “Xhevdet Doda”, Binak Ulaj, kohën e luftës e ka cilësuar si një nga më të ndriturat për shkollën, duke theksuar përkushtimin dhe gatishmërinë e nxënësve për të përkrahur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, nxënësit kontribuuan me pjesëmarrje në zonat e luftës, ashtu edhe përmes pjesëmarrjes në demonstratave.
“Nuk do ta harroj asnjëherë, përkushtimin e nxënësve, disiplinën e tyre dhe gatishmërinë e tyre. Veçmas gatishmërinë e tyre për të përkrahur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një pjesë e nxënësve...kanë shkuar edhe në zonat e luftës. Ka pasur nxënës që më kanë kërkuar këshillë, a të shkojmë apo jo, dhe ka pasur raste kur nuk kam pasur dëshirë ndonjëri prej tyre të shkojë, por nuk më kanë dëgjuar, do të thotë, për arsye se ishin të vendosur. Dhe duhet vlerësuar këtë. Edhe ata nxënës të cilit nuk kanë shkuar në zonat e luftës, në qendër të Prishtinës, atëherë do të thotë, kanë dhënë kontributin e tyre me qëndrimin e tyre, me pjesëmarrje në të gjitha demonstratat në përkrahje të UÇK-së. Veçmas duhet veçuar revistën e gjimnazit, të titulluar ‘Gjimnazisti’, ku botoheshin shkrime nga zonat e luftës, që i sillnin vetë ata nxënësit, mandej betimin e UÇK-së e kështu me radhë”.
Këtë kontribut e mban mend shumë mirë edhe njëri nga nxënësit më aktiv të atyre aksioneve, Arianit Bytyçi. Ai tregon se si në shtator të 1998’të‘s, në kohën kur lufta kishte përfshirë gjithë Kosovën, nxënësit e “Xhevdet Dodës” morën iniciativa për tu bërë zë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne një grup të rinjsh, u patëm vendosur në shërbim të plotë të luftës çlirimtare përmes organizimit të asaj tryeze dhe përmes shkrimeve në mbështetje të UÇK-së dhe ato shkrime ne shkonim me i realizuar në zonat e luftës. Disa nga nxënësit, unë, Bujar Sadiku, Kushtrim Berisha dhe disa nxënës të tjerë. Po ashtu, një pjesë e jona, përveç këtij angazhimi, ishte vendosur edhe në shërbim të luftës çlirimtare jo vetëm në një zonë por edhe në zona të tjera. Prandaj, mbështetja jonë nuk ishte vetëm morale, por ne shkuam edhe i vizituam ata disa herë, e pritëm Vitin e Ri me ta, ua sollëm revistën Gjimnazisti dhe revistën e studentëve Bota e Re, me të cilën bashkëpunonim në atë kohë, sepse ne ishim vendosur edhe në mbështetjen e lëvizjes studentore dhe të demonstratave të vitit 1997 e tutje që vazhduan edhe në vitin 1998, që u shndërruan në një demonstrata në shërbim të luftës çlirimtare….”, Bytyçi.
Këta të dy tash janë të indinjuar se si shkolla që dikur shquhej për mbështetjen e çlirimtarëve, tash po shfrytëzohet pikërisht kundër tyre.
Ulaj, vlerëson se mbajtja e një ligjërate për Gjykatën Speciale pa koordinim me institucionet arsimore, drejtorinë komunale dhe prindërit ka qenë një hap i paqëlluar.
“Nuk më erdhi mirë që është organizuar një ligjëratë e tillë, pa u koordinuar më së pari me institucionet e arsimit, me drejtorinë komunale të arsimit, me prindërit. Për çfarë arsye? Për arsye se Gjykata Speciale ne na është imponuar. Nuk është gjykatë e Kosovës, asgjë s'ka të Kosovës. Vetëm emërtimin e ka. Gjykatësit nuk janë të Kosovës, vendi ku është nuk janë të Kosovës e kështu me radhë. Prandaj, për mendimin tim, çka do t'u flitet atëherë atyre? Çka do t'u thuhet? Do t'u thuhet nxënësve e vërteta apo jo? Do t'u thuhet se kjo gjykatë na është imponuar, do të thotë, nga faktorë ndërkombëtarë… 04’44por më duket ka qenë një hap jo i qëlluar. Jo i qëlluar, sepse në qoftë se nxënësve nuk u thuhet e vërteta për Gjykatën Speciale, atëherë do të thotë ata do i mashtrojmë”, shprehet Ulaj.
E ish-gjimnazisti, Bytyqi thotë se 28 vite pas po tentohet të zhbëhet historia e shkollës.
“Kjo është e pakuptueshme në një kohë kur jo vetëm gjimnazi Xhevdet Doda, por të gjitha shkollat e tjera duhet ta ruajnë kujtesën kolektive duke rikujtuar dhe vlerësuar luftën çlirimtare dhe të arriturat e saj që janë liria dhe pavarësia e Kosovës. Ata me apo pa vetëdije vendosen në një luftë kundër historisë. Derisa dje ne ishim në shërbim të luftës çlirimtare, në shërbim të historisë, dhe besonim se vetëm vazhdimi i luftës dhe një politikë më aktive mund të na çlironin nga Serbia, dhe historia na dha të drejtë. Tani 28 vjet më pas, në të njëjtën shkollë, vendoset në shërbim, me apo pa vetëdije, në shërbim të djallit. Por historia nuk mund të rishkruhet. Ajo është historia e luftës çlirimtare e cila rezultoi me përkrahje ndërkombëtare, me bombardimet e NATO-s, dhe me fitoren e lirisë dhe pavarësisë”, u shpreh ai.
Ish-drejtori konsideron se masa ndëshkuese duhet të merren karshi atyre që aprovuan dëgjimin e ligjëratës për Specialen.
“Drejtori i shkollës, është dashur së pari të dijë cili është qëllimi i kësaj ligjërate. Cila është pesha? Çka reflekton kjo ligjëratë, do të thotë, për çfarë qëllimi? Në qoftë se do dikush të na bind, po them edhe njëherë, të na bind se kjo gjykatë do të thotë është bërë me vullnetin tonë, të institucioneve të Kosovës, nuk qëndron ajo.....Është dashur të koordinohet, të këshillohet me Drejtorinë e Arsimit. Është dashur po ashtu të këshillohet edhe me Këshillin e nxënësve", u shpreh ai.
Mediumi që nga e hëna ka tentuar të marr një deklaratë nga drejtori i shkollës “Xhevdet Doda”, Isak Bregaj, por ka qenë e pamundur.
Javën që shkoi nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” dëgjuan ligjëratë për Gjykatën Speciale të Hagës. Mbajtja e kësaj ligjërata ngjalli reagim të madh kundër mbajtjes së saj, e cila ishte organizuar edhe pa dijeninë e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë.
E nga drejtoria e kësaj shkolle, kishin deklaruar se dritën e gjelbër për këtë ligjëratë e kishte dhënë këshilli drejtues i shkollës”.
Ndërsa, “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR)”, e cila ka organizuar ligjëratën mbi Gjykatën Speciale në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë, e ka pranua se ligjërata është mbajtur në bashkëpunim me zyrtarët e Speciales.
Në reagimin e kësaj organizate është thënë se aktiviteti është realizuar me lejen e institucionit arsimor.
Ndërsa, kryetari i komunës së Prishtinë, Përparim Rama duke u shprehur i indinjuar paralajmëroi masa ndëshkuese për të gjithë ata që lejuan mbajtjen e një ligjërate të tillë, raporton KP.
I akuzuari, Edvin Alushi pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Javorka Perlinqeviq, për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë është deklaruar i pafajshëm në seacën e së martës më datë 27.01.2026.
Alushi akuzohet nga Prokuroria se ka goditur me veturë G. S. dhe M. N. duke ju shkaktuar lëndime.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës e cila është ngritur më datë 03.04.2025, i pandehuri më datë 07.08.2023 në orën 03:50 të mesnatës i kishte goditur dy persona me veturë, pasi i kishte vërejtur se të njëjtit janë duke ecur në këmbë.
Kjo ngjarje nga prokuroria përshkruhet të ketë ndodhur pasi G. S. dhe M. N., kishin dalë nga një klub nate në periferi të Prishtinës dhe ishin nisur në këmbë që të kërkojnë taksi.
Tutje Prokuroria pretendon se i akuzuari Edvin Alushi i cili ishte duke vozitur veturën e tipit “Audi A7” posa kishte vërejtur të dëmtuarit teksa ecnin, kishte rritur shpejtësinë e veturës dhe i kishte goditur duke ju shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit G. S., kurse lëndime të lehta kishte pësuar M. N.
Në aktakuzën e Prokurorisë shkruhet se i akuzuari gjendej në arrati.
Prokuroria përshkruan se i njëjti pasi i kishte goditur viktimat ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.